Breziiri.com, një zë i traditës dhe publicistikës islamo-shqiptare

Idealet për të cilat është përkushtuar “Brezi i Ri” janë tipike islame e kombëtare, ideale këto të Ummetit të cilat që moti flenë edhe në gjirin e traditës tonë shekullore. “Brezi i Ri” erdhi, pikërisht, për t’i zgjuar këto ideale dhe, kështu, me plot dëshirë dhe elan, të tentojë të rikthej hapin në drejtim të islamizimit të shpirtit, mendjes dhe kulturës shqiptare, hap i cili, tanimë është drejtuar drejt një botë tjetër, e errët dhe e panjohur për të.

Sot ne jemi dëshmitarë të një shmangieje të popullit shqiptarë nga këto ideale të vërteta, dhe tentativës për ta kthyer atë në kohërat kur s’ishte asgjë islame.

Tentativa për deislamizimin e shqiptarëve po vazhdon! Madje edhe me një propagandë shumë më të fuqishme… Islamofobia dhe qëndrimet gjithnjë e më inferiore kanë filluar shpesh të hasen në mediat dhe literaturën e publicistikës tonë shqiptare. Dhe, më e keqja, formimi i diskursit në frymën e pro-perëndimit, me një respekt të posaçëm ndaj kristianizmit, dhe anti-orientalizmit, me një dozë frike ndaj aziatikëve, turqve, arabëve, gjegjësisht muslimanëve…

Shkruhet e çfarë nuk shkruhet, vetëm Islami nuk përmendet, madje edhe aty ku përmendet, është tepër i nënçmuar…

Nga ana tjetër, si qëndron puna me publicistikën islamo-shqiptare?

Ç’rol luan ajo në shpjegimin e Islamit dhe traditës së tij të shkëlqyer?

Ç’paraqet ajo sot për muslimanët shqiptarë? Ç’përgjigje ofron ajo për shumë çështje dhe debate që sot bëhen mbi Islamin, qoftë brenda apo jashtë spektrit musliman? Ç’zgjidhje ofrojnë mediumet islamo-shqiptare në sqarimin e drejtë të konditave fetare dhe çështjeve diskutabile që ndërlidhen me mësimet tradicionale dhe moderne?

Ç’zë ka sot publicistika jonë?

Cili do të duhej të ishte misioni i saj i drejtë? etj.

Të gjitha këto pyetje dhe dilema na bëjmë që të mendojmë më thellë dhe më seriozisht për të ardhmen e diskursit tonë islamik, dhe të jemi të shqetësuar njëkohësisht.

Sot, publicistika islame shqiptare gjendet përballë një situate të palakmueshme dhe e sfiduar nga ajo laike, pro kristiane. Supremacioni i literaturës tjetër, në sasi e cilësi, nga ajo islame, ka bërë që edhe lexuesi të gjendet më larg saj. Mungesa e ekipeve dhe kuadrove të mirëfillta që do të dinin ta zhvillonin një rrjedhë të suksesshme, model, të publicistikës islame shqiptare ka bërë që sot të shfaqen iniciativa individuale dhe grupore të joprofesionalizuara dhe të marrin rolin e shpjeguesit të Islamit dhe të përhapjes së tij. Një mision i këtillë pa profesionalizëm nuk ka se si të jetë i suksesshëm. Madje sot publicistika jonë më shumë duket e huaj sesa shqiptare. Mungesa e njerëzve autoritariv, vizionar e mendjehollë, të cilët do të flitnin me kompetencë për Islamin dhe t’i mbronin vlerat e tij tradicionale, ka ndikuar që në vend të tyre të paraqiten pseudo intelektualë që për përcaktim dhe përfaqësim kanë ideologjitë dhe botëkuptimet e qarqeve dhe lëvizjeve të huaja, që nuk përkojnë shumë me botëkuptimin tonë islamik tradicional.

Edhe ata pak intelektualë meritorë që i kemi, janë të margjinalizuar tej mase nga shoqëria dhe Bashkësitë islame tonat, të cilat, si duket, akoma vazhdojnë të promovojnë dhe të përcjellin traditën gojore të interpretimi të Islamit, në vend se të themelojnë institute dhe akademi shkencore të mirëfillta dhe të shtojnë numrin e mjeteve informuese, kështu që të zhvillohet një publicistikë e shëndosh, konkurruese dhe sfiduese.

Ne sot nuk kemi një gazetë islame të përditshme, madje edhe ato periodike dyjavore e mujore që i kemi mezi se arrijnë të shtypen, duke u përballur me vonesa, e probleme të tjera të natyrave të ndryshme teknike, financiare, përmbajtësore, etj.

Ndërsa, shtëpitë botuese si duket më tepër botojnë libra të tillë, të cilët më shumë do t’i joshin interesat e donatorëve, sesa të lexuesit. Të mos flasim për ueb-faqet, portalet dhe forumet me përmbajtje islame. Atë që e shoh si shqetësuese kur bëhet fjalë për ueb-faqet tona, është se ne nuk bëjmë sa duhet në organizimin dhe mirëmbajtjen e tyre. E para, është fatkeqësi e madhe që një ueb-faqe t’i furnizojë me artikuj e publikime pesë a gjashtë të tjera, duke i huazuar dhe bartur kështu artikujt e njëjtë nga njëra te tjetra. Lexuesi s’ka sesi të mos zhgënjehet kur sheh të njëjtat publikime në më shumë ueb-faqe. E dyta, redaktimi dhe zgjedhja e materialeve me shumë vështirësi arrin nivelin e duhur, sidomos vihet re niveli i dobët i radakturës gjuhësore, ndërsa të mos flasim kur bëhet fjalë për përzgjedhjen e teksteve që publikohen, herë-herë pa ndonjë synim e objektiv, si dhe, duke anashkaluar aspektin cilësor të tyre. Dhe e treta, një pjesë e madhe e faqeve nuk kanë diskurs të gjallë dhe të përcaktuar islamik.

Këto, dhe shumë gjera të tjera, na bëjnë që të mos jemi shumë të kënaqur me rolin e ueb-faqeve islame në pasqyrimin e drejtë të mësimeve islame dhe në formimin e një gjuhë që nxit në vetëdijesim, ringjallje dhe unitet.

Andaj, pa dashur që të zgjatem edhe më shumë në ngritjen e shqetësimit ndaj këtij miskiniteti cilësor mediatik me të cilën po përballemi, kundrejt një pasurimi të madh të medieve të tjera që ofrojnë materiale të ndryshme të parëndësishme, degjeneruese përpara lexuesit shqiptaro-musliman, do të mundohem të them disa fjalë se pse jemi ne dhe ç’është objektivi ynë si “Breziiri.com” dhe se ç’na mbetet si sfidë për të ardhmen.

Pse “Breziiri.com”?



Portali “Breziiri.com” nuk u themelua si rezultat i ndonjë frustracioni, dëshire argëtuese apo interesi profitabil, por si një nevojë e kohës, me objektiv dhe synim të qartë. Ai lindi për t’i dalë në krahë traditës islame tek shqiptarët, gjegjësisht asaj publicistike e gjetur e vetmuar karshi propagandës së furishme kundër çdo gjëje tradicionale islame, madje në disa raste edhe nga vetë ata që thirren në “veprimtari islame”.

Për të qenë të sinqertë, themi që ne nuk erdhëm për të bërë çudira, por vetëm për të vazhduar rrugën e drejt, përkrah atyre që kishin filluar para nesh, në mënyrë që të formësohemi edhe më mirë dhe të krijojmë rrjedhën e fuqishme drejtë ngritjes së gjuhës fetare dhe vizionare në veprimtarinë publicistike.

“Breziiri.com” u themelua si rezultat i dëshirës dhe vullnetit të disa të rinjve për të themeluar dhe ngritur, si për fillim, një medium elektronik, me përkushtim dhe aspirim të pastër islamik dhe me vizion për ta kthyer të kaluarën e ndritshme tonën në një fanar të së sotmes dhe ndriçim të së ardhmes.

Ç’arriti të realizojë “Breziiri.com” për gjatë këtyre viteve të funksionimit të tij?

“Breziiri.com” gjatë këtyre viteve të funksionimit të tij ka vepruar si një portal, ku janë përfshirë një sërë temash dhe metodash të thirrjes islame, e që i mundëson interneti, por në tre segmente është koncentruar më së shumti:

1.Gjatë këtyre viteve “Breziiri.com” ka arritur që në morinë e temave të tij, të sjellë një sërë përgjigjesh për shumë dilema, të cilat, jo vetëm se në aktualitetin shqiptar, por edhe në të gjithë botën muslimane kanë qenë shumë të diskutuara, filluar nga fusha e besimit, praktikës e deri tek ajo moralja. Sidomos është kontribuar shumë në aspekt të ndriçimit të dilemave të riaktualizaura kohëve të fundit, bie fjala se si do të duhej të sillemi përballë klasikes (tradicionales) dhe bashkëkohores (modernitetit); duhet apo nuk duhet të ndiqet medh’hebi, cilit medh’heb i takojmë ne si shqiptarë; kush është Ehli Sunneti dhe Xhemati; si t’i kuptojmë ata që nuk thërrasin në medh’heb dhe që na akuzojnë ne; cilët janë ata që nuk ndjekin medh’hebin dhe ç’synojnë ata; ku duhet të jenë shqiptarët në këtë proces; ç’rol duhet të luajnë shqiptarët për të ardhmen e Islamit në Evropë; cilat janë sfidat e muslimanëve shqiptarë, veçanërisht të brezit të ri; si të dilet nga kriza e identitetit dhe moralit; çështja e identitetit fetar e kombëtar te shqiptarët, e shumë çështjesh e të tjera. Pra, me këto tema të hapura e përgjigje të dhëna, konsiderojmë se “breziiri.com” ka bërë një shërbim të madh ndaj Islamit dhe muslimanëve shqiptarë, natyrisht duke u qenë mirënjohës miqve, bashkëpunëtorë dhe redaksisë së tij.
2.Interpretimi i Islamit përmes përgjigjeve të dala si rezultat i pyetjeve të parashtruara direkt nga lexuesit. Rubrika “Pyetje-Përgjigje” ka luajtur një rol jashtëzakonisht të madh në shpjegimin e shumë çështjeve të paqarta tek lexuesit, dhe njëkohësisht edhe një tendencë e re e interpretimit të Islamit përmes kësaj mënyre te shqiptarët.
3.Shtrimin e debateve të ndryshme në Forum. Përmes kësaj forme “Breziiri.com” ka arritur që në anëtarësinë e tij të tubojë njerëz të profileve të ndryshme dhe me to të debatojë për shumë gjera dhe problematika që preokupojnë shoqërinë tonë shqiptare, por edhe atë mbarë muslimane, mënyrë kjo shumë e suksesshme, interaktive, për t’u gjetur se kush jemi dhe ç’bëjmë, përballë shumë mendimesh, idesh dhe qëndrimesh.
Por jo vetëm kaq, “breziiri.com” ka synuar të jetë një dritare përmes së cilës ka bërë të duket dija burimore, e trashëguar dhe e ruajtur brez pas brezi deri tek ne.

Andaj, pa dashur që të zgjatemi edhe më shumë në shfaqjen e asaj se çfarë bëmë, ndonëse lexuesi e ka fort mirë parasysh punën dhe veprimtarinë tonë, madje-madje edhe synimin dhe objektivin tonë, mendoj se duhet thënë edhe ca gjëra se ç’mbetet për t’u bërë më tutje.



Prioritetet

Natyrisht, ne jemi të vetëdijshëm që akoma nuk e kemi arritur atë që synojmë dhe që kemi për qëllim, por mendoj se kemi bërë të mirën më të mundshme. Tani, me lëshimin e formatit dhe organizimit të ri të ueb-faqes, konsiderojë se si prioritet kryesor mbetet:

1.Profilizimi i stafit në bazë rubrikave dhe formimi i grupeve të caktuara që do të shkruanin në rubrika të caktuara. Ashtu që për akaidin të shkruajnë akaidologë, e për tefsirin – tefsirolog, dhe kështu me radhë.
2.Ngritja edhe më e lartë e cilësisë dhe kualitetit të temave që do të publikohen në të.
3.Shndërrimi i tij në një medium shkencoro-informues serioz dhe hapja e tij karshi të gjitha shtresave dhe profileve të ndryshme shoqërore.
4.Realizimi i projekteve të ndryshme, që s’është e thënë të jenë elektronike, bie fjale si botimi i materialeve më të mira që do të publikohet në të, inkuadrimin e një dhome-chati, ku vizitorët do të kishin mundësi të dëgjonin ligjërata online nga ligjërues dhe mysafirë të “Brezit të Ri”, ejt.
Këto pika, i konsiderojmë si disa nga prioritet që do të duhej “breziiri.com” në një periudhë të shkurtër të filloj t’i realizojë dalë nga dalë. Jemi të vetëdijshëm për shumë gjera të tjera, të dobishme, të cilat do të na ndihmonin shumë në veprimtarinë tonë të thirrjes (da’vetit), e që do të duhej të ishin pjesë e jona, por le të shpresojmë se në të ardhmen të bëjmë më të mirën për popullin tonë shqiptarë në veçanti, dhe për Ummetin e Muhammedit alejhisselam në përgjithësi.

Në fund

Në fund të këtij editoriali dhe pasqyre të shkurtër që bëmë për publicistikën tonë islamo-shqiptare në përgjithësi, dhe për qëllimin dhe tendencat e “Brezit të Ri” në veçanti, do të doja të shtoja edhe diçka sa për të falënderuar më meritorët tanë, të cilët kanë bërë që “Breziiri.com” të marr formën dhe të duket kështu siç është.

Nuk ka sesi të mos jemi të kënaqur me punën e redaksisë sonë. Veçanërisht merita kanë dy profesorët tanë, Jusuf Zimeri dhe Nexhat Ibrahimi, të cilët me punën dhe me sugjerimet e tyre kanë bërë që “Breziiri.com”, me shumicën e të rinjve të vet, të ndjek një kurs reformues dhe pjekurie në fushveprimtarinë elektronike publicistike. Gjithashtu, falënderojmë të gjithë stafin redaktues dhe moderatorët e Forumit. Mendojmë se secili ka dhënë një kontribut të konsiderueshëm në afirmimin e vlerave tona të pastra islame e kombëtare. Ju jemi mirënjohës dhe falënderues të gjithë bashkëpunëtorëve, miqve, anëtarëve, lexuesve dhe dashamirëve të ueb-faqes sonë. Dhe për fund, i shprehim respekte dhe mirënjohje të posaçme mjeshtrit tanë, kreatorit dhe dizajnuesit të platformës se re të portalit tanë, Bedri Zeqirit, i cili me shumë vullnet dhe këmbëngulësi ka punuar për ta sjellë “Brezin e Ri” me një pamje shumë më të avancuar dhe moderne. Zoti qoftë i kënaqur me të gjithë ju!

Në emër të redaksisë
Mehas Alija

16 mars, 2010
www.breziiri.com

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme