Kamuflimi i shqiptarëve në traditë dhe në të kaluarën rreth fejesës martesës dhe shkurorëzimit

Emine Vezaj



Kamuflimi i shqiptarëve në traditë dhe në të kaluarën rreth fejesës martesës dhe shkurorëzimit


Njeriu është një krijesë e cila dëshiron ta ruajë dhe vazhdoj atë që e ka bërë shprehi. Nëse rrënjët e kësaj gjendje të cilën ai e ruan dhe vazhdon janë të thella në të kaluarën, atëherë shumë rëndë merr vendim që të shkëputet nga ajo. Sidomos rëndë e ka të vendos për t’u shkëputur nga tradita kur i merr parasysh nxitjet kombëtare, heroizmin, famën autoritetin dhe dinjitetin, të cilat i humbë nëse e braktisë të vjetrën.[1]

Vlen për t’u theksuar se historia është një dukuri e cila e lidh njeriun me të kaluarën dhe se kjo paraqet themelin e vetëdijes sonë historike në planin struktural të kësaj bote.

Të qenët një hallkë në zinxhirin e breznive të njëpasnjëshme, për shumë njerëz dhe shoqëri në histori dhe në kohën tonë është një krenari e posaçme. Por në anën tjetër asnjë traditë nuk mund të përfundoj deri në fund si e tillë, por edhe nuk mund të thuhet se ajo mund të shembet brenda një kohe shumë të shkurtër.

Në Shqipëri, e cila ishte pjesë e karvanit socialist, sikurse në të gjitha sferat e jetës ashtu edhe ne këtë ( përgjegjësit e femrës) mund të flitet për një fleksibilitet të dukshëm në krahasim me atë që proklamon Islami.

Pra duke marr parasysh popullin shqiptarë, kemi për të mësuar shumë gjëra se si është manifestuar rregulli i fejesës martesës dhe shkurorëzimit, dhe sa është duke u ruajtur kjo traditë në mesin e shqiptarëve, a është një thesar i ruajtur si në atë kohë apo ka ndryshuar krejtësisht, dhe a ka ndodhë që t’i shtrojmë pyetje vetvetes se a ishte plotësisht e drejt kjo mënyrë apo e tëra ishte një anomali?

Por, tradita dhe lidhja me të kaluarën athua është një thesar që duhet të ruhet dhe çmohet aq shumë, apo është thjeshtë një rast i mirë për t’u mbrojtur nga qëllimet e tyre thelbësore dhe brenda kësaj fshihet hipokrizia, politeizmi dhe shpërthimet eksploatuese. Por njeriu i kohës sonë nuk duhet të ngarend në këtë planet pa ditur edhe qëllimin e udhëtimit të tij, por të vetëdijesohet me këtë fenomen dhe të kuptoj realitetin dhe atë që duhet të mbështetet.

Për rolin e gruas në shoqërinë shqiptare, vështirë është të thuhet, se në ç’masë pati sukses në lëmenj tjerë udhheqësia partiake dhe shtetërore shqiptare. Sigurisht edhe Enver Hoxha si Ahmed Zogu para tij donte ta modernizonte vendin e tij. Por shumë shpejt hasi në kufi, kur ishte fjala për çështjet të rrënjosura aq thellë në mentalitetin ballkanas. Kështu edhe emancipimi aq i lavdëruar i gruas mbeti kryesisht vetëm në letër.[2]

Shohim se këto forca, të kaluarën, traditën dhe paraardhësit i kanë përdorë si maskë për ta mbajtur në këmbë sistemin ku ata kishin privilegje dhe autorizime të pakufishme.

Tash do të fillojmë të përmendim edhe traditën shqiptar për fejesën dhe më pastaj do vazhdojmë me martesën dhe shkurorëzimin, dhe do të shohim rezultatin e këtyre diskurseve dhe të nxjerrim një përfundim se Islami a e përkrah traditën apo atë e sheh si një hambarë të mykur të elementeve tradicionale.

Pasi kanë ndryshuar shumë ceremoni përgjatë periudhave të ndryshme në Kosovë si edhe në vendet e tjera të ballkanit, do të mundohem të paraqes disa të dhëna nga Kanuni i Lekë Dukagjinit lidhje me këto ceremoni dhe si janë manifestuar ato gjatë gjithë historisë deri më sot.

Ndërkoh kujtojm se kjo ka ndryshuar në vende dhe rajone të ndryshme, duke u munduar që sa më shumë ti afrohen vendeve evropiane dhe të pasurojnë traditën shqiptare me elemente te huaja.

Ekzistojnë shumë rregulla zakonore nga kjo degë e së drejtës, të cilat i përkasin fejesës.

Fejesa sipas KLD (Kanunit Lekë Dukagjinit) është parakontrata e martesës. Në të vërtetë ajo është një marrëveshje midis etërve apo kusherinjëve të afërmtë vajzës dhe të djalit për lidhjen e martesës së ardhshme në mes të këtyre të rinjve. Fejesa nuk lidhet me hirin e të fejuarve, por, në esencë, me pëlqimin e kujdestarëve të tyre si dhe me ndërmjetësimin e shkuesit.

Kur arrihej pëlqimi i fejesës, atëherë shkuesi ia jepte babait ose të afërmit të vajzës shenjën dhe të hollat sipas zakonit.

Vajza e fejuar nuk mund ta prishte fejesën. Këtë të drejtë nuk e kishin as prindërit dhe të afërmit e saj. Kësisoji, nëse vajza refuzonte të martohet me të fejuarin e saj dhe “ po e muerr tjetër grue dhandri, vajza e zanun prej tij jet e lidhun se e lidhun” (Sh. Gjeçov, KLD, fq. 14.)

Përkundër ndalimeve që i bëheshin vajzës dhe familjes së saj, djali kishte të drejtën e prishjes së fejesës. “ Njatë herë kur t’i teket djalit, është i lirë me e lëshua vajzën e zanun, porse sheji e gjithsa pare të ketë lënë për vajzën i hupin” ( Sh. Gjeçovi, KLD., fq. 13).[3]

Këtu shohim qartë një sanksionim të së drejtave të femrës dhe një mosbarazim gjinore, gjithashtu edhe nëpërkëmbjen e dinjitetit të saj gjë që bie ndeshë me logjikën. Por ja që zakone të tilla kemi edhe sot, por paksa të modifikuara dhe që përsëri sado që të jenë ato janë në kundërshtim të plotë me të drejtat elementare të gruas.

Ndalesat në martesë sipas KLD- së

Në fejesë vajzash do të shikohet:

të mos të jetë gjak e gjini;

të mos të jetë të një fisi;

të mos të jetë mesë fisit të djalit që do me nxënë;

të mos të jetë gruaja e lëshume;[4]

Disa nga rregullat kanunore të cilat ishin të parapara nga KLD-ja, por që janë edhe sot dhe respektohen si të tilla në disa rajone dhe vende të Ballkanit. Por edhe pse janë edhe sot e kësaj dite janë të modifikuara shumë, dhe rrallë mund të thuhet se është ruajtur si një thesar i çmueshëm.

Një nga stacionet më të rëndësishme në jetën e njeriut është zgjedhja e personit me të cilin do të martohet, zgjedhja e partnerit të jetës. Dhe është e natyrshme që kandidati për martesë, nga personi tjetër të kërkohen disa cilësi ose atribute si bukuria, pasuria, fetarësia, niveli arsimor, prestigji familjar etj. Këto cilësi të kërkuara dallojnë nga personi në person, nga shoqëria në shoqëri.[5]

Pra rrjedhimisht edhe martesa si një ligj universal që përfshin çdo gjë të krijuar dhe nuk është i kufizuar vetëm për njerëzit, është i përmbledhur në KLD- në, dhe paraqet pozitën nënshtruese të gruas në shoqërinë shqiptare.

Edhe martesa njihet nëpërmjet shkuesisë si normë zakonore tradicionale te shqiptarët. Martesa sipas KLD- së, përshkruhet kështu:

“ Mu martua me kanun, - thuhet në përmbledhjen e Gjeçovit, do’me thanë m’u ba shpi, me ia shtua shpis nji rob ma tepër, sa për krah të punëve, sa për të shtuem të fmive”( KLD, kodi : 28).

Këtu Gjeçovi jep nocionin e martesës patriarkale, duke parashtruar në mënyrë të thuktë përmbajtjen ekonomike, shoqërore dhe natyrore të saj në këtë shoqëri. Në të vërtetë, burri duke u martuar, “ ia shton shtëpisë një rob ma tepër”. Nga tërë kjo del sheshazi pozita e nënshtruar e gruas së kanunit.[6]

Mardhëniet midis bashkëshortëve përqendrohen në esencë në të drejtat e burrit ndaj gruas. Prandaj gruaja sipas KLD- së, ngarkohet me shumë detyra, ndërsa ka fare pak të drejta.

Shohim një pamje trishtuese kur është në pyetje personaliteti dinjiteti dhe njerëzorja e femrës. Shohim jo një krijesë të ngjashme me mashkullin, por një plaçkë, dhe një shërbëtore të pasurisë të të shoqit.

Pra në këtë kontest nuk shohim as barazi, por as drejtësi, të cilën duamë ta nxjerrim në sheh ne gjeneratat e reja. Barazia e cila kërkohet t’iu jepet femrës e që nuk e paska pasur më herët ose besimi islam ia paska mohuar, na del se qenka vetëm një justifikim dhe parullë çorientuese dhe mashtruese që i vishet islamit pa kurrfarë të drejte.

Dhe a thua kjo barazi që kërkohet aq shumë t’iu jepet femrës është e mjaftueshme që ajo të vetëdijesohet në rolin e saj që ka në këtë botë, apo ende është e kamufluar në traditë dhe donë ta na del si një xhevahir i ruajtur për tu bërë e modernizuar para botës perëndimore.

Por sidoqoftë civilizimet dhe shoqëritë të cilat kanë refuzuar ta konsideroj femrën si qenje njerëzore a mund atë ta vënë në një pozitë çfarë edhe po luftohet t’i jepet e të bien kaq shpejtë nga një ekstremitet që e kishin. Në një tolerancë zero.

Një vend i dukshëm në këtë temë i jepet edhe shkurorëzimit të saj si një e “drejt” e saj.

Si rregull, gruas midis pjesëtarëve të fesë katolike nuk i lejohej, madje edhe në raste të justifikueshme, të ndërpres jetën e përbashkët bashkëshortore e as të çkurorzohet (pasi këtë institucion nuk e njihte e drejta kanonike), ndërsa ndër myslimanët, edhe pse pranohej çkurorzimi, ky, sipas KLD, nuk vlente për gruan. Në këtë mënyrë, pabarazia e saj në martesë e familje shpallej si e vazhdueshme. Ndërsa kufizimi i të drejtave të saja shfaqej në mënyrë më të qartë në pozitën e saj të vështirë në martesë.

Për dallim nga pozita e gruas, burri ishte titullar i pushtetit në familje dhe në shoqëri, prandaj gëzonte një të drejtë të gjerë për të lëshuar dhe ndjekur gruan. Në përmbledhjen e Gjeçovit parashikohet se burri ka të drejtë për ta ndjekur gruan, “por s’a pru gruaja si duhet te burri”, “ për bracni a cubni” (KLD, fq. 20), mirëpo, kjo mundësi e tij ishte më e gjerë. Pra, burri kishte të drejtë të ndiqte gruan dhe të ndërpres në mënyrë të vazhdueshme bashkëjetesën edhe për shkaqe më të ima, “ mjafton me ia përbuzë fjalën e urdhrin”, gjë që varej kryesisht prej tij.[7]

Kjo e tëra lexuesit në shikim të parë mund t’i duket si një gjë e çuditshme, duke nxitur elitën se ne kinse po përmbahemi traditës së pastër shqiptare, dhe krahas kësaj shohim se elita fatkeqësisht ndjek një metodë të re, e mohon refuzon historinë, e nënçmon dhe fyen të kaluarën.

Me një fjalë botëkuptimi modern, mohimi dhe refuzimi i vlerave tradicionale kanë krijuar një konfuzion te lexuesi shqiptarë, dhe nuk po i lënë hapsin të mjaftueshme për të parë se në cilin mes mund të gjejë veten dhe ta ndjekë atë.

--------------------------------------------------------------------------------
[1] Ali Bullaç. Historia, shoqëria dhe tradita, Prishtinë, 2003. fq 253.
[2] Peter Bartl, Shqipëria nga mesjeta deri sot, Prizren, 1999, fq. 254.
[3] Kanuni i Lekë Dukagjinit, përmbledhur dhe kodifikuar nga Shtjefën Gjeçovi, Rilindja Prishtinë, fq. CII.
[4] Kanuni i Lekë Dukagjinit, op. cit. Kreu i tretë, Shkuesija – Fejesa, Kodi: 39.
[5] Ali Pajaziti, Maqedonia në periudhën e tranzicionit shoqëror (1990-1997) “Rinia universitare dhe religjioni” /studime sociologjike/ Prishtinë, 2003, fq. 120.
[6] Kanuni i Lekë Dukagjinit, op. cit. Fq. CII.
[7] Kanuni i Lekë Dukagjinit, op. cit. Fq. CV.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme