GRATË NË NJË SHOQËRI KUR’ANORE

LUIZ LAMIA EL-FARUKU[1]





GRATË NË NJË SHOQËRI KUR’ANORE[2]





Tema e këtij punimi u zgjodh, prej bindjes, se njerëzimi është duke vuajtur sot, prej një numri serioz problemesh sociale, lidhur me gratë dhe marrëdhëniet e ndërsjella të dy gjinive në shoqëri. Megjithëse, këto probleme, mund të jenë më tepër të theksuara, më tepër shqetësuese, më tepër ligështuese, për disa prej nesh, se sa për të tjerët, ekziston, ndoshta një numër i vogël rajonesh të botës bashkëkohore, qytetarët e të cilëve, nuk i ndiejnë, në të njëjtën mënyrë, pasojat e këtyre problemeve. Si rrjedhim, ekziston një nevojë e ngutshme, për shqyrtimin e zgjidhjeve të mundshme. Në studimin e paraqitur, problemi i grave, është lidhur me Kur’anin dhe atë, çfarë unë e kam quajtur “ shoqëri kur’anore”, prej bindjes së fortë, se Kur’ani ofron drejtimin më të qëndrueshëm, për reformat sociale bashkëkohore, që mund të gjenden në ndonjë model apo në ndonjë literaturë tjetër.

Shumë prej jush, ndofta, janë hutuar prej titullit të këtij shkrimi – “Gratë në një shoqëri kur’anore”. Ju ndofta keni pyetur veten: Pse ajo nuk tha “Gratë në një shoqëri muslimane” apo “Gratë në një shoqëri islame”? Më lejoni të shpjegoj, se përse, shprehjet”muslimane” dhe “islame”, nuk u përdorën në këtë shkrim dhe se përdorimi i emërimit, thuajse i pazakonshëm, “shoqëri kur’anore”, është i justifikuar.

Ekzistojnë, të paktën, tre arsye për zgjedhjen time të këtij titulli. E para e këtyre, buron prej shqetësimit se, shumë mendime dhe praktika janë etiketuar “muslimane” apo “islame”, pa i justifikuar këto emra. Gjenden afërsisht 40 shtete të botës, të cilat pohojnë të kenë shumicën e popullsisë muslimane dhe, si pasojë, të jenë shembuj të shoqërive “muslimane”. Kjo, natyrisht, ka shkaktuar, si përfundim, një konfuzion të madh, pasi shtrohet pyetja: Cili, prej këtyre vendeve, përfaqson më së shumti, besnikërisht, shoqërinë e vërtetë islame? Midis muslimanëve që pyeten, përgjigja më e shpeshtë është pretendimi, se shoqëria e vetë atyre, kombëtare apo rajonale, është më e vërteta ndaj porosive të All-llahut xh.sh.

Jomuslimanët, në anën tjetër, dhe veçanërisht antropologët perëmdimorë, të cilët udhëtojnë rreth e qark botës, për të gjurmuar traditat e popujve, priren për të trajtuar secilin ndryshim, brenda botës muslimane, si njëjtësisht të vlefshëm. Kjo, rrjedh prej devotshmërisë së tyre, që unë e quaj “teoria e kopshtit zoologjik” të njohjes. Pasuesit e kësaj teorie, i konsiderojnë të gjithë muslimanët – dhe natyrisht trajtimi i ngjashëm, i popujve të tjerë joperëndimorë, është i dallueshëm- si specie të ndryshme, brenda kopshtit zoologjik njerëzor. Protagonistët e “teorisë së kopshtit zoologjik”, shkojnë në terren, regjistrojnë dhe fotografojnë pamje të çdo zakoni të çuditshëm apo ekzotik, që ata shohin dhe dëgjojnë dhe, për ta, ky është Islami dhe praktika islame. Një udhëtim drejt pjesëve të tjera të botës muslimane, me aparate për regjistrim dhe fotografim, realizon pjesë të ndryshme materialesh, duke dokumentuar ndryshime të përcipta në tradita. Për më tepër, vetëm ky, është Islami apo praktika islame, për kërkuesit apo etnografët e “teorisë së kopshtit zoologjik”. Pa dyshim, përpjekje të pakta bëhen për të kuptuarit e Islamit në tërësi. Si pasojë, premisa themelore e skepticizmit dhe relativizmit, përforcohen në mendjen e studiuesve dhe, ai apo ajo, kthehen në shtëpi, të bindur se nuk ekziston një Islam, por shenja të Islam-eve ekzistuese në botë. Në mënyrë të ngjashme, gjurmuesi raporton se ekzistojnë shumë përkufizime apo përshkrime të statusit dhe të rolit të grave, në shoqërinë muslimane. Secila rezultante e përkufizimeve apo përshkrimeve, dublohet si “muslimane” apo “islame”, edhe pse ne, si muslimanë, mund të kemi disa prej këtyre praktikave, të qena shtrembërime apo zvetënime të parimeve dhe bindjeve tona, prej të paautorizuarve apo të painformuarve midis nesh.

Kjo ishte pjesërisht, për të shmangur konfuzionin e këtyre përshkrimeve dhe moskuptimeve të ndryshme, arsyeja që unë zgjodha emërimin “kur’anor”, për shqyrtimin e tanishëm. Në këtë mënyrë, unë shpresoj të lëviz përtej relevancës dhe partikularizmit të kufizuar të “teorisë së kopshtit zoologjik” së shqyrtimit, drejt një paraqitje, e cila shmang fragmentarizmin e tillë dhe është, ideologjikisht, në përshtatje më porositë e vërteta të Kur’anit.Në lidhje me çështjet përcaktuese të fatit dhe vetë ekzistencës sonë, ne kurrë nuk mund të kënaqemi me reportazhe të thjeshta, rreth dofarë kafshësh njerëzore në “kopshtin zoologjik’, të cilët janë statikisht “muslimanë” apo zakonet e të cilëve janë etiketuar si “islame”. Këto emërime, herë-herë, janë keqpërdorur. “Kur’anor”, në anën tjetër , është një term i cili është i përcaktuar. Kjo, tregohet qartë, në temën e këtij shkrimi.

Së dyti, “shoqëria kur’anore”, është vlerësur të jetë titulli më i përshtatshëm, për atë, se na orienton ne, drejt zbulimit të esencës së këtyre parimeve në vetë Kur’anin, që përbën konstruksionin që është në themel të shoqërive tona, anembanë në Botën Muslimane. Kjo, është shoqëria e bazuar mbi parimet kur’anore, e cila është synim i të gjithëve ne, ndonëse ne, pa vetëdije, mund të devijojmë, kohë pas kohe, prej këtyre parimeve. Kjo është konform një shoqërie të bazuar në Kur’an, për të cilën ne duhet të punojmë të gjithë, që popujt muslimanë të kenë një të ardhme të lumtur. Nuk ka version indonezian, pakistanez, saudian, egjiptian apo nigerian të kësaj shoqërie, që ne duhet t’a konsiderojmë si normë të padiskutueshme, por atë, që bazohet, fuqimisht, mbi mësimet e Kur’anit të Shenjtë. Vetëm nga kjo pikëpamje, ne mund të gjejmë një përkufizim të saktë, të rolit të gruas në shoqëri. Përderisa, këto mësime, janë temë e shkrimit tim, “Gratë në një shoqëri kur’anore”, duket titulli më i përshtatshëm.

Së treti, me këtë zgjedhje të titullit, unë dëshiroj të theksoj se, ne duhet t’a konsiderojmë Kur’anin e Shenjtë, si udhëzuesin tonë, në të gjitha aspektet e jetës sonë. Ai, nuk është vetëm burimi parësor i dijes rreth besimeve, obligimeve dhe zakoneve fetare, por ai, është gjithashtu udhëzues për çdo aspekt të civilizimit islam. Në shekujt e lavdisë së dikurshme, ai përcaktonte kreativitetin politik, ekonomik dhe artistik të popujve muslimanë. Nëse ne dëshirojmë të kemi sukses, si anëtarë të një shoqërie islame, në dekadat dhe shekujt e ardhshëm, ai duhet përsëri të përcaktojë të menduarin tonë dhe të vepruarit tonë në mënyrë gjithëpërfshirëse. Islami nuk kufizohet në Pesë Shtyllat, shehadetin, namazin, agjërimin, zekatin dhe haxhin. Isalmi, në fakt, e sfidon ekuacionin e shkallës së parë me termin anglisht ‘religion’, mbasi rëndësia e formuesit depërton në çdo qoshe dhe plasë të qenies dhe sjelljes njerëzore. Natyrisht, ai duhet të jetë synimi ynë, për të lidhur çdo veprim me Islamin tonë. Ne, këtë, mund t’a bëjmë vetëm duke lejuar që Kur’ani të frymëzojë dhe reformojë çdo fushë të jetës sonë.

Si një shkallë në këtë drejtim, le të marrim parasysh atë, që Kur’ani duhet të na mësojë ne, rreth shoqërisë, në drejtim të së cilës ne duhet të përpiqemi dhe të mendojmë efektet e tij mbi pozitën e grave. Cilat janë karakteristikat themelore të një shoqërie kur’anore, të cilat kanë të bëjnë, veçanërisht, me gratë?

Do të kosideroj pesë karakteristika – të cilat duken themelore, vendimtare dhe të padiskutueshme – të shoqërisë kur’anore. Megjithëse, ato paraqiten në një lidhje serike, secila varet nga të tjerat dhe ndikon mbi to.Vartësia e ndërsjellë e këtyre pesë karakteristikave, e bën të vështirë të flasësh për ndonjërën prej tyre, pa përmendur të tjerat dhe, sigurisht, ato nuk bëjnë dhe nuk mund të ekzistojnë të izoluara prej njëra-tjetrës.



1. Status dhe vlerë e barabartë e sekseve


E para, e këtyre pesë karakteristikave, të një shoqërie kur’anore, e cila prek gratë, është se të dy gjinitë janë të njëjtë në status dhe vlerë. Me fjalë të tjera, Kur’ani na mëson se gratë dhe burrat janë të gjithë krijesa të All-llahut, duke ekzistuar në një nivel vlere dhe dobie së barabartë, megjthëse, rëndësia e njëllojtë e tyre, nuk vërteton pretendimin për barazvlefshmëri apo identitet të përkryer të tyre. Kjo barazi e mashkullit dhe femrës, është e dokumentuar në Kur’an, në fragmentet që kanë të bëjnë me të paktën katër aspekte të qenies dhe bashkëveprimit njerëzor.

Çështjet Fetare


E para, e këtyre pohimeve kur’anore të barazisë mashkull-femër, përmbahet në deklaratat, që kanë të bëjnëme çështje të tilla fetare, si origjina e njerëzimit, apo me obligimet dhe shpërblimet fetare.



Zanafillat e Njerëzimit: Kur’ani nuk përmban historitë, që gjenden në Testamentin e Vjetër, të cilat e denigrojnë gruan. Nuk ekziston, asnjë e thënë tërthorazi, se gruaja e parë, e krijuar prej Zotit, ishte një krijesë më pak e vlefshme se burri i parë, apo se ajo ishte një lloj shtojce e formuar prej një prej brinjëve të tij. Në vend të kësaj, ne lexojmë se, mashkulli dhe femra, janë krijuar ‘min nefsin wahidetin’ (“prej një shpirti apo uni të vetëm“), për t’a plotësuar njëri-tjetrin (4:1; 7:189). Ndërsa, Tora apo Testamenti i Vjetër, e trajton Avën si tunduese të kopshtit të Edenit, e cila e ndihmoi Satanin në joshjen e Ademit, për të mos iu bindur Zotit, Kur’ani e trajton çiftin me barazi të plotë. Që të dy, janë njëlloj fajtorë për mëkatim; të dy, njëlloj, u ndëshkuan prej Zotit, duke u dëbuar prej Kopshtit; dhe që të dy, njëlloj, u falën, kur ata u penduan.

Obligimet dhe shpërblimet fetare: Kur’ani, nuk është më pak i qartë në barazinë komanduese për burrat dhe gratë, në direktivat e tij, që kanë të bëjnë me obligimet dhe shpërblimet fetare. Ne lexojmë:

“Nuk ka dyshim, se për muslimanët e muslimanet, besimtarët dhe besimtaret, adhuruesit dhe adhurueset, të sinqertit e të sinqertat, durimtarët dhe durimtaret, të përvuajturit dhe të përvujturat, sadakadhënësit e sadakadhënëset, agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e nderit e ruajtëset e nderit, shumë përmendësit e All-llahut e shumë përmendëset e All-llahut, All-llahu ka përgatitur falje mëkatesh dhe shpërblim të madh.” (33:35)1

Obligimet dhe shpërblimet etike: Kur’ani, i shpalli njerëzimit barazinë e dëshiruar, për të dy gjinitë, duke vendosur të njëjtat obligime dhe shpërblime etike për gratë dhe burrat.

“Kush bën ndonjë nga punët e mira, qoftë, mashkull ose femër duke qenë besimtar, të tillët hyjnë në xhennet dhe nuk u bëhet kurfarë padrejtësie.”(4:124)

“Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull apo femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër), do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.” (16:97)2

Nëse, All-llahu i Lartësuar, nuk i ka gjykuar të dy sekset, të një statusi dhe vlere të barabartë, deklarata të tilla, të shprehura qartë, të barazisë së tyre në obligimet dhe shpërblimet fetare, nuk do të ishin bërë në Kur’an.

Arsimimi: Megjithëse urdhërat më specifike, për të drejta të njëjta të grave dhe burrave, për të vazhduar arsimimin, mund të gjenden në literaturën e hadithit, Kur’ani lë të nënkuptohet tw ndjekurit e njohurisë për të gjithë muslimanët, pa marrë parasysh gjininë e tyre. Për shembull, në mënyrë të përsëritur, urdhërohen të gjithë lexuesit te lexojnë, të recitojnë, të mendojnë, të sodisin, gjithashtu të mësojnë prej shenjave (ajeteve) të All-llahut në natyrë. Në fakt, vetë shpallja e parë e Profetit Muhammed (s.a.v.s.), kishte të bënte me dijen. Në një shoqëri kur’anore, nuk mund te ketë, kurrë, një kufizim të kësaj dije, për ndonjërën gjini. Është obligim, i çdo muslimani dhe muslimaneje, për të ndjekur dijen gjatë gjithë jetës, madje, siç na rrëfehet, edhe sikur ajo t’a çojë kërkuesin deri në Kinë.3 Profeti, madje, ka kërkuar që vajzat skllave të arsimoheshin4; dhe ai i kërkoi Shifa bint Abdullah-ut t’a mësonte gruan e tij, Hafsah bint Umar5. Ligjërartat e Profetit, ndiqeshin prej dëgjuesve, si meshkuj ashtu edhe femra; dhe në kohën kur Profeti vdiq , kishte shumë gra të arsimuara6.

Të Drejtat ligjore : Dëshmia e katërt, në Kur’an, për barazinë e burrave dhe grave, është specifikimi i tij i të drejtave të ligjshme, të cilat garantohen për çdo individ, prej djepit deri ne varr. Ndryshe nga situata në Perëndim, ku, deri në shekullin e fundit, ishte e pamundur për jë grua të martuar, për t’a mbajtur pasurinë për veten e vet, për të kontraktuar me persona të tjerë, apo për të shfrytëzuar pasurinë e saj pa miratimin e burrit të saj7, Kur’ani shpalli të drejtën, e çdo gruaje, për të blerë dhe shitur, për të kontraktuar dhe për të fituar8, dhe për të mbajtur dhe menaxhuar paratë dhe pronën e vet asaj. Përveç këtyre të drejtave, Kur’ani i pohon gruas një pjesë në trashëgiminë e familjes (4:7,11), paralajmëron kunddrejt privimit të saj prej kësaj trashëgimie (4:19), përcakton se paja (mehri) i martesës së saj, duhet t’i përkasë vetëm asaj dhe kurrë nuk duhet të merret prej burrit të saj (2:229; 4:19-21, 25), po të mos i ofrohet prej gruas si dhuratë falas9.

Krahas me çfarëdo privilegji, këto të drejta të grave, bartin përgjegjësitë përkatëse. Nëse ajo kryen një kundravajtje civile, Kur’ani na tregon ne, se, ndëshkimi i gruas, nuk është as më pak e as më shumë, se sa i një burri, në një rast të ngjashëm (5:41; 24:2). Nëse asaj i bëhet padrejtësi apo dëmtohet, asaj i jepet e drejta për kompesim tamam si një burri10.

Është e qartë se, Kur’ani jo vetëm rekomandon, por është madje insistent në barazinë e burrave dhe grave, si një karakteristikë themelore e një shoqërie kur’anore. Pretendimi i kritikëve jomuslimanë se, Islami i denigron gratë, mohohet në mënyrë emfatike nga Kur’ani. Mohime të ngjashme janë edhe argumentet e të ashtuquajturve muslimanë, se gratë janë fetarisht, intelektualisht dhe etikisht inferiore kundrejt burrave, sikurse përmendej më herët në literaturat çifute dhe kristiane.





II. Më Mirë një Shoqëri Seks-Duale, se Një Shoqëri Uniseksuale



Tani, le të marrim në konsideratë, karakteristikën e dytë themelore, të shoqërisë kur’anore, e cila prek pozitën e grave. Kjo është mbështetur në direktivat për një shoqëri seks-duale, më mirë se sa një shoqëri uniseksuale. Ndërkohë, që mbron vlefshmërinë e vleftës së barabartë të burrit dhe gruas, Kur’ani nuk e gjykon, këtë barazi, për të nënkuptuar ekuivalencën apo identitetin e sekseve.

Ka të ngjarë që, të gjithë ju, jeni familjarizuar me lëvizjen bashkëkohore drejt uniseksualizimit të rrobave dhe këpucëve, të uniseksulizimit të stileve të argjendarisë dhe të flokëve, të uniseksualizimit të veprimeve dhe argëtimeve. Në fakt, shpesh është vështirë, në Amerikë, të vendosësh nëse dikush duket si djalë apo si vajzë. Kjo rezulton prej mendimit të tashëm në shoqërinë perëndimore se, ekziston diferencë e vogël midis dy gjinive në dhuntitë fizike, intelektuale dhe emocionale dhe, si rrjedhim, nuk duhet të ekzistojë ndonjë diferencë në funksionet dhe rolet e tyre në shoqëri11. Veshjet dhe veprimet, janë veçse dëshmi sipërfaqsore e kësaj bindjeje më të thellë. E shoqëruar me një nënvlerësim të cilësive dhe roleve, që tradicionalisht e kanë shoqëruar gjininë femërore, ky mendim i përhapur, ka gjeneruar një shoqëri uniseksuale, në të cilën vetëm roli i mashkullit respektohet dhe synohet. Megjithëse, ka si qëllim të sjellë përmasa më të mëdha të barazisë për gratë, idea se burrat dhe gratë janë jo vetëm të barabartë, por ekuivalentë dhe identikë, aktualisht i ka shtyrë gratë drejt imitimit të burrave dhe, madje, të përbuzin feminitetin e tyre. Kështu, është duke u prodhuar një tip i ri i shovinizmit mashkullor. Presionet sociale të jashtëzakonshme, rezultuan në zhveshjen e grave prej rolit të tyre, prej përgjegjësive që më parë ishin kryer prej tyre, dhe ato detyrohen të jetojnë një jetë pa personalitet dhe individualitet.

Shoqëria e bazuar në Kur’an është, përkundrazi, një shoqëri seks-duale, në të cilën, të dy gjinitë, ngarkohen me përgjegjësitë e tyre të veçanta. Kjo siguron fuksionimin e shëdetshëm të shoqërisë, për të mirën e të gjithë anëtarëve të saj. Kjo ndarje e punës, i ngarkon burrat me më tepër përgjegjësi ekonomike (2:233, 240; 4:34), ndërsa gratë, pritet t’a lujnë rolin e tyre në mbajtjen dhe rritjen e fëmijëve (2:223; 7:189). Kur’ani, duke e njohur rëndësinë e këtij caktimi seksual plotësues të roleve dhe përgjegjësive, e lehtëson kërkesën më të madhe ekonomike të bërë mbi anëtarët meshkuj të popullsisë, duke u paracaktuar atyre jë pjesë më të madhe, se sa grave, në trashëgimi. Në të njëjtën kohë, ai u pohon grave të drejtën për t’u mirëmbajtur, në shkëmbim të kontributit të tyre për mirëqenien fizike dhe emocionale të familjes dhe për kujdesin që ato tregojnë për rritjen e fëmijëve. Ideologjia e unifikimit të seksit, ngjall një marrëdhënie konkuruese midis sekseve, të cilën e gjejmë në Amerikë dhe e cila është shkatërrimtare për të gjithë anëtarët e shoqërisë: për të rinjtë, të vjetrit, fëmijët, prindërit, të pamartuarit, të martuarit, meshkujt dhe femrat. Shoqëria seks-duale, përkundrazi, është një zgjidhje më e natyrshme, kundrejt çështjeve të marrëdhënieve midis sekseve, duke inkurajuar më mirë bashkëpunimin, se sa konkurencën midis sekseve. Kjo është një skemë, e cila është gjetur më e përshtatshme në shoqëritë e panumërta përgjatë historisë. Idea e jodiferencimit apo identitetit seksual, arriti të spikasë vetëm kohëve të fundit dhe, në këtë rast, në radhë të parë, në shoqërinë perëndimore. Madje, dëshmitë mjeksore për ndryshimin mendor apo emocional midis sekseve, ndalohen të botohen në hulumtimet perëndimore, sepse kërcënojnë prirjet mbizotëruese të mendimit.Se sa gjatë do të vazhdojë kjo lëvizje sociale shkatërrimtare, përpara se ajo të hidhet poshtë si e falimentuar, ende nuk dihet. Por pa dyshim, ne, si muslimanë, duhet të jemi të vetëdijshëm për pasojat e mangëta dhe të rreziksjme të saj dhe t’a bëjmë shoqërinë dhe rininë tonë të vetëdijshme për fatkeqësinë e shkaktuar prej saj.

Protagonistët e shoqërisë uniseksuale e kanë shpallur të pavlefshëm organizimin njerëzor seks-dual si të rrezikshëm për mirëqenien e grave.Një situatë e tillë, mund të kish lindur, nëse seksi-dual, do të nënkuptohej se njëri seks është më superior ndaj tjetrit. Por, në shoqërinë e vërtetë kur’anore, drejt së cilës ne aspirojmë të shkojmë, kjo nuk është e mundur. Ashtu, sikurse e pamë më parë, Kur’ani mbështet në mënyrë mjaft elokuente, statusin e barabartë të grave dhe burrave dhe, në të njëjtën kohë, ai pranon, përgjithësisht, ndryshimet e tyre përkatëse të natyrës dhe funksionit. Kështu, ndërsa, duke pohuar barazinë fetare, etike, intelektuale dhe ligjore të meshkujve dhe të femrave, Kur’ani kurrë nuk i konsideron dy sekset, si identikë apo ekuivalentë.



III. Varësia e Ndërsjellë e Anëtarëve të Shoqërisë


Karakteristika e tretë e shoqërisë kur’anore, e cila fuqimisht mbron të drejtat e grave, është këmbëngulëse, në varësinë e ndërsjellë të anëtarëve të shoqërisë. Përkundër prirjes bashkëkohore, për të theksuar të drejtat e individit në dëm të shoqërisë, në Kur’an ne gjejmë në mënyrë të përsëritur theksimin e varësisë së ndërsjellë të burrit dhe gruas dhe gjithashtu të të gjithë anëtarëve të shoqërisë. Burri dhe gruaja për shembull, përshkruhen si mbulojë (libes) të njëri- tjetrit (2:187), dhe si bashkëshortë, që jetojnë dhe banojnë në qetësi (33:21; shiko gjithashtu 7:189). Burri dhe gruaja, janë dërguar për të plotësuar njëri-tjetrin (9:71). Secilit, i kërkohet të përmbushë përgjegjësitë e caktuara, që i janë ngarkuar për të mirën e të dyve dhe të mbarë shoqërisë.

Me qëllim të sigurimit të kësaj varësie të ndërsjellë, e cila është kështu e nevojshme për mirëqenien fizike dhe psikilogjike, si të burrit ashtu edhe të gruas, All-llahu, në Kur’anin e Shenjtë, përcakton detyra dhe obligime reciproke, apo të ndërsjella, të anëtarëve të ndryshëm të familjes – burrave dhe grave, baballarëve dhe nënave, fëmijëve dhe të mëdhenjve dhe lidhjeve fisnore të të gjitha shkallëve (17:23-26; 4:1, 7-12; 2:177; 8:41; 16:90; etj.). Kujdesi dhe shqetësimi, për anëtarët e tjerë të shoqërisë, është detyrë e barabartë për muslimanët:

“Nuk është e tërë e mira, të ktheni fytyrat tuaja, nga lindja ose perëndimi, por, e mirë e vërtetë është ajo, e atij, që i beson All-llahut, ditës së gjykimit, engjëjve, librit, pejgamberëve dhe pasurinë, që e do, ua jep të afërmve, bonjakëve, të varfërve, udhëtarëve, lypësve dhe për lirimin e robërve...” (2:177)

Kur’ani, me anën e kësaj, fut tek muslimanët ndjenjën e nje detyre dhe përgjegjësie ndaj shoqërisë. Kjo, nuk duhet konsideruar apo përjetuar si ndrydhje e individit. Përkundrazi, muslimanët inkurajohen vazhdimisht në këtë varësi të ndërsjellë, për të përjetuar të mirat që ajo sjell. Dobitë ekonomike, sociale dhe fiziologjike, të marrëdhënieve dhe përkujdesjeve të tilla të afërta, brenda grupeve sociale, sigurojnë më tepër se sa shpërblime të bollshme për individin, pasi fisnikërojnë aspiratat individuale të tij apo të saj. Anonimiteti dhe pamjaftueshmëria e ndërvartësisë sociale ,ndërmjet anëtarëve të shoqërisë bashkëkohore perëndimore, ka shkaktuar probleme shumë serioze. Vetmia, kujdesi i pamjaftueshëm për të moshuarit, përftimi i zbrasëtirës, përqindja e lartë e vetëvrasjeve dhe krimi adoleshent, të gjitha këto, mund t’a kenë burimin tek dobësimi, gjithnjë e më tepër, i përkeqësuar i varësisë së ndërsjellë sociale dhe mohimi i nevojës njerëzore për kujdes të ndërsjellë.

IV. Familja e Shtrirë


E gërshetuar, në afërsi, me varësinë e ndërsjellë, familja e shtrirë, është karakteristika e katërt themelore e shoqërisë kur’anore, e cila shërben për të përmirësuar marrëdhëniet mashkull-femër. Ky është institucioni i familjes së shtrirë. Përveç anëtarëve të ngushtë, që përbëjnë familjen: nëna, babai dhe fëmijët e tyre, - familja islame apo a’ileh, gjithashtu përfshin gjyshërit, xhaxhallarët, tezet, hallat dhe pasardhësit e tyre. Normalisht, familjet muslimane janë “ rezidencialisht të shtrira” – që do të thotë se, anëtarët e tyre, jetojnë bashkarisht, me tre apo më tepër gjenerata të farefisit, në një ndërtesë të vetme apo të përbërë. Madje edhe kur ky version , i banimit të familjes së zgjeruar, nuk është i mundur apo nuk zbatohet, lidhjet familjare, duke u shtrirë përtej njësisë bërthamë, janë dukshëm lidhje të forta psikologjike, sociale, ekonomike dhe madje edhe politike.

Solidariteti i familjes së shtrirë, rekomandohet dhe fuqizohet prej Kur’anit të Shenjtë , në të cilin, ne gjejmë referenca të përsëritura, për të drejtat e farefisnisë (17:23-26; 4:7-9; 8:41; 24:22; etj.) dhe rëndësinë e trajtimit të tyre me dashamirësi (2:83; 16:90; etj.). Trashëgimia u ndahet jo vetëm anëtarëve të familjes më të ngushtë, por gjithashtu edhe atyre të familjes së zgjeruar, siç paracaktohet veçanërisht (2:180-182; 4:33,176). Familja e zgjeruar e kulturës islame, nuk është kështu, thjesht, një produkt i kushteve sociale, por është një institucion i ankoruar në fjalën e Vetë Zotit dhe i vendosur prej këshillave dhe rregullave të Tij.

Familja e zgjeruar është një institucion, i cili, mund të sigurojë dobi të mrekullueshme, si për burrin ashtu edhe për gruan, kur ekziston së bashku me karakteristikat e tjera themelore të shoqërisë kur’anore.

1. Ajo të mbron kundrejt egoizmit apo ekscentrizmit të ndonjë grupi, pasi individi përballet jo vetëm me një bashkëshort të vetëm, por me një familje të tërë të barabartësh, të moshuarish dhe fëmijësh, nëse ai apo ajo shkojnë “natyrisht”.

2. Ajo u mundëson grave të ndjekin karrierën, pa dëmtuar vetveten, bashkëshortin, fëmijët apo të moshuarit, pasi ekzistojnë gjithmonë të rritur të tjerë në shtëpi, për të ndihmuar punën e gruas apo nënës. Gratë, që ndjekin karierën, në një familje të zgjeruar islame, nuk pësojnë asnjë ngarkesë të stërmundimit fizik dhe emocional, e as t’u ndjerit fajtore për neglizhim të përgjegjësive amënore, bashkëshortore apo familjare. Në fakt, pa këtë lloj institucioni familjar, është e pamundur të imagjinosh ndonjë zgjidhje të arsyeshme për problemet, me të cilat përballet tani shoqëria perëndimore. Derisa një numër, gjithnjë e më i madh, grash po hyjnë në fuqinë punëtore, familja e ngushtë, është e paaftë për të mbështetur nevojat e anëtarëve të saj. Vështirësitë në një familje të vetme prindërore, janë sigurisht të zmadhuara njëqindfish. Sforcimi që, një sistem i tillë familja, vendos mbi gruan e punësuar është shkatërrim për individin, gjithashtu për martesën dhe lidhjet familjare. Shpërbërja e familjeve dhe degëzimet psikologjike dhe sociale, të një përqindje të lartë divorcesh, në Amerikë dhe shtete të tjera perëndimore12, kanë bërë të rritet puna e doktorëve, juristëve, psikiatërve dhe sociologëve, natyrisht, prej viktimave fatkeqe të këtyre fenomeneve.

3. Familja e zgjeruar siguron një shoqërizim të mjaftueshëm të fëmijëve. Këshilla e nënës apo babait, në një familje të ngushtë apo të vetme, mund të jetë e vështirë për t’u ndjekur prej një të pabinduri apo fëmije kokëfortë, por ndikimi i kombinuar i anëtarëve të një familje të fortë të zgjeruar, është i efektshëm kundër pabindshmërisë apo padëgjueshmërisë.

4. Familja e zgjeruar siguron shumëllojshmërinë psikologjike dhe sociale në bashkëshoqërim, si për të rriturit, ashtu edhe për fëmijët. Duke qenë se ekziston një varësi më vogël në marrëdhëniet me njëri-tjetrin, ekzistojnë kërkesa më të vogla emocionale, në secilin anëtar të familjes. Një grindje apo përplasje midis të rritutve, fëmijëve apo personave të gjeneratave të ndryshme, nuk arrin përpjestimet e dëmtimit, që mund të arrihen në një familje të ngushtë. Ekzistojnë, gjithmonë, anëtarë të tjerë familjarë, në dispozicion, për të lehtësuar dhembjen dhe që sigurojnë këshillim teraupik dhe shoqërimin. Madje, lidhja martesore nuk vendos sforcime shumë të mëdha, prej të cilave vuajnë familjet e ngushta.

5. Familja e zgjeruar, apo a’ileh mbron kundrejt zhvillimit të të çarave që përftohen. Ky problem social, rezulton kur secila grup-moshë bëhet e izoluar prej breznive të tjera, kështu që gjen vështirësi në arritjen e suksesshme dhe ndërveprimin kuptimplotë, me njerëzit e moshave të niveleve të ndryshme. Në a’ileh, tre apo më tepër gjenerata, jetojnë së bashku dhe bashkëveprojnë, vazhdimisht, me njëri-tjetrin. Kjo situatë, siguron njohuri dobiprurëse dhe përvoja shoqërizimi për fëmijët dhe ndjenjën e nevojshme të sigurisë për brezat më të vjetër.

6. Familja apo a’ileh mënjanon problemin e vetmisë, i cili moleps banuesit e izoluar dhe anonimë, në qendrat urbane, të shumë shoqërive bashkëkohore. Një grua e pamartuar, apo e divorcuar, apo e ve , në një familje të zgjeruar islame, nuk do të vuajë kurrë problemet, me të cilat përballen gra të tilla, në shoqërinë amerikane bashkëkohore, për shembull. Në një shoqëri kur’anore, nuk ka nevojë për institucione komerciale llogaritëse të afatizuara, klube dhe bare të vetmuarish, apo për veçimin e qytetarëve të moshuar, nëpër fshatra apo azile të pleqve. Nevojat sociale dhe psikologjike të individit, qoftë të mashkullit, ashtu edhe të femrës, janë të përfillura në një familje të zgjeruar.

Derisa lidhjet martesore bëhen gjithnjë e më tepër të brishta, në shoqërinë perëndimore, gratë priren të jenë viktimat kryesore të këtij ndryshimi. Ato janë më pak të afta, se sa burrat, për të rikrijuar martesë apo lidhje të tjera, dhe ato janë më të dëmtuara psikologjiksht prej këtyre humbjeve.

7. Familja e zgjeruar, siguron një ndarje, më të arsyeshme dhe më njerëzore, të kujdesit për më të moshuarit. Në një familje të vetme të ngushtë, kujdesi për prindërit më të moshuar, apo prindërit e ndonjë prej bashkëshortëve, mund të bierë plotësisht mbi një individ, zakonisht mbi nënën e familjes. Ajo duhet të marrë masat për një përkujdesje fizike shtesë, si edhe për mirëqenien emocionale të të moshuarve.Kjo është një barrë tepër e madhe mbi një grua, e cila ndoshta ka nevoja të fëmijëve dhe të burrit për t’u shërbyer, gjithashtu. Nëse ajo është një nënë e punësuar, ngarkesa mund të jetë e papërballueshme dhe më të moshuarit vendosen në azilet e pleqve derisa t’u vijë vdekja. Me përgjegjësitë ë shpërndara, që siguron familja e zgjeruar, ngarkesa kuptimisht lehtësohet.



V. Organizimi familjar patriakal


Karakteristika e pestë themelore, e një shoqërie kur’anore është se ajo është patriarkale. Në kundërshtim, me synimet e Lëvizjes së Çlirimit të Grave, Kur’ani fton për një shoqëri, e cila paracakton udhëheqjen themelore dhe rolin vendim-marrës, në familje, të burrit.

Çdo shoqëri, është e përbërë prej organizimeve më të vogla të njerëzve – qeverive, partive politike,organizatave fetare, ndërrmarrjeve tregtare, familjeve të zgjeruara e kështu në vazhdim. Secila, nga këto organe, ka nevojë të jetë e qëndrueshme, kohezive dhe e manovruehme, që të jetë e dobishme për zgjedhësit e saj. Me qëllim, që të përftojë këto karakteristika, organizimi duhet të caktojë përgjegjësitë për disa individë apo disa grupe, brenda radhëve të tij.

Si rrjedhim qytetarët mund të votojnë, parlamenti mund të nxjerrë ligje dhe policia mund t’a imponojë ligjin, por është, në fund të fundit, kreu e shtetit, që mban përgjegjësinë e përpilimit të vendimeve kritike për shtetin, si edhe barrën apo miratimin përgjegjës për këto vendime. Në mënyrë të njëjtë, puna e nje fabrike, drejtohet prej shumë individëve, por jo të gjithë ata, janë njëlloj të aftë për marrjen e vendimeve përfundimtare të kompanisë. Jo çdo nëpunës është i ngarkuar, njëlloj me përgjegjësi, për suksesin apo dështimin e organizimit.

Familja, gjithashtu, ka nevojë për dikë, për të bartur barrën e përgjegjësisë themelore për të tërë. Kur’ani, e ka paracaktuar këtë rol për anëtarin mashkull më të madh të familjes. Ky është ngarkimi patriarkal i fuqisë dhe përgjegjësisë, e cila nënkuptohet prej shprehjeve të tilla, si: “we lirr-rrixhali ‘alejhinne derexhatun” (2:228), dhe “el-rixhalu kawwamune ‘ale’n-nisa’i...” (4:34). Në kundërshtim, me paraqitjen prej kundërshtarëve të Kur’anit, këto fragmente nuk nënkuptojnë nënshtrimin e grave ndaj burrave, në një diktaturë, të bazuar në gjini. Një interpretim i tillë, tregon një mospërfillje flagrante të kërkesave të përsëritura të Kur’anit për barazinë e sekseve dhe të urdhërit të tij, për të treguar respekt dhe mirësjellje ngaj grave. Fragmentet në fjalë, tregojnë një mënyrë për shmangien e mosmarrëveshjeve të brendshme dhe pavendosmërisë, për të mirën e të gjithë anëtarëve të familjes. Ato mbështesin një shoqëri patriarkale.

Tërheqim vëmendjen në përdorimin e fjalës “kawwamun” në shpallje, “el-rixhalu kawwamune ‘ale’n-nisa’i...” (4:34). Pa dyshim, folja “kuwema”, prej së cilës rrjedh emri foljor “ kawwamun”, nuk nënkupton mbizotërim despotik. Përkundrazi, termi i referohet atij, i cili, i qëndron në krah tjetrit (prej kama, “ me qëndru”), në një mënyrë mbrojtëse dhe mirëdashëse. Nëse, do të bëhej fjalë, për një rol autokratik apo dominues, për gjysmën e meshkujve të shoqërisë, atëherë, ekzistojnë shumë prejardhje foljore të tjera, të cilat, do të kishin qenë më të zbatueshme, si për shembull, “musejtirun” dhe “muhejminun”. Shembuj të tjerë, të përdorimit kur’anor, të termit “kauuemun”, e përforcojnë më mirë këtë mbështetje, se sa domethënien autoritare apo tiranike të termit ( shiko 4:127-135: 5:9). Atribuimi i një kuptimi tjetër, për fragmentin në fjalë është, si rrjedhim, ideologjikisht, jokosekuent, si edhe, gjuhësisht, i pambështetur.

Përse Kur’ani specifikoi, më mirë, udhëheqe mashkullore për a’ileh, siç është një familje patriarkale, se sa një organizim matriarkal ? Kur’ani, i përgjigjet kësaj pyetje, në mënyrën e poshtëpërmendur:

“Burrat janë përgjegjës për gratë, ngase All-llahu ka graduar disa mbi disa të tjerë dhe, ngase, ata kanë shpenzuar nga pasuria e tyre (për mbajtjen e grave)... (4:34)

Kontributet dhe përgjegjësitë fizike dhe ekonomike janë, si rrjedhim, arsyet kur’anore për propozimin, të një shoqërie patriarkale, më mirë, se sa të një shoqërie matriarkale.

Disa perëndimorë të ballafaquar me problemet e shoqërisë bashkëkohore, kanë filluar të bëjnë pyetje të tilla, si: Ku mund të drejtohemi për ndihmë? Çfarë mund të bëjmë ne përballë dekompozimit të tashëm social? Kjo, është një kohë dëshpërimi dhe kërkimi, pasi shoqëria perëndimore po tronditet nën goditjet e vazhdueshme, gjithnjë në rritje, të çorientimit personal dhe shpërbërjes shoqërore.

Çfarë mund të bëjmë ne si muslimanë për t’i ndihmuar? Para së gjithash, ne duhet të ngremë shoqëri të vërteta kur’anore, anembanë Botës Muslimane. Pa këtë, ne nuk mund të vendosim përshtatje të drejta dhe të qëndrueshme për bashkëveprim të burrave dhe grave në shoqëri. Përveç kësaj, ne nuk do të mund të krijojmë tek gjeneratat, që do të vijnë, respekt dhe besnikëri ndaj shoqërive tona dhe institucioneve të tyre shoqëruese, nëse shoqëritë pseudo-islamë janë të vetmet, që ne mund të ngremë dhe të mbështesim. Mënyrat apo institucionet pseudo-islame, janë në të vërtetë anti-islame; janë një model, i cili nuk mund të respektohet dhe që i është bashkangjitur etiketimi i “Islamit”. Në mendjen e shumë muslimanëve, si edhe të jomuslimanëve, kjo bën që përgjegjësia e të metave të institucioneve, t’i transferohen gabimisht religjionit të vetë Islamit.

Ne duhet t’i edukojmë muslimanët tanë - dhe veçanërisht të rinjtë, pasi ata janë udhëheqësit e së nesërmes – me nderim ndaj rëndësisë dhe jetëgjatësisë të traditave kur’anore, në lidhje, me gruan, familjen dhe shoqërinë. Edhe përkundër dështimit të modeli të alternativës sociale bashkëkohore perëndimore, disa muslimanë duket sikur lakmojnë damkën perëndimore të barazisë seksuale, idetë e tij të uniseksualizimit, mënyrat e tij të sjelljes, mbivlerësimin e individualizmit apo lirisë personale ndaj përgjegjësisë, dhe sistemin e ngushtë familjar. Ne duhet t’i kuptojmë rreziqet të cilat shoqërojnë ide dhe praktika të tilla sociale. Nëse, kuptimet e këtyre ideve dhe praktikave, nuk vihen në dukje dhe luftohen, ne rrënohemi drejt një të ardhme fatkeqe, pasi eksperimente te tilla sociale, janë të destinuara të dështojnë, në fund të fundit.

Por, sidoqoftë, ky nuk është një reagim i mjaftueshëm për ne, si muslimanë. Si mëkëmbës të All-llahut në tokë (2:30), është detyra jonë, që të shqetësohemi rreth të tërë botës dhe të gjithë krijesave të Zotit. Në dritën e urdhërit, pët të përhapur vullnetin e All-llahut, në çdo skaj të botës, ne nuk duhet të mos mundohemi për t’u ofruar të tjerëve, të drejtën që ne e njohim. Është koha që, Islami dhe muslimanët, të paraqesin zgjidhjet e tyre të problemeve të shoqërisë bashkëkohore, jo vetëm për audiencën muslimane, por, gjithashtu, edhe audiencën jomuslimane. Kjo, mund dhe duhet bërë, përmes shembullit të gjallë të shoqërive të vërteta kur’anore, në të cilat problemet e burrave dhe grave janë të zgjidhura. Kjo gjithashtu bëhet nëpërmjet shkrimeve informative dhe diskutimeve prej studiuesve tanë, të cilat, mund të realizohen si me muslimanët, po ashtu edhe me jomuslimanët.

Nuk gjendet rrugë më e mirë, për t’i shërbyer vullnetit të All-llahut dhe tërë njerëzimit. Nuk ka da’vet më të mirë, se sa, ofrimi i një dore ndihmëse, ndaj viktimave të goditura, të shoqërisë bashkëkohore.



Përktheu nga anglishtja



MIMOZA SINANI



Shënime



1. Hipokritëve dhe hipokriteve dhe jobesimtarëve, All-llahu u ka përcaktuar zjarrin e xhehenemit, ku do të jenë përgjithmonë. Ai mjafon për ta. All-llahu i ka mallkuar ata dhe ata kanë dënim të pandërprerë. (9:68)

2. Shiko gjithashtu 9:67-72.

3. Ky është hadith i Profetit s.a.v.s.. Shiko gjithashtu Muhammed ‘Izzet Deruezeh, El-Mar’ah fi el Kur’an uel Sunneh (Beirut: el-Mektebeh el-‘Asriyyah, 1980), f. 44, 47, 51.

4. Muhammed Fu’ad ‘Abd el-Baki, el-Lu’lu uel Merxhan fi ma ittafaka fihi el-Sheikhani ( Beirut: Dar el-Kitab el-Xhedid, 1970, I, f. 30-31.

5. Haxhxhi Fejsal inb Haxhxhi Uthman, “Gratë dhe ndërtimi shtetëror: Analizë sistematike dhe bashkëkohore e problemit të gruas në shoqërinë bashkëkohore muslimane maleze.” (Disertacion i doktoraturës, i paraqitur në Universistetin Tempël), f. 85

6. Muhammed Khayrat, Markaz el- mar’ah fi ‘l-Islam (Cairo: dar al-Ma’rif, 1975) f. 108.

7. Monard G. Paulsen, “Gratë, të drejtat ligjore”, Enciklopedia Amerikane, (Danbury, Conn.: Americana Corp., 1980), Vol. 29, f.108-109.

8. “... burrave u takon hise nga ajo që fituan ata dhe grave gjithashtu ju takon hise nga ajo që fituan ato...” (4:32)

9. Shiko Mustafa el-Siba’i, El-Mer’eh beine’l-fikhi we’l-kanun (Aleppo: El-Mektebeh el-Arabijjeh, 1976), f. 38; Muhammed ‘Izzet Derazeh, Ed-Dustur el-Kur’ani fi Shu’un El-Hajat (Cairo: ”Isa El-Bebi El-Helebi,) f. 78.

10. “Oju që besuat! Nuk është e lejuar, për ju, të trashëgoni gratë në mënyrë të dhunshme, e as t’i shtrëngoni për t’u marrë diçka, nga ajo që u keni dhënë atyre, përveç nëse ato bëjnë ndonjë imoralitet të hapur. Çoni jetë të mirë me to. Nëse i urreni ato, bëni durim, pse ndodh që All-llahu të japë shumë të mira në një send që ju e urreni.” (4:19)

11. Në përshkrimin e Lëvizjes së Çlirimit të Grave, në Amerikë, Karolina Bërd shkruan se: ”Ato donin ta zhduknin nocionin e ndryshimeve të qenësishme midis natyrës së meshkujve dhe femrave, përgjithësisht të përmendura, për të fuqizuar këto konventa [martesën, familjen, marrëdhëniet mashkull-femër, etj.] (“Women’s Liberation,” Encyclopedia Americana, vol. 29, f. 111a)

12. Në 1979, në Shtetet e Bashkuara, kundrejt 2.331.000 martesave që ishin bërë, 1.181.000 ishin divorcuar, sipas një almanaku të vitit 1983. Çdo vit, përqindja e divorceve, rritet kuptimisht.

--------------------------------------------------------------------------------

[1] Luiz Lamie el-Faruku, e mori titullin e saj të doktoraturës, për studimet islame, në Universitetin e Sirakuzës. Ajo ishte profesoreshë në Universitetin Batler, në Universitetin e Pensilvanisë, në Universitetin Uilianova dhe në Universitetin Tempël. Publikimet e saj përfshijnë: ‘Islami dhe Arti’, dhe’ Atlasi Kulturor i Islamit’, në të cilat, ajo është bashkëautore me burrin e saj, Ismail Raxhi Farukun. Ajo, u vra në shtëpinë e saj, së bashku me burrin e saj, më 30 maj, 1986.
Përgjithësisht, kur ne flasim për gratë në Islam, kjo rrallë shkon përtej një numri të vogël klishesh, që nuk vlerësojnë si duhet as gratë, as Islamin. Akoma më keq, qëndrimi është ose shovinist ose qasje e shtrembëruar.
Profesoreshë Luiz Lamie el-Faruku, jo vetëm që solli njohuri të thellë për këtë temë, por ajo gjithashtu i shtoi një nuancë femërore kësaj teme. Ky kombinimi i shërbeu plotësisht temës së saj. Me një mendje zhbiruese, ajo ndoqi problemin e grave brenda kornizës islame – as shfajësuese, as polemizuese, as e ngurtë as e lëkundshme: tamam e përveçme – vulë e vërtetë e diturisë islame.
[2] Kjo ese, është një prej pesë eseve, që përbëjnë librin e saj të titulluar : “Women, Muslim Society and Islam”, (”Gratë, Shoqëria Muslimane dhe Islami”), botuar pas vdekjes së saj, më1991, në Indianopolis të ShBA-ve, me inisiativën e Shoqatës së Studentëve Muslimanë, të Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, të cilët kanë parë, tek ajo, jo vetëm figurën e një mësueseje, por edhe figurën e një nëne. (Shënim i përkthyeses)

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme