ZerIslam.com
ZeriIslam
Le të jetë nga ju një grup që  thërret në atë që është e dobishme, urdhëron për punë të mbara dhe ndalon nga e keqja

Emri 

E-mail 

Mesazhi

Nexhat Ibrahimi

 

Fjalorth i termave islame

(në veprën “E drejta islame” nga Jusuf El-Karadavi)

 

 

·        As’hab: shokët dhe bashkëpunëtorët e të Dërguarit, Muhammedit a.s.

 

·        Dhahiritët: shkollë juridike dhe doktrinare, me themeluesin Davud El-Esbahanin dhe me personalitetin kryesor të tyre Ibn Hazmin.

 

·        Ebu Jusuf – Nxënësi më i madh i Ebu Hanifes dhe njëri prej juristëve më të mëdhenjë të së drejtës islame. Kadi supreme i halifatit në periudhën abasite.

 

·        Et-Ta’zîr: sanksionet për veprat penale të cilat nuk janë të përcaktuara me Kur’an dhe Sunnet dhe të cilat bëjnë pjesë në domen të gjykimit dhe vlerësimit diskretiv të gjyqtarit.

 

·        Fakih: jurist, jurist islam; ai i cili themelësisht kupton. Gjatë historisë ka pasur edhe kuptime tjera.

 

·        Fetvaja: zgjidhjet fetare, decizionet të cilat i japin muftitë për ndonjë pyetje, çështje a problem; komentimi specific juridik.

 

·        Fikhu: E drejta islame dhe shkenca juridike, jurisprudenca islame. Përfshinë dy fusha të përgjithshme të cilat bazohen në qasjet e ndryshme dhe kundërshtuese metodologjike: ibadati, rregullat ku janë të lejuara vetëm ato që janë të përcaktuara dhe muamelati, punët shoqërore, ku të gjitha janë të lejuara përveç atyre që shprehimisht janë të ndaluara; rregullat dhe vendimet e nxjerra nga Kur’ani dhe Sunneti.

 

·        Hadd - Hudud: Kjo fjalë d.m.th. kufij, pengesë. Në të drejtën sheriatike d.m.th. ndëshkimet, sanksionet sheriatike të konfirmuara me Kur’an dhe Sunnet për disa veprime.

 

·        Halifi (Hulefai rashidinët): trashëgimtari i përkohshëm i pejgamberit, Muhammedit a.s.; i tilli trashëgon pushtetin dhe autoritetin përveç autoritetit pejgamberik. Katër halifët e drejtë janë: Ebu Bekri r.a., Umeri r.a., Uthmani r.a., Aliu r.a.; hilafeti, halifati respektivisht përfaqësimi i sheriatit të Allahut nëpërmjet muslimanëve, të cilët e ushtrojnë atë në territoret ku ata sundojnë.

 

·        Hallall: e lejuar; ajo që është e lejuar me Kur’an, Sunnet dhe me fe.

 

·        Hanbelitët: pasuesit e shkollës juridike hanbelite me themeluesin Ahmed ibn Hanbelin. Shkolla më e vogël juridike islame. Pasues të saj sot pjesërisht kemi vehabitët.

 

·        Hanefitët: pasuesit e shkollës (medhhebit) juridike hanefite, me mësuesin me te madh te kësaj shkolle dhe te te drejtës dhe mësimit islam përgjithësisht, Nu’man ibn Thabit - Ebu Hanifeh (jetoi 80-150 h.).

 

·        Haram: e ndaluar, ajo që është e ndaluar me Kur’an, Sunnet ose me fe.

 

·        Imami: imami, lideri, udhëheqësi, ai që udhëheq namazin.

 

·        Istihsani: burim dytësor i të drejtës islame; përparësia juridike që i jepet një deduksioni ndaj një tjetri; aplikimi i preferencës juridike, vlerësimi i diçkahit si e mirë.

 

·        Ixhmai: koncenzusi, unanimiteti i dijetarëve të një kohe për një çështje. Burimi i tretë i te drejtes islame.

 

·        Ixhtihadi: Angazhimi, përpjekja e aftësive intelektuale që në bazë të Kur’anit, Sunnetit dhe traditës islame të arrihet deri te Zgjidhja e dobishme, korrekte islame për çështjen, problemin, nevojën e caktuar etj. Kemi disa lloje ixhtihadesh: mutllak, mustekil-l etj.

 

·        Kadi’: kadiu, gjyqtari musliman.

 

·        Kijasi: analogjia, gjykimi në bazë të analogjisë, konkludim në bazë të parimit të dhënë në Kur’an, Sunet ose Ixhma. Burimi i katërt i të drejtës islame.

 

·        Kur’ani: Kitabi, Libri, Libri i shenjtë i Islamit, Fjala e amshuar e Allahut..

 

·        Malikitët: pasuesit e shkollës juridike malikite me themeluesin e shkollës Enes ibn Malikun.

 

·        Maslehat’ul-mursele: parimi i interesit publik; nuk aplikohet në ibadat, sepse kjo i përket fushes e cila rregullohet vetëm me rregulla hyjnore.

 

·        Medhheb: shkollë juridike.

 

·        Mendub: e rekomanduar, e preferuar.

 

·        Mexhlis’ush-shura: këshilli, kuvendi këshillues, konsultativ,

 

·        Mu’tezilitët: shkollë e madhe teologjike e dogmatikës spekulative islame, që erdhi pas përçarjers dhe ndarjes së Hasan El-Basriut dhe Vasil ibn Atait.

 

·        Mubah: e lejuar;

 

·        Muftiu: personi i autorizuar i cili jep fetva, decizion juridik. Personi i cili formulon mendime specifike juridike në bazë të teksteve joshprehimore ose në mungesë të teksteve specifike.

 

·        Muxhtehidi: Dijetari i cili merret me burimet e shpallura tekstuale me qëllim që prej tyre të nxjerrin gjykime dhe rregulla juridike.

 

·        Nisabi: minimumi i paraparë pasuror në bazë të të cilit jepet sasia e caktuar e zekatit.

 

·        Selefi: brezi i dijetarëve që përfundon me Muhammed ibn Hasen Esh-Shejbaniun. Ky grup komenton jashtësinë e teksteve dhe refuzon të japë mendim dhe të interpretojë brendësinë e teksteve. E kundërta e selefit është halefi: brezi i dijetarëve   prej Muhammed ibn Hasen Esh-Shejbaniut e deri te Shemsu’l-eimmeh El-Hulvaniu. Këta i sqarojnë tekstet jo të qarta në pajtim me tekstet e qarta.

 

·        Shafi’itët: pasuesit e shkollës juridike shafi’ite, në krye me Imam Shafi’un.

 

·        Shkenca e hadithit: Shkenca e cila merret me fjalët dhe veprat e Muhammedit a.s. Hadithi është aspekti verbal i Sunetit.

 

·        Suneti: Fjala, vepra, veprimi, miratimi në heshtje të një fjale a veprimi etj., të Muhammedit a.s.

 

·        Tabi’inët: tabiinë quhen pasardhësit e as’habëve, shokëve të Muhammedit a.s.

 

·        Talak: shkurorëzimi, divorci, lëshimi i gruas nga kontrata martesore.

 

·        Ulemaja: dijetarët, dijetarët fetarë, autoriteti fetar. Dijetari në kuptim të gjerë, i cili mund të jetë i specializuar në një degë shkencore islame. Sot ky emërtim nënkupton njeriun me përgatitje universitare.

 

·        Ummeti: bashkësia, bashkësia muslimane, bashkësia e Muhammedit a.s..

 

·        Urfi: tradita, adeti, doket, zakonet, ligji zakonor.

 

·        Usul’ul-fikh: Parimet bazore të të drejtës islame; i formulon parimet dhe metodologjinë me anë të të cilave rregullat juridike nxirren nga burimet e tyre. Inkuadron studimin dhe formulimin e komentimeve juridike, detyrimeve dhe ndalimeve, parimet universale,ixhttihadin )ixhmain, kijasin) etj.

 

·        Vakuf: e drejta vakufore islame, legata, e cila formohet nga bamirësia pasurore e njerëzve të pasur dhe të devotshëm për qëllime humanitare, si shkollat fetare, spitalet etj.

 

·        Xhihadi: përpjekje, orvatje e muslimanit në emër të Allahut, për ta plotësuar përgjegjësinë islame, si në vewprimet e jashtme ashtu edhe në përmirësimin e brendshëm të gabimeve personale; xhihadi në rrugën e Allahut, xhihadi me dije, me pasuri, me jetë e të tjera në emër të Allahut.

 

·        Xhizja: tatimi që shtetasit jomuslimanë ia paguajnë shtetit musliman, si kundërshpërblim për shërbimet shtetërore.

 

 

Literatura

(për hartimin e fjalorthit)

 

1.        Abdulhamid A. Ebu Sulejman, Drejt një teorie islame për marrëdhëniet ndërkombëtare, Shkup, 1419/1998.

2.        Dzon Espozito, Oksfordska Istorija Islama, Beograd, 2002.

3.        Enciklopedija zivih religija, Beograd, 1990.

4.        Enes Karic, Kur’an u savremenom dobu, II, Sarajevë, 1997.

5.        Nerkez Smailagic, Leksikon islama, Sarajevë, 1990.

6.        Nexhat Ibrahimi, Shkolla juridike hanefite dhe karakteristikat themelore të doktrines së saj, botimi, II, Prizren, 1421 h./2000.

7.        Tarik Ramadan, Biti evropski musliman, Sarajevë, 2002.

8.        Teufik Muftic, Arapsko-srpskohrvatski rjecnik, I-II, Sarajevë, 1974.