Nostalgji dhe manipulim

“Blloqet” Perëndimore dhe Lindore kanë rreth 18 vite që regjistrohen si pjesë e së kaluares. Kjo terminologji nuk i përket realitetit sepse përcakton një polarizim të botës gjatë Luftës së Fohtë. Studjues si Fukuyama dhe Huntington kanë teorizuar fundin e kësaj epoke dhe fillim e një tjetre që vendos perballë polarizime jo më mbi baza ideologjike por historiko-kulturore(pa haruar ato ekonomike). Vetëm mentaliteti i së kaluares, mllefet mesjetare, nostalgjia e komunizmit dhe majmunizmi, i elitave apo i pushtuesve të mediave, mund të na rikujtojë “blloqet”. Është njëlloj sikurë H. Thaçi te shprehej se : “Kosova është në aleancë të plotfuqishme me Antantën”. Kjo terminologji ka nje kohë të caktuar në histori dhe kur rikujtohet ka tre shpejgime: injorancë, që nuk është e cuditshme për klasën tonë politike dhe koret që i mbajnë ison në një periudhë kur kërkohet mbështetje nga sa më shumë vende; lapsus, që natyrisht vjen nga nostalgjia e së kaluares dhe mospranimi i realitetit; servilizëm, të fokusuar nga një këndvështrim që bazohet tek ideja eurocentrike (politikisht e tejkaluar) ku diversitet do të thotë konflikt dhe “ (vetëm) Ne jemi të mirët, te fortët, te drejtët, te zgjedhurit, të…”.
Duke hedhur një vështrim të thjeshtë mbi Evropën gjejmë shtete si Polonia, Republikat Balltike, Cekia, Sllovakia, Hungaria, Rumania, Bullgaria dhe Sllovenia pjestare të familjes “Perëndimore”. Janë të gjthë shtete ish-pjestare të Bllokut Komunist, stalite të BS-së. Antarësimi i tyre në BE drejt të cilës aspiron edhe Kosova, deshmon jo vetëm mosekzistencën e blloqeve të Thaçit por edhe prezencën e disa popujve me karakteristika të ndryshme historiko-kulturore, në kundërshtim me teorizimin e Huntington, në të njëjtën familje Evropiane. Këtu ka dy vërtetësi: në BE marrin pjesë shtete dhe popuj me karakteristika të ndryshme që të përbashkët kryesore kanë përkatësinë gjeografike dhe gjithashtu disa normativave, të domosdoshme për t’u uniformizuar me ato që i kanë përcaktuar. Kjo zhvlerëson ato personazhe që mundohen të mohojnë vetveten duke shpërfytyruar kombin që të bëhen pjesë e kësaj familjeje duke gjetur lidhje mesjetare. Kur do ta kuptojnë që nuk jetojmë në Mesjetë? Vërtetësia e dytë është se pikerisht terminologjia e “Bllokut” sipas botëkuptimit të Thaçit dhe interpretimit të Ukajt nuk ka vend për vete realitetin e kësaj ndërthurjeje të ish-pjesmarrësve në këto blloqe.
Jo z.Kryeministër dhe z.Ukaj & Co, nuk janë shqipëtaret, sic pohoni ju, “të paaftë për t’u rreshtuar në politikat ndërkombëtare”. Ne kemi qënë të rreshtuar në shahun ndërkombetarë që në kohën e Skënderbeut por kanë qënë këto “Forca”, përcaktuese të aftësive dhe prespektives sonë. Shqipëtaret nuk donin të jetonin të ndarë, kërkonin pavarësi dhe liri, nuk njihnin as komunizmin por ja që “forcat ndërkombëtare “ kanë qënë vendimtare. Ali Pashë Tepelena kërkoi aleanca me fuqi Perëndimore, por, ashtu si Skënderbeu më përpara, u braktis. Ahmet Zogu drejtoi shikimin nga Perëndimi, por u pushtua nga “miqtë”. Do të ishin po këta “miqë” skulptorët e hartës dhe të ardhmes së zezë të shqipëtareve. Populli kosovarë i dhunuar, rroku armët për t’i dhënë fund gandizmit rugovian, krijoi UCK-në, por, gjer në fillim të 1999-ës ky organizëm popullorë, për Britaninë e Madhe, ishte terrorist ashtu sic ishte Partia e Kongresit Afrikan e Nelson Mandelës për Departamentin Amerikan, një organizëm terrorist gjer në 1989, një vit ku Saddam Husein ishte akoma aleat i rëndësishëm për të njëjtin Departament ! Nuk është paaftësi për popullin e Thaçit, që poshtërsinë e të “Fortëve” ja vesh atij të cilin duhet ta mbrojë dhe jo ta nëpërkëmbë me mashtrime, dhe të Ukajt që na percjell këto mesazhe groteske, por vullneti i atyre që na dënuan për më shumë se një shekull Odise.
Është më naive z.Ukaj, mënyra e rikthimit tuaj në momentin historik “të largimit të shqipëtarëve nga Jugosllavia drejt Turqisë kur shkruani : “ nga njëri shtet i fuqishëm i botës islame jemi tkurrur shumë, falë një bashkëpunimi të shkëlqyer të atëhershëm mes atij shteti dhe pushtetit komunist në Beograd”. Nuk dua të mohoj ngjarjen por vetëm mënyrën si e interpretoni ju. Beogradi, Turqia Islamike, marëdhënjet e mira mes tyre dhe populli ynë viktimë, jane tre ingredienta të një reaksioni jo vetëm inekzistent por edhe tendencioz ndaj një Turqie që është më afër Kosovës se mjaft vënde të tjera Perëndimore. Fragmeti i shkrimit është tragjikomik. Komiciteti qëndron tek mosnjohja apo injorimi i qëllimshëm, lehtësisht i evidentueshëm në linjën e logjikës suaj, i dy fakteve që ju shpien në një gafë, ndërsa është tragjik reduktimi i logjikës për të kriminalizuar këtë shtet duke e barazuar me Serbinë. Nëse doni të tregoni se Turqia nuk favorizoi shqipëtarët dhe meriton për këtë të barazohet me Serbinë, beni mirë, për hirë të së vërtetës t’i barazoni edhe “miqtë” e rinj sepse kane vepruar më keq jo vetëm në trojet tona por në të gjithë botën. Sic pohova më lart ju errësoni dy fakte. Së pari, kur ndodhi “shpërngulja”, Serbia nuk ekzistonte përvecse në kuadrin e Jugosllavisë, një shtet i krijuar nga ato Fuqi të cilave i serviloset Thaçi. Turqia ishte dhe është shtet laik, të pakten në atë periudhë ka përjetuar kulmin e tendencave perëndimorizuese dhe islam-refuzuese (të pasuksesshme). Hyri në Konferencën Islamike kur ajo u themelua, pra 3 vite pasi kishte perfunduar ose te pakten ishte ulur ritmi i shqipëtarëve të drejtuar për në Turqi. Se dyti, largmi i shqipëtarëve nga Jugosllavia nuk do të thotë se erdhën turqit duke rrëmbyer popullin tonë për ta dërguar në Stamboll apo Anadoll. Devshrimeja ka thuajse 4 shekuj që nuk ekziston z.Ukaj. po keshtu jeniçerët, nizamët nuk jane istitucione që i perkasin periudhes ne fjale. Përse e shikoni Turqine në të njëjtën mënyrë si Perandorinë Osmane? Përse barazoni këtë Perandori me Serbinë? Vetëm kisha(kryesisht sllave) dhe enverizmi kanë patur një vizion të përbashkët në këtë aspekt.
Të marrim shembull: emigracionin italian nëpër botë, veçanarisht në SHBA dhe Amerikën Latine. Italia me 60 milion banorë aktualisht numëron 30 milion banorë te shperngulur anëkënd botës. E gjithë kjo lëvizje ka qënë vullnetare, e ndezuar nga faktorë ekonomik dhe e kontrolluar, shpesh, me marrëveshje mes shteteve. Traktatet me Argjentinën në 1947-‘48 spostuan gjysëm milioni italian, më vonë marrëveshjet e 1953, 1959 apo 1955 me Gjermaninë. Para Luftes së Parë këto marrëveshje ishin me SHBA-në. Mos vallë ju kërkoni të na bindni se Italia në marëdhënje të shkëlqyera me SHBA, Gjermani, Argjentinë, Britani, Zvicër etj, me shpërnguljen e 30 milion qytetarëve me pëlqimin e tyre dhe me vullnetin e saj (Italisë) , i quan këto shtete tkurrës të demografisë italiane? Dallimi i shpërngulje/emigracionit mes Jugosllavi-Turqi dhe Itali-Bote është se Jugosllavia kishte interesa etnike dhe politike ndërsa Italia ekonomike (edhe politike), por shtetet tek të cilat kjo popullsi u drejtua janë të njëjtë, vetem pritës që udhëhiqen nga interesat e tyre vetiake universale, në asnjë mënyrë të fajësueshëm për politika që ato nuk i kanë nxitur, krijuar aq me tepër imponuar.
Thelbi, apo elementi tragjik, është tendenca për të barazuar nëpërmjet miqësisë, Turqinë dhe vendet Islame, me Serbinë. Miqësinë mund ta gjeni të konkretizuar pa shkuar aq larg z.Ukaj. E kemi këtu ne familje ose ne lidhje direkte me shqipëtarët. Shqipëria ishte në marëdhënje edhe më miqësore me Jugosllavinë, marëdhënje që i mbajti për dekada, në aparencë të ftohta. I keni parë ndonjëherë buzëqeshjet dhe marëdhënjet e shkëlqyeshme të Titos me Nixon? Po buzëqeshjet e Roosevelt-Churchill-Stalin në Jaltë ku vendosen që Shqipëria të jetonte komunizmin? Kosova përvec komunizmit duhej të vazhdonte ndarjen nga trualli ashtu si shumë pjesë të tjera që dekada më përpara këto “buzëqeshje” ua kishin lënë në formë njollash, truallit të tigrave ballkanik. Për të ardhur tek buzëqeshjet Clinton-Milloshevic apo mes këtij të fundit dhe Rugovës. Quhet politikë dhe bazohet në interesa, por duhet të jeni objektiv dhe perpara fluturimit dekada më pas, për të gjetur faje irreale, kërkoni më afër, faje rreale. Sot Kosova bazon pjesën më të madhe të import-eksportit tek Serbia, tek ky shtet që tkurri popullsinë dhe trojet tona..apo nuk shikoni afër hundës ju zotëri ?
“Jo nuk besoj se është falimentim. Duhet shikuar nëse gota është gjysëm e plotë apo gjysëm bosh.”- janë fjalët e Boutros Ghalit mbi qëndrimin e OKB-së ndaj Srebrenicës. Kjo dëshmon sa rëndësi kemi ti dhe unë sëbashku me të gjithë popullin për “miqtë”. Srebernica mund të ndryshojë etni, rajon, periudhë, por lojtarët vendimarrës dhe indiferenca për jetën do të mbesin gjithmonë karakteristikë e të “Fortëve” që nuk njohin miq.
“Regjonalizimi i botës është etapa paraglobale”- teori e mbështetur nga Z.Berzezinski. Me rregjonalizim nënkuptojmë polarizmin në disa organizma që janë në marëdhënje interesash, jetike për mbijetesën. Normativat e globalizimit i përcaktojne të “Fortët”, ne vetëm pranojmë në heshtje. Kjo fazë kërkon bashkëpunim dhe jo diversitet konfliktual të përcaktuar në “blloqe” sic mendojnë nostalgjiku Thaçi dhe “debatikasi” Ukaj. Perëndimi, Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë për pjesën tjetër të botës. BE-ja kaq shumë e majmunizuar, është krijuar për të tejkaluar konfliktet civile të Kontinentit. Gejrmania dhe Franca janë masakruar gjer në fundin e Luftes së Dytë Botërore, po kështu SHBA me Japoninë, Kina me Europën dhe Japoninë, Spanja me Ameriken Latine, Britania me Indinë, ne me disa vende Perëndimore e keshtu me rradhën, në epoka të ndryshme. Kosova, shteti i fundit në arenën ndërkombëtare, nëpërmjet përfaqësuesit e saj, pretendon se dielli lind dhe perëndon në Perëndim. Atëherë do t’i kërkoja Thaçit dhe Ukajt, nëse munden, së pari të ndërpresin cdo marrëdhënje me Serbinë (e luftuar nga “Blloku Perëndimorë” dhe si “motër” e Rusise) dhe së dyti të provonin ndërtimin e një murë-pengese të erërave shiprurëse (ujit) që vijnë nga Afrika dhe energjisë të ardhur nga Lindja e Mesme apo Rusia! A do mund të mbijetonin? SHBA ndodhet më në perëndim se ne, por kjo nuk i pengon të jenë shembull ndërveprimi interesash pa asnjë dallim. Britania e Madhe, mishërim i Perëndimit klasik nuk pengohet nga mentaliteti i getizimit dhe merr pjesë paralelisht me BE-në në Commowealth sëbashku me shtete, popuj, rajone me karakteristika nga më të ndryshmet dhe larg Europës.
Shqipëria, Kosova dhe Serbia nesër do të ulen në tryezën e familjes Evropiane pasi aspirojnë me të njëjtën forcë pjesmarrjen. Kjo do të sanksionojë edhe më fuqishëm tejkalimin e mentalitetit të “blloqeve” sëbashku me idiotsinë e atyre që mendojnë se e ardhmja e jonë do të jetë jashte kuadrit Ballkanik në një normalitet artificial me ngjyresa të humbura, thellë në histori. Përfaqësues shqipëtarë të dy shteteve do t’i shtrërngojnë dorën serbëve, taksat tona do të shkojnë në formë fondesh investimi në Serbi dhe anasjelltas, blloqet e Thaçit do te jenë edhe më qesharake, por a do të shkruaj Ndue Ukaj se :” shqipëtarët e Shqipërisë dhe ato të Kosovës kanë marëdhënje të shkëlqyera me pushtetin e Beogradit ?!

_________________
Shkrimi eshte botuar tek JAVA dt.11.09.2008 ne forme replike me shkrimin e Ndue Ukajt te botuar ne Gazeten Ekspress te dt.28.08.2008(paralelisht me shkrim-repliken time ndaj B.Haxhiut).

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme