Ëndje për t'u fshatarizuar

E ajri kishte qenë i pastër, por rrugët jo. Hëm, mjaft keq, apo jo?! Dikush do të thoshte se punëtorët e pastrimit na qenkëshin pasivizuar, e kjo punë do ndëshkuar, por unë do të thosha ndryshe. Se pastruesit, do të thotë, janë diskretë dhe nuk ndërsejnë në gjërat e brendshme, po të paktën edhe nuk e kanë për obligim. Ata nuk munden, pra, ta pastrojnë bërllokun që bartet me vete – ndërgjegjen. E zeza! Turp për ata që e kanë irrituar vogëlushin të flasë kështu keq!

O të dashur, sa më shumë që po zhvillohet teknologjia, aq më shumë po pavarësohen njerëzit, marrë përgjithësisht. Lëre se po jemi dëshmitarë ndaj pavarësimit nga njerëzit/miqtë, por po ngjan edhe pavarësim ndaj vlerave madje. Fare larg kaherë po jehon një zë që shumë vlerave u ka dalë boja.

Ndër viruset që do të përmendja është mospasja parasysh e hapësirës së tjetrit. Pra, po konsiderohet se i tërë parkingu duhet të jetë vetëm për veturën e njërit. Se lokali, ose pjesa më e mirë e lokalit, duhet të jetë vetëm për atë kapadaiun që po qëndron aty këmbë përmbi këmbë. Se Qabeja duhet të sillet rreth atij, e jo ai rreth saj. E nuk po vë asnjë thonjëz, se, paramendoni, ky llom është aktual tashmë në pothuaj se në të gjitha segmentet e sferat e jetës së përditshme. Është aq i njohur e aq i madh, saqë do të na rraset në veshë.

E njeriun e mençur mos e rrih, nëse do ta përzësh. Dëgjoni, o ju dhelprakë dredharakë! Po ju mësoj si bëhen këto gjëra. Mos e përzë atë që s'do ta kesh afër teje – atë që të pengon për shkak të arritjeve ose vlerave të tij. Mjafton të mos i lësh vend "për ta parkuar veturën e vet". Ji vetëm ti i mirë, dhe thuaji mendjes sate se askush tjetër nuk mundet as që të të mbërrijë. Ua qitët farën të gjithë njerëzve të mirë, bre. "Shumë të tillë jam kah i shoh duke u shpërngulur! Shumë njerëz të mirë jam kah i vërej që po shpërngulen ose që po bëhen gati për t'u shpërngulur!" A nuk po mendoni se po u villet prej njerëzve të ulët? Hë de, më thoni!

Transmetohet se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: "Më i mirë prej jush është ai që PËRZIHET me njerëz, dhe që u bën ballë provokimeve të tyre, sesa ai që nuk përzihet me ta!" Allahu Ekber! Kush e citoi këtë hadith, be, Allahu e çoftë në Xhennet, ja Rabbi! Sidoqoftë, po të ishte gjallë Pejgamberi, alejhi selam, do t'i thosha kështu: "O i Dërguari i Allahut, në shoqërinë tonë ka njerëz që s'të lënë as të përzihesh me ta. Jo se të thonë mos u përziej, por nuk të lënë vend që ta parkosh veturën në parkingun ku ata e kanë lënë. Hee, ore mik! Tash i kanë azhurnuar parimet, i marrtë pusi. Më parë haptazi ta bënin me dije se nuk të donin, por tash janë sofistikuar. Nuk të thonë tashmë direkt – si për anësh i dalin. Tani nuk të lënë vend as për t'i pështyrë diku... Desha të them për të pështyrë diku. Uf, si të qesin fare prej taktit edhe këta...!!!

O Allah, kurrë mos më sofistiko mua në atë shkallë saqë të jem i aftë të dëmtoj dikënd që s'e meriton! Mos më bëj pjesëtar të ndonjë qyteti ku ka ajër të pastër, e me "rrugë" të ndotura! Më mirë i fshatit të isha! Më mirë të isha më i rëndomtë. Dhe o Allah i Madhëruar, mos i lër "parkingjet" në duar të të marrëve! Të lutem, o Zot! Na jep hapësirë edhe neve të varfërve nga pak...!

http://ajoni.blogspot.com/2009/10/endje-per-tu-fshatarizuar.html

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme