Le të jetë nga ju një grup që thërret në atë që është e dobishme,
urdhëron për punë të mbara dhe ndalon nga e
keqja
|
|
Kastriot MYFTARAJ
Pas rebelimit islamik të vitit 1914 qëndronin Fuqitë e
Mëdha europiane dhe Serbia e Greqia
Ironia është se edhe rebelimin islamik që filloi në maj të vitit 1914 në Shqipëri e nxitën vetë Fuqitë e Mëdha për interesat e veta pragmatike. Në fillim pas rebelimit qendronte në rradhë të parë Italia. Sekretari personal i Princit von Wied, kapiteni britanik D. Heaton-Armstrong, një njeri pa implikime në zhvillimet shqiptare, shkruan në librin e vet me kujtime “Gjashtë muaj mbretëri, Shqipëri 1914”: “Ishte fare e qartë se gjatë këtyre ditëve rebelët kishin të shkëlqyera me italianët”. (D. Heaton-Armstrong: “Gjashtë muaj mbretëri, Shqipëri 1914”, Instituti Shqiptar për Studimet Ndërkombëtare, Tirane 2001, f. 70.)
Italia e kishte mbështetur në Konferencën e Londrës krijimin e një shteti shqiptar, kufijtë jugorë të së cilit do të arrinin deri në bregdetin përballë Korfuzit, me synimin e qartë që të kishte një zonë-tampon midis kufirit grek dhe anës lindore të Kanalit të Otrantos, që Italia e shihte si pikë-kyç për depërtimin e saj në Ballkan. Tash që, me nënshkrimin e Protokollit të Korfuzit, po dukej qartë se Greqia pati bërë hapin e parë për aneksimin e territoreve të gjera në Jug të Shqipërisë, ndërsa regjimi i Princit von Ëied në pjesën shihej si pro Austro-Hungarisë , Italisë nuk i interesonte më që të mbronte integritetin e shtetit të ri shqiptar, por donte që të siguronte për vete kontrollin mbi pjesën qendrore të Shqipërisë, duke përfshirë edhe Vlorën. Ky do të ishte dhe ajo çka kërkoi dhe siguroi Italia me marrëveshjen e Londrës të vitit 1915, që u fiksua në termat e famëkeqit Traktat i Londrës.
Prandaj Italia e mbështeti rebelimin islamik në vitin 1914, një politikë kjo në të cilën Roma qe në një linjë me Athinën dhe Beogradin. Rebelimin islamik e mbështetën natyrisht dhe Serbia dhe Greqia, të cilat donin ta shpërbënin shtetin shqiptar, të cilin e shikonin si të shpikur dhe të kontrolluar nga Austro-Hungaria, për të penguar zgjerimin e tyre në këto territore. Tashmë kishte një kordinim midis Italisë, Greqisë dhe Serbisë për të rrëzuar Princin von Ëied dhe për ta futur Shqipërinë në kaos, që të mund ta ndanin midis tyre territorin e këtij shteti, çka u formalizua me Traktatin e Londrës një vit më pas.
Që rebelët ishin, në mos nën urdhrat, së paku aleatë të Italisë, kjo u kuptua nga fakti se kur Esad Pashë Toptani, u kthye nga Italia, nëpërmjet Serbisë, në shtator 1914, rebelët që atëhere kishin marrë Durrësin, ia dorëzuan pushtetin pa asnjë kundërshtim. Esad Pashë Toptani, kur filloi rebelimi në maj 1914, ishte akuzuar nga qeveria e Princit von Ëied sikur qëndronte pas rebelëve dhe ishte duke rrezikuar që të dilte para gjyqit ushtarak, kur shpëtoi duke qenë se u mor nën mbrojtjen e italianëve, të cilët e çuan në Itali, ku e pritën me nderime zyrtare, si një kryetar shteti.
E implikuar në rebelim ishte dhe Serbia. D. Heaton-Armstrong shkruan në kujtimet e veta: «Kur Austria i deklaroi luftë Serbisë, ne mësuam se rreth njëzet oficerë serbë që kishin luftuar kundër nesh, u kthyen në vendin e tyre».(D. Heaton-Armstrong: “Gjashtë muaj mbretëri, Shqipëri 1914”, Instituti Shqiptar për Studimet Ndërkombëtare, Tirane 2001, f. 105.)
Në nëntor 1914, kur tashmë pati filluar Lufta e Parë Botërore, fuqitë e Boshtit dhe në rradhë të parë Austro-Hungaria, duke parë se Esad Pashë Toptani që kishte marrë nën kontroll Shqipërinë qendrore, ishte njeriu i Antantës, vendosën që edhe me ndihmën e Turqisë, që në fillim të nëntorit kishte hyrë në luftë, në anën e Boshtit, të nxisnin një rebelim brenda rebelimit në Shqipëri, në mënyrë që të largonin nga pushteti Esad Pashë Toptanin, që e pati kthyer Shqipërinë në një bazë të Antantës. Ky është rebelimi i dytë islamik, që filloi në nëntor 1914, nën udhëheqjen e Qamil Xhametës, i njohur si Haxhi Qamili, ose Haxhi Baba. Ky rebelim i dytë, si aspektin më të spikatur kishte luftën kundër feudalëve, bejlerëve dhe pashëve, të cilëve u digjeshin sarajet dhe u konfiskohej pasuria, drithi, bagtitë, tokat, për t’ ua ndarë fshatarëve.
Pushteti i Esad Pashë Toptanit u shpërbë po aq shpejt sa ai i Princit von Ëied dhe pak ditë pas fillimit të kryengritjes, Esad Pasha e pa veten të rrethuar në Durrës, njëlloj si princi gjerman disa muaj më parë. Pra, ishin përsëri Fuqitë e Mëdha europiane ato që qendronin pas rebelimit të dytë islamik në Shqipëri.
Në këto rrethana, Serbia, e cila po e përballonte gjithherë e më me vështirësi luftën me Austro-Hungarinë dhe kërkonte të siguronte rrugën e tërheqjes nëpërmjet territorit shqiptar, në portet e Adriatikut, e perceptoi si rrezik regjimin islamik që ishte krijuar në pjesën qendrore të Shqipërisë dhe e invadoi Shqipërinë ushtarakisht, duke e përmbysur regjimin e Haxhi Qamilit dhe duke e çliruar Esad Pashën nga ngujimi në Durrës. Esad Pasha, pasi e rimori kontrollin mbi Shqipërinë Qendrore, u tregua një aleat i vlefshëm për Serbinë, duke siguruar kalimin e ushtrisë serbe, gjatë tërheqjes së kësaj të fundit nëpërmjet porteve shqiptare të Adriatikut, pasi qendresa serbe u thye nga sulmet e ushtrive të Boshtit në fillim të vitit 1916. Çështja e rebelimit islamik në Shqipëri, në vitet 1914-1915 mbetet ende e gjitha për t’ u sqaruar nga historiografia shqiptare. Rebelimi erdhi vetëm dy vjet pasi banorët e Shqipërisë së Mesme, që përbënin inicuesit e tij, dhanë prova vetëdijeje nacionale shqiptare. Banorët e Shqipërisë së Mesme, gjatë kryengritjes së përgjithshme shqiptare të vitit 1912, u ngritën masivisht me armë në dorë kundër Turqisë, madje edhe duke çliruar qytete. Në fund të nëntorit 1912, flamuri shqiptar u ngrit në qytetet e Shqipërisë së Mesme, në ditët para se ta ngrinte Ismail Qemali në Vlorë. Ku ishin në 26 nëntor 1912 këta njerëz që dy vjet më vonë do të bërtisnin «Dum Babën», duke ngritur flamurin turk? Pse nuk e ulën flamurin shqiptar në nëntor 1912? Atë flamur e ulën vetëm serbët, kur ushtria serbe e okupoi Tiranën, pak ditë më vonë. Në lëvizjen islamike mori pjesë vetëm një pjesë e vogël e popullsisë dhe ajo arriti që të dominonte sipas rregullit të njohur të historisë, që minoranca aktive dominon mbi shumësinë e popullsisë, duke i imponuar asaj vullnetin e vet.
Rebelët islamikë, të cilët kërkonin restaurimin osman në Shqipëri, duke kërkuar që të pranohej zyrtarisht flamuri turk, alfabeti arab për shqipen dhe vënia e një princi turk në krye të shtetit shqiptar, në fakt ishin një minorancë e vogël, por ata arritën që të dominojnë sipas ligjit historik që minorancat aktive arrijnë të dominojnë me dhunë mbi mazhorancat pasive. Sa ishte numri i «ushtrisë» së rebelëve islamikë që në vitet 1914-1915 mori nën kontroll Shqipërinë nga Vlora në Mat? D. Heaton Armstrong shkruan në kujtimet e veta: «Ne nuk e mësuam kurrë sa ishte numri i rebelëve me të cilët luftonim, megjithëse përllogaritet të kenë qenë rreth pesëmbëdhjetë mijë njerëz nën armë gjatë korrikut dhe gushtit. Kur ata sulmuan Durrësin në qershor mendohet të kenë qenë rreth pesë mijë njerëz përreth qytetit, por mendimi im personal është se shifrat e dhëna janë shumë të ekzagjeruara» . (D. Heaton-Armstrong: “Gjashtë muaj mbretëri, Shqipëri 1914”, Instituti Shqiptar për Studimet Ndërkombëtare, Tirane 2001, f. 105.)
Sipas të dhënave të diplomacisë franceze të pranishme në Shqipëri, rebelët, të cilët pretendonin se kishin rreth 31 mijë vetë të armatosur, në të vërtetë kishin jo më shumë se 10 mijë. (Archiv du Ministere des Affaires Entrangeres, Balkans, Albanie, Vol. 18, Etablissement de l’Indipendance, Durrës 23. 7. 1914, f 151-152,)
Është domethënëse se në këngët për Haxhi Qamilin, populli i Shqipërisë së Mesme nuk e lavdëron atë si prijës fetar, por për luftën kundër feudalëve, bejlerëve dhe pashëve, të cilët fshatarët e kësaj zone donin që t’ i hiqnin qafe pas largimit të Turqisë. Ata që e kanë paraqitur rebelimin e vitit 1914 si një lëvizje thjesht fetare islamike, nuk kanë arritur dot të përmendin asnjë këngë të vetme popullore të kohës, ku Haxhi Qamili të lavdërohet si prijës fetar. Kjo tregon se një pjesë e madhe e fshatarëve të Shqipërisë së Mesme iu bashkuan lëvizjes për motive antifeudale dhe jo për motive fetare. Në këtë kohë, numri i kryengritësve duhet të jetë rritur, për shkak se lëvizjet antifeudale e patën entuziazmuar gjithherë fshatarësinë.
Në një këngë të Shqipërisë së Mesme për kryengritjen e Haxhi Qamilit thuhet:
«Mal më mal këndon bilbili:
Rroft’ e qoft’ Haxhi Qamili!
Krisi pushka në Shkozet,
gëjdon Vidi se u ba qamet.
Ymer beu, mësteqehollë,
shkon hendekut mu si bollë.
-Refik bej, ç’ i bane shokët?
-Në Shkozet m’ kanë met’ si lopët.
-Avdi bej, të qaftë nana,
Ku m’ i le kullat me xhama»
(“Epika historike”, Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i Kulturës Popullore, “8 nëntori”, Tiranë, 1990, vol. III, f. 200)
Në një këngë tjetër të Shqipërisë së Mesme për këtë kryengritje thuhet:
«Nga Shijaku, në Shkozet,
Bahet luftë, bahet qamet
-Ç’ ke mre bej, pse ik si ujk?
Ti ke pushk’ ne kena sfurk!
Haxhi Baba, trim i rrallë,
Ka xhveshë xhokën, lufton në ballë,
Ngriti n’ kam-o vegjëlinë.
Dum tok’ dum lirinë.
Haxhi Baba me katunarë,
s’ duron pash’ e agallarë,
Nga Shkozeti në Tiranë,
Ç’ u derdh gjaku nji pullamë.
-Bini burra t’ marrim hak,
gjith’ bejlerët t’ i lajmë në gjak»
(“Epika historike”, Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti
i Kulturës Popullore, “8 nëntori”, Tiranë, 1990, vol. III,
f. 213)
Në një tjetër këngë nga Çermenika, thuhet:
«Haxhi Qamili çon selam:
-Gjith’ Çermenika t’ ngrihet n’ kamë!
Do ta prishim Elbasanë
Asni bej nuk do ta lamë».
(“Epika historike”, Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i Kulturës Popullore, “8 nëntori”, Tiranë, 1990, vol. III, f. 212.)
Një nga aspektet e rreme të mitit historik për rebelimin islamik të vitit 1914, është ai sikur kjo lëvizje i përket ekskluzivisht Shqipërisë së Mesme. Në fakt kjo nuk është e vërtetë. Rebelimi islamik, që në qershor të vitit 1914, pra vetëm pak javë pas fillimit, u shtri edhe në jug të Shkumbinit, deri në Vlorë, Berat dhe në periferi të Korçës dhe sigurisht që do të ishte shtrirë edhe më në jug tek popullsitë muslimane, sikur pjesa tjetër e Jugut të Shqipërisë, mos të mbahej e okupuar nga grekët, dhe në veri sikur mos të qe penguar nga administrata ndërkombëtare e qytetit të Shkodrës dhe nga ushtria serbe që pati zënë një pjesë të Dibrës. Në fund të korrikut 1914, vetëm disa javë pas fillimit të kryengritjes, rebelët kontrollonin territorin e vendit që shkonte nga Grykëderdhja e Vjosës deri në Lumin Mat dhe nga Ura e Maliqit, disa kilometra larg qytetit të Korçës, deri në Çermenikë, në veri të së cilës qe ushtria serbe që pati zenë një pjesë të Dibrës. Sigurisht që zgjerimi i kryengritjes në jug të Shkumbinit, nuk u bë vetëm me forcat kryengritëse të Shqipërisë së Mesme, por kryesisht me forcat vendase, të dala nga popullsia muslimane vendase, ato myzeqare, beratase, vlonjate, mallakastrite, korçare, pogradecare, gramshiote, skraparase. Nuk ka asnjë të dhënë për një rezistencë serioze kundër kryengritësve në zonat në jug të Shkumbinit. Kryengritësit hynë pa luftë dhe vetëm në mënyrë simbolike, në qytetet në jug të Shkumbinit, më tepër për të konfirmuar bashkimin e tyre me Ehlikamin, siç quhej regjimi i kryengritjes. Prandaj, edhe zonat në jug të Shkumbinit, nuk mund të dalin të pastra nga kjo histori, duke ia atribuar lëvizjen islamike Shqipërisë së Mesme.
Mësimi me vlerë tejhistorike që doli nga viti 1914 dhe që është me vlerë edhe për kohën e sotme është se Europa nuk e do Shqipërinë dhe se e ka trajtuar atë që kur u krijua si shtet në mënyrën më cinike. Vetëm një vit pasi i dhanë Shqipërisë së lirë një Kushtetutë cinike osmane, fuqitë europiane, në 1915, me Traktatin e Londrës e coptuan Shqipërinë dhe të njëjtën gjë bënë edhe në Versajë, në 1920, gjë që do ta kishin realizuar sikur mos të kishte ndërhyrë Presidenti amerikan Ëilson. E njëjta gjë u përsërit në vitet ’90 të shekullit të kaluar nga fuqitë europiane. Mësimi që doli nga rebelimi islamik qe se, kur në Shqipëri triumfon një lëvizje islamike, vendi invadohet nga serbët. Rebelimi i Haxhi Qamilit sot është kthyer në një mit dhe expedient të politikës bashkëkohore shqiptare, që përdoret kryesisht nga politikanët dhe intelektualët e fesë ortodokse në Shqipëri për ta trembur Perëndimin dhe për ta bërë që të kufizojë akcesin në pushtet të shqiptarëve me origjinë muslimane, nga droja se mos ata instalojnë një regjim islamik në Shqipëri. Ky është vetëm aspekti propagandistic i çështjes. Aspekti tjetër, edhe më serioz, është se përdorimi i parreshtur i mitit të Haxhi Qamilit fsheh qëllimet e kancelarive fqinje dhe ndonjë kancelarie europiane, për të nxitur përsëritjen e rebelimit të vitit 1914 në Shqipëri, aq më tepër në kohën e sotme kur është në rend të ditës të diplomacisë ndërkombëtare çështja e Kosovës. A do të kishte gjë që do ta kompromentonte më rëndë çështjen shqiptare në tërësi se sa një rebelim islamik në Shqipëri? Kjo do ta vështirësonte shumë edhe pozitën e SHBA-ve në dobi të çështjes shqiptare. Gjithashtu, do t’ u jepte mundësinë Greqisë dhe Serbisë të pretendonin për të futur ushtritë e tyre në Shqipëri, për t’ u mbrojtur nga terrorizmi islamik, episode të së cilit nuk do të vononin që t’ i inskenonin në qytetet e tyre duke ua atribuar shqiptarëve, për t’ i përdorur si pretekst për ndërhyrje.
Por, a ekziston vërtet rreziku që në Shqipëri të përsëritet një rebelim islamik si ai i vitit 1914-1915? Një lëvizje masive islamike në Shqipëri është e pamundur për shkak se shqiptarët me origjinë muslimane nga koha osmane, paraardhësit e tyre u kthyen me forcë në këtë fe, në shumësinë e tyre nuk janë besimtarë muslimanë dhe aq më pak praktikantë, pasi duke qenë sot praktikisht njerëz afetarë. Por, precedenti i vitit 1914, na tregon se një rebelim i armatosur islamik mund të organizohet me sukses nga një minorancë aktive, e mbështetur nga fuqitë e huaja, edhe perëndimore dhe ato fqinje, dashakeqe ndaj Shqipërisë. Për këtë gjë do të qe e mjaftueshme dhe minoranca e besimtarëve muslimanë praktikantë që ekzistojnë sot në Shqipëri, ndoshta të mbështetur dhe me moxhahidinë nga bota islamike, që do të kalojnë nëpërmjet Greqisë dhe Serbisë, që në këtë rast do të bëjnë «paktin me djallin» për interesat e veta pragmatike. Në 1914 pjesëm më të madhe të Shqipërisë e morën nën kontroll 5-10 mijë njerëz të armatosur, të cilët më pas u shtuan, pasi në vende si Shqipëria njerëzit ndjekin pas atë që triumfon. Dyfishi i këtyre njerëzve sot, në rast se janë shumë aktivë dhe të dhunshëm, do të qe i pranueshëm për të përsëritur rebelimin e vitit 1914 në Shqipëri.
Numri i besimtarëve islamikë praktikantë në Shqipëri del e tepron për të qenë kontigjent i një lëvizjeje të tillë. Sot në Shqipëri ka me mijëra të rinj që gjatë këtyre 15 viteve janë shkolluar në shtetet e botës islamike. Ata mund të shërbejnë si propagandistë të aftë për të mobilizuar 20-25 mijë besimtarë praktikantë të moshës së re dhe të mesme, numër që mund të rritet edhe me pjesëmarrjen e femrave. Ashtu siç ka ndodhur me rebelët kurdët të Turqisë që ndihmohen nga Greqia dhe me palestinezët, që ndihmohen nga Rusia, nuk është çudi që kjo lëvizje në Shqipëri të ndihmohet me fonde të mëdha financiare dhe me armë nga Greqia, Serbia, Rusia, Franca, e nëpërmjet Greqisë edhe nga vendet islamike.
Serbia dhe Greqia do të përfitonin nga kjo lëvizje për të realizuar synimin e tyre, për të pastruar etnikisht hapësirën shqiptare në dy anët e kufirit dhe për ta ndarë dhe aneksuar atë. Për ta hapësira shqiptare, në dy anët e kufirit, është duke u shndërruar në një bastion të fundamentalizmit dhe terrorizmit islamik. Këto nacionet fqinje kristiane ortodokse kërkojnë ta bëjnë këtë ide bazë të strategjisë së tyre për të zhdukur përfundimisht ishullin islamik që la pas Perandoria Osmane dhe që përbëhet kryesisht nga trojet shqiptare, sipas po së njëjtës strategji që po përdorin rusët në Çeçeni. Projekti i fqinjëve për trojet shqiptare është çeçenizimi dhe dëbimi i muslimanëve shqiptarë dhe bosnjakë në vende të tjera, pas të gjitha gjasave, në Turqi.
http://www.sot. com.al/index. php?option= content&task= view&id=31790& lang=
Monday, 11 September 2006 |