Menu:
 
Navigatori i Kur'anit:
 
 
Kontakti
Name:

Email Adresa:

Mesazhi juaj:

Index -> Shkrime të bashkëpunëtorëve ->

Disa aspekte të perceptimit të periudhës osmane në historiografinë shqiptare të periudhës së socializmit


Artan Puto

Përfytyrimi më popullor dhe më i zakonshëm që shqiptarët kanë pasur gjatë kohës së socializmit për beun, një prej simboleve kryesore të periudhës osmane, ka qënë pak a shumë ky që vijon: beu ka qënë një burrë i shëmtuar, si fizikisht ashtu edhe moralisht, ai ishte barkmadh, ishte dembel, zakonisht e kalonte kohën duke shfrytëzuar egërsisht fshatarët, që kishte nën hyqëm, ose pinte, hante dhe luante bixhoz.
Share:  Del.icio.us  Digg  Facebook  Newsvine  Reddit  Technorati


Si rregull ai ishte i rrethuar nga një grusht servilësh, të cilët me zellin e tyre dhe për të fituar simpatinë e tij tregoheshin edhe më të ashpër se sa “ustai i tyre”. Figura më tipike e kësaj kategorie ishte qehajai, një lloj mazhordomi që mbante nën kontroll të rreptë fshatarët gjysëm skllevër. Puna e tij kryesore ishte të mblidhte taksa dhe të siguronte të ardhurat e beut. Beu ishte pëfaqësuesi i sistemit të vjetër dhe regresiv feudal. Ai ishte gjithmonë një pengesë ndaj risive që sillte klasa ende timide borgjeze. Figura e beut përçonte një përmbajtje të dyfishtë negative: nga njëra anë ai ishte anëtar i klasës shfrytëzuese dhe sunduese, dhe nga ana tjetër ishte edhe një figure e osmanizuar, d.m.th. një lloj pasqyre e degradimit, e regresit dhe e injorancës së ngulitur prej kohësh.
Ky ka qënë pak a shumë përfytyrimi që një shqiptar i zakonshëm i periudhës socialiste kishte për beun, përfaqësuesin e osmanëve në vendin e tij. Për më tepër, ai kishte zakon që periudhën e sundimit osman ta barazonte me një periudhë negative, të pavlerë, një periudhë që i shpërfytyroi dhe i përjashtoi shqiptarët nga vëndi i tyre i natyrshëm, d.m.th. Evropa e marrë si Evropa Perëndimore.
Ky imazh ka qënë rezultat i ndikimit të mesazheve të caktuara që vinin nga letërsia, filmat, pjesët teatrale, studimet historike dhe diskursi politik veçanërisht gjatë 50 vjetëve të fundit.
Kjo kumtesë do të merret me trajtimin në vija të përgjithshme që historiografia shqiptare i ka bërë periudhës osmane dhe në veçanti do të përqëndrohet mbi dy Ndërgjegje historike probleme, “pushtimin osman të vendit” dhe “konvertimi i shqiptarëve në myslimanë”.
Me qëllim që të shmangim një tejzgjatje të panevojshme të kësaj kumtese kam zgjedhur disa tekste, si p.sh. botimet zyrtare të “Historisë së Shqipërisë” dhe artikujt e disa autorëve shqiptarë, të cilat, sipas mendimit tim, përfaqësojnë në mënyrë të mjaftueshme një prirje të përgjithshme të ndjekur edhe nga studiues të tjerë shqiptarë. Qëllimi im është që të paraqesim disa probleme dhe të ndriçojmë mangësitë e metodologjisë së historiografisë shqiptare në analizën që ajo i ka bërë periudhës osmane. Jam plotësisht i ndërgjegjshëm se kjo mund të jetë vetëm faza e fillestare e nje studimi më të thellë dhe më të plotë, i cili do të ngërthente një problematikë më të gjerë të marrëdhënieve shqiptaro-osmane dhe të perceptimeve reciproke të të dyja palëve.
Pas Luftës së Dytë Botërore historiografia shiqptare ka prodhuar një numër të madh studimesh mbi periudhën osmane, që shkon nga shekulli i 15-të deri në fillimet e shekullit të 20-të. Në fakt ato mbulojnë një spektër të gjërë punimesh që kanë të bëjnë me periudhën osmane, politikën osmane kundrejt tokave shqiptare, popullsinë dhe fisnikërinë lokale, ndryshimet në marrëdhëniet ekonomike në periudhën osmane, qytetet shqiptare dhe konvertimin e shqiptarëve në Islam, si edhe studime mbi aspektet politike, kulturore dhe gjuhësore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare (1878-1881), që përfundoi me shpalljen e pavarësisë nga Porta e Lartë më 1912.
Megjithatë, në pjesën më të madhe të rasteve historiografia shqiptare e periudhës së socializmit ka qënë skematike dhe e politizuar në analizën dhe metodologjinë e saj. Mënyra sesi u trajtuan këto tema ndikuan shumë që periudha otomane të shihej si shkaku kryesor i prapambetjes ekonomike te vendit dhe që Orienti, në rastin tonë osmanët, të barazoheshin me moszhvillimin. Një nga pasojat më të rëndësishme të këtij qëndrimi është edhe teza se “shtypja osmane shkaktoi vonesën e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, e cila në krahasim me lëvizjet e tjera kombëtare ballkanike filloi shumë më vonë, pikërisht në çerekun e fundit të shekullit të 19-të”.
Fillimisht Lëvizja Kombëtare Shqiptare u trajtua si pjesë përbërëse e procesit ballkanik të lëvizjeve kombëtare nga Perandoria Osmane. Në vend që të ndaleshin në analizën e faktit se përse Lëvizja Kombëtare Shqiptare ishte e fundit që do të organizohej, studimet shqiptare prireshin që të tregonin se ajo ishte kurorëzimi i lëvizjes më të gjërë çlirimitare ballkanike nga “zgjedha osmane”. Sigurisht që vonesa nuk konsiderohej si një karakteristikë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Sipas studimeve shqiptare ajo shihej si një rezultat i ndikimit të faktorëve të jashtëm gjatë lëvizjeve çlirimtare ballkanike të shekullit të 19-të. Studiuesit shqiptarë kanë nënvizuar faktin se Lëvizja Kombëtare Shqiptare u zhvillua në kushte jo të favorshme për shkak të politikës shtypëse të Perandorisë Osmane. Ata do të theksonin këtu edhe ndarjen administrative të tokave shqiptare dhe ndalimin e mësimit në gjuhën shqipe. Ndarja fetare gjatë periudhës osmane i përshtatej fare mire idesë së “rolit reaksionar të fesë”, i cili propagandohej nga ideologjia ortodokse komuniste. Si një historiografi që shikonte më shumë ngjarjet dhe mbështetej te narracioni, ajo nuk i ka kushtuar shumë vëmendje aspekteve sociale të jetës shqiptare. Këtu duhen përmëndur edhe kufizimet e një ideologjie shtetërore, e cila impononte skema të ngushta normative që lejonin vetëm një lloj të caktuar të të shpjeguarit të historisë.
Së fundi studimet shqiptare mbetën të mbrujtura me “sensin romantik dhe patriotik” në shkrimin e historisë, ku shqiptarët tregoheshin si aktorët kryesorë dhe zotër të fateve të tyre. Ky version përputhej më së miri me propagandën populiste të regjimit që përdorte të kaluarën historike për qëllime politike. Në një linjë me këtë trajtim ka qënë edhe shqetësimi i dukshëm i studiuesve shqiptarë që t’i paraqesnin shqiptarët jo si aktorë historikë inferiorë, në veçanti përballë fqinjëve të tyre sllavë dhe grekë. Dhe ky shqetësim ndihej veçanërisht kur bëhej fjalë pikërisht për vonesën e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ky shqetësim nënkuptonte se dikush tjetër ishte më i “zoti” t’i përvetësonte më shpejt “tendencat e reja të jetës së pavarur kombëtare” dhe nga ana tjetër zbulonte “letargjinë shumë më të zgjatur dhe diskretituese” të shqiptarëve gjatë periudhës së “stanjacionit osman”. Në mënyrë që të shmangej një imazh i tillë historiografia shqiptare fillon të ndërtojë kronologjinë e “pushtimit të egër osman”, dhe të “politikave agresive të konvertimit”.
Së pari, historiografia shqiptare e përshkruan përfshirjen e tokave shqiptare në kuadrin osman si një lloj pushtimi brutal, ndonëse arrin të njohë njëfarë futjeje graduale të sistemit osman në fillesat e tij në vend, aty nga fundi i shekullit të 14-të.
Karakteristika më dalluese e këtij trajtimi ishte nënvizimi i brutalitetit, barbarisë dhe fanatizmit fetar të trupave osmane, të cilat në sytë e lexuesit dukeshin si një hordhi plaçkitësish që bënin rrafsh çfarëdo qyteti apo qëndre të banuar që u delte përpara. Në tekstin e “Historisë së Shqipërisë”, kapitulli VI, me titull “Pushtimi turk dhe rezistenca shqiptare (1388-1443”, paraprihet nga një pjesë hyrëse e shkurtër me nëntitull “Vërshimi turk në Ballkan”. Termi “vërshim” në vetvete është një fjalë që përdoret për të treguar një lëvizje përrenjsh apo lumenjsh me fuqi të madhe shkatërruese. Ajo e lajmëron lexuesin se ka të bëjë me një periudhë të zymtë të historisë së Shqipërisë. Kur përshkruajnë cilësitë e ushtrisë osmane, autorët e tekstit shkruajnë se :
“Përveç njësive ushtarake të spahinjve, sulltan Orhani, pasardhës i Osmanit, krijoi edhe korpusin e jeniçerëve, që ishte përbërë nga ushtarë të stërvitur, fanatikë të fesë islame dhe të rritur me idenë e besnikërisë ndaj sulltanit dhe me shpirtin e luftrave pushtuese. Turqit krijuan gjithashtu edhe njësitë e kalorësve të quajtur akinxhinj, të cilët sulmonin në mënyrë të papritur vendbanimet, plaçkisnin popullsinë, digjnin fshatrat, grabisnin njerëz që t’i shisnin më vonë si skllevër, rrëmbenin fëmijë dhe furnizonin me to ushtrinë e jeniçerëve, sulmonin në prapavijë armikun dhe i hapnin kështu rrugën jeniçerëve dhe spahinjve për të pushtuar më lehtë vëndet”.
Ushtritë osmane konsideroheshin si një kërcënim për qytetërimin. Historianët shqiptarë shprehnin keqardhjen e tyre për faktin se vendet ballkanike ishin braktisur përpara pushtuesit osman nga një Evropë e përçarë nga rivalitetet e brendshme.
“Për dekada të tëra shtetet e Evropës ishin të pandërgjegjshme për rrezikun që po e kërcënonte qytetërimin e tyre. Të mbërthyer nga interesat e ngushta dhe nga rivalitetet midis tyre, ata nuk u dhanë absolutisht asnjë ndihmë vëndeve ballkanike në luftrat e tyre kundër pushtuesve osmanë. Përkundrazi, ato u përpoqën të nxjerrin përfitime nga ofensiva turke dhe të fitonin të drejta territoriale në kurriz të rivalëve të tyre. Asgjë nuk dukej e aftë të përballonte vërshimin e jeniçerëve osmanë dhe të spahinjve. Megjithatë gjatë atyre viteve të cilat ishin kritike për lirinë e popujve të Evropës dhe për vazhdimin e Rilindjes, dy vende qëndruan trimërisht përpara pushtuesve, duke penguar përparimin e tij për shumë dekada dhe duke fituar kohë për popujt e tjerë të kërcënuar që të përgatiteshin për rezistencë. Këto dy vende ishin Hungaria dhe Shqipëria, me udhëheqësit e tyre të mëdhenj, Huniadi dhe Skënderbeu. Gjithësesi, Shqipëria nuk ishte në gjëndje, fillimisht, që të përballonte pushtimin turk”.
Paragrafi i mësipërm ka disa elementë që ia vlen të përmënden. Rezistenca kundër turqve konsiderohet si një mburojë për qytetërimin dhe mbrojtje ndaj Rilindjes dhe lirisë së vendeve evropiane. Në të njëjtën kohë shërben për të nënvizuar politikën egoiste të evropianëve që në vend që t’i ndihmonin shqiptarët i lanë ata vetëm përballë armikut të egër. Përgjithësisht ky imazh i vendeve evropiane, si egoistë dhe cinikë, ishte ai që hasej më shpesh në historiografinë shqiptare, kur flitej për përballjen turkoshqiptare në shekullin e 15-të dhe Lëvizjen Kombëtare (1878-1912). Evropianët shihen si njerëz që shikojnë vetëm interesin e tyre dhe nuk janë të ndjeshëm ndaj vuajtjeve të shqiptarëve. Gjatë shekullit të 15-të ata nuk pranuan të ndihmonin shqiptarët dhe liderin e tyre kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbej, ndërkohë që në shekullin e 19-të ata mbështetën pretendimet territoriale të fqinjëve të tyre.
Osmanët janë portretizuar se janë ushtarakisht më superiorë dhe shqiptarët se nuk janë të gjëndje të rezistojnë, përderisa janë një vend i vogël. Osmanët ishin gjithashtu superiorë ndaj vendeve ballkanike dhe evropiane. Në lidhje me këtë aspekt historiografia shqiptare dallon përçarjen feudale në Evropë nga fuqia absolute e Sulltanit, i cili në sajë të shtetit të tij ushtarak dhe të centralizuar, ishte i aftë të mblidhte dhe të përdorte të gjithë burimet e tij njerëzore e materiale dhe t’i hidhte në luftë. Nga ana tjetër “feja islame iu dha osmanëve edhe një mjet ideologjik për të forcuar më tej bashkimin rreth Sulltanit dhe të përligjnin luftrat e tyre pushtuese”. Së fundi, pesha e zgjedhës osmane shihej si një barrë e rëndë, si ekonomikisht ashtu edhe nga ana sociale.
“Sistemi i timarit i feudalizmit ushtarak ishte për shqiptarët një rikhtim te një fazë që ata e kishin kaluar prej kohësh”.
“Pushtimi osman” pra bëhej përgjegjës për kthimin e vendit disa shekuj prapa, për izolimin dhe për ndarjen e Shqipërisë nga ai që shihej si vendi i saj i natyrshëm, pranë dhe në kontakte të vazhdueshme me Evropën. Regresi ishte i trefishtë, kulturor, politik dhe ekonomik. Sipas tekstit të “Historisë së Shqipërisë”, pushtimi osman ndërpreu lidhjet kulturore dhe tregtare të Shqipërisë me Evropën Perëndimore. Pas asaj ngjarjeje të kobshme Shqipëria u bë një vend i izoluar, dhe popullsia e saj ra në mjerim. Ushtritë osmane shkatërruan qytetet, objektet më të bukura arkitektonike, katedralet, kishat, manastiret, ndërtesat publike dhe ato të aristokracisë të pajisura me piktura dhe skulptura të shumta. Duke përmëndur kishat, katedralet, manastiret, pallatet e aristokracisë, të cilat pësuan sulmin e një armiku barbar dhe katil, historiografia shqiptare kishte parasysh një kulturë shqiptare të zhvilluar dhe të krahasueshme me atë të Evropës Perëndimore.
“Shqipëria nën zgjedhën turke, me një ekonomi të mbyllur të imponuar nga sistemi i timarit dhe pa qendrat e saj që u zhvilluan gjatë Mesjetës, pa institucionet kulturore, artistike dhe arsimore dhe në pamundësi për të mbajtur kontakte të lira me vendet e zhvilluara evropiane, ishte e privuar nga mundësia për të zhvilluar kulturën e saj dhe të ishte pjesë e zhvillimit të lavdishëm të Rilindjes, që në thelb përfaqësonte ideologjinë e re të borgjezisë në fushën e letërsisë, arteve dhe të pedagogjisë”.
Ky paragraf nënkupton se ekzistonte një zhvillim shqiptar paraosman që u ndërpre nga pushtimi. Kur historiografia shqiptare flet mbi qytetërimin ajo nënkupton “qytetërimin perëndimor”, që u zëvëndësua nga turqit me një “kulture” tjetër, jo qytetërim, që do të thoshte diçka me më pak vlerë, e cila shmangu kursin e natyrshëm të historisë së popullit shqiptar. Në studimin e tij “Mbi disa aspekte të uniformitetit dhe ndryshueshmërisë në historinë e popullit shqiptar dhe të popujve të tjerë ballkanikë”, i ndjeri prof. Aleks Buda, një nga historianët shqiptarë më të njohur dhe ish kryetar i Akademisë së Shkencave, flet rreth heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbej (1405-1468) dhe thotë se ai udhëhoqi rezistencën shqiptare kundër ofensives turke në emër të një kauze patriotike dhe si përfaqësues i komunitetit fetar të krishterë. Prof. Buda identifikon krishtërimin me qytetërimin dhe luftën e Skënderbeut e paraqet thjesht si një mision të madh patriotik. Kësisoj, kultura turke nuk mund të ishte gjë tjetër veçse një lloj tjetësimi, që shënonte rënien e shqiptarëve nga një nivel më i lartë zhvillimi në një më të ulët.
“Nuk ka dyshim se periudha osmane solli me vete një varg dukurish konvergjuese. Ajo solli atë çka në imagjinatën popullore dhe në literaturën historike popullarizuese njihet si “gjëja tipike ballkanike”; islamizimi dhe urbanizimi oriental, me ato gjërat e përbashkëta në veshje, në mënyrën e të gatuarit, në ndërtim, në zejtari, një unitet që shfaqet në qëndrimin psikologjik (zbavitje, resinjacioni fatal) ka lënë vulën e saj edhe në gjuhë. Nën këtë shtresë kanë qënë procese të përbashkëta shumë më të thella dhe më serioze për të gjithë Ballkanin; me marrëdhëniet e tij karakteristike shoqërore, me diskriminimin fetar (rajaja ishte kategoria e njerëzve të shtypur) dhe me regresin e shkaktuar nga dominimi i ri, feudalizmi ushtarak osman ruajti dhe forcoi më tej elementin patriaral dhe bujar që e kishin kaluar kohën e tyre përpara pushtimit osman”.
Perspektiva evolucionare e historiografisë shqiptare nënkuptonte një zhvillim linear të shoqërisë, që shikonte përpara dhe që shkonte nga një gjëndje më e ulët në një gjëndje më të lartë e më të përparuar. Sipas kësaj historiografie, periudha osmane shënoi fillimisht një lëvizje prapa që u shoqërua nga një periudhe hibernacioni dhe më vonë nga një përparim i ngathët, veçanërisht në shekullin e 19-të, në sajë të daljes në skenë të borgjezisë. E ndikuar nga marksizmi, historiografia shqiptare ka pasur një koncept eurocentrik për progresin. Progresi nga feudalizmi në kapitalizëm ishte i “natyrshëm” dhe “joperëndimorët e pazhvilluar, aziatikët, përfaqësonin rastin e vendeve të mbetur prapa”.
Përsa i përket situates politike, pushtimi osman i shkaktoi një goditje të rëndë procesit të homogjenizimit politik që kishte filluar ndërkaq në tokat shqiptare qysh gjatë kohës bizantine. Historianët shqiptarë kanë mbrojtur tezën se ky proces i unifikimit politik të zotërve të ndryshëm feudalë ishte në rrugë të mbarë drejt krijimit të njëfarë njësie politike shqiptare. Kushtet që favorizonin këtë proces ishin trysnia nga qendra administrative biazntine mbi feudalët shqiptarë, burimet e tyre të kufizuara për të përballuar konfliktin me qendrën dhe, mbi të gjitha, një unitet etnik ekzistues në këto toka. Me fjalë të tjera, tokat shqiptare në kohën e Mesjetës, ose Shqipëria e Mesjetës, ashtu siç referohet në tekstet e historisë, tregon qartë sesa funksional është uniteti etnik në kushtet e përçarjes politike ose në kushtet e partikularizmit feudal. Në këtë mënyrë uniteti etnik i paraprin dhe, në të njëjtën kohë, kushtëzon unitetin politik. Nga ana tjetër, denominimi etnik “Alban” ose “Arbanon” i përdorur gjatë Mesjetës merret si diçka e rëndësishme, pasi ai ka edhe kuptimin e bërthamës territoriale të shtetit shqiptar.
Sipas historiografisë shqiptare, ndërsa trysnia e jashtme bizantine ushtroi një rol favorizues në lidhje me shtysën që i dha procesit të unifikimit politik midis zotërve feudalë shqiptarë, me osmanët nuk ndodhi kështu. Logjika ndryshon këtu papritur dhe trysnia e jashtme paraqitet si diçka që dëmton të njëjtin proces që favorizonte më parë.
“Situata jashtëzakonisht e vështirë politike dhe ushtarake që u krijua me ardhjen e pushtuesve osmanë në Ballkan, që depërtuan në Shqipëri qysh më 1385, solli gjithashtu shumë pengesa kundër vazhdimit të përpjekjeve për bashkim, dhe mbi të gjitha kur një aktor i dytë politik doli në skenë. Republika e fuqishme tregtare e Venedikut po përfitonte nga situata e krijuar dhe po përpriqej që të vendosej në bregdetin shqiptar, duke përmbushur kështu planet e saj për ta kthyer detin Adriatik në një gji vendikas.
Në lidhje me këtë plan Republika e Venedikut do të bënte përpjekjet më të mëdha për të penguar krijimin dhe konsolidimin e principatave të pavarura shqiptare veçanërisht në bregdet. I ndodhur midis osmanëve dhe venedikasve, vendi u kthye në situatën e fragmentarizimit të shekullit të 15-të”.
Sipas mendimit tim, një nga problemet më të mëdha të historiografisë shqiptare gjatë 50 vjetëve të fundit është se ajo ka paraqitur një imazh të shtrembëruar të situatës në tokat shqiptare përpara mbërritjes së osmanëve. Para së gjithash, historianët shqiptarë e kanë marrë si të mirëqënë faktin se gjatë Mesjetës ka pasur një komunitet shqiptar në Ballkan etnikisht homogjen dhe plotësisht të ndërgjegjshëm për përkatësinë e tij etnike.
E vetmja e metë e tij ka qënë përçarja politike midis zotëromeve të zotërve feudalë të ndryshëm. Shqiptarët shihen si një faktor politik i unifikuar, i cili mbahej në një gjëndje përçarjeje vetëm nga interesat e feudalëve. Trajtimi i historiografisë shqiptare mbështetej mbi vazhdimësinë e pandërprerë etnike dhe fliste për një komunitet shqiptar me objektiva të qartë kombëtarë që synonin bashkimin politik dhe pavarësinë nga pushtuesit e huaj qysh gjatë Mesjetës.
Sipas këtij trajtimi dinamika e forcave ndjek një trajektore brenda-jashtë, ose anasjelltas; do të thotë se shqiptarët shihen vetëm në marrëdhëniet ose konfliktet që ata kanë me bizantinët, venedikasit dhe më vonë me osmanët. Këto ishin vendimtare në lidhje me ndryshimin e rendit politik në vend. Kjo lloj parashtrese nuk përmënd se kishte edhe një situate të caktuar të brendshme, e cila ndihmoi ardhjen e osmanëve, rivaliteti i zotërinjve feudalë shqiptarë në luftrat e tyre për sundim. Studimet shqiptare nuk i kanë kushtuar vëmëndjen e duhur përçarjes që ekzistonte në tokat shqiptare dhe ato kanë shpërfillur faktin se osmanët hynë në këto toka fillimisht të ftuar nga feudalët vendas. Këta të fundit i përdorën trupat osmane në luftrat e tyre të brendshme për sundim dhe për të zgjeruar zotërimet e tyre. Marrëdhëniet që osmanët kishin me aristokracinë vendase kishin karakterin e aleancës dhe pastaj të vasalitetit. Pikëpamja osmane e pushtimit ishte e ndryshme nga ajo që paraqesin studimet shqiptare, të cilat e shikonin ardhjen e tyre thjesht si pushtim ushtarak. Përsa i përket osmanëve pushtimi ishte i njëjtë me vendosjen e regjimit të timareve, që mbi të gjitha donte të thoshte kthimin e tokave në pronësi të Sulltanit dhe regjistrim i të ardhurave dhe gjithë burimeve të tjera të rajoneve nën autoritetin e tyre, me qëllim që të siguronin mbledhjen e taksave.
Siç thotë Halil Inalçik:
“Në çështjet e hegjemonisë dhe sovranitetit, qysh nga lindja e tij shteti osman nuk u përzje dhe nuk e lidhi aksionin e tij me parimet fetare, racore dhe juridike. Në fillimet e aksionit të tij atij i mjaftonte që të realizonte kushtet thelbësore të sundimit. Edhe në Shqipëri ne jemi dëshmitarë të zbatimit në mënyrë të qartë të kësaj politike realiste që kontribuoi kaq shumë në themelimin e perandorisë”.
Gjëndja në të cilën ndodheshin zotërinjtë feudalë, të cilët ishin në konflikt midis tyre, do të kishte peshën e vet mbi situatën politike në tokat shqiptare. Shqetësimi kryesor i feudalëve shqiptarë ishte që të ruanin zotërimet e tyre dhe privilegjet e tyre.
Në shkëmbim të saj, ata ishin të gatshëm që të pranonin autoritetin osman. Nga ana tjetër osmanët nuk hasën në tokat shqiptare feudalë të fuqishëm, të cilët do të ishin në gjëndje të luftonin beteja frontale siç ndodhi me bullgarët dhe me serbët. Sipas Inalçik, osmanët gjetën në Shqipëri feudalë me fuqi minimale, të ndarë nga njëri-tjetri dhe të gatshëm që të binin në ujdi me ta në mënyrë individuale. Eshtë fakt i njohur se osmanët u dukën për here të pare në tokat shqiptare në vitin 1385. Ata u ftuan nga një feudal shqiptar, Karl Topia, i cili, duke mos pasur besim te Venediku dhe duke patur frikën e sundimit nga familja e Balshajve, kërkoi ndihmën e tyre.
Dhe së fundi, kushtet vendore ndikuan që osmanët, para periudhës së Skënderbeut, të ndiqnin një politikë jo agresive ndaj shqiptarëve. Pjesa më e madhe e tokave shqiptare ishte zonë malore. Banorët ishin një popullsi luftarake dhe të prirur për rebelime dhe plaçkitje, ndërkohë që vendi i tyre nuk depërtohej lehtë. Përtej detit Adriatik ishte Perëndimi katolik dhe Venediku, armiku potencial i osmanëve, që zotëronte një pjesë të rendësishme të brigjeve shqiptare. Rrjedhimisht osmanët nuk ishin të interesuar që të hynin në një konlfikt të hapur me shqiptarët, por të vazhdonin përfshirjen graduale të tokave të tyre nën kontrollin e Sulltanit.
Në fakt nga vitet e fundit të periudhës socialiste disa autorë shqiptarë kanë njohur gradualitetin e “pushtimit osman” në vend të atij brutal dhe të egër. Në një nga studimet e tij mbi marrëdhëniet ekonomiko-shoqërore në tokat shqiptare gjatë kohës osmane, historiani shqiptar Selami Pulaha jep një version më të moderuar të pushtimit osman të vendit. Ai shkruan se:
“Eshtë e qartë për studiuesit se regjimi feudal osman i vendosur në Ballkan, duke përfshirë këtu edhe tokat shqiptare, nuk mund të linin pasdore situatën e atyre rajoneve dhe të fshinin çdo gjë nga e kaluara pa përvetësuar ato institucione dhe marrëdhënie feudale që mund t’i shërbenin atyre. Në fakt, megjithëse solli ndryshime të rendësishme në fushën ekonomike dhe politike, regjimi osman nuk e zhduku sistemin ekzistues ekonomik e social feudal dhe nuk shënoi kalim në një sistem më të avancuar, por vetëm ndryshoi organizimin e mëparshëm ekonomik e social në përputhje me interesat e klasës feudale osmane”.
Luftrat turko-shqiptare të shekullit të 15-të, të udhëhequra nga heroi kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1405-1468), janë një tjetër rast ku historiografia shqiptare shpreh tonet e saj romantike dhe retorike. Diskursi mbi heroin kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbej është një lloj përzierje e propagandës romantike dhe patriotike të rilindasve shqiptarë të shekullit të 19-të me dogmat e ngurta ideologjike mbi rolin e masave dhe të luftrave çlirimtare që ishin mbisunduese në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore.
Shqiptarët paraqiteshin si një entitet etnik i formuar në luftrat kundër sundimit të huaj dhe që tani po luftonte kundër osmanëve, të cilët kishin ardhur për të ndërprerë zhvillimin, ekonomik, politik, kulturor dhe social dhe që kishin krijuar pengesa të mëtejshme për bashkimin e shqiptarëve në një shtet të centralizuar. Megjithatë, në narrativën e historiografisë shqiptare bëhet një dallim i qartë midis klasës sunduese shqiptare dhe masave. E para bëri kauzë të përbashkët me pushtuesit, ndërsa masat përshkruhen si të vendosura në qëndrimin e tyre anti-osman. Toleranca osmane konsiderohet kështu si një favor që u bëhet feudalëve shqiptarë me qëllim që t’i bëjnë ata për vete për sa kohë që ata po hasnin në qëndresën e fortë popullore. Nga ana tyre feudalët shqiptarë janë përshkruar si tradhëtarë të interesave kombëtare dhe që shikonin vetëm interesin e tyre. Rebelimi i masave popullore kundër osmanëve ishte motivi kryesor i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu që të fillonte qëndresën e tij 25 vjeçare kundër ushtrive osmane. Historiani shqiptar Selami Pulaha në studimet e tij më të hershme mbi luftrat turko-shqiptare të shekullit të 15-të shkruante se:
“Ndoshta ishte kryengritja e masave popullore që filloi qysh më 1430 dhe më tej kërcënimi ndaj interesave të tij si feudal i pavarur atë që e shtynë Skënderbeun t’i shpallte luftë turqve përpara 1443”.
Ndajfolja “ndoshta” tregon më shumë dëshirën për të besuar te ajo që thuhet sesa një përfundim i saktë. Historia e luftrave të udhëhequra nga Skënderbeu e ka anashkaluar rendësinë e përkatësisë sociale të udhëheqësit dhe ndikimin që pati në të të rejat që solli regjimi i ri osman i timareve në marrëdhëniet pronësore të feudalëve vendas shqiptarë. Në një mënyrë të dukshme aprioristike historiografia shqiptare i ka atribuar Skënderbeut një mision moral për të përmbushur, siç është dëshira për të çliruar vendin, dashuria për mëmëdheun dhe ka lënë në hije interesat e tij pronësore dhe statusin social. Skënderbeu bëhet një lloj figure jashtëkontekstuale e nxitur para së gjithash nga ndjenjat patriotike. Sipas tekstit të Historisë së Shqipërisë luftrat e udhëhequra nga Skënderbeu ngjizën ndjenjën e kombësisë shqiptare, sepse ato bashkuan krahinat e ndryshme shqiptare nën një udhëheqje të vetme. Edhe pse shqiptarët u kthyen në islam ata nuk u asimiluan, sepse ata ishin ndërkohë një kombësi e formuar në mënyrë të qartë. Një paraqitje historike e tillë ku osmanët ishin të dënuar të luanin një rol negativ të përhershëm të bënte të besoje se shqiptarët luftonin me krenari përpara agresorit osman. Disfata e shqiptarëve ishte si rezultat i superioritetit ushtarak osman, porse superioriteti moral qëndronte gjithnjë në anën shqiptare.
Elementi tjetër i historisë ishte se vendet europiane nuk i shpërblyen shqiptarët për ndihmesën që ata dhanë për të mbrojtur qytetërimin europian. Kjo është ajo që George Schöpflin e cilëson si miti i trajtimit të padrejtë, sipas të cilit historia merret si një aktor kobzi, që ka rezervuar për një popull të caktuar një fat të keq dhe një trajtim aspak dashamirës.
“Ajo që nënkuptohet në këtë mit, si edhe në mitin e ringjalljes, është se bota, në rastin tonë Europa, duhet t’u shlyejë atyre që kanë vuajtur një borxh të veçantë, se viktimat e vuajtjes nuk i ndihmon njeri sepse ato vuajtën për botën mbarë dhe bota duhet ta njohë këtë sakrificë, duke bërë kështu që komuniteti që vuan të paraqitet si komunitet me vlera të veçanta morale”.
Momenti më i rëndësishëm këtu është vendosja e regjimit të timareve që i ktheu tokat e banuara nga shqiptarët në pronësi të sulltanit. Viktima kryesore të këtij transformimi pronësor ishte aristokracia e vjetër, të cilës iu pakësuan të drejtat mbi pronat. Përveç kësaj edhe statusi i feudalëve të mëdhenj lokale ndryshoi. Nga feudalë të pavarur ata u kthyen në ushtarë të Perandorisë. Inalçik thotë se :
“Revoltat e pandërprera të këtyre zotërve feudalë, revolta që përgjakën Shqipërinë gjatë shekullit të 15-të, në fund të fundit mund të shpjegohen me papajtueshmërinë që ekzistonte midis qeverisjes centralizuese që u vendos në vend dhe sistemit të vjetër feudal. Rebelimi i Aranitasit dhe ai i Skënderbeut linden, mbi të gjitha, si pasojë e kësaj kontradikte. Pas shumë përpjekjesh osmanët i shtypën këto revolta dhe iu desh që të gjenin një mënyrë për të eleminuar feudalët e mëdhenj që nuk donin të pranonin regjimin e ri, dhe të vendosnin njëherë e përgjithmonë sistemin e timareve. Në revoltat e Aranitit dhe të Skënderbeut, shihen feudalët e mëdhenj që marrin pjesë në kryengritje, ndërsa familjet e spahinjve të krishterë, zotërues të timareve të vogla duket se nuk janë përfshirë në to sepse pothuaj të gjithë i ruajtën tokat e tyre”.
Aspekti tjetër që lidhet me trajtimin e periudhës osmane është ai i konvertimit të shqiptarëve në myslimanizëm. Teksti i “Historisë së Shqipërisë” e konsideron islamizimin e vendit si një vegël në duart e pushtuesve turq për të krijuar në Shqipëri një komunitet mysliman që të ishte i lidhur me fatet e perandorisë. Aty shihej edhe një qëllim praktik nga ana e osmanëve që ishte furnizimi i ushtrisë osmane me ushtarë myslimanë shqiptarë. Sipas tekstit arsyet që favorizuan një përparim kaq të shpejtë të islamit ishin dobësimi i dispilinës fetare për shkak të represionit turk në shekujt e 16-të dhe 17-të, standarti i ulët teologjik i klerit të krishterë, numri i pakët i klerit në vend dhe diskriminimi fiskal i popullsisë. Popullsia e krishterë ishte e detyruar të paguante shumë më teprë taksa sesa bashkëvendasit e tyre myslimanë. Islamizimi masiv i shqiptarëve shihej gjithashtu edhe si rezultat e reagimit të egër të turqve pas luftimeve të vazhdueshme kundër shqiptarëve. Kur shqiptarët më në fund u nënshtruan, turqit donin ta mbyllnin hesapin njëherë e mirë me ta. Prandaj osmanët filluan një fushatë sistematike konvertimi. Reagimi i shqiptarëve shihet si ai i një populli, i cili me qëllim që të mbrojë dinjitetin e vet, preferon të sakrifikojë gjërat më pak të rendësishme, siç ishte në këtë rast feja. Sipas këtyre teksteve, shqiptarët vetëm në dukje u bënë myslimanë, sepse thellë në ndërgjegjen e tyre mbetën shqiptarë. 28 Kjo është një tendencë që i konsideron shqiptarët si një komunitet që e sheh përkatësinë fetare si diçka të një rëndësie të dorës së dytë dhe që e sheh atë me një lloj mosbesimi. Arsyeja qëndronte te fakti se shqiptarët e merrnin fenë si një vegël në duart e të huajve. Megjithatë, argumenti se konvertimi i shqiptarëve u bë kryesisht në sajë të ndjenjave të dobëta fetare, të avantazheve që rridhnin prej tij nuk është i kënaqshëm dhe nuk përfaqëson kompleksitetin e problemit. Në vend që problemi të paraqitet si rezultat i ndërveprimit të faktorëve të ndryshëm, siç ishin kushtet lokale, strategjia ushtarake e osmanëve, situata fetare në tokat shqiptare para ardhjes së osmanëve, situata ndërkombëtare dhe pasojat sociale, studimet shqiptare theksojnë më tepër një lloj veçorie të lindur të shqiptarëve, karakteristikën e tyre të brendshme “për të mos qenë një popull fetar”. Së fundi ata nuk marrin parasysh kohën relativisht të gjatë të procesit të konvertimit fetar midis shqiptarëve dhe si rrjedhim ata shpërfillin shumëllojshmërinë e motiveve prapa kësaj dukurie. Duke folur për popullsitë malore të veriut të Shqipërisë, studiuesja franceze Nathalie Clayer thotë se:
“”Fetaria e dobët” e malësorëve shqiptarë, nga një anë pasojë e dobësisë së Kishës Katolike, e cila gjëndej edhe ajo vetë në një pozitë të vështirë në Perandorinë Osmane, dhe nga ana tjetër pasojë e vështirësive për të depëruar në vendbanimet e
tyre, ishte një element që e favorizonte islamizimin, por në asnjë rast nuk ishte shkak për konvertim”.
Sipas mendimit tim prirja për t’i përshkruar shqiptarët si “popull jofetar” shkon pas në kohë në periudhën e Rilindjes Kombëtare (1878-1912), kur udhëheqësit kombëtarë shqiptarë, për shkak të përçarjes fetare të vendit, e përjashtonin fenë nga tërësia e elementëve kombformues. Studiuesi hollandez Ger Duijizings shkruan se :
“Duke filluar nga shekulli i 19-të ka patur përpjekje të vazhdueshme për ta neutralizuar praninë e përçarjeve fetare si pengesë për politikën e identitetit kombëtar shqiptar. Derisa asnjë nga besimet nuk ishte në positë që të bashkonte të gjithë shqiptarët në një platformë fetare, i vetmi mjet mbeti gjuha: gjuha shqipe shumë e dallueshme nga gjuhët e fqinjëve të afërt (sllavë dhe grekë), ishte i vetmi faktor që mund të zbuste ndryshimet ndërmjet feve dhe identiteteve të ndryshme fetare. Feja si burim i identitetit të përbashkët humb gradualisht rendësinë e saj”.
Kjo prirje ndiqej me qëllim që të promovohej ideja se feja ishte “një fenomen më i vonshëm” në jetën e një populli sesa kombësia e tij. Kjo e fundit merrej gjithmonë si diçka e përjetshme. Në një nga studimet e periudhës së socializmit shkruhet se:
“Populli shqiptar do të luftonte në kushtet e ekzistencës së një përçarjeje fetare. Pushtuesi mysliman, duke njohur vetëm komunitete fetare, rrezikonte ekzistencën
e kombësive. Kjo prirje favorizonte një zhvillim shoqëror-politik e kulturor të veçuar të elementëve fetarë në tri komunitetet e mëdha fetare kulturore: të “myslimanëve”, të “ortodoksëve” dhe të “latinëve” të Ballkanit. Por, në këtë periudhë kemi të bëjmë me historinë e shqiptarëve mesjetarë, që nuk i mungon një bosht qëndror; ajo është histori e një kombësie të formuar nga një element etnik ballkanik i stërlashtë, i bashkuar në bazë të komunitetit të gjuhës, të zakoneve, dokeve, virtyteve shpirtërore, të shprehura në kulturën e vet në bazë të territorit të përbashkët ku banon, histori e një kombësie të dalluar qartë qysh herët nga kombësitë e tjera të gadishullit, që formohen në të njëjtën periudhë. Gjithashtu, përvoja e luftës së popullit shqiptar kundër sulmeve pushtuese të osmanëve ndikoi mjaft në forcimin e unitetit të popullit. Në kushtet e kësaj kombësie të formuar, në kushtet kur populli e shihte fenë jo thjesht si besim, por si vegël politike, rivalitetit fetar i dobësohej rrezja e veprimit, duke kaluar gjykimin mbi fenë nën prizmin e kombësisë”.
Paragrafi i mësipërm thekson argumentin se kombësia është më e vjetër sesa feja dhe rrjedhimisht më e rëndësishme. Sipas këtij trajtimi, feja nuk ia doli mbanë të ndryshojë thelbin kombëtar të shqiptarëve meqënëse ajo ishte më e dobët sesa kombësia dhe përqafimi i fesë ishte bërë për shkaqe pragmatiste. Feja shihej si një
mënyrë sjelljeje, si një përshtatje ndaj disa kushteve të caktuara, ndërsa kombësia ishte më thelbësore dhe ajo ka ekzistuar qysh në kohërat e hershme, sepse ajo ishte “të qënurit shqiptar”. Studimet shqiptare i kanë bërë jehonë edhe një miti tjetër, që është miti i pragmatizmit shqiptar. Ky mit çmon aftësitë përzgjedhëse të shqiptarëve. Shqiptarët kanë qënë gjithmonë në gjendje të zgjedhin midis asaj që është sipërfaqësore dhe asaj që është e rëndësishme në një moment të caktuar për ta. Në rastin tonë është feja ajo që zgjidhet nga shqiptarët si e parëndësishme. Mitet e “jofetarisë” shqiptare ose më mirë të themi e mënyrës pragmatiste dhe jo spirituale të të “përjetuarit të fesë”, së bashku me mitin e prejardhjes ilire dhe të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbej, janë mitet më jetëgjatë që dolën nga periudha e Rilindjes Kombëtare dhe janë të gjallë edhe sot.
Sipas mendimit tim, problemi më i madh me një trajtim të tillë është se ofron një imazh monolitik të popullit shqiptar, sikur ai vepron gjithmonë en bloc dhe i paprekur nga asnjë veçanësi krahinore dhe kulturore. Populli shqiptar mban të njëjtin qëndrim ndaj fesë dhe, në krahasim me kombësinë, e vlerëson atë si një dukuri të një statusi më të ulët. Procesi i islamizimit gjatë periudhës osmane ishte një proces shumë më i ndërlikuar sesa ai që raportohet nga studimet shqiptare. Para së gjithash islamizimi i vendit ishtë një proçes i ngadalshëm dhe me ritme jo të rregullta, i cili vazhdoi për shekuj me radhë pas ardhjes së osmanllijve në tokat shqiptare. Konvertimi i shqiptarëve ndoqi rrugë të ndryshme në krahina të ndryshme. Ai nuk ishte një konvertim i kryer me forcë në mbarë vendin, me përjashtim të rasteve të rebelimit të popullsive të krishtera. Këta të fundit detyroheshin të konvertoheshin pasi kryengritjet e tyre shtypeshin nga Porta e Lartë. Në zonat fushore të pjesës qëndrore të Shqipërisë Islami pati më shumë të konvertuar. Banorët e këtyre zonave e ndjenë më shumë sundimin osman, meqënëse ata ishin më të ekspozuar ndaj ndikimit osman sesa malësorët e krahinave të izoluara të veriut.
Kushtet në jugun e Shqipërisë ishin më të ndryshme sesa ato në veri. Popullsia këtu ishte ortodokse dhe osmanët i njohën Patriarkanës së Stambollit një trajtim të
veçantë. Gjatë shekujve të parë të sundimit osman ata ishin në kulmin e fuqisë së tyre dhe nuk kishin frikë nga ndonjë fuqi ortodokse. Përveç kësaj, Kisha Lindore ishte bërë një institucion i integruar brenda sistemit shtetëror të Perandorisë. Nga ana tjetër, përparimi i islamit nuk u bë për shkak të konvertimit me forcë të ndjekur nga osmanët, por erdhi më shumë si pasojë e dobësisë së Kishës Katolike, e cila nuk ishte në gjëndje të mbulonte me praninë dhe ndikimin e saj të drejtpërdrejtë në zona të tëra të Shqipërisë.
Nuk ishte një proces që ndodhi të nesërmen e vendosjes së sundimit osman në tokat shqiptare, por një proces i gjatë që vazhdoi deri në fund të periudhës osmane.
Motivet e konvertimit ishin nga më të larmishmet. Konvertimi motivohej me arsye materiale dhe morale. Midis disa prej tyre ishin shmangja e taksave, të cilat ishin më të larta për jomyslimanët. Duket se konvertimi është shtyrë edhe nga dëshira për t’i shpëtuar sanksioneve morale të Kishës Katolike, si për shembull në rastin e mbajtjes së dy grave, në rast rrëmbimi të grave apo “shitjes” së vajzave. Këto ishin praktika që njiheshin nga kanuni por që kërcënoheshin me ekskomunikim nga kisha. Përveç kësaj, marrëdhëniet konfliktuale me kishën, ndjenja e krenarisë dhe e nderit ishte në zanafillën e shumë konvertimeve. Jomyslimanët nuk donin më të mbeteshin pjestarë të një komuniteti që nuk ishte mbizotërues. Për shembull, në fund të shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të të qënurit i krishterë tregonte për një pozicion inferior, ndërsa statusi i myslimanit ishte sinonim i nderit dhe respektit.
Edhe mënyrat e konvertimit kanë kompleksitetin e tyre. Për shembull, në shekullin e 19-të shumë konvertime u bënë nëpërmjet presionit apo gjysëmpresionit që vinte nga ambienti mysliman përreth. Siç thotë edhe studiuesja Clayer “në shumë raste konvertimi vinte si pasojë e prishjes së marrëdhënieve brënda ambientit shoqëror që do të thoshte ose me fisin ose me kishën”. Studimet shqiptare nuk e kanë marrë në konsideratë lëvizjen e popullsisë në Perandorinë Osmane si një element të rëndësishëm në lidhje me konvertimin. Një nga metodat e pushtimit të përdorura nga osmanët ishte edhe sjellja e popullsive nga Anadolli dhe vendosja e tyre në tokat e pushtuara. Historiani Inalçik thotë se:
“Në gadishullin e Ballknit të shekullit të 16-të, myslimanët përbënin një të katërtën e të gjithë popullsisë, qofshin këta nomadë apo popullsi të sedentare. Ata u ngulitën më shumë përgjatë dy rrugëve historike të gadishullit, njëra që të çon nga Traka dhe Maqedonia në Adriatik dhe tjetra që kalon nga luginat e Maricës dhe Tunxhës drejt Danubit”.
Kjo politikë shpjegon edhe arsyen se përse islamizimi u rrënjos më shumë në Shqipërinë e Mesme sesa gjetiu. Ardhja e popullsive të huaja në tokat shqiptare nuk ka qenë një temë e dashur për studimet shqiptare. Kjo temë do të kompromentonte tezën e një komuniteti homogjen etnik që ka jetuar në të njëjtin territor qysh prej kohëve të lashta.
Kur hedhim shikimin te perceptimi i periudhës osmane në studimet shqiptare del qartë se ato vuajnë nga kufizime serioze në analizën që i bëjnë rolit të shqiptarëve
në histori. Kombi shqiptar mbetet qendra e vetme e vëmendjes, ndërkohë që Shqipëria dhe shqiptarët vetëm rrallë shihen si pjesë e një konteksti më të gjerë politik dhe gjeografik. Në rastin e periudhës osmane historianët shqiptarë priren që të zhvendosin skenarin dhe dinamikën e forcave shoqërore të shekullit të 20-të në atë të shekullit të 15-të. Në shumë raste niveli i vetidentifikimit të shqiptarëve mbetet i njëjtë gjatë periudhave të ndryshme historike. Shqiptarët e shekullit të 15-të kanë të njëjtën “ndërgjegje shqiptare” si edhe pasardhësit e tyre të shekullit të 20-të. Dallimi i vetëm qëndron në sistemet e ndryshme politike dhe ekonomike. Në shekullin e 15-të ishte sistemi feudal dhe në shekullin e 20-të një sistem gjysëmkapitalist. Në përgjithësi mekanizmi i hulumtimeve historike vihej në lëvizje pasi historiani e kishte ndarë mëndjen qysh më parë mbi përfundimin e punës e tij. Kjo ishte karakteristikë e një shkolle të caktuar metodologjike e mendimi, e cila mbizotëroi në Shqipëri gjatë 50 vjetëve. Kjo shkollë ishte e përshkuar nga romanticizmi i periudhës së Rilindjes Kombëtare i përzier me ideologjinë mbizotëruese nacional-komuniste të pas Luftës së Dytë Botërore. Ajo ideologji u futi shqiptarëve ndjenjën se ata ishin zotër të fatit të tyre historik për herë të parë qysh nga koha e Skënderbeut. Lufta Nacional Çlirimtare, rezistenca ndaj rreziqeve të jashtme që kërcënonin Shqipërinë, lideri popullor karizmatik dhe ruajtja e sovranitetit, ishin të gjitha paralelizma që hiqeshin midis periudhës së Skënderbeut dhe asaj të socializmit. Gjithësesi nuk mund të përjashtohet edhe mundësia që tezat dhe metodologjia e historiografisë së periudhës së socializmit ishin gjëra që për shumë kohë besoheshin sinqerisht nga ata që i propagandonin. Kjo gjë bëhej edhe në emër të një misioni moral që duhej të kishte historiani në atë kohë, pikërisht atë që “duhet ta pajiste popullin e tij të shumëvuajtur në shekuj me një histori dinjitoze”.

Burimi: Përpjekja, Viti IX, nr.18, Tiranë, vjeshtë - dimër 2003, fq. 91-104.


E Dielë, 16 Maj 2010; 17:05


Kerko:

 
Ju rekomandojmë :
 
Akaid dhe Fikh Islam:
 
Të përhershme:
 
Prezantime (Powerpoint)
 
Ilahi:
» Zeriislam.com nuk qëndron domosdoshmërisht pas çdo teksti të autorëve «
Copyright © ZeriIslam 2005-2009
Free counter and web stats