SISTEMI MORAL I ISLAMIT

Në Kur’an lexojmë:

“Nuk është bamirësi (devotshmëri) që fytyrat tuaja t’i ktheni kah lindja dhe perëndimi; por të devotshëm janë ata të cilët besojnë në All-llahun, Ditën e Fundit, në engjëjt, në librat dhe në pejgamberët, dhe të cilët, nga pasuria, edhe pse u është e dashur, u ndajnë të afërmve, bonjakëve dhe të varfërve, edhe udhëtarëve – qëllimmirë dhe lypsarëve, edhe për lirimin e të robëruave, të cilët falin namaz dhe ndajnë zekatin dhe të cilët e marrin obligimin e vet dhe e zbatojnë, si dhe ata që janë të durueshëm në skamje dhe në luftë të ashpër. Ata janë besimtarët e sinqertë dhe ata All-llahut i druajnë (ruhen nga mëkatet)”. (el-Bekaretu, 177).

Në këtë ajet përshkruhet për bukuri njeriu i drejtë e që i frikësohet Perëndisë. Ai duhet t’u përmbahet rregullave të përshëndetjes, mirëpo shikimin duhet ta përqëndrojë mbi dashurinë për Perëndinë dhe për bashkëvendasit.

Na janë dhënë katër kapituj:

a) Besimi ynë duhet të jetë i vërtetë dhe i sinqertë;

b) Duhet të jemi të gatshëm ta dëshmojmë atë duke u dhënë sadakë varfanjakëve;

c) Duhet të jemi qytetarë të mirë duke i përkrahur organizatat shoqërore, dhe

ç) Shpirti ynë të jetë i fortë e i paluhatshëm në të gjitha situatat.

Këto janë standardet sipas të cilave mënyra e caktuar e sjelljes vlerësohet dhe klasifikohet si e mirë apo e keqe. Këto standarde vlerësimi përbëjnë bërthamën rreth së cilës duhet të sillet e tërë sjellja morale. Para se të parashtrojë çfarëdo rregulla morale, Islami së pari mundohet ta fusë thellë në zemrën e njeriut bindjen se ka punë me Zotin, i Cili e sheh atë në çdo kohë dhe në çdo vend, se mund të fshehet nga e tërë bota por jo edhe nga Ai, se mund ta mashtrojë çdokënd, por jo edhe Atë, se mund të lirohet nga kthetrat e çdokujt, por jo edhe nga Ai.

Prandaj, duke e përcaktuar kënaqësinë e Perëndisë si objektiv të jetës së njeriut, Islami na ka dhënë standardet më të larta të mundshme të moralit. Ai na ofron rrugë të pakufishme për evoluimin moral të njerëzimit. Duke i bërë njohuritë hyjnore burim parësor të diturisë, ai u jep amshueshmëri dhe stabilitet standardeve morale, të cilat ofrojnë mundësi të arsyeshme për rregullime, adaptime dhe risi të vërteta, e jo për gjëra perverse, ndryshime të çoroditura, relativitet bërthamor a luhatje morale. Ai siguron sanksione morale në dashurinë dhe frikën ndaj Perëndisë, gjë që njeriun e detyron t’i bindet normës morale pa presion të jashtëm. Nëpërmjet besimit në Perëndinë dhe në Ditën e Gjykimit ai i jep njeriut forcë për ta përvetësuar sjelljen morale me vendosmëri e sinqeritet dhe me besnikëri të plotë të zemrës e të shpirtit. Ai nuk ofron ndonjë virtyt të ri moral nëpërmjet ndjenjës së rreme të origjinalitetit dhe të rinisë, e as që mundohet ta minimizojë rëndësinë e normave të njohura morale e t’u japë rëndësi të tepruar disave, ndërsa të tjerat t’i hedhë poshtë pa arsye. Ai i pranon të gjitha virtytet e njohura morale dhe me një ndjenjë të baraspeshës e të proporcionit, secilit prej tyre ia cakton vendin dhe funksionin e duhur në skemën e përgjithshme të jetës. Ai e zgjeron horizontin e jetës individuale dhe kolektive të njeriut – lidhjet familjare, sjelljet e qytetërimit si dhe aktivitetet e tij në fushën politike, ekonomike, ligjore, edukative dhe shoqërore. Ai e mbulon jetën e tij prej shtëpisë e deri në varr. Shkurt, asnjë sferë e jetës nuk përjashtohet nga aplikimi universal e i gjerë i parimeve morale të Islamit. Mbretërinë e moralit ai e bën supreme dhe siguron që në përditshmërinë e jetës të mos mbisundojnë dëshirat vetjake dhe interesat e vogla, por ajo të rregullohet me norma morale.

Ai njeriut ia përcakton një sistem jetësor që bazohet në çdo gjë të mirë e të liruar nga të gjitha të këqijat. Ai u bën thirrje njerëzve që virtytin jo vetëm ta ushtrojnë por ta kyçin në jetë, ta çrrënjosin të ligën, ta detyrojnë të mirën dhe ta ndalojnë të keqen. Ai dëshiron të mbisundojë gjykimi i vetëdijes e virtyti të mos i nënshtrohet të ligës. Ata që i përgjigjen kësaj thirrjeje, bëhen tok në një bashkësi dhe marrin emrin muslimanë. Qëllimi i vetëm i themelimit të kësaj bashkësie (Ummet) është që ajo të bëjë përpjekje të organizuara për jetësimin dhe detyrimin e mirësisë dhe për mposhtjen e çrrënjosjen e të keqes.

Në vazhdim po japim disa mësime themelore morale të Islamit për aspekte të ndryshme të jetës së një muslimani. Ato përfshijnë një spektër të gjerë të sjelljeve personale morale të muslimanit dhe obligimet e tij shoqërore.


Vetëdija për ekzistimin e All-llahut


Kur’ani e thekson këtë si cilësi më të lartë të një muslimani:

“Më i ndershmi tek All-llahu është ai i cili më së shumti i ruhet Atij.” (el-Huxhurat, 13).

Përulja, modestia, kontrolli i epsheve e i dëshirave, besimi, integriteti, durimi, vendosshmëria dhe mbajtja e premtimeve, janë vlera morale që theksohen sa e sa herë në Kur’an.

Në Kur’an thuhet:

“All-llahu i do ata që janë të fortë e të vendosur”. (Ali Imran, 146).

“Dhe nxitoni kah falja e mëkateve nga Zoti juaj dhe xhenneti, hapësira e të cilit është sa qiejt dhe toka, i cili është përgatitur për ata të cilët i druhen All-llahut. Të cilët japin sadakë edhe kur kanë në bollëk edhe kur janë në skamje, të cilët urrejtjen e mposhtin dhe ua falin njerëzve. Kurse All-llahu i don ata të cilët bëjnë vepra të mira”. (Ali Imran, 133-134).

“O biri im! Kryeje namazin dhe urdhëro të bëhen vepra të mira, kurse ndalo nga të këqijat; Përballo me durim çkado që të gjejë! Kjo është vërtet nga punët e mëdha të vendosura. Dhe, nga arroganca mos ua kthe njerëzve fytyrën tënde dhe rrugës mos ec kryelartë e me arrogancë, sepse Perëndia nuk i do arrogantët dhe mburravecët. Bëhu i matur në ecje dhe ule zërin, se me të vërtetë zëri më i pakëndshëm është zëri i gomarit”. (Llukman, 17-19).

Duke i përmbledhur në një mënyrë sjelljet morale të muslimanit, Pejgamberi alejhisselam ka thënë:

“Krijuesi im m’i ka dhënë shtatë urdhra:

- Të jem i vetëdijshëm për Perëndinë si në jetën private ashtu edhe në atë publike;

- Të flas drejt, pa marrë parasysh a jam i zemëruar apo i gëzuar;

- Të jem i matur si në pasuri ashtu edhe në varfëri;

- Të pajtohem me ata që janë hidhëruar me mua;

- T’i jap edhe atij që më mohon mua;

- Heshtjen time ta plotësoj me meditime;

- Shikimi im të jetë këshillim dhe të urdhëroj zbatimin e drejtësisë”.


Përgjegjësia shoqërore


Mësimet e Islamit për obligimet shoqërore bazohen në mirësi dhe konsideratë ndaj të tjerëve. Meqë detyrimet e shumta për të qenë i njerëzishëm mund të injorohen në situata specifike, Islami e vë theksin mbi veprimet e posaçme të mirësisë dhe i përcakton obligimet e të drejtat e marrëdhënieve të ndryshme. Në rrethin e gjerë të marrëdhënieve, obligimi ynë i parë është ndaj familjes sonë të drejtpërdrejtë – ndaj prindërve, ndaj burrit a gruas dhe ndaj fëmijëve, e pastaj ndaj farefisit, ndaj fqinjve, ndaj miqve, ndaj të njohurve, ndaj jetimave, ndaj të vejave, ndaj të nevojshëmve muslimanë dhe ndaj të gjithë njerëzve e kafshëve.

Prindërit

Në mësimet islame nderimi dhe kujdesi ndaj prindërve theksohen shumë dhe janë pjesë tejet e rëndësishme e shprehjes së besimit të një muslimani:

“Zoti yt ka urdhëruar që të mos adhuroni tjetërkë përveç Atij dhe të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre, ose që të dy përjetojnë pleqëri te ti, mos u thuaj as “uf” e as mos u fol me zë të lartë, por t’u drejtohesh me fjalë respekti të plotë. Shtriji para tyre krahët e përulshmërisë dhe thuaj: “O Zoti im, ki mëshirë ndaj tyre siç kanë patur kujdes ata ndaj meje në vegjëli!” (el-Isra, 23-24).

Farefisi

“Jepja të drejtën e vet të afërmit tënd, edhe të varfërit edhe udhëtarit – mysafir, por mos harxho shumë”. (el-Isra, 26).

Fqinjtë

Pejgamberi alejhisselam ka thënë:
“Nuk është besimtar i vërtetë ai i cili fle i ngopur, kurse fqinji i tij fle i uritur”. (Transmeton Buhariu), dhe;
“Nuk është besimtar i vërtetë ai, nga i cili fqinjtë e tij nuk janë të sigurt”. (Transmeton Taberiu).
Në të vërtetë, sipas Kur’anit dhe Sunnetit, muslimani duhet t’i kryejë obligimet e veta morale jo vetëm ndaj prindërve, ndaj farefisit dhe ndaj fqinjve të tij, por edhe ndaj të gjithë njerëzve, kafshëve, pemëve e bimëve të dobishme. Për shembull, gjuetia e shpezëve dhe e shtazëve me qëllim dëfrimi nuk lejohet. Nuk lejohet po ashtu as prerja e drunjve e bimëve të tjera që japin frute, pos kur kemi ndonjë nevojë të madhe për këtë.
Kështu, duke u bazuar në karakteristikat themelore morale, Islami ndërton një sistem të lartë moral me të cilin njerëzit mund t’i realizojnë potencialet e veta më të mëdha. Islami e pastron shpirtin njerëzor nga mendjemadhësia vetjake, nga tirania, nga shfrenimi dhe mosdisiplina. Ai krijon njerëz që i frikësohen Perëndisë e që u mbeten besnikë idealeve të tyre, njerëz të kapluar me ndjenja nderimi, me përkrahje e me disiplinë dhe të pakomprometuar me gjëra të rreme. Ai ngjall ndjenjat e obligimeve morale dhe rrit aftësinë për vetëkontroll. Islami lind mirësinë, bujarinë, mëshirën, simpatinë, paqen, dashamirësinë pa levërdi vetjake, drejtësinë e ndërgjegjshme dhe besimin ndaj të gjitha krijesave në çdo situatë. Ai zgjon cilësitë më fisnike nga të cilat mund të pritet vetëm e mira.

Përktheu nga anglishtja: Ylvi Durguti

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme