|
Orhan Bislimaj
Letër vëllait musliman që ngurron të vijë në xhami! - 1 -
I nderuari vëlla im, musliman!
Po të drejtohem ty me këtë letër, sepse ta dua të mirën. Nuk pretendoj të të them diçka që ti nuk e din. Vetëm dua të t’i përkujtoj disa gjëra që të kanë kaluar në harresë. Këtë e bëj, sepse unë dhe ti jemi vëllezër. Jemi bashkë robër të Allahut. Ai është që na ka krijuar ne dhe është synimi i jonë i përbashkët. Njëri tjetrin e plotësojmë. Kemi nisur nga padituria, por ja që tani nuk mund të themi se nuk dimë asgjë. Krejt kjo në saje të dhuntive të Allahut dhe komunikimit tonë të ndërsjellë. Gjithherë njeriu ka nevojë për dije dhe për tjetrin. Padituria e njeriut fillon, atëherë kur ai mendon se i din të gjitha. Unë kam nevojë për dijën tënde, po edhe ti ke nevojë për dijën time. Shkenca ka arritur rezultate, pse në metodën e vet e ka pranuar pluralizmin e ideve dhe diversitetin e mendimeve. Nëpërmjet kësaj letre, kërkoj nga ti, që të hapësh dhe të komunikojmë. Bashkarisht do të bisedojmë dhe gjithësesi do të përfitojmë. Brengosem se përse nuk vjen në xhami!? Së paku njëherë në javë, ditën e xhuma. Mos u mbyll në vete! Mos e privo veten nga identiteti i joti islam. Ai është krenaria e jote. Nëse këtë nuk e din, të këshilloj hulumtoje se do ta vërtetosh! Ne mund të dimë shumë gjëra, madje vërtet shumë, por nëse një të vërtetë nuk e kemi lexuar apo dëgjuar, atë e pranojmë se nuk e dimë. E ti e din se, njerëzit janë armiqë të gjërave që s’i dinë. Atë që ai nuk e di, atë edhe nuk e do, sepse nuk din si ta dojë. Prandaj, për këtë arsye dhe të tjera të ftoj sinqerisht, në emër të Allahut, që t’i kthehesh rrugës së xhamisë në mënyrë që ta njohish fenë tënde, ta duash atë dhe, të mos bëhesh armik i saj. Unë dua të besoj se ti vëlla i dashur, në mos asgjë tjetër, e din se xhamia është vendi ku buron mirëqenia dhe vetëdija për shoqëri të shëndoshë. Është shtëpia ku nisin dhe përfundojnë begatitë. Këtë mbase e dinë të gjithë. Po ashtu ti e din se feja jote Islame, ngritet në konceptin e monoteizmit se nuk ka zot tjetër përpos Allahut dhe, se Muhamedi është i dërguari i Tij. Këtë dije nuk mund të ta mohoj. Po edhe nuk mund ta mohoj se edhe shumë gjëra të tjera nuk i din. Dija e pakët që e ke për fenë tënde Islame, shpesh herë gjysmake, nuk të mjafton. Ti ke nevojë akoma më shumë për t’u pajisur me dije fetare. Për ta shijuar ëmbëlsirën e identitetit tënd islam. Nuk kërkoj që të bëhesh islamolog, mbase pse jo, por aq sa konceptet islame t’i ke të qarta. Kjo është dija e domosdoshme për çdo musliman. Mos harro, edhe unë si hoxhë edhe ti si një profesionist tjetër, nuk jemi të thirrur t’i njohim të gjitha profesionet. Mirëpo, nevoja për ta mësuar fenë është diçka që qëndron mbi të gjitha të tjerat. Feja nuk është profesion dhe nuk zëvendësohet me asnjë dije tjetër. Ajo është nevojë që instinktivisht buron në natyrën e secilit njeriu. Është pjesë e pandashme e tij. Pa marrë parasysh përfitimet e dijeve të tjera, nevoja për besimin mbetet kaptinë në vete.
Vëlla i dashur! Unë nuk e di se përse ti nuk vjen në xhami. Nëse eventualisht ke ndonjë neveri, të ftoj që të ‘zgjohesh’ dhe t’i heqish të gjitha dilemat dhe keqkuptimet për xhaminë. Eja dhe bindu për këtë. Eja dhe adhuroje Allahun. Ai është i vetmi meritor për t’u adhuruar. Mos e fito hidhërimin e Allahut duke adhuruar dikend tjetër. Nëse nuk e adhuron Allahun, ta dish se instinkti yt, natyrshën do të adhurojë dikend tjetër. Mos u gënje me askënd! Mos u mashtro! Bëhu i madh me kthesa të mëdha! Te ti nevojitet vetëm një vendim. Unë besoj se averzioni për xhaminë nuk është i joti. Ai të është infiltruar nga dezinformuesit. Bëhu i guximshëm dhe shporre këtë apati të transplantuar gabimisht në natyrën tënde për besimin tënd Islam! Përfundimisht do ta shohësh se lumturia jote është mu aty. Se jeta jote mu atëherë do të marrë rol. Kjo është vetëm kështu dhe assesi ndryshe. Të premtoj, se aq do të bindësh për mirësitë dhe lumturinë që të ofron xhamia, saqë vetveten tënde do ta fajësosh se, përse nuk të ka dërguar një ‘ftesë’ më herët se tani. Në rrugën e xhamisë nuk ka asnjë humbje. Aty ka vetëm fitore dhe të mira. Po ta them edhe këtë, Allahu, Krijuesi im dhe i yti dhe i çdo gjëje tjetër nuk ka nevojë as për mua e as për ty, e as për asgjë tjetër. Nuk ka nevojë për adhurimin e njerëzve. Ne jemi të dobët dhe të nevojshëm. Unë dhe ti dhe të gjithë kemi nevojë. Të lutem, kthehu në vete dhe mendo seriozisht. E di se rrethi yt dhe ambienti ku ti jeton ndoshta të pëshpërisin dokrra për xhaminë. Këtë mund ta kuptoj. Por ta dish se ata vetëm shpifin dhe asgjë të vërtetë nuk thonë. Besoj se këtë ti e din më mirë se unë. Mbase me këtë nuk dua të merrem. Mos u gjunjëzo para kërkushit! Mos dhe vetëm mos! Në dorën tënde është t’i dëgjoshë llomotitjet e njerëzve, apo ta dëgjosh thirrjen e Zotit tënd:”O ti njeri po ç’mashtroi ty kundrejt Zotit tënd…, i cili të ka krijuar” (82:6). Gjyko ti vetë. Gjyko pak më thellë. Gjykoje vetveten. Medito rreth mirësive që i ke në shërbim dhe shfrytëzim. Bëji një pyetje vetvetes: kënd do ta dëgjosh? Llomotitsit që nuk kanë në dorën e tyre asnjë të mirë!? Apo, Allahun e Madhëruar që të ka krijuar ty në formën më të bukur dhe të ka dhuruar të gjitha të mirat!? Padyshim se arsyeja jote e shëndoshë do të thotë: Allahun. Duhet ta dish edhe këtë, shkuarja në xhami dhe adhurimi i Allahut, nuk është asgjë tjetër, pos vetëm një falënderim ndaj Tij. Këtë e ke obligim, daç fetar daç moral. Të thash edhe më parë, Allahu nuk është i nevojshëm as për falënderimin tënd e as timin e as për asgjë. Ai është i falënderuar edhe atëherë kur krijesat nuk e falënderojnë. Sepse në dorën e Tij është çdo gjë. Por, ai dëshiron që ti mos të jesh përbuzës ndaj të mirave të Tij. A nuk po e sheh se sa të mira të ka dhënë Allahu!? Po, mendohu pak! Fillo prej vetvetes! Më së pari veten tënde që e ke, ti nuk e ke asnjë meritë në krijimin e saj. Ti këtë e din shumë mirë. A nuk je i vetëdijshëm se gjithçka, që njeriu posedon, qoftë prej vetes së tij apo veprave, të gjitha i përkasin Allahut!? Ti do të më thuash si është e mundur kjo? Unë po të tregoj: njeriu nuk mund të bëjë asnjë lëvizje e as një vepër, përpos se kjo të ndodhë me anë të një fuqie. Sepse, dihet, i pafuqishmi nuk mund të lëvizë. Kjo ‘fuqi’, apo ‘taakat’ – si i themi ne, i përket Allahut, ngase rrënjët i ka në rriskun e Tij, përkatësisht në dhuntitë e Tij, që i ka krijuar për ne në tokë e në qiej. Ai na ka dhuruar mendje, gjymtyrë, me një fjalë trup funksional me të cilin veprojmë dhe për këtë trup na ka krijuar ushqime nga më të mirat. Njeriu pa u furnizuar me ujë dhe ushqime, nuk mund të ketë fuqi e as energji, e kur nuk i ka këto, ai nuk mund të bëjë asgjë, sepse nuk ka forcë. E kur nuk mund të bëjë asgjë, ai nuk mund të jetojë. Mu për këtë arsye, jeta jonë është varësi e pashmangshme e këtyre mirësive të panumërta. Nëse për një kohë na mungojnë, jeta jonë në moment merr fundin e pakthim. Atëherë, të pyes: a nuk është meritë e Allahut gjithçka që kemi ne!? A nuk është bamirësi e vërtetë kjo!? Pa dyshim se po. Po, edhe më tej. Të lutem vështro, do të bindësh për të gjitha. Do t’i gjesh të gjitha asryet që të çojnë pashmangshëm në falënderim ndaj Krijuesit tënd. Lëshoja një shikim gjithësisë! Shikoje rreth e përçark! Shikoje ajrin! A nuk po e sheh se ajri të cilin po e frymojmë në çdo çast nuk është në dorën tonë!? Pastaj a nuk po e sheh se vetë mekanizmi për me çarkulluar atë ajr është edhe një mirësi tjetër e madhe!? E gjithë ajo që e sheh, Allahu e ka vendosur nën shërbimin tënd, dhe vetëm për ty. Jo për Veten e Tij, sepse nuk ka nevojë për të. Nëse bukën që e blen në dyçan, e pa të cilën nuk mund të rrnosh, mos mendo se atë po e krijon dyçanxhiu. Absolutisht jo. Ajo burimin e ka në krijimin e Allahut. A nuk po bindësh se Allahu është i vetmi bamirës i vërtetë!? A nuk e meriton që të merresh pak me këto begati të panumërta!? Allahu në Kur’an të ka thënë se: “… edhe në qoftë se përpiqeni t’i numëroni të mirat e Allahut, nuk do të mund të arrini t’i përkufizoni (në numër)…”(Ibrahim:34). Të lutem, më thuaj se, a mban në mend historia njerëzore ndonjë njeri që ka provuar t’i numrojë të mirat e Allahut!? Për këtë, unë po të përgjigjem: nuk e mban në mend dhe nuk do të ndodhë asnjëherë. Përse? Sepse, Allahu e ka cilësuar të pamundshme. Normalisht të pamundshme, ngase nuk ke mendimin se prej nga Allahu i jep të mirat e Tij. Të mirat e Tij, janë në çdo çast. Vetë prirja për mendim është dhunti e Allahut. Thjesht, nuk do të mundim, sepse nuk mund ta pushtojmë gjithësinë me miliarda trupa qiellor. A nuk ndihesh mendjemadh, që për gjithë këto mirësi nuk e ke guximin ti thua Krijuesit: O Allahu im, më ke dhuruar shumë të mira, unë nuk mund të t’i paguaj ato, por në dorën time është t’i përgjigjem kërkesave Tua. Nëse një njeri të ndihmon, ti jo vetëm se do ta falënderosh për atë, por edhe sa herë që ta takosh herave tjera do të bie ndërmend ndihma e tij. Po nëse ai të dhuron qoftë edhe një ‘leckë’ të thjeshtë, ti do ta teprosh në falënderim ndaj tij. Ani çfarë e mirë është ajo!? Ajo në të vërtetë nuk është fare e mirë e tij, sepse ku e mori ai atë fuqi për të ndihmuar? A mos vetë e krijoi!? Jo, sepse nuk mund të krijojë asgjë. Por e mori në rriskun e Allahut. Askund tjetër. Atëherë nëse njeriut po i falënderohesh, thënë kushtimisht pa pasur nevojë, po si nuk i falënderohesh Allahut!? A nuk të bie ndërmend që ta falënderosh Allahun qoftë edhe pak për begatitë e Tij!? A nuk janë ato që ta mbajnë jetën? E di se do të më thuash, se unë e falënderoj. Unë këtë e çmoj, por ai falënderim nuk është sikurse Allahu kërkon prej teje. Allahu kërkon që ti të shkosh në xhami dhe ta adhurosh Atë, ashtu sikurse Ai e ka zgjedhë për ty. Pa të munduar fare. T’i përmbahesh urdhëresave dhe ndalesave të Tij. Allahu nuk dëshiron vështirësi me këto. Ato janë shumë të lehta dhe të thjeshta. Këtë duhet ta dish. Allahu nuk na ka dërguar fenë për të na munduar, por për të na mësuar në rregullimin e jetës sonë. Sistemi islam është po ai që natyra jonë e kërkon. Të gjitha sistemet tjera, ndonëse janë sajuar nga soji njerëzor për njeriun, ato nuk janë bërë për shtatin e tij. Prandaj ose i vijnë të ‘vogla’ ose të ‘mëdha’. Sistemi islam i jetës është ‘ngjyrosje’ e Allahut. Atëherë, më thuaj kush mund të ngjyros më mirë se Allahu!? A do ta marrish guximin e t’i bëshë kritikë Allahut!? Mos! Mos, e ngarko veten me diçka që nuk mundesh me e bartë! E jotja dhe e imja është ta besojmë Allahun dhe t’i përgjigjemi Fjalës së Tij.
Vëlla musliman, mik i dashur! E di se e zgjata pak shumë. Por, nuk do të heqi dorë nga kërkesa ime. Në të vërtetë nga kërkesa që Allahu e dëshiron për të gjithë njerëzit. Ti ndoshta edhe e humb durimin për të më dëgjuar. Por, unë nuk do të ndalem: eja, eja bëhu i rëndësishëm me vendim të rëndësishëm! Xhamia në çdo moment të pret. Të gjithëve na pret. Të gjithëve na kërkon, të rinjë e të moshuar, fëmijë e pleqë, burra e gra. Nëse je në moshë të re, mos e mashtro veten me farsën se ke kohë për të ‘shkelë’ në xhami, e nëse je i moshuar, mos e humb shpresën, mos u dëshpëro! Xhamia është e të gjithëve dhe për të gjithë. Ajo është tempulli që gërsheton dijën, adhurimin e Allahut, mirëqenien dhe lumturinë e përjetshme. Përmisoje gabimin që e ke bërë deri më tani! Gabimtar i vërtetë nuk është ai që gabon, por ai që këmbëngulë në gabim. Kërko falje për gabimin dhe pendohu! Allahu është falës dhe mëshirues, më tepër se sa e mendon ti dhe unë. Ti mund të mendosh se e ke zemren e pastër dhe nuk ke nevojë për falje e as për lutje. Por të them sinqerisht dhe me kompetencë se edhe po ta zëmë se deri në këtë moment ke qenë i pa mëkate, edhepse kjo absolutisht nuk ka mundësi të ndodhë, por thjesht po supozojmë, atëherë vetë fjala jote se e ke ‘zemrën e pastër’, mu ajo po e nxinë zemrën. Përse? Sepse kjo fjalë është e rëndë për Krijuesin, ngase është refuzim i dhuntive dhe mirësive të Tij. Ti je qenie e krijuar dhe mëkatare, dhe nuk mund ta marrësh prerogativin e ‘mjaftueshërisë’, cilësi kjo që i përket vetëm Allahut. Ne jemi qenie të nevojshme në varshmëri. Bindu se kjo është kështu! Dua të besoj se më në fund e ke kuptuar, se nuk ke asnjë arsye për vetëkënaqësi. Je musliman dhe gëzoju këtij emri! Arsyetoje atë me fjalë, sjellje dhe vepër! Shkuarja në xhami është shenjë e falënderimit tënd ndaj Allahut, e adhurimit ndaj Tij dhe e njerëzisë tënde të vërtetë. Ve’s-selam alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu!
Bisedë me vëllain musliman që ngurron të vijë në xhami - 2 -
I nderuar vëlla, musliman! Unë nuk do të harroj asnjëherë të të ftoj për në xhami, derisa nuk i përgjigjesh pozitivisht kësaj. Fundja, unë nuk kam ndonjë interes nga ardhja apo mosardhja jote. Interesi im i vetëm është se po e çoj në vend urdhërin e Allahut për thirrje në rrugën e Tij, dhe se duke të ftuar, unë po bashkëndjej për ty atë që e dua për veti. Besoj se këtë e di dhe sigurisht ke respekt. Kjo është për ty dhe vetëm për ty. Unë, ‘el-hamdulilah’ i kryej ibadetet, që i ka obliguar Allahu, dhe ato nuk më pengojnë aspak, në kryerjen e obligimeve të jetës së përditshme, të cilat i kryen edhe ti. Në vetveten time prej një muslimani, kam bashkuar të gjitha vlerat pozitive. Këtë falë besimit islam, i cili njeriut i mundëson që t’i tejkalojë të gjitha dobësitë njerëzore. Por, altruizmi i vërtetë, që feja Islame ma ka mbjellur në zemrën time, nuk më lë të qetë derisa ty dhe të gjithë muslimanët nuk i shoh pjesëmarrës në rrugën, e cila është gurthemel për lumturi dhe mirëqenie të vërtetë. Ajo është rruga për të cilën unë po të flas. Islami dhe xhamia të mësojnë që mos të ndihesh i lumtur, për aq kohë sa vëllezërit tu, nuk e kanë mundësinë për të qenë të tillë. Ndoshta t’i mendon se ke edhe tani lumturi në vetveten tënde. Por kjo në të vërtetë nuk është lumturi. Ajo është një veti e imponuar apo e adaptuar, në mungesë të lumturisë së vërtetë. Shëndetit kurrë nuk i dihet vlera përderisa nuk e përjetojmë sëmurjen. Këtë ‘lumturi’ që e ke tani, do ta gjykosh për brishtësi, vetëm pasi ta shijosh lumturinë e besimit. Të lutëm më thuaj, kush mund të jetë më i lumtur se ai i cili me devotshmërinë e tij e fiton kënaqësinë e Allahut?! Ai, që fjalën e Allahut e vënë në prioritet të parë. Kush është ai, që nuk e dëshiron përkrahjen e Allahut?! Përkrahja e Allahut nuk arrihet pa shprehur interesim konkret për të. Allahun e kemi pranë nesh, aq sa ne jemi pranë tij (Kur’ani, 47:7). Të them sinqerisht, mos u bën shkak që Allahun ta kesh kundër! Nëse mbetemi në dorë të Allahut kemi mbetur në duartë e sigurta, e nëse mbetemi në dorë të njerëzve kemi mbaruar përgjithmonë. Pradaj, ngurrimi për të shkuar në xhami, është një shenjë e apatisë ndaj ndihmës së Allahut dhe respektit ndaj Tij. Njeriut i vije shumë rëndë nëse fëmija i tij nuk e dëgjon ndonjëherë, bile edhe kur ky i fundit ka arsye për këtë. Menjëherë fillon një ftohje e marëdhënieve prindërore. Nëse prindi pyetet për këtë, ai numron një mori arsye, në llogari të arrogancës së fëmisë. A nuk po shikojmë se, ç’farë arrogance është mosrespekti ndaj Allahut?! A po e harrojmë këtë?! Prindi po kërkon respekt prej fëmisë së vet, vetëm pse është kujdesur për rritën e tij në kohën kur fëmija ka pasur nevojë. Për atë zhvillim që, fundi fundit, e ka pasur obligim të natyrshëm dhe ia ka mundësuar Allahu. Po, a nuk po na shkon mendja se Allahu hidhërohet për mosrespektin që po ja bëjmë urdhërit të Tij, duke mos shkuar në xhami?! Padyshim se Allahu hidhërohet me robin e tij bukëshkalës. Unë të këshilloj, mos u bën bukëshkalës, eja në xhami dhe duaje Allahun më shumë se fëmijët dhe familjen! Duaje më shumë se vetveten tënde! Ai të përgjigjet në çdo moment dhe kurrë nuk të zhgënjen. Vëlla i dashur! Mua më bëhet qejfi, kur nga vetë ti dëgjoj se Kur’anin e konsideron libër të shenjtë dhe e beson plotësisht përmbajtjen e tij. Por, kjo nuk mjafton, ani pse është hapi kryesor. Duhet ta lexosh atë, duke i kushtuar një kujdes të vaçant. Këtë mund ta bësh kurdoherë dhe kudo që ke mundësi, në shtëpi, në bibliotekë, në tren, në aeroplan etj. Ndoshta duke e lexuar atë, dhe duke hasur në ndonjë të paqartë që kërkon komentim nga kompetentët, do të të shtohet kurreshtja dhe një ditë do ta thyejsh akullin dhe do të shkosh në xhami për ta pyetur hoxhën për gjërat që të interesojnë. Unë edhe këtë e shpresoj si një pretekst. Po ashtu, më ka gëzuar qëndrimi yt korrekt për pejgamberinë e Muhamedit a.s.. Ti, për faktin që e beson Allahun Një dhe të vetëm, që e beson Kur’anin për libër hyjnor dhe Fjalë e Allahut të Madhëruar i zbritur Muhamedit a.s., të transmetuar besnikërisht prej zbritjes së tij e deri në ditët e sotme pa asnjë devijimi në asnjë shkronjë të tij, pastaj, ti që e beson se Muhamedi a.s. është pejgamber i fundit, i dërguar nga Allahut, fjalët e të cilit janë të vërteta në të gjitha ato që i ka thënë dhe që me besnikëri janë transmetuar deri te ne, atëherë, më duhet të të them se je krejtësisht afër për të shijuar ëmbëlsinë e Fesë së cilës i takon. Te ti nevojitet vetëm një këndellje thelbësore, ta heqësh mendjemadhësinë, ti japish një shikim më esencial jetës tënde, të bindësh se je qenie që paditurinë e ke cilësi të pashmangshme dhe ke nevojë për avancim, të bindësh se njeriu cilësinë e të keqës e ka gjen natyror nga e cila nuk mund të ikën, do të shohish se nevoja për të shkuar në xhami është diçka e pashmangshme dhe rilindje e vërtetë në jetën tënde. Herën e kaluar kur biseduam, të them sinqerisht, më bëri përshtypje të veçantë, një fjalë e jotja, kur the:‘zemrën e kam të pastër’ duke aluduar me këtë se nuk ke nevojë për lutje te Allahu, apo për të shkuar në xhami. Kjo fjalë, që fatkeqësisht nuk e kam dëgjuar vetëm nga ti, po edhe nga disa të tjerë, më ka irituar pa masë, sepse më ofroi para vetes një mentalitet të cekët, që aspak nuk ka njohuri mbi fenë e vet dhe as interesim. Më tregoi se kontributi i imamëve me ligjërata e derse nëpër të gjitha xhamiat, ende nuk ka depërtuar te një pjesë e muslimanëve. I heshtur ne vete, kam thënë: “O Allah, ndriçoja zemrën këtij njeriu, udhëzoje atë në rrugën Tënde, vetëm Ti mund t’i rrotullosh zemrat! O Zot, udhëzoi të gjithë muslimanët!” Edhe atëherë të kam folur për këtë, por po të flas edhe tani. Të lutem harroje këtë shprehje! Ajo është nënçmuese për vetë ty, ngase ke pohuar diçka, që bie ndesh me realitetin tënd të hapët. Je musliman, dhe ajo nuk të përket ty. Nëse je njeri me ndjenja, ku në trupin tënd zë vend, hidhërimi, inati, padituria, animi, mburrja e shumë të tjera, atëherë duhet ta pranosh se nuk je engjëll. Ti këtë e pranon, apo jo!? E pra, je njeri që gabon vazhdimisht. Nëse me atë fjalë e ke për qëllim zemrën, si një copëz mishi apo si një pompë që përçon gjakun në trupin e njeriut, duhet ta din se copë mishi të këtillë kanë edhe kafshët. Të lutëm, me këtë mos u mburr! E nëse me atë fjalë ke për qëllim ‘zemrën’ si një burim që derigjon mendimet e tua, ndjenjat dhe orientimet e tua në përgjithësi, atëherë në këtë aspekt je shumë larg nga zemra e pastër. Pastërtia e zemrës nuk mund të vërtetohet as nga ti e as nga unë. Secili për vete thotë se e ka zemrën e pastër. Një gjë të tillë e thotë edhe krimineli. Mirëpo, pastërtinë e zemrës e di vetëm Allahu, sepse ai i di të fshehtat dhe të haptat. Ne mund të themi diçka e në anën tjetër të fshehim në zemër diçka tjetër. Kjo mund të bëhet para njerëzve, por jo edhe para Allahut. Prandaj, përveç Allahut askush tjetër nuk mund ta dijë se, kur është e pastër zemra. Ai në Kur’anin e Tij na ka treguar kriteret që e vlerësojnë pastërtinë e saj. Njeri me zemër të pastër konsiderohet ai, që me të vërtetë është i pastër: që nuk i ka borxh askujt. Që nuk ka borxh ndaj vetvetes, që nuk ka borxh asgjë ndaj njerëzve dhe që nuk ka borxh ndaj Allahut. Këto janë tri sfera, që e karakterizojnë tërë jetën e njeriut në përgjithësi. Të lutem llogarite vetveten tënde vetem në këto fusha dhe më trego se sa je i pastër në zbatimin e tyre. A je ai që nuk e ka ofenduar askë, që nuk i ka hyrë në hak askujt, që i kryen obligimet ndaj vetvetes, ndaj Krijuesit dhe ndaj të tjerëve, që kujdeset për familjen e vet dhe edukimin e saj me edukatë islame, që të kaluarën e tij e ka të pastër dhe të pamëkate, që është i ndershëm moralisht, që kurrë nuk ia dëshiron askujt të keqen dhe shumë pika të tjera, që nuk kemi nevojë t’i numrojmë etj. Unë, për një moment dua të bëhem jomodest dhe po të them: “fatkeqësisht zemrën e ke shumë të nxirë.” Le ta përmendim vetëm një segment. Vetë fakti që nuk po i përgjigjesh fjalës së Allahut për të shkuar në xhami dhe për t’i kryer adhurimet ndaj Tij, je borxhli i madh. Nëse borxhi ndaj dikujt prej njerëzve, është obligim të përmbushet, atëherë borxhi ndaj Allahut është më prioritet. Ndërsa mospërmbushja e borxhit është një e keqe e madhe, pra është mëkat. Madje, nuk është një mëkat që mbaron vetëm për një ditë. Jo, ky akumulohet për çdo ditë. Tani të pyes, ç’ka mendon nëse dikush të ka borxh dhe atë nuk ta kthen, ç’farë do të mendoje për të? Padyshim se do ta konsideroje si një njeri të papërgjegjshëm dhe shumë të keq, sepse ai që nuk brengoset për borxhin e vet, ai nuk ka kufizim në të këqiat e tij. Ani, për çfarë borxhi mund të bëhet fjalë, për një borxh njerëzor, që megjithatë nuk ka ndonjë vlerë ku ta di se çfarë? Po, borxhi ndaj Allahut, a e di ti se ç’farë vlere ka? Ai është vetë jeta jonë. Të gjitha të mirat që ne i kemi dhe që i shfrytëzojmë në tokë e në qiell, janë në njëfarë mënyrë (moralisht) borxh te Allahu. Por, Allahu nuk është borxhdhënës me shpagim, sepse vlera e dhuntive të Tij, nuk mund të kompenzohet dot. Largë kësaj, Ai është Dhurues i Madh. Edhe pse na ka ‘huazuar’ gjithë këto të mira, pa caktim dhe pa kufizim, nuk kërkon që t’ia kthejmë borxhin, sepse kjo është e pamundur, por kërkon që vetëm t’ia dimë shyqyrin (nderë) atij borxhi duke e falënderuar për to. Duke e falënderuar në atë mënyrë që për çdo ditë dhe saherë që na kujtohen mirësitë e Tij, e ato na shoqërojnë në çdo moment, t’i themi vetvetes: sa jam në rrugë të Allahut, sa i përfilli kërkesat e Tij? Atëherë, nëse këtë nuk e bëjmë, dhe nëse nuk i respektojmë kërkesat (urdhërat) e Tij për ato që Ai ka kërkuar nga ne, a nuk është një mëkat!? A nuk është kjo pikë e zezë në zemrën e njeriut!? Pa dyshim se po. Sa për përkujtim, Pejgamberi a.s. ka thënë “kur njeriu e bën një mëkat (të keqe), në zemrën e tij i vëhet një pikë e zezë, nëse nuk pendohet për të, ajo rritet gjersa t’ia mbulojë zemrën tërësisht”. Kjo pikë e zezë e mbulon dhe e mbyll të tërën, dhe kjo pikë është ajo për të cilën Allahu i Madhëruar në Kur’an thotë:”…Por, të këqijat që i punuan, zemrat e tyre ua mbuluan (ua kanë nxirë)” (83:14). Fjala e Allahut dhe thënia e Pejgamberit a.s. janë hak, pa kurrfarë dyshimi në to. Tani të pyes, a thua, sa pika të zeza i ke në zemrën tënde. Unë dua të besoj se, me këtë nivel të papërgjegjshmërisë ndaj urdhëresave dhe ndalesave të Allahut, nuk bëhet fjalë më për pika, por a thua ka mbetur vend i pa nxirë në zemër? Këtë nuk po e them për të ofenduar e as me të zhgënjyer, por, përkundrazi, për t’i treguar ndërgjegjes sate se, zemrën nuk e ke të pastër. Për t’i thënë edhe njëherë se ke përgjegjësi për pastrimin e saj dhe nuk ke aspak lluks për t’u krenuar për gjoja zemër të pastër. Ani, kjo që po ta them, është vetëm për një aspekt që e nxinë zemrën, pra, vetëm për obligimet (borxhet) ndaj Allahut, po ku janë edhe shumë të tjera. Ku janë obligimet ndërnjerëzore, obligimet ndaj familjes, obligimet ndaj vetvetes, që jam më se i sigurtë se nuk i ke në nivel të kënaqshëm, pa marrë parasysh se mund të krenohesh për rregullsinë e tyre. Këtë e them, sepse nëse nuk e njeh fenë e Allahut, nuk di se si t’i zbaton këto obligime, për të cilat je përgjegjës. Thjesht, nuk di si të sillesh me vetveten. Të kam thënë edhe herën e kaluar se, edhe për vetveten tonë kemi përgjegjësi. Nuk mund të sillemi si të dëshirojmë, por si duhet, sepse vetja jonë, ndonëse është nën menagjimin tonë për gjatë jetës në këtë botë, ajo nuk është e jona, për arsye se ne nuk e kemi krijuar e që mos të kemi përgjegjësi për dëmtimin e saj. Për gjithçka kemi përgjegjësi: për kohën si e shpenzojmë dhe ku e kalojmë, si e kemi kaluar rininë tonë, e cila është gurthemeli për formimin e drejtë të personalitetit të individit; ushqimin, prej nga e fitojmë, a e fitojmë në mënyrë të lejueshme apo jo? Pastaj, a ushqehemi me ushqim hallall, dhe shumë të tjera. Me një fjalë, për gjithë jetën tonë në përgjithësi, për jetën private dhe publike, derisa edhe për mendimet tona kemi përgjegjësi. Edhe këto ndër shumë të tjera, janë që lënë pika të zeza në zemrën e njeriut, nëse nuk zbatohen sipas asaj që Allahu na ka mësuar. |