Femra dhe pasojat e luftës: Të dhunuarat, edhe pavarësia nuk i gëzon

Emine A. VEZAJ

Femra dhe pasojat e luftës:

Të dhunuarat, edhe pavarësia nuk i gëzon

“Për njeriun mund të mos ketë rrugëdalje në histori, për popullin rrugëdalje ka gjithmonë”. Rexhep Qosja


Historiografia shqiptare gjer më sot ka lënë pa trajtuar shumë momente dhe ngjarje të rëndësishme, të cilat kanë lënë gjurmë të pashlyera në kujtesën e popullit shqiptar dhe që, në më të shumtën e rasteve janë mbetur të pa prekura gjer më sot. Trojet shqiptare, në përgjithësi, dhe Kosova në veçanti, fituan gjatë shekujve rëndësi të jashtëzakonshme për mbretërit e sulltanët, të cilët dëshironin të dominonin dhe të ruanin influencën e tyre në Gadishullin Ballkanik. Por shqiptarët me gjasë asnjëherë nuk lejuan të mposhten, edhe pse kjo i kushtoi si herën e kaluar si tani, edhe pse në dëme të konsiderueshme si në njerëz po ashtu edhe në të mira materiale ajo ende mban epitetin e një vendi të pathyeshëm. Gjenocidi më i fundit i serbëve në Kosovë u realizua mbi bazën e një plani të mirëpërcaktuar nga Beogradi. Dhunimi i grave, nënave, nuseve të reja ishte forma më tronditëse që preki ndjenjat e shqiptarit. Dhunimi është vepër penale e cila radhitet në krim kundër njerëzimit. Sipas statutit të Tribunalit të Hagës (neni 5) dhunimet konsiderohen krime kundër popullsisë civile, të cilat kryhen në konflikte të armatosura, qofshin këto ndërkombëtare apo edhe të karakterit lokal. Në vështrimin “Dhuna seksuale si krim ndërkombëtar (“Fakti”, 12 e 13 Maj 1999) ekspertët e Tribunalit Ndërkombëtar për Krime të luftës theksojnë se aktet e dhunës seksuale trajtohen në kuadër të juridiksionit të ICTY ( Tribunali Ndërkombëtar për Krime Luftë në Jugosllavi), dhe ICTR ( Tribunali Ndërkombëtar për Krime të Luftës në Ruhand) Ata me shembuj të ndryshëm të dhunimeve e elaborojnë këtë çështje në mënyrë shkencore dhe Juridike. Këta ekspert potencojnë disa segmente të juridiksionit të të dy Tribunaleve Ndërkombëtare për Krime të Luftës të cilat, në statutet e tyre dhunimin seksual e konsiderojnë si: Krim kundër njerëzimit, gjenocid, shkelje të ligjeve të luftës, torturë etj. Për pasoj, një ndër format e regjimit serbo-sllavë në Kosovë, ishte edhe dhunimi masiv i femrave shqiptare. Kjo formë e dhunës ka qen e planifikuar duke pasur parasysh faktin e një sunduesi tiran i cili dëshmoi antinjerëzoren e tij edhe në luftën e Bosnjës në të cilën u dhunuan dhe persekutuan më dhjetëra, mijëra apo qindra gra myslimane, të cilat u çnderuan në mënyrat më mizore. Pra, marr në përgjithësi, lufta në Kosovë ishte edhe një vazhdim i një plani të mirë përcaktuar në vazhdën e krimeve të tija. Përdhunimet të cilat janë bërë gjatë luftës në Kosovë nga forcat policore-ushtarake dhe paramilitare serbe janë bërë kundër femrave shqiptare, vepra që kishin karakter poshtërues, politik, hakmarrës, dhe kulmorja ka qen thyerja dhe poshtërimi i shqiptarit në aspektin moral me tërë brutalitetin edhe ndaj femrës, motrës, gruas, nënës, vajzës etj... dhe ja lufta e Kosovës mbaroi. Tash mbetet për tu përcaktuar saktë kjo tragjedi, që shënoi edhe një datë të re në analet e historisë. Por shtrohet pyetja se sa kemi bërë në këtë drejtim ne për t’i lehtësuar gjendjen në të cilën kanë kaluar?, mund të themi se shumë pak ose asgjë, ngase janë publikuar rrëfime të ndryshme, natyrisht pa të dhëna konkrete të rasteve, por marrë në përgjithësi të gjitha këto hulumtime janë bërë nga organizata dhe shoqata të huaja, e po ashtu edhe nga organizata vendase.

Sipas Luljeta Selimit, e cila ka bërë një punë të madhe në këtë drejtim duke hulumtuar raste të këtij lloji, statistikat e dhunimit në Kosovë mund të radhiten kështu: Në Kosovë, numri i femrave të dhunuara sipas statistikave kap shifra të ndryshme varësisht nga organizatat e ndryshme të cilat kanë bërë hulumtime në këtë drejtim. Ato shifra sillen nga dymijë deri në dhjetëra mijëra! Sipas Organizatës Joqeveritare “Jeta në Kastriot” mund të flitet për 2018 femra të dhunuara për të cilat përveç dëshmive gojore, videogjirimeve, dëshmive me shkrim dhe fotografive ekzistojnë edhe raportet e mjekëve: gjinekologë, infektologë, neoropsikiatër, si dhe raportet mujore të të gjithave së bashku për ta konstatuar gjendjen e tyre momentale, po ashtu diagnozat e secilës veç e veç bashkë me terapinë e përdorur. Mosha e këtyre femrave është kryesisht e re duke filluar nga 14 e deri të 44 vjeç. Shohim se struktura e të dhunuarave ka qenë e shumëllojshme.

Qytete e Gjakovës, Pejës dhe Drenicës janë vendet ku dhunimet e grave e të vajzave kanë qenë më të shumta. Sipas disa prej të dhunuarave ushtarët serb merrnin grupe vajzash dhe i dhunonin me orë e deri me ditë të tëra. Por edhe shumë herë viktimat pasi dhunoheshin sistematikisht, janë vrarë. Gjithashtu një karakteristik tjetër e kësaj forme të regjimit ka qen edhe ajo se dhunimi është bërë në forma të ndryshme. Dhunimi është bërë në mënyrë masovike. Një të tillë ngjarje kemi mundur ta dëgjojmë nga një grua e cila thotë: derisa vëllanë tim 12 vjeçar filluan ta rrahin policia, unë u mundova që ta ndihmoj. E kishim një vëlla pas nëntë motrave, por ndodhi më e keqja ata më morën mua dhe më ç’nderuan në prani të babait, nënës, motrave e burrit. Këtë e shihnin e gjithë kolona, por edhe familjarët e mijë, thotë ajo grua e dhunuar. Pra dhunimi është bërë edhe në prezencën e të afërmeve të dhunuarave, se janë bërë në kampe të ndryshme, tmerri nuk përfundon me kaq, por kemi mundur të gjejmë raste edhe kur viktima pasi është dhunuar është mbytur për humbje të gjurmëve, dhe marrë në përgjithësi, dhunimi është kryer mbi të gjitha shtresat e femrave shqiptare. Rrjedhimisht do të sjellim një rrëfim të një gruaje të dhunuar, e cila është shkëputur nga libri i Luljeta Selimit, “Rrëfimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë”.

Tmerri në ditën e “gënjeshtrave”

S. S. nuk dëshironte ta fillonte rrëfimin para nënës së saj. Por kur e ëma doli, S. S. e filloi rrëfimin…“Nuk kam menduar kurrë se njeriu mundet të duroj kaq shumë. Edhe për vete, por edhe për të tjerët, në raste të tilla kam menduar se do t’i dorëzoheshin vdekjes. Unë në duart e serbeve rashë më 1 prill, në ditën kur shqiptarët po dëboheshin masovikisht. Kur me ndanë nga familja, mendoja vetëm për ata, por kur më dërguan në vendin ku ishin strehuar policët dhe në tavolinën e përgjakur pashë flokë femrash, thonj dhe veshje femrash, e dita se çka do të më ndodhte. Më nuk shpresoja se e kam dikë në botë, dhe çka do të ndodhte me të afërmit e mijë. E kisha vetëm hallin tim. Dhe, kur unë po mendoja dhe po frikësohesha se çka do të ndodhë me mua, më thirri një nga ata që e udhëhiqte atë grup kriminelësh. Aty, mbi tavolinën e tij, kishte raki dhe sytë e tij të skuqur e të çartur i tregonin të gjitha. Në gjoks kishte një zinxhir me plot stoli dhe më tej në një qoshe të strehimores kishte përplot veshje femrash. “Këtu duhet të zhvishesh e pastaj ta shoh a je për mua, për eprorët ose për ushtarët”, më tha ai në gjuhën serbe derisa po pinte raki. Unë po rrija aty, gjoja se nuk e kuptova, por ai ma ktheu këtë urdhër në shqip. E shikova dhe, edhe pse e frikësuar i thashë “jo”. Ai hodhi shishen me raki dhe u ngrit si i tërbuar. “Mua askush s’guxon të ma thyen urdhrin, unë jam Dragan Spasiq, unë jam njeriu që me dorën time kam prerë mbi 50 shqiptarë e ti, kuçkë!”- klithte ai si i marrë. “Qenka rruga e vdekjes kjo”, mendova me vete dhe kur ai më goditi me kondak pushke nuk qava. E shihja gjakun që me rridhte nga hundët por s’më dhimbsej jeta, doja të vdisja e jo të bija në dorën e tij. Por, pas pak, ai u qetësua dhe i urdhëroi ushtarët e tij të më zhveshin. O Zot, nuk mund ta marrësh me mend se si ndihesh. “Duhet të vallëzosh, ec vallëzo”,-më thoshte, e unë isha kërrusur e ulur, që të mos shihej trupi lakuriq . “E sheh atë trup atje, do të ta bëj më zi”,- më thoshte ai e unë nuk e kisha vërejtur trupin e një vajze të bërë copë-copë, në afërsi të rrobave të viktimave, të cilave ata ua kishin bërë si mua. Nuk fola, por dy nga ata erdhën dhe me lidhën për tavolinën e përgjakur. M’i lidhën këmbë e duar dhe më shikonin si bisha. Dikur ai, shefi i tyre, u zhvesh dhe filloi të më ç`nderoj, të tjerët qeshnin e flisnin çka u tekej, shikonin e talleshin, derisa unë përpëlitesha me vdekjen. Ai u largua vetëm kur u ngop, për të vazhduar më tej edhe disa të tjerë. E njëjta gjë më ndodhi disa ditë me radhë dhe pas disa ditësh më hodhën ashtu lakuriqe buzë rrugës, ku kishte edhe shumë kosovarë të tjerë, që po iknin për në Shqipëri. Vetëm kur vërejta se një grua po më mbulonte, pashë se trupi im ishte i prerë me thika në shumë vende dhe se në trupin tim kishte të vizatuara disa kryqe dhe shenjat e simbolit të kryekriminelit Millosheviq. “Mos më merr, më le të vdes, të lutëm”,- i thashë asaj, por ajo më pëshpëriti ngadalë. Edhe pak rrugë kemi deri në tokën nënë, ja e sheh rrugën”, përpiqej ajo të më ndihmonte, kurse unë e shikoja rrugën që më dukej se po ecte me mua dhe shpresoja se po vdisja, sepse për mua ajo ishte dhe mbeti rruga e vdekjes.

Po ashtu edhe e përditshmja “Flaka” e datës 24 Maj 1999 ka shkruar për raportin e publikuar nga OSBE, për krimet dhe gjenocidin serb në Kosovë, ku thuhet se janë grumbulluar 1400 dëshmi për krime lufte e dhunime në Kosovë. Në këtë raport thuhet se dëshmitë janë grumbulluar nga grat dhe vajzat e reja shqiptare të cilat rrëfejnë për veten e tyre (anonime) apo për shoqet e tyre dhe të afërmet që kanë përjetuar dhunime nga pjesëtarët e forcave serbe

Pra, të tilla raste kemi shumë në Kosovë, madje mënyrën se si i tregojnë këto gra janë shumë tronditëse dhe skajshmërisht të dhimbshme. Nga qyteti në qytet dhe nga fshati në fshat, përjetimet janë të ndryshme. Ato që kanë përjetuar këtë tragjedi të tmerrshme, tregojnë se si kanë qen të shtrënguara t’i dhurojnë të holla dhe ari paramilitarëve serb, dhe pasi i kanë dhënë këto të holla ato përsëri janë dhunuar. Një tregim që kisha rastin ta lexojë në këto rrëfime, dhe që ka qen ndoshta edhe më tronditësi ishte se si një vajze të re i është mbytur nëna dhe vëllai në pranin e saj, më pastaj thotë; mua më morën me vete më dhunuan, dhe në trupin tim është shpuar i gjithë gjoksi më cigare, më pastaj i janë bërë kryqe serbo sllave, gjithashtu i janë hequr edhe thonjtë nga gishtërinjtë. Këtë rrëfim që paraqitem mund të jetë vetëm një skenar i kësaj tragjedie. Kosova ka përjetuar shumë e më shumë. Edhe pas gjithë këtyre përjetimeve që sa herë zbulojnë trupin dhe shohin gjurmët, ato prapë se prapë, i mbanë të forta shpresa se një ditë Kosova do t’i gëzojë me pavarësimin e saj, për të cilën sakrifikuan edhe nderin e tyre. Vlen për tu përmendur, se këto gra që ishin pre e torturave barbare të tigrave të Serbisë asnjëherë nuk u përulën para armikut. Gruaja shqiptare ka ditur të dëshmojë edhe në të kaluarën, por ajo diti të dëshmoj edhe sot. Ajo e pathyeshme edhe pse në trupin e saj mban gjurmë të tmerrit nga më të ndryshmet, e mban shpresa se Zoti do t’i shpërblejë. Besimi në Zotin Një, në çdo frymëmarrje dëshmohej nga këto gra, ato nuk mund ta fshehin atë se përsëri edhe pse janë torturuar, ato do të kenë shpërblimin nga i Lartëmadhëruari që sakrifikuan për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin e tyre. Thotë Allahu xh.sh:

“...E kush i detyron me dhunë të bëjnë atë, Allahu i falë ato pas atij detyrimi. Allahu falë dhe është Mëshirues.” En-Nur:33.

Para se ta përmbyllë këtë temë, dua të apeloj te të gjithë, për detyrën që kemi ndaj kësaj shtresë të shoqërisë duke bërë përpjekje të vazhdueshme për rikthimin e tyre në binarët e jetës normale. Sepse këto gra, motra dhe nëna që kanë përjetuar këtë tragjedi nuk janë të vetëm në këtë aspekt, por jemi edhe ne bashkë me ta, sepse dhunimi që është kryer mbi ta është pjesë e një lufte të përlyer, që ka shkaktuar dhimbje të natyrave të ndryshme, dikë e ka marrë plumbi, dikën e ka gjymtuar granata, dikush është masakruar, prandaj duhet llogaritur si dhimbje të përgjithshme. Por, s’duhet harruar edhe këtë, se ndjenjat e femrës janë më të buta dhe ajo shpesh është e pafuqishme në përballje me sfidën dhe në këtë rast vazhdimisht duhet t’i ndihmojmë të gjitha ato gra që kanë humbur më të dashurit e tyre, duhet t’i ndihmojmë ato gra që për shkak të dhunimit kanë mbetur larg ëndrrës për tu bërë nënë, të përpiqemi t’i ndihmojmë ato gra të harrojnë ato plagë të dhunimit që i janë bërë në pranin e familjarëve të tyre. Nderi është dhuratë nga Zoti, kjo i është marrë në mënyrë mizore. Kurse ne për t’ia kthyer nderin, duhet ti nderojmë dhe respektojmë ato. Është më së e vërtet se te liria s’arrihet nëpër lule, por nëpër vuajtje e mundime të gjata, por mundin e tyre ta konsiderojmë si pjesë përbërëse të çdo veprimtarie tonën duke i mundësuar edhe kësaj shtrese të shoqërisë që të rikthehen në jetën normale dhe të integrohen në jetën normale pa brenga të së kaluarës. Të mundohemi që kësaj shtrese t’i bëjmë një trajtim më të mirë në mënyrë që të harrojnë plagët e dhunimit që mbajnë në shpirtrat e tyre. T’i ndihmojmë familjarëve të grave të dhunuara që gratë, nuset, vajzat të tejkalojnë me lehtësi thyerjen shpirtërore të cilën e kanë përjetuar në këtë luftë të fundit.

P.S. ky punim është botuar në reviztwn “PAQJA” Nr. 4, 19 Mars 2007

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme