Etapat e zhvillimit të fikhut hanefij

Etapa e parë

Etapat e formimit dhe zhvillimit të kësaj shkolle që përfshinë periudhën kohore prej Ebu Hanifes, nxënësve të tij e deri te vdekja e dijetarit të famshëm Hasan b. Zija El-Lu’luij në vitin 204. Imam Ebu Hanifja nuk kishte shkruar vepra me dorën e tij, sepse qëllimi i tij nuk ishte formimi i ndonjë shkolle apo doktrine të veçantë nga lëmi i fikhut, porse nxënësit e tij ishin ata të cilët rregullisht i regjistruan mendimet e Ebu Hanifes kur ai i prezantonte në mexhlisin e diturisë. Nxënësi që më së shumti i përkushtoi kujdes kësaj çështje ishte imam Muhamed b. Hasën Esh-Shejbani, i cili regjistroi dhe përpiloi veprat që në medhhebin hanefij njihen me emrin “Dhahiru err-rrivaje”, e që janë gjashtë vepra; 1. El-Mebsut ose El-Asl, 2. El-Xhamiu Es-sagir, 3. [b]El-Xhamiu-l-kebir, 4. Es-Sijeru’l Ss-sagir, 5. Es-sijeru’l-kebir, dhe 6. Ez-zijadat.
Çështjet e fikhut të cilat paraqiten në këto gjashtë libra të quajtura “Dhahiru Err-rrivaje” janë çështje të transmetuara nga themeluesit e medhhebit e ato janë imam Ebu Hanifja, imam Ebu Jusufi, Imam Muhamedi e këtyre u bashkëngjiten edhe imam Zuferi dhe imam Lu’luij, porse në të shumtën e rasteve janë mendimet e atyre të treve. Roli, rëndësia, pozita dhe fuqia argumentuese e këtyre veprave janë të shkallës së parë në mbështetje, që nënkupton se nëse gjejmë një çështje të fikhut që kundërshtohet me mendimin që ekziston në “Dhahiru Err-rrivaje”, atëherë për bazë merret mendimi që është i regjistruar në “Dhahiru Err-rrivaje”.

Etapa e dytë

Periudha e thellimit rritjes dhe zhvillimit të kësaj shkolle që fillon me vdekjen e Lu’luisë në vitin 204., e deri te vdekja e imam Abdullah b. Ahmed b. Mahmud En-Nesefij, v. 710., ku përfundon periudha e ixhtihadit brenda medhhebit. Kjo periudhë karakterizohet me përfundimin e dijetarëve më eminent që konsiderohen themelues të medhhebit, andaj çështjet e fikhut ku pajtohej mendimi i imam Ebu Hanifes me nxënësit e tij janë të regjistruara në gjashtë veprat e quajtura “Dhahiru Err-rrivaje”, e nëse kishte mospajtime mes imamit dhe nxënësve çështja merrej sipas mendimit të imamit. Te dijetarët e mëvonshëm u ndërrua kjo bindje, sepse veprohej sipas thënies së imamit në raste të mospajtimit atëherë kur njëri prej dy nxënësve të tij, Ebu Jusufit apo Muhamedit pajtohet me mendimin e imamit. Pra, në rastin kur në një mendim pajtoheshin dy nxënësit, e imami ndante mendim tjetër, atëherë mendim prioritar është i dy nxënësve, normalisht nëse është çështje që mund të ndryshojë përmes ixhtihadit.
Për këtë arsye veprimtaria shkencore e këtyre dijetarëve të medhhebit hanefij të kësaj periudhe ndahet në tre lloje:

Lloji i parë”

Veprat në të cilat dijetarët bënin përpjekje për të nxjerrë mendimet më prioritare të quajtura “Muhtesarat”, pra vepra në forma të konspektit. Veprat më të rëndësishme të këtij lloji janë:
1. “Muhtesar Et-Tahavij”, (239-321);
2. “El-kafi lil Hakim esh-shehid”, në të janë bërë rezyme gjashtë librat e para;
3. “Tuhfetul Fukaha”, nga Semerkandij, (v. 540);
4. “Muhtesar el Kudurij”, nga Kuduriju (362-428) vepër kjo e cila njihet me emrin “Kitab” në medhebin hanefi;
5. “Bidajetul Mubteda” nga El-Merginani (511-593) në të cilën janë përfshirë Muhtesari i Kuduriut bashkë me veprën “el Xhamiu es-sagir”;
6. “El Muhtar”, nga Ebu Fadl Abdullah b. Mahmud b. Mevdud el Musilij;
7. “Kenzu Ed-dekaik”, nga En-Nesefiu;
8. “Vikajetu Err-rrivaje”, nga Sadru Esh-sheria.

Lloji i dytë:

Në llojin e dytë të këtyre veprave përfshihen veprat që konsiderohen si shpjegime të veprave të mëparshme të quajtura Muhtesarat. Veprat e tilla më të rëndësishme janë:
1. “El-Mebsut”, nga imam Serhasiu, në të cilën është shpjeguar “Muhtesar Tahaviju”;
2. “Bedaiu es-senai”, nga Alaudin el Kasani, në të cilën ka shpjeguar muhtesarin “Tuhfetul Fukaha” nga Semerkandi;
3. “El-Hidaje” nga Merginani, vepër kjo ku autori shpjegon veprën e vet “Bidajetul mubtedi”,
4. “El-Ihtijar li ta’lilil muhtar", nga el Musilij i cili po ashtu shpjegon veprën e tij të quajtur “Muhtesar el Muhtar”.

Lloji i tretë:

Në këtë periudhë dijetarët ndeshen me ngjarje dhe risi që nuk ekzistonin më parë, andaj u detyruan të japin fetvatw për të zgjidhur problemet, kështu që në këtë mënyrë filluan të paraqiten vepra ku regjistroheshin këto fetva. Veprat më të njohura në medhhebin hanefij që kanë të bëjnë me fetvatw janë:
1. Fetava Shemsul eimeti el Halevani,
2. Fetava el kubra nga Sadru Esh-shehid
3. Fetava En-nesefije
4. Fetava Kadiihan, dhe shumë të tjera.
Rangimi i tyre në fuqinë e argumentimit vjen sipas kësaj renditje, Muhtesaratet, shpjegimet e më pas fetvatë.

Etapa e tretë

Periudha e vendosshmërisë që fillon me vitin 710., e deri më sot. Në dy etapat e para u vunë dhe u përforcuan themelet e medhhebit hanefij, andaj nga shekulli i tetë hixhrij e këndej dijetarët silleshin dhe mbështeteshin në veprat e mëparshme duke i sqaruar parimet dhe kriteret që ekzistonin në veprat e mëparshme. Nga veprat që janë më njohura në këtë kohë është vepra “Hashijetu ibni Abidin”, i cili detajisht shpjegon edhe mendimin mbështetës gjatë dallimeve mes themeluesve të medhhebit.

Rangimi i dijetarëve të medhhebit hanefi

Dijetarët e medhhebit hanefij për të ruajtur kontinuitetin e tyre dhe shëndoshmërinë e dispozitave juridike islame asnjëherë nuk ndaluan çështjen e ixhtihadit, porse këtë të drejtë nuk ia lanë në dorë të gjithkujt, por vetëm atyre që i plotësuan kushtet dhe kriteret e ixhtihadit. Andaj të gjithë dijetarët eminent të kësaj shkolle nuk ishin në kategorinë e muxhtehidinëve, edhe pse ishin njohës të mirë të rregullave dhe disiplinave të kësaj shkolle.
Dijetarët islam brenda medhhebit hanefij siç potencon imam Muhamed Abdulhaj në veprën e tij “El-fevaid el behije fi teraxhimil hanfije”[1] ndahen në gjashtë kategori, dhe secila prej tyre gjashtë kategorive ka kriteret e saja të veçanta. Kategoritë që rangohen dijetarët hanefij për kriter kanë përgatitjen shkencore të dijetarit dhe fuqinë intelektuale për përfitimin e dispozitave praktike të sheriatit Islam. Kategoritë e tilla janë:

Kategoria e parë

Në kategorinë e parë përfshihet grupi i dijetarëve –muxhtehidëve, që kanë aftësi ixhtihadi brenda medhhebit, siç janë ebu Jusufi, imam Muhamedi etj. Këto dijetarë kanë aftësi për nxjerrjen e dispozitave duke u mbështetur në disiplinat dhe rregullat që i ka vendosur imami. Kjo është kategoria më e lartë brenda medhhebit hanefij me përjashtim të mësuesit të tyre imam Ebu Hanifes i cili është muxhtehid në Islam.

Kategoria e dytë

Dijetarët që kanë aftësi ixhtihadi në çështje të veçanta për të cilat nuk ka transmetim nga imami, siç janë, imam Hasafi, Tahaviju, Kerhiju, Serhasiju, Halevani, Bezdeviju etj. Me ixhtihadin e tyre ky grup i dijetarëve nuk mund të ndryshoj mendimin nga imami i tyre porse bëjnë përpjekje për përfitimin e dispozitave në bazë të disiplinave të vënduara nga imami.

Kategoria e tretë

Grupi i dijetarëve që kanë mundësi të bëjnë “Tahrixh” nxjerrjen dhe sqarimin e nocioneve të pa qarta duke e drejtuar atë në kuptimin e vërtetë, porse nuk kanë kapacitetin e ixhdihadit.

Kategoria e katërt
Kategoria e dijetarëve të cilët kanë aftësi dhe mundësi të bëjnë dallimin e më të fuqishmes nga e fuqishmja duke u mbështetur në njohjen e transmetimeve, siç janë Kuduriju, Merginani etj.

Kategoria e pestë
Kategoria e dijetarëve që janë imitues dhe që kanë mundësi të bëjnë dallimin mes të fuqishmes dhe të dobëtës, siç janë autorët e katër koleksioneve.

Kategoria e gjashtë
Janë ata njerëz që nuk i takojnë pesë kategorive të para dhe nuk dallojnë mes të dobëtit dhe të trashit, mes të majtës dhe të djathtës.

__________________
[1] Merginani, El Hidaje sherh bidajetul mubteda, 1/6

__________________
Boton: “BIR”
Shkurt, 2009
BIR©breziiri.com

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme