Gruaja dhe familja në shoqëritë marksiste

Emine A. VEZAJ


Gruaja dhe familja në shoqëritë marksiste


Marksizmi është një koncept i njohur në përmasa botërore. Ky koncept që ka depërtuar në jetën tonë duke filluar nga ekonomia e deri te letërsia, shpreh një doktrinë bashkëkohore. Në shumë raste e ka domethënien e njëjtë me komunizmin dhe, në thelb, nga projekti shoqëror i marksizmit duhet kuptuar komunizmin...sipas Marksit, i cili komunizmin e vë në një pozitë të një projekti reaksionar kundër sistemit shoqëror kapitalist, në zanafillën e historisë njerëzore ka ekzistuar një fazë kur nuk kanë ekzistuar prona private e as luftërat ndërmjet klasave.[1]

Në aspektin historik marksizmi ka lindur, si një reagim kundër kapitalizmit, është zhvilluar në Evropën Perëndimore dhe gjithë tiraninë, padrejtësinë, eksploatimin e shihte në klasa borgjeze...vendet më të populluara me ide marksiste mund të përmendim Republikën Popullore të Kinës, që numëron një miliardë banorë, Bashkimi Sovjetik, Jugosllavia, Kuba, Vietnami, dhe shumë vende tjera të Bllokut Lindor. Nëse dëshirojmë që në themelin e socializmit ta shohim marksizmin, në këtë grup hyjnë edhe vendet arabe socialiste. Ekzistojnë edhe shumë vende të tjera të Afrikës të Azisë dhe të Amerikës Latine që pretendojnë se edhe ato janë socialiste ose marksiste. Kjo provon se marksizmi është njëra nga ideologjitë më të përhapura të shekullit e të kohës tonë. [2]

Marksizmi kryesisht është konsekuent në teori dhe domosdo konsekuent në praktik. Marksizmi me konsekuencë pohon: njeriu është produkt i rrethit të jashtëm edhe si qenie biologjike edhe si shoqërore; qenia përcakton vetëdijen dhe jo anasjelltas; mendimet tona, besimet tona dhe psikologjia jonë janë shprehje e pozitës sonë sociale; ngjarjet historike s’janë rezultat i ideve dhe i veprimit të vetëdijshëm të njerëzve, por faktorëve objektiv, të pavarur prej vullnetit të njeriut; ato u nënshtrohen determinizmit.[3]

Duke kaluar në çështjet e gruas për të cilët është folur e përfolur gjatë gjithë historisë së njerëzimit, edhe marksizmi me ideologjinë tij ka pikëpamjet e veta rreth gruas. Sipas Marksizmit gruaja është një mjet prodhimit dhe i konsumimit. Për këtë arsye gratë, ashtu si burrat, janë të detyruara të marrin pjesë në kushte të njëjta në procesin e prodhimit. Gruaja e cila nuk dëshiron të punojë, detyrohet të punojë konform rregullave ligjore. Ekzistojnë shumë të dhëna në lidhje me relacionin marksizëm-grua. Kjo çështje ka qenë aktuale edhe në kohën e Marksit edhe të Englesit. Ku Marksi dhe Englesi u kritikuan dhe sulmuan për arsye se gruas do t’i merrej e drejta e pronës private ata u munduan të shpjegonin me shembuj të ndryshëm se gruaja e kapitalizmit është pronë e përgjithshme/kolektive. Siç shpjegohet gjerësisht në Manifestin komunist, borgjezia e cila paraqet klasën sunduese në kapitalizëm, është duke hyrë në një amoralitet vulgar. Edhe klasa punëtore, për arsye të ndryshme shkon nga e njëjta pikë. Ngaqë nuk mund të sigurojë ekzistencën e vet, punëtorët ose i shesin gratë e veta ose nuk e ngrenë zërin kundër padronëve të cilët keqpërdorin gratë tyre. Zaten, shoqëria kapitaliste e ka kolektivizuar gruan. Borgjezia e ka shqyer cipën emocionale e cila ia mbulon fytyrën familjes, marrëdhëniet familjare i ka shndërruar vetëm në marrëdhënie të parasë. [4]

Shtjellimin të cilin e bënë Marksi dhe Englesi në raport me gruan, siç shihet që të dy, posedojnë ide të ngjashme rreth gruas dhe pozitës së saj, ndonëse në rrethana ekstreme edhe gruaja sikurse edhe rivali i saj detyrohet të bëjë punë të përbashkëta, edhe sikur ajo të mos dëshironte, një gjë të tillë do ta bënte konform rregullave ligjore.

Mund të themi pa kurrfarë dilemash se Marksizmi është kundër institucionit të familjes, ngjashëm me këtë është edhe Englesi. Englesi është edhe më i qartë: “Sipas botëkuptimit materialist, në histori në instancën e fundit momenti vendimtar është prodhimi dhe riprodhimi i jetës së drejtpërdrejt. Mirëpo, prodhimi është sërish dy llojesh. Në një anë prodhimi i mjeteve për punë, i gjërave ushqimore, i veshjes, i banesës dhe i mjeteve për këtë; në anën tjetër prodhimi i njerëzve vetë, vazhdimësia e llojit. Dhe më tej: “Do të shihet se për lirimin e gruas kushti i parë është aplikimi i punëtorisë publike për tërë gjininë femërore, kurse kjo gjë kërkon sërish heqjen e familjes individuale si njësi ekonomike të shoqërisë. Me kalimin e mjeteve të prodhimit në pronësi të përbashkët, familja individuale pushon të jetë njësi ekonomike e shoqërisë. Ekonomia shtëpiake shndërrohet në industri. Pakujdesi dhe edukimi i fëmijëve bëhet punë publike; shoqëria kujdeset njësoj për të gjithë fëmijët, qofshin legjitim ilegjitim. Sipas Marksit, zhdukja “shuarja” e familjes paraqet shoqërizimin e njeriut, avancimin e tij në “qeniet totale shoqërore”. Të gjitha bazat e ekzistencës së tij sociale, materiale dhe morale, nga familja kalojnë në shoqëri.[5] Marksizmi është kundër institucionit të familjes së paku si teori ai është i detyruar të jetë kundër saj, sepse familjen Marksizmi e sheh si burim të individualizmit dhe të shfrytëzimit, d.m.th, të akumulimit të kapitalit. Ndërkaq Marksizmi pohon se në shoqërinë komuniste tek e cila dikur do të arrihet, nuk do të ekzistojnë as shteti, as familja, as kufijtë e as prona. Për këtë arsye është e panevojshme të shenjtërohet familja, apo të ushqehet nderi e respekti i thellë ndaj saj.[6] Në të gjitha vendet ku komunizmi është vënë në praktik kemi shembuj konkretë të trajtimit përafërsisht të njëjtë të familjes. Familja nuk mbrohet, shteti është i pamëshirshëm ndaj saj. Sot mund të parashtrohet një pyetje e tillë: a thua ekziston në shoqërinë perëndimore institucioni i quajtur familje? Vallë a ruan ajo domethënien e vet të vërtetë në vendet kapitaliste, ku vazhdimisht mbrohen të drejtat dhe liritë e gruas, e në këtë kuadër, edhe familja? Nëse ndalemi dhe e hulumtojmë faktin se si është trajtuar gruaja gjatë historisë së shoqërisë perëndimore, në sferën e jetës kulturore, shoqërore ekonomike, do të shohim se nuk ekziston ndonjë dallim i madh ndërmjet gruas së djeshme asaj të sotme. Pozita e gruas nuk ndryshoi as në shoqërinë romake. Gruaja trajtohej në mënyrë të njëjtë sikurse në shoqëritë skllavopronare greke dhe romake deri nga fundi i shoqërisë feudale evropiane. Por padrejtësinë më të madhe ajo përjetoi në periudhën kalimtare prej feudalizmit në shoqërinë kapitaliste.

Sipas të dhënave statistikore në vitin 1976, gjendja e grave të punësuara në proporcion me numrin e popullatës, është kjo, 1) Bashkimi Sovjetik: 48%. 2) Shqipëria: 47%. 3) Kina: 43%. Siç kuptohet në këto të dhëna në Bashkimin Sovjetik dhe në Shqipëri pothuajse gjysma e popullatës punonjëse janë gra. Kjo përqindje është një cikë më e ulët në Kinë.

Siç shihet gruaja në shoqërinë komuniste është në një gjendje të shkretë. Siç pohon edhe Babeli, socializmi nuk është shpëtim për gruan. Gruas sistemet shoqërore moderne asnjëherë nuk i kanë sjellë rehati, vlera dhe lumturi, përkundrazi e kanë shtypur sa kanë mundur, e kanë deprimuar atë. Posaçërisht marksizmi ka luajtur një rol krejtësisht destruktiv ndaj gruas. Jo që nuk i është mbrojtur nderi, dinjiteti seksual, vlera si grua, por asaj i janë hapur varrë pa ndërprerë. Megjithatë, nuk themi se gruaja që jeton në shoqërinë kapitaliste është më e lumtur dhe e qetë. Të dy sistemet janë armiq të gruas. Të dy ato nuk i kuptojnë prirjet e saj natyrore, e vrasin personalitetin e saj.[7]

--------------------------------------------------------------------------------
[1] Ali Bullaç, Koncepte dhe sisteme bashkëkohore. Shkup, 2005. fq. 83.
[2] Ali Bullaç, po aty, fq. 86-87.
[3] Ali Izetbegoviq, Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, Shkup, 2000, fq. 285
[4] Ali Bullaç, Koncepte dhe sisteme bashkëkohore, Shkup, 2005. fq. 120
[5] Ali Izetbegoviq, Islami ndërmjet…po aty, fq. 206-207
[6] Ali Bullaç, Koncepte dhe sisteme bashkëkohore, Shkup, 2005, fq 120.
[7] Ali Bullaç, po aty. fq. 124.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme