ZeriIslam

Le të jetë nga ju një grup që thërret në atë që është e dobishme, urdhëron për punë të mbara dhe ndalon nga e keqja

 

Emri:

E-mail:

Mesazhi:

 

 

Bashkërenditëse e veprimeve kombëtare

Lidhja ishte organizatë politikoushtarake, e cila me shtrirjen, me organizim dhe me veprimtarinë politike shënonte etapë të lartë të Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare në shekullin XIX

Lidhja Shqiptare e Prizrenit u krijua në periudhën e Krizës Lindore të viteve ’70 të shekullit XIX. Ajo ishte vazhdim i një tradite kombëtare të formuar para saj, por të zhvilluar në kushtet e bashkëveprimit të faktorëve të rinj historikë, që lanë vulën e tyre në programin e në veprimtarinë e saj dhe në ritmet konsolidimit kombëtar të popullit shqiptar. Lidhja Shqiptare e Prizrenit u lind në një truall, ku vazhdonte të ishte i ndezur zjarri i kryengritjeve antiosmane, të cilat e bënin Shqipërinë faktor të rëndësishëm aktiv. Ekzistonin mundësit objektive për bashkërendimin e lëvizjeve të popujve të shtypur të Ballkanit, për krijimin e një fronti të bashkuar antiosman, gjë që do ta shpejtonte çlirimin e bashkimin e tyre kombëtar. Përpjekjet në këtë drejtim nuk munguan, por ato ishin të destinuara dështonin, për shkak të ndërhyrjes brutale të Fuqive të Mëdha dhe të politikës ekspansioniste të shteteve fqinje të Ballkanit. Ishte pikërisht kjo ndërhyrje, që i dha Krizës Lindore drejtim tjetër, në kundërshtim me interesat e popujve e në mënyrë të veçantë në kundërshtim me interesat e popullit shqiptar. Kriza Lindore, me drejtimin e ri që mori, krijoi për shqiptarët rrethana dramatike kontradiktore. Për këtë arsye, shqiptarët nuk pranuan të rekrutoheshin si vullnetar në radhët e ushtrisë turke, me gjithë masat e rrepta, që mori administrata për t’i dërguar ata në frontin malazez e rus. Por lufta kundër Turqisë dhe fitoret ruse, ndonëse mund të dukeshin pozitive për një popull të shtypur, siç ishte populli shqiptar, t’i sillnin atij jo vetëm një zhgënjim të hidhur por edhe rrezikun e tmerrshëm të copëtimit të territoreve të tij. Ky rrezik u ndije thellë, atëherë kur vërshuan me dhjetëra mija shqiptarë, të shpërngulur me forcë nga vatrat e tyre prej ushtrive serbe e malazeze dhe kur traktati rus-turk i Shën –Stefanit e sanksiononte këtë copëtim me kalimin e viseve të tëra shqiptare Bullgarisë, Serbisë e Malit të Zi. Nuk ishte fjala për zona të veçanta kufitare, por për copëtimin e një pjese të madhe të trojeve shqiptare, që vë në pikëpyetje veç gënjen e kombit shqiptar, që krijonte premisat për zhdukjen e tij nga harta e Ballkanit. Një rrezik i tillë çoi peshë në shtresa të ndryshme shoqërore, në masat e gjëra popullore, që u mobilizuan për vetëmbrojtje. Copëtimi i trojeve kombëtare mbeti rrezik kërcënues edhe me vendimet antishqiptare të Kongresit të Berlinit. Në këto rrethana, Lidhja Kombëtare Shqiptare mori një shtytje të fuqishme, por detyrat e saj u ndërlikuan së tepërmi. E drejtuar deri atëherë kundër sundimeve osmane, ajo duhet të përballonte tani edhe armiq të rinj e të zhvillonte luftë të vështir në dy fronte, sepse, siç e treguan ngjarjet, kundër të drejtave të ligjshme kombëtare të popullit shqiptar ishin edhe Fuqitë e Mëdha, edhe
monarkitë ballkanike e edhe Perandoria Osmane. Një luftë e tillë kërkonte organizim të ri të forcave patriotike dhe formulimin e një strategjie dhe të një taktike politike, që të lejonte manovrimin me shkathtësi në labirintin e kontradiktave, që sillte me vete Kriza Lindore. Këto detyra i kreu Komiteti për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, që u formua në Stamboll në vitin 1877 dhe sidomos Lidhja Shqiptare, që u themelua në Prizren më 10 qershor 1878, pikërisht në ditën e sodit para 129 vjetëve. Lidhja e Prizrenit ishte organizatë e njësuar politiko-ushtarake kombëtare, që u shtri në të gjitha trojet shqiptare. Kuvendet e lidhjes kanë qenë forma tradicionale organizimi e drejtimi të lëvizjeve çlirimtare të popullit shqiptar. Edhe kryengritjet antiosmane gjatë periudhës 1930-1970të shekullit XIX kishin organizuar kuvende e kishin formuar lidhje. Nevoja për ta përballuar një armik shumë më të fuqishëm e të organizuar, siç ishte Perandoria Osmane, por edhe për të dal përpara tij si një entitet me kërkesa të përbashkëta, i kishte mësuar kryengritësit shqiptarë të dilnin tej caqeve lokale, të vendosnin lidhje ndërkombëtare. Lidhja e Prizrenit e vitit 1878 shënoi kthesë. Ajo u mbështet në një lëvizje të gjerë e të fuqishme popullore, të cilës i dha një strukturë të njësuar me komitet qendror e me komitete lokale, të krijuara në të gjitha viset shqiptare. Lidhja e shndërruar në një organizatë kombëtare. Ajo ishte e aftë për ti bashkërenditur veprimet politike, ushtarake dhe administrative dhe për ta përfaqësuar në arenën ndërkombëtare vullnetin e gjithë kombit shqiptar. Një meritë e veçantë në krijimin e kësaj organizate, në krijimin e komiteteve lokale e në vendosjen e lidhjeve midis krahinave të ndryshme, i takon dialogut dhe organizatorit të palodhur të Lidhjes Shqiptare, Abdyl Frashëri, i cili i ra Shqipërisë tejembanë e nuk la krahinë pa shkelur për ti
mobilizuar e për ti organizuar forcat popullore patriotike. Lidhja e Prizrenit ishte organizatë luftarake dhe ajo e ruajti këtë karakter të saj deri në fund. Dinamizmi i saj u shpreh në rrafsh të brendshëm e të jashtëm. Për të realizuar programin, ajo ndoqi rrugën e luftës së armatosur, si rrugën e vetme e të efektshme të afirmimit të kombit dhe të mbrojtjes së qenies së tij, në kushtet kur Fuqitë e Mëdha, Perandoria Osmane dhe shtetet fqinje ndiqnin politiken e mohimit të kombit shqiptarë dhe të të drejtave të tij. Nëpërmjet kësaj lufte, Lidhja realizoj bashkimin e popullit shqiptar nën një udhëheqje të vetme dhe me një program të përbashkët kombëtar. Në zjarrin e kësaj lufte, duke gëzuar mbështetjen e vegjëlisë patriote, Lidhja Shqiptare mposhti lëkundjet e elementeve turke e çifligare, të cilët e përqafuan platformën kombëtare vetëm në rastin e në masën, që ajo përputhej me interesat e ruajtjes nga copëtimi i tokave shqiptare, pra edhe të kufijve të Perandorisë Osmane, por nuk ishin për ndryshim e marrëdhënieve me Portën e Lartë. Lidhja Shqiptare e Prizrenit u angazhua për njohjen e kombit shqiptar si një e pandarë, për respektimin kundrejt tij të parimit të kombësisë në të gjitha drejtimet, për ruajtjen e paprekshmërisë e të tërësisë së trojeve kombëtare shqiptare dhe për bashkimin e tokave shqiptare në një njësi të vetme autonome shtetërore. Përkatësinë kombëtare të territoreve të banuara nga shqiptarët, Lidhja Shqiptare e argumentonte me karakterin historik të tyre, me shumicën e popullsisë, që i banon e që flet në të njëjtën gjuhë, dhe me kompaktësinë e saj.

Gazeta Iliria Post, dt. 09.0 6. 2007, fq. 20.

P.S.
Ky shkrim sikur edhe shume sosh paraqet nje trajtim të ngushtë, të kufizuar dhe përjashtues të pikëpamjeve të përgjithshme të Lidhjes.
Redaksia e www.zeriislam.com