Gruaja myslimane - shqiptare dhe kontakti i saj me Kuranin

Praktika islame e pjesëmarrjes së gruas në mësimin e fesë ndërmjet të kaluarës dhe të tashmes:

Të gjitha të dhënat historike nga koha e Pejgamberit a.s, e shokëve të tij besnik, faktojnë se gruaja myslimane me përpikëri dhe përkushtim të thellë fetar ka kryer obligimet e saja ndaj Allahut të madhërishëm, përskaj kësaj ajo gjithsesi gëzon edhe të drejta të garantuara nga vet i Madhi Zot. Spekulime të tilla nga qarqe jo islame se gruaja në Islam duhet të jetë një bashkëshorte nën urdhrat e burrit dhe të izolohet brenda mureve të shtëpisë, sa janë të pabaza, aq janë edhe të palogjikshme. Islami, gruas i dha një vend meritor në shoqëri, duke e respektuar si bashkëshorte, si nënë, si motër, por pa harruar asnjëherë edhe pozitën të cilën ia caktoi në jetën e saj sociale.
“... Unë nuk ia humb mundin asnjërit prej jush, mashkull qoftë apo femër. Ju jeni nga njëri tjetri...” (Ali Imran, 195). Ajeti si ky që u lexua dhe të ngjashëm me të, në të cilët i Madhi Zot në mënyrë të veçantë i drejtohet dy gjinive duke mos përjashtuar asnjërën palë në shpërblim sqarojnë se sa përgjegjëse është gruaja në kultivimin e një shoqëri të shëndosh dhe sa përgjegjësi ka në edukimin e brezit të ri.
Në kohën e Pejgamberit a.s rreshtat e fundit në xhami gjithmonë i janë dedikuar femrave nëse nuk ka pas ndonjë anë tjetër brenda xhamisë ku ato të kryejnë ritualet e tyre fetare. Edhe pse në fillim ato hynin dhe dilnin nga e njëjta derë e xhamisë nga e cila dilnin edhe burrat, por në konsultim të Pejgamberit a.s me Ibën Umerin, grave iu caktua një derë e posaçme nga e cila hynin në xhami për të kryer ritualet e tyre besimore. Madje edhe sot e kësaj dite kjo derë e cila gjendet në xhamin e Pejgamberit a.s në Medine quhet “dera e grave” (babu – n - nisa). Aspak nuk duhet të na humb kontrollin edhe ndonjë hadith antagonist që dëgjojmë lidhje me rastin, por Pejgamberi a.s botërisht u kishte thënë sahabëve të tij: “Mos ua ndaloni shërbëtoreve të Zotit (grave) shtëpitë e Zotit (xhamitë)”. Tradita profetike na mëson se përveç namazeve që gratë kanë bërë në xhami, ato kanë qenë pjesëmarrëse edhe në ligjëratat të cilat janë mbajtur nga Pejgamberi a.s. Umu Seleme rrëfen se si i ishin ankuar një grup grash te Pejgamberi a.s : “Meshkujt na e kanë bërë të pamundur pjesëmarrjen (për shkak të kallaballëkut) në ligjëratat tua, prandaj caktoje një ditë vetëm për ne”.
Sot, gruaja myslimane, e edhe gruaja shqiptare, duhet të jetë e prirur të ndjek praktikën e Hz. Ajshes, gruas së Pejgamberit a.s dhe një koloseje të dijes. Për hir të së vërtetës duhet bërë publik faktin se nga ajo u transmetuan 2210 hadithe. Kjo është gruaja më pedante, me inteligjente e shoqërisë myslimane. Duke qenë grua e Pejgamberit a.s, s’ka diskutim se sa pedanteri dhe sa kujdes kishte në transmetimin e haditheve dhe shpërndarjen e dijes të gjithë myslimanëve. Me këtë sidoqoftë, nuk duam vetëm të pasqyrojnë një realitet të gruas myslimane, por duam të vëmë në theks edhe një numër grash tjera të shoqërisë islame që kanë kontribuar dhe ende kontribuojnë në mesin në të cilin jetojnë. Shembulli i Hz. Ajshes, mund të jetë shembulli më i mirë sepse krahas kësaj duke parë se mësimet e fesë, dhe në veçanti të mësuarit e Kuranit gjeneratave të reja, jo vetëm që është privilegj, por vet Kurani garanton shpërblim për ata që kontribuojnë në mësimin dhe lartësimin e fjalës së të Madhit Zot. Nga kjo shumë gra filluan të shpërndajnë dijen dhe të jenë pjesë e pandashme e thirrjes dhe udhëzimit në fe. Pejgamberi a.s thotë: “Më i miri prej jush është ai që Kuranin e mëson, e njëherit ua mëson edhe të tjerëve”, madje shpërblimi që ka garantuar i Madhi Zot për lexuesit e Kuranit shumëfishohet për çdo lexim. Edhe më tutje Pejgamberi a.s na garanton se: “Ai që e lexon një shkronjë nga Libri i Allahut, shpërblimi për të është një, mirëpo një shpërblim (te Allahu) është i barabartë me dhjetë”.
Nëse sot shohim një gjendje relativisht të mirë në mësimin e Kuranit, meritën duhet kushtuar jo vetëm hoxhallarëve të cilët kanë kontribuar në xhamit e tyre, por edhe përkthyesve të parë të Kuranit në gjuhën shqipe, ata të cilët tashmë fjalën e Zotit nuk e lan vetëm në dispozicion të ligjëruesve nëpër xhami që besimtarëve iu përkthenin dhe shpjegonin pjesë nga Kurani, por kontribuan që me fjalën e Zotit të ketë mundësi të takohet çdo një njeri i interesuar që edhe në gjuhën e tij të kuptojë këto porosi e urtësi të Allahut fuqiplotë. Besimtarët myslimanë shqiptar që e përdornin Kuranin në jetën e tyre të përditshme gjatë ushtrimit të riteve kishin nevojë që këtë libër të shenjt ta kishin edhe brenda dy kopertinave në gjuhën e tyre. Fragmente të Kuranit në gjuhën shqipe i hasim qysh herët në letërsinë e bejtexhinjve, pra nga shek. XVII për të vazhduar më vonë në shek. XVIII e sidomos në atë XX ku në përgjithësi mbretëronte përkthimi i verseteve të caktuara, për nga tematika i tillë është p.sh. “Libri i të falmës” i Hfz. I. Dalliut. Me rëndësi të madhe është të theksohet se ndër aktivitetet intelektuale, teologjike dhe kulturore në përgjithësi edhe përkthimet e Kuranit të bëra aty këtu në këto periudha kontribuuan në zhvillimet e mëtejshme të traditës së të punuarit me Kuran. Me çka u hap një horizont shumë i gjerë dhe mundësi e shpejtë si për leximin e teologjisë, ashtu edhe për zhvillimin e saj në një mënyrë më të shpejtë. Për këtë punë, natyrisht përkthyesit janë renditur në radhët e “dëshmorëve” të teologjisë myslimane shqiptare. Teologu shqiptar këtyre punëtorëve për çdo herë do t’ua ketë borxh.
Më 1921 Ilo Mitko Qafëzezi bën botimin e parë të përkthimit të tekstit të Kuranit në shqip ku përfshihet afërsisht 1/3 e tij. Një hap më tutje në fushën e përkthimit të Kuranit e bën Hfz. Ibrahim Dalliu. Ai në vitin 1929 boton “Ajka e kuptimeve të Kurani Qerimit”, që konsiderohet një përkthim me kompetencë teologjike. Një përkthim tjetër ka ndërmarr edhe Hfz. Ali Korca pjesë të të cilit janë botuar edhe në shtypin shqiptar. Botimi i plotë i Kuranit të përkthyer në gjuhën shqipe për shumë arsye arrit të bëhet vetëm në mesin e viteve ’80, por ky përkthim nuk u botua për shkaqe të ndryshme.

Botimi i parë i plotë i Kuranit në gjuhën shqipe u bë në vitin 1985 në Prishtinë nga Feti Mehdiu. Ky përkthim për vlerat e veta të veçanta në aspektin gjuhësor pati jehon të madhe në publicistikën kosovare dhe më gjerë. Ishte rasti i parë që Kurani me përkthim në gjuhën shqipe ishte i plotë dhe në duart e besimdrejtëve. Përkthimi dhe botimi i dytë i plotë i Kuranit u bë në vitin 1988 nga profesor Hasan efendi Nahi nga Kosova. Përkthimi i tretë i plotë i Kuranit është bërë nga H. Sherif Ahmeti po më 1988 nën kujdesin e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Prishtinës. Tani kemi edhe një përkthim të katër në gjuhën shqipe ai është i Muhamed Zekeria Khanit i vitit 1990. Ndërkohë që ekziston edhe një Kuran i kompletuar në gjuhën shqipe për personave të verbër, përkthimi i H. Sherif Ahmetit me alfabet Brait, i dal nga shtypi në prill 2008.
Qëllimisht i përmenda të gjitha përkthimet e Kuranit në gjuhën shqipe, por për fat të keq jam e detyruar që për këtë çështje shumë të rëndësishme të shkruaj përmes një ankimi për teologun e hapësirës sonë, sepse më duket se në aspektin e kulturës teologjike jemi tejet të varfër, në fakt siç thotë Dr. Ismail Bardhi “të pastrehë”. Njohës të gjuhës arabe kishte mjaft si në Shqipëri, por edhe Kosovë, por vështirësia ose “pakujdesia” ndaj Kuranit duket se ishte gjetiu. Ata (teologët) nuk ishin origjinalë; pse i braktisën trojet tona, pse shkruan në gjuhë të “huaj”, pse lejuan që teologu ynë të jetë i varur nga faktorët e jo-teologjisë; pse lejuan që respekti ndaj teologut të komercializohet ose të humbet fare, pse lejuan që fuqia e teologëve tanë të bëhet vetëm fuqi eskatoligjike... edhe pse në të kaluarën tonë figurojnë shumë emra të shquar të kulturës fetare ose teolog me nam, si Hoxhë Tahsini, Vehbi Dibra, Hafëz Ali Korca, Hafiz Ibrahim Dalliu, Mulla Idrizi, Sherif Ahmeti Ataullah Efendiu etj... ne megjithatë nuk guxojmë të jemi të kënaqur vetëm me emrat dhe veprat e tyre. Teologjia shqiptare prej vitit 1935 e deri nga viti 1988 krejtësisht ka qenë “e pensionuar”; kjo paraqet një periudhë relativisht të gjatë kohore, e cila lë pasoja shumë të dëmshme për kulturën fetare, jo vetëm se për vetë këtë kulturë, por edhe për kulturën në përgjithësi, të cilën për çdoherë do ta shohim konfrontuese... (Dr. I. Bardhi)
Sidoqoftë, pas kësaj kthese radikale me përkthimin e Kuranit në gjuhën shqipe, kontakti i gruas me librin e shenjtë, më nuk ishte një “mollë” e ndaluar, sepse tash është vetë gruaja e cila Kuranin e mban më afër se çdo gjë tjetër, i bënë vendin më të bukur në vitrinë, e fut në ndonjë sirtar ku nuk mund ta kap asnjë pluhur, e vendos mbi çdo libër të rëndom. E gjithë kjo, sigurisht se ishte një ogur i mirë për gratë myslimane shqiptare. Edhe pse qëndrimi i heshtur, mospërfillës dhe mohues ndaj arsimimit dhe edukimit të gruas në mësimin e Kuranit, e që mjerisht, në të shumtën e rasteve vinte nga vetë hoxhallarët të cilët nuk i jepnin hapësirë grave dhe bijave të tyre të vizitojnë xhamitë, t’i mësojnë në leximin e Kuranit, t’i udhëzojnë në islamin burimor, madje duhet pranuar se shumica e grave myslimane, pavarësisht riteve fetare që i kanë mësuar aty këtu, fatkeqësisht i kanë mësuar me shumë gabime, pavarësisht veshjes islame që kanë mbajtur, kanë qenë më shumë të detyruara nga tradita se sa nga mësimet e fesë. Kontakti i gruas myslimane – shqiptare me mësimet e fesë dhe atë “falë” rasteve që rridhnin nga jeta familjare si syneti, mevlude, qelime e të pame, në mungesë të leximit të plotë të Kuranit, nuk ishte edhe shumë shpresëdhënës. Edhe sot, paraqitja e disa modifikuesve të “devotshëm” të normave burimore fetare, gjegjësisht e disa “efendilerëve” që mëtojnë ta privojnë gruan nga participimi në bashkësinë myslimane, kam frikë se është analogji e tmerrshme nga e kaluara.
Sigurisht medalja ka dy anët e saja, në kontekst të kontributit të gruas myslimane - shqiptare në mësimin dhe leximin e Kuranit gjeneratave të reja duhet përmend Binaze Kacabaçi – Dauti, pseudonimi i saj ishte “hoxha hanëm”. Qytet i lindjes së saj ishte Prizreni, por duke qenë e detyruar të ndiqte prindërit e saj, ajo bëri një jetë endacake. Shkollën fillore e kreu në Edrene dhe atë normale e bëri në Stamboll ku edhe shërbeu për pesë vjet. Më vonë u shpërngul në Gjilan. Në vitin 1920, ajo hapi një shkollë për vajza në shtëpinë e saj në Gjilan edhe pse në mënyrë klandestine, vullneti i saj nuk mungoi asnjëherë. Krahas kësaj duhet kujtuar edhe shumë vajza tjera që kishin mësyrë Sarajevën pikërisht për faktin që mësimet e Kuranit t’i kenë platformë për jetën e tyre. Të tilla mund të përmendim si Lumturije Sinani – Ibrahimi, Ikballe Berisha – Huduti, Meleq Lezi, Emine Huduti – Ballëk, Sabahate Lezi, Resmije Ajeti, Hasibe Talaj etj.
Duke qenë se besimtarët mysliman dita ditës ngjeshin radhët e tyre, çdo ditë e më shumë vetëdijesoheshin për rolin e pa zëvendësuar që zë gruaja në një shoqëri të hapur. Me unanimitet të plotë në vitin 1997 nën patronatin e Bashkësisë Islame të Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim të plotë edhe më Medresenë e Prishtinës, vendosën që krahas medresesë së djemve, edhe vajzat të kenë një vatër të dijes nga e cila do të mësonin fjalën e bukur islame dhe do ta përcillnin edhe te brezat e rinj. Me zgjerimin e Medresesë duke hap edhe një paralele për vajza, u morr vendim që edhe Prizreni si vend i historisë dhe kulturës Islame të ketë një paralele të ndarë fizike nga ajo e Prishtinës. Medreseja e Prizrenit deri më sot ka nxjerrë një numër të konsiderueshëm vajzash teologe të mirëfillta të cilat jo vetëm që tashmë e shkruajnë dhe e lexojnë bukur Kuranin, por ata njohin edhe shkencat tjera islame. Sot, Medreseja në Prizren që nga viti 1997 kur edhe filloj gjenerata e parë numëron, 411 nxënës të regjistruar në këtë shkollë, me 152 të diplomuar. Ky angazhim dhe përpjekje rezultoi me faktin që në qershor të 2005 pranë Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, diplomuan kuadrot e para të gjinisë femërore; studente të dalluara dhe të vyeshme sikur Ardiana Alishani, Ilire Halimi, Esma Morina, Mirije Xhezairi – Xhoxhaj dhe Emine Vezaj. Ngjarjet sikur këto s’do mend se u mirëpritën sigurisht me gëzim të madh nga të gjithë besimdrejtit.
Vërtet që në përmasa pak më të gjëra dhe në krahasim me disa popuj tjerë që kanë kontribuar shumë më shumë për kulturën dhe qytetërimin islam, kjo që është bërë tek ne as edhe nuk mund të krahasohet madje, por megjithatë zhvillimet e këtilla të mirëfillta, japin mundësinë e shpresës dhe uratës se edhe tek ne (qoftë edhe me vonesë) ka një prirje drejt ripërtëritjes së mendimit islam. Tregon idenë e çiltër të gruas myslimane shqiptare në nduarnduarjen e plotë me urtësitë e Kuranit.
Shikuar nga perspektiva e sotme (edhe pse ajo që kemi arritur deri tani është e pamjaftueshme) vërehen përparimet dhe aktivitetet. Sot kemi teologet shumë të vyeshme të cilat xhamin e kanë shtëpi të dytë, ndërsa nxënësit i kanë familje jo biologjike. Krahas punës së vazhdueshme që bëjnë në xhami, me punën e tyre janë dëshmuar edhe në shumë tribuna anë e mbanë Kosovës. Gruaja myslimane shqiptare sot, është nënë e shkëlqyer, mësuese e brezave të ri, dhe akademike në fakultet.
Allahu nuk e humb mundin e askujt, le ta dëshmojmë atë me nijet të pastër!

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme