Dej-juthizmi i burrit në raport me bashkëshortën

1. Dej-juthizmi dhe përkufizimi i çështjes

 

Dej-juthizmi si nocion identifikon mosxhelozinë e burrit ndaj bashkëshortes së vet, për diçka që natyrshën duhet të xhelozojë. Fjala ‘dej-juth’ (e që në gjuhën shqipe kjo fjalë njihet si ‘dojuz’ dhe është epitet shumë i keq), në hadithe të Pejgamberit a.s. ka ardhur pikërisht për atë burrë, i cili nuk xhelozon ndaj bashkëshortës së vet, qoftë kjo rreth dukjes së saj, veprimeve dhe tipareve të saj, që moralisht janë të papranueshme dhe fetarisht të ndalueshme. Përveç kësaj, ‘dej-juth’ nënkupton burrin “i cili nuk xhelozon ndaj familjes së vet e as nuk turpërohet” (ألذي لا يغار علي أهله و لا يَخْجَلُ).[1] Prandaj, në gjuhën arabe, ‘dej-juth’ quhet “bashkëshorti i gruas së pandershme” (زوج المرأة الفاسقة).[2]

Ndërkaq, me ‘dej-juthizëm’ në këtë punim kemi të bëjmë me qëndrimin e secilit bashkëshort, që e miraton zhveshurinë ekstreme të gruasë së tij, dhe nuk e kundërshton atë, e as e xhelozon, pa marrë parasysh se burrat e huaj, pa pasur asnjë qëllim, shohin pjesët vitale të trupit të saj. Për këtë qëndrim të shëmtuar, bashkëshorti është fajtor i drejtpërdrejtë, sepse ndikimi i tij në familje duhet të jetë i pashmangshëm dhe autoritativ.

 

I. NDIKIMI I BURRIT NË FAMILJE

 

1. Burri është kryesues i familjes

 

Prej aspekteve, që favorizojnë dominimin e burrit në familje është fakti se ai është i pari i familjes. Sikurse çdo organizim tjetër në shoqëri, që ka të parin e vet, edhe familja ka nevojë për një udhëheqës, që bartë barrën kryesore për të. Kur’ani Famëlartë, ka përcaktuar që në familje këtë funksion ta ketë mashkulli, pra burri. Allahu i Lartësuar në Kur’an ka thënë: “Burrat janë përgjegjës për gratë, ngase Allahu ka graduar disa mbi disa të tjerë…” (En-Nisa, 34); ndërsa Pejgamberi a.s. ka thënë:

كُلُّكُمْ رَاعٍ وَكُلُّكُمْ مَسْئُولٌ عَنْ رَعِيَّتِهِ الْإِمَامُ رَاعٍ وَمَسْئُولٌ عَنْ رَعِيَّتِهِ وَالرَّجُلُ رَاعٍ فِي أَهْلِهِ وَهُوَ مَسْئُولٌ عَنْ رَعِيَّتِهِ وَالْمَرْأَةُ رَاعِيَةٌ فِي بَيْتِ زَوْجِهَا وَمَسْئُولَةٌ عَنْ رَعِيَّتِهَا

“Çdo njëri prej jush është bari dhe çdo njëri prej jush është përgjegjës për tufën e tij. Imami (prijësi) është bari dhe është përgjegjës për tufën e tij. Burri është bari në familjen e vet dhe përgjegjës për tufën e tij, gruaja në shtëpinë e bashkëshortit të vet është përgjegjëse për tufën e saj…”[3]

I pari i familjes, bashkëshorti, bartë përgjegjësinë e udhëheqjes së familjes dhe ndërtimin e saj sipas dispozitave të fesë islame. Nga ky aspekt, atij i takon që të ushtrojë ndikimin e tij, që secili anëtar i familjes ta jetojë jetën sipas besimit islam. Rrjedhimisht edhe ndaj bashkëshortes, që ajo ta mbulojë trupin e vet. Të vishet sipas rregullave të sheriatit islam dhe të distancohet prerazi nga çdo formë e zhveshurisë. Me ‘zhveshuri’, është për qëllim ekspozimi i trupit të femrës (përpos të lejueshmeve siç janë: fytyra, duart dhe këmbët gjer në zogtha) ndaj meshkujve të huajë, me të cilët potencialisht lejohet martesa, pamarrë parasysh nëse kjo bëhet duke lakuriqësuar një pjesë të trupit, apo duke veshur rroba të ngushta, të tejdukshme dhe provokative.

 

2. Burri e ka ‘emanet’ bashkëshorten

 

Burri është ai që e merr për sipër gruan dhe jo e kundërta. Allahu ka dashur që natyrshën gruaja t’i ketë disa kufizime qeniesore, gjë që burri nuk i ka. E, pikërisht për këto, burri është epror i bashkëshortes: “… e burrave u takon një përparësi ndaj tyre (grave).” (El-Bekare, 228). Kjo epërsi e burrit, nuk është e fituar nga ana e tij, por është autorizim nga Krijuesi. Si e tillë nuk është themeluar për t’i bërë privilegj burrit, ndonëse pa e mohuar edhe këtë, por më shumë për t’i dhënë përgjegjësi atij, e tëra kjo bazuar në favoret qeniesore të mashkullit kundrejt gruas. Pasiqë, burri, në parim është përgjegjës për të siguruar gjërat jetike të familjes përfshirë ushqimin pijen, veshmbathjen dhe gjerat e tjera që i nevojiten familjes, e që duhet siguruar jashtë ambientit familjar. Gruaja, marrë parasysh edhe shenjtërinë e moralit, pastaj se ajo jashtë shtëpisë nuk i lejohet të udhëtojët pa “mahremin” (mashkullin me të cilin i ndalohet martesa), pastaj se është e dobët fizikisht, nuk është ngarkuar me sigurimin e jetesës. Njëherit, kjo e privon atë, që të pavarësohet në jetën e saj. Si e tillë, është e mbështetur në burrin e vet për çdo nevojë të saj dhe është emanet i tij prej Allahut, kështu e ka saktësuar Pejgamberi a.s., në ligjëratën e tij në haxhin lamtumirës, kur para të pranishmëve ka thënë:

وَاسْتَوْصُوا بِالنِّسَاءِ خَيْرًا فَإِنَّهُنَّ عِنْدَكُمْ عَوَانٌ لَا يَمْلِكْنَ لِأَنْفُسِهِنَّ شَيْئًا. وَ إنَّكُمْ إنَّمَا أخَذْتُمُوهُنَّ بِأَمَانَةِ اللهِ و اسْتَحْلَلْتُمْ فُرُوجَهُنَّ بِكَلِمَةِ اللهِ

 “Ju porosis që ndaj grave të jeni të kujdesshëm, sepse ato janë nën betimin tuaj dhe nuk e kanë të lejuar që të bëjnë çfarëdo qoftë vetë. Allahu ua ka dhënë gratë në emanet dhe Ai ju ka lejuar që t’u afroheni…”[4]

 

3. Burri e dikton veshjen e bashkëshortes

 

Fakti që burri është përgjegjës për çështje të rëndësishme, siç është sigurimi i jetesës, rezulton se ai ka të drejta të mëdha në familje, respektivisht ndaj bashkëshortes. Bazuar në këtë relacion, është themeluar dhe sistemuar sfera e marrëdhënieve ndërbashkëshortore, përfshirë, fejesën, lidhjen e kurorëzimit, pastaj të drejtën për shkurorizim, etj., ku në të gjitha rastet burri ka epërsinë e iniciativës. Po ashtu i është dhënë e drejta që, në rast nevoje të ndërmarrë edhe masa diciplinore ndaj asaj gruaje, që tregon shenja kryelartësie apo mosrespekti (shih: En-Nisa, 34).

Në këto rrethana, burri e ka të drejtën e tij të rezervuar për dukjen dhe përcaktimin e veshjesë së bashkëshortes sipas regullave të sheriatit. Gruas i mbetet të zgjedhë masën dhe shijen, por jo sferën e mbulimit të pjesëve të trupit. Kjo është e rregulluar nga Allahu. Kundrejt kërkesave sheriatike të burrit, gruasë nuk i lejohet kurrfarë padëgjueshmërie. Pejgamberi a.s. ka thënë:

وَ لَا يَأْتِينَ بِفَاحِشَةٍ فَإِنْ فَعَلْنَ فَإنَّ اللهَ قَدْ أَذِنَ لّكُمْ أنْ تَعْضُلُوهُنَّ وَ تَهْجُرُوهُنَّ فِي الْمَضَاجِعِ وَ تَضْرِبُوهُنَّ ضَرْبًا غَيْرَ مُبَرِّحٍ فَإِنْ إِنْتَهَيْنَ وَ أَطَعْنَكُمْ فَعَلَيْكُمْ رِزْقُهُنَّ وَ كِسْوَتُهُنَّ بِالمَعْرُوفِ

“Atyre (grave) kurrfarë pandigjese nuk u lejohet, e nëse megjithatë e bëjnë, Allahu ju lejon, që t’i largoni prej vetes, që të ndaheni prej tyre në shtrat, t’i rrahni, por jo tepër. Nëse heqin dorë prej kësaj dhe bëhen prap të dëgjueshme, duhet t’u jepni ushqim dhe veshmbathje si i ka hije.” [5] Fjala “el-ma’ruf” – si i ka hije, që ka ardhur këtë hadith, e ka kuptimin “në përshtatje të plotë me fenë dhe traditën”. Prandaj, në relacionet bashkëshortore, bashkëshortja mbetet e obliguar, që t’i përshtatet ambicjeve të burrit. Të vishet sipas dëshirës së tij, Të zbukurohet vetëm për të. T’i përgjigjet kërkesave të tij. T’i përmbush porositë e tij. Dhe ta respektojë maksimalisht atë.

Për dëgjueshmërinë që gruaja duhet të tregojë ndaj bashkëshortit, më së miri tregon edhe ky hadith: Transmeton Kajs bin Sa’d, i cili ka thënë:

عَنْ قَيْسِ بْنِ سَعْدٍ قَالَ أَتَيْتُ الْحِيرَةَ فَرَأَيْتُهُمْ يَسْجُدُونَ لِمَرْزُبَانَ لَهُمْ فَقُلْتُ يَا رَسُولَ اللَّهِ أَلَا نَسْجُدُ لَكَ فَقَالَ لَوْ أَمَرْتُ أَحَدًا لَأَمَرْتُ النِّسَاءَ أَنْ يَسْجُدْنَ لِأَزْوَاجِهِنَّ لِمَا جَعَلَ اللَّهُ عَلَيْهِنَّ مِنْ حَقِّهِمْ

“Erdha te një vend i gjelbëruar, kur i pash njerëzit se i bënin sexhde një Merzubani - Satrapi[6] të tyre, e unë thash: O i Dërguari i Allahut, a mos të bëjmë sexhde ty? (Pejgamberi a.s.) Tha: sikur të urdhëroja që ndaj dikujt prej njerëzve të bëhet sexhde, do t’i urdhëroja gratë që të bëjnë sexhde ndaj burrave të tyre, pasiqë Allahu u ka mundësuar të drejta në burrat e tyre.”[7]

 

II. PËRGJEGJËSIA E BURRIT PËR ZHVESHURINË E BASHKËSHORTES

 

1. Burri është përgjegjës për zhveshurinë e bashkëshortes

 

Nga ajo që u tha më lartë, u vërtetua se burri është i pari i familjes dhe mban përgjegjësi për bashkëshorten e tij, në të gjitha aspektet, pra edhe për (zh)veshjen e saj. Gjersa koncepti i veshjes së gruas ndodh sipas miratimit të burrit, kjo do të thotë se edhe zhveshuria e saj, ndodh me dijen e tij. Këtu fillon përgjegjësia e burrit për veshjen e keqe të gruas apo për lakuriqësimin e pjesëve vitale të trupit të saj. Ai është përgjegjës për lejimin e një veshje të këtillë dhe mospengimin e saj. Sepse, burri ashtu sikurse di të ngrejë zërin e tij kundër ndonjë veprimi të gruas në cilësinë e saj si amvise, po ashtu ai di të ngrejë zërin edhe kundër (zh)veshjes së saj. Veçanërisht kur dihet se burri është mirëmbajtës i familjes, ndërsa gruaja është vartëse e tij. Pra, faji kryesor qëndron te burri, i cili nuk e obligon bashkëshortën e tij që të duket si i ka hije njeriut.

Le të themi se, ka prej burrave, që nuk e kanë vetëdijën e mjaftueshme islame, sa të binden, se gratë e tyre të vejnë mbulesën islame. Por, ata, për një arsye apo tjetër, kanë një vetëdije të arsyeshme se gruaja nuk guxon të dalë jashtë shtëpisë së saj me veshje ekstravagante dhe zhveshje ekstreme. Megjithatë, me këtë qëndrim të tyre, sado pak të matur, tregojnë një përgjegjshmëri bashkëshortore, anipse mbulesa është rruga e vetme e mirë, dhe e kundërta e saj është mëkat. Meshkujt e këtillë, duket se kanë një vlerësim të pranueshëm për shenjtërinë e moralit publik, pasiqë ushtrojnë ndikim te bashkëshortet e tyre, që ato ta mbulojnë pjesën dërrmuese të trupit të tyre dhe mos ta vënë trupin e zhveshur të tyre në diskurs të marketingut moral. Prandaj, këto tipa të burrave mund të shpëtojnë nga të qenurit ‘dej-juthistë’.

Mirëpo, në anë tjetër, çfarë mund të thuhet për ata bashkëshortë, që bashkëshortet e tyre manifestojnë zhveshuri ekstreme, e ata i gëzohen kësaj? A thua këtë e bëjnë, që gratë e tyre të duken sa më atraktive te meshkujt e tjerë? A thua, dëshirojnë që gratë e tyre nëpërmjet zhveshjes të imitojnë kulturat e brishta të kohës, që janë bërë sinonim i çmoralizimit? A janë të vetëdijshëm burrat e këtillë se, ç’u duhet njerëzve të huajë, shpalosja e gjoksave, ravijëzimi i trupit e belit, për sa kohë që ata e dijnë, po edhe gratë se, interferimi i imazhit të tyre, është i rezervuar për atraksion seksual? A, mos do të thotë kjo se me këto veprime po synohet oferta e (ç)moralit dhe gatishmëria për të? Çfarë, në të vërtetë po synohet…?

Për hirë të prirjes për kah e mira, mund ta pranojmë se asnjëri prej këtyre qëllimeve nuk synohet!? Por, megjithatë konstatimi në vijim, mbase është i vërtetë: gratë që demonstrojnë zhveshje ekstreme dhe provokative, me dukjen e tyre jonormale e nëpërmjet trupit të tyre, përgjithësisht synojnë tërheqjen e vëmendjesë së meshkujve për respektim ndaj tyre, duke u bazuar në konceptin e provokimit emocional dhe epshor.  Prandaj, të gjithë ata bashkëshortë, që lejojnë dhe miratojnë një dukuri të këtillë të bashkëshorteve, kanë treguar haptazi mjerimin e burrërisë, pafuqishmërinë e tyre, që gruan ta kenë atraksion vetëm për vete dhe si të tillë janë bërë pjesë e dej-juthizmit.”

Sepse, me këtë miratim të tyre, ata e kanë rrënuar konceptin e mirëqenies së njeriut, dhe për këtë kanë përgjegjësi para Allahut. Thuhet se, xhelozia e mashkullit për ruajtjen e përvetësimit të femrës, është një instinkt i lindur te të gjithë meshkujt, prej njerëzve dhe kafshëve, përpos një lloj prej tyre, e me sa kemi dëgjuar apo lexuar, ai është derri. Të gjithë kafshët xhelozojnë në përvetësimin e femrës, madje dëshirojnë që asnjë mashkull tjetër mos të afrohet pranë saj, përveç derrit, i cili nuk mërzitet për këtë. Ky është një leksion i mirë për njeriun. E, burri që nuk e xhelozon bashkëshortën e vet dhe as nuk turpërohet për të pahijshmet e saj si dhe për shpalosjen e pjesëve vitale të trupit të saj, në hadithet e Pejgamberit a.s. është quajtur dej-juth. Ai, në ditën e Gjykimit do të ketë dënim të rëndë. Transmeton Abdullah Ibnu Omer se Pejgamberi a.s. ka thënë:

أَنَّ رَسُولَ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ قَالَ ثَلَاثَةٌ قَدْ حَرَّمَ اللَّهُ عَلَيْهِمْ الْجَنَّةَ مُدْمِنُ الْخَمْرِ وَالْعَاقُّ وَالدَّيُّوثُ الَّذِي يُقِرُّ فِي أَهْلِهِ الْخَبَثَ

 “Tre vetave Allahu ia ka ndaluar xhennetin: konsumuesit të alkoolit, i cili vdes pa u penduar, fëmisë që nuk i përmbush detyrimet e veta ndaj prindërve, dhe dej-juthit (joxhelozi ndaj familjes së vet), që e miraton të keqen (ndytësinë) në familje.”[8]

 

2. Burri është përgjegjës për mosruajtjen e familjes

 

Bashkëshorti i cili pajtohet me veprimet e pahijshme të grus së vet, ka rënë në mëkat edhe nga aspekti i mosruajtjes së familjes së tij nga ato veprime, që Allahu i ka cilësuar se janë të ndaluara dhe çojnë në zjarr të xhehennemit. Kundrejt kësaj, Allahu i lartësuar ka urdhëruar në Kur’an:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آَمَنُوا قُوا أَنْفُسَكُمْ وَأَهْلِيكُمْ نَارًا وَقُودُهَا النَّاسُ وَالْحِجَارَةُ

“O ju që besuat, ruane veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët…” (Et-Tahrim, 6). Porosia e ajetit, pikërisht i adresohet të parit të familjes – burrit. Po ashtu, më lartë është cituar se Pejgamberi a.s. ka thënë: “burri është përgjegjës për tufën e tij…” Bashkëshorti është i obliguar që të ruajë vetveten e tij dhe familjen e vet prej atyre punëve që janë të dëmshme dhe që janë shkak i dënimit me zjarrë. Allahu i Lartësuar, bashkëshorten ia ka lënë emanet burrit, ndërsa burri, në këtë rast jo se nuk kujdeset në mënyrë më të mirë për këtë emanet, por ai atë e bën simbol të së keqes. Sepse, gjersa bashkëshorti e përkrah gruan e vet, moralisht dhe materialisht në veprimet e pahijshme të saj, e cila pa kurrfarë turpi promovon ekstravagancë dhe veshje joislame, ai është bashkëpjesëmarrës në të keqen e saj. Përgjegjësia e tij, pa dyshim është e madhe dhe rëndohet, në proporcion me imazhin e keq, që përshfaq bashkëshortja. Sepse, mbulesa nuk është vetëm për arsye individuale, por ajo bëhet mbi të gjitha për të ruajtur moralin publik, respektivisht për të penguar rënien e moralit dhe përhapjen e imoralitetit. Veç kësaj, bashkëshortja me veshje të pahijshme dhe joislame, shndërrohet në një ikonë destruktive edhe për fëmijtë, të cilët janë të prirur për t’i ndjekur prindërit. Në të gjitha rastet, jo vetëm bashkëshortja, por edhe bashkëshorti për shkak të pozitës së tij qëndrore në familje, nuk mund të shfajësohet dot nga përgjegjësia.

 



[1]El-Mu’xhemul vesit”- ½, (grup autorësh), Stamboll, Turqi, 1989/1410, fq. 306.

[2] Dr.Ruhi El-Balbaki, “El-Mevrid”-  kamus arebij-inklizij, 1997, Bejrut, fq. 558.

[3] Sahihul Buhari, kitabul xhum’ati, babu: el-xhum’atu fil kura vel mudun, nr. 844.

[4] Dr. Jusuf Ramiç “Hutbe të zgjedhura të Muhamedit a.s.” – përkth. Nexhat Ibrahimi e Miftar Ajdini, botimi i dytë, 1417/1997, Prizren, fq. 105-106.

[5] Dr. Jusuf Ramiç “Hutbe të zgjedhura…” op.cit. fq.104.

[6] Emri ‘Merzuban’, që përkthehet si Satrap, është emri i një gjykatësi të një province të vjetër persiane.

[7] Suneni i Daremiut, kitabu: es-salatu, babu: en-nehju en jesxhude liehadin, nr. 1427.

[8] Musnedi i Ahmedit, kitabu: musnedul muketh-thirine mines-sahabeti, babu: Musnedu Abdilah bin Omer bin El-Hattab, nr. 5117.

 

(Punimi është botuar në revistën e BIK-ut “Dituria Islame”, nr. 231/2009)

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme