VËSHTRIM RRETH SHKURORËZIMIT NË TË DREJTËN ISLAME DHE LAIKE

Info

UNIVERSITETI I PRISHTINËS FAKULTETI JURIDIK -MASTER DREJTIMI CIVIL PRISHTINË PUNIM SEMINARIK LËNDA: E DREJTA FAMILJARE TEMA: VËSHTRIM RRETH SHKURORËZIMIT NË TË DREJTËN ISLAME DHE LAIKE MENTORI: Dr.Sc. Abdulla ALIU KANDIDATI: Vedat SHABANI Prishtinë, Qershor 2007

HYRJE E drejta islame ka një qëndrim mesatar sa i përket çështjes së shkurorëzimit. Nuk e ka ndaluar atë rreptësisht sepse një gjë e tillë do të ishte në kundërshtim me natyrën njerëzore dhe me vet procedurën e martesës, por gjithashtu nuk është edhe krejtësisht liberale ndaj çështjes së shkurorëzimit, këtë e vërtetojmë me fjalët e profetit Muhamed a.s. i cili thotë: “ Hallalli më i rrejtur te Zoti është shkurorëzimi ( talaku)”. Pra, me këtë kuptojmë se e drejta islame ka një qëndrim mesatar sa i përket çështjes së shkurorëzimit. Dhe në fund shpresoj që ky punim sa do pak të shërbej për ta kuptuar sa më mirë dhe më drejtë çështjen e shkurorëzimit në të drejtën islame. I. SHKURORËZIMI I. 1. Nocioni i shkurorëzimit sipas të drejtës islame dhe të drejtës laike Me shprehjen shkurorëzim ( Et-Telak) në të drejtën islame nënkuptojmë prishjen e kontratës së martesës përmes aktit konkret apo nënkuptues.[1] Ndërsa në të drejtën laike me termin shkurorëzim nënkuptojmë zgjidhjen e një martese të vlefshme që dallon thellësisht nga anulimi i martesës, sepse anulimi i martesës është zgjidhje e një martese të pavlefshme, ndërsa shkurorëzimi është zgjidhje e një martese të vlefshme.[2] I. 2. E drejta islame dhe shkurorëzim Islami ka marrë një qëndrim mesatar në mes ndalimit kategorik dhe libera­lizimit të pakualifikuar të shkurorëzimit. Ai as që e caktoi këtë praktikë e as që e injoroi realitetin dhe paraqitjen e saj. Një ndalesë e plotë me siguri do të mbetej si "ideal" apo thjesht si gjendje shpirtërore, por vështirë si një shembull për sjellje aktuale, për shkak se vetëkontrolli absolut nuk është gjithmonë i arritshëm. Në atë rast, një ndalesë e tillë do të ishte e papajtueshme me ideologjinë islame, e cila, sa i përket parimit, përcakton vetëm atë që është e arritshme në mënyrë njerëzore. Nga ana tjetër, çfarëdo liberalizimi i parregulluar i shkurorëzimit, është shoqëro­risht i papërfytyrueshëm dhe me siguri do të rezultonte me kaos, rrezik dhe veçori, që janë sa shkatërrimtare aq edhe të padu­rueshme. Në vend të kërkimit të së pamundshmes apo të padu­rueshmes, Islami mori një qëndrim që nga disa studiues është karakterizuar në mënyra të ndryshme, si "i dobët" dhe i çlirë, "i vrazhdë" dhe i palëkundshëm, apo si i përmbajtur dhe i përsosur, nga të tjerët. Shkurorëzimi apo dorëheqja në Islam është i shpërndarë përgjatë një vazhdimësie, që i rrethon të gjitha kate­goritë fetaro-ligjore duke filluar nga njëri ekstrem i urdhërimit deri te tjetri i ndalimit. P.sh., shkurorëzimi është i domosdoshëm aty ku nuk ekziston mënyrë e përfytyrueshme për pajtim ose shpresë për paqe ndërmjet palëve. Ai është mjaft i këshillueshëm apo madje edhe i obligueshëm po qe se gruaja është jobesnike apo mospërfillëse apo e pavëmendshme ndaj detyrave të saj fetare. Shkurorëzimi është ligjërisht dhe fetarisht i ndaluar gjatë periudhës mujore të gruas dhe gjithashtu gjatë kohës kur është kryer një marrëdhënie. Është mjaft e padëshirueshme apo madje edhe e ndaluar që shkurorëzimi të bëhet në rastin kur nuk ka ndonjë ar­sye të mirë për të, për shkak se ai do të ishte i dëmshëm, ndërsa muslimanëve feja e tyre ua ndalon që t'i shkaktojnë dëm ose ta lëndojnë njëri-tjetrin. Së fundi, shkurorëzimi është i lejueshëm kur për të ka baza të shëndosha, siç është mospërfillja e përsëritur apo dështimi në përmbushjen e qëllimeve të martesës. Madje edhe atëherë, nga Pejgamberi (s.a.v.s.) është emëruar si gjëja më e urryer te Zoti (xh.sh.), nga të gjitha gjërat e lejuara.[3] I. 3. Shkaqet apo arsyet e shkurorëzimit I. 3. 1. Shkaqet e shkurorëzimit sipas të drejtës islame Ekzistojnë me siguri po aq arsye për shkëputjen e martesës aq sa edhe ato për kontraktimin e saj. Këto arsye janë të shumta dhe të llojllojshme.[4] Nëse mes çiftit bashkëshortor nuk dominon harmonia, rehatia, dashuria dhe mëshira mes bashkëshortëve, Allahu xh.sh. e lejoi shkurorëzimin si rrugëdalje më të shëndoshë. Kjo bëhet me qëllim që partnerët mos kalojnë jetë të zymtë e me probleme të përhershme. Islami në asnjë çast nuk mund të pajtohet me gjendjen e palakueshme të të dy partnerëve. Islami i ka në konsideratë përçarjet, mospajtimet dhe gabimet që mund të lindin mes çiftit bashkëshortor, ndaj edhe e lejoi shkurorëzimin. Pikërisht nga kjo reflektohet ajo urti e jurisprudencës islame që i përshtatet kërkesave dhe nevojave njerëzore. I përgjigjet të gjitha shtresave, llojeve dhe traditave të njerëzve. Sikur të ishte i ndaluar shkurorëzimi atëherë akcila palë do t’iu nënshtrohej problemeve e vuajtjeve të përhershme. Respektivisht, në këso rastesh më së shumti do të dëmtohej femra. Pra, islami për çiftin bashkëshortor e lejoi ndarjen mes vete atëherë kur mes tyre konstatohet se, në mungesë të dashurisë së sinqertë dhe prehjes shpirtërore nuk mund të arrihet qëllimi final. Në këtë rast me vetëdëshirë vie deri te shkurorëzimi bashkëshortor duke mos pasur nevojë që për këtë ndarje të ndërhyj e as të intervenojë gjykatësi*. Vërtet martesa sipas principeve islame konsiderohet dhe porositet të jetë e përhershme, porse në të njëjtën kohë këto principe në asnjë mënyrë martesën nuk e parashohin si një burg, si një labirinth prej nga mund të dilet vetëm i vrarë apo i vdekur.[5] I. 3. 2. Shkaqet e shkurorëzimit sipas të drejtës laike Shkurorëzimi mund të bëhet për shkaqe të parapara me ligj. Legjislacioni ynë, përkatësisht LFK, e ka përvetësuar sistemin e përzier në të cilin parashihen shkaqet e përgjithshme dhe shkaqet e veçanta për të kërkuar shkurorëzim, pra shkaqet e shkurorëzimit në të drejtën laike janë shkaqet e përgjithshme dhe te veçanta. I. 3. 2. 1. Shkaqet e përgjithshme të shkurorëzimit Në nenin 69, par 1. të LFK, thuhet: bashkëshortët mund të kërkojnë shkurorëzim kur marrëdhëniet martesore janë çrregulluar seriozisht dhe në mënyrë të vazhdueshme. Në këtë rast ligjvënësi nuk i ka përcaktuar shkaqet konkrete, por për shkaqe objektive kur marrëdhëniet bashkëshortore janë tronditur mund të kërkohet shkurorëzimi. Si shkaqe që sjellin çrregullimin serioz të marrëdhënieve bashkëshortore mund të jenë: xhelozia, mospërputhja e karaktereve, grindjet e vazhdueshme, etj. I. 3. 2. 2. Shkaqet e veçanta të shkurorëzimit Ndryshe nga shkaqet e përgjithshme shkaqet e veçanta janë caktuar në legjislacion. Sipas nenit 69, par 2, të LFK, shkaqe të shkurorëzimit në mes tjerash janë: a) jeta e padurueshme e bashkëshortëve, b) shkelja e besnikërisë bashkëshortore, c) veprat penale kundër jetës së bashkëshortit, ç) keqtrajtimi serioz, d) lënia qëllim keqe dhe e paarsyeshme, dh) sëmundjet psikike të pashërueshme dhe paaftësia për të vepruar, e) ndërprerja e paarsyeshme e jetës faktike për më shumë se një vit dhe f) shkurorëzimi me marrëveshje.[6] I. 4. Llojet e shkurorëzimit sipas të drejtës islame Dijetarët shkurorëzimin e kanë ndarë në dy lloje: shkurorëzimi me të drejt kthimi ( Talak rexh’ij) dhe shkurorëzim përfundimtar ( Talak Bain). Shkurorëzimi përfundimtar ndahet në dy kategori: ndarje e vogël ( bain bejnune sugra) dhe ndarje e madhe ( bain bejnune kubra).[7] I. 4. 1. Shkurorëzimi me të drejtë kthimi ( Talaku rexh’ij) Shkurorëzimi me të drejtë kthimi ( talak rexh’ij) është shkurorëzimi i cili nuk mënjanon dispozitat e bashkëshortësisë e as që pezullon të drejtën e bashkëshortit. Bashkëshortësia akoma vazhdon të mbetet përderisa gruaja ( e shkurorëzuar) është në ditët e iddetit*( ditët e pritjes), andaj burri duhet ta rikthejë brenda kësaj periudhe. Nëse nuk e rikthen brenda periudhës së iddetit, atëherë ajo në këtë rast ndahet, me ç’rast ky nuk posedon të drejtë rikthimi pos me pëlqimin paraprak të gruas dhe ngritjes së një kontrate të re juridike. Ky lloj shkurorëzimi mund të bëhet me fjalë që përmbajnë domethënie të qartë për shkurorëzimin si p.sh. “ ti je e shkurorëzuar”, apo “ të kam shkurorëzuar”.[8] I. 4. 2. Shkurorëzimi përfundimtar ( talaku bain) Pra, siç thamë edhe më herët se shkurorëzimi përfundimtarë ndahet në dy kategori: ndarje e vogël ( bain bejnune sugra) dhe ndarje e madhe ( bain bejnune kubra). I. 4. 2. 1. Shkurorëzimi apo ndarja e vogël ( bain bejnune sugra) Nëse gruas pas shkurorëzimit me të drejt kthimi ( talak rexh’ij) i kalon kohë pritja ( iddeti ) ndërsa burri nuk e rikthen në jetën bashkëshortore, apo e lëshon sërish pas rikthimit të parë, atëherë ky shkurorëzim shndërrohet në bain bejnune sugra, që do të thotë se, burri më nuk e posedon të drejtën e rikthimit pa kontratë të re. Para përsëritjes së kontrates së re është i ndaluar takimi dhe qëndrimi i tyre në vetmi. I. 4. 2. 2. Shkurorëzimi apo ndarja e madhe ( bain bejnune kubra ) Nëse burri nuk e rikthen gruan pas lëshimit bain bejnune sugra ndërsa kalon periudha e iddetit, apo, e rikthen dy herë dhe sërish e lëshon, ose, nëse në një kuvend burri e përsërit tri herë shprehjen “e lëshuar”, qoftë edhe me ndonjë shenjë që i jep kuptimësi treshit, si përshembull, tri herë rresht ia përsëritë se është e lëshuar, apo, duke i thënë se është e lëshuar njëkohësisht ngritë edhe tre gishtat e dorës, atëherë ky shkurorëzim konsiderohet bain bejnune kubra.[9] Ky lloj shkurorëzimi nuk lejon më rikthim, madje, as me kontratë të re. Në këtë rast rikthimi mund të vie në shprehje vetëm pasi gruaja e lëshuar për të tretën herë martohet dhe vë kurorë të shëndoshë me ndonjë tjetër me të cilin ka marrëdhënie të plota seksuale dhe, nëse edhe prej këtij burri lëshohet, pra, vetëm atëherë pas kalimit të periudhës së iddetit burri i mëparshëm mund ta rikthejë gruan edhe atë, nëse vetë ajo shpreh dëshirë për t’u rikthyer. Këtë e mbështesin në citatin kur’anor ku Allahu xh.sh. në lidhje me këtë thotë: “E në qoftë se ai (burri) e lëshon atë (për herë të tretë), pas atij (lëshimi) nuk lejohet më derisa të martohet ajo për një burrë tjetër. E nëse ai (burri i dytë) e lëshon atë, atëherë për ata dy, po qe se mendojnë se do t’i zbatojnë dispozitat e All-llahut, nuk ka pengesë të rikthehen (në bashkëshortësi). Këto janë dispozita të All-llahut që ia sqaron një populli që kupton.” [10] I. 5. Mënyrat e shkurorëzimit I. 5. 1. Mënyrat e shkurorëzimit sipas të drejtës islame Shkurorëzimi mund të shprehet përmes dy mënyrave apo formave: a) përmes shprehjes që në mënyrë të drejtpërdrejtë e sinjalizon ndarjen e plotë, dhe b) përmes shprehjes në mënyrë alegorike apo të tërthortë. I. 5. 1. 1. Mënyra e drejpërdrejtë e shkurorëzimit Nëse në mënyrë të drejtpërdrejtë shprehet ndarja apo lëshimi, në këtë rast fuqizohet shkurorëzimi edhe pse ajo bëhet ne fakt, pa qëllim. Pra, nëse burri i thotë gruas “ je e shkurorëzuar” edhe pse me këtë rast nuk ekziston qëllimi i shkurorëzimit, me këtë shkurorëzimi bëhet i plotëfuqishëm. Në këtë rast, nëse kjo lëndë shqyrtohet në gjyq, përkundër përpjekjeve të burrit për të sqaruar se nuk e ka pasur për qëllim shkurorëzimin, këtë gjykatësi nuk do ta pranoj porse do t’i ndajë që të dy, natyrisht nëse arrinë gruaja t’i vërtetojë fjalët me të cilat është shprehur shkurorëzimi nga ana e burrit të saj. I. 5. 1. 2. Mënyra e tërthortë e shkurorëzimit Nga ana tjetër, deri te shkurorëzimi i plotë mund të arrihet edhe nëse ai shprehet në mënyrë alegorike, apo të tërthortë. Ta zëmë, shprehja “shko te familja jote”, edhe pse në shikim të parë me këtë nënkuptohet diç tjetër, po qe se shprehet me nervozizëm apo me arrogancë, në esencë kjo lë të nënkuptosh qëllimin për shkurorëzim[11]. Pra tek ky lloj i shkurorëzimit shikohet edhe qëllimi i njeriut. I. 5. 2. Mënyrat e shkurorëzimit sipas të drejtës laike I. 5. 2. 1. Shkurorëzimi me marrëveshje Procedura e shkurorëzimit iniciohet me padi ose me propozimin e përbashkët të bashkëshortëve për shkurorëzim me marrëveshje. Ligjvënësi e ka paraparë mundësinë që shkurorëzimi të bëhet me marrëveshjen e bashkëshortëve. Megjithatë, shkurorëzimi me marrëveshje çdo herë bëhet para gjykatës kompetente. Kështu shkurorëzimi bëhet me vendim të gjykatës në bazë të marrëveshjes së bashkëshortëve. Këtë e ka përcaktuar edhe LFK, në nenin 68, par 1, sipas të cilit, martesa mund të zgjidhet me shkurorëzim vetëm në bazë të vendimit të gjykatës. I. 5. 2. 2. Shkurorëzimi me padi Shkurorëzimi me padi, gjithherë ekziston kur njëri bashkëshortë e ka paraqitur padinë kundër dëshirës së bashkëshortit tjetër. Padia paraqitet në rastet kur nuk ekziston pajtimi i bashkëshortëve për shkurorëzim. Padia për shkurorëzim i paraqitet gjykatës kompetente ( LFK, neni 68). Sikur te shkurorëzimi me marrëveshje edhe të shkurorëzimi me padi, shkurorëzimi bëhet vetëm me vendim të gjykatës.[12] I. 6. Elementet vepruese të shkurorëzimit sipas të drejtës islame Është me siguri një keqkuptim serioz të thuhet se ushtrimi i shkurorëzimit është e drejtë vetëm e burrit, siç e nënkuptojnë këtë disa perëndimorë e sidomos feministët muslimanë. Po ashtu, është një keqkuptim të konsiderohet, siç do të kishin dëshiruar të thonë disa dijetarë muslimanë, se edhe burrat edhe gratë kanë në çdo aspekt të "drejta" të barabarta për shkurorëzim. Ajo që duket se u është njësoj e dhuruar atyre është e drejta për të kërkuar dhe për të fituar shkëputjen e një martese të pasukses­shme. Thënë me siguri, mekanizmat apo kanalet ndryshojnë në lloj dhe në qasje nga rasti në rast. Disa kanale janë të hapur vetëm për burrin; të tjerët vetëm për gruan, pa ose me intervenim juridik; ndërsa disa të tjerë për të dy, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo përmes procesit gjyqësor, me ose pa pëlqimin e partnerëve.[13] I. 6. 1. Të drejtat e burrit për shkurorëzim Është e drejtë apo jo e drejtë, natyra e mashkullit është e tillë, që ai i vardiset (i sillet rrotull) femrës. Në terma të marrëdhënieve njerëzore, burri zakonisht e fillon martesën duke e propozuar gruan. Në Islam, ai më tutje cakton një prikë (mehri) për të, e mirëmban atë, dhe merr përsipër përkujdesjen rreth familjes. Me njohjen e këtyre faktorëve, atij në disa raste i lejohet që të fillojë ose të shpallë shkëputjen e lidhjes bashkëshortore. Mirëpo, ai është i urdhëruar që këtë ta bëjë me maturi, mirësjellje dhe drejtësi. Duke marrë parasysh këto fakte: 1) urrejtjen e përgjithshme ndaj shkurorëzimit në Islam, 2) përshkrimin e Pejgamberit (s.a.v.s.) se bashkëshortja e mirë është lumturia më e madhe në jetë, 3) inves­timin e burrit në martesë, dhe 4) shtimin e përqindjes së shkurorëzimeve, pjesërisht, si rezultat i të drejtës së grave për shkurorëzim në kohët moderne; ka pak të ngjarë se një burrë rëndom do të kishte kërkuar të ndahet nga e shoqja e tij për shkaqe të parëndësishme. Në çfarëdo rasti, e drejta e muslimanit në këtë drejtim nuk është absolute, e as që guxon ai ta shpërdorë atë. I. 6. 2. E drejta e gruas për shkurorëzim dhe shkëputje të martesës Meqë martesa, sipas Kur'anit, është përshkruar si një shoqërim i paqes dhe i mëshirës dhe, meqë çdo e drejtë korrespondon me një obligim; gruaja njësoj si edhe burri, ka të drejtë që pavarësisht të fillojë dhe në të vërtetë ta shkëpusë lidhjen bashkëshortore. Në disa raste ajo mund ta bëjë këtë pa lejen e gjyqit apo pëlqimin e burrit të saj. Këto raste janë: 1) ajo që zakonisht quhet "shkurorëzim i deleguar", në të cilin burri në kontratën martesore pajtohet që në mënyrë të parevokueshme, t'ia transferojë gruas të drejtën e tij për shkurorëzim, e kështu ta fuqizojë atë që ta lirojë veten nga lidhja martesore, nëse dëshiron dhe kur të dëshirojë ajo; dhe 2) ajo që gjithashtu quhet shkurorëzim "i pezulluar" apo "i kushtëzuar", në të cilin burri, në kohën e kontraktimit të martesës, kushtëzon se po qe se ai bën diçka të kundërt me dëshirën e gruas së tij, ajo do të jetë e lirë të shkurorëzohet nga ai. Pëlqimi i burrit për kërkesën e saj është i papërfillshëm, po qe se ajo ka arsye të vlefshme për shkurorëzim. Në këtë rast bëhet detyrë e autoriteteve të caktuara që asaj t'ia mundësojnë fitimin e lirisë nga lidhja martesore. I. 6. 3. Shkurorëzimi apo shkëputja e martesës përmes pëlqimit të ndërsjellë Këtu edhe burri edhe gruaja personalisht pajtohen që në mënyrë paqësore ta shkëpusin lidhjen bashkëshortore. Kjo mund të marrë njërën nga dy format legjitime: a) hul’i (vetëshpengimi ose privimi), që iniciohet nga gruaja, por mundësisht, po ashtu me pajtim të burrit, dhe b) mubareah, një marrëveshje e ndërsjellë bilaterale (dyanshme) për përfundimin e martesës dhe për ta liruar njëri-tjetrin nga lidhja bashkëshortore. Gjyqi do t'i imponojë kushtet e tyre dhe do të intervenojë vetëm atëherë, po qe se ka kushtëzime të paligj­shme. I. 6. 4. Shkurorëzimi apo shkëputja e martesës përmes procesit gjyqësor Në këtë kategori bën pjesë shkëputja e martesës përmes vendimit të ndonjë trupi gjyqësor, me ose pa pëlqimin e palëve. Me këtë rast, përfundimi i marrëdhënies bashkëshortore nuk është një brengë private e të fajësuarve kryesorë, por, ajo i tërheq pas vete edhe autoritetet juridike dhe ato ekzekutive. Kjo situatë sigurohet kryesisht në këto raste: a) me lianin*, dëshmimin e dyfishtë apo mallkimin e ndërsjellë, dhe b) me anulimin, në të cilin kontrata martesore është konstatuar si e pavlefshme apo jokomplete dhe se duhet anuluar.[14] I. 7. Pasojat e shkurorëzimit sipas të drejtën islame Llojet e ndryshme të shkurorëzimit dhe të shkëputjes së martesës prodhojnë pasoja të ndryshme. Në këtë pjesë do të mundohemi t’i paraqesim pasojat e përgjithshme të shkurorëzimit, duke i lënë anash format specifike. I. 7. 1. Keqardhja-ngazëllimi Si reagim i parë i palëve ndaj shkurorëzimit është paraqitja e ndjenjës së keqardhjes ose e ngazëllimit, apo ndoshta edhe një kombinim i të dyjave. Po qe se keqardhja paraqitet në masë të tillë saqë i bën palët të inkurajohen, atëherë u jepet mundësia që t'i përmirësojnë gabimet e tyre, ta shlyejnë fajin, dhe ta shfuqizojnë veprimin e tyre. Po qe se reagimi është ngazëllim, ai është i për­mbajtur me obligimet e pazgjidhura dhe brengosjen për përshtat­jen e ardhshme. Çfarëdo që të jetë ndjenja e palëve, shpallja e shkurorëzimit nuk nënkupton patjetër edhe shkëputjen e me­njëhershme të lidhjes martesore. Aq më pak kjo nuk lë të nënkup­tohet panjerëzishmëria, fyerja apo hidhërimi ndaj njëri-tjetrit. Ekzistojnë disa mekanizma për ta revokuar shpalljen dhe disa mënyra për ta rifilluar marrëdhënien bashkëshortore, madje, edhe pas një shkurorëzimi të parevokueshëm. I. 7. 2. Iddeti apo periudha e pritjes Një pasojë e drejtpërdrejtë e shkurorëzimit apo shkëputjes së martesës është fillimi i periudhës së pritjes apo kohës provuese. Kjo zakonisht zgjatë tre muaj, për të lejuar tre kurse mujore. Po qe se paraqitet shtatzënësia, periudha zgjatë aq sa zgjatë edhe shtatzënësia. Shpjegim tipik i këtij rregulli është se kërkohet të vërtetohet se a ka mbetur gruaja me barrë. Po qe se nuk ka kurrfarë gjëje të këtillë, ajo, me mbarimin e kësaj periudhe, bëhet e përshtatshme për rimartesë. Mirëpo, po qe se paraqitet barra, ajo duhet të presë deri në lindjen e fëmijës, në mënyrë që të sigurohen legjitimiteti dhe identiteti i fëmijës. Periudha e pritjes është një kohë e provës, e rishqyrtimit dhe e kalimit. Ndoshta një peri­udhë më e gjatë do të ishte torturuese, ndërsa më e shkurta shumë nxitëse. Në çdo rast, ajo i lejon personit lirim gradual nga lidhja martesore dhe një kalim relativisht të rehatshëm nga njëri status në një tjetër të ri, pa shumë vrazhdësi. Pra, periudha e prit­jes mund të konsiderohet si një masë plotësuese preventive dhe si pikëkontroll i fundit. I. 7. 3. Mirëmbajtja në periudhën e pritjes Fakti se periudha e pritjes është së paku një zgjerim i pjesërishëm i lidhjes bashkëshortore, me siguri, ajo është një nga rregullat e mirëmbajtjes gjatë asaj periudhe. Gruaja, shkurorëzimi i së cilës është inicuar dhe shpallur nga burri, ka të drejtë të plotë për mirëmbajtje të tërësishme përderisa është në periudhën e pritjes. Ajo ka të drejtë të vazhdojë të banojë në të njëjtin vend si edhe para shkurorëzimit, ose të furnizohet me pajisje relativisht konfore për vendbanim. Ajo nuk duhet të përjashtohet nga shtëpia e vet, e as që duhet të dalë nga aty, pos nëse nuk ka kryer ndonjë kundër­vajtje të qartë turpëruese. Bashkë me këtë të drejtë, burri, dorëheqës, është plotësisht përgjegjës për ushqimin e saj, veshmbathjen dhe, po qe se është e nevojshme, për shërbimin, njësoj sikur martesa të ishte plotësisht e paprekur, gjatë së cilës kohë ajo me siguri do të ishte përshtatur ndaj ndërrimeve të reja në jetën e saj. I. 7. 4. Kujdestaria ndaj fëmijëve Fëmijët e vegjël mbeten nën kujdestarinë e nënës së tyre të shkurorëzuar, pos, nëse ajo nuk është e aftë. Shkurorëzimi si i tillë nuk e diskualifikon apo prek të drejtën e saj të kujdestarisë. Derisa ajo i ushqen fëmijët e vegjël dhe kujdeset për të tjerët, është përgjegjësi e babait që të bartë të gjitha shpenzimet e këtij kujdesi dhe në mënyrë të drejtë ta shpërblejë nënën për këtë gjë. Si plotësim, vetëm ai është përgjegjës për strehimin, veshmbathjen dhe ushqimin e tyre, madje edhe po qe se ata janë nën kuj­destarinë e nënës apo në shtëpinë e saj. Derisa kjo gjë mund të jetë një burim i mundshëm i tensionit dhe i padisë, po ashtu mund të jetë një masë për pajtim dhe harmoni. I. 7. 5. Caktimi i mehrit Po qe se shkurorëzimi zë vend pas përmbushjes së martesës, gruaja e shkurorëzuar duhet ta pranojë mehrin e saj të plotë, ose ndonjë pjesë të caktuar të tij. Përveç kësaj të drejte të patjetër­sueshme të gruas, është mjaft e këshillueshme që ajo të trajtohet nga dorëheqësi (burri) në mënyrë sa më bujare dhe sa më të sjell­shme. E tërë çështja e vendosjes pas shkurorëzimit është përshkruar me terma të zemërgjerësisë, devotshmërisë, mirësjell­jes, mëshirës dhe të vullnetit të mirë. Parimet e këtilla, kur të përmbushen, qartë i tejkalojnë formalitetet ligjore dhe shkurorëzimit i japin një ngjyrë morale. Ndoshta asgjë tjetër nuk mund ta ilustrojë këtë më mirë se Kur'ani,[15] ku thotë: “Nuk është mëkat për ju nëse i lëshoni gratë pa pasur kontakt (martesë) me to dhe para se t’u caktoni atyre ndonjë caktim (kurorë-nikah), po pajisni ato (me ndonjë pajisje), pasaniku sipas mundësisë së tij dhe i varfëri sipas mundësisë së tij. Një pajisje e zakonshme është obligim për bëmirësit.”[16] dhe citati tjetër: “Për të devotshmit është obligim që edhe për gratë e lëshuara të bëjnë një furnizim të zakonshëm.”[17] Përfundimi: Për ta përfunduar këtë punim seminarik, duhet mbajtur mend disa aspekte thelbësore të këtij problemi. E para, shkurorëzimi në Islam është relativisht i lehtë dhe formalisht i thjeshtë, ndërsa e tillë është edhe revokueshmëria e tij. Mirëpo, a është kjo thjeshtësi formale edhe moralisht e thjeshtë, dhe se a është kjo një "virtyt" apo një ves, është një çështje krejtësisht tjetër. E dyta, ekzistojnë mekanizma dhe baza të ndryshme për shkëputjen e martesës, mirëpo, ekzistoj­në po ashtu edhe alternativa të ndryshme për ta shpenguar atë. E treta, Kur'ani dhe thëniet e Pejgamberit (s.a.v.s.) e paraqesin problemin e shkurorëzimit në një kontekst tejet moral. Çfarëdo tentimi për ta analizuar shkurorëzimin në Is­lam jashtë këtij konteksti, apo për t'i ndarë ligjshmëritë nga bazat e tyre morale, do të ishte tejet e papërshtatshme. --------------------------------------------------------------------------------
Fusnotat

[1] . E drejta familjare në Islam, grup autorësh, Shkup 1996, fq. 299 [2] . E drejta familjare, Dr.sc. Abdullah Aliu Mr.sc. Haxhi Gashi, Prishtinë, 2007. fq. 158 [3] . Struktura familjare në Islam, Dr. Hamude Abdul’Ati, Shkup 1995. fq 227 [4] . Struktura familjare në Islam, Dr. Hamude Abdul’Ati, Shkup 1995. fq 224 *. Sepse feja islame shoshitjen e sekreteve nuk e la në dorë të gjykatësit, siç ndodhë në shumë shtete të botës. Veproi kështu për shumë shkaqe, e mbi të gjitha, edhe për mosshpalosjen e sekreteve shtëpiake në prezencë të gjykatësit. [5] . E drejta familjare në Islam, grup autorësh, Shkup 1996, fq. 303. [6] . Po aty. [7] . Elementet themelore të jetës bashkëshortore, Muhamed Ahmed Ken’an, Gostivar, 2005. fq. 272 *. Pasi të kryhet procesi i ndarjes, ekziston një periudhë e pritjes apo periudhë provuese që normalisht zgjatë 3 muaj gjatë së cilës gruan e ndarë ende e mbanë dhe e përkrahë ish-burri i saj. Ajo nuk ka të drejtë të martohet edhe një herë para se të kalojë kjo periudhë. [8] . Elementet themelore të jetës bashkëshortore, Muhamed Ahmed Ken’an, Gostivar, 2005. fq. 272-273. [9] . E drejta familjare në Islam, grup autorësh, Shkup 1996, fq. 309-310. [10] . Kur’an, kaptina El-Bekare, citati 230. [11] . E drejta familjare në Islam, grup autorësh, Shkup 1996, fq. 311-312. [12] . E drejta familjare, Dr.sc. Abdullah Aliu Mr.sc. Haxhi Gashi, Prishtinë, 2007. fq. 164-165. [13] . Struktura familjare në Islam, Dr. Hamude Abdul’Ati, Shkup 1995. fq 242. *. Liani (Dëshmia/padia e dyfishtë): Kur një burrë e akuzon të shoqen për kurorëshkelje, mirëpo nuk ka dëshmitarë tjetër përveç vetvetes, ai duhet betuar në Zotin (xh.sh.) katër herë se ai është i drejtë, dhe herën e pestë që mallkimi i Zotit të bie mbi të, po qe se ai është gënjeshtar. Për ta larguar ndëshkimin e rëndë, ajo duhet të dëshmojë katër herë duke u betuar në Zotin se ai është gënjeshtar, ndërsa herën e pestë që mallkimi i Zotit të bie mbi të (gruan), po qe se ai është nga të drejtët. Në këtë pikë, martesa bëhet e shkëputur dhe absolutisht e parevokueshme; nuk është e mundshme të pritet nga ata që të jetojnë në qetësi, pasi që e kanë arritur një ekstremitet të këtillë. [14] . Struktura familjare në Islam, Dr. Hamude Abdul’Ati, Shkup 1995. fq 243. [15] . Struktura familjare në Islam, Dr. Hamude Abdul’Ati, Shkup 1995. fq 243-244. [16] . Kur’an, kaptina el-Bekare, citati 236-237. [17] . Kur’an, kaptina el-Bekare, citati 241

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme