Diellit që i ri hapi pezull

Fjetëm e fjetëm
Gjersa u zgjuan tufanet
Zjarret
Diku nën ne thellë si kënetë
Jetonte dashuria për dritë
Për drithë
Për lule…

Ndërmjet ethes e zjarrmisë
Hapëm sytë
Obobo pluhuri…
Të mykët sa nuk u bëmë

Erërat ia rrëzuan tallazin
Shitë e fortë ia qëruan lëvoren
Diellit që sapo i janë hapur krahët
E rrugëtimit

Diellit që i ri hapi pezull
Do ta prek edhe njëherë
Buzën e lulëzimit
Dhe përjetësisht
Do ta flak syrin e gjumit


Parkut të gjelbër t´i duket plisi
Si hije që kërkon plepat shtatlartë
Kërkoj unë shpirtrat
Kërkoj thembrat e të parëve
Që u rritën pranë kroit të Fatihasë
Që u bënë shenja rrugës së qumështit pejgamberik
Si një reze jam lëshuar mbi gjirin e shekullit
T´i shkrij kodrat e mjerimit
Të bëhem elektriciteti i mesazhit pejgamberik
Në këtë kohë pa dhëmbë
Ku fjalët s´kanë kuptim
Veprat qëllim
Njeriu ngreh zvarrë vetveten nëpër terr
Jeta e ngrysur mbi majë thikash
Shpërthen vullkane nga brendia e saj e hidhur
Jete moj jetë
Të veshën me petkun qe s´e deshe…
Si shenjë e thellë në ballë të shekullit
Do ri krah hapur me flamurin e Dëshmisë
Atëherë kur etja të kaplojë
Do zgjas dorën me gotën e ujit të freskët të Librit
T´ju këndellet shpirti
T´ju vaditet vullneti për përpjekje
Të plas behari në parkun e gjelbërt
Si dorë ejubiane
Mes flakës e tymit
Do mbjell dashurinë e zjarrtë
Parkut të gjelbër t´i duket plisi


Rreth magjes sonë
I

Rreth magjes sonë
Mizat
Rreth e rrotull bëjnë tavaf
Brumi që zihet
Është i dyshimtë

Ç´janë këto zëra
Të huaj
As nuk ngrohin
As nuk ftohin

II

Rreth arës sonë
Megjet e hekurta
Diellin kanë zënë
T´i ris të mbjellat

As nuk plas sythi
As ylber
As diell
As maje lisi

III

Askush nuk do ta punojë
Arën tonë
Më mirë sesa ne vetë

Dilni burra gra e fëmijë
Se na e vodhën Tokën
O mor të shkretë…


Po frynë një erë e pa anë
Po frynë një erë e pa anë.
Porsi nëna fëmijën e humbur,
Kërkon vatanin që dikur e ka lënë.
Ndërsa, tremb zogjtë e përgjumur.

Gjethe rënës ky fidan i madh.
Era rreth tij gjethet ia trazon.
Vjen e kërkon si një makth,
Rrugën që dikur s´kishte hon.

Po frynë një erë e paanë,
Ngroh ballin e rrëzuar dikur.
Porsi gruaja vetëm e lënë,
Që kërkon të sajin burrë.

As ka kush, as mundet kush
Ta ndal hovin e krahut të saj.
Kohën e skaduar e hedh në prush.
Frynë e frynë rrugës pa skaj.

Nga dritaret e të bukurës hënë
Nga dritaret e të bukurës hënë
Ty që pas dore të kanë lënë
Të shoh i mallëngjyer si për nënë
O Ummet, një Zot të ka dhënë

I vetmuar rrugëve, i pashpresë
Dëshiroj të jetoj, apo të vdes
Majë kodrës i ulur pres
Me dorë në ballë, shikoj tjetrën vesë

A ka behar për ty sot
Kaluan vitet e vështira pa Zot
Nga qielli melaqet lëshojnë lot
Qanë jeta, vuan gjithçka në tokë

Nga dritaret e të bukurit Kur’an
Shpërthen dashuria e paanë
Një ummet dhe një Rahman
Të bukur e duan dynjanë


Shqipëria copa ime e ndarë e zemrës
Shqipëria
Zemra prej së cilës vuan i gjithë trupi

Shqipëria
Sofra për ta ngrënë kafshatën

Shqipëria
Copa ime e ndarë e zemrës


Krenaria që s´e fitova vetë por e gjeta
(Kushtuar Imami ‘Azamit)

O Ebu Hanife, o yll i mëngjesit
O fidani i gjithë këtij mali
O lumë që për çudi shtove etjen
Ti që kthjelle shpirtrat
Sa herë që ta lexuan gjurmën dhe guximin
O ti që netëve u jepje gjallëri me namazin tënd
Dhe jetës elan me leximin e Kur´anit tënd
Lavdi paçin pena dhe sexhdeja jote e natës
Lavdi paçin jeta dhe koha jote e ndritshme
Selam dhe paqe o Ebu Hanife
Krenaria që s´e fitova vetë por e gjeta …


Nëse më gjeni aty ku s´isha
Nëse më gjeni aty ku s´isha
Nëpër shtrëngatë kam ecur të vij
Ta vendoj themelin e një lindjeje të re
Territ t´ia vjedh fijen dhe ta djeg në palcë dhimbjen
Nëse më gjeni të vij si trishtim në buqetë
Shikomëni në e kam vulën e Besmelianëve
Midis rreshtave në e kam lulen e Dritës
Thoni se jam prej dheu e drite
Nëse më gjeni duke u luhatur në degën e jetës
Dhe era nga pak të ma vret ballin
Thoni se zogjtë i´a këndojnë këngën e kushtrimit
Këngë që e thurën te Burimi i Kështjellës së Madhe
Nëse s´do më gjeni aty ku isha
Thoni se kurrë nuk u pajtua me muzgun
Dhe se asnjëherë nuk e deshi krimbin kur dilte sysh
Nëse më gjeni aty ku s´isha
S´do më gjeni aty ku isha …


(Poezi të zgjedhura nga vepra e dytë, e cila është në përgatitje e sipër për botim)

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme