Alpet dridhen prej minareve

Referendumi i 29 nëntorit të 2009 për ndërtimin e minareve që e vuri në sprovë tolerancën fetare të zviceranëve e dëmtoi rëndë imazhin demokratik dhe tolerant të shoqërisë zvicerane që gjatë gjithë këtyre viteve merrej për shembull anekënd botës. Ja, tash u pa se shumë gjëra nuk janë ashtu si i dinë njerëzit, por kur vehen në sprovë vërtetohet e kundërta.
Edhe pse shumë zëra anekënd Evropës thirrën në përmbajtje dhe mosvlerësime që do ta thellojnë ende hendekun ndërmjet muslimanëve dhe shoqërisë zvicerane, ky referendum nuk mund të cilësohet ndryshe pos si racist dhe islamofobik, ngase i nëpërkëmbi vlerat demokratike në të cilat besojnë vetë zviceranët dhe evropianët në përgjithësi. Evropa dhe Zvicra në veçanti, janë mburur me atë se në shoqëritë e tyre respektohen të drejtat fetare të të gjitha komuniteteve, por ja që referendumi pozitiv për ndalimin e ndërtimit të minareve, e dëshmoi të kundërtën, gjegjësisht në kushtetutat e vendeve evropiane figuron neni i tillë, por popullata e shpreh të kundërtën në referdume.
Mandej, nuk ka si mos të vlerësohet në këtë mënyrë ky referendum i suksesshëm kur drejpërdrejt u referohet muslimanëve. Pra, mesazhi është i qartë dhe i drejpërdrejtë për muslimanët se nuk janë të dëshiruar me simbolet tyre fetare në shoqërinë zvicerane, gjegjësisht janë të mirëseardhur si pastrues, sharaxhi, gipsera. vozitës mjetesh transporti publik, vizitues diskotekash, klube nate, baresh etj, por jo edhesi besimtarë të devotshëm që kërkojnë ta shprehin identitetin e vet në shoqëri. Është e vërtetë se minaret nuk janë pjesë përbërëse e xhamive me karakter fetar, gjegjësisht xhamia është xhami edhe pa minare, mirëpo është e qartë se janë shndërruar në simbol të objekteve fetare të muslimanëve dhe si të tilla duhet të trajtohen nga të gjithë.
Referendumi është shqetësues edhe për faktin se nuk iu bë kamuflazhë si në rastin e Francës kur u ndaluan simbolet fetare në institucionet publike. Edhe pse ky vendim realisht i dëmtoi vetëm muslimanët, ngase prej tyre kërkohej që të heqin dorë në institucionet publike prej asaj që është obligim fetar, si që është rasti me mbulesën për femrat, prapseprap si vendim u kamuflua para opinionit duke mos bërë përcaktim të një bashësie fetare, por u shpall se i përfshinë të gjitha komunitetet. Në rastin e referendumit të Zvicrës target është vetëm një bashkësi fetare,
pra muslimanët. Kështu, bashkësitë tjera fetare nuk e kanë të ndalur të ndërtojnë kulla të këtilla pranë objekteve të tyre fetare, por kjo me kushtetutë u ndalohet vetëm muslimanëve. Kjo nuk mund të komentohet ndryshe pos si islamofobi e përdhosur.
Në këtë rast, nuk mund të jenë satisfaksionues as zërat e shumtë anekënd Evropës që e shprehën pakënaqësinë e tyre me atë që ndodhi në Zvicër, si që mund të përmendet deklarata e ministrit të jashtëm francez Bernar Kushner i cili shprehi keqardhje për rezultatet e referendumit, ngase këto zëra nuk u dëgjuan gjatë fushatës raciste kundër muslimanëve që u zhvillua tre muaj rresht para referendumit nga forcat djathtiste ekstreme në Zvicër.
Edhe pse fushata e këtyre rrymave ishte në kundërshtim me parimet demokratike të respektimit të të drejtave të njeriut dhe kultivimit të tolerancës ndërfetare, si dhe prekte në dinjitetin e bashkësisë fetare muslimane, asnjë zë serioz nuk u dëgjua në Evropë për ta gjykuar këtë kampanjë, pas së cilës ishte e natyrshme të pritej rezultati i këtillë.
U shfaqën bilborde me fotografi të minareve në formë të raketave dhe me një grua me fytyrë të mbuluar me tesha të
zeza, me qëllim që të futet frikë në popullatën zvicerane se shoqërisë së tyre i kanoset rrezik serioz nga islamizimi, sjellja e sheriatit dhe dominimi i islamit në trollin e tyre. Kjo pamje është provokative dhe e shtrembëruar për muslimanët dhe minaret në rastin konkret, në fakt është nënçmuese dhe nxitëse e jotolerancës ndërfetare, por, edhe përskaj kësaj, askush nuk reagoi me kohë seriozisht dhe as organet zvicerane nuk morrën masa konkrete për ta ndaluar një kampanjë të këtillë raciste që shkel dinjitetin e një bashkësie fetare dhe që ngjall urrejtje ndërfetare në shoqëri.
Sikur muslimanët të kishin bërë një kampanjë me karakter të këtillë denigrues kundër një grupi minor, fjala vjen kundër homoseksualëve, evropianët dhe shoqatat për të drejtat e njeriut do të na shordhonin veshët me leksione për shqetësimin e tyre se është prekur dinjiteti i një grupi minor në shoqëri, që sipas tyre domosdo duhet të respektohen dhe mos nënçmohen. Ndërkaq, për rastin e muslimanëve diçka e këtillë nuk u bë me kohë.
Një tregues tjetër që duhet të analizohet mirë nga rezultati i këtij referndumi është fuqizimi i rrymës raciste në Evropë. Në fakt, edhe pse Zvicra ka interesa ekonomike me botën islame, e evropianët janë mjaftë të vëmendshëm në çështjen e interesit ekonomik, kjo nuk qe shkak që ata mos të votojnë kundër ndërtimit të minareve, gjë që flet se diçka e brendëshme edhe më e fortë se interesi ekonomik i shtynë ta bëjnë këtë. Normalisht, kjo nuk mund të jetë tjetër pos fobisë nga tjerët që Evropa rreh gjoks se e ka tejkaluar.
Ata duan që muslimanët të depozitojnë para në bankat zvicerane, duan që tu shesin naftë me çmim të lirë, duan të vijnë për turizëm e të harxhojnë shuma marramendëse, por nuk duan që të ndërtojnë minaret.
Vërtet, kjo nuk është e drejtë. Muslimanët duhet t'i kenë parasyshë të gjitha këto gjëra dhe ta kutpojnë se buzëqeshja në vendin e punës nuk është shenjë e dashamirësisë, por interesit, gjegjësisht të buzëqesh punëtori në sportel apo gjetiu ngase ti e paguan që të buzëqesh, e jo se të don.
Kjo nismë ka i nxitur edhe forcat tjera djathtiste në Evropë që të kërkojnë referendume të njejta në shtetet e tyre, si që është rast me i freskët me forcat djathtiste ekstreme në Holandë dhe Gjermani, bile është ma shqetësues fakti se ka gjasa që të nxiten referendume edhe për çështje tjera që kanë të bëjnë me muslimanët, e kjo do ta ven në sprovë të madhe demokracinë evropiane.
Nëse do të bënim një krahasim ndërmjet Zvicrës, një shtet me traditë demokratike dhe të njohur për respektimin e të drejtave të njeriut dhe Egjiptit, një shtet që është në shënjestër të raporteve të organizatave të ndryshme të të drejtave të njeriut për shkelje dhe mosrespektim të të drejtave të njeriut, do të shohim se në fushën e të drejtave fetare për bashkësitë jo shumicë është shumë para Zvicrës. Kështu, në Egjipt jetojnë diku 7% e koptëve të cilët kanë diku rreth 3000 kisha pa ndalesa për kulla të zileve. E në Zvicër, ku jetojnë mbi treqindmijë musliman, me referendum ndalohet ndërtimi i minareve, edhe pëskaj asaj se me kushtetutën zvicerane janë të mbrojtura të drejtat fetare.
Evropa duhet të lëviz fuqishëm, se përndryshe do të gjunjëzohet para nostalgjikëve nacistë, ndërkaq komuniteti musliman duhet të organizohet edhe më fuqishëm, t'i bashkon rrathët e veta, të formon institucione të fuqishme fetare e të largohet nga logjika e xhamive garazha dhe xhamive të inatit lokal të vendlindjes. Komuniteti musliman duhet t'i aktivizon forcat e veta të bashkuara e të jetë edhe më aktiv në shoqërinë zvicerane, të hap dialog serioz e të dëshmojë para opinionit zviceran dhe më gjërë se ka aftësi t'i ofrojë shoqërisë alternative të shumta.
Minaret i zbukurojnë Alpet e nuk i rrezikojnë, dhe as që simbolizojnë dominim që të dridhen kaq shumë.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme