Traditat Islame dhe Lëvizja Feministe: Konfrontim apo Bashkëveprim?

Lois Lamya el Faruki


Traditat Islame dhe Lëvizja Feministe:

Konfrontim apo Bashkëveprim?


Kudo që jetojnë, në Lindjen e Mesme apo në Afrikë, në Azinë Qëndrore, në Pakistan, në Azinë Juglindore, apo në Europë dhe Amerikë, gratë muslimane priren për të vlerësuar lëvizjen feministe paksa me shqetësim. Megjithëse ekzistojnë disa tipare të kauzës feministe, me të cilat ne si muslimanë do të dëshironim të bashkonim duart, tipare të tjera shkaktojnë zhgënjimin dhe madje kundërshtimin tonë. Si rrjedhim, nuk ekziston një përgjigje e thjeshtë apo “cekëse”, ndaj çështjes së bashkëpunimit apo të konkurencës së ardhme, të cilën lëvizja feministe mund të hasë në një mjedis islam.

Ekzistojnë, megjithatë, një numër traditash sociale, psikologjike dhe ekonomike, të cilat drejtojnë të menduarit e shumë muslimanëve dhe të cilat, veçanërisht, ndikojnë në statusin dhe rolin e gruas në shoqërinë islame. Të kuptuarit e këtyre, mund të na ndihmojë ne të kuptojmë problemet, të cilat prekin statusin dhe rolet e meshkujve dhe të femrave, dhe se si ne duhet të reagojmë ndaj lëvizjeve, të cilat synojnë të përmirësojnë situatën e grave, në çfarëdo vendi ku muslimanët jetojnë.

Sitemi Familjar: Një prej traditave islame, e cila do të ndikonte në mënyrën, me të cilën gratë muslimane do të reagonin ndaj ideve të lëvizjes feministe është mbrojtja, në kulturën islame, e një sistemi të zgjeruar familjar, më mirë se sa e një sistemi familjar bërthamë. Disa familje muslimane janë “residencialisht të zgjeruara” – që do të thotë, se anëtarët e tyre, jetojnë bashkërisht, me tre apo katër gjenerata të farefisit (gjyshërit, prindërit, xhaxhallarët, hallat dhe pasardhësit e tyre), në një ndërtesë të vetme apo kompleks të bashkuar. Madje, edhe kur kjo mënyrë e banimit të familjes së zgjeruar, nuk është e mundur apo nuk zbatohet, lidhjet familjare, duke u shtrirë përtej njësisë bërthamë, janë dukshëm lidhje të forta psikologjike, sociale, ekonomike dhe madje edhe politike. Përkrahjet dhe përgjegjësitë reciproke, që veprojnë në këto grupe tepër të gjëra të një gjaku, nuk kosiderohen vetëm të dëshirueshme, por ato ligjërisht shkaktojnë obligime mbi anëtarët e shoqërisë, sipas ligjit islam. Vetë Kur’ani i Shenjtë nxit drejt solidaritetit të familjes së zgjeruar; përveç kësaj, ai përcakton me hollësi shtrirjen e përgjegjësive të tilla dhe përmban sasitë urdhëruese për trashëgiminë, përkrahjen dhe ndërvarësitë e tjera të afërta, brenda familjes së zgjeruar.1

Traditat tona islame, gjithashtu, porositin një pjesëmarrje shumë më të fuqishme të familjes, në kontraktimin dhe ruajtjen e martesave. Ndërsa pjesa më e madhe e feministeve perëndimore, do t’a nënçmonin pjesëmarrjen e familjes, apo martesat e rregullura (në bazë të marrëveshjeve paraprake), si një influencë negative, për shkak të kufizimit të dukshëm të lirisë dhe përgjegjësisë së tyre individuale, ne si muslimanë do të duhet të argumentojmë, se pjesëmarja e tillë është dobiprurëse edhe për individët, edhe për grupet brenda shoqërisë. Kjo, jo vetëm i siguron martesat, që bazohen mbi parime më të shëndosha, sesa ato të bazuara në magjepsjen fizike dhe tërheqjen seksuale, por kjo siguron masa të tjera ruajtjeje për vazhdimësinë e suksesshme bashkëshortore. Anëtarët e familjes, sigurojnë shoqërueshmëri të shumëllojshme, si edhe burime të gatshme të këshillës dhe mirëdashjes për të sapomartuarit, derisa ata të përshtasin mënyrën e të sjellurit ndaj njëri-tjetrit. Njëra palë e martesës, nuk mund të ndjekë lehtësisht një drejtim ekscentrik në dëm të bashkëshortit (tjetër), mbasi një sjellje e tillë do të ngjallte kundërshtim prej grupit më të gjërë. Për këtë arsye, grindjet nuk janë kurrë shkatërruese ndaj lidhjes martesore, derisa anëtarë të tjerë të rritur të familjes, veprojnë si ndërmjetës dhe sigurojnë burime alternative të shoqërimit dhe këshillojnë mosmarrëveshjet pasuese. Problemet e papajtueshmërisë midis brezave (të prindërve dhe të fëmijëve), gjithashtu lehtësohen, dhe klubet e të vetmuarve dhe byrotë e takimeve, do të jenë mbështetje të panevojshme për bashkëveprim social. Në familjen e zgjeruar, fëmijët e prindërve që janë në marrëdhënie pune, nuk e ndiejnë nevojën e të qenit të pambrojtur, të papërkujdesur apo të dashurisë dhe të shoqërizimit të pamjaftueshëm, sepse shtëpia e familjes së zgjeruar nuk është kurrë e zbrazët. Si rrjedhim, nuk ekziston ndjenja e fajit, të cilin prindërit e punësuar, shpesh e ndiejnë në një organizim të ngushtë familjar. Tragjedia, madje divorci, nuk janë aq ligështuese ndaj të rriturve apo fëmijëve të tjerë, përderisa njësia më e madhe sociale, i përthith numrat e (anëtarëve) të mbetur me lehtësi shumë më të madhe, se sa që mund të realizojë ndonjëherë një organizim i ngushtë i familjes.

Të larguarit prej bashkëlidhshmërisë, të cilën familja e gëzonte dikur në shoqërinë perëndimore, fillimi i llojeve familjare alternative, zakonisht më të vogla, dhe lartësimi në rritje i individualizmit, të cilin shumë feministe e përkrahin apo të paktën e praktikojnë, nuk pajtohen me këto zakone dhe tradita islame të rrënjosura thellë. Nëse lëvizja feministe, në botën muslimane, vendos që të përkrahë modelet familjare perëndimore, kjo natyrisht, duhet dhe do të kundërshtohet fuqimisht, prej grupeve të grave muslimane dhe prej shoqërisë islame në tërësi.

Individualizmi dhe Organizimi më i Gjërë: Përkrahja tradicionale e organizimit të zgjeruar familjar dhe të ndërlidhur fuqimisht, është e bashkëlidhur me tradita të tjera islame, të cilat duken se bien në kundërshtim me prirjet e kohës së fundit dhe të ideologjisë feministe. Islami dhe gratë muslimane në tërësi, përkrahin plotësimin e synimeve dhe interesave individuale, që i përshtaten mirëqenies së grupit më të gjërë dhe anëtarëve të tij. Në vend të marrjes së synimeve të individit si supreme, Islami ngulit tek pasuesit, ndjenjën e vendit, të tij apo të saj, brenda familjes dhe të përgjegjësisë së tyre, ndaj këtij grupi. Kjo, nuk perceptohet apo përjetohet prej muslimanëve, si shtypje e individit. Tradita të tjera, të cilat do të shqyrtohen më vonë, i garantojnë atij apo asaj, personalitet ligjor. Si rrjedhim, lëvizja feministe nuk do të mbështetet prej grave muslimane, si një qëllim që të synohet pa përfillur marrëdhëniet e femrës ndaj anëtarëve të tjerë të familjes së saj. Gruaja muslimane i konsideron synimet e saj si të nevojshme për një balancim, apo madje në vartësi, me ato të grupit familjar. Individualizmi i pafrenueshëm i përjetuar në jetën bashkëkohore, i cili i trajton synimet e individit të veçuara prej faktorëve të tjerë, apo si krejtësisht supreme, shkon kundër një angazhimi të thellë islam, drejt varësisë së ndërsjellë sociale.

Diferencimi i Rolit të Sekseve: Tradita e tretë islame, e cila ndikon në të ardhmen e çfarëdo lëvizjeje feministe, në një ambient islam, është se ajo përcakton një diferencim të roleve dhe përgjegjësive të mashkullit dhe të femrës në shoqëri. Feminizmi, siç paraqitet në shoqërinë perëndimore, përgjithësisht e ka mohuar çfarëdo diferencimi të tillë dhe ka kërkuar një lëvizje drejt një shoqërie uniseksuale, me qëllim që të arrihen të drejta të barabarta për gratë. Me “shoqëri uniseksuale”, unë dua të them një shoqëri, në të cilën parapëlqehet dhe respektohet një formë e vetme e roleve dhe e punëve, prej të dy gjinive dhe (ajo formë) synohet prej të gjithë anëtarëve të shoqërisë, pavarësisht prej gjinisë dhe dallimeve të moshës. Në rastin e lëvizjes feministe perëndimore, synimet e parapëlqyera kanë qenë ato, të përmbushura tradicionalisht prej anëtarëve meshkuj të shoqërisë. Roleve të mbështetjes financiare për sigurimin e jetesës, të suksesit në karrierë, dhe të marrjes së vendimit, u është dhënë një respekt dhe kujdes jashtëzakonisht i madh, ndërsa ato që kanë të bëjnë me çështjet shtëpiake, me përkujdesjen e fëmijëve, me rifreskimin estetik dhe psikologjik, me marrëdhëniet e ndërsjellta sociale, janë zhvleftësuar apo madje përçmuar. Edhe burrat edhe gratë, janë sforcuar në një kallëp të vetëm, i cili është ndoshta më tepër kufizues, i ashpër dhe shtrëngues, se sa ajo (formë) që dikur paracaktonte burrat në rolin e një lloji, dhe gratë në rolin e një lloji tjetër.

Kjo është një damkë e re e shovinizmit mashkullor, me të cilin traditat islame nuk mund të pajtohen. Islami, në vend të kësaj, pohon se të dy llojet e roleve, meritohen barazisht të ndiqen dhe të respektohen, dhe se kur shoqërohen me drejtësinë e kërkuar prej fesë, një ndarje e punës sipas gjinive është përgjithësisht e dobishme ndaj të gjithë anëtarëve të shoqërisë.

Kjo mund të konsiderohet prej feministes si hapje e derës drejt diskriminimit, por ne, si muslimanë, i konsiderojmë traditat islame si të pozicionuara qartësisht dhe përcaktueshmërisht për përkrahjen e drejtësisë mashkull-femër. Në Kur’an, nuk është bërë kurrfarë dallimi midis gjinive, në lidhje me Zotin. “Nuk ka dyshim se për muslimanët dhe muslimanet, besimtarët e besimtaret, adhuruesit e adhurueset, të sinqertit e të sinqertat, durimtarët e durimtaret, të përvuajturit e të përvuajturat, sadakadhënësit e sadakadhënëset, agjëruesit e agjërueset, ruajtësit e nderit e ruajtëset e nderit, shumë përmendësit e All-llahut e shumë përmendëset e All-llahut, All-llahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh.” (33:35). “Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne Do t’i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë ) e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.” (16:97).2

Ky diferencim i rolit apo funksionit bëhet vetëm në lidhje me njëri-tjetrin dhe shoqërinë. Të drejtat dhe përgjegjësitë e një gruaje janë të barabarta ndaj atyre të një burri, por ato nuk janë domosdo identike me të tyret. Barazia dhe identiteti janë dy gjëra të ndryshme; traditat islame pohojnë: e para e dëshirueshme, e dyta jo. Si rrjedhim burrat dhe gratë duhet të jenë plotësues të njëri-tjetrit, në një organizim multi-funksional, më mirë se sa të konkurojnë me njëri-tjetrin, në një shoqëri uni-funksionale.

Barazia e kërkuar prej traditave islame, megjithatë, duhet të shihet në kontekstin e saj më të gjerë, në mënyrë që ajo të kuptohet siç duhet. Duke qenë se muslimanët e konsiderojnë diferencimin e roleve të gjinive, si të natyrshëm dhe të dëshirueshëm në shumicën e rasteve, përgjegjësitë ekonomike, të anëtarëve meshkuj dhe femra, ndryshojnë për të siguruar një ekuilibrim të ndryshimeve fizike midis burrave dhe grave dhe për përgjegjësitë më të mëdha që gratë mbajnë në veprimtarinë riprodhuese dhe të rritjes së fëmijëve, aq të domosdoshme për mbarëvajtjen e shoqërisë. Që të mbrosh, si rrjedhim, se burrat e familjes janë përgjegjës për sigurimin nga ana ekonomike të grave, apo se gratë nuk janë përgjegjëse në mënyrë të barabartë, kjo nuk është dislokim apo mohim i drejtësisë gjinore. Kjo është një detyrë për t’u përbushur prej burrave, si kompesim për përgjegjësi të tjera, të cilat përfshijnë aftësitë e veçanta të grave. Gjithashtu, përqindja e ndryshme e trashëgimisë për meshkujt dhe femrat 3, e cila aq shpesh citohet si një shembull i diskriminimit kundrejt grave, nuk duhet parë si një urdhër i veçuar. Ai s’është veçse një pjesë e sistemit të gjithanshëm, në të cilin gratë nuk mbajnë përgjegjësi ligjore për të mbajtur anëtarët e tjerë të familjes, por në të cilën, burrat detyrohen prej ligjit, si edhe prej zakonit, për të mbajtur (me ushqim, veshje, etj.) të gjitha të afërmet e tyre femra.

A do të thotë kjo, se traditat islame, domosdoshmërisht, paracaktojnë ruajtjen e status quo-s në shoqëritë islame që ekzistojnë sot? Përgjigja është e qartë: ”Jo”. Shumë muslimanë të mençur – burra dhe gra – do të pajtoheshin, se shoqëritë e tyre nuk i përmbushin idealet dhe traditat, që gjenden në Kur’an dhe përforcohen prej shembullit dhe udhëzimeve të Profetit Muhammed s.a.v.s. Është njoftuar në Kur’an dhe na bëhet me dije prej historisë, se gratë jo vetëm shprehnin mendimet e tyre lirisht në prezencën e Pejgamberit, por gjithashtu argumentonin dhe merrnin pjesë në diskutime serioze me vetë Pejgamberin dhe udhëheqës të tjerë muslimanë të kohës (58:1). Gratë muslimane, dihet madje të mos kenë qenë në një mendje me halifë të caktuar, të cilët më vonë kanë pranuar argumentet e bazuara të këtyre grave. Një shembull i veçantë ndodhi gjatë halifatit të ‘Umer ibn el Hattab 4. Kur’ani i qorton ata, që besojnë se gratë janë inferiore ndaj burrave (16:57-59) dhe, në mënyrë të përsëritur, shprehet për nevojën e trajtimit të burrave dhe të grave me paanësi (2:228, 231; 4:19, dhe kështu në vazhdim). Si rrjedhim, nëse gratë muslimane përjetojnë diskriminim në ndonjë vend apo kohë, ato nuk dhe nuk duhet t’a vendosin fajin mbi Islamin por mbi natyrën jo-islame të shoqërive të tyre dhe të pamjaftueshmërisë së muslimanëve, pët të përmbushur direktivat e tij.

Status i Veçuar Ligjor për Gratë: Tradita e katërt islame, që ndikon në të ardhmen e feminizmit në shoqëritë muslimane, është statusi ligjor i veçuar për gratë, që kërkohet prej Kur’anit dhe Sheriatit. Çdo individ musliman, qoftë mashkull apo femër, mban një identitet të veçantë prej djepit deri në varr. Ky personalitet ligjor i mëvetësishëm i paracakton çdo gruaje të drejtën për të kontraktuar, për të drejtuar biznesin, për të fituar dhe zotëruar pasurinë në mënyrë të pavarur. Martesa nuk ka pasoja mbi statusin e saj ligjor, pronën e saj, fitimet e saj – apo madje mbi vetë emrin e saj. Nëse ajo kryen ndonjë shkelje civile, dënimi i saj s’është as më pak, e as më shumë sesa i një burri në një rast të ngjashëm (5:83; 24:2). Nëse asaj i bëhet padrejtësi apo dëmtohet, asaj i jepet e drejta për kompesim në mënyrë të njëjtë, sikurse edhe një burri. Kërkesa feministe për status ligjor të mëvetësishëm për gratë është, si rrjedhim, kërkesë që përkrahet barazisht prej traditave islame.

Poliginia: Megjithëse marrja e shumë grave prej një burri, zakonisht quhet poligami, emërimi më i saktë sociologjik është poligini. Ky organizim është ndoshta tradita islame, më së shumti, e keqkuptuar dhe e dënuar furishëm, prej jomuslimanëve. Kjo është një traditë të cilën stereotipet hollivudiane “e luajnë fort” në vënien e tyre në lojë të shoqërisë islame. Përfytyrimi i parë, i ndjellë si me magji në mendjen e perëndimorit, kur përafrohet subjekti i Islamit dhe martesa islame, është ajo e një religjioni, i cili mbështet përmbushjen e dëshirave seksuale të anëtarëve meshkuj të shoqërisë dhe nënshtrimin e anëtareve femra të saj, nëpërmjet këtij institucioni.

Tradita islame, vërtet i lejon një burri të martohet me më tepër se një grua në të njëjtën kohë. Ky lehtësim, madje është vendosur prej Kur’anit (4:3) 5. Por, përdorimi dhe perceptimi i këtij institucioni, është larg stereotipit hollivudian. Poliginia, pa dyshim, nuk imponohet prej Isalmit dhe as është jë praktikë universale. Në vend të kësaj, ajo konsiderohet si përjashtim ndaj normës së monogamies dhe ushtrimi i saj kontrollohet fuqimisht prej presioneve sociale 6. Nëse shfrytëzohet prej burrave muslimanë, për të lehtësuar apo për të bërë të mundur përzierjen seksuale, kjo nuk është më pak e dënueshme, nga pikëpamja islame, se sa poliginia dhe tradhëtia bashkëshortore serike, dhe jo më pak e dëmshme ndaj shoqërisë. Muslimanët e vlerësojnë poligininë si një institucion, i cili duhet të vihet në veprim, vetëm nën rrethana të jashtëzakonshme. Si i tillë, ai përgjithësisht nuk konsiderohet prej grave muslimane si një kërcënim. Orvajtjet e lëvizjes feministe për t’u fokusuar mbi ç’rrënjosjen e këtij institucioni, me qëllim që të përmirësohet statusi i grave, si rrjedhim, do të hasnin në simpati apo përkrahje të pakët.



II. Direktiva për Lëvizjen Feministe në një Mjedis Islam



Çfarë mund të mësohet rreth pajtueshmërisë apo mospajtueshmërisë së ardhme të feminizmit, në një ambient musliman, prej këtyre fakteve rreth traditave islame? A ekzistojnë parime më të përgjithshme për t’u arrirë dhe direktiva për t’u marrë, me ata që punojnë për të drejtat e grave dhe të drejtat e njeriut në botë?

Papajtueshmëria Ndërkulturore e Feminizmit Perëndimor: Principi i parë dhe më kryesor shihet të jetë se, shumica e synimeve të feminizmit, siç konceptohen në shoqërinë perëndimore, nuk janë domosdo relevante apo të eksportueshme përtej kufijve kulturorë. Feminizmi, si një Lëvizje Perëndimore, zuri fill në Angli, gjatë shekullit të 18-të, dhe kishte si një prej qëllimeve të tij kryesore, çrrënjosjen e paaftësive ligjore, të imponuara mbi gratë, prej Ligjit të Përgjithshëm Anglez. Këto ligje, ishin veçanërisht diskriminuese për gratë e martuara. Ato kishin zënë fill, pjesërisht prej burimeve biblike (p.sh. idea se burri dhe gruaja bëhen “një trup” dhe ngarkimi i një natyre inferiore dhe madje mëkatare të Evës dhe të gjitha pasardhësve të saj femra) dhe pjesërisht prej zakoneve feudale (p.sh. rëndësia e bartjes dhe furnizimit të armëve për betejë dhe zhvleftësimi shoqërues i kontributeve femërore në shoqëri). Revolucioni Industrial dhe nevoja e tij për kontributin e grave si forcë punuese, e fuqizoi lëvizjen feministe dhe e ndihmoi atë, të mbështesë gradualisht anullimin e pjesës më të madhe të këtyre ligjeve diskriminuese.

Duke qenë se historia dhe trashëgimia e popujve muslimanë ka qenë radikalisht e ndryshme prej asaj të Evropës Perëndimore dhe Amerikës, feminizmi i cili do t’u apelonte grave muslimane dhe shoqërisë në përgjithësi, duhet të jetë përkatësisht i ndryshëm. Këto të drejta ligjore, të cilat gratë perëndimore i kërkuan në reformimin e Ligjit të Përgjithshëm Anglez, ishin tashmë të pohuara për gratë muslimane në shekullin e 7-të. Si pasojë, një përpjekje e tillë do të mbante një interes të paktë për gratë muslimane. Për më tepër, do të ishte e pavlefshme, për t’u përpjekur për të na ngjallur ne ineteres, për mendimet apo reformat, që janë në kundërshtim të plotë ndaj këtyre traditave, të cilat përbëjnë një pjesë të rëndësishme të kulturës sonë dhe të trashëgimisë sonë fetare. Është bërë një rezistencë tepër e madhe ndaj çfarëdo ndryshimi në ligjet e statusit personal të muslimanit, derisa ato mishërojnë dhe përforcojnë pikërisht traditat, të cilat ne i kemi diskutuar. Me fjalë të tjera, që lëvizja feministe të ketë sukses në një ambient islam, ajo duhet të jetë një formë vendase (indigjene) e feminizmit, më mirë sesa një formë e konceptuar dhe e kultivuar në një ambient të huaj, me probleme të ndryshme, me zgjidhje dhe synime të ndryshme.

Forma e një Feminizmi Islam: Nëse, synimet e feminizmit perëndimor, nuk janë të qëndrueshme për gratë muslimane, çfarë forme duhet të marrë një lëvizje feministe, për të siguruar sukses?

Para së gjithash, lëvizja duhet t’a dijë se, ndërsa në Perëndim, rrjedha kryesore e lëvizjes së grave, e ka shikuar fenë si një prej armiqve kryesorë të progresit dhe të mirëqenies së saj, gratë muslimane i vlerësojnë mësimet e Islamit si përkrahësin dhe mbrojtësin e tyre më të mirë. Porositë, që gjenden në Kur’an dhe në shembullin e pejgamberit Muhammed s.a.v.s., vlerësohen si ideal, drejt së cilave, gratë bashkëkohore dëshirojnë të kthehen. Përsa u përket grave muslimane, burimi i çfarëdo vështirësie të përjetuar sot, nuk është Islami dhe traditat e tij, por disa ndërfutje të huaja ideologjike në shoqëritë tona, injoranca dhe shtrembërimi i Islamit të vërtetë, apo shfrytëzimi prej individëve brenda shoqërisë. Është mungesa e vlerësimit të këtij fakti, që shkaktoi mosmarrëveshje dhe pikëllim të dyanshëm, kur përfaqësueset e lëvizjes së grave së Perëndimit, vizituan Iranin para dhe pas Revolucionit Islamik.

Së dyti, çfarëdo lëvizje feministe, e cila dëshiron të ketë sukses në një ambient islam, duhet të jetë një lëvizje, e cila nuk duhet të veprojë në mënyrë shoviniste, vetëm për interesin e grave. Traditat islame diktojnë se progresi i grave arrihet në mënyrë të njëpasnjëshme, me përpjekje të një shkalle të gjerë, për të mirën e të gjithë anëtarëve të shoqërisë. E mira e grupit apo tërësisë, është gjithmonë më vendimtare sesa e mira e ndonjë pjese të shoqërisë. Në fakt, shoqëria shihet si një tërësi organike, në të cilën mirëqenia e secilit anëtar apo organi është e domosdoshme për shëndetin dhe mirëqenien e çdo pjese tjetër. Si rrjedhim, rrethanat e pafavorshme të grave, duhet gjithmonë të kundërshtohen, duke u ndërthurur me përpjekjet për të lehtësuar ata faktorë, të cilët ndikojnë mbi burrat dhe segmente të tjera të shoqërisë.

Së treti, Islami është një ideologji, e cila ndikon shumë më tepër sesa në jetën rituale të një populli. Ai ndikon njëlloj në jetën e tyre sociale, politike, ekonomike, psikologjike dhe estetike. “Din”, i cili zakonisht konsiderohet si një ekuivalent për termin anglisht “religion”, është një koncept, i cili përfshin përveç atyre ideve dhe praktikave që zakonisht shoqërohen në mendjet tona me fenë, një spektër të gjerë praktikash dhe idesh, të cilat veprojnë pothuaj në çdo aspekt të jetës së përditshme të individit musliman. Islami dhe traditat islame, si rrjedhim, shihen sot prej shumë muslimanëve si burimi kryesor i kohezivitetit për kultivimin e një identiteti dhe stabiliteti për t’u bërë ballë influencave të huaja të ndërfutura, si edhe i bashkëveprimit të nevojshëm për të zgjidhur problemet e tyre të shumta bashkëkohore. Të mos tërheqësh vëmendjen për këtë fakt, apo të mos e vlerësosh plotësisht rëndësinë e tij për muslimanin – qoftë mashkull apo femër – kjo do t’a çonte çfarëdo lëvizje mbrojtëse të përmirësimit të pozitës së grave në vendet islame, drejt dështimit të sigurt. Vetëm nëpërmjet vendosjes së identitetit dhe stabilitetit, mund të arrihet vetë-respekti dhe të shfaqet një klimë më e shëndetshme për të dyja palët, si për burrat muslimanë ashtu edhe për gratë muslimane.

Përktheu nga anglishtja: MIMOZA SINANI

Shënime
1. Për shembull, shiko Kur’anin 2:177; 4:7, 176; 8:41; 16:90; 17:26; 24:22.
2. Shiko, gjithashtu, Kur’anin 2:195; 4:124, 32; 9:71-72.
3. ”All-llahu ju urdhëron për (çështjen e trashëgimit) fëmijët tuaj: për mashkullin hise sa për dy femra…” (Kur’an, 4:11).
4. Kemal ‘Awn, 1955, f.129.
5. “Martohuni me ato gra që ju pëlqejnë; me dy, tri e me katër. E nëse i frikësoheni padrejtësisë (ndaj tyre), atëherë vetëm me një, ose (martohuni) me ato që i kini nën pushtetin tuaj. Kjo është më afër që të mos gaboni”.
6. Duhet të kujtojmë se çdo grua, e cila dëshiron që martesa e saj të mbetet monogamike, mund t’a sigurojë këtë kusht, sipas Ligjit Islamik.


Referencat
Kemal Ahmed ‘Aun, El Mar’ah fi el Islam (Tanta: Sha’ravi Press, 1955).
Muhammed ‘Izzet Darwezah, El Dustur el Qur’ani fi Shu’un el Hajat (Kairo: Isa el Babi el Hababi, n.d.)
Mustafa el Siba’i, El Mer’eh bejnel Fikf uel Kanun (Alepo: El Mektebeh el ‘Arabijjah, publ. i parë. 1962).

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme