Egjipti dhe Ibrahim Pasha

Megjithë masat drastike që organet e drejtësisë po marrin ndaj atyre që bëjnë vepra të këtilla nga të dyja palët, kjo dukuri nuk ka të ndalur, për çka mund të çojë në destabilizimin e vendit, nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje sa më shpejt..Për këtë, qeveria dhe mediet po përdorin ndikimin e prijësve fetare, të rektorit të Al-Az-harit, Dr. Muhamed Sejid Tantavit, i cili para pak ditëve vdiq në Arabinë Saudite dhe të Papa Shenodës, prijësit karizmatik të koptëve, me qëllim të uljes së tensioneve. Në këto veprime si duket kanë gisht edhe forca të jashtme, në veçanti diaspora tejet e fuqishme kopte në botën perëndimore dhe në SHBA. Kështu kohëve të fundit ajo ka dal me kërkesa të hapura për një autonomi territoriale për popullatën kopte në jug të Egjiptit.
Për uljen e tensioneve ndërfetare kontributin e vet po jep edhe elita intelektuale e Egjiptit, qoftë ajo myslimane apo kopte. Por, shkrimi që zgjoi kërshërinë time, ishte ai i botuar në të përditshmen “El-Ahram” (6 shkurt 2010) me titull: “Ibrahim Pasha dhe bashkimi kombëtar”, i dr. Rifat Seid. Autori, është profesor universiteti dhe kolumnist i rregullt i gazetës në fjalë. Autori, fillon artikullin e tij me fjalët se kur përhapet errësira dhe nuk gjen dritë për t’a ndriçuar të tashmen, atëherë nuk të mbetet rrugë tjetër vetëm të kthehesh në të kaluarën,. Shumë herë jemi kthyer në të kaluarën dhe për objekt shqyrtimi kemi pas bashkimin tonë kombëtar thotë autori. Por, kthimi ynë kësaj radhe do të na ofroj një model të veçantë të vetëdijes kombëtare për rëndësinë e unitetit, barazisë dhe respektit të besimeve, sado që ato dallojnë njëra prej tjetrës.
Këtë model për habi e gjejmë tek Ibrahim Pasha dhe atë në një vend, të cilin e nënshtroi me forcë. Pasi që konsolidoi pushtetin, në vitin e largët 1831 dhe pasi hyri në Jerusalem (Kuds) ngadhënjimtar, nxori një ferman, i cili në histori njihet me emrin “Jurildi Ibrahim Pasha” (fermani i Ibrahim Pashës), të cilin ia drejtoi kryetarit të Gjykatësve, i cili në ferman u quajt kryetar i Gjykatës Supreme të Jerusalemit, imamit të xhamisë së Omerit , myftiut të Jerusalemit dhe zëvendësit të tij si dhe të gjithë nëpunësve të cilët ishin përgjegjës për ndonjë çështje . Në ferman lexojmë urdhra të qartë, të prerë, të cilët nuk japin mundësi për kurrfarë komentimi, ashtu siç ndodh në kohën tonë.. Në tekst lexojmë: “Në Jerusalem ka tempuj adhurimi, manastire dhe vende për kryerjen e ceremonive të haxhit, ku vijnë njerëz nga vendet më të largëta të botës të gjithë popujt e krishterë dhe çifutë, të cilët u përkasin grupeve dhe sekteve të ndryshme. Jemi informuar se ata kanë paraqitur ankesa prej më të ndryshmëve, të cilat janë pengesë në kryerjen e obligimeve të tyre fetare.”
Në vazhdim lexojmë: “Ne shprehim vullnetin dhe gatishmërinë tonë të plotë për eliminimin e këtyre padrejtësive, andaj urdhërojmë guvernatorët e Ijales së Sajdes, sanxhakut të Jerusalemit dhe Nablisit për anulimin e të gjitha tatimeve për të gjitha mënyrat e udhëtimit. Jemi të informuar se në manastiret e Jerusalemit dhe kishat e tij qëndrojnë murgj, të cilët u janë dedikuar leximit të Ungjillit dhe kryerjes së adhurimeve sipas normave të fesë së tyre, andaj e shohim se drejtësia na obligon që të gjitha ato vende t’i lirojmë nga tatimet, me të cilat i kanë obliguar valit dhe sanxhakbejtë pa kurrfarë të drejte. Për këtë, urdhëroj që manastiret, kishat dhe të gjitha vendet e adhurimit të lirohen nga tatimet dhe obligimet tjera, me të cilat ishin obliguar popujt e krishterë që jetonin në Jerusalem, siç janë grekët, evropianët, koptet, armenët, e të tjerët. Urdhërojmë që kjo të zbatohet me njëherë në tërësi dhe nuk guxon që kjo të ta arsyetohet me çfarëdo shkaku, apo të quhet me çfarëdo emërtimi, siç është dhuratë, apo e ngjashme më diçka tjetër, qoftë e dedikuar për arkën e Pashës, gjykatësve, guvernatorëve, apo në emër të divanit. Poashtu kemi dhënë urdhër për ndalimin e tatimit me rastin hyrjes së krishterëve në kishën ku gjendet varri i Isaut, paqa dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të . Le të jetë e qartë për të gjithë se pas nxjerrjes së këtij fermani çdo kush që pranon ndonjë shpërblim, çfarëdo qoftë ai, nga këto vende adhurimi, apo edhe nga hanxhinjtë do të ballfafqohet me dënime të rrepta.”
Pastaj vjenë fermani tjetër, i cili paraqet kulmin e barazisë dhe të drejtësisë, ku thuhet: “Lejohet dhe pa farë pengese meremetimi, rregullimi, lyerja e këtyre vendeve të adhurimit dhe manastireve si dhe ndërtimin e të ngjashmëve me to pa marrë leje prej askujt, i madh qoftë ai apo i vogël”, përfundon fermani i Ibrahim Pashës.
Pas nxjerrjes së këtij fermani, një grup i dijetarëve mysliman të njohur si më ekstrem shkojnë te Ibrahim Pasha, të cilit, me qëllim provokimi ia shtrojnë këtë pyetje: Si mund të dallohen tash myslimanët nga të krishterët? Në mexhlisin e Ibrahim Pashës ishte prezent një dijetar, që ishte mysliman e i vërtetë, i cili morri për sipër përgjigjen. Ai tha: “Në të kaluarën, sundimtarët myslimanë mbanin shall të thjeshtë me ngjyrë të zezë, ata nuk ishin me ngjyra dhe zbukurime që kemi ne sot. Andaj, mjafton që ne t’i dallojmë myslimanët duke shkuar në xhami, kurse të tjerët t’i dallojmë duke u lutur në tempujt e tyre fetarë.
Vlen të theksohet se Ibrahim Pasha, ishte djali i madh i Mehmet Ali Pashës, shqiptar nga Kavalla, i cili në historinë Egjiptit njihet si themelues i shtetit modern. Dinastia e tij sundoi Egjiptin prej vitit 1805, deri në vitin 1952. Ndërsa Ibrahim pasha njihet si themelues i ushtrisë egjiptiane. Monumenti i tij gjendet ne sheshin e Operës në qendër të Kajros.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme