Analistë politikë dhe opinion bërës jo objektivë parashohin përplasje të pashmangshme me Islamin. Kjo ka shkaktuar rritjen e interesit që tregojnë qendrat hulumtuese dhe institutet strategjike në botë për Islamin.
Megjithatë, shumë mendimtarë perëndimorë objektivë kanë treguar se Islamofobia është një iluzion i krijuar nga neo-konservatorët, parti të djathta ekstremiste, dhe lëvizje sioniste çifute apo kristiane. Viktimë e propagandës së tyre helmuese janë bërë edhe qarqe të caktuara zyrtare që në mënyrë të pajustifikueshme tregojnë armiqësi ndaj Islamit. Kjo është nënprodukt i pashmangshëm i stereotipeve negative.
Media tendencioze duke u fokusuar në veprime të disa individëve apo grupeve të caktuara, kanë bërë që islamofobia dhe frika nga Islami të jetë përditshmëri që preokupon së tepërmi vëmendjen perëndimore, si në nivel popullor ashtu edhe atë qeveritar. Korrigjimi i këtyre keqkuptimeve duhet të bëhet sepse stereotipet e fshehin të vërtetën. Meqenëse media shqiptare është e ndikuar nga media perëndimore, këto stereotipe janë përhapur së tepërmi edhe në mesin tonë.
Stereotipet negative janë terrorizmi, shtypja e gruas dhe kundërshtimi i demokracisë nga ana e muslimanëve. Sipas vlerësimeve tendencioze, muslimanët janë të prirë të përdorin dhunën për të arritur qëllimet e tyre. Madje i ashtuquajturi terrorizëm islamik është fytyra me çka shquhen muslimanët! Kështu bëhet lidhja mes terrorizmit dhe Islamit, edhe pse është evidente se dhuna është një dukuri globale dhe si shkak i shumë padrejtësive shpeshherë është vështirë të vihet një vijë ndarëse mes terrorizmit dhe luftës çlirimtare.
Luftërat që janë zhvilluar midis Irakut dhe Iranit, Irakut dhe Kuvajtit, ishin të nxitura nga fuqitë e mëdha për të gjetur një justifikim për ngritjen e bazave ushtarake në Gjirin Arab. Pushtimi i Irakut u bë jo se ai rrezikonte paqen, por për të kontrolluar puset e naftës dhe për të ruajtur interesat e shteteve perëndimore e për të mbrojtur Izraelin, të cilin arabët e shohin si një kancer në trupin e shëndoshë.
Për të dalë nga ky udhëkryq, publiku dhe lëvizjet islamike, pa dyshim, se duhet të bëjnë më shumë që të japin një pamje të vërtetë për Islamin në botë. Ata duhet të kundërshtojnë dhe denoncojnë sulmin e civilëve nga grupe të papërfillshme që pretendojnë se janë islame, si në vendet perëndimore ashtu edhe në vendet islame, në mënyrë që të mos ketë pretekste propaganda globale anti-islame. Pra, të mos i lihet hapësirë veprimit të disa grupeve të rinjsh të ngazëllyer dhe të pamatur që të bëjnë veprime që bien ndesh me vetë frymën islame. Muslimanët, në pjesë të ndryshme të botës, duhet të formojnë një rrjet global islamik që e kuptojnë të drejtën ndërkombëtare dhe të respektojnë të drejtat e njeriut, lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin që të japin një tablo të vërtetë për Islamin dhe muslimanët.
Është e domosdoshme që të bëhet riformulimi i diskursit dhe ligjërimit islamik dhe filtrimi i gjithë asaj që çon në një shtrembërim të imazhit të Islamit dhe thellimin e akuzave ndaj tij për dhunë dhe urrejtje.
Nuk mungojnë as vlerësimet se muslimanët janë jotolerantë dhe nuk janë të gatshëm të jetojnë me të tjerët. Ndërkaq, pavarësisht vlerësimeve të njëanshme të shumë studiuesve perëndimorë, muslimanët kanë treguar se mund të jetojnë në paqe me të tjerët qoftë në vendet e tyre ku përbëjnë shumicën, qoftë në komunitetet ku ata jetojnë si pakica fetare. Muslimanët kanë jetuar në harmoni dhe me tolerancë me të tjerë në vendet e Afrikës, në Indi, Kinë etj.
Muslimanët akuzohen se nuk mund të pranojnë sistemin zgjedhor demokratik dhe kalimin e pushtetit pa ndonjë problem, edhe pse është dëshmuar e kundërta e këtij pretendimi tendencioz, sikurse ndodh në Indonezi, në shtetin më të madh musliman, në Malajzi, Turqi etj. Kurse në Evropën Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara muslimanët e kanë provuar aftësinë e tyre për të jetuar sipas rregullave të demokracisë perëndimore. Në këto vende, ata marrin pjesë në procesin demokratik në mënyrë të efektshme dhe kanë një rol të shquar në përparimin e komuniteteve në të cilat ata jetojnë, madje ata japin kontributin e tyre edhe në kushtet e persekutimit fetar, sikurse ndodh me ta në Indi dhe në Kinë.
Arritja e demokracisë në botën arabe është një kërkesë gjithë popullore që të mund të zgjedhin sundimtarët e tyre në përputhje me vullnetin e tyre, gjithnjë duke ruajtur specifikat kulturore dhe fetare. Por sistemi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nuk i përshtatet interesave perëndimore, prandaj ato përkrahin regjimet totalitare në mënyrë që të mos vijnë islamistët, ngase do të rrezikoheshin interesat e tyre. Popujt perëndimorë duket se nuk e kanë kuptuar rolin e qeverive të tyre aleate me regjimet arabe që kanë sjellë tragjedi dhe paqëndrueshmëri për popujt arabë.