Qëndrimet ndaj shamisë

Qëndrimet ndaj shamisë

Anketë në qytetet e Kosovës




Gjatë muajit qershor 2007, me nismë të Forumit Rinor Islam të Ferizajt, në përkrahje të aktivistëve të qendrës së vullnetarëve pranë FRIF dhe bashkëpunëtorëve nga disa qytete të Kosovës, u zhvillua anketa "Qëndrimet për çështjen e shamisë".

Qëllimi i anketës ishte njohja me qëndrimet e qytetarëve në lidhje me shaminë, mbulesën islame.

Anketa u zhvillua në disa qytete dhe fshatra të Kosovës, si: Prishtinë, Klinë, Ferizaj, Malishevë, Lipjan,Elez Han, Shtime, Skenderaj etj. Anketa ishte e shtrirë edhe në viset më rurale (fshatra), në çdo vend publik e jo publik, përveç objekteve fetare të cilido besimi. Në anketë kanë marrë pjesë qytetarë të moshave të ndryshme, prej atyre të shkollimit të mesëm deri të ata më të vjetrit. Sigurisht, anketa nuk ishte e përkufizuar të njëra gjini apo tjetra. Anketa kishte synim të njohë mendimet reale të qytetarëve, në lidhje me mbulesën, sa janë të informuar ata për detyrimin fetar të mbulesës, nëse paraqesin ndonjë pengesë vajzat e mbuluara, a duhet lejuar vajza me mbulesë në shkollat publike etj. Këtu, përveç statistikave të këtij hulumtimi, kemi prezantuar edhe disa mendime konkrete për ca nga pyetjet e anketës.

E pamë të arsyeshme ta botojmë këtë pyetësor në faqet e revistës "Familja", duke menduar që rastet që paraqiten në disa prej vendeve të Kosovës, nuk janë sporadike, ato i has çdo ditë në rrugët e qyteteve të Shqipërisë, nuk është çudi edhe në Tiranë, pavarësisht modernitetit që ka arritur kryeqyteti ynë.


Shamia, sipas bindjeve tuaja, është:

a) detyrim fetar 72.18 %

b) kopjim i orientit 7.00 %

c) simbol fetar 20.81 %




Ç'është në të vërtetë shamia?

Nëse flasim për mbulesën islame, hixhabin, nuk ka aspak dyshim se mbulesa për vajzat e moshës madhore është detyrim duke iu nënshtruar tërësisht Zotit dhe urdhrave të Tij.

Se shamia është detyrim, e vërejmë qartë edhe nga vargjet e Kuranit dhe te thëniet e Profetit (a.s).

Një nga këto vargje kuranore është edhe ky në vazhdim: "Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara), ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme) dhe të mos i shfaqin stolitë e tyre[1], përveç atyre që janë të dukshme. Le t'i mbulojnë kraharoret me mbulesat e tyre (të kokës) dhe të mos ua shfaqin stolitë e tyre, përveçse bashkëshortëve të tyre ose baballarëve të tyre, ose vjehërrve të tyre, ose bijve të tyre, ose djemve të bashkëshortëve të tyre, ose vëllezërve apo djemve të vëllezërve të tyre, ose djemve të motrave a grave të tyre, ose atyre që i kanë nën zotërim (si skllave), ose shërbëtorëve që nuk kanë epsh ndaj femrave apo fëmijëve që nuk i dinë ngacmimet e femrave. Dhe të mos i rrahin këmbët (për tokë), në mënyrë që të mos duken stolitë e tyre të fshehta. Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!" (En-Nur 31)

Por çfarë është puna me mendimin e qytetarëve se shamia qenka kopjim i orientit?
Në fakt, për një mendim të tillë nuk ia vlen të humbet kohë, është një shpifje e kahershme, kur populli ynë pranonte çdo mendim që ia ofronte pushteti i atëhershëm dhe se nuk ishte në gjendje të formonte mendimin e vet për këtë çështje.
Te kjo çështje na habit fakti se ende 7 % të qytetarëve kanë ngelur prapa në kohë dhe njohuri dhe nuk janë në gjendje të formojnë një opinion me të qartë dhe autentik, duke qenë se jetojmë në kohën e internetit, kohën e modës, ku modë është çdo gjë.


Simbol fetar

"Hajde babë t'i tregoj arat", kjo është një shprehje ironike që populli vet e ka formuluar për t'i bërë me dije kompetentëve që të mos përzien në punët e huaja.
Njerëzit, më së paku, nga mesi ynë kanë trilluar një emërtim të tillë për mbulesën islame, më të vetmin prirje që të përgatitet psikologjia e popullit tonë, më konkretisht, shamia të trajtohet si simbol fetar, duke penguar integrimin e vajzave me shami, kur dihet se ligji për moslejim të simboleve fetare në institucionet publike ekziston prej kohësh. Në këtë mënyrë do të kursente kohë që të formulohet një ligj i ri për mbulesën në veçanti.


Një vajzë, shamia:


a) e shëmton 6.52 %

b) e zbukuron 15.78 %

c) e nderon 77.68 %




Çfarë roli ka shamia te një vajzë?

Pyetjes se shamia e shëmton, e zbukuron apo e nderon një vajzë, lirisht mund të themi se 93.46 % i janë përgjigjur drejt.

Kjo pyetje i ka vënë në dilemë shumë qytetarë. Por, siç e dimë të gjithë, çështja e bukurisë është relative dhe dytësore dhe përgjigjja qenësore ishte ajo se shamia një vajzë e nderon.

Shamia një vajzë e nderon, këtë përgjigje e mbështesim në citatin kuranor, ku Zoti i Madhëruar thotë: "O Profet, thuaju grave dhe vajzave të tua, si dhe grave të besimtarëve, që të lëshojnë mbulesën e tyre (të kokës) përreth trupit. Kjo është mënyra më e përshtatshme që ato të njihen e të mos ngacmohen nga të tjerët. Me të vërtetë, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë." (El-Ahzab 59)

A pengohen vajzat e mbuluara?


a) po 7.98 %

b) jo 92.01 %




Kur i shohin në vende publike, ato na ngrenë moralin
Gjatë jetës jemi përballur edhe me komete të tilla, se jeta e qytetarëve tanë po pengohet nga vajzat e mbuluara. Rezultatet e këtij hulumtimi tregojnë për përqindjen e vogël të njerëzve që vuajnë nga komplekse të tilla, që me plot kuptimin e fjalës, në kohën tonë nuk kanë vend, sigurisht, nëse flasim për kulturën e të respektuarit të tjetrit, më konkretisht intimitetit, bindjeve të tjetrit.

Njerëzit e grupit të dytë, (92.01 %) janë befasuar nga një pyetje e tillë, duke reaguar me ashpërsi se çfarë pengese mund të kishin nga vajzat me mbulesë, madje shprehnin kënaqësi kur ato janë pranë tyre. Më konkretisht dhe tekstualisht shprehnin kënaqësinë "Kur i shohin në vende publike, na ngrenë moralin."

Pavarësisht se të gjitha, nga 54.43 %, vajzat e anketuara nuk kanë pasur mbulesë, shihet tek ato një kënaqësi për praninë e vajzave me mbulesë, por gjithsesi dhe një shpresë se ato ndoshta një ditë mund të marrin hapin e guximshëm dhe të vënë mbulesën, sigurisht nëse deri atëherë "njerëzit që punojnë për sqarimin e çështjeve për mbulesë e të ngjashme të jenë në numër (dhe fuqi juridike) përafërsisht ekuivalent me numrin e atyre që punojnë kundër saj, ose që krijojnë kushte për mundësinë e integrimit në shoqëri të vajzave me shami.


A mendoni se shamia, për karrierë,


a) pengon 20.93 %

b) ndihmon 17.12 %

c) nuk luan rol 61.94 %




Të jetuarit në një shoqëri me përqindje prej 98% myslimanë, në mendjen e ndokujt mund të krijojë iluzionin e një harmonie dhe rahatie të përgjithshme. Por t'i thuash dikujt se në vendin ku përqindja e myslimanëve është deri në 98 % dhe se vajzat që vënë mbulesën largohen nga shkolla, nga institucionet publike, me siguri do të befasohet ose do të mendojë se jemi duke jetuar në "shekujt para historisë njerëzore", ose jemi duke jetuar në ndonjë diktaturë hitlariane, enveriane apo kemajliane, më konkretisht në ndonjë shtet komunist. Kërkoj ndjesë që jam shumë i sinqertë.

Një vajzë nga një gjimnaz i Prishtinës, një mësuese nga Prishtina, një nxënëse nga Mitrovica, dy vajza nga Podujeva..., janë vetëm ca raste që janë përmendur heshtas në media, si raste të përjashtimit për shkak të mbulesës.

Fakti është shumë ironik, se ato përjashtohen me të vetmin nen, neni 4 i Ligjit për Arsim, më konkretisht nën-neni 4.7

Neni 4.7

Institucionet arsimore publike do të përmbahen nga mësimdhënia fetare ose veprimtaritë e tjera, të cilat propagandojnë ndonjë fe të caktuar.

Në fakt, askund në këtë nen nuk kemi frazë që deklaron se shamia nuk duhet të lejohet në shkollat publike. Këtë mund ta kuptojë secili prej atyre 7 vjeçarëve që i kanë mësuar shkronjat tani e deri te ai më i vjetri.

Siç mund të shihet qartë, në vendimet për përjashtimin e këtyre vajzave kemi vendime arbitrare të udhëheqësve të këtyre institucioneve, që lirisht mund të themi se janë pjesë në grupin e njerëzve 7.98 %.

Se këto vendime janë arbitrare, mund të kuptojmë edhe nga ndërhyrja e institucioneve të tjera, deri te kryeadministratori e qeveria.

Në njërën nga rastet është dashur që të ndërhyjë zyra e Ombduspersonit për ta kthyer në shkollë.

Kosova, një vend demokratik, por me demokraci të kufizuar, jo vetëm që shkel ligjet që ajo i ka miratuar, por shkel edhe Konventën Ndërkombëtare, sigurisht duke e shfrytëzuar statusin e padifinuar të saj.

Për shembull:

KONVENTA PËR MBROJTJEN E TË DREJTAVE DHE LIRIVE THEMELORE TË NJERIUT

(Miratuar në Romë më 4 nëntor 1950)

NENI 9

Neni 9.1

Çdonjëri ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë: kjo e drejtë përfshin lirinë e ndërrimit të fesë ose të bindjes së tij dhe lirinë për ta shfaqur fenë ose bindjen e tij në adhurim, mësimdhënie, praktikë dhe respektim, qoftë vetëm, qoftë së bashku me të tjerët, në publik ose privatisht.


Neni 9.2

Liria për të shfaqur fenë ose bindjet u nënshtrohet vetëm atyre kufizimeve që janë përcaktuar me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit, shëndetit ose të moralit publik, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.


Pastaj
DEKTLARATA UNIVERSALE E TË DREJTAVE TË NJERIUT
(Miratuar dhe shpallur nga Asambleja e përgjithshme me rezolutën e saj 217A (III) të 10 dhjetorit 1948 )

Neni 18

Secili ka të drejtën e lirisë së mendimit të ndërgjegjes dhe të fesë: kjo e drejtë përfshin lirinë e ndërrimit të fesë ose të bindjes së tij dhe lirinë, qoftë vetëm ose së bashku me të tjerët dhe në publik ose privatisht, për ta shfaqur fenë a bindjen e vet, nëpërmjet arsimit, praktikës, kryerjes së kultit dhe riteve fetare.

I nderuar lexues, ke rastin të bësh vetë analogji dhe kur t'i kesh kuptuar drejt juridikisht, sigurisht do të jesh duke e kapur kokën me dorë nga "masakra ligjore që bëjnë pushtetarët tanë me ligjin".

Tani, nëse flasim për respektimin e ligjit në shkollat tona në Ligjin e Arsimit të Kosovës, në të njëjtin nen, ku ndodhet neni (i abuzuar nga pushtetarët tanë) neni i 4, më konkretisht nën-neni 4.7 vetëm një nën-nen më lart ndodhet nën-neni 4.6 që nuk ka shkollë publike apo private fillore apo e mesme që nuk e ka shkelur.


A duhet të lejohet shamia në shkollat publike?

a) po 83.29 %

b) b) jo 16.70 %


Nga Revista Familja, Tiranë

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme