ZeriIslam

Le të jetë nga ju një grup që thërret në atë që është e dobishme, urdhëron për punë të mbara dhe ndalon nga e keqja

 

Emri:

E-mail:

Mesazhi:

 

Agron Luka

Aspekte të deformimit dhe shpërbërjes së kërkesave për autonomi të Shqipërisë në vitet 1878-1912

 

Roli inicues dhe mbytës i diplomacisë turke dhe personalisht i Halifit Sulltan Abdyl Hamidit për “Lidhjen Shqiptare të Prizrendit”.
Kasta politike e përzgjedhur e feudalëve, që “përfqësonte popullin shqiptar”, e lidhur me  shumë fije me shtetin teokratik turko-osman, duke përfshirë këtu edhe krahun më të avancuar të intiligjencës kulturore të quajtur si “Rilindja Kombëtare”, jo vetëm zyrtarisht, por edhe faktikisht, asnjëherë nuk u shtynë më shumë se sa kuadri i kërkesave të një autonomie kulturore, përzier edhe disa të drejta të kufizuara politike administrative, qysh nga viti 1878 e deri në vitin 1912. Realisht dhe zyrtarisht autonomia, sipas kësaj “pikpamjes shqiptare të 1878”, duhej të fillonte me aprovimin me ndonjë “Dekret Sulltanor”, për bashkimin e katër ose pesë vilajeteve dhe disa sanxhaqeve të tyre, sipas ndarjes administrative turke, në një vilajet të vetëm, të quajtur si “Vilajeti i Shqiperisë”, dhe ky teritor automatikisht do të konsiderohej e nënkuptohej si Shqypenija/Shqiperia/në turqishte Arnavudilia. Brenda kësa hapësire nëpunësit duhej të ishin shqiptarë, gjuha duhej të ishte gjuha shqipe, krahas edhe turqishtes etj. 
Pas “Paqes së Shën Stefanit” dhe në kohën kur do të zhvillohej “Kongresi i Berlinit”, më në fund pas gjith atij gjumi të rëndë, edhe Turqia filloi t’a ndiente seriozisht dobësinë dhe rrezikun, por edhe shqiptarëve filloi t’u dilte nargjyleja. Shumica e historianëve seriozë e kanë pranuar se ky tubim më 10 qershor 1878 në Prizrend, nuk ishte thjeshtë spontan dhe i organizuar nga poshtë vetëm nga shqiptarët, por aty kishte një dorë e prezencë të fortë edhe diplomacia turke. Kjo është edhe arësyea që qysh në ditët e para Lidhja, plotësoi kërkesat imediate të interesave turke në gadishullin e Ballkanit. Me kalimin e kohës natyrshëm filloi të distancohej diçka nga interesi thjeshtë shqiptar, të cilin hafijet turke e ndiqnin rigorozisht. Në “Relacionin” e Valiut të Kosovës, dt 14 nëntor 1878 theksohej “se shqipetarët duan të mbrojnë atdheun dhe kombësinë e tyre, por nuk duan të shkëpusin as lidhjet e shtetësinë nga Perandoria Osmane dhe duan të mbeten nën mbrojtjen e kësaj...kanë për qëllim që me forcat islamike dhe pushtetin e Perandorisë osmane të formohet një fuqi e madhe e përbashkët...”. Po ky “relacion” shpreh mendimin se “kundërshtimi i të gjitha kërkesave të shqiptarëve do të ishte me pasoja të dëmshme”, por nga ana tjetër shpreh edhe frikën se mos shqiptarëve do t’i lezetohej ky predispozicion dhe se “ata mund të ndërmerrnin veprime konkrete për të fituar autonominë ashtu si në ishullin e Kretës”. 
Qysh në fillim, vetë Sulltani e “Porta e Lartë”, Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Jashtme turke, realisht i kishin përcaktuar me imtësi varjantet e mundshme dhe me marifet e deformuan shprehjen nga “Vilajeti i Shqipërisë” në “Vilajeti i Rumelisë”, duke gjetur edhe justifikimin se ky ish vilajet kishte ekzistuar edhe më parë. Në fakt ata përfshinin këtu edhe maqedonasit, vllehët, turqit e sjellur etj. Mund të lexohet i qartë “plani i diplomacisë, shtetit dhe halifit, varjantet dhe dyshimet e mundshme”, në disa “Relacione”, sipas vetë burimeve dokumentare osmane. Së pari kemi “Realacionin”, për “formimin e një vilajeti autonom shqiptar i paraqitur Portës së Lartë”, që mban datën 6 maj 1880, për krijimin e “Vilajetit të Rumelisë”, i cili justifikohet si i dobishëm dhe hidhet në propozimin për aprovim në instancat më të larta. Ky pasohet pastaj me “Relacionin” e Këshillit të Ministrave, drejtuar Sulltanit, dt. 23 maj 1880, që të “formohej një vilajet i vetëm i Rumelisë”; me “Relacionin” dhe “Vendimin e Këshillit të Ministrave për emërimin e Ahmet Ejub Pashës si guvernator i vilajetit të bashkuar shqiptar me emrin “Vilajeti i Rumelisë”, i datës 30 maj 1880. Pra siç konstatohet fare qartë krijimi i këtij vilajeti është pranuar në parim dhe është futur në ekzekutimin praktik. (Shih, “Lidhja shqiptare e Prizrenit në dokumentet osmane 1878-1881”, bot. 1978, dok. nr. 40; nr. 42; nr. 43, nr. 45; nr. 48, dt 23 qershor 1880 etj.)
Mund të konstatohet fare kjartë, se edhe “misioni diplomatik i Abdyl Frashërit dhe Mehmet Vrionit në Evropë”, jo vetëm që bëhej me dijeninë dhe trainimin e diplomacisë osmane, por fillimisht i përmbahet “vijës turke“ si “paprekshmëria e Shqiperisë brenda kuadrit të Perandorisë” (cit.,”Telegram” 8 prill 1879, dok. nr. 12; nr. 15, nr. 16; nr. 17; nr. 18 etj)  Vërtetohet se edhe ndonjë shmangie sa do e vogël, kontrollohej imtësisht jo vetëm nga organet turke, por si të thuash edhe nga vetë telegramet, takimet personale e raporte-mazbatat që dërgonte vetë A. Frashëri...  
Pasi e kishte hedhur të keqen katastrofike të “Paqes së Shën Stefanit”, me “Kongresin dhe Traktatin e Berlinit të 1878”, diplomacia turke dhe vetë Sulltan Abdyl Hamidi personalisht, kishin filluar të bënin pazare e tregëti me zonat e pastra etnike shqiptare të veriut, në shkëmbim të hapësirave në jug, të cilat realisht ishin të padominuara nga shqiptarët e nga elementë të tjerë të ndryshëm heterogjenë myslimanë. Në këtë pikë edhe dyshja Frashëri-Vrioni ndeshi në vështirësi ne takimin me ministrin e jashtëm francez. ( cit. Dok. nr. 16, dt. 3 maj 1879; nr. 17, dt 7 maj 1879; nr. 18, dt. 9 maj 1879) I gjithë plani turk, konsistonte për të siguruar një lidhje tokësore të qëndrueshme të shtetit turko-osman, nga Edreneja, nga Selaniku, në lidhjen Egje-Jon dhe në Adriatik, deri në grykë Bunë, duke ia këputur Greqisë lidhjen tokësore me gadishullin ballkanik. Në këtë pikë nevralgjike, e gjith diplomacia osmane dhe vetë Sulltani, synonin të bindnin popullin shqiptar që të nënështrohej se kjo ishte në të mirë të Perandorisë, Vatanit, Dinit dhe shfrytëzuan të gjitha mënyrat më të mundshme. Kështu psh me datën 8 shtator 1880, zhvillohet biseda telegrafike e Valiut të Shkodrës dhe e përfaqësuesve të 14 elementëve të shquar të parisë së  Shkodrës, me ministrin Hasan Hysni Pasha, i cili ishte direkt i ngarkuar me kompetencat e plota nga Halifi Sulltan Abdyl Hamidi, ku i bëhen prezent rekomandimet e urdhërat e Sulltanit, i bëhen   lutje e lajka për të mos bërë asnjë lloj rezistence ndaj dorëzimit të Ulqinit me rrethe në mënyrë që: “të mos bllokonin e digjnin bregdetin e pjesën e brendëshme të Shqipërisë dhe që të mos rrezikonin, sepse do të përvëlonin të gjithë bregdetin e pjesës evropiane adriatike të Perandorisë Osmane”. (Cit. Dok. nr.80)  Tani ishte e nevojshme që edhe e gjithë ish “Lidhja Shqiptare” dhe paraqitjet e saja me degë të veçanta si “Lidhja e Prizrenit”, “Lidhja e Gegnisë”, “Lidhja e Toskërisë”, “Lidhja e Shkodrës”, “Lidhja Mirëbërëse”, “Lidhja e Gjakovës”, “Lidhja e Pejës” etj, të asgjësoheshin komplet, duke mos përjashtuar këtu as masat më ekstreme me arrestime dhe me forca ushtarake, sigurisht duke shmangur sa më shumë konfrontimet. Këto urdhëra pasqyrohen qartë edhe në disa “Relacione” dhe veprime konkrete, ku komandantë të lartë por edhe Sulltani tashti aktivizohet edhe personalisht, jo vetëm me biseda me lidhje telegrafike direkte, por edhe me një “Irade Sulltanore” drejtuar “Gjithë popullsisë së Shqiperisë”, ku krahas këshillimeve me ajete kuronore për bindje absolute ndaj Halifit, akuzojnë shqipëtarët se nuk e kanë kuptuar sa duhet ajetin kuranor nënështrim e bindje ndaj  All’llahut, Profetit Mohammed dhe atyre që kanë pushtet midis jush. Halifi, tashti hiqet sikurse nuk na kishte qenë i bindur për “Viljatin e Rumelisë”, se nuk paska pasur as dijeni të mjaftueshme për kërkesat autonomiste shqiptare, dhe e përfundon Iradenë duke veçuar me kërcënimet se, “emri i 5-10 tradhëtarëve dhe ngatërrestarëve do të përmendet me mallkim deri në ditën e ringjalljes... si babai i të gjithë myslimanëve i ftoj myslimanët shqiptarë t’i kapin dhe t’i dorëzojnë këta tradhëtarë keqbërës me mendime të rrezikshme ndaj qeverisë. Ju siguroj dhe ju kujtoj se në këtë mënyrë do të gëzoni lumturi, paqe e qetësi në të dyja jetët”. (Cit. “Relacion” i Dervish Pashës, drejtuar “Portës së Lartë”, dt. 27 dhjetor 1880, Dok. Nr. 92; Dok. nr. 93, “Thirrje/Irade” e Sulltan Abdyl Hamidit, dhjetor 1880, Dok, nr. 93)  
Tashti, le ta ndjekim paksa në kohë qysh nga 1878, se si na paraqitet kjo puna e “autonomisë” edhe nga historiografia e re shqiptare. Në lidhje me “Lidhjen e Prizrendit” në tekstin e “Historisë së Shqipërisë”, Vëllimi i Dytë, bot. 1965, f  129-130 shkruhet: “Të gjithë delegatët u shprehën për ruajtjen e sovranitetit të Sulltanit mbi Shqipërinë dhe tokat e tjera të kërcënuara, duke parë në të garancinë për ruajtjen e vendit nga copëtimi, për mbrojtjen e tërësisë tokësore”. Më poshtë shkruhet: “Disa pika të Kararnamesë donin t’i jepnin Lidhjes, karakterin e një organizate të mbështetur në parime fetare islamike, të destinuar për ruajtjen e sundimit turk në Ballkan. Këtë qëllim kishin ato Nene të vendimeve, të cilat parashikonin që Lidhja të mbronte me forcat e saj Bosnje-Herzegovinën, të pengonte formimin e shtetit bullgar etj. Për këtë qëllim Lidhja, e cila e quante veten Xhemieti Ihtilati Islamie/Komiteti i Islamëve të Vërtetë, duhej të përfshinte sipas Kararnames, të gjithë shtetasit islamë të perandorisë turko-osmane, pavarësisht nga kombësia e tyre, qofshin ata shqiptarë, boshnjakë, bullgarë etj. Interesat e Portës së Lartë përkonin në këtë pikë me ato të feudalëve të mëdhenj shqipëtarë, për të cilët kuptimi i Shqipërisë shtrihej përtej viseve të banuara nga popullsi shqiptare... për këta feudalë “Tërësi e Shqiperisë” donte të thoshte tërësi e të gjitha viseve ku ata kishin çifliqet e tyre, dmth duke përfshirë edhe Maqedoninë deri në Selanik, Thesalinë, krahinat greke të Vilajetit të Janinës etj”. (Cit. f 131)
Kësisoji, e vërteta historike na paska qenë se “Itifaku i Prizrendit”, fillimisht ishte projektuar dhe ka përfaqësuar pothuajse të gjitha popullsitë myslimane të gadishullit tonë  e më gjerë edhe të Sulltanatit Osman. Po na del se me “copëtimin e vendit”, fillimisht e realisht kuptohej, sëpari copëtimi i tërësisë tokësore të  vatanit osman, të Sulltanatit Turko-Osman e halifatit të tij, pastaj më në plan të dytë ishte  “copëtimi i Shqipërisë”, dmth i asaj Shqipërie që e kishin në mendje feudalët e mëdhenj islamë shqipetarë alias të quajturit edhe si turkoshakët nga shqiptarët progresistë. Në dy dokumentet kryesore zyrtare që hartoi “Xhemieti”, “Kararname” e “Talimat”, as që përmendej kund termi gjeografik-etnik-politik si Shqipëri, nuk flitej askërkund direkt as për çeshtje “indipendence” e as “autonomie” dhe aq më pak për vetcaktimin e kufinjve të Shqipërisë. Njëfarë “lirie relative” për këto u lejua nëpër “misionet diplomatike” të bejlerëve shqiptarë, në telegramet, memorandumet e peticionet  e ndryshme që iu dërguan “Kongresit të Berlinit”, me të cilët Porta e Lartë donte të krijonte edhe një farë shantazhi, ndaj “Kongresit të Berlinit” me disa ushtri redifësh jo vetëm islamësh por edhe kristianësh malësorë që martoheshin me shumë gra etj, me shifra me mbi 100.000 luftëtarë, për të mbrojtur Bosnjë-Hercegovinën, pengimin e luftrave nacional-çlirimtare të fqinjëve tanë, pengimin e formimit të shtetit bullgar etj.        
Sipas një botimi françeskan në Shkodër, shkruhet dhe pohohet se, paria Shkodrës, katolike e myslimane, në bashkëpunim edhe me koloninë katolike shkodrane të Triestes e me albanezët e Italisë, i kanë drejtuar Lordit Beaconsfield, kryesuesit të delegacionit anglez në “Kongresin e Berlinit” me 13 qershor 1878, një “Memorandum”, ku qysh në Pikën 1 theksonin: “Indipendenca e Shqypnis përveç se asht n’interesën e shqyptarëve, por edhe ekuilibri i Europës e kërkon qi kjo të  jetë nji shtet i pamvarun për me formue murin mprojtës t’Europës perendimore kundrejt invazionit slav” (“Shqypnija e Shqyptarët”, Shkodër1940, f 25-26; Shih edhe Xh. Belegu, “Lidhja e Prizrenit”, Tiranë 1939, f  24)
Ndërkaq, për të njejtin episod historik, “Historia e Shqipërisë”, shkruante: “Kararnameja, nuk përfaqësonte mendimin patriotik më të përparuar të vendit. Elementët politikisht më të zhvilluar që u ndodhën në Prizrend, ishin të pakët dhe nuk mundën t’ia hiqnin Lidhjes karakterin e një organizate mbi baza fetare islamike në shërbim të Portës së Lartë. Në kushte më të favorshme, nën drejtimin e grupit të patriotëve, në Shkodër lëvizja mori qysh në fillim një rrugë patriotike më konsekuente. Kjo shihej në një Memorandum të nënëshkruar nga 500 vetë që iu drejtua më 13 qershor 1878, në emër të të gjithë shqiptarëve, kryetarit të delegacionit englez në Berlin, kryeministrit dhe lordit Bikonsfielld. Shqipëria...nuk mund të përfaqësohet nga qeveria otomane. Shqipëtari, qoftë katolik, ortodoks apo mysliman, e urren pushtuesin turk po aqë sa urren çdo pushtues të huaj...Ashtu sikurse nuk jemi dhe as nuk duam të jemi turq, po ashtu do të luftojmë me të gjitha forcat tona kundër cilido që do të kërkonte të na bënte sllavë, austriakë ose grekë. Ne s’duam të jemi veçse shqipëtarë”... Pasi i bëntë një kritikë të ashpër politikës ekspansionistë të Rusisë dhe Traktatit të Shën Stefanit, Memorandumi kërkonte që t’i jepej Shqipërisë autonomia, në mbështetje të parimit të kombësisë dhe të caktohej një komision ndërkombëtar i kontrollit që duhej të garantonte zbatimin e reformave në Shqipëri, si në Kretë e Bullgari”. (po aty cit. f 131)
Tani hapni sytë e veshët dhe gjykoni vetë: sa larg është Indipendenca, “ruajtja e ekuilibrit evropian” dhe “muri antisllav”, nga Autonomia dhe “ruajtja e unitetit teritorial e fetar islam me Perandorinë Osmane”! Ku ndodhet i plotë ky dokument dhe a thua ka mbërritur ndonjëherë i protokolluar në Berlin?! Sa larg është një dokument që përfaqësonte katolikët me nja  dy a tre kokrra myslimanësh pa emër, dhe me një “dorë italiane”, me pretendimin e sajuar për “përfaqësimin e të gjithë shqipëtarëve”?!
Duke u kapur nga këto lloje gjethesh e degësh, Mustafa Asim Kruja, do të deklaronte  më 30 maj 1941, para Akademisë Mbretërore të Italisë se, “Lidhja Kombëtare e Prizrenit kishte për objektiv Shqipninë e Madhe, me shpëtue atdheun nga gjymtimet e Kongresit të Berlinit, me i imponue Qeverisë Otomane autonominë mbrenda kufijve administrativë të katër vilajeteve të Janinës, Monastirit, Shkupit dhe Shkodrës, me Ohrin kryeqytet, e ma në fund me pregatitë Kombin për luftën e epërme për pamvarësinë e tij të plotë”. (“Karakteret natyrore dhe historike të Shqipnis së Madhe”, Tiranë 1941, f 3 )
Dhe të gjitha këto thuheshin, kur fare mirë dihej se delegacioni i myslimanëve të Vilajetit të Shkodrës i kryesuar nga valiu turk, u vonua rrugës dhe nuk mbërriti dot me kohë në datën e caktuar në Prizrend, ndërsa “delegacioni katolik” ishte nisur në Prizrend, mbas disa kohësh thjeshtë si një vizitë urimi dhe kortezie, mbasi ishin hartuar dhe marrë të gjitha vendimet, siç i kishte dashur Turqia dhe sejmenët e saj. Por, ka edhe më kontradikta, mëdyshje, interpretime mashtruese etj, dhe më në fund duhet sqaruar edhe se për çfarë lloj “autonomie” mashtruese të “Vilajetit të Rumelisë” bëhej fjalë në premtimet e Halifit. Në botimin e Shkodrës të vitit 1940 shkruhej: “Me 15 qershuer 1878, Lidhja e Prizrenit i dërgoi nji Telegram Portës së Naltë, me anën e të cilit i njohtonte se shyptarët nuk do t’u nënështroheshin vendimeve kundra tanësisë toksore të Shqypnisë, e Qeverija turke e kishte me detyrë t’interesohej për fatin e Shqypnis në Kongresin e Berlinit. Abdyl Frashëri hartoi dy telegrame; njana iu dërgue ambashadorve në Stambollë e tjetra “Kongresit të Berlinit”...U formue n’Prizren nji Komitet Qandruer...Ky Komitet Qandruer caktoi programën e autonomis të kombit shqyptar e i shênjoi kufijt. Programa pershinte kater vilajete: Janinë, Shkodër, Monastir e Kosovë. Këto vilajete do të formojshin nji administratë të vetme me Monastririn si kryeqjytet, tue pasë si gjuhë zyrtare shqypen. Shumë delegetën deshën me shti mbrenda kësaj administrate edhe vilajetin e Salonikut e sanxhakatin e Novipazarit, si krahina të banueme prej njaj shumice të madhe shqyptarësh. Lidhja në Prizren veprojte krejt si nji qeveri kombëtare...Po edhe Sulltani vetë u kishte dhanë urdhën qeveritarve e ushtarëve në Shqypni mos me i u përzie Lidhjes në veprimin e saj. Posë kësaj Sulltani u kishte premtue shqyptarve edhe nji farë autonomije nën syperaninë e tij”. (cit. f 25)
Lexuesi dhe studiuesi mundet të vërejë se si “organizata me karakter islamik” na paraqitet shpesh si kameleone me disa lloje emërtesash, jo vetëm siç e kemi parë si disa tipe Lidhjesh, por herë-herë edhe si “Komiteti Qëndror”, edhe si “Qeveria Kombëtare/Kuverna e Përdorme”,  si “Komiteti i Islamëve të Vërtetë”, se si kjo “qeveri” na i paska dhënë Turqisë të drejtën, tagrin dhe detyrën të na përfaqësojë në Berlin, pa përmendur fare Shqiperinë, se si i vetëpërcaktoi kufinjtë e Shqypenisë/Shqiperisë  Ethnike, të cilat ia kërkonte Evropës etj, etj. Dhe fare mirë dihet se aso kohe nuk kishte asnjë lloj uniteti e drejtësie kolektive evropiane, por kishte një drejtësi kapitaliste e imperialiste, ku fitimtari dhe arbitrat diktonin drejtësinë, përfitonin hapësira teritoriale etj.

Dora dhe mendësia e Halifit Abdyl Hamidi edhe më 1912 edhe pas 1912...
Do të konstatohet se edhe në vitet që pasuan u veprua plotësisht brenda kësaj vije e këtij kuadri, madje do të konstatohet se edhe “flamurët, mëvehtësia e mosvartësia” e 28 nëntorit 1912, ndoqën po këto dinakëri e praktika anadollake. “Karta e Mëvehtësisë” (Shumë e çuditëshme dhe e dyshueshme si dhe pse  dhe kush e ka humbur origjinalin unik, po ashtu siç edhe flamurin e A. Kastriotit?!) fillimisht u komentua dhe praktikisht u interpretua si autonomi nën sovranitetin dhe suzeranitetin e Sulltanit, duke luajtur edhe lojra variantesh, derisa të  përfundonte lufta me fitoren ushtarake turke në frontet e Shkodrës dhe Janinës. Me mos realizimin e një Shqiperie të madhe 4 vilajetëshe dhe me unitet territorial me Turqinë, u kalua pastaj edhe në shpërthime regresivizmi për ribashkim me Turqinë, me marëveshje të fshehta, me ringritje të flamurit turk në të gjitha qytetet, deri edhe në Vlorë, shoqëruar edhe me plaçkitje e anarki totale, me një destablizim e rënie totale të shtetit shqiptar.
T’a kalosh edhe sot lumin, vetëm duke thënë thjeshtë me një gjysëm goje se në çeshtjen e kërkesës për indipendencë  “u vonuam”, se mbrenda pak ditësh, në vartësi të disfatatve të frontit turk, kaluam nga platforma tradicionale e autonomisë në atë të indipendencës, se ishim të detyruar të mbështeteshim ende te Turqia për të penguar “copëtimin e tërësisë tokësore të Shqipërisë”, apo se kërkesën për autonomi nën suzeranitetin e sovranitetin e Sulltanit, na e imponuan më 1912 evropianët, është një lloj pikpamje hipokrite shumë e rëndë. (Shih, H.Sh, cit, f  363-365)
E vërteta është se realisht qysh nga 1878 edhe deri më 1910-1912, kërkesa maksimale e kastës politike shqiptare e paraqitur dhe si “dëshirë e mbarë popullit shqiptar” ishte vetëm një lloj autonomie brenda kuadrit të tërësisë tokësore të Turqisë. Kjo autonomi, për shkak të hapje mbylljes e lojrave diplomatike turke, mbetej  pothuajse gjithmonë e pa përcaktuar prerë se deri në çfarë caku kërkohej dhe se cila do të ishte kjo Shqypenija/Shqiperia konkrete që kërkonin shqipetarët. Frika ndaj mallkimit të Halifit, frika ndaj shprehjes së kjartë, përdorimi i shprehjeve  të papreçizuara, dy kuptimëshe etj,  ishte shndruar si një dogmë edhe tek patriotët më të shquar dhe e shoqëroi të gjithë periudhën që nga 1878 e deri më 1912, përfshirë këtu edhe vetë Ismail Qemalin, para e pas 28 nëntorit 1912, me marëveshjet e tij të fshehta.
Qysh herët, nëpër disa libra shkollore, nëpër disa manifeste e nëpër disa vjersha me karakter patriotik, disa personalitete të spikatur të letrave shqipe e të politikës së asaj kohe, kishin përcaktuar një lloj vije me kërkesa kulturore dhe kishin ngulur disa piketa e një vijëzim prezantim Shqiperie (si “Vendi i Shqiponjës”): Prevezë, Tivar, Sanxhak, Novipazari, Kurshumli, Prishtinë, Mitrovicë, Leskovac, Vranje-Pirot, Shkup, Manastir, Follorinë, Kostur, Selanik, Grebene, Thesali, Pindi, Kalariti, Artë, Ambraki, Prevezë me nja njëqind e ca mijë qillometra të katërqipta, e cila Shqiperi për hir të “unitetit tokësor të brendëshëm dhe unitetit tokësor kufitar e fetar me Sulltanatin turko-osman” duhej të qëndronte nën Turqinë! “Të bashkohet i tërë ky vent që përbën “tërësinë tokësore të Shqiperisë” me 5 vilajete Selanik , Manastir, Janinë, Shkodër e Yskyp”...”Selanik e tatëpjetë ka qenë e do të jetë Vent i Tërë i Shqiperisë me ndihmë të Perendisë”...”Qysh prej Tivarit e deri n’Prevezë”...”Për Mbret e troje t’vetat...”...”Asht toka jonë t’parët na e kanë lanë”...
Siç e dëshmon dhe e rrëfen bindshëm Hasan Prishtina, aq e fortë ishte kjo vijë e mosshkëputjes nga Turqia, sa që brenda në Parlamentin turk të vitit 1910, deputetët përparimtarë xhonturq kishin filluar t’i përqeshnin me tallje deputetët shqiptarë filo sulltanistë si “bashkimxhinjtë”. Hasan Prishtina, që ishte fare i vetëdijshëm për nevojën e prezantimit zyrtar të “kufinjve të Shqypenisë”, në ato “Kërkesat e famshme autonomiste me 14 pika” të 1912 (ku kërkonte një lloj “marëveshje për një lloj shteti autonom shqyptar-makedonas”), deklaronte se nuk mund të fliste dhe as të propozonte se cilët mund të ishin kjartësisht “kufinjtë e Shqypnisë”, sepse ndryshe do të vritej nga Riza Beg Gjakova dhe Isa Beg Boletini. Sipas H. Prishtinës, roli që luante në këtë çeshtje mjaft delikate indoktrinimi e fanatizmi fetar islamik dhe sidomos roli personal i halifit islam sulltanit Abdyl Hamidit qysh nga 1878, ka qenë jashtzakonisht i rëndë dhe regresiv. Mjaft i vetëdijshëm për këtë H. Prishtina shkruante: “Ibrahim Pasha...më tha që nuk kishte me i pasë hije Shqypnisë me kërkue ksi pikash, pse populli asht muhamedan... Sidomos filloi me përfitue në ma të mirën mënyrë prej padijes së Riza Beg Gjakovës e të fanatizmit fetar të tij. Riza Beg Gjakova e mandej edhe Isa Beg Boletini filluen me thanë: “Na nuk duem as autonomi edhe nuk mund të dahemi prej osmanlive...shkaku i zvogëlimit të fuqisë ishte ky: Riza Gjakova e Isa Boletini mendojshin me pshtue Sultan Hamidin, qi ishte i burgosun në Salonik...T’ardhmen në Shkup, çashtja e Sultan Hamidit ndër qëllime të Riza Begut e Isa Boletinit u pa shumë kjartaz...Edhe vetë Ibrahim Pasha u frigue keqas prej çashtjes së Sultan Hamidit...me të vërtetë Riza Beg Gjakova dhe Isa Beg Boletini, n’at kohë nuk mendojshin ndonji send tjetër veç me pshtue Sulltan Hamidin prej burgimit. Jo qi nuk u përmendte gja as për autonomi, pse këto ishin fjalë qyftri (gjynahi fetar islam) për Riza Begun e Isa Boletinin.” (“Lufta për Çlirimin Kombëtar në vitet 1878-1912”, H. Prishtina, f 423-437, nxjerrë sipas “Nji shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqyptare të vjetit 1912, bot. i dytë, Bari 1925, f 6-38)
Megjithse faktet flisnin qartë, historiografia e vjetër panvataniste dhe historiografia e re enverhoxhiste e “realizmit socialist”, bëri përpjekjet maksimale për të sajuar e për t’i fryrë më tej se sa realiteti faktik disa “rrymëza e krahë autonomistë” deri edhe në nivelet e indipendencës, duke improvizuar madje edhe beteja legjendare e gjakderdhje kolosale në ndeshjet me ushtritë turke, duke konsideruar si “kryengritje masive popullore për pavarësi” edhe disa kryengritje me karater lokal edhe disa ndeshje brenda kuadrit të grindjeve partiake e civile midis xhon turqve progresistë e pansulltanistëve regresivistë etj. Puna shkoi deri te një deklarim e ekzagjerim  gjigand se gjoja në vitet 1910-1912, sllavët dhe grekët kishin vrarë rreth 250.000 shqiptarë!
Po si mund të flitet aktualisht për “histori reale”, duke dëgjuar e stërdëgjuar vetëm skemat stereotipe, pa asnjë lloj debati e diskutimi, duke dëgjuar vetëm hollimet e stërhollimet dhe montimet e disa “ish personaliteteve e burrave të shtetit shqiptar”, të disa historianëve profesionistë enveristëhoxhistë dhe të disa analistëve të caktuar, nën disa dirigjime të paracaktuara?! Flitet për “Lidhjen e Prizrendit”, për “Pavarësinë e 28 nëntorit 1912”, pa përkthyer e botuar të plotë e të pa fallsifikuar në shqip “Kararnamenë”, “Talimatin”, pa përkthyer e botuar të gjitha korespondencat e marëveshjet e fshehta të I. Qemalit, etj, etj?!
Gjithsesi, shihet kjartë pra se çfarë lënde e mori gati dhe çfarë e përpunoi edhe më tej historiografia enverhoxhiste, çfarë pjese nuk i hynte në punë e duhej maskuar, apo se çfarë pjese duhej zhdukur nga faqia e historisë, duke krijuar kështu edhe një farë konspiracioni të brendëshëm. 
Barka  e famshme e shtruar me qilim e Dhimitër Qarrit dhe karroca e famshme e sollën patriotin dhe diplomatin plakun ezmer e mjekërbardhë Ismail Qemal Bej Vlorën më 1908, ku populli i Vlorës i bëri një pritje triumfale “Elçiasë së Hyrrietit”, duke ia ç’mbrehur kuajt nga karroca dhe duke e tërhequr me njerëz. Dhe shyret e hare e madhe dhe rezultati Neni 8 i Kushtetutës: “Të gjithë shtetasit e Turkisë, çdo komit e fejet kjoshin e pa kurrfarë ndryshimi, do të quhen osmanlli” dhe Burhan Edinin si Sulltanin shqiptar! (“Lufta për Çlirimin kombëtar në vitet 1878-1912”, bot. 1962, Dh. Qarri, “Ismail Qemali në Vlorë”, f 486-487; “Mendimi shoqëror e politik i Rilindjes Kombëtare” (Përmbledhje artikujsh nga shtypi), Vëll II, 1908-1910, “Përlindja e Shqypënijes a e Turkis?”, f 124-127 etj)
E njejta barkë e karrocë u përdorën edhe më 1912, për “Plakun e Kaninës, Vlorës dhe të Konjës”, i cili veproi brenda zonës së okupacionit turko-osman, ku u vendos edhe një lloj gjendje dypushteti e bashkëpunimi...
Në shtypin vendas, atë ballkanas, në shtypin evropian e më gjerë, ka fakte që provojnë se shprehja “të gjithë delegatët me një zë  venduan që Shqipëria me sot të bëhet në vehte, e lirë e e mos varme” u interpretua fillimisht edhe si vetqeverim- autonomi. Gazeta “Liri e Shqiperisë” në artikullin redaksional “Çpallja e vetqeverimit të Shqiperisë” shkruante: “Kjo javë na pruri lajmen e gëzueshme çpalljen e autonomisë në Shqiperi. Tejshkrimet thonë se jo vetëm në Durrës dhe Vlorë po nëpër gjithë qytetet e Shqiperisë u çpall autonomia dhe u ngrit flamuri i kombit shqipetar. Këto lajme na gëzojnë shpirtin dhe gëzoin zemrën plot shpresë, se kuptojmë se Shqipetarët e vërtetë të Shqiperisë muhamedan e të krishterë duke parë fuqinë e turqet që po shuhet nuk u hidhëruan aspak po çpallën atë që prej kohësh e dëshëronin”. (H.SH, cit. ne faksimile fig 73, f 364)
Dëshirën autonomiste, të shprehur të shqiptarëve e pranoi dhe e përshëndeti edhe Kongresi i Internacionales Socialiste Evropiane, që mbahej në Bazel të Zvicrës, në fund të nëntorit 1912. Në Manifestin që u hartua me 29 nëntor 1912, shkruhej: “Kongresi e njeh të drejtën e popullit shqiptar për autonomi, por ai me këtë nuk kupton që, nën preteksin e autonomisë, Shqipëria të sakrifikohet për ambiciet austro-hungareze, turke dhe italiane”. Kongresi socialist evropian i hapi derën Shqipërisë që të shikonte në të ardhmen drejt një Federate Demokratike të Ballkanit evropian dhe më vonë do të deklarohej prerazi për të drejtën e shqiptarëve për indipendencë, vetvendosje e unifikim nacional
Realisht përzënien e pushtueseve turq, pastaj edhe të okupatorëve të rinj serbë, malazezë e grekë, vetë indipendencën dhe kufinjtë e Shqipërisë i realizoi dhe i përcaktoi diplomacia evropiane dhe jo deklaratat, proçes-verbalet dhe marëveshjet e fshehta të Ismail Qemalit dhe grupit të tij me komandantët turq, që e kishin lënë indipendencën dhe kufinjtë për minutin e fundit dhe si varjantin e fundit... Nuk ishte më as në dorën e as në tagrin e “Qeverisë së Vlorës” dhe as “Qeverisë së Stambollit” të përcaktonin kufinjtë e Shqiperisë... Në fillim diplomacia evropiane me 17 Dhjetor 1912, vendosi t’a njihte në parim krijimin e shtetit të ri shqiptar dhe më pas të përcaktonte kufinjtë politikë, mbasi vendi ishte i okupuar dhe i përfshirë nga lufta ndërmjet fuqive të bashkuara ballkanike dhe Turqisë. Realisht qëndrimi pasiv dhe madje edhe aktiv i Ismail Qemalit përkrah Turqisë, “kishte çuar në një lloj aleance jo zyrtare të Qeverisë së Vlorës me ushtrinë turke me krykomandë në Berat”. Më 29 janar 1913, Këshilli i Ministrave në Vlorë mori një vendim që me çdo kusht të mbrohej Janina dhe u mobilizua në dërgimin e rezervistëve shqiptarë, ushqimeve dhe armatimeve për ushtrinë turke, po ashtu siç vepronte edhe për frontin e Shkodrës. (H.Sh. cit. f 376) 
Realisht, si komanda turke e Janinës e si komanda turke e Shkodrës, nuk e njohën fare as “mëvehtësinë e as flamurin, e as Qeverinë e Vlorës” dhe shpresonin në një fitore ushtarake e rikthim të Turqisë. Në Shkodër valiu administrativ civil dhe komandanti turk Hasan Riza Beu, pak para se qarqet e fshehta xhon turke t’i bënin atentatin, mblodhi parinë myslimane dhe i ofroi një lloj varjanti autonomie, të cilën ata e refuzuan duke thënë se nëqoftëse Turqia do t’i braktiste, ata myslimanët shkodranë do t’i mbështeteshin Austrisë dhe për këtë “Deklaratë” ata hëngrën disa të shara në kulmin e nervozizmit të këtij valiu, që ishte një ushtarak i shquar, por edhe një filosulltanist i shquar kundra xhonturqve dhe një diktator i shquar. Arësyea ishte se ai kishte pregatitur të vinte në jetë një plan dezertimi për të kaluar në zonën austriake të Tivatit. E vërteta historike, nuk mund të mohohet duke ndryshuar përkthimin e librit origjinal, sikurse ka bërë ushtaraku Ali Ohri në përkthimin e tekstit të origjinalit të G. Berrit, “Rrethimi i Shkodrës” dhe duke shtrembëruar të vërtetën ditën për diell! Ti japësh këtij komandanti dekoratën më të lartë “Për veprimtari të shquar patriotike të klasit të parë”, “Qytetarinë e Nderit të Shkodrës” dhe t’ia ringresh monumentet për të katërtën herë me vlerësimet më maksimale edhe më lart se vetë heronjët e vërtetë të pavarësisë së Shqipërisë, duke ia ngecur të gjitha në kurriz antisulltanistit Esat Pashë Toptanit, kësaj i thonë të cungosh historinë me prapaqëllim, madje i thonë edhe t’i bësh një lloj denigrimi edhe meritës së padiskutueshme të diplomacisë evropiane, që me Ultimatum i largoi ushtritë okupatore malazeze e sërbe nga teritori i Shkodrës.
Megjith kontradiktat ndërmjet grupeve e shteteve rivale evropiane, de facto më 29 korrik 1913, Konferenca e Ambasadorëve Evropianë në Londër e njohu Shqipërinë/Albaninë dhe e definoi me kufinj të qartë politikë. Pati largpamës që e pranuan këtë, por pati edhe “heronj me pozë të bukur”, që u zhytën nëpër marëveshje të fshehta e deshën të na linin fare edhe pa Shqipëri. Jashtë shtetit shqiptar në mënyrë absolute të padrejtë mbetën shqiptarët shqipfolës të  krahinës së Kosovës, të Maqedonisë dhe të disa krahinave që iu aneksuan Malit të Zi. Por, kush pyeste për të ashtuquajturën “drejtësi”, kush do t’a pyeste “shpirtin e aspiratën popullore”, kur kasta politike shqiptare panturke ia kishte bërë hysmetin bash të kundërtës, kur luftoi me mish e  me shpirt për të mos u shkëputur nga Turqia dhe kur kurdisi edhe më pas e më pas kushedi se sa e sa intriga e incidente të rënda?!
Kështu pra “feudalët e mëdhenj” dhe rajatë e tyre të 1878-1912...por, ç’të thuash pastaj kur pas kapitullit të shitjes për borxhe të Shqypenisë dhe kundërvënies së Turqisë qemaliste, u duk përsëri dhëndëri Burhan Edin, kur më në fund ia mbërriti edhe kapitulli fashist, kur effendilerët ogllutë, llarët dhe ronxhobonxhot e “Baballarëve të Kombit”,  antizogistët dhe zogistët që u konvertuan brenda natës si fashistë, deshën të bënin realitet me Italinë e pastaj edhe me Gjermaninë, atë që nuk e bënë  dot me Turqinë. Plot gojën filluan të flisnin për një lulishte Shqypenie të Madhe Ethnike, të vllaznuem me italianj, ku do të bëhej realitet edhe ëndra e vjetër “Selanik e tatëpjetë, ka qenë e do të jetë vend i tërë i Shqiperisë”, madje deklaronin plot fodullëk edhe banalitete të tilla se “Shqypetarët janë nji popull 100% konservator e shovinista”! 

(vijon)

http://www.shqiperia-etnike.com/she104/she104shqip.htm