|
Dr. Pajazit Nushi
E shënojmë përvjetorin e njëqindenjëzetenëntë të organizatës së parë politike shqiptare – të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit -, e cila u vu në krye të lëvizjes kombëtare të popullit shqiptar në gjysmën e dytë të shekullit nëntëmbëdhjetë. Kjo organizatë, siç është e njohur, luftoi për çlirimin e vendit të shqiptarëve nga robëria osmane duke mbrojtur tërësinë e atdheut të ndarë në vilajete të cenuara nga gllabërimi i tokave të tij nga fqinjët duke synuar formimin e shtetit kombëtar të shqiptarëve. Pika e përbashkët ku ishin konvergjuar përpjekjet e lëvizjes kombëtare të shqiptarëve në vitet 70 –ta të shekullit nëntëmbëdhjetë të udhëhequra nga organizata e Lidhjes Shqiptare e Prizrenit ishte: lufta për të drejtat e kombit shqiptar për shtet të vet, për pavarësi politike dhe për emancipim kulturor të tij. Përpjekja dhe lufta e këtillë e LSHP, pavarësisht nga shuarja me dhunë e saj pas katër vitesh, ishte përcaktuesi kryesor i vetëdijes së formuar kombëtare të shqiptarëve, që nxiti dhe drejtoi aktivitetin e tyre në liri, pavarësi dhe sovranitet në kushte dhe raporte të ndërlikuara dhe të kompozuara në variante të shumëllojshme politike, ushtarake dhe ekonomiko-sociale gjatë dekadave të fundit të shekullit nëntëmbëdhjetë dhe të atyre të shekullit njëzet. Në rrjedhë të një kompozimi modalitetesh të ndryshme të formacioneve organizuese politike, juridike e shtetërore të popujve të Evropës shqiptarët arritën pas tridhjetekatër vjetësh të organizimit të LSHP të formojnë shtetin e tyre vetëm për rreth gjysmën e popullsisë shqiptare dhe të tokave të tyre, kurse pjesa tjetër e tokave të banuara kryesisht me shqiptar u bë rrip toke kufizuese e shtetit të cunguar shqiptar. Më tepër se një e treta e të gjithë shqiptarëve janë të përqendruar vetëm përgjatë kufirit verior dhe lindor të shtetit të Shqipërisë. Ky vështrim është lidhje faktesh të hedhura aty-këtu në horizontin e njëmendët të vërtetësisë së tyre. Vetëdija kombëtare e shqiptarëve dhe zhvillimet politike Vetëdija kombëtare është një kategori psikologjike, e cila i bën shqiptarët subjekt politik të vetvetes Vetëdija e këtillë në gjuhën juridike më shpesh përmendet si formë e shprehur me vullnetin e popullit. Përcaktimi i popullit shumicë të Kosovës me vullnet të tij që të jetojë në pavarësi nga të tjerët në territorin e vet është forma e qartë e manifestimit të vetëdijes së tij. Vetëdija e këtillë prore është produkt i zhvillimeve ndërkombëtare dhe i ndikimit të tyre në shqiptarët, sidomos në ata të Kosovës, që e bën të pjesshme realizimin e drejtimit të vetëdijes kombëtare. Megjithëkëtë, ky është realitet politik, social dhe psikologjik, që u krijua në rrethana të reja politike dhe historike. Madje, edhe zhvillimi shumëvjeçar i Kosovës pas rrymimeve të shumta dhe të llojllojshme politike, ekonomike, sociale e ushtarake prej vitit 1878 të LSHP deri më sot ka shpuar deri në formimin e individualitetit gjeografik, demografik, historik, sociologjik dhe politik të veçantë, por të pashkëputur nga tërësia e kombit shqiptar dhe e integruar etnikisht dhe shpirtërisht me horizontin e botës shqiptare. Individualizimi territorial, historik, gjeografik, social e politik i Kosovës në kuadrin e kombit shqiptar reflektohet edhe në vetëdijen e shqiptarëve të Kosovës dhe të të tjerëve që jetojnë në Kosovë. Por, edhe përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare duhet të vetëdijesohen se njohja e vullnetit të popullit shqiptar të Kosovës si formë konkrete e emancipimit të ardhmërisë së Kosovës buron nga tërësia e vetëdijes së viteve shumë më të hershme. Çështja Shqiptare e pazgjidhur hyri në shekullin njëzetenjë Lëvizja Kombëtare e Shqiptarëve ka synuar dhe tash synon zgjidhjen e çështjes shqiptare. Por, kjo lëvizje këtë nuk ka arritur ta zgjidhë. Rrethanat politike të brendshme, në radhë të parë, por edhe ato ndërkombëtare, sidomos raporti kurrë i balancuar ndërmjet tyre për zgjidhjen e çështjes shqiptare ka shkaktuar zvarritje të gjatë të kësaj çështjeje duke e vënë këtë në shekullin njëzetenjë pa projekt të zgjidhjes së saj. E hapur që nga viti 1913, por me rrënjë të mëhershme, çështja shqiptare u përmend rrëshqitazi dhe pasukses në mbarim të Luftës I Botërore, e njëjta nuk arriti të hyjë në dosje të problemeve të pazgjidhura nga Lufta II Botërore, u përmend rrallë prej vitit 1945 deri rreth viteve 80 – ta të shekullit të kaluar. Përfaqsuesit e shqiptarëve nuk arritën t`i përcjellnin në Paris jo vetëm marrëveshjen e thyer të Konferencës së Mukjes, por as vullnetin e popullit të Kosovës, të shprehur në Rezolutën e Bujanit, sipas së cilës populli i Kosovës dëshiron bashkimin me Shqipërinë. M[e rendin e krijuar të shteve pas përfundimit të Luftës II Botërore këtë çështje, përkatësisht çështjen shqiptare e “la të heshtur kapaku i hekurt i ideologjisë komuniste”. Po ky kapak i hekurt nuk e la të përmendet edhe Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. E pabesueshme, por i vërtetë është fakti se shqiptarët e viseve jashtë shtetit shqiptar janë dënuar rreptësishtë kur kanë përmendur Lidhjen e Prizrenit, por edhe më e çuditshme është e dhëna se “Zëri i Populli” i Tiranës e ka përmendur Lidhjen e Prizrenit me rastin e shënimit të dyzetepesë vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë! Problemi Kombëtar u përmend nga Enver Hoxha në sesionin e 3 të Kuvendit Popullor të Shqipërisë vetëm në fillim të marsit të vitit 1959. Por, edhe më vonë Lidha e Prizrenit dhe çështja kombëtare janë dy nocionet themelore të historisë kombëtare që më së paku janë përpunuar shkencërisht dhe më së paku janë përmendur edhe në shtypin e ditës. U shënua përvjetori i tetëdhjetë i Lidhjes së Prizrenit në Shqipëri dhe shtypi i atëhershëm i dha publicitet të kufizuar kësaj ngjarjeje të rëndësishme; shënimi i nëntëdhjetë vjetorit të saj ishte më i fuqishëm dhe ushtroi ndikim edhe në rininë shqiptare të Kosovës, e cila u ngritë në demonstratë duke kërkuar status politik të përshtatshëm të Kosovës, përkatësisht duke kërkuar të drejtën e vetëvendosjes dhe status të republikës për Kosovën. Kjo ngjau pikërisht atëherë, kur Shqipëria braktisi Paktin e Varshavës. Në këto demonstrata nuk kanë munguar as thirrje për bashkim të Kosovës me Shqipërinë, që ishte hap i rëndësishëm për zgjidhjen e çështjes shqiptare. Në atë vit përfunduan edhe amendamentet kushtetuese , zbatimi i të cilave nxitit disa ndryshime kushtetuese në vitin 1971, kurse më 1974 këto ndryshime kulmuan me Kushtetutën e parë të Kosovës. Ngel të studiohen më thellësisht faktorët politiko-social dhe ekonomiko-ushtarak të shqiptarëve, Shqipërisë dhe të fqinjëve, sikurse edhe raportet ndërmjet shteteve juglindore të asaj kohe. Njëqindvjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u shënua me madhështinë që e meritonte si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, por edhe në diasporën shqiptare duke hapur perden e mbuluar të çështjes shqiptare. Jehona e shënimit të përvjetorit të njëqind të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe botimi i punimeve të Konferencës shkencore të mbajtur në Tiranë dhe në Prishtinë, sikurse edhe botimi i librave dokumentues të përpjekjeve dhe luftërave të Shqiptarëve për zgjidhje të çështjes kombëtare ushtroi ndikim të fuqishëm në rininë shqiptare të asaj kohe, sidomos në rininë e Kosovës, e cila pas tri vitesh u ngrit në demonstrata të fuqishme për Kosovën Republikë. Shteti – parti i Shqipërisë moniste në kërkim të qëndrimit ndaj Kosovës Për zgjidhjen e çështjes kombëtare Lëvizja Antifashiste Nacional Clirimtare e Kosovës u përcaktua për kushtet dhe mundësitë e zgjidhjes së saj në Konferencën e Parë Themeluese të Këshillit Nacional Clirimtar për Kosovë dhe Rrafshë të Dugagjinit, ku u mor vendimi rezolutiv, sipas të cilit Kosova, si rezultat i kësaj lufte, do t`i bashkohej Shqipërisë. Mirëpo, kjo nuk ndodhi pas përfundimit të Luftës, ku morën pjesë mbi 50 000 luftëtar nga Kosova. Në korrikun e vitit 1945 në Prizrenin e Lidhjes Shqiptare gjoja se u shpreh vullneti i popullit të Kosovës për bashkim me Serbinë Federale. Me këtë qëndrim fryma e programit të Lidhjes së Prizrenit u thye rëndë, pikërisht siç ndodhi në kohën e Jasterbovit në Prizren para më shumë se një gjysmë shekulli. Udhëheqsia e Shqipërisë u vu në pozicion të përcaktimit të qëndrimit politik të saj për Kosovën. Por, për interesimin e saj mori përgjigje: “Le t`i përvjel populli i Shqipërisë duart për zhvillim të socializmit dhe të mos qaj kokën për Kosovën...”. Në Konferencën e paqes në Paris delegacioni i Shqipërisë i hodhi poshtë synimet greke, por nuk arriti ta hapte çështjen shqiptare, ku Kosova kishte qëndrimet e veta. Fryma çlirimtare e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ka nxitë dhe drejtuar lëvizjen kombëtare të shqiptarëve dhe aktivitetet politike të shqiptarëve të të gjitha trojeve të tyre. Mbi bazën e kërkesave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit zhvilloi angazhimet dhe aktivitetin e vet Lidhja e Pejës, Lëvizja e kaçakëve, Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, rreshtimet në Frontin Antifashist Nacional Clirimtar, rreshtimet politike kolaboracioniste të shqiptarëve gjatë Luftës II Botërore, rreshtimi i nacionalistëve shqiptar në organizatën e Ballit Kombëtar, Lidhja e Dytë e Prizrenit, sistemi pluralist i partive politike në Kosovë dhe në Shqipëri duke arritur që Kosova vetëm pas 129 vjetëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të bëhet qendër e angazhimit të shqiptarëve të të gjitha trevave dhe të atyre të diasporës, sikurse edhe e forcave demokratike ndërkombëtare. Me pavarësimin e Kosovës po bëhet një hap i rëndësishëm i zgjidhjes së çështjes kombëtare, që hapë horizonte të reja të zgjidhjes së tërësishme të saj. Por, përse kaq vonë, me kaq shumë bredhje e lajthitje dhe me sakrifica të pashoqe, por të njohura pak në komunitetin ndërkombëtar? http://www.gazetatema.net/index.php?gjuha=0&category=0&id=497 |