Redi Shehu
Anëtare e Bandave Muzikore të NATO-s
Gazeta Start
Ishte thjesht një ditë e bukur me shi dhe
atij i duhej të qëndronte i ngrirë nën kostumin e pluhurosur të bandës
muzikore të ushtrisë e cila kishte hipur mbi ca palë shkallë dhe vetëm
po priste një sinjal nga kështjella e Drakulës (diktatorit) andej nga
Rumania.
E gjithë ajo që duhej të bënte ishte të
përplaste sa më fort të ishte e mundur një palë teneqe prej tunxhi sa
herë që dora e dirigjentit të bandës, e futur në një palë doreza të
bardha në të përhimtë nga përlyerja gjatë magazinimit, të ngrihej për
t’i dhënë sinjalin e përplasjes.
Kishte kaluar me dhjetra raste kur kishte
qënë dëshmitar i paradave në qytet, por, vërtet, kësaj radhe ishte
ndryshe, i kishin thënë se duhej t’i përplaste teneqetë prej tunxhi më
fort se të gjitha herët e tjera.
Së bashku me shiun që kishte filluar të
binte, nga tarracat e ndërtesave të qëndrës, kishin filluar të
rrëshqisnin postera gjigantë të mëdhenj që dukshëm afishonin hyrjen e
Shqipërisë në NATO.
Ndërkohë që banda muzikore e ushtrisë po
palosej nga pritja e gjatë, atij filloi t’i vinte nëpër mendje kur i ati
shumë kohë përpara, ndërsa luante me pantallona të shkurtra, e kishte
marrë me vete në ndërmarrjen e dekorit sepse atë ditë kishte shumë punë.
Atë dite duhej që Tirana e kuqe të mbushej me flamuj e banderola sepse
Shqipëria ishte bërë anëtare e Traktatit të Varshavës.
I kujtohej se ashtu i vogël shokët e babit
e kishin zhdëpur në akullore dhe se hareja që kishte përfshirë qytetin
ishte aq e madhe sa nuk përshkruhej. Pyetjes se përse i gjithë ky gëzim,
i ati i qe përgjigjur se më në fund Shqipëria ishte bërë anëtare e një
traktati që ishte më i sigurti dhe më i fuqishmi, se Shqipëria ishte
futur në familjen e natyrshme të vendeve socialiste.
Por ja, tani që pas shumë vitesh gjithë ajo
që kishte mbetur nga i ati ishte një pirg i vogël me fotografi, ai ishte
aty si për ironi jo duke vendosur banderola me të birin por duke
përplasur dy teneqe tunxhi sa herë që ritmi i ushtrisë shqiptare binte.
Ishte shumë e çuditshme se si koha kishte
ndryshuar aq shumë por edhe aq shpejt sa koha mes dy përplasjeve të
pjastrave prej tunxhi.
Ishte munduar gjatë gjithë kësaj kohe të
kuptonte se e gjithë kjo që po ndodhte kishte të bënte me të vërtetë me
atdheun e tij apo kishte qënë e gjitha një ëndërr kujtimet e së cilës po
veniteshin në mënyrë të pashmangshme. Nuk kishte mbaruar ndonjë shkollë,
dhe për këtë nuk ndjehej krenar, por me instinktin e tij prej muzikanti
e kishte kuptuar prej kohësh se pjastrat prej tunxhi njësoj tingëllonin
si atëhere dhe si tani që banda e tij po bëhej pjesë e bandave muzikore
të NATOS, të vetmet gjëra që kishin ndryshuar ishin dirigjenti dhe
veglat muzikore.
Seç ngjante një çikë më trendy se sa
dirigjenti i hershëm që nuk i qeshte kurrë buza, pa le pastaj ato veglat
muzikore me shkronja cirilike ruse nuk ishin edhe aq te intonuara.
Dirigjenti i vjetër nuk fliste kurrë për
biznes, ishte shumë i rreptë dhe kur shkonte të merrte rrogën, asnjëherë
nuk i linte ndonjë dyshkë arkëtarit. Ndërsa ky i riu ishte hata fare, i
lindur për biznes. Nje kohë ia la të gjitha rrogat arkëtarit gjatë
periudhës që kishte shkuar të vendoste paqen në Kabul. Pa le pastaj
klarinetisti, trombonisti dhe ca çuna të tjerë që bënin sikur i binin
veglave muzikore dhe që i kishte parë rishtazi, kishin parkuar veturat
luksoze në cep të trotuarit si trofe nga Mosuli.
Sa shumë kishte ëndërruar të shkonte të
vendoste edhe ai paqen nëpër botë, por, nuk ia kishte arritur sepse e
gjithë pasuria që kishte nuk përmbushte kriteret e shefit të dirigjentit.
I kishin thënë se nuk je një paqeruajtës i mirë. Dhe ja, tani do të
duhej të përplaste dy pjata prej tunxhi sa herë që dora e dirigjentit të
ngrihej lart.
I shtrëngonte fort ato pjata se ishin e
vetmja buçitje e këndshme që transformohej në një rrogë në fund të
muajit. Kishte pasur momente të forta depresioni, kur dirigjenti i
kishte thënë se ndoshta pjatat e tunxhit do të shiteshin për skrap
jashtë, pasi ishin të vetmet elemente tunxhi të mbetura në një ushtri
moderne, praktike dhe të standartizuar. Por, një përplasje më e fuqishme
se ajo e pjatave të tija, javë më parë, kishin lënë në harresë
instrumentat e tija të dashura.
Nuk kishte asgjë në kundërshtim me NATON,
përkundrazi shpresonte që rroga t’i rritej, të kishte më dinjitet dhe
fundja ky dirigjenti i ri seç ishte më demokratik. Por ajo që e vinte në
dyshime të shpeshta, ishin ca shprehje të politikanëve. Nuk merrte fare
vesh nga ajo punë, por logjika e tij nuk e kuptonte se përse kur
politikanët thonin se jemi kthyer familjes sonë të dashur, nuk
përmendnin se kjo familja e dashur na kishte bërë copë e çikë një
shekull e kusur më parë. Pastaj seç ishin ca anëtarë të kësaj familjes
sonë të dashur që na pushtuan e na shkërrmoqën fare gjatë luftës.
Ai e dinte mirë se kur komshinjtë e
pallatit të tij ishin të fortë e të fuqishëm ishte mirë të bëheshe shok
e anëtarë me ta, por jo të shkonte deri aty sa ti thoshte komshiut të
katit të tretë që e kishte zhdëpur në dru para shumë vitesh, se të kam
dashur fort gjithmonë, apo komshiut poshtë tij që kishte dashur
gjithmonë t’i mirrte gjysmën e shtëpisë.
Ca murmurima, dhe ja, dirigjenti mori
qëndrimin drejt, bëri me shenjë që të gjithë të bëheshin gati. Do t’i
përplaste,…do t’i përplaste fort pjatat, aq fort sa buçima e tyre të
binte në vete pollitikanët tanë.
E pse jo…. ishte ai që mbante ritmin.
http://www.peshkupauje.com/anetare-e-bandave-muzikore-te-nato-s/2008/04/05/ |