Prostitucioni epidemi e kohës, apo afër “legalizimit”...?

Emine A. VEZAJ


Prostitucioni epidemi e kohës,

apo afër “legalizimit”...?



Historikisht, trojet shqiptare kanë ditur të përballen me sfida të natyrave të ndryshme, meqë shumë herë u ka rënë në hise të bashkëjetojnë me kultura dhe civilizime të ndryshme mirëpo, marrë në përgjithësi çdo dukuri negative është kundërshtuar dhe nuk e kanë përvetësuar ata që kanë qenë të denjë në moralin dhe edukatën që kanë trashëguar dhe mësuar qoftë nga bindjet fetare, apo edhe kodifikimet kanonike.


Pavarësisht nga pabarazia në të drejtat e grave shqiptare, kundrejt burrave, apo pavarësisht padrejtësive në trajtimin e tyre, pavarësisht nga paja, prika apo shpërblimet në rast martesash etj., gruaja (myslimane) shqiptare kurrë nuk është konsideruar si mall që mund të shitet e rishitet apo blihet e riblihet. Pra, trafikimi për qëllim prostitucioni “nuk ka histori”, të paktën ai nuk është kurrsesi një fenomen tipik shqiptar. Nuk rezulton që ky fenomen të ketë pasur përhapje të krahasueshme me shumë vende të tjera evropiane, siç është Greqia apo Italia fqinje, vende të tjera mesdhetare, Anglia etj., në të cilat prostitucioni dhe trafikimi i femrave ka lulëzuar në çdo fazë të qytetërimit të tyre. Trafikimi nuk përmendet në librat mbi historinë e Shqipërisë, në të drejtën zakonore shqiptare, në libra kronikash, gjeografësh, albanologësh, në folklorin shqiptar etj. Ky “përjashtim” lidhet më puritanizmin (lat. puritanism fr. puritanisme: lëvizje fetare politike angleze në shek. XVI-XVII që kishte si qëllim kryesor pastrimin e kishës anglikane nga ritet e ceremonitë e kishës katolike...), dhe përgjithësisht, me jetën tradicionale të institucionalizuar të shqiptarëve, një jetë të mbyllur, “në mbrojtje” (dhe në kuptim ushtarak të fjalës) në një familje të mbyllur, patriarkale, në të cilën gjithçka, përfshirë edhe jetën seksuale të pjesëtarëve të saj, ishte rreptësisht e koduar dhe e kontrolluar. Pohimi se trafikimi "nuk ka histori" duhet kuptuar si një fakt: Shqipëria, përgjithësisht, nuk ka prodhuar të tilla dukuri "së brendshmi".[1] Por, megjithatë, historikisht nuk ka qenë një vend i izoluar. Përkundrazi ajo ka qenë në udhëkryqe historike e gjeografike apo në udhëkryq të interesave të fuqive ushtarake të kohëve të ndryshme dhe është “populluar” nga pushtues të kulturave të ndryshme...[2] Prostitucioni është, pra një ndër dukurit më të dhimbshme e më tragjike të tranzicionit shqiptar, madje jo vetëm shqiptar. Por, ai është më i përfolur se i studiuar. Studimet empirike për prostitucionin mungojnë. Për më tepër, në Shqipëri prostitucioni është parë njëanshmërisht. Ai është identifikuar me dhunën dhe, nga ky këndvështrim, duket sikur shkaku i parë dhe i fundit i prostitucionit janë rrëmbyesit, trafikantët, dhunuesit, deri vrasësit e femrave, të cilët gjithnjë janë vënë në rolin e viktimës.[3]



Fillet e prostitucionit ndër shqiptar, Shqipëri - Kosovë


Fenomeni i prostitucionit në shoqërinë shqiptare, para dhe pas formimit të shtetit kombëtar, nuk është bërë objekt trajtimi nga studiues dhe, si pasojë, fondi i studimeve për këtë temë është thuajse i zbrazët. Në mungesë të burimeve të mirëfillta, si burim informimi mbeten dokumentet zyrtare. Dokumentet e Arkivit të Shtetit dëshmojnë se në Shqipëri, prostitucioni i mirëfilltë, por ilegal, u shfaq në fund të dhjetëvjeçarit të parë të shekullit XX. Ai u shfaq duke filluar nga viti 1910, në qytetin e Shkodrës dhe, sidomos pas vitit 1920, në të gjitha qytete e mëdha të vendit.[4] Edhe reagimi i parë zyrtar rreth këtij fenomeni përkon thuajse me fillimin e vetë shtetit shqiptar. Për disiplinimin e prostitucionit, shteti vendosi pa ndonjë hezitim të madh legalizimin. Ai fillimisht huazoi rregulloren e prostitucionit të Sarajevës. Më pas vijuan një varg analizash, të bazuara mbi raporte komisionesh të posaçme mbi prostitucionin, në organet vendore të Korçës, Durrësit, Elbasanit etj. Prej tyre u arrit në vendimet për të parat shtëpi publike në Shqipëri. Këto trajtesa lokale u pasuan nga rregullorja e re e prostitucionit, miratuar nga Këshilli i Ministrave, me vendim nr. 196, datë 10 shkurt 1922. pas miratimit në Parlament, kjo rregullore u shëndrrua në ligj.[5] Në bazë të kësaj rregullore të aprovuar nga Parlamenti i atëhershëm Shqiptar, ky “biznes” është ligjësuar, dhe de facto dhe de juro, nuk mund të ndërhynte askush në zhdukjen e kësaj dukuri ç’moralizuese të popullatës shqiptare në tërësi. Edhe përmes dokumenteve të marra nga Arkivi i Shtetit Shqiptar, dëshmohet se prostitucioni profesionist ka ekzistuar ndër shqiptar edhe para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në një letër të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë drejtuar Mëkëmbësish Mbretërore të Përgjithshme (9 janar 1942), thuhet se shtëpia publike e vendosur në Vlorë, në rrugën “Viktorio Emanuel”, nr. 40, “rezulton e hapur që prej vitit 1919”. Por ushtrimi i prostitucionit është vërtetuar në një hotel në Shkodër, qysh në vitin 1910.[6] Sipas këtij dokumenti, mund të themi se zyrtarisht prostitucioni në Shqipëri është njohur edhe para njohjes së Shtetit Shqiptar si shtet të pavarur. Fakte sikurse këto provojnë ekzistencën edhe në Shqipëri të ushtrimit të prostitucionit nga gra e vajza profesioniste apo të tjerë që e ushtrojnë atë “partë time”krahas atyre që kanë hyrë në tregun e mistershëm të prostitucionit të vendeve të tjera.[7] Pas viteve 1990, prostitucioni është favorizuar nga papunësia dhe, përgjithësisht, nga gjendja e vështirë ekonomike, si dhe etja e shfrenuar për para e fitim. Nga anketimet e kryera del se opinioni publik shqiptar është në masën 67.7% dakord me mendimin se varfëria është një ndër shkaqet e trafikimit të femrave dhe ushtrimit të prostitucionit.[8] Ndryshe nga shumica e vendeve të tjera, në Shqipëri, deri në vitet ’90-t prostitucioni, sikurse droga, homoseksualizmi etj., nuk njihej si fenomen. Ky “përjashtim” lidhet, së pari, me jetën tradicionale shqiptare dhe të drejtën dokesore dhe, së dyti, me faktin se regjimi i hekurt komunist nuk lejoi përhapjen e tij.[9] Këtu duhet shtuar ndoshta faktorin më relevant dhe më mbizotërues në këtë drejtim, fenë islame, e cila ka qenë, është dhe do të jetë mbrojtje më efektive krahas çdo institucioni edukativ arsimor.

Sa i përket Kosovës pjesë e këtij biznesi, nuk posedojë ndonjë dokument zyrtar se kur ka filluar ky zanat në Kosovë mirëpo, në fakt, për hir të së vërtetës duhet të behëm reale dhe të pranoj, se atë që nuk posedojë unë nuk mund të them se nuk ekziston, së paku kështu është realiteti. Në Kosovë është folur e përfolura për këtë zanat si para luftës së fundit, ashtu edhe pas luftës së fundit, gjithandej Kosovës janë organizuar seminare e tubime informative për këtë epidemi mirëpo, se nga kur rezulton kjo, nuk posedojë ndonjë dokument zyrtar i cili do të argumenton më bindshëm këtë “biznes” në Kosovë. "Në Kosovë ka prostitucion dhe ka edhe klientë", u tha me plot gojën nga aktivistë ndërkombëtarë e vendorë për të drejtat e njeriut. Qindra e ndoshta me mijëra vajza të reja po kalojnë në Kosovë kalvarin e "zanatit më të vjetër në botë". Mosha mesatare e tyre, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM), është 23 vjet, ndërsa rrugëtimi i pjesës dërmuese të tyre është i ngjashëm me të gjitha rrugëtimet e shoqeve të tyre nëpër botë, vetëm se në Ballkan duket që shkalla e "egërsisë" së bosëve e makrove është më e madhe. Policia e Kosovës, që drejtohet nga Misioni i Kombeve të Bashkuara, ka zbuluar disa shtëpi publike nëpër qendra të ndryshme të Kosovës. Janë arrestuar, disa dhjetëra persona, ndërsa mbi 100 femra janë riatdhesuar me ndihmën e IOM-it. Pjesa më e madhe e tyre vjen nga vendet e varfra të ish bllokut socialist, ndërsa rrëfimet janë të ngjashme. Shumë prej tyre që janë kontrabanduar në Kosovë nuk kanë pasur as idenë më të përafërt se do të detyrohen ta ushtrojnë prostitucionin. Ato janë nisur pas premtimeve se do të gjejnë punë në Kosovë, sigurisht të mashtruara nga prania e madhe ndërkombëtare. Migrimi, që shënon edhe fillimin e ferrit të jetës së tyre, sipas studimeve të IOM-it, nxitet nga luftërat dhe shkatërrimet ekologjike, por më së shumti nga kushtet e rënda ekonomike. Femrat që arrijnë në Kosovë më së shumti "rekrutohen" nga Moldavia, Ukraina, Rumania e Bullgaria. Disa syresh prapa vetes lënë edhe familjet dhe fëmijët e tyre.[10] Tashmë në Kosovë më pothuajse nuk konsiderohen lajme rastet kur policia ndërhyn në lokale të ndryshme dhe gjen se janë punkte të prostitucionit. Është indikativë gjithsesi që rastet më të shpeshta, policia i gjen në qytete tradicionale si Prizreni, Prishtina a Gjilani. Por, Kosova nuk është e vetmuar në këtë shëmti. Sipas një raporti më të fundit të Stejt departamentit, Shqipëria vazhdon të jetë vend ku “problem mbetet puna e fëmijëve të mitur, trafikimi i tyre dhe i grave, të cilat nuk janë të mbrojtura”. Po ashtu, muajt e fundit është raportuar shumë shpesh për punkte të shumta të prostitucionit në Maqedoni, veçmas në zonat e banuara me shqiptarë, ku kanë ndodhur edhe raste të vrasjeve të disa prostitutave.[11] Analist të ndryshëm kanë mbledh fakte rreth kësaj dukurie në Kosovën e pas luftës. Sipas një studimi të nxjerr nga Raufet Xavier & Quere Stefane në studimin e tyre “Mafia shqiptare një rrezik për Evropën” rreth prostitucionit në Kosovë kanë nxjerrur këtë përfundim, “Edhe prania e KFOR-it dhe UNMIK-ut në Kosovë, sipas tyre, vetëm e fuqizon mafian, pikërisht se kjo prani ka ndikuar në ngritjen e shkallës së prostitucionit, pra të nivelit të të ardhurave të mafiozve shqiptarë. Madje sipas tyre Raufer & Quere misioni i tyre në Kosovë është i paracaktuar të dështojë jo vetëm se në të ka përzierje kombësish, një mandat i paqartë dhe kontradiktor, burime të ndryshme autoriteti, shpesh konfliktual, por ushtarakët e KFOR-it u thonë (pikërisht në shtrat), prostitutave (pra mafiozeve), të fshehta të rrezikshme. Pra, drejtpërdrejt apo tërthorazi, këta autor të paskrupullt i thonë botës se prostitucioni dhe droga (dy gjymtyrët e mafias shqiptare), duhet të jenë kritere bazë për të vendosur për integrimin e Shqipërisë apo statusin e Kosovës.



“Legalizimi” i prostitucionit


Meqë prostitucioni konsiderohet një ndër dukurit më të dhimbshme dhe më tragjike të tranzicionit shqiptar, tani a duhet “legalizuar” apo luftuar këtë epidemi që është duke shkatërruar më mija familje të cilat prej kohësh gëzonin një harmoni familjare të rregulluar jetën shoqërore me kritereve të dispozitave të fesë, dhe kritereve kanonike në të cilat prekja e moralit përcillej me shkurorëzim e menjëhershëm të gruas. Në vende të caktuara evropiane, legalizimi i prostitucionit u bë si rrjedhojë së pari i mospasjes së këtyre qeverive të një sfondi religjioz, pra duke qenë qeveri më tepër ateisto-sekulariste dhe, së dyti duke kërkuar të kontrollonin një fenomen që për ato kishte marrë përmasa shqetësuese. Nëse në Shqipëri - Kosovë nuk mundet të përcaktojmë qartë se çfarë janë qeveritë tona, ateisto - sekulariste apo religjioze, duke parë qëndrimet dhe prononcimet shpeshherë ekstra religjioze të krerëve të shtetit në favor të një besimi siç është ai kristian, mund të konkludojm se një legalizim tillë do të pritej, ngase ne posedojmë identitet evropian dhe si mënyrë të vetme të integrimit ton në familjen e madhe evropiane një fenomen i tillë, do të jetë i mirëseardhur dhe jemi “pro” kësaj dukurie. Me çka do të favorizonim këtë biznes. Nëse me herët ka pasur raste sporadike të këtij fenomeni, legalizimi do ta shëndrronte në një biznes duke krijuar edhe precedentin e përhapjes së tij. Legalizimi i prostitucionit prish kodin dhe etikën morale shoqërore e cila e ka konsideruar dhe vazhdon ta konsiderojë prostitucionin si vepër të shëmtuar. Legalizimi i tij përbën edhe precedentin për brezat e ardhshëm që dalëngadalë të humbin kuptimin e të moralshmes.

Një “Jo” e fuqishme duhet të burojë nga shoqëria jonë, si për të treguar se ka shpresë për vazhdimësi vlerash, se ka garanci për brezat, për të treguar se me të vërtetë nuk e kemi humbur fare toruan dhe se dimë ta ndajmë vetveten nga e keqja.[12] Mirë do të ishte kjo, sikur ne të vetëdijesoheshim me kohë mirëpo, ende nuk është diskutuar mirfillë kjo dukuri ngase si ne në Kosovë, po ashtu edhe fqinjët tanë shqiptar, nuk i kushtojnë vëmendjen që meriton, kjo për faktin se prostitucioni, për krerët tanë qeveritar nuk është i “pranishëm” dhe “shqetësues”, por ne kemi “halle shumë më të mëdha” dhe kjo nuk meriton një vëmendje të tillë. Ndërsa atë që dëgjojmë çdo ditë në lajme, prostitucioni dita ditës është duke “lulëzuar” në çdo qytet. Arsyet se pse prostitucioni nuk duhet të legalizohet dhe të konsiderohet si “normal” radhiten si vijon: shkatërron dinjitetin e femrës, komercializon qeniet e gjalla, zgjeron rrugët e imoralitetit dhe legalizon shtëpitë publike. Historikisht, trojet shqiptare kanë ditur të përballen me sfida të natyrave të ndryshme, meqë shumë herë u ka rënë në hise të bashkëjetojnë me kultura dhe civilizime të ndryshme mirëpo, marrë në përgjithësi çdo dukuri negative është kundërshtuar dhe nuk e kanë përvetësuar ata që kanë qenë të denjë në moralin dhe edukatën që kanë trashëguar dhe mësuar qoftë nga bindjet fetare, apo edhe kodifikimet kanonike. Raste të tilla kemi edhe nga e kaluara, por edhe sot, ku kjo dukuri fuqishëm kundërshtohet nga masa e gjerë. Sipas një studimi që ka bërë Lekë Sokoli në librin e tij “Analiza Sociologjike”, sjellë fakte në të cilat kjo dukuri është kundërshtuar në mënyra të ndryshme. Citojmë: “Në shkurt 1922, në Shkodër ishte vendosur që të ngrihej një shtëpi publike. Por banorët e të gjitha lagjeve të qytetit protestuan për ta patur atë sa më larg vetes. Në janar 1942, drejtori i shkollës ekonomike të Vlorës kërkonte që të mbyllej shtëpia publike në rrugën “Benito Musolini”, sepse vajzat që mësonin në atë shkollë duhej të kalonin çdo ditë përpara shtëpisë publike, duke u gjendur në situata të pahijshme. Në dhjetor 1928, 29 burra nga fshati Kashovicë, Gjirokastër, i shkruajnë një letër ministrit të shtetit shqiptar në Athinë, me lutjen që të dëbohej nga fshati i tyre një grua e ve me origjinë izraelite, ish gruaja e një bashkëfshatari të tyre, që prostituonte në shtëpinë e saj, duke rrezikuar siç shkruhej shprehimisht; nderin dhe namuzin e familjeve tona në Shqipëri. Ngjashëm me këtë reagim kemi edhe atë të kohëve të fundit në Kosovë. Në komentet e bëra nga Dr. Milazim Krasniqi thuhet se “banorët e lagjes Sadik Tafarshkiu në Ferizaj, me anën e një vetorganizimi, kanë mbyllur dhjetë kafeteri, për të cilat thonë se janë vende ku ushtrohet prostitucioni, me çka e kanë rihapur temën alarmante të trafikimit të qenieve njerëzore, e cila më të shumtën mbahet e fshehur nën rrogoz. Deklaratat e disa banorëve të kësaj lagjeje në televizionin publik të Kosovës, zbulojnë se ata kanë kërkuar nga organet e rendit që të intervenojnë, por ato nuk u janë përgjigjur në mënyrë adekuate alarmimeve të tyre. Kur janë shterur shpresat se do të intervenojë policia, ata kanë intervenuar vetë, duke i dëbuar shtetaset e huaja, që punonin në ato kafeteri si kameriere. Në një reagim të një zyrtari të komunës së Ferizajt, nuk demantohej ekzistimi i shtëpive publike të maskuara si kafeteri, por shprehej mospajtimi me mënyrën e reagimit të banorëve, duke i akuzuar ata se nuk kanë kërkuar intervenimin e organeve kompetente. Në Kosovë ka ekzistuar vetëm ligji që ndalonte prostitucionin, ndërsa tani nuk ekziston asnjë rregullore që do ta legjitimonte apo ndalonte atë. Pa mbulesë ligjore, "bosët" e organizojnë rrjetin e prostitucionit nëpër të ashtuquajturat "klube nate" e "bare" të ndryshme, ku në skenë paraqiten "valltaret profesioniste", të cilat mund t'ju shoqërojnë gjatë mbrëmjes nëse për këtë jeni të gatshëm të paguani (natyrisht, paratë i shkojnë bossit). Ushtrimi i "fshehtë" i këtij zanati krijon kushte "ideale" për shfrytëzimin maksimal të femrave të pambrojtura nga ligji. Torturat dhe rrahjet sistematike, si dhe përdhunimet, janë format e egra të "trajtimit" të femrave, të cilat nuk guxojnë as të mendojnë për ikjen apo denoncimin e "pronarëve" të tyre. Thjesht, ato janë skllave që shiten herë te njëri e herë te pronari tjetër, në një shumë të madhe, varësisht nga mosha dhe gjendja e tyre fizike. Njëkohësisht, ato janë pa kurrfarë mbrojtjeje e përkujdes mjekësor, ashtu si edhe klientët e tyre. [13]

Përgjatë historisë prostitucioni, ka përfshirë të gjitha shoqëritë dhe të gjitha civilizimet, edhe megjithëse si nga Bibla ashtu edhe Kurani kjo dukuri është cilësuar si më e ndyra, edhe me gjithë pasojat e pafundme për individin dhe shoqëritë ajo prapë se prapë vazhdon edhe sot të “konsumohet” nga njerëzit e pandërgjegjshëm. Feja islame shkon në ekstrem, ku në një hadith (thënie profetike) Pejgamberi a.s thotë: “Ai që bënë zina (prostitucion), nuk mund të jetë besimtar i vërtet derisa e bën atë”.

Prostitucioni përfaqëson një problem të cilin as shtetet perëndimore, megjithëse kanë krijuar institucione të qëndrueshme, nuk kanë mundur ta mposhtin. Po shoqërive shqiptare dhe ballkanike, me institucione të pakonsoliduara, me kriza të rënda ekonomike, ç’u mbetet të bëjnë? Para se gjithash një kuadër ligjor më rigoroz që do të shkurajonte kriminelët. Së dyti, një bashkërendim institucional i këtyre vendeve dhe i vendeve të tjera të rajonit në luftën kundër prostitucionit. Së treti, duket se është i domosdoshëm një proces i shpejtë dhe shumëplanësh i ringritjes morale të njerëzve.[14]

Përfundimisht, uroj që ky shkrim të rris ndjeshmërinë e të rinjve në veçanti të vajzave, pa harruar edhe familjarët, zyrtarët, policët, prokurorët, tutorët, gjykatësit, politikanët dhe gjithë opinionin e gjerë. Duke arsyetuar shmangien nga kjo dukuri me vet faktin se kjo është e ndaluar nga Krijuesi i çdo gjëje të gjallë; Allahu xh.sh, i cili ka paraparë për secilën krijesë elementet e të dobishmes dhe të dëmshmes.


P.S. Ky punim është botuar në revistën “PAQJA”, Nr. 8/9. 19 Gusht 2007

--------------------------------------------------------------------------------

[1] http://www.tiranaobserver.com.al/20060521/komente.htm
[2] Lekë Sokoli, Analiza sociologjike, Tiranë, 2006. fq. 62.
[3] Leke sokoli. Op. cit. fq 26.
[4] Fatmira Musaj, Gruaja në Shqipëri (1912-1939), Tiranë, 2002, fq. 260-61.
[5] Fletorja zyrtare, nr. 30, Gusht, 1922, fq. 4.
[6] Fatmira Musaj, Gruaja në Shqipëri (1912-1939), Tiranë, 2002, fq. 260-274.
[7] Revista Spektër, Prostitucioni, holokausti Shqiptar, nr. 17, 19 prill 2003, fq. 19-21.
[8] Lekë Sokoli. Op. cit, fq. 75.
[9] Po aty, fq. 35.
[10] http://www.aimpress.ch/dyn/alba/archive/data/200012/01224-003-alba-pri.htm
[11] Cituar sipas: Dr. Milazim Krasniqit, Evropa e Lirë, 4 Prill 2003.
[12]http://dritaislame.com/tegjithe.php?subaction=shoëfull&id=1159019204&archive=&start_from=&ucat=34&
[13] http://www.aimpress.ch/dyn/alba/archive/data/200012/01224-003-alba-pri.htm
[14] Dr. Milazim Krasniqi, Shoqëria dhe prostitucioni, Gazeta Shekulli, 6 prill 2003.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme