Familja e zgjeruar dhe sfidat bashkëkohore

Emine A. VEZAJ


Familja e zgjeruar dhe sfidat bashkëkohore


Familja e zgjeruar përkufizohet si një grup prej tre ose me shumë brezash që jetojnë së bashku ose brenda së njëjtës banesë ose shumë pranë njeri tjetrit. (A. Giddens) Nuk është e thënë që familja e gjerë të jetojë nën një çati, por normalisht anëtarët jetojnë afër njëri-tjetrit dhe punojnë së bashku në grupe. Familja që jeton në një shtëpi quhet “e zgjeruar në kuptim të banimit”, ndërsa ajo anëtarët e së cilës kanë role të njëjta dhe janë të varur e të lidhur ngushtë në mes veti, por janë pak a shumë të shpërndarë quhet “funksionalisht e zgjeruar”.

Familja e zgjeruar mund të përfshijë tre ose katër gjenerata. Këta mund të jetojnë dhe punojnë së bashku në një ekonomi të përbashkët shtëpiake, ose si një bashkësi fisnore e gjerë, që lidhet nëpërmjet marrëdhënieve shoqërore. Format më të shpeshta të familjes së zgjeruar në shoqërinë shqiptare janë të modelit : tre breza (fëmijë, prindër dhe gjysh e gjyshe, me radhë edhe agallarë e halla) nën një çati ose në një oborr ose pranë njëri tjetrit.[1] Çdo shoqëri në vazhdimësinë e saj bënë përpjekje për gjetjen e mënyrave më të përshtatshme që rregullimi i marrëdhënieve familjare të reflektoj vlerat e shoqërisë dhe njëherësh të jenë në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.[2] Por gjithsesi krahas kësaj që thamë, që nga kohërat më të hershme të historisë njerëzore, siç ka shënuar S.R Reiber, “religjioni dhe familja kanë qenë të lidhura ngushtë. Të dyja kanë ndikim mbi njëra-tjetrën...As që mund të kuptohen tërësisht të ndara njëra nga tjetra.”[3] Për këtë qëllim, do të shqyrtojmë strukturën familjare në kontekst të sistemit tradicional patriarkal shqiptarë, dhe të fesë dhe shoqërisë klasike myslimane. Pra thënë në përgjithësi meqë kohëve të fundit institucioni shoqëror i quajtur familje ka bërë disa ndryshime nga ana përmbajtjesore në aspektin familjar është e udhës që të flitet, për anën pozitive të familjes së zgjeruar, dhe anët negative që ka.


Sistemi familjar patriarkal shqiptar :

Të merresh me dukurit e reja në zhvillimin e shoqërisë e familjes shqiptare pas vitit 1990, të krijohet përshtypje se duhet të flasësh apo të shkruash për gjithçka, ngaqë ndryshimi është i njëmendtë. Në mënyrë të shpejtë, më shumë spontane dhe mjaft kontradiktore ka ndryshuar gjithçka.[4] Shikuar sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, (KLD-së), në KLD dallohen dy lloje kryesore të familjes; familja e madhe, e mbështetur në pronësinë e përbashkët të pjesëtarëve të saj meshkuj, dhe familja e vogël, e bazuar në pronësinë private të të zotit të shtëpisë dhe në pushtetin e tij absolut kundrejt gruas dhe fëmijëve. Në përmbledhjen e Gjeçovit, ekziston këshilli familjes së madhe dhe ai merr vendime mbi veprimet më të rëndësishme që i referohen familjes dhe pasurisë së tij. Dhe thënë në përgjithësi, familja shqiptare ishte pjesë e një sistemi patriarkal, ku si titullar kryesor në familje ishte burri.

Kultura shqiptare më tepër e përkrah sistemin e zgjeruar të familjes se sa atë bërthamë. Shumë familje shqiptare edhe sot janë të zgjeruara në kuptim të banimit – d.m.th, anëtarët e atyre jetojnë bashkë me tre apo më shumë breza të të afërmeve në një shtëpi apo afër njëri-tjetrit. Edhe atëherë kur ky version banimi i familjes së zgjeruar nuk është i mundur apo nuk preferohet, atëherë lidhjet familjare tejkalojnë kufijtë e njësisë bërthamë dhe janë të dukshme në lidhjet e fuqishme psikologjike, sociale, ekonomike dhe bile edhe politike.[5]

Meqë tashmë konsiderohet se është ndryshuar struktura e familjes shqiptare tradicionale, do të mundohem të paraqesim ato alternative që janë pro dhe contra e një ndryshimi të këtij sistemi.

Familja tradicionale dhe alternativat

Familja “tradicionale”

· Jetesë e përbashkët

· Martesë ligjore

· Lidhje relativisht të qëndrueshme

· Ekskluziviteti seksual i individëve të lidhur në martesë

· Lidhje e një burri me një grua

· Marrëdhënie heteroseksuale

· Prania e dy prindërve në familje

· Lindje dhe rritje fëmijësh

· Burri si burim i parë i të ardhurave

· Burri si autoritet kryesor

· Kriteri moral dhe forca e opinionit

Familja “jotradicionale”

· Partner që jetojnë larg njëri-tjetrit

· Bashkëjetesë (qoftë edhe ligjore), por pa lidhje martese ose individ të pamartuar

· Paqëndrueshmëri, divorci, rimartesa

· Seksi jashtëmartesor, martesa seksualisht të hapura

· Marrëdhëniet seksuale brenda të njëjtit seks

· (Homoseksualiteti lezbizmi)

· Familje me një prind, me prindër të divorcuar apo të ve; familje me njerk/njerkë etj

· Parapëlqim për të mos lindur fëmijë, për të birësuar e marrë në kujdestari; fëmijë nga dy bërthama; nga martesa e mëparshme etj.

· Prirja për barazi e ndihmesa të përbashkëta (të paktën si një prirje apo realitet i pjesshëm)

· Prirja për martesë dhe familje “të hapur”, me të drejta, detyrime e përgjegjësi të barabarta

· Prirja për largimin e jetës personale nga kriteri moral.[6]


Familja e zgjeruar, formë tradicionale e familjes islame:

E gërshetuar me varësin e ndërsjellë, familja e zgjeruar është karakteristik themelore e shoqërisë kuranore që shërben për të përmirësuar marrëdhëniet mashkull-femër. Përveç anëtarëve të ngushtë, që përbëjnë familjen: nëna, babai dhe fëmijët e tyre – familja islame përfshin gjithashtu gjyshërit, xhaxhallarët, tezet, hallat, dhe pasardhësit e tyre...Solidariteti i familjes së zgjeruar, rekomandohet dhe fuqizohet prej Kuranit të shenjtë, në të cilin gjejmë referenca të përsëritura për të drejtat e farefisnisë dhe rëndësinë e trajtimit të tyre me dashamirësi.[7] Thotë Allahu xh.sh.,

“Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve... Dhe jepi çdo të afërmi të drejtën që i takon...”[8]

“Allahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim.”[9]

Dhe megjithëse kurani nuk rekomandon kurrfarë lloji të veçantë të organizimit familjarë, nuk ka dyshim se struktura tradicionale e familjes myslimane aktualisht ka qenë më afër llojit të zgjeruar sesa atij bërthamor. Kjo me siguri është rezultat i vazhdimësisë, e jo rezultat i ndonjë risie nga myslimanët. Islami nuk e përshkruan llojin e zgjeruar të familjes më tepër se që e ndalon atë. Nëse ka ngjarë që organizimi familjarë në shoqërinë myslimane e ka pranuar, apo më mirë e ka vazhduar këtë formë të zgjeruar, nuk ekziston kurrfarë klauzole që atij t’i jep një miratim apo mospëlqim universal. Mirëpo, pavarësisht se a ishte gjerësia e strukturës së familjes myslimane funksion i vazhdimësisë historike apo i kushteve të tjera shoqërore, Islami në dukje e pranoi këtë formë dhe nuk morri kurrfarë qëndrimi tjetër për të, për dallim nga qëndrimi i tij për aspekte të tjera të ndryshme të familjes.[10]

Familja e zgjeruar është një institucion, që mund të ketë dobi të mrekullueshme për burrin dhe për gruan. Familja e zgjeruar veçohet për faktin se:

1. ajo mbron nga egoizmi apo ekscentrizmi i ndonjë grupi, sepse individi përballet jo vetëm me një bashkëshort të vetëm, por me një familje të tërë të barabartësh, të moshuarish dhe fëmijësh.

2. ajo u mundëson grave të ndjekin karrierën, pa dëmtuar vetveten, bashkëshortin, fëmijët apo të moshuarit, ngaqë ekzistojnë gjithmonë të rritur të tjerë në shtëpi, për të ndihmuar në punët e gruas apo të nënës...

3. familja e zgjeruar siguron një shoqërizim të mjaftueshëm të fëmijëve. Këshilla e nënës apo babait, në një familje të ngushtë apo të vetme, vështirë se mund të ndiqet nga një i pabindur apo fëmijë kokëfortë, ndërsa ndikimi i kombinuar i anëtarëve të një familje të fort të zgjeruar, është i efektshëm kundër pabindshmërisë apo padëgjueshmërisë.[11]

Këto dhe disa karakteristika të tjera që ka radhitur Lois Lamja Faruki, bëjnë që familja e zgjeruar të mbanë epitetin e një trungu të fort që do të mbanë anëtarët e shoqërisë të fortë dhe të pathyeshëm në përballje me sfidat e kohës.

Situata bashkëkohore e familjes është përcaktuar si një “gjendje e papëlqyer”, një “dilemë”, një “tragjedi”; dhe disa e përcaktojnë shqetësimin si një “prishje të furishme të një sistemi” (Carle C. Zimmerman, cituar prej Adams 1973, f. 353). Në problemet me të cilat janë duke u përballur shoqëritë me civilizime më të madh në radhë të parë klasifikohet roli i grave. Një pjesë e madhe e popullsisë së gjinisë femërore është duke përmbushur rolin e mashkullit dhe të femrës në të njëjtën kohë. Në të shumtën e rasteve, këto gra kanë dështuar pa ia dalë mbanë në të dy rolet. Si pasojë e luftës së tyre, anëtarët meshkuj të shoqërisë janë, gjithashtu, duke u shtyrë drejt një roli të dyfishtë korrelativ – për të qenë mirëmbajtës dhe fitues së rrogës, në të njëjtën kohë që ata përkujdesen për fëmijët, gatuajnë ushqim, lajnë dhe hekurosin. Një përzierje e tillë e përgjegjësive, qoftë për femrat apo për meshkujt, priret për të përfunduar në një dështim dhe tragjedi.[12] Problem tjetër në shoqëritë bashkëkohore, konsiderohet vetmia. Fati i të moshuarve është jeta në vetmi, pa kontaktin e brezave, vetmia dhe izolimi i tyre ndërpritet vetëm prej vizitave të rastësishme dhe të detyrueshme të fëmijëve, apo nipave dhe mbesave. Kur ata bëhen të paaftë për të kryer nevojat fizike, ata dërgohen në azile, apo në shtëpitë që përkujdesen për pleqtë, ku presin vdekjen. Problem tjetër është edhe shthurja morale, pastaj problemi i prindërve dhe shumë tjera janë edhe një sfidë që ne si shoqëri e një sistemi tradicional të familjes së zgjeruar, shoqëri e një sistemi patriarkal, dhe shoqëri e respektimit të urdhrave fetar, dalëngadalë jemi duke shkuar në gjurmë të këtyre që kanë humbur çdo respekt për këtë sistem familjarë. Por çdo sëmundje ka shërimin, dhe çdo sfidë ka edhe përballjen dhe mënyrën për një evitim të suksesshëm. Vështirësitë e tilla mund të lehtësohen me anën e një sistemi të zgjeruar familjar në të cilin më të mëdhenjtë apo anëtarët tjerë të kombinuar do të ndihmonin në vazhdimin e jetës në binar normal pa u dëmtuar asnjëra palë, ku fëmijët do të mund të përkrahen prej hallave, xhaxhallarëve apo prej gjyshërve, të cilët janë “në skenë” për të mbështetur çdo vendim të të rriturve dhe çdo problem do të mund të tejkalohet në mënyrë të drejt pa u dëmtuar askush. Në arsenalin e mjeteve dhe alternativave për të përmirësuar këtë gjendje dhe për të luftuar këto sfida, ne duhet që t’i japim krah sistemit të familjes së zgjeruar, si mënyrë e vetme dhe zgjidhjen e qëndrueshme të problemeve bashkëkohore.


P.S. Ky punim është botuar në revistën “PAQJA” Nr. 6, 19 Maj 2007

--------------------------------------------------------------------------------
[1] www.trendet.net
[2] Dr.sc. Abdullah Aliu, Mr.sc. Haxhi Gashi, E drejta familjare, Prishtinë, 2007. fq. 15.
[3] Hamude Abdulati, Struktura familjare në Islam, Shkup, 1995, fq. 3.
[4] Lekë Sokoli, Analiza sociologjike, Tiranë, 2006. fq. 5-6.
[5] www.trendet.net
[6] Lekë Sokoli,op cit.. fq. 8.
[7] Lois Lamja Faruki, Gratë shoqëria muslimane dhe Islami, Shkup, 2007. fq. 90-91.
[8] Kurani: En-Isra: 23-26.
[9] Kurani: En-Nahl: 90.
[10] Hamude Abdulati…op cit, fq. 31.
[11] Lois Lamja Faruki…op cit. fq. 91-92.
[12] Op cit. fq. 111.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme