|
Orhan Bislimaj
BESËTYTNIA DHE RREZIKU I SAJ NË BESIMIN ISLAM
Hyrje
Fakti që muslimani i ka të ravijëzuara dhe të qarta dimensionet e besimit islam, në Kur’an dhe Hadith, i ndalohet të përvetësojë çdo formë tjetër besimore që nuk i referohet bazave të Fesë. Platforma e besimit Islam, e ka marrë formën e vet të prerë me përfundimin e shpalljes së Kur’anit. Ajo nuk pranon kurrfarë shtimi, as pakësimi, as evoluimi e as devijimi. Këtë platformë të besimit, e cila përbën thelbin e besimit dhe nuk është shumë e gjatë, ngase përmbledhet në formë të aksiomave dhe formulave, është e nevojshme që ta dijë secili besimtar, në mënyrë që mendësia e tij besimore, të mbrohet nga çdo devijim, i cili e kërcënon në mënyrë serioze ekzistencën e imanit. Në këtë aspekt, pa dyshim se prej dukurive shumë të rrezikshme, është besëtytnia, e cila legjitimisht konsiderohet kontradiktë e imanit. Në mënyrë që ta kuptojmë ma shtruarëzi rrezikun e besëtytnisë, këtë studim do ta parashtrojmë në dy pjesë: 1. Besëtytnia, ku do të diskutohet rreth terminologjisë së saj, njohjes me të, historikut të çështjes, llojeve të besëtytnisë dhe shkaqeve që çojnë në të; dhe 2. Besimi islam përjashton kategorikisht çdo besëtytni, ku do të diskutohet rreth sovranitetit të besimit islam, duke qartësuar aspektet besimore, në të cilat, besëtytnia vjen në kontradiktë me imanin, si dhe do të shpjegohet se, përse besëtytnia është akt i frikshëm dhe i rrezikshëm për muslimanin!?
I. BESËTYTNIA
1.1. Domethënia gjuhësore dhe terminologjike e fjalës ‘besëtytni’
Në kuptimin gjuhësor, fjala besëtytni (lat. bestia – bishë, kafshë) do të thotë paragjykim i gabuar, sipas të cilit disa ngjarje e dukuri merren si shenja të fshehta që parathonë të ardhmen ose që sjellin të mirën e të keqen, besim i kotë”[1]. Besëtytnitë nuk mbështeten në arsyen e shëndoshë të njeriut, në shkencë, në fe a në teologji.[2] Në gjuhën arabe për fjalën besëtytni ekzistojnë disa shprehje. Si fjalë më e përgjithshme dhe adekuate është ‘el-hurafetu’ - ألخرافة, që do të thotë: bisedë (ngjarje) e kotë tërësisht (الحديث الباطل مطلقا)[3], përkatësisht ‘bisedë e rremë për zbulimin e dëshirave të mira’ (الحديث المستملح المكذوب)[4] Po ashtu, besëtytnisë i thonë edhe ‘el-huza’bilu’- الخزعبل, që do të thotë e ‘pavërtetë’ (الباطل), ndërsa në kuptimin praktik ‘el-huza’biletu’- الخزعبيلة, konsiston ‘bisedën që është atraksion për tallje / qeshje’ (الأضحوكة)[5], një indikacion ky se besëtytnia është objekt talljeje dhe asgjë nuk ka të bëjë me të vërtetën. Më tej, besëtytnia identifikohet edhe me fjalën ‘et-tijeretu’- ألطيرة, që nënkupton “parandjenjën për keq” apo “pesimizmin”[6]. Pejgamberi a.s. në shumë hadithe të tij e përmend këtë shprehje dhe e krahason me fallin, magjinë, etj. duke i llogaritur si ‘besëtytni’ që pronarin e tyre e nxjerrin nga ymmeti i Muhamedit a.s. Ndërsa në kuptimin terminologjik të fjalës, ‘besëtytnia’ si term akaidi, identifikon bindjen e kotë besimore, e cila nuk ka kurrfarë mbështetje në bazat e Fesë (në Kur’an dhe Hadith) dhe, si e tillë konsiderohet devijim dhe kontradiktë e imanit, sepse e kundërshton esencialisht konceptin e monoteizmit, mbi të cilin ngrihet doktrina islame.
1.2. Njohje me besëtytninë
Besëtytnia si një çështje që i përket sferës së bindjes të njeriut, përkatësisht besueshmërisë së tij, përgjithësisht shënon tërësinë e veprimeve apo bindjeve të caktuara, që në përmbajtjen e tyre kanë karakter irracional dhe qesharak, sepse nuk përkojnë me perceptimin racional si një formë që dikton besimi i vërtetë. Në fjalorin e terminologjisë fetare, besëtytni-a (gr. deisidaimonia; lat. superstitio) do të thotë: besim i kotë, i zbrazët, i pamend dhe marrëzor, i cili, si i tillë nuk ka asnjë bazë apo mbështetje në arsyen e shëndoshë të njeriut, në logjikë, shkencë, teologjinë e fenë e njëmendtë; besim ky që paraqet tërësinë e përfytyrimeve të ndryshme të gabuara për gjoja fuqinë mbinatyrore dhe për veprimin gjoja magjepsës të gjësendeve, simboleve, veprimeve e sjelljeve të gjësendeve, fenomeneve dhe njerëzve (p.sh. nallça “shpëtimtare” në ballë të automjeteve, rruzat e kaltërta në dorë të fëmijëve, të cilat këta i shpëtojnë nga “syri i keq”, pastaj maskota në ndeshjet sportive, të cilat sjellin fat, fitore, hudhja e ujit pas atij që shkon në provime, etj.)[7]. Në këtë rrafsh, karakteri i tyre, fund e krye është nënçmues, sepse ndërlidhet me besueshmëri të parsyeshme, duke i dhënë gjësendeve atribute hyjnore se gjoja ato mund të ndikojnë në veprimtarinë dhe shëndetin e personave besëtytë. “Shikuar nga aspekti logjik e filozofik, bestëtynitë janë vendosje e lidhjeve shkakore ndërmjet atyre gjësendeve, dukurive apo njerëzve, të cilat zaten nuk kanë asnjë lidhje të drejtpërdrejtë ose janë të lidhura në mënyrë të rastësishme (p.sh. rënia e meteorit dhe vdekja e ndonjë njeriut; skuqja e hënës dhe gjakderdhja; lufta pastaj paraqitja e tymtarit dhe ngjarja e padëshirueshme etj.)”[8] Prandaj, themi se manifestimi i besëtytnive është tepër naiv dhe primitv, sepse t’i jepet gjesendeve atribute mbinatyrore me rol efektiv në jetën e njeriut, pa shfaqur ndonjë lidhje shkakore të arsyeshme dhe të ndikueshme ndërmjet tyre, kjo nuk ka domethënie tjetër, pos hyjnizim i gjësendeve apo i krijesave, të cilat nuk mund të bëjnë asgjë absolutisht për vetveten e tyre e lëre mu për të tjerët. Ndërsa, në aspektin fetar, besëtytnitë legjitimisht konsiderohen si devijim në doktrinën e fesë Islame, sepse lënë ndikime negative dhe esenciale në organikën e besimit islam, ndërsa ndikime çorroditëse në mendësinë besimore të besimtarit.
1.3. Historiku i çështjes
Besëtytnia si manifestim naiv i besueshmërisë së njeriut, ka një shtrirje të lashtë në histori. Madje mund të themi se ajo zë fill, që në celulat e para të shoqërisë njerëzore. Në argumentet tradicionale të fesë Islame, kemi dëshmi të mjaftueshme se besëtytnitë si kontradiktë e besimit të drejtë kanë një histori tejet të gjatë. Fakti se, Allahu i Madhëruar ka dëshmuar se, secili popull ka pasur pejgamberë apo të dërguar, të cilët i kanë thirrur shoqëritë që të largohen nga besimet e devijuara, të kota dhe besëtytnitë dhe t’i kthehen besimit të drejtë[9], është argument se shoqëria njerëzore prej themelimit të saj është shoqëruar me devijim dhe besëtytni. Allahu i Madhëruar thotë: وَلَقَدْ بَعَثْنَا فِي كُلِّ أُمَّةٍ رَسُولًا أَنِ اُعْبُدُوا اللَّهَ وَاجْتَنِبُوا الطَّاغُوتَ “Ne çdo populli i kemi dërguar nga një pejgamberë. Të gjithë ata thoshin:Adhuroni vetëm Allahun, e shmanguni idhujve” (Kur’ani, En-Nahl:36)[10]. Fjala ‘tagut’ (طاغوت) në konceptin e përgjithshën përfshin ‘çdo gjë tjetër që adhurohet përpos Allahut, prej xhinnëve, njerëzve dhe idhujve” (كلَ ما عُبِدَ من دون الله، من الجن و الإنس والأصنام). Gjithashtu fjala ‘tagut’ nënkupton “çdo njërin që ka devijuar nga rruga e drejtë dhe i largon ( të tjerët) nga rruga e hajrit, sikurse janë shejtani, fallxhori, magjistari etj. (كل رأس في ضلال يصرف عن طريق الخير، و شيطان و الكاهن و الساحر)[11]. Pra, fjala ‘tagut’, në realitet është sinonim për çdo besëtytni apo adhurim të kotë. Në Kur’an, në shumë vende lexojmë historinë e pejgamberëve dhe thirrjet e tyre drejtuar popujve tek të cilët janë dërguar. Përkujtojmë Nuhin a.s. dhe popullin e tij mosbesimtar, pastaj pejgamberin Salih a.s., të cilit populli i tij i pati thënë:”Ne parandjejmë fatkeqësi me ty dhe me ata që janë me ty” (Kur’ani, En-Neml:47), ndërsa ‘parandjenja’ (ألطيرة) është besëtytni e qartë. Sëkëndejmi përkujtojmë luftën e Ibrahimit a.s. me idhujt, që në thelb përbënin një besueshmëri boshe apo besëtytni. Sfidën e tij me babin e vet Azeri, që ishte mjeshtër i idhujve, ndërsa adhurimi i idhujve, nuk është tjetër pos një besëtytni e kulluar. Pastaj kujtojmë rezistencën e pejgamberëve të tjerë, Jakubit a.s. e djalit të tij Jusufit a.s.. Po kështu kujtojmë Musain a.s. e vëllan e tij Harunin a.s. me sfidën e ‘viçit’, të cilin e pati bërë nga ari një person me emrin Samirij, të cilin e adhuronin. Pastaj, kujtojmë edhe të gjithë edhe pejgamberët e tjerë, për të ardhur te pejgamberi i fundit Muhamedi a.s.. Kur Muhamedi a.s. erdhi në Mekkën e atëhershme me shpalljen e fundit Kur’anin famëlartë, shoqërinë mekkase e gjeti të kapluar në politeizëm, besëtytni, mosbesim dhe dukuri të tjera negative. Arabët ishin aq paragjykues sa çdokush tjetër para ardhjes së Kur’anit. Ata nuk ndërmerrnin asnjë udhëtim apo vendim tjetër të rëndësishëm, pa iu referuar besëtytnive të llojllojshme dhe idhujve tek të cilët kërkonin ndihmë dhe mbarësi. Le të kujtojmë vetëm çlirimin e Mekkës, ku Pejgamberi a.s. i largoi nga Qabeja mbi 350 idhuj që ishin shndërruar në kult adhurimi. (shih: Kur’ani, El-Isra:81). Pra, për gjatë gjithë historisë, besëtytnia ka pasur manifestim. Më e njohur, thuajse te të gjithë popujt pa dallim, të parët e të mbramët, ka qenë besëtytnia në parashikimin e të ardhmës dhe të fshehtës nëpërmjet yjeve dhe lëvizjeve të trupave qiellor, e njohur si astrologji.[12] Është konkludim i arsyeshëm se besëtytnia, rrënjët i ka në primitivizëm. Qoftë në primitivizmin që ndërlidhet me kohën, ku shoqëritë në të kaluarën ruanin dhe trashëgonin me fanatizëm besëtytnitë, qoftë me primitivizmin që ndërlidhet me mendësinë, ku njerëzit vazhdimisht shpikin (sajojnë) besëtytni të cilat nuk kanë ekzistuar me parë, sikurse janë besimi në vende të ‘shenjta’ apo individë, me të cilët ndërlidhet ndonjë ngjarje e kohës. Fatkeqësisht edhe në mjediset e muslimanëve janë importuar besime të kota dhe besëtytni. Ndonëse koha e Pejgamberit a.s. dhe gjenerata e artë e sahabëve i bëri një shkëputje të vërtetë transmetimit të besëtytnisë nga mendësia e periudhës se injorancës, megjithatë, shoqëria islame nuk do të mundë ta ruajë imunitetin e vet nga infeksioni i saj. Veçanërisht, do të bëhet e pashmangshme kur feja Islame do të shtrihet në vendet e Perësisë, Bizantit, Indisë, Egjiptit etj., vende këto që nga historiografia botërore shquhen për kultura dhe besime me bazë mitologjike. Muslimanët e rinj nga këto vende, sigurisht se jo të gjithë, kanë marrë me vete edhe elemente prej ‘besimit’ të vjetër. Kur kësaj ia shtojmë edhe atë se ka pasur njerëz të feve të tjera, që kanë kaluar në fenë Islame duke synuar rrënimin e Fesë nëpërmjet interpretimit të gabuar të doktrinës. Një gjendje e këtillë, kur më pak e kur më shumë e ka shoqëruar ecjen e Islamit nëpër shekuj (kohë). Nëse gjendjen e shikojmë në kohën tonë, kur komunikimi me shoqëri të ndryshme të besimeve dhe kombësive të ndryshme, është bërë pjesë normale e jetës bashkëkohore, gjegjësisht një model i pashmangshëm i globalizmit (modernizmit), atëherë besëtytnia me shumë lehtësi edhe importohet, po edhe eksportohet nga njëri vend në tjetrin. Në rastin konkret, besëtytnia tek ne (muslimanët) ka ardhur nga dy rrugë: · Ose na është importuar dhe na importohet pahetueshëm nga kulturat tjera, duke vazhduar të ruhet si një ‘trashëgimi e gabuar’ që transmetohet prej gjeneratës në gjeneratë, · Ose, fenomenin e besëtytnisë, feja Islame ka mundur ta gjejë të pranishme në shoqëritë, të cilat kanë pranuar konvertimin në Islam, sikurse kjo ka ndodhur me shoqërinë idhujtare të Mekkës, pas ardhjes së Pejgamberit a.s.. apo edhe me të gjitha shoqëritë tjera ku Islami i ka hasur për herë të parë, pa e përjashtuar nga kjo edhe vendin tonë dhe hapësirat ballkanike. Pa marrë parasysh se si, sot, në gjithë globin, fatkeqësisht edhe në mesin e muslimanëve, besëtytnitë nuk kanë të ndaluar, ku më pak e ku më shumë. Janë hapur qendra të ndryshme astrologjike, në të cilat paragjykohet fshetësia e ndodhive të së ardhmes, duke manipuluar me të ardhmen. Pastaj, këto informata boshe emetohen nga botues të ndryshëm nëpër edicione televizive, në faqe të gazetave ditore e atyre periodike.
1.4. Llojet e besëtytnisë
Besëtytnitë janë të shumta dhe të nduarndryshme. Pothuaj se, secili vend i ka besëtytnitë e veta. Disa prej tyre kanë karakter më gjithpërfshirës dhe rajonal e disa të tjera janë më të kufizuara dhe lokale. Numri i tyre është aq i madh sa që është e pamundur të përfshihen në këtë punim të gjitha, apo edhe të shpjegohen të gjitha. Mirëpo, tërësia e besëtytnive mund të përmbledhet në tri kategori, nga të cilat edhe do të sjellim shembuj: besëtytnitë që lidhen me ndonjë subjekt; besëtytnitë që lidhen me ogurët (shenjat) dhe gjësendet, dhe besëtytnitë që lidhen me vendet e caktuara.
a) Besëtytnitë që lidhen me ndonjë subjekt
Në këtë kategori hyjnë të gjitha besëtytnitë që ndërlidhen me ndonjë qenie të gjallë, pa marrë parasysh se është njeri, kafshë, shpend apo diçka tjetër. Prej besëtytnive më të shquara të këtij lloji janë: Magjia (gr. mrekulli, çudi), e cila konsiston tërësinë e veprimeve që bëhen me lëvizje, me sende, me shkrime ose me fjalë, të cilat gjoja kanë fuqi të ndikojnë mbi njerëzit e mbi dukuritë e natyrës dhe të bëjnë çudira. Pra, aftësia e jashtëzakonshme që ka dikush për ta bërë për vete.[13] Njerëzit besëtytë, duke mos e njohur irracionalitetin e magjisë, besojnë se magjistari ka veti mbinatyrore, dhe mund të bëjë mrekullira gjë që e madhërojnë atë e jo Allahun. Po kështu veprohet edhe me talismanet[14] e ndryshme, hajmalitë[15] apo amuletet. Falli – parashikim i rremë dhe i pathemeltë i së ardhmes së dikujt, i ngjarjeve që do të ndodhin etj. Duke përdor letrat e bixhozit ose duke shikuar filxhanin e kafesë, vijat e pëllëmbës së dorës etj.[16] Falli është ndër besëtytnitë më të përhapura si në të kaluarën si në të tashmen. Arabët para Kur’anit, fatin e tyre e kërkonin nëpërmes shigjetave, në të cilën në njërën anë shkruante “Zoti më urdhëroi” në anën tjetër “Zoti më ndaloi”, kurse ana e tretë ishte e pashkruar. Kur dëshironin të niseshin në rrugë ose të martoheshin, shkonin te shtëpia e idhujve, ku ishin shigjetat, dhe prej tyre e kërkonin fatin e tyre. Në qoftë se ishte shigjetë urdhëruese, niseshin, nëse ishte ndaluese, abstenonin, ndërsa nëse dilte ajo e pashkruara, atëherë e përsëritnin derisa të dilte e shkruara urdhëruese ose ndaluese. Kjo mënyrë e kërkimit të fatit i ngjanë asaj që kërkon shoqëria jonë nëpërmjet rërës, guaskave, hapjes së faqeve, letrave, galave dhe qitjes fall nga filxhani. Të gjitha këto forma janë haram në Islam.[17] Astrologët, - janë ata, që me dituri të rreme, përpiqen t’i parashikojnë ngjarjet dhe fatin e njerëzve, duke vëzhguar vendosjen e trupave qiellorë.[18] Po ashtu, edhe përdorimi i astrologjisë për parashikimin e fatit, është prej besëtytnive të lashta. Këtu bënë pjesë edhe heroskopi, si parathënie e fatit të njerëzve duke u bazuar në pozitën e yjeve.
b) Besëtytnitë që lidhen me ogurët (shenjat) dhe gjësendet
Besëtytnia në “shenja” është mjaft e përhapur. Në kohën parakur’anore, njohja e shenjave të mira apo të këqia përmes lëvizjeve të zogjve apo kafshëve njihej me emrin ‘tijareh’, nga folja ‘tare’ e cila do të thotë ‘fluturon’. P.sh. nëse një njeri niset për një rrugë dhe një zog fluturon mbi te dhe del në anën e majtë të tij, ai do ta konsiderojë atë si shenjë se po i afrohet një fat i keq, andaj sillet për rreth dhe kthehet në shtëpi.[19] Ngjashmërisht me këtë, në trevat tona është bindja se nëse bukla apo miu apo maca e zezë parakalojnë në rrugën para ndokujt gjatë udhëtimit, ky udhëtim mund të ketë ndonjë të keqe. Prerja thonjve: edhe kjo besëtytni është bërë praktike dhe ka një shtrirje të gjerë në popullatën myslimane. Sipas kësaj, meshkujt nuk duhet t’i presin thonjtë edhe të dorës edhe të këmbës përnjëherë, sepse sipas besimit në këtë rit u merret goja kur të dalin në gjyq.[20] Po kështu është edhe me rrobat e grisura, nëse ato i qepen mashkullit, përderisa i mban veshur. Me rastin e vdekjes, gratë që marrin pjesë në të, mantelet apo xharret siç ishin të njohura në kohët e hershme i linin të varura jashtë shtëpisë në një litar, të cilin e vendos familja e të vdekurit. Kjo bëhet me qëllim që më në këtë shtëpi mos të vijë vdekja dhe mantelat mos të vishen për këtë qëllim. Po kështu, bijat dhe mikeshat që kanë marrë pjesë në vdekjen e caktuar, kurrsesi nuk kthejnë t’i shohin të afërmit e vet, duke mos dashur që vdekja të shkojë te ata.[21] Patkoi apo nallçeja e kalit , të cilën e përdorin shumë njerëz qoftë nëpër vetura apo nëpër dyertë e shtëpive. Në Greqinë antike kuajt trajtoheshin si shtazë të shenjta. Një patkua mbi derë të shtëpisë, pjesa e prapme e të cilit vendosej në drejtim vertikal, mendohej se sjell fat, në të kundërtën, kur patkoi kthehej nga pjesa e hapur teposhtë njerëzit besonin se fatit i ka ardhur fundi.[22] Rruzat e kaltërta. Po ashtu, është shumë i përhapur besimi se ngjyra e kaltër sjell fat dhe na mbron nga ndikimet negative psikike dhe shpirtrat e ligë. Të veshësh veshje me ngjyrë të kaltër në ditën e parë të martesës është besuar se bashkëshortëve të ardhshëm në jetën e përbashkët bashkëshortore do t'iu sjellë fat, harmoni dhe lumturi. Një besim i tillë, është tejet i përhapur edhe në kohën e sotme dhe ka të bëjë me bartjen e zinxhirit apo qafores me guralacë të kaltër rreth qafe, se ato na ruajnë nga gripi, ftohjet dhe inflamacionet e ndryshme.[23] Mund të themi se, besëtytnitë në shenja kanë shtrirje të gjerë dhe janë të shumta. Të tilla janë edhe ‘trokitja në dru’, ‘kripa e derdhur’ ‘thyerja e pasqyrës’ ‘Numri 13’ etj.[24]
c) Besëtytnitë që lidhen me vendet e caktuara
Ky lloj i besëtytnisë, zakonisht ndërlidhet me varret, në të cilat janë varrosur njerëz të ashtuquajtur ‘të mbërrimë’ apo me ndonjë vend tjetër që ndërlidhet me ndonjë ngjarje që ka lënë gjurmë në histori. P.sh. një prej këtyre besëtytnive është ‘shëngjergji’, i cili festohet më 5 dhe 6 maj dhe është besëtytni e vërtetë. “Besohet se nëse kontaktohet me tokën vjen plleshmëria, kështuqë vajzat rrokullisen nëpër livadhe për të pasur fat në martesë, kurse nuset për të pasur fëmijë. Atë ditë bëhen pastrimet rituale dhe spërkaten skutat e shtëpive dhe objektet e saj.”[25] Në rajonin e Prizrenit, kjo festë festohet në atë formë, ku me 5 maj, njerëzit tubohen në varrezat e vjetra të qytetit, që njihen me emrin “Karabash”; aty gjendet edhe një ‘tyrbe’ rreth sëcilës bëhet nderim, hedhin të holla, bëjnë nezër, presin qengja etj, të gjitha këto duke besuar se mbrojnë nga e keqja dhe çojnë në fat dhe mbarësi.[26] Zakonisht, varret apo thënë ndryshe ‘tyrbet’ janë ato që kanë marrë identitet për ‘vende të shenjta’. Këto besëtytni, janë të përhapura në mbarë botën, ku më pak e ku më shumë.
1.5. Shkaqet që çojnë në besëtytni
Shkaqet e besëtytnisë janë të ndryshme dhe variojnë nga vendi në vend. Por si shkaqe të përgjithshme, kryesisht janë katër sosh: a) Mungesa e njohurive ndaj besimit islam. Mungesa e dijës fetare, është pikërisht elementi që favorizon shfaqjen e besëtytnive. Kjo, sepse njeriu është instinktivisht qenie në nevojë për prehje besimore. Besimi në të mbinatyrshmën (Allahun), tashmë është vërtetuar botërisht, nga shumë anë, se është diçka që buron në vetë individin. Nëse kjo nevojë e natyrshme, te besmitari nuk përmbushet mjaftueshëm me iman, ajo medoemos do të absorbojë forma tjera të besimit, që si të tilla janë të paverifikuara, besëtytni, mitologji dhe kontradiktore me konceptin e monoteizmit islam. Në këtë aspekt, besëtytnia është një dukuri që ndërfutet në mendësinë e besimtarit, ndoshta pa u hetuar, si pasojë e mospajisjes së tij me njohuri të mjaftueshme rreth imanit. b) Ndjekja e dëshirave dhe e tekave personale. Ndjekja e pasioneve sipas domethënies parimore, nënkupton që veprimet dhe bindjet t’i referohen korrigjimit të dëshirave të lira personale, e jo mësimeve të Kur’anit dhe Sunnetit të Muhamedit a.s. apo të fesë Islame si tërësi. Kur’ani na njofton se të gjithë popujt para kur’anor, kanë devijuar thellë, atëherë kur subjektet fetare i kanë vendosë nën korrigjimin e diapazonit të arsyes dhe dëshirave, përkatësisht duke i dhënë mendjes dhe dëshirave kompetencë për diçka që nuk u lejohet. Për këtë arsye, njerëzve që gjykojnë sipas dëshirave dhe pikëpamjeve personale në subjektet fetare u është thënë: të dhënët pas dëshirave (ehlul ehva). Njerëz të tillë, përgjithësisht u japin rol gjykues kulturës, pikëpamjeve dhe prirjeve të marrë jashtë mjediseve islame dhe pastaj nga ky kënd i shohin argumentet juridike (të sheriatti). Dhe për këtë shkak – ashtu si edhe në filozofi - parashtrojnë pikëpamje të ndryshme nga njëri tjetri si dhe të veçanta nga “rruga e drejtë” (sirati mustekim).[27] Allahu i Madhruar në Kur’an thotë:”E nëse ata nuk të përgjigjen ty, atëherë dije se ata ndjekin vetëm dëshirat e veta, e kush është më i humbur se ai që duke mos pasur fakt prej Allahut, ndjek epshin e vet?...” (Kur’ani, El-Kasas:50). c) Fanatizmi në argumente. Fanatizmi është një dukuri tepër e rrezikshme, sepse është predespozitë për njëanshmëri në gjykime. Njeriu fanatik, shumë vështirë mund ta pranojë (vlerësojë) fuqishmërinë e argumenteve dhe kështu ndjekjen e të vërtetës. Allahu në Kur’an thotë:”E kur u thuhet atyre (idhujtarëve):Pranoni atë që Allahu e shpalli! Ata thonë: Jo, ne ndjekim atë rrugë në të cilën i gjetëm prindërit tanë! Edhe sikur prindërit e tyre të mos kenë kuptuar asgjë dhe të mos jenë udhëzuar në rrugën e drejtë (ata do t’i pasonin)”(Kur’ani, El-Bekare:170) Në të njëjtën mënyrë veprojnë edhe ndjekësit e tarikateve si dhe adhuruesit e varreve, të cilët, nëse dikush i fton që të ndjekin rrugën e saktë, fillojnë e argumentohen duke thënë se rruga që ndjekin ata është rruga që kanë ndjekur baballarët dhe gjyshërit e tyre[28] d) Imitimi i jomuslimanëve. Ky është një prej shkaqeve kryesore të besëtytnisë te muslimanët. Sepse, sikurse dihet doktrina e fesë Islame nuk pranon kurrfarë besëtytnie. Të gjitha besëtytnitë që ekzistojnë apo që mund të ekzistojnë te muslimanët, janë pasojë e imitimit të feve tjera dhe kulturave të tjera. Transmeton Ebu Vakid El-Lejthij se: أَنَّ رَسُولَ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ لَمَّا خَرَجَ إِلَى حُنَيْنٍ مَرَّ بِشَجَرَةٍ لِلْمُشْرِكِينَ يُقَالُ لَهَا ذَاتُ أَنْوَاطٍ يُعَلِّقُونَ عَلَيْهَا أَسْلِحَتَهُمْ فَقَالُوا يَا رَسُولَ اللَّهِ اجْعَلْ لَنَا ذَاتَ أَنْوَاطٍ كَمَا لَهُمْ ذَاتُ أَنْوَاطٍ فَقَالَ النَّبِيُّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ سُبْحَانَ اللَّهِ هَذَا كَمَا قَالَ قَوْمُ مُوسَى اجْعَلْ لَنَا إِلَهًا كَمَا لَهُمْ آلِهَةٌ وَالَّذِي نَفْسِي بِيَدِهِ لَتَرْكَبُنَّ سُنَّةَ مَنْ كَانَ قَبْلَكُمْ “Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s., ishte nisur për të shkuar në Hunejn[29] me disa shokë, gjatë rrugës kaluan pranë një lisi të politeistëve që quhej ‘dhatu envatin’. Politeistët e kishin zakon t’i varnin armët e tyre në të (kinse që t’u sjellë fat). Disa nga sahabët (shokët e Pejgamberit a.s., të cilët sapo kishin pranuar fenë Islame) thanë: O i Dërguari i Allahut, bëna edhe neve një “dhatu envat”, sikurse e kanë ata (idhujtarët) Pejgamberi s.a.v.s. u përgjigj:’Subhanall-llah’ – madhëruar qoftë Allahu. Ky veprim i juaji është mu si ai që populli i Musait a.s. i ka thënë atij:’bëre një zot për ne si zotërat e tyre’[30]. Pasha atë që e ka shpirtin tim në dorë, të gjithë ju do të ndiqni rrugën e atyre para juve.[31]
II. BESIMI ISLAM PËRJASHTON KATEGORIKISHT ÇDO BESËTYTNI
Deri këtu, përgjithësisht ofruam një njohje parimore karakterizuese me besëtytninë, tani do të shohim se si qëndron çështja e saj në besimin islam. Për të ditur se në cilin aspekt besëtytnia e kundërshton besimin islam, së pari duhet ta kuptojmë vetë konceptin e besimit. Boshti, mbi të cilin ngrihet doktrina e besimit islam është tevhidi – deklarimi i Njëshmërisë së Allahut të Madhëruar me fjalët ‘la ilahe il-lall-Llah’ - Nuk ka zot tjetër (që meriton të adhurohet) përpos Allahut.
2.1. Tevhidi – deklarimi i njëshmërisë së Allahut
Tevhidi, si akti i parë dhe i përhershëm i muslimanit, identifikon pikën kulmore, nën parametrat e sëcilës përfshihet gjithçka për Fenë dhe rreth Fesë. Ky nocion, në esencën e vet konsiston tri gjëra thelbësore: · Mohimin e çdo hyjnie përveç Allahut të Lartësuar; · Vërtetimin e Hyjnisë së mirëfilltë të Allahut xh.sh. jashtë çdo rivaliteti; dhe · Mosngjasimin e Allahut me asgjë prej krijesave të Tij dhe e kundërta. Dijetarët, për ta njohur unikalizmin gjithëpërfshirës të tevhidit, si nocion që përshkon çdo akt fetar, atë e kanë ndarë në tri aspekte (sfera)[32]: a) “Tevhidu’r-Rububijjeh” (توحيد الربوبية) – të besuarit e Njëshmërisë së Allahut në aspektin se, vetëm Ai është Krijues dhe Sundues i çdo gjëje. Tevhidur-rrububije, konsiderohet prej kategorive të para të tevhidit, sepse ngërthen në vete të besuarit në ekzistencën e Qenies së Allahut për Krijues, Sundues dhe furnizues të çdo gjëje. Këtë aspekt të tevhidit, parimisht e beson çdo krijesë instinktivisht (shih: Kur’ani, Ali Imran: 83). Në Kur’an tregohet se sikur të pyeteshin idhujtarët se, kush është krijues i tokës dhe i qiejve, ata do të thonin ‘Allahu’, sikurse thotë Allahu i Madhëruar: ”Po nëse ti i pyet:Kush i krijoi ata, me siguri do të thonë:Allahu!...”(Kur’ani, Ez-Zuhruf:87); pastaj:”Thuaj:kush ju furnizon me ushqim nga qielli e toka, kush e ka në dorë të dëgjuarit e të pamët (tuaj), kush e nxjerr të gjallin nga i vdekuri dhe e nxjerr të vdekurin nga i gjalli, kush rregullon çdo çështje? Ata do të thonë:Allahu…” (Kur’ani, Junus:31). b) “Tevhidu’l-Uluhijjeh” (توحيد الألوهية) – Të besuarit e Njëshmërisë së Allahut të Madhëruar në aspektin se, vetëm Ai duhet të adhurohet dhe askush tjetër. Ky lloj i tevhidit, e obligon të besuarit se: · Vetëm Allahu është Një dhe i Vetëm; · Vetëm Allahu është meritor për t’u adhuruar dhe askush tjetër pos Tij; · Vetëm Atij i takojnë të gjitha adhurimet; dhe · Vetëm prej Tij kërkohet ndihmë, e nga askush tjetër. Bazuar në këtë, besimtari adhuron (i bënë ibadet) vetëm Allahun dhe askë tjetër, pastaj vetëm Atë e don me të vërtetë, frikësohet vetëm prej Tij, shpreson vetëm prej Tij, duanë (lutjen) ia drejton vetëm Atij, mbështetet vetëm në Të, vetëm ndaj Tij shprehë përvuajtërinë, përulësinë, pendesën dhe të gjitha llojet e tjera të ibadetit.[33] Pikërisht kjo kategori e tevhidit, është ajo që njerëzit i bënë të dallojnë njëri nga tjetri, përkatësish të dallohen besimtarët e vërtetë nga jobesimtarët. c) “Tevhidu’l-esmai ve’s-sifati” (توحيد الأسماء و الصفات) – të besuarit e Njëshmërisë së Allahut të Madhëruar në aspektin se, vetëm Atij i takojnë emrat dhe cilësitë e përsosura.[34] Allahu i Madhëruar posedon emrat dhe cilësitë e Tij të përkryera dhe jashtë çdo krahasimi me cilësitë e krijesave. Cilësitë e Tij ndahen në të Qenies (ألذاتية), sikurse janë: el-vuxhud (Allahu ekzisto), el-kidem (është i përhershëm pa fillim), el-beka (i gjithmonshëm pa fund), el-vahdanijjeh (është një i vetëm), el-muhalefetu li’l-havadithi (është i pangjashëm me krijesat), el-kijamu bin-nefsi (ekziston nga vetvetiu), el-ilm (është i gjithëdijshëm), el-kudretu (është i gjithëfuqishëm), el-iradetu (ka vullnet të pavarur), es-sem’u (dëgjon çdo gjë), el-besaru (shikon çdo gjë), el-hajat (jeton), el-kelam (posedon të folurit), et-tekvin (krijon nga asgjëja), dhe të veprës (ألفعلية), sikurse janë: et-tahliku (të krijuarit), et-terziku (të furnizuarit), el-inshau (të bërit), el-ibdau’ (të shpikurit), es-sun’u (të formësuarit) dhe cilësi të tjera të Qenies dhe të Veprës të përmendura në Kur’an dhe hadithe të Muhamedit a.s., të cilat, muslimani obligohet t’i besojë. Në këtë aspekt, duke i besuar cilësitë e Allahut të Madhëruar, mbyllet rreptësisht çdo portë e besëtytnive, sepse nëse i kërkojmë ndihmë dikujt tjetër përpos Allahut, sikurse është të drejtuarit varreve, kjo do të thotë se atij që i drejtohemi po i japim cilësinë e gjithëfuqishmërisë, dëgjimit, gjithëdijës dhe cilësi të tjera që i kërkon akti i kërkesës dhe përgjigjes ndaj saj, ndërsa është fare e qartë se ata janë të pafuqishëm për të dëgjuar kërkesën apo kthyer ndonjë gjë (përgjigje), ngase vetëm Allahu është i gjithëfuqishëm dhe krijon çdo gjë. Prandaj, atyre nuk duhet drejtuar, por Atij që është i Gjallë, që nuk vdes.
2.2. Argumentet për ndalimin e besëtytnisë
a) Argumentet nga Kur’ani
Argumentet (tradicionale) nga Kur’ani dhe Hadithi na mësojnë se imani dhe besëtytnia janë dy gjëra të kundërta. Njëra tjetrën e luftojnë. Edhe imani edhe besëtytnia në të njëjtën kohë nuk mund të bashkohen te një besimtar. Kur mungon prezenca e imanit, shfaqet besëtytnia. Derisa imani shprehjen e vet e lidh për besimin në Allahun Një, Krijues të çdo gjëje, besëtynia objektivin e vet e adreson në të krijuarën. Anashkalimi i direktivave që burojnë nga imani dhe përvetësimi i bindjeve të tjera, duke i dhënë gjësendeve prerogativin që i takon Krijuesit Absolut, apo duke besuar në ta, apo duke iu lutur atyre, a priori shpie në rrugët që çojnë ose në politeizëm (besim në shumë zotëra) ose në ateizëm (mosbesim). Kjo është edhe domethënia e ajetit të Kur’anit famëlartë: وَمَا يُؤْمِنُ أَكْثَرُهُمْ بِاللَّهِ إِلَّا وَهُمْ مُشْرِكُونَ ”Dhe shumica e tyre nuk e beson ndryshe Allahun, vetëm se duke i shoqëruar (zota të tjerë)” (Kur’ani, Jusuf:106). Pra, e besojnë Allahun, por këtë besim e shoqërojnë edhe me bësëtytni të tjera, rival besimit në Allahun. Po ashtu një ajet tjetër Allahu urdhëron qartë: وَلَا تَدْعُ مِنْ دُونِ اللَّهِ مَا لَا يَنْفَعُكَ وَلَا يَضُرُّكَ فَإِنْ فَعَلْتَ فَإِنَّكَ إِذًا مِنَ الظَّالِمِينَ ”Dhe mos lut tjetër kë pos Allahut, ndonjë (idhull) që nuk të sjell as dobi as dëm, e nëse bën atë, dije se i ke bërë padrejt vetvetes” (Kur’ani, Junus:106). Thënia e Allahut ‘mos lut tjetër kë pos Allahut’ është gjithëpërfshirëse, dhe e kufizon çdo mundësi tjetër që njeriu t’i drejtohet dikujt tjetër apo të hyjnizojë diçka tjetër. Kur u paraqit Pejgamberi a.s në shoqërinë e atëhershme ekzistonin disa njerëz që njiheshin me emrin ‘kehhan’ ose ‘arr-rrafin’ (fallxhorë e astrolog), të cilët pretendonin se i njihnin ngjarjet e të kaluarës dhe të ardhmes nëpërmjet kontakteve me xhinët ose me krijesat të ngjashme me to, dhe për këtë shkak Pejgamberi a.s u shpalli luftë gënjeshtarëve të tillë, të cilët nuk mbështeteshin në dituri të vërtetë, në rrugë të drejtë dhe në librin ndriçues, dhe ua lexoi ajetin që ia shpalli Allahu xh.sh.[35]: “Thuaj: “Askush veç Allahut as në qiej, as në tokë, nuk e di të fshehtën, as nuk e di se kur ringjallen”(Kurani: En-Neml: 65). Domethënë, të fshehtën nuk e di askush, as engjëjt, as exhinët e as njerëzit, sepse Allahu i Madhëruar e ka dëshmuar këtë dhe e ka vërtetuar. Hutimi i disa njerëzve se gjoja xhinnët e dinë të fshehtën dhe të ardhmen është vetëm iluzion dhe mashtrim. Xhinnët, në raste të caktuara, mund ta dinë vetëm atë që ndodhë dhe atë që planifikon njeriu për ta bërë në të ardhmen dhe jo atë që do të ndodhë. Pra, duhet bërë dallim ndërmjet: · planifikimit për të ardhmen, dhe · njohjes së ndodhive të së ardhmes. Njëra dhe tjetra kanë dallim esencial. Le ta marrim një shembull: Unë planifikoj, që pas një jave ta blej një shtëpi, por këtë plan e mbaj sekret dhe nuk mund ta dijë askush pos Allahut të Madhëruar. Fallxhorët, këtë planifikim timin mund ta dinë nëpërmjet xhinnit tim (el-karinu[36]), i cili i dëgjon planet e mia dhe ia transmeton në moment fallxhorit, sepse xhinnët e kanë atë mundësi që në largësi të madhe të transmetojnë informacione shumë shpejt. Mirëpo xhinni e di vetëm planifikimin e jo ngjarjen e të ardhmes, sepse ngjarjet e të ardhmes eskluzivisht janë në fuqinë e Allahut, përfshirë këtu gjithëçka që ekziston pa bërë përjashtim edhe vetë ekzistencën e xhinnëve, sepse Ai i ka krijuar xhinnët, Ai i ka krijuar njerëzit dhe gjithçka tjetër. Si mund ta kontrollojë xhinni të ardhmen, kur ai nuk e ka në dorën e vet as jetën e vet?! Nëse unë them, se pas një jave do të shkojë në Qabe, dhe kjo ndodhë kështu, nuk do të thotë se unë e di të ardhmen. Absolutisht jo. Por, vetëm planifikimi im ka rastisë të përputhet me atë që është shkruar në caktimin e Allahut për të ndodhur. Prandaj, fallxhorët, nëpërmjet xhinnëve mund t’i dinë, po them kushtimisht, planifikimet për të ardhmen e jo ngjarjet që do të ndodhin në të ardhmen, sepse ato janë e drejtë eskluzive e caktimit të Allahut. Nga këtu, kuptojmë se ekzistojnë dy lloj të fshehtash: 1. E fshehta relative (ألغيب النسبي), dhe 2. E fshehta absolute (ألغيب المطلق) E fshehtë relative është ajo e fshehtë, të cilën pos Allahut mund ta dijnë edhe dikush prej njerëzve, ndërsa e fshehtë absolute është diçka që vetëm Allahu xh.sh. e di, kurse njerëzit nuk mund ta dijnë dhe nuk mund të depërtojnë me njohuritë e tyre të kufizuara ta zbulojnë atë fshehtësi.[37] Për këtë arsye dhe është i porositur muslimani që për planifikimet e tij në të ardhmen, të thotë inshallah – nëse do Allahu do ta bëj[38], e asesi të mos thotë se ‘këtë punë dhe atë punë, do ta bëj’. Ndaj, fallxhorët pandehin apo hamendin dhe nuk mund të ndryshojnë asgjë prej asaj që është vendosur për të ndodhur. Allahu i Madhëruar i drejtohet Muhamedit a.s. që tu thotë të gjithë njerëzve dhe veçant atyre që i mashtrojnë njerëzit duke i manipuluar me njohjen e të ardhmes: “Thuaj: “Unë nuk kam në dorë për veten time as ndonjë dobi as ndonjë dëm, pos çka do Allahu. Sikur ta dija të fshehtën, do t’i shtoja për vete të dobishmet, e nuk do të më prekte gjë e keqe. Unë nuk jam tjetër vetëm se qortues dhe përgëzues për njerëzit që besojnë”(Kurani, El-A’raf: 188). Po ashtu, një ajet tjetër, ku Allahu i Madhëruar tregon rreth vdekjes së Sylejmanit a.s., mohon drejtpërdrejt mundësinë që xhinnët ta njohin të ardhmen. Allahu i kishte nënshtruar xhinnët e Sylejmanit a.s., dhe i kishte detyruar ta dëgjonin atë, duke i kërcënuar me dënim të rëndë. Sulejmani a.s., këtë mundësi e kishte shfrytëzuar për të mirë të njerëzimit dhe i kishte ngarkuar me punë të rënda. Mirëpo, kur vdiq Sulejmani a.s., xhinnët ende vazhdonin në atë trend. Sikur ta dinin të fshehtën ata do të dinin edhe për vdekjen e Sulejmanit a.s. dhe do të braktisnin kryerjen e punëve të rënda. Prandaj Allahu thotë: “...Sikur ta dinin të fshehtën, nuk do të vazhdonin të qëndronin nën mundin e rëndë”(Kur’ani, Sebe’e:14). Pra, falli dhe pretendimi për njohjen e të ardhmës janë një mashtrim i vërtetë dhe “konsiderohen prej shirkut, sepse janë punë të shejtanit, ndërsa është fare e qartë se xhindët për t’u vënë në shërbim të magjistarit kërkojnë prej tij kryerjen e gjynaheve të ndryshme, midis të cilave edhe forma të ndryshme shirku.”[39]
b) Argumentet nga Hadithi
Me të vërtetë ekzistojnë shumë hadithe që i bëjnë denoncim fallxhorëve dhe besëtytnive në përgjithësi. Ndonëse, hadithet e Pejgamberit a.s. nuk flasin veç e veç për secilën prej besëtytnive që i kemi përmendur dhe për shumë të tjera që ekzistojnë e që nuk i kemi përmendur, pasiqë porta e tyre mbetet e hapur, megjithatë, thëniet e Resulullahit s.a.v.s. vendosin kriteret që vlejnë për të gjitha llojet dhe kategoritë pa dallim. Sepse, besëtytnitë, në parim, janë të gjitha njësoj:besim i kotë, ndërsa vetëm manifestimi i tyre ndryshon. Si ai që shkon te fallxhori, e i beson atij që po e thotë, si ai që kërkon bereqetin prej varrit apo nallçes (patkoi), si ai që u beson idhujve apo idoleve, janë njësoj – besim i kotë. Le të transmetojmë disa prej tyre: Transmetohet se një delegacion ka shkuar te Pejgamberi a.s me paragjykimin se ai u takon atyre që e njohin të fshehtën, dhe kështu fshehën diçka në dorë dhe e pyetën për të, e ai u përgjigj me sinqeritet:[40] إِنِّي لَسْتُ بِكَاهِنٍ وَ إِنَّ الكَاهِنَ وَ الكَهَانَةَ و الكُهَّان فِي النَّارِ “Unë nuk jam parashikues; parashikuesi, parashikimi dhe fallxhorët do të hyjnë në zjarr!”[41]. Kur njerëzit pranuan Fenë Islame gjatë kohës së Pejgamberit a.s. ata shpesh kanë bartur me vete besimin në nuska të njohura kolektivisht në gjuhën arabe si ‘temaim’ (lexo: temimeh). Lidhur me këtë ka shumë hadithe të Pejgamberit a.s. me të cilat ai e ka ndaluar rreptësisht atë shprehi të muslimanëve.[42] Transmeton Imran bin Husajn r.a. se أَخْبَرَنِي عِمْرَانُ بْنُ حُصَيْنٍ أَنَّ النَّبِيَّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ أَبْصَرَ عَلَى عَضُدِ رَجُلٍ حَلْقَةً أُرَاهُ قَالَ مِنْ صُفْرٍ فَقَالَ وَيْحَكَ مَا هَذِهِ قَالَ مِنْ الْوَاهِنَةِ قَالَ أَمَا إِنَّهَا لَا تَزِيدُكَ إِلَّا وَهْنًا انْبِذْهَا عَنْكَ فَإِنَّكَ لَوْ مِتَّ وَهِيَ عَلَيْكَ مَا أَفْلَحْتَ أَبَدًا “Pejgamberi a.s i kishte parë një byzylyk bakri në llërë të dorës së një njeriu, e i kishte thënë: Mjer ti! ç’ësht ky? Njeriu (i tha):kjo është që t’më mbrojë nga dobësia! Pejgamberi a.s. i tha: Sa i përket asaj, ajo vetëm ta shton dobësinë, prandaj gjuaje atë, ngëse nëse vdes me të në llërë, kurrë nuk do të shpëtosh”.[43] مَنْ عَقَدَ عُقْدَةً ثُمَّ نَفَثَ فِيهَا فَقَدْ سَحَرَ وَمَنْ سَحَرَ فَقَدْ أَشْرَكَ “Ai që lidh nyja e pastaj fryn në to (nyja), bën magji, e ai që bën maxhi, bën shirk”[44] مَنْ أَتَى كَاهِنًا أَوْ عَرَّافًا فَصَدَّقَهُ بِمَا يَقُولُ فَقَدْ كَفَرَ بِمَا أُنْزِلَ عَلَى مُحَمَّدٍ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ “Kush shkon te fallxhori ose te paralajmëruesi dhe i beson në atë që e thotë, bën kufër në atë që i është shpallur Muhamedit a.s.”[45] . Pejgamberi a.s. të thotë:: لَا طِيَرَةَ وَخَيْرُهَا الْفَأْلُ قَالُوا وَمَا الْفَأْلُ قَالَ الْكَلِمَةُ الصَّالِحَةُ يَسْمَعُهَا أَحَدُكُمْ Nuk ka tijareh – pesimizëm, por më e mira të mirës është el-fe’lu. I është thënë: O i Dërguari i Allahut, po çka është el-fe’lu? Tha: fjala e mirë (shpresëdhënëse) që mund ta dëgjojë secili nga ju” [46] Është me rëndësi të theksojmë se, besimi Islam nuk i vë në shënjestër vetëm atë që merret me fall, magji apo parashikim, por edhe atë që shkon tek ai dhe u beson fjalëve të tij. Po edhe nëse nuk i beson, sërisht nuk lejohet, sepse ndikon në inkurajimin e tyre. Pejgamberi a.s. thotë: لَيْسَ مِنَّا مَنْ تَطَيَّرَ أَوْ تُطُيِّرَ لَهُ أَوْ (تَكَهَّنَ أَوْ) تُكُهِّنَ لَهُ أَوْ سَحَرَ أَوْ سُحِرَ لَهُ Nuk është prej nesh ai që parandjen ose që kërkon t’i parandjehet diçka,(ai që qet fall) ose që kërkon t’i qitet fall dhe ai që bën magji ose kërkon t’i bëhet magji!”[47]
c) Argumentet racionale
Parimi i parë i besimit Islam ishte qe në mendjet e myslimanëve të krijohet bindja se kjo gjithësi e madhe ku jetojnë të gjitha krijesat e Allahut, nuk është kaotike dhe se nuk zhvillohet jashtë ligjeve të caktuar, si dhe asgjë nuk lëvizë sipas dëshirave të krijesave, sepse sikur të ndodhte një gjë e tillë a thua çfarë mund të ndodhte kur shumica e tyre janë kontradiktore[48] (shih:Kurani: El-Mu’minun: 71). Kjo gjithësi është me ligje të caktuar të pandryshueshme e konstante të cilat në asnjë mënyrë nuk ndryshojnë. (shih: Kurani, Fatir: 43). Më lartë, kur kemi folur te nëntitulli “njohje me besëtytninë” thamë se shikuar nga aspekti logjik e filozofik, bestëtynitë janë vendosje e lidhjeve shkakore ndërmjet atyre gjësendeve, dukurive apo njerëzve, të cilat zaten nuk kanë asnjë lidhje të drejtpërdrejtë ose janë të lidhura në mënyrë të rastësishme.[49] Racionalisht, manifestimi i besëtytnive është tepër naiv dhe primitv, sepse ndërlidhet me besueshmëri të parsyeshme. T’i jepet gjësendeve atribute mbinatyrore dhe se gjoja ato mund të ndikojnë në jetën e njeriut, pa shfaqur ndonjë lidhje shkakore të arsyeshme, kjo nuk ka domethënie tjetër, pos hyjnizim i gjësendeve apo i krijesave, të cilat nuk mund të bëjnë asgjë absolutisht për vetveten e tyre e lëre mu për të tjerët. Besimi është besim i drejtë dhe nuk është besëtytni, sepse korrespondon plotësisht me shkakun dhe pasojën. Sa i përket shkakut, ai induktohet nga ekzistenca e Krijuesit, ndërsa sa i përket pasojës ajo induktohet nga paaftësia e njeriut si qenie në varshmëri. Si mund ta kuptojmë këtë? Njeriu është qenie e nevojshme në ekzitencë dhe ndien nevojë për ekzistencën e vet në çdo moment. Ai pa ajër nuk mund të jetojë, ndërsa ajri është krijim i Allahut. Pastaj, të gjitha nevojat e tij plotësohen në kuadër të kësaj gjithësie. Prej qiellit, Allahu e lëshon shiun, ndërsa prej tokës na jep frutat. Të gjitha këto të mira i ka krijuar Allahu dhe njeriu nuk e ka asnjë meritë në krijimin e tyre. Nga këtu, njeriu duke e pa këtë pafuqi të tij, p.sh. vetëm për një moment sikur të mos ekzistojë ajri, ai nuk mund të mbijetojë, ai detyrimisht (kupto: instinktivisht) ndien nevojë për t’iu drejtuar një fuqie mbinatyrore. Kjo mbështetje e tij është besimi që i adresohet Allahut të Madhëruar, Krijuesit të Gjithësisë. Kjo është natyrshmëria e njeriut, ku shkaku është vetë Allahu, ndërsa pasoja është domosdoshmëria e besimit në Të. Ndërsa besëtytnia është marrëzia e njeriut, sepse është ikje nga kjo gjendje ntyrore e tij. Për të tillët Allahu i Madhëruar në Kur’an thotë:”... se kur do ta shohin dënimin (në botën tjetër), do të binden se e tërë fuqia i takon vetëm Allahut (e jo idhujve) dhe se Allahu është ndëshkues i rreptë” (Kur’ani, El-Bekare:165.
2.3. Domethënia akaidologjike e çështjes
Pasi u qartësua tevhidi dhe llojet e tij, pastaj edhe argumentet që ndalojnë besëtytninë, na mbetet ta tërheqim paralelen akaidologjike, e cila vërteton se besëtytnia është akt i frikshëm, ngase e kërcënon në mënyrë serioze ekzistencën e tevhidit. Kur i kuptojmë mirë kornizat e tevhidit në të gjitha llojet e tij, e kemi shumë lehtë ta kuptojmë se përse besëtytnia është kontradiktë e besimit islam. Nëse besojmë në ‘tevhidin rububijjeh’, kuptojmë se askush nuk mund të bëjë asgjë përpos Allahut. Nëse besojmë në ‘tevhidin uluhijjeh’, kuptojmë se askujt nuk duhet drejtuar për çdo nevojë dhe për adhurim përpos Allahut. Nëse besojmë në ‘tevhidul esmai ves-sifati’, kuptojmë se askush nuk është i përsosur dhe nuk ka kapacitete për t’i përgjigjur nevojave tona përpos Allahut. Nisur nga këtu, gjithçka që i atribuojmë prej vetive të këtilla dikujt tjetër, pra veti hyjnore, kemi rënë në kontradiktë me besimin islam. Ndërsa është fare e qartë se besëtytnia është atribuim i vetive hyjnore krijesave dhe kështu është adhurim ndaj tyre. Njeriu në histrorinë e vet, parimisht mund të themi se nuk ka çaluar shumë nga ‘mosbesimi’ si një akt i mohimit kategorik të ekzistencës së Allahut, sepse në përgjithësi e ka besuar ekzistencën e Tij (shih:Kur’ani, Ez-Zuhruf:87; Junus:31). Por, ai është përshkuar më së shumti nga ndjenja e (mos)veçimit të Allahut për zot të Vetëm në adhurim, me bindjen se vetëm Atij duhet t’i takojë çdo formë e adhurimit. Kjo e fundit, ka qenë kërkesë e secilit pejgamberë për çdo shoqëri njerëzore:“... Të gjithë ata thoshin:Adhuroni vetëm Allahun, e shmanguni idhujve” (Kur’ani, En-Nahl:36). Në këtë konstelacion, themi se besëtytnia, parimisht nuk është diçka që e mohon drejtpërdrejt Allahun (kufër), por themi se besëtytnina është ajo që besimtarin besëtyt e shpie në një dukuri tjetër tepër të rrezikshe, e që është ‘politeizmi - idhujtaria’ apo siç njihet në terminologjinë fetare ‘shirku’ – të adhuruarit dikend tjetër krahas Allahut. Ndonëse, ‘besimtari’ besëtyt, e beson Allahun e që kushtimisht mund të llogarisim për një fije shprese në çështjen e tij, në anën tjetër është fatale vendimi se, megjithkëtë, Allahu i Madhëruar nuk i ka llogaritur për besimtarë ata që e kanë besuar Allahun për Krijues, por që krahas adhurimit ndaj Tij, kanë adhuruar edhe idhuj (idole) të tjerë, apo që adhurimin ndaj tij e kanë përzier me besëtytni dhe mitologji. Në Kur’an, lexojmë se sikur idhujtarët të pyeteshin se kush i krijoi qiejt dhe tokën ata gjithësesi do të thonin “Allahu” (shih:Kur’ani; Ez-Zuhruf:87); pastaj sikur të pyeteshin se kush i furnizon me begati, gjithësesi do të thonin “Allahu” (shih:Kur’ani, Junus:31). Domethënë, ata kanë patur ‘besim’ në Allahun. Mirëpo, krahas Tij kanë adhuruar edhe ‘fuqi mbinatyrore’ të tjera, përfshirë nga llojet e gjësendëve që vetë i kanë gëdhendur apo kultet e personaliteteve të vdekura, të cilët i kanë konsideruar për ndërmjetësues te Zoti i Vërtetë. (shih: Kur’ani, Ez-Zumer:3; Junus:18). Këtë besueshmëri të tyre Allahu i Madhëruar e ka quajtur shirk – politeizëm. Po ashtu, Allahu ka dëshmuar se janë ateistë (pabesimtar), ata të cilët e morën për zot, Isain (Mesihin) birin e Merjemes (shih:Kur’ani, El-Maide:72). Po kështu ka dëshmuar edhe përë ata që thanë se “Allahu është i treti i treve” (shih:Kur’ani, El-Maide:73). Prandaj nëse e shikojmë me kujdes përmbajtjen e besëtytnisë dhe manifestimin e saj, padyshim do të vërtetojmë se ajo inkorporon drejtpërdrejt elemente të shirkut - politeizmit, në të tri kategoritë e tevhidit. a) Shirku në ‘rububijjeh’. Shirku në këtë kategori shfaqet në forma të ndryshme. Në mesin e ca njerëzve muslimanë, shirku i rububijjes është i manifestuar në besimin e tyre se shpirtërat e të shenjtëve dhe njerëzit e tjerë të drejtë mund të ndikojnë në çështjet e kësaj bote, madje edhe pas vdekjes së tyre. Shpirtërat e tyre, besohet se mund t’i plotësojnë nevojat e ndonjërit, t’i largojnë fatkeqësitë dhe t’i ndihmojnë çdonjërit që iu lutet atyre. Andaj, adhuruesit e varreve ia atribuojnë shpirtrave njerëzor aftësinë hyjnore, me të cilën shkaktohen ngjarjet në këtë botë, të cilat në të vërtetë vetëm Allahu mund ti shkaktojë.[50] Besëtyti, në rastin konkret, duke përvetësuar këtë formë të besueshmërisë, i bën injorim të drejtpërdrejtë Allahut të Madhëruar duke ia atribuar edhe dikujt tjetër krahas Allahut, sovranitetin e Krijuesit, Sunduesit, Furnizuesit, Ndihmuesit, etj. b) Shirku në ‘uluhijjeh’. Në këtë kategori të ‘shirkut’ bëjnë pjesë të gjitha veprimet me karakter të besueshmërisë dhe adhurimit, të cilat i drejtohen dikujt tjetër, e jo Zotit, apo në të njejtën kohë i drejtohen edhe Zotit të Madhëruar, po edhe dikujt tjetër në cilësi të ndërmjetësuesit. Besimi në besëtytni, përgjithësisht e ka këtë manifestim, ku lutjet i adresohen ‘ndërmjetësuesve’ (përfshirë subjektet, shenjat, vendet e shenjat, etj.) kështu duke i dhënë atribute hyjnore. Lidhja e besimit në besëtytni, do të thotë që të shprehet përulshmëria (nënshtrimi) ndaj atij të cilit i drejtohet. Ndërsa shprehja e përulshmërisë në konceptin e adhurimit dikujt tjetër përpos Allahut, është shirk ndaj Allahut i Cili është i Vetëm që meriton t’i nënshtrohemi e askujt tjetër. Allahu në Kur’an thotë: وَلَا تَدْعُ مِنْ دُونِ اللَّهِ مَا لَا يَنْفَعُكَ وَلَا يَضُرُّكَ فَإِنْ فَعَلْتَ فَإِنَّكَ إِذًا مِنَ الظَّالِمِينَ ”Dhe mos lut tjetër kë pos Allahut, ndonjë (idhull) që nuk të sjell as dobi as dëm, e nëse bën atë, dije se i ke bërë padrejt vetvetes” (Kur’ani, Junus:106). Po ashtu thotë: ”E nga njerëzit ka asish që në vend të Allahut besojnë idhujt, që i duan (i madhërojnë) ata, sikur (që besimtarët e vërtetë e duan) Allahun, …” (Kur’ani, El-Bekare:165). Prandaj, rëndësia e veçimit të Allahut në të gjitha lutjet dhe adhurimet, ka qenë motoja e të gjithë pejgamberëve. Këtij parimi, në Kur’an dhe në Hadithe të Pejgamberit a.s. i është kushtuar kujdes i veçantë, ndoshta pse shumica e shoqërive kanë qenë të përfshira në këtë kategori të shirkut. c) Shirku në ‘el-esmau ve’s-sifat’. Shirku në këtë kategori, përfshinë bindjet besëtyte, duke i dhënë krijesave atributet e Krijuesit, dhe e kundërta, duke i dhënë Krijuesit atributet e krijesave. Besimi në besëtytni, nuk do mend se është një manifestim ideal dhe real i atribuimit të cilësive të Allahut, krijesave. P. Sh. Thënia e njerëzve se ‘natyra krijon’ apo se ‘natyra e ka krijuar njeriun dhe çdo gjë tjetër’ është diçka e këtillë, sepse natyra është vetë krijesë dhe nuk mund të krijojë asgjë. Por, Allahu është Krijues. Pastaj, sikurse janë thëniet se ‘materia’ është e pafillim dhe e pafund. Po ashtu lutja ndaj të vdekurve, apo të gjallëve në kuptim të përultësisë, është e këtillë. Më tej, shkuarja te falxhori dhe besimi në fjalët e tij mbi të fshehtësitë e ndodhive të së ardhmes, është shirk, sepse njohës i të ardhmes është vetëm Allahu Fuqiplotë.
2.4. Dispozita ndaj besimtarit besëtyt
Besimtari i cili manifeston besueshmëri në besëtytni, çështja e tij i nënshtrohet dy dispozitave: · Dispozita e kësaj bote (دنيوي), e cila nënkupton procedurën ku besëtyti duhet të përballet për besëtytninë të cilën e aplikon dhe duhet t’i tërheqet vërejtja se ajo konsiderohet devijim nga rruga e vërtetë. Nëse ai nuk heqë dorë nga ajo formë e besueshmërisë, atëherë pason qëndrimi në varësi me intenzitetin e kotësisë apo rrezikut të besëtytnisë. Sepse, dihet se disa prej besëtytnive janë shirk i pastër (politeizëm), sikurse është lutja ndaj të vdekurve dhe sjellja rreth ‘tyrbeve’, qoftë duke iu drejtuar atyre si ndërmjetësues, në atë mënyrë siç veprojnë katolikët, të cilët u rrëfehen priftërve për mëkatet e bëra..., ku priftërit veprojnë si ndërmjetësues mes njerëzve dhe Zotit, qoftë duke iu lutur atyre drejtpërsëdrejti për falje të mëkateve[51], e disa të tjera janë në intenzitet më të zbehtë, sikurse është bartja e një rruze të kaltërt në byzylyk apo rreth qafe për ta larguar ‘mësyshin’, duke mos i besuar për fuqi mbinatyrore, por vetëm për ta devijuar shikimin dashakeqë të njerëzve.[52] Nëse nuk heqet dorë nga ato që janë besëtytni të kategorisë së rëndë (shirk), atëherë vjen në shprehje akuza për devijim nga rruga e drejtë, përkatësisht për apostazi - dalje nga Feja Islame (مرتد). E kjo domethënë se ai privohet nga të drejtat islame, pasi paraprakisht të plotësohen kushtet sheriatike për këtë dhe të evitohen pengesat, sikurse është ofrimi i mundësisë që ai të kthehet sërish në Fenë Islame (duke përfshirë procedurat adekuate për këtë), pastaj sqarimi i atyre çështjeve (bazore) me argumente në të cilat ka rënë në apostazi si shkak i besëtytnisë…etj. Nëse pendohet nga qëndrimet e tij, kthehet në shoqërinë islame me të gjitha të drejtat dhe detyrimet. Në të kundërtën ekzekutohet[53]. E nëse kjo nuk mund të realizohet (zakonisht në vende ku sheriati nuk ka aplikim), atëherë atij as nuk i jepet selam e as nuk i kthehet; nuk ka mbrojtje për jetën e tij dhe pasurinë e tij; nuk mund të martohet me grua muslimane; apo nëse është i martuar shkurorizohet; nëse vdes në këtë gjendje nuk i lahet xhenazja; nuk i falet namazi i xhenazës; nuk varroset në varrezat e muslimanëve; nuk zbatohen parimet e trashigimisë ndërmjet tij dhe të afërmeve dhe dispozita të tjera[54]. E sa i përket besëtytnive të kategorisë më të lehtë, më së paku që mund të thuhet është se ato konsiderohen prej mëkateve që meritojnë ndëshkimin e Allahut të Madhëruar. · Dispozita e botës tjetër (أخروي), e cila është varësi e qëndrimit të besimtarit në këtë botë. Allahu ka dëshmuar se politeistët (ku potencialisht mund të bëjnë pjesë edhe besëtytët hijerëndë) dhe mosbesimtarët do të jenë përgjithmonë në xhehennem (shih:Kur’ani, El-Maide:72-73), ndërsa mëkatarët nga besimtarët janë në dëshirën e Allahut, nëse do i falë dhe i shpie në xhennet me mëshirën e Tij, e nëse do i dënon me drejtësinë e Tij aq sa është pesha e mëkatit të tyre në këtë botë. Çështja e tyre është në mëshirën e Allahut të Madhëruar. (shih:Kur’ani:El-Bekare:284).
Përfundim
Nga sa u tha më lartë, besëtytnia është dukuri shumë e rrezikshme në kontekst të devijimit, ndërsa shumë e frikshme në kontekst të pasojave. Tashmë e kuptuam se, manifestimi i besëtytnisë, parimisht ka elemente të politeizmit apo idhujtarisë. Fatkeqësisht, edhe në hapësirat tona mbarëkombëtare, pra, në mesin e muslimanëve, ka besëtytni të natyrave dhe llojeve të ndryshme. Shumica e tyre me bazë kristiane e një pjesë tjetër me bazë pagane. Është impereativ besimor - imanor, që në mënyrë të prerë të distancohet çdo musliman nga të gjitha format e besëtytnive dhe shfaqjet irracionale të besueshmërisë. E kemi besimin Islam, i vetmi i drejtë, i cili na përmbush çdo nevojë tonën në të gjitha rrafshet dhe nuk lë asnjë hapësirë. Nuk kemi nevojë të marrim ‘ndërmjetësues’ për te Allahu, e as të shpresojmë diç të mirë te ato gjësende apo çkado qoftë tjetër, që nuk mund të bëjnë asgjë (as të mirë e as të keqe) për veten e tyre. Për gjithçka që ndiejmë nevojë në jetën tonë, duhet t’i drejtohemi Allahut. Allahu i Madhëruar, i drejtohet Pejgamberit a.s. duke i thënë: “E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua.” (Kur’ani, El-Bekare:186). Në këtë ajet, duket mjaft qartë se, Allahu e ka kushtëzuar udhëzimin e drejt, me lutjen drejtpërdrejt Atij dhe me të besuarit në Të. Po ashtu, në kaptin ‘El-Fatiha’, të cilën e këndojmë në çdo rekatë të secilit namaz i drejtohemi Allahut: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm te Ti kërkojmë ndihmë” (Kur’ani, El-Fatiha:4). Le ta përfundojmë këtë diskutim me një thënie të Pejgamberit a.s., kur me një rast iu pati drejtuar Abdullah Ibni Abbasit r.a., duke i thënë: يَا غُلَامُ إِنِّي أُعَلِّمُكَ كَلِمَاتٍ احْفَظْ اللَّهَ يَحْفَظْكَ احْفَظْ اللَّهَ تَجِدْهُ تُجَاهَكَ إِذَا سَأَلْتَ فَاسْأَلْ اللَّهَ وَإِذَا اسْتَعَنْتَ فَاسْتَعِنْ بِاللَّهِ وَاعْلَمْ أَنَّ الْأُمَّةَ لَوْ اجْتَمَعَتْ عَلَى أَنْ يَنْفَعُوكَ بِشَيْءٍ لَمْ يَنْفَعُوكَ إِلَّا بِشَيْءٍ قَدْ كَتَبَهُ اللَّهُ لَكَ وَلَوْ اجْتَمَعُوا عَلَى أَنْ يَضُرُّوكَ بِشَيْءٍ لَمْ يَضُرُّوكَ إِلَّا بِشَيْءٍ قَدْ كَتَبَهُ اللَّهُ عَلَيْكَ رُفِعَتْ الْأَقْلَامُ وَجَفَّتْ الصُّحُفُ “O djalosh, ja do t’i mësoj disa fjalë: Ruaju (mëkateve të) Allahut, Ai të ruan ty. Ruaju Allahut, Atë do ta gjeshë në anën tënde. Kur kërkon diçka, kërko vetëm prej Allahut. Kur kërkon ndihmë, kërko vetëm prej Tij. Dije se sikur i gjithë populli të bashkohej për të bërë ndonjë të mirë (dobi), nuk do të mund të bënte asgjë, përveç se një gjë që ta ka shkruar (caktuar) Allahu. Dhe sikur të bashkohej i gjithë populli për të bërë ndonjë të keqe, nuk do të mund të të bënin asgjë veç asaj që ta ka shkruar (caktuar) Allahu. Janë ngritur lapsat dhe janë tharë fletushkat”[55] [1] Mikel Ndreca, “Fjalor fjalësh e shprehjesh të huaja”, boton Rilindja, Prishtinë, 1986, fq. 87. [2] Halit Muharremi, “Fjalor i Teologjisë” Tiranë, Geer, 2006. fq. 41. [3] “El-Munxhidu fil-lugati vel-a’lam”, boton ‘darul meshrik’ Bejrut – Libon, 1986. fq. 175 [4] Ibrahim Mustafa, Ahmed Hasen Ez-Zejjat, Hamid Abdul Kadir, Muhamed Alijun-Nexhar, “El-Mu’xhemu’l Vesit”, pjesa e parë dhe e dytë, Darud-da’veti, 1989/1410, Stamboll, Turqi, fq. 229. Fjala ‘el-hurafetu’, po ashtu e ka kuptimin edhe të mbledhjes së pemëve në vjeshtë (ما يجتني من الفواكه في الخريف). Shih: Po aty, fq. 229. [5] “El-Mu’xhemu’l Vesit”, op.cit. fq. 232. [6] Kjo fjalë me këtë kuptim përdoret edhe në shumë vende në Kur’an. (shih:En-Neml:47; Jasin:18-19, etj). [7] Akad. Ekrem Murtezai, “FJALOR i terminologjisë fetare” boton Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës, Prishtinë, 2007, fq. 68. [8] Akad. Ekrem Murtezai “FJALOR…” op.cit. fq. 68. [9] Allahu xh.sh. në Kur’an thotë:“…Çdo popull pati udhëzues (pejgamber).” (Kur’ani, Er-Rra’d:7). [10] Përkthimi i ajeteve me adaptime eventuale, është marrë nga: KUR’ANI, përkthimi me komentim në gjuhën shqipe, përktheu dhe komentoi H.Sherif Ahmeti, 1413 h / 1992 m, Prishtinë, botim i Medinës. [11] “El- Mu’xhemu’l Vesit”, op.cit. fq.558-559. [12] Astrologji (gr. dituri për yjet) dituri e rreme, që përpiqet të parashikojë ngjarjet dhe fatin e njerëzve, duke vëzhguar vendosjen e trupave qiellorë. (shih: Mikel Ndreca, “Fjalor fjalësh …”op.cit. fq. 61) [13] Mikel Ndreca, “Fjalor fjalësh …”op.cit. fq. 443. [14] Talismani: nënkupton një objekt apo gjësend i përbërë prej drurit, metalit lëkurës, tekstilit, letrës etj. në të cilin janë shkruar fjalë e fjali nga “shkrimi i shenjtë” ose janë vizatuar simbole të shenjta të ndonjë feje, për ç’arsye besohet se bartësin e tij e mbron nga të ligat e ndryshme, siç janë sëmundjet, mësyshi nga syri i keq, dëmtimet, rreziqet që i kanosen njeriut gjatë jetës, dhe të njëjtit i sjell lumturi etj. (Shih: Akad. Ekrem Murtezai “FJALOR…” op.cit. fq. 589). [15] Duhet thënë edhe këtë, se një pjesë e dijetarëve e lejojnë përdorimin e hajmalive, nëse ato përmbajnë lutje nga Kur’ani dhe Sunneti, në origjinal, me një shkrim të lexueshëm dhe të qartë, dhe duke pasur bindjen se hajmalitë si objekt, nuk sjellin efekt, por atë e sjell Allahu i Madhëruar. Sa i përket hajmalive që kanë vetëm shenja dhe shkrim të palexueshëm dhe përmbajtje të tjera, ato ndalohen me mendim unanim të dijetarëve. (shih: Jusuf Kardavi, “Hallalli dhe harami në Islam”, Shkup, 1998. fq. 242; shih: http://www.zeriislam.com/hutbe-fetva/fetva_Buti/Pyetje-dhe-pergjigje-VII.html). [16] Mikel Ndreca, “Fjalor fjalësh …”op.cit. fq. fq.221. [17] Jusuf Kardavi, “Hallali ...”, op cit. fq. 237-238 |