Për një shoqëri të shëndoshë

Njerëzit kanë frikë veten, kanë frikë të vërtetën. Andaj, kanë frikë edhe nga një mësim fetar në shkolla. Ata druhen ndonjëherë, që do të na hidhërohen miqtë ndërkombëtarë (se mos nuk e dinë ata që ne i përkasim fesë myslimane!), e ndonjëherë thurin shkas tjetër, që të arsyetojnë një qëndrim absurd që kanë marrë në kundërshtim të ligjërimit të fesë në shkolla. Ndonjëherë, kanë drojën se mësimi fetar do t'iu rrëzojë kodet që kanë krijuar, trendët e shthurura që kanë ngritur, mësimet e mbrapshta që kanë lansuar. Kjo nuk do t'i bënte më ata protagonistë dhe nuk do të shërbenin si model. Andaj, edhe mund t'i kuptojmë, sepse të tillët që ngarendin pas egoizmit dhe lavdisë personale, nuk i shërbejnë dot humanitetit. Mundohem t'i jap arsye dhe ta kuptoj, porse është totalisht i pakuptueshëm qëndrimi i njerëzve të edukuar e shkolluar, atyre që janë njohës të fakteve, e që i shtrembërojnë ato pa ndonjë arsye, për t'iu kundërvënë një iniciative që mbi të gjitha, u shërben njerëzve, u shërben mirëqenies së tyre, i kontribuon zhvillimit të një shoqërie të shëndoshë. Po çfarë ka të keqe nga mësimi i fesë në shkolla? Asgjë, pos dobisë së pakrahasueshme.


***

Gjithandej nëpër botë flitet për një krizë të përgjithshme shoqërore, për flakje vlerash. Raportohet për rritje të akteve delikuente dhe akteve kriminale ndër fëmijë, adoleshentë e të rinj. Vjedhjet e droga janë terme që jo rrallë përdoren kur flitet për këto grupmosha. Faktet flasin për shkallë në rritje të tentim vetëvrasjeve dhe vetëvrasjeve. Divorci, braktisja e fëmijëve po ashtu shqetësuese... Dhe, kush më mirë se një edukatë e mirëfilltë fetare do të mund të ndikonte në zbutjen e kësaj gjendjeje? Kush më mirë se këshillat e fesë islame për një jetë të shëndoshë do të mund të ndryshonin këtë situatë? Përgjigjen e dini që të gjithë, sado që jo të gjithë merrni guximin ta thoni e shkruani.

***

"Zot, mos i bëj fëmijët tanë të ndjekin shembujt që na servohen çdo ditë", kjo është lutja e zakonshme që bëj, sa herë që sodis një situatë a skenë ndër të shumtat që mund të hasësh për çdo ditë në realitetin që jetojmë. Andaj, është mese e domosdoshme mësimi i fesë në shkolla. Andaj, është i rëndësishëm një minutash që i dedikon shkolla fesë, mësimit fetar. Është e nevojshme një orë mësimore, ku para së gjithash flitet për të mirën dhe të keqen, për të mbarën dhe të mbrapshtën, ku sqarohet dhe dallohet e bardha nga e zeza. Dhe, në këtë pikë dhe për këtë pikë pajtohen të gjithë. Madje, për këtë kanë nevojë edhe fëmijët e besimit e islam, edhe ata katolik e të feve të tjera, e të mos e bëjnë dert ata që hamendësojnë se të mësuarit e fesë islame krijon ndonjë diferencë apo diskriminim fetar.

***

Feja nuk i imponohet njeriu. Ajo i ofrohet si një alternativë. Po kështu mund të ofrohet edhe në shkolla. Ata që duan mund ta mësojnë, ata që nuk duan (e që jam i bindur se janë të paktë), mos le ta bëjnë. Pra, le t'ua lëmë pikërisht atyre të vendosin nëse duan apo jo të mësojnë për fenë. Ta bëjmë me zgjedhje, zgjedhje të lirë, ashtu siç porosit vetë feja islame. Dhe, nëse shumica prej tyre vendosin që të ndjekin edukimin fetar, mësimin fetar në shkolla, pse të mos e bëjmë atëherë? Madje, do të ishte shkelje e të drejtave themelore po që se nuk bëhet.


***

Ata që na thonë se feja interferon shkencën, interferon në të mësuarit e çka jo tjetër, kanë gënjyer veten. Sikur kanë harruar, që figurat më të shquara të historisë njerëzore, shkencore kanë qenë njerëz fetar, praktikues të riteve fetare, besues të Zotit dhe librave të Shenjtë. Të mësosh për fenë dhe të mësosh shkencën, absolutisht nuk paraqet kundërshti. Madje, është pikërisht Kurani famëlartë që inkurajon të lexuarit, mësimin e studimin.


***

Një pikë tjetër e rëndësishme dhe një arsye më shumë për analizë e studim është qëndrimi i disa personaliteteve që kanë shkruar në këtë debat të qëlluar. Disa prej tyre, të mësuarit e fesë e quajtën (pa)vetëdije si kthim mbrapa. Epo, të tillëve, s'kemi pse t'u përgjigjemi. Mjafton t'ua bëjmë një pyetje. Kë quajnë ata zhvillim? Lakuriqësinë, banalitetin, poshtërimin, gjitha ato akte delikuente, kriminale e antikonformiste që shohim? Epo, iu faleminderit juve, porse kjo nuk përbën vlerë për mua, e as për ata që vlerën e nënkuptojnë si të dobishme.


***

Përfundimisht, ligjërimi i fesë islame në shkolla do t'iu jepte mundësi nxënësve që të njihen më mirë me fenë e tyre, të njihen me një kod normash e vlerash të shëndosha, prej praktikumit të të cilave ka vetëm dobi. Do t'u jepte mundësi atyre që të identifikonin rrugën e drejtë, atë që shpie drejt një jete të shëndetshme, pa brenga dhe të lumtur.

(Autori është profesor i letërsisë dhe gjuhës shqipe)

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme