HIXHRETI—FILLIMI I NJË EPOKE TË RE


Çdo vepër madhështore është rezultat i sakrifikimit , luftës, mundit, lëvizjes, emigrimit –hixhretit .Andaj, hixhretin e gjejmë prej njeriut të parë dhe si i tillë është pjesë përbërëse e jetës në këtë botë, e në veçanti cilësi e njerëzve të mëdhenjë të cilët potencialet e veta i vendosin në shërbim të shpëtimit dhe ngritjes së popujve .Shkurt thënë hixhreti është lëvizje dhe kusht kryesor për ngadhnjimin e idealeve më të larta hyjnore .Kur’ani Famëlartë flet për personalitetet e mëdha historike , e në veçanti për të Derguarit e Tij si Nuhi, Ibrahimi, Jusufi, Musai, Isau (shpëtimi qoft mbi ta), etj. të cilët për të transmetuar dhe për të përhapur dritën e të Vërtetës hyjnore përjetuan rrugën më të vështirë-rrugën e hixhretit, të vetëdishëm se lufta kundër të keqes dhe injorancës bëhet vetëm në lëvizje dhe dinamizëm të fortë.
Qëllimi ynë këtu është diçka të themi mbi hixhretin më të rëndësishëm, atë hixhret i cili i dha kahje të vërtet historisë Islame, e në veçanti asaj botërore .Ai është hixhreti i të Dërguarit të fundit të All-llahut xh.sh. Muhamedit a.s i cili ndodhi në fillim të shekullit të VII, gjegjësisht në vitin 622 , kohë kjo në të cilën njerëzimin e kishte mbuluar pabesimi , politeizmi, paganizmi, injoranca, krimi, errësira, padrejtësia, amorali, etj. Pikërisht, në këtë kohë filloi të përhapet e vërteta - misioni hyjnor nga Muhamedi a.s. nën parimin e të gjitha kohërave : “Nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut” si dhe nën parimin :” Mëso studjo në emër të Krijuesit të gjithçkafit”.
Pra, me këtë u shpall luftë e hapur dhe pakompromis e besimit kundër politeizmit , e dijes kundër injorancës , tolerancës kundër dhunës, moralit kundër amoralit, dritës kundër errësirës. Por, në këtë luftë diçka ishte e qartë. Nuk mundej një grup i vogël me një përpjekje dhe luftë statike ti bëjë ballë të keqes dhe dhunës si dhe satanëve të kultivuar me shekuj dhe të përkrahur nga bota e atëhershme pagane dhe politeiste. Andaj, Muhamedi a.s i frymëzuar nga i Madhi Zot , ishte i vetëdishëm se lufta për të vërtetën dhe ideale të shenjta bëhet në lëvizje dhe në një dinamizëm të gjallë, andaj duhet menduar një strategji lëvizëse dhe largëpamëse. Ajo strategji nënkuptonte lëvizjen prej një vendi në vend tjetër , gjegjësiht gjetjen e një vendi më të sigurt dhe pjellor ku duhet të mbjellet Islami dhe prej aty të fillojë rruga e formimit të një ardhmërie të shëndoshë të njerëzimit. Pra, ndjenja e lartë e përgjegjësisisë së obligimit hyjnor për të ngadhënjyer e vërteta bëri që Muhamedi a.s. dhe shokët e tij me dhembje të thellë por krenar të lëshojnë vendlindjen duke sakrifikuar gjithçka, gjegjësisht duke lënë pas veti shtëpits dhe pasuritë e tyre, e në veçanti vendlindjen e tyre ku janë lindur dhe ku janë rritur. Dashuria ndaj Zotit dhe obligimi e vendosshmëria për të mbrojtur dhe për të përhapur misionin hyjnor si dhe për zhdukjen e gjithë asaj që nënçmon njeriun bëri që Muhamedi a.s. dhe shokët e tij të përbijnë dashurinë ndaj atëdheut. Strehim të vetëm dhe më të përshtatshëm gjetën në Medine si dhe në banorët e saj ku u pritën në mënyrë shumë të ngrohtë .Prej këtij vendi fillojë të merr hovin Islami dhe kështu të përhapet në të katër anët e botës , ndërsa muslimanët me shekuj të tërë të jenë udhëheqës të vërtet të njerëzimit në të gjitha sferat e jetës , duke filluar prej asaj fetare deri te ajo shkencore , kulturore , ekonomike , etj.
Padyshim Hixhreti është një ngjarje e madhe në historinë e njerëzimit dhe si i tillë me një kuptim të përhershëm dhe të pashtershëm. T’i qasemi atij vetëm për nga prizma e saj historike si një ngjarje që ka ndodhë në një kohë dhe hapsirë do të thotë interpretim dhe qasje e mbyllur , e ngurt dhe e kufizuar e Hixhretit .Është e vërtet se ndodhi në një vend dhe kohë të caktuar, por kurdo dhe kudo që rrezikohen vlerat për të cilat edhe ndodhi, hixhreti është më se i nevojshëm dhe i domosdoshëm pa marë parasysh kohën vendin dhe nivelin intelektual të njerëzimit. Andaj, hixhreti nuk është ikje mga armiku, përkundrazi është akcion dhe lëvizje e bazuar në sakrifikim të pashoq për të ngadhënjuyer e Vërteta, gjegjësisht besimi në një Zot , parim ky që dallon njeriun nga qeniet tjera , çliron sjelljet dhe të menduarit e njeritu nga kthetrat e interesit, emocioneve dhe egoizmit , shkatërron besimin në zotra të rrejshëm , në idhuj, sundimtarë, pushtues, imperator, e satanë,etj.
Përveç tjerash hixhreti është akcion dhe lëvizje për kultivimin dhe formimin e një hapsire për tu praktikuar e vërteta , është formim i kushteve dhe përgatitje për ti dhënë grushtë të keqes në mënyrë të organizuar. Këtë e vërteton fakti se Muhamedi a.s. menjiherë pas hixhretit bëri hapa historik për të vendosur bazat e një organizimi të fortë dhe të sigurt, si
- ndërtimi urgjent i institucioeneve fetaro kulturore e shkencore si xhamitë dhe shkollat
-vëllazërimi i fiseve të ngatëruara në Medinë, gjegjësiht ngritja e
unitetit ne shkallën më të lartë ;
-formimi i shtetit Islam ku u gjetën të barbartë të gjithë qytetarët
pa marrë parasyshë racën , kombin, fenë, etj.
Me këtë edhe njëherë u vërtetua rëndësia e hixhretit dhe porosia kryesore e tij se nuk ka organizim më të fortë dhe se nuk ka ardhmëri të shëndoshë të një populli pa institucione fetaro-kulturore e shkencore dhe unitet te nivelti më të lartë gjithëpopullor. Andaj, sakrifikimi i gjithë asaj që e lanë në Mekë dhe luftrat e përgjakshme që pësuan pas hixhretit ne Bedër,Uhud, Hudejbi, etj. dhanë shembull të paparë se në mbrojtjen e institucioneve, unitetit dhe shtetit duhet sakrifikuar gjithçka, po bile edhe jetën se vetëm në këtë mënyrë arrihet mbrojtja e nderit dhe ndihma e All-llahut xh.sh. Për këtë All-llahu xh.sh. thotë:

”Ata që besojnë dhe shpërngulen dhe luftojnë për hirë të All-llahut, ata meritojnë të shpresojnë në mëshirën e All-llahut. All-llahu falë shumë dhe është mëshirues.”/El Bekaretu: 218/.
“Ata të cilët besuann, migruan dhe luftuan me pasurinë dhe veten e tyre në rrugën e All-llahut, ata kanë pozitë më të lartë te All-llahu xh.sh. dhe vetëm ata janë fatlumë”(Et teubetu:20).

Rezultatet e kësaj u vërtetuan më vonë kur Muhamedi a.s. dhe muslimanët çliruan Meken duke u kthyer triumfalisht në vendlindjet e tyre Me këtë edhe njëherë u vërtetua se ndër porositë themelore të hixhretit është lidhëshmëria e ngusht dhe paluahtshme e besimtarit me vendlindjen - vatanin, gjegjësiht hixhreti bëhet për vendlindje duke mos e humbur lidhshmërinë me të dhe duke synuar gjithmonë në kthimin në te me qëllim të sjelljes së lirisë, pasurisë dhe çdo të mire asaj. Për këtë Muhamedi a.s. pas çlirimit të Mekes tha:
“Nuk ka emigrim pas çlirimit , por ka mund, përpjekje, luft dhe qëllim të pastër”.
Hixhreti paraqet afirmim të plotë të moralit njerëzor, që do të thotë përpjekje maksimale e njeriut për ndërtimin të një pozicioni të nivelit të lartë, ku do të vjen në shprehje jetesa e shëndoshë konform normave morale, respektivisht për një reformë rrënjësore për t’u ndryshuar gjendja në favor të së mirës dhe për zhdukjen e të së keqes.
Hixhreti, pra është largim nga e keqja dhe jeta e zymtë amorale drejt njerëzores dhe morales, përpjekje për ndërtimin e personalitetit të moralshëm i cili do të jetë subjekt kreativ dhe konstruktiv me plotë kuptimin e fjalës, i cili do të shkatërrojë të keqen dhe do të rrënjosë të mirën dhe pozitiven në jetën individuale dhe shoqërore.
Në një rast, ata të cilët nuk i takonin atyreve që kryen hixhretin e pyetën pejgamberin e All-lahut xh.sh., se si mund të arrihet shkalla më e lartë e hixhretit, Muhamedi a.s iu përgjigj:
”Muhaxhir është ai i cili largohet nga ajo të cilën e ka ndaluar All-llahu xh.sh., dhe pranon ate të cilën e ka urdhëruar “
Pra, hixhreti është luftë e vërtet fiziko-shpirtërore në drejtim të ndryshimit të njerëzimit për t’i reformuar ato në të gjitha sferat e aktivitetit të tyre me qëlim të formimit të personaliteteve të shëndosha dhe bashkësisë e cila do të jetë bartëse e vërtetë e praktikimit të mësimve të All-llahut xh.sh..
Në trojet ku jetojmë dhe veprojmë porositë e hixhretit janë gjithë më aktuale kur dihet se decenieve të fundit nën ndikim e elaborateve pansllaviste si dhe nën ndikim e kushteve të vështira politike dhe ekonomike paraprakisht të përgatitura, qindra mijë, mos të themi miliona njerëz të popujve të këtyre trevave u larguan nga vatani i tyre duke iu nënshtruar asimilimit të paparë fetarë e kombëtar. Andaj, Hixhreti i Muhamedit a.s. mëson se të gjihtë këto muhaxhir të bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme që kurdoherë të kthehen në vatrat e tyre, e së pakti të mendojnë për vatanin e tyre duke mos e humbur lidhshmërinë me vatanin dhe shpresën për tu kthyer në të.
Në fund mund të konkludojmë se Hixhreti i dha impuls të fuqishëm pjekurisë shpirtërore dhe intelektuale, përsosshmërisë etike dhe humane dhe si i tillë parqet një epokë të re , revulucion të ri shpirtëror , kulminacion i sakrfikimit shpirtëror dhe material.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme