
Së dyti, emërimi i dr. Rexhep Bojës, ose i “klerikut ambasador”, siç thotë z. Ukaj, në postin e të Ngarkuarit me punë në A. Saudite nuk është kurrfarë rasti “sui-generis” në diplomacinë shqiptare dhe as botërore, ngase kemi me dhjetëra e ndoshta edhe qindra raste kur klerikët fetarë emërohen në poste të larta politike dhe misione diplomatike, sidomos kur një gjë të tillë e kërkojnë interesat kombëtare të një populli dhe një shteti, siç ka vepruar kombi shqiptar që nga koha e Skënderbeut e deri më pavarësimin e Shqipërisë me 1912, por edhe më pas, kur për ambasadorë dhe diplomatë emëroheshin klerikët ortodoks, katolikë dhe myslimanë, të cilët, kush në rolin e ambasadorëve, kush në rolin e udhëheqësve të delegacioneve shqiptare pranë konferencave ndërkombëtare mbronin më së miri interesat shqiptare si p.sh pranë Selisë së shenjtë, pranë Venedikut, në Stamboll si Hasan Prishtina, vëllezërit Frashëri, Pashko Vasa, Hoxhë Tahsini, pastaj në Konferencën e Ambasadorëve me 1913 në Londër, në Konferencën e Paqes në Paris (1919-1920) F. S. Noli, Atë Gjergj Fishta, Ndre Mjedja, Preng Doçi, Luigj Bumçi, etj, etj, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre të madh kombëtar për pavarësimin dhe themelimin dhe shtetit shqiptar i cili nën udhëheqjen e Islmail Qemajlit më në fund u shpall me 28 nëntor 1912. Dhe, a nuk gjendet sot Kosova gati-gati në fazën e njëjtë të pranimit dhe njohjeve ndërkombëtare siç ishte dikur Shqipëria para pavarësisë së saj, sepse pa arritjen e numrit të mjaftuar të shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ajo as që mund të anëtarësohet në OKB, e që sipas mendimit tonë është veprim shumë i drejt kombëtar dhe politik që për ambasadorë dhe përfaqësues diplomatik të Kosovës në botën e jashtme të emërohen pa përjashtim klerikët si dhe personalitetet më të shquara shqiptare, sepse një gjë të tillë e kërkon çasti historik nëpër të cilin po kalon sot Kosova si shteti i dytë shqiptar në Ballkan, por edhe procesi i njohjeve të pavarësisë së saj nga ana komunitetit ndërkombëtar, i cili për fat të keq që disa muaj po stagnon.
Së treti, emërimi i dr. R. Bojës në postin e të ngarkuarit me punë në Rijad, nuk është kurrfarë shkelje e Kushtetutës së Kosovës, siç pretendon N. Ukaj, sepse sekulariteti i shtetit të Kosovës nuk shkelet me dërgimin qoftë edhe të klerikëve në misione diplomatike, kur janë në pyetje interesat kombëtare dhe shtetërore të Kosovës, meqenëse personi në fjalë nuk po dërgohet në kurrfarë misioni fetar, veçse në detyrë shtetërore, e që në këtë rast ai nuk do të bartë uniformë fetare veçse shtetërore dhe atë të ambasadorit të Kosovës. Pra, në mes të këtyre dy segmenteve duhet bërë dallimin e nevojshëm e jo të ngatërrohen gjërat me qëllim. Ndërsa, dyshimin që shfaq autori i shkrimit kur thotë; “nuk arrijë dot ta parafytyroj një klerikë, të veshur brenda natës me petkun e politikës, se si transformohet, me një vendim absurd dhe të lejë mënjan moralin religjioz e t’i kthehet zanatit të politikës, që është antipod i saj?”, pra duke dyshuar se dr. R. Boja nuk mund ta ushtrojë zanatin e politikës si antipod i fesë, shpreh qartë kundërshtimin e tij që ai të jetë përfaqësues diplomatik i Kosovës në Rijad. Dhe, këtë e bën siç duket thjesht nga paranojat se kyçja e klerit mysliman shqiptar në diplomacinë shqiptare do ta “islamizonte atë”, pra përdorë të njëjtën logjikë sikur vepronte dikur regjimi antishqiptar serbo-komunist jugosllav, i cili faktorin mysliman shqiptar e kishte izoluar plotësisht nga politika dhe diplomacia me alibinë se hoxhallarët janë “moralo-politikisht të papërshtatshëm”, e që nënkuptonte drojën e tyre se kleri mysliman shqiptar mund ta “muslimanizonte” diplomacinë ish jugosllave (lexo:serbe). Këtu diku e ka problemin edhe N. Ukaj, dhe jo pse është gjithaq kundër kyçjes së klerit fetar, sidomos atij katolik në politikën dhe diplomacinë shqiptare, duke paragjykuar dhe prejudikuar rolin e dr. Bojës si politikan dhe diplomat i Kosovës në Rijad. Prof. Dr. Rexhep Boja përpos që posedon aftësi prej profesori dhe intelektuali të mirëfilltë, ai ka edhe përvojë të mjaftuar politike që misionin e tij prej diplomati ta kryejë me dinjitet dhe përkushtim të madh atdhetar, vlera të cilat padyshim se do i vënë në shërbim të plotë të forcimit dhe zhvillimit të marrëdhënieve bilaterale të Kosovës me Arabinë Saudite, si njërin ndër shtetet më ndikim në botën arabe dhe islame, për ndihmën dhe përkrahjen e së cilës Kosova ka nevojë imediate. Prandaj, ata të cilët sot nuk i perceptojnë drejt interesat shtetërore të Kosovës, ose për qëllime të caktuara i keq interpretojnë vendimet e organeve shtetërore të Kosovës në planin e politikës së saj të jashtme, s’ka asnjë dyshim se jetojnë jashtë kohës si dhe jashtë rrjedhave aktuale politike në hapësirat gjithshqiptare.