Katedralja si “tregues” i westernizmit shqiptar!

Gjatë tërë rrjedhës historike, sikurse edhe sot qëllimshmëria dhe tendenca ideologjike e (pu)shtetit gjithmonë është e pasqyruar në imazhin e përgjithshëm të urbanizmit, hapësirave dhe komplekseve urbane, pra në fotografinë e qytetit.
Shpesh, modeli i ndërtimit të qyteteve, nuk përkon me dëshirat e qytetarëve dhe kërkesat e tyre për një hapësirë personale dhe kolektive të mjaftueshme për ndërveprim dhe jetë të rehatshme në një ambient social.
Një shembull i tillë i “pamjaftueshmërisë” së hapësirës, ndërtimeve të egra, si pasojë e dyndjes së njerëzve për të jetuar në qytet e shprehur me “grykësi” për të përvetësuar sa më shumë nga hapësira urbane, apo e tendencës së më të fuqishmëve për të zotëruar me hapësirat më strategjike të qytetit, siç do të thoshte Robert E. Park (sociolog i Shkollës së Çikagos), e karakterizon edhe kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën.
Është brengosëse dhe katranosëse mënyra se si Prishtina (ç)planifikon urbanizim afatshkurtër dhe afatgjatë, dhe, në të njëjtën kohë, nuk mban kurrfarë kontrolli se si po ndërtohet qyteti në fjalë.
Por kaosi i lartpërmendur është rrjedhojë e papërgjegjësisë totale, e neglizhencës së institucioneve kompetente dhe nuk është pasojë e tendencave të politikave shtetërore, ngase, si duket, këtu shpesh mungojnë edhe tendencat.
Ndërsa, e kundërta ekstreme e këtij shembulli është tendenca ideologjike dhe politike që tjerret për një kohë të gjatë për të ndërtuar një katedrale katolike me madhësi vatikaniane, në qendër të një kryeqyteti me (rreth) 98% të popullsisë së besimit islam.
Realisht, katedralja “Nënë Tereza” në Prishtinë është veç një finalizim me përkthyeshmëri praktike i idesë, ideologjisë dhe thirrjes politike për identifikim të njëtrajtshëm të shqiptarëve të Kosovës, thirrje e cila në shumë raste ka marrë dhe ende po merr trajta (madje edhe provokuese) nga më të ndryshmet.
Megjithatë, e gjithë kjo po bëhet vepër me rrënimin e një shkolle dhe ndërtimin e një katedraleje në një kohë të papërshtatshme dhe në një vend të pavend, në zemër të Prishtinës, duke mos respektuar as planin urbanistik, as dinjitetin e shkollës, as dëshirën (dhe të drejtën) e shumicës që me kërkesa të vazhdueshme për një ambient më të gjerë për jetë fetare, detyrohet të heshtë.
Implikimet politike dhe ideologjike janë ato që sollën këtë paradoks dhe që sakrifikuan urbanizmin, provokuan kulturën reale të popullatës, dhe pasqyrën e qytetit e mveshën me një “tregues” të perëndimizmit shqiptar (!). Kjo ndodhë sikur s’dihet se westernizmi s’reduktohet në objekte, as qytetërimi s’reduktohet në to, por dëshmohet me vlera humane, etike e demokratike, me vetveten, me identitetin e dyfishtë, e rrjedhojë e vetëvetishme do jetë integrimi. Dualiteti i identitetit të shqiptarëve tashmë është i qartë, veçmas në relacionin fe-qytetërim, dhe çdo tendencë për fshehje, ndryshim, modifikim a interpretim tjetër të tij, në çfarëdo trajte qoftë, reflektohet si non sense.
Jo rastësisht katedralja është e ngritur në qendrën e qytetit; jo rastësisht katedralja është ngritur në atë zonë, në të hyrë të kryeqytetit, dhe aty, në atë nyje ku takohen shumë rrugë, ngado që vjen, që përshtypja e “të huajve” të manipulohet sa më lehtë.
Shembull tipik i imponimit (madje të dhunshëm) të pushtetit me baza kulturore, etnike dhe fetare në objektet dhe pasqyrën urbane të Prishtinës është edhe kisha e “Shën Savës” në hapësirën universitare, e cila u “tolerua” edhe pas çlirimit dhe, përveç kësaj, kështu inicohet edhe një “Shën Savë” e dytë, që, realisht, për nga kriteri i (pa)nevojës së saj, imponimit nga lart dhe pozitës strategjike, e imiton të parën.
Prapaskena ideologjike e politikave të tilla u manifestua edhe me thirrje, herë të drejtpërdrejta e herë të tërthorta për konvertimin e shumicës myslimane në “fenë e të parëve”, krishterim (!) dhe, jo rastësisht, kjo frymë e identifikon veten në qarqet ndërkombëtare me figura po ashtu të heroizmit kristiano-perëndimor, shpeshherë duke shkelur dimensionin tjetër të kulturës sonë. Jo rastësisht edhe identifikimi i hapësirave, shesheve, bulevardeve, rrugëve bëhet kryesisht me emra të atyre figurave. Kështu, prirja për tu treguar “më katolik se Papa”, thirrjet dhe jehona e propagandave përçarëse për konvertim në “fenë e të parëve”(!), promovimi i vlerave kristiane-perëndimore nën vellon e integrimeve nga ana e liderëve duke shkelur autoktonen dhe vlerat e saj, Katedralja “Nënë Tereza”, etj., s’janë tjetër veç materializim, manifestim konkret, njëmendësim dhe mbi të gjitha shtrembërim i thirrjeve për “Arratisje nga Lindja”.
Pra, fillimisht, domethënia e kësaj katedraleje, përmbajtja dhe implikimet që bart ajo s’mund të zhvishen nga njëtrajtshmëria dhe karakteri politik dhe ideologjik (prandaj edhe shkrimi paraqet një bredhje dhe përmbledhje idesh e gjykimesh mbi po ato konsekuenca të saj), të cilin zëshëm e cilësuan si të tillë edhe intelektualë të kohës. Madje debatet që ngjalli ajo u shtrin deri në tryeza shkencore me intelektualë e përfaqësues të jetës kulturore, shkencore, fetare dhe akademike.
Prandaj ky kuptim i saj sfidon pa masë përpjekjen për ta elaboruar atë në kontekst të Sociologjisë Urbane apo për ta arsyetuar (pa)vendësinë e saj. Ashtu sikur se prapaskena e saj sfidoi qëndresën e një Gjimnazi.
Periudha e socializmit, pushtetit serb në Kosovë, shënoi një tendencë të theksueshme për shembjen e autoktones dhe ndërtimin e të resë. Pra elementi socialist është i shprehur qartë në shumë objekte, ndërtesa, rrugë e bulevarde (Pallati i Rinisë për nga ngjyra, modeli, etj., ish-Hotel Bozhuri, Hotel Unioni, sheshi “Nënë Tereza” për nga forma dhe shtrirja, etj.). Dhe kjo periudhë, e përpjekjes për ndryshimin e identitetit të kryeqytetit duke rrënuar autoktonen s’na qenka e vetmja.
Edhe periudha postsocialiste, përkatësisht e lirisë dhe ndërtimit të shtetit u tregua hiç më pak shpërfillëse dhe e shkujdesur ndaj ruajtjes së identitetit të Prishtinës në kontekstin kulturor dhe urban. Ndërtimet pa leje, mbindërtimet, rrënimet dhe modifikimet pa kontroll, ndërtimet pa plan, që shkelën e rrënuan të djeshmen e Prishtinës – nga njëra anë, dhe, në këtë rrjedhë, ndërtimi i katedrales politike, si finalizim i kësaj rrjedhe – nga ana tjetër, i kontribuojnë rrënimit të të djeshmes, madje edhe të të sotmes së Prishtinës, për hir të vetidentifikimit tjetërfare nga ç’jemi realisht.
Pra, imponimi i “Shën Savës në universitet” (siç do të thoshte z. Behxhet Shala), udha ideologjike dhe politike e ndryshimit dhe ndërtimit të përkatësisë dhe identitetit, që kulmoi me katedralen “Nënë Tereza” (me një përpjestim të zhdrejtë me nevojat dhe kërkesat që do të “përmbush” ajo), rrënimi i objekteve monumentale, shpërfillja ndaj objekteve me vlera kulturore e historike, gradualisht po konvertojnë skeletin urban të Prishtinës.
Në këtë kontekst, s’do mend se implikimi tjetër i vetëkuptueshëm i ndërtimit të katedrales është ajo se katedralja, si duket, vie si rrjedhojë e krizës së identitetit dhe e problemit të definimit të përkatësisë së vlerave të inteligjencies kosovare dhe njerëzve në pushtet.
Një linjë e tërë heronjsh të thirrjeve të tilla na dalin përgjatë një periudhe jo të shkurtër. Modeli i brohoritjeve për vrap nga Perëndimi, që është identik me “vrapin” pas “të rejave” në Shqipërinë postkomuniste, shprehet më së miri në njërën prej epopeve të këtij diskursi, përkatësisht në këngën “Moj Evropë” të Ilir Shaqirit.
Dhe një gjykim del natyrshëm: me katedrale nuk hyhet në Evropë, karshi deformiteteve morale, etike në radhët e inteligjencies, problemeve të natyrës ekonomike dhe pafuqisë për një vizion stabil politik që do të jetësonte vlerat e mirëfillta kulturore, morale e demokratike, ashtu sikur se nuk dilet nga Evropa me edukatën fetare në shkolla.
Ndonëse “simboli i unitetit”(!) u nis njëtrajtshëm edhe përurimi nuk e bëri atë farë unifikimin e proklamuar, as atë ndërfetar, as atë pozitë-opozitë, e lëre më në masat e gjera që, syhapur e shikonin çudinë, tashmë të mpirë nga deformitetet dhe problemet socio-ekonomike, që mbulohen me një retorikë të poshtër politike, e që kanë neutralizuar çdo sens të mundshëm kritik, mohues dhe alternativ, siç do të thoshte Herbert Marcuse (Shkolla e Frankfurtit) për shoqërinë e përparuar industriale, sistemin kapitalist dhe njeriun njëdimensional.
Megjithatë, edhe me këto zhvillime tendencioze dhe provokuese të politikave të tilla, që vazhdimisht proklamojnë (lexo: shpikin) westerniz(i)min e absolutizuar të shqiptarëve të Kosovës, toleranca fetare vazhdon ta ruajë frymën e vetë, dhe kështu shumica myslimane heshti edhe ndaj një kamuflimi politik që iu mvesh konfesionit të krishterë, katolik, nga vëllezërit e tyre shqiptarë, kamuflim ky që qe një konkretizim i thirrjeve. Dhe sensi paqësor me rrënjë etnokulturore dhe fetare për unitet, vëllazëri dhe bashkëjetesë u dëshmua prapë, me gjithë keqpërdorimin, teprimin dhe manipulimin që bëhet në emër të tij. Për më tepër, kjo katedrale qe rast i veçantë, ngase s’u inicua (së paku publikisht) nga komuniteti katolik në Kosovë, gjë që, kundërshtimit të saj nga gjithë këto qarqe nuk i jep edhe ngjyrën e kundërshtisë fetare mes myslimanëve dhe katolikëve. Kjo hap një diskutim të ri, ngase dëshmon se fanatizmi i laicizmit nuk vlen edhe në këtë rast, siç “vlen” për të “arsyetuar” mohimin e të drejtës së nxënëseve që bartin mbulesë islame në shkolla, dhe siç “vlen” për të mohuar nismën për aplikimin e lëndës së Edukatës fetare në shkolla (praktikë kjo e shumë vendeve moti demokratike), por përkundrazi, nga vetë “paria” e shtetit të përcaktueshëm si laik inicohet objekti kryekëput fetar. Edhe nëse provohet të “arsyetohet” kjo nismë për hir të integrimit, si aspekt i “dëshmisë” së identitetit “tonë” kristian para botës, si duket është gabim, ngase katedralja është katolike, ndërsa “bota” që është në interesin tonë – SHBA janë protestante e poashtu shumë prej vendeve evropiane që po duam t’u ofrohemi janë protestante.
Tash kur kjo katedrale “po rritet”, nuk e dimë si do ta gjykojë koha, gjeneratat dhe si do të qëndrojnë perspektivat në raport me të dhe ajo në raport me perspektivat, si do t’i qëndrojë kohës identiteti i saj i kamufluar me gjenealogji të deformuar, veçmas për faktin që jemi koshientë për falsitetin e saj. Kush do ta mbush atë, në mos delegacionet e huaja që do t’i referoheshin si rezidencë, në mungesë të të cilit (referim) objektit mund t’i ndryshojë edhe statusi, nga ai fetar, faltore, në atë momunental, muze, veçmas për faktin se indiferenca e udhëheqësisë tonë ndaj vlerave shpirtërore po merr trajtë ekstreme, atë të shpërfilljes, injorimit dhe leçitjes.
Vërtet, një nga shumë konsekuencat pozitive të këtij elaborimi të përciptë del se ky njëherit mbron idenë se institucioni fetar s’është i padenjë të “shpiket” si mjet për shërbesa të caktuara jofetare dhe ngjyrime politike, si dhe tu shërbejë përmbushjes së vizioneve të supozuara pragmatike, sidomos atëherë kur nuk i përmbush as ato dhe sidomos atëherë kur nuk ekzistojnë nevoja reale, parakushte esenciale, rrënjë të njëmendëta socio-kulturore dhe kërkesa praktike që e mundësojnë atë të ekzistojë realisht, funksionalisht dhe kulturalisht.


(Absolventë në Departamentin e Sociologjisë, Fakulteti Filozofik, Universiteti i Prishtinës

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme