LULËZIM DITURIE, AROMË AMËSIE

Mimoza Sinani



LULËZIM DITURIE, AROMË AMËSIE



[Ky punim është frymëzuar nga fotografia e një nëne të re palestineze që në ditën diplomimit të saj ‘sfilon’ duke mbajtur në njërën dorë foshnjën e saj dhe në tjetrën diplomën e saj.]

Është intuitive dhe metafizike ndjesia që lind në afreskun e kubesë së shpirtit nga vështrimi i kësaj nëne, që duket si një tempull i shenjtë, e mbështjellë me fshehtësi hyjnore, ku ngërthehen tinguj e kumbime tokësore me imazh hyjnorë, që të ngjallin në shpirt një ndjesi plotësije dhe harmonije, një ndjesi fluide që vibron e derdh dritësi në çdo qelizë, e që futet thellë në shpirt.

Fotografia e nënës më foshnjën dhe diplomën në dorë rrezaton një fragment përjetësie, një energji hyjnore, një fuqi ndjenjash vullkanike, një elektrizim drithërues, një figurë sublime, një imazh jete plot mahnitje e rrëzëllime yjësie.

Syprina e kaltër e reflekseve të qiellit derdhet mbi fytyrën e saj plot dritësi dhe të bëhet sikur ndodhesh në një trajektore drite mes projeksionesh qiellore.

Dora e saj si një ‘oazë’ jete komunikon drejtpërdrejt me zemrën e fëmijës dhe ajo e ndien veten si një qenie me dy zemra. Kjo dorë amënore shtrëngon djalin e saj dhe në atë shtrëngim ajo thith tërë shpirtin e tij që rrjedh e kullon në shpirtin e saj.

Foshnja duket sikur fle duke fluturuar në jelet e bardha e qumështore të ëndrrave. Një fetus dje, i lidhur pas mitrës së nënës së vet me kordonin umbriakal duke pluskuar në ujëra, tani kjo foshnje pluskon në ajër nëpërmjet një kordoni tjetër që e lidh me botën. Ndërsa nesër do të lidhen së bashku me një dimension të panjohur, me projeksione të tjera, në një univers tjetër ekstrakohor, ekstrahapësinor.

Momenti i diplomimit ngre, për këtë nënë të re, siparin e ditëve të lumturisë, fillimin e një fragmenti të ri jete, me ritme të reja pulsimesh.

Ndërsa në anë tjetër të realitetit, jeta me ngjyra të errëta paraqet një tjetër tablo: ‘hipi’ me xhinse të grisura, me flokë të lyera blu, jeshile, rozë, të qethur krejtësisht apo vetëm gjysmën e kokës, me vëthë në hundë e vetull, disko të zhurmshme, vajza e djem me flokë të shpupuritur, me bluza e pantallona të shkurtra që kërcejnë, pinë, qeshin dhe ulërijnë në një ambient të çrregullt ku dritat marramendëse ndryshojnë ngjyrën në çdo moment duke shoqëruar muzikën e shfrenuar. Duke i vështruar përpiqesh të gjesh çelësin kyç të ndjenjave të tyre të pangjyrta, që duket se ngrihen lart në ajër dhe ia mbathin tinëzisht.

Tek vështron fotografinë vëren një përngjasim vizual, por një kontrast plotësisht përmbajtësor, të ‘sfilimit’ të nënës me foshnjën dhe diplomën në dorë, me sfilimin e top-modeleve nëpër sfilatat e modës.

Gruaja që ka ndjerë aromën e amësisë i ngjason një oqeani energjetik me hapësira dallgëzuese, brenda të cilit gjenerohen, projektohen, vrundullojnë dhe shpërthejnë dimensione të tjera jete. Nga fytyra e saj shpërthen një aureolë rrezatuese, buzëqeshja e saj është plot rizim lulesh e lirizëm transparent, plot dritësi e potencë amësie.

Ndërsa femra që nuk e ka ndjerë aromën e amësisë i ngjason një oqeani të shterur jete. Pas sfilatave, boshe, sfilitëse, rraskapitëse, gllabëruese, trokëlluese, të pezullimta, të akullta, të trishta, të vagullta, fshihet një hon me heshtje të tejdukshme, një ylber shprese jetëshkurtër. Ato vajza me bukuri lënguese, me fytyra të mermerta cirqesh, me ndjenja të zhvoshkura, me maska epikuriane në fytyrë, me vështrime të akullta e të pakuptimta thuajse fantazmagorike, si statuja të mjera gotike, të metamorfozuara me flokë meduzash, të kujtojnë vallëzimin funebër tek “Vdekja e Mjellmës” të Çajkovskit.

Jeta e tyre pa dritë hyjnore dhe pa ndjesi amënore është absurde, e zbardhulët, e mjerë, zvetënuese, groteske. Ajo i ngjason një valsi të trishtë, një uverture të frikshme, një përroi të zymtë e të errët, një vjeshte me gjethe zverdhake që pikojnë ndryshk e që shkunden e bien pareshtur heshturazi.

Lumturia e tyre është një fasadë e jashtme, imazh, vegim i ujshëm, ndërsa dhimbja është virtuale. Zëri i dhimbjes së tyre zbret humnerave të subkoshiencës dhe ulërin brenda honeve të shpirtit duke ndierë makthin e një jete të amullt e fare pa dinjitet. Të trembura nga enigmat, nga hieroglifët e pakuptueshëm të fatit, nga pyetjet pa përgjigje, mbi fytyrat e tyre frymon një brymë e ftohtë që të akullon. Duke u ndier si qenie hibride mes një mjedisi të dyzuar, të zbrazëta, të zvetënuara, me sy të dimërt, duken si një pjesë e një kortezhi në një funeral grotesk, në funeralin e agonisë së vlerave të vërteta vajzërore e amënore. Fytyrat e tyre të veshura me zymtësi vdekëse dhe shikime të tretura që shtegtojnë në ujëra trishtimi, përpiqen të gjejnë fillin e Arianës që do t’i çojë tek sekrete hyjnore. Ato thurin ëndrrat e tyre shkumëbardha që flatrojnë e davariten të mekura. Thurin ëndrrat e tyre të trëndafilta, por ato shthuren në agim si pëlhura e Penelopës. Ëndrrat e tyre rrokullisen duke flakur makthe alarmante në disa trase labirintesh të dridhshme dhe të dhimbshme. Atyre vajzave në thellësinë e tyre iu është mësuar ta ndiejnë veten si ‘rosaku i shëmtuar’ i Andersenit dhe iu premtohet se do të shndërrohen në mjellma të bukura nëse zhvishen e reklamohen sipas orekseve mashkullore. Supremacia mashkullore e padronëve të tyre, si apokalips kërcënues, si vrimat e zeza të universit, përpin atë brishtësi femërore me fuqi demoniake duke flakur tej diellin e ëndrrave të tyre. Të burgosura mes mureve kockore të kalcifikuara, brenda akuariumeve të xhamta, këto krijesa flurore të brishta si sirena, kanë rënë si fluturat në rrjetën sfilitëse të vuajtjes njerëzore.

Ajo çka e bën një femër të ndihet një mjellmë e bukur është bukuria e shpirtit, e zemrës, e karakterit dhe e moralit, është devocioni fetar dhe përkulja ndaj Pronarit Hyjnor, dhe jo përkulja dhe nënshtrimi ndaj ‘pronarëve’ tokësorë.

Unë dëshiroj me gjithë shpirt që mesazhi hyjnor t’i nxjerrë nga ai kurth për t’i orientuar në rrugën e vërtetë drejt jetës, që ato të çlirohen krejtësisht nga hallkat e hekurta e të ftohta të së kaluarës dhe të ndiejnë dashurinë hyjnore, aromën amënore dhe zërin e paqtë të së ardhmes.

Gruaje e edukuar dhe e arsimuar, edukon edhe shoqërinë njerëzore. Nëna e arsimuar, bashkë me qumështin për t’i ushqyer trupin, i jep foshnjës edhe edukatën për t’i ushqyer shpirtin. Femra e edukuar dhe e pajisur me kualitete dhe atribute të larta i trashëgon këto atribute edhe në amshueshmëri.

Gruaja- lulishtja e njerëzimit, mbretëresha e botës, themeli i shoqërisë, burimi i dashurisë, lidhësja që i bashkon pjesëtarët e shoqërisë njerëzore, shtylla e moralit, një engjëll tokësor që është krijuar për lumturinë dhe fatbardhësinë qiellore të njerëzimit.

Amësia – një ndjesi primordiale, një zë i kulluar që vjen nga zanafilla, një kumbim i një lashtësie mijëravjecare.

Nëna – simbol, apologji, një ujëvarë drite për fëmijët e saj.

Fëmija – një shenjtëri, një mister, një limfë e re jete që rrjedh prej nënës së saj, trëndafili më i bukur i kopshtit të saj.

Pjesa më fisnike e jetës është lufta për të mirën, për të bukurën, njerëzoren, të vërtetën dhe besimi tek Krijuesi të bën të mos ndihesh kurrë një Sizif i dëshpëruar.

Duke sfiduar rutinën prozaike të jetës, e sforcuar nga punët e përditshme, e lodhur në fushën e betejave të jetës, por e përtërirë nga dashuria dhe ngrohtësia e fëmijëve të saj, ajo e tërheq lodhjen e mundimin si një pelerinë toreadorësh dhe lufton duke frymuar dashuri për jetën, njeriun, të bukurën, fisniken, për kauzën e shenjtë hyjnore.

Çdo qenie bën pjesë në orkestrën e madhe të dashurisë dhe përpiqet të paraqesë një pamje të dashurisë së pafund të ekzistencës. Dashuria ekziston thellë në shpirtrat e njerëzve. Ajo është thelb i ekzistencës, është mjeti i vetëm që të nxjerr nga rrjeta e egoizmit, është arma që arrin çdo fitore, çelësi që hap do portë, cilësia që të shndërron në monument pavdekësie, ndjenja më e lartë njerëzore që shpërndan kudo aromën e paqes, drita më shkëlqimplote që lartëson çdo shpirt dhe ia lehtëson udhëtimin për në përjetësi.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme