Koncepti i ri i diplomacisë turke

Në fjalën e tij, të cilën Davutoglu e mbajti në formë të një ligjërate, shqyrtoi përparësitë strategjike të politikës së re të jashtme të Turqisë. Vlen të theksohet se ai është akademik, i cili mori të udhëheq Ministrinë e Punëve të Jashtme, pa qenë anëtar parlamenti, por edhe më tepër duke mos qenë as anëtar i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim. Ishin veprat, idetë dhe përvoja e tij akademike letërnjoftim i vetëm për t’iu besuar atij ky post aq i ndejshëm, i udhëheqjes së politikës së jashtme të Turqisë. Në ligjëratën e tij, ai me pak fjalë deshi të thoshte se Partia për Drejtësi dhe Zhvillim prej më shumë se shtatë viteve dëshiron t‘i japë fund këtij defekti historik, gjeografik, kulturor e të përmirësoj imazhin e mbrapshtë dhe kthimin e trenit në binarët e tij të natyrshëm, prej së cilëve doli, duke preferuar Perëndimin në llogari të Lindjes.

Shefi i diplomacisë turke me mjeshtri përshkroi gjendjen reale si dhe ndryshimet të cilat pësoi politika e jashtme turke në vitet fundit duke i dhënë prioritet marrëdhënieve të saj me fqinjët “zero probleme me fqinjët”. Ky stabilitet i mundësoi Turqisë mëkëmbjen ekonomike dhe vendosjen e Ankarasë në mesin e shteteve më të zhvilluara ekonomikisht. Kjo i mundësoi që ajo të ulet në tavolinën e pesë shteteve më të mëdha, pasi që vërtetoi përvojën e saj diplomatike në zgjidhjen krizave, si faktor ndërmjetësimi apo duke i dhënë shansin kohës derisa të plotësohen kushtet për zgjidhjen e problemeve.
Shefi i diplomacisë turke përmendi të suksesshëm hapjen e 12 përfaqësive diplomatike gjatë vitit të kaluar në disa vende të ndryshme të botës, të cilat ishin lënë pasdore në të kaluarën. Ai potencoi se Ankaraja planifikon, që gjatë këtij viti të bëj hapjen edhe të 26 përfaqësive të reja diplomatike. Davutoglu, gjithashtu potencoi domosdoshmërinë e shtimit të stafit diplomatik. Ai pohoi se nëse Franca, sa për ilustrim, krenohet se në diplomacinë e saj ka të angazhuar 5.800 diplomatë, Britania e Madhe 5.700, Spanja 2.500, ndërkohë që Turqia ka vetëm 1.500 diplomatë, që është një numër tejet i vogël për ambiciet e diplomacisë turke. Ai potencoi se diplomatët e rinj, përveç gjuhës angleze dhe franceze duhet t’i njohin edhe gjuhët e popujve të rajonit ku ata do të shërbejnë si: rusishten, persishten, arabishten, armenishten e gjuhë tjera, nëse diplomacia turke donë të jetë efikase dhe e suksesshme..

Davutoglu ishte konsekuent dhe i vendosur që politika jashtme turke duhet të sendërtohet në këto pesë pika kryesore: besimi në vetveten, ballafaqimi me të vërtetën dhe realitetin, analiza qendrore e shoqëruar me një vizion të gjerë për çështje të ndryshme nga të gjitha aspektet, marrja e vendimeve të duhura në momentet e duhura dhe në fund që politika e jashtme të mbështet në fuqinë e brendshme nga aspekti historik, shoqëror dhe ekonomik në radhë të parë.

I quajtur si “Kisengeri turk” nga ambasadori amerikan në Ankara, Ahmet Davutoglu ka hedhur hapa të para të vegjël po të matur në formësimin terrenit diplomatik turk. Ishte vetë ministri i Jashtëm turk që vuri në një tryezë bashkëbisedimi Sirinë dhe Izraelin në vitet 2007-2008, duke luajtur një rol të rëndësishëm ndërmjetësimi edhe mes këtyre delegacioneve në Stamboll. Në Afganistan, ai vendosi kontakte të drejtpërdrejta me talebanët, madje i pari, dhe u shndërrua në përcjellësin kryesor të zërit të vendeve myslimane në konferencën Londrës në fillim të këtij viti. Në Ballkan, u bë shtysë e hyrjes në bisedime mes Serbisë dhe Bosnjës, që u kurorëzua me takimin e Stambollit në mes përfaqësuesit të myslimanëve në presidencën boshnjake, Haris Silajxhiq dhe presidentit serb Boris Tadiq. Ky takim erdhi si rezultat i kërkim faljes nga parlamenti serb për masakrat që bënë forcat serbe ndaj popullatës myslimane në Bosnjë e Hercegovinë gjatë viteve 1992-1995.
Diplomacia turke, viteve të fundit ka bërë hapat e saj të parë në zbulimin e kontinentit të Afrikës, një shekull pas tërheqjes së ushtarit të fundit osman nga Libia. Turqia brenda vetëm dy viteve shtoi numrin e ambasadave të saj në Afrikë prej 12 në 17, por edhe 10 të tjera janë në ndërtim e sipër. Këtu duhet shtuar se në vitin 2008 Stambolli ishte nikoqir e samitit të parë turko-afrikan. Ministri i ekonomisë, Ali Babxhan deklaroi për Agjencinë franceze të lajmeve “Afrika do të jetë kontinenti në të cilin do të përqendrohemi në vitet dhe dekadat ardhshme”. Gjatë 10 viteve të fundit është dyfishuar eksporti i prodhimeve turke në Afrikë, prej 1.4 milion në 2.10 milion në mes viteve 2000 dhe 2009, që paraqet 10% e eksportit të përgjithshëm. Në ndërkohë u shumëfishua importi i prodhimeve dhe lëndës së parë nga vendet afrikane prej 7.2 miliard dollarë në 7.5 miliardë dollarë.
Këto marrëdhënie të mira u reflektuan edhe me rastin e kandidimit të Turqisë për anëtar i përkohshëm i Këshillit të Sigurimit, ku nga 53 shtete sa numëron kontinenti, 51 vende votuan për Turqinë.

Ditë më parë, pohon analisti arab, Semir Saliha, në artikullin e tij në të përditshmen “Asharqal Avsat”, Ahmet Davutoglu nuk mundi ta përmbante vetveten, gjatë një vizite që po i bënte një spitali ku ishim të vendosur për shërim të lënduarit irakian, si rezultat i një shpërthimi. Shefi i diplomacisë po ledhatonte vogëlushin irakian, i cili ia shpërtheu vajit, duke kërkuar që nëna e tij të jetë aty pran tij. Shefi i diplomacisë turke iu përgjigj se kjo dëshirë e tij do të realizohet, duke shtuar: “Ahmedi është biri ynë poashtu” Përgjigja e vogëlushit ishte befasishme: “Ahmedi është në vend të babait tim gjithashtu”.Ky është çelësi magjeps i diplomacisë turke, përfundoi artikullin analisti arab.

Diplomacia turke e udhëhequr nga Ahmet Davutoglu, një mysliman i devotshëm, shpesh herë është cilësuar nga kundërshtarët e tij të ashpër si një “neootomanizëm”. Disa prej tyre – në mes tyre edhe ish-ambasadori Faruk Lologlu – e akuzojnë se po i kthen shpinën Perëndimi dhe aleatëve tradicionalë të Turqisë, SHBA-së, Izraelit dhe Azerbejxhanit.
Ministri i Jashtëm turk e kundërshton këtë tezë të kundërshtarëve të tij. “BE-ja dhe NATO-ja mbeten dy shtyllat diplomacisë turke’, fakton ai. Me gjithë ngadalësimin e ndjeshëm të marrëveshjes për integrimin në BE – që nisi në vitin 2004 – reformat e kryera nga ekzekutivi turk kanë ndjekur më shpejt a ngadalë, udhën drejt Bukselit.
Në një rend të ri botëror shumëpalësh, Turqia mund ta shprehë lirisht identitetin e saj evropian e ku përfshihen edhe ndjeshmërinë e saj kaukaziane, ato të Lindjes së Mesme, apo ballanike përfundon shefi i diplomacisë turke, Ahmet Davuoglu.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme