Ç’THONË TË TJERËT PËR KUR’ANIN

[Fletëpalosja 9.]

Hindusët nuk i kanë përfillur pejgamberët e tyre dhe tërë kujdesin ua kanë kushtuar librave të tyre të cilët kanë qenë vetëm ngatërresa të fjalëve, kështu që më në fund ato janë humbur. Gjithashtu të krishterët, në kundërshtim të plotë me Librin e All-llahut, tërë rëndësinë ia dhanë Krishtit dhe kështu jo vetëm që e kanë lartësuar në Hyjni, por gjithashtu e kanë humbur pikërisht thelbin e Tevhidit (monoteizmit) që është përfshirë në Bibël.

Në të vërtetë, shkrimet kryesore të shenjta janë shpallur para Kur’anit si psh. Dhjata e Vjetër dhe Ungjilli si libra janë shkruar shumë më vonë se koha e pejgamberëve (të cilëve u janë zbritur), edhe këto gjithashtu të përkthyera. Kjo ka ndodhur për arsye se ithtarët e Musaut alejhisselam dhe Isaut alejhisselam nuk janë përpjekur mjaft për t’i ruajtur këto shpallje gjatë jetës së këtyre pejgamberëve. Përkundrazi, ato janë shkruar shumë më vonë pas vdekjes së tyre. Kështu, kjo që sot e kemi në formë të Biblës (si Dhjata e Vjetër ashtu edhe Dhjata e Re), është përkthim i përshkrimeve individuale të shpalljeve origjinale, të cilat përfshijnë shtojca dhe reduktime të bëra nga ithtarët e pejgamberëve të lartpërmendur. Sa i përket Librit të fundit të shpallur, Kur’anit, ai ekziston në frymën e tij origjinale. All-llahu vetë e ka garantuar ruajtjen e Tij dhe kjo është arsyeja pse Kur’ani në tërësi është shkruar gjatë kohës së jetës së pejgamberit Muhammed alejhisselam, disa pjesë në gjethet e palmave, në pergament, në eshtra e të tjera. Përveç kësaj, dhjetëra mijë shokë të Muhammedit alejhisselam e kanë mësuar përmendsh tërë Kur’anin, kurse Pejgamberi personalisht e ka recituar para melekut Xhibril një herë në vit dhe dy herë para se të vdesë. Pastaj halifi i parë, Ebu Bekri r.a., ia ka besuar përmbledhjen e tërë Kur’anit (të verifikuar) në një vëllim katibit (sekretarit) të Pejgamberit alejhisselam, Zejd ibn Thabitit. Këtë vëllim deri në vdekjen e tij e ka ruajtur Ebu Bekri. Pastaj ai ka qenë te halifi i dytë, Umeri dhe pas tij e ka ruajtur Hafseja, bashkëshortja e Pejgamberit Muhammed alejhisselam Nga origjinali, halifi i tretë, Uthmani, ka përgatitur disa përshkrime dhe ato i ka dërguar në disa qendra muslimane.

Kur’ani është ruajtur në mënyrë aq të përpiktë, sepse ai duhej të jetë Libër porosish për njerëzimin për të gjitha kohët që vijnë. Për këtë arsye, Kur’ani nuk u drejtohet vetëm arabëve në të cilën gjuhë edhe është shpallur, por i drejtohet njeriut si qenie njerëzore:

“O njeri! Çka ju ka larguar juve prej Zotit tuaj?”. Zbatueshmëria e mësimeve të Kur’anit është vërtetuar me shembujt e Muhammedit alejhisselam dhe shembujt e musli­manëve të mirë gjatë shekujve. Udhëzimi karakteristik i Kur’anit është ai që instruksionet e tij janë të orientuara nga mirëqenia e përgjithshme e njeriut dhe janë bazuar në mundësinë brenda suazave të tij. Në të gjitha dimensionet, urtësia kur’anore është përfundim­tare. Kur’ani nuk e dënon as nuk e torturon trupin, por edhe shpirtin nuk e lë pas dore. Ai (Kur’ani) nuk e bën Zotin njeri as njeriun Zot. Çdo gjë është vendosur me kujdes aty ku e ka vendin në skemën e përgjithshme të krijimit.

Njëmend, dijetarët të cilët kanë pohuar se Muhammedi alejhisselam ka qenë autor i Kur’anit, pohojnë diç që është e pamundur për njeriun. A ka qenë e mundur që një person në shekullin e gjashtë të epokës sonë, t’i shqiptojë të vërtetat shkencore ashtu siç janë të përfshira në Kur’an? A do të kishte mundur ai ta përshkruajë evoluimin e embrionit brenda uterusit aq përpikshëm si e gjejmë atë në shkencën moderne?

E dyta, a është e logjikshme të besohet që Muhammedi alejhisselam, i cili në moshën dyzetvjeçare ka qenë i njohur për ndershmëri dhe besnikëri, përnjëherë të fillojë të bëhet autor i një libri me vlera të pakrahasueshme letrare, kurse një numër i madh i poetëve dhe oratorëve arabë të kalibrit të lartë, nuk kanë qenë në gjendje të prodhojnë barasvlershëm.

Dhe në fund, a është e arsyeshme të thonë që Muhammedi alejhisselam, i cili ka qenë i njohur si “el-emin” (i besueshëm) në shoqërinë e tij, dhe nga ana e dijetarëve jomuslimanë që është ende i admiruar për ndershmëri dhe besnikëri, të vijë me një pohim fals dhe me këtë gënjeshtër t’i bindë mijëra njerëz me karakter, besnikëri dhe ndershmëri, të cilët kanë qenë të aftë të formojnë shoqërinë më të mirë në sipërfaqen e tokës?

Me siguri, çdo hulumtues i sinqertë dhe objektiv i të vërtetës, do të vijë deri te konkludimi që Kur’ani është Libër i shpallur i All-llahut.

Edhe nëse nuk pajtohemi me të gjitha ato që i thonë ata, ne këtu do të japim disa mendime të dijetarëve të rëndësishëm jomuslimanë rreth Kur’anit. Lexuesi lehtë do të mund të vërejë se si bota moderne i afrohet realitetit në lidhje me Kur’anin. Ne apelojmë te të gjithë dijetarët objektivë (pa paragjykime), ta studiojnë Kur’anin në dritën e pikave të lartpërmendura. Jemi të sigurt që një përpjekje e tillë duhet ta bindë lexuesin që Kur’ani nuk ka mundur të jetë i shkruar nga ana e njeriut…

“Sa herë që ne i drejtohemi Kur’anit, në fillim na shkakton neveritje, dhe çdoherë sërish ai së shpejti bëhet tërheqës, na mallëngjen dhe më në fund na detyron ta nderojmë… Stili i tij, në pajtim me kontekstin dhe qëllimin e tij, është i rreptë, madhështor dhe i tmerrshëm – përgjithmonë i lartësuar – kështu që ky libër do të ushtrojë ndikim shumë të fuqishëm gjatë tërë kohës.”

Goethe, i cituar në T.P. Hughes, Dictionary of Islam, p. 526.

“Kur’ani, sipas mendimit përgjithësisht të pranuar, zë vend të rëndësishëm ndër librat e mëdhenj religjiozë në botë. Ndonëse është më e reja prej veprave më të rëndësishme që i përkasin këtij niveli të literaturës, ai nuk ia lëshon rrugën asnjë vepre tjetër në efektin e mrekullueshëm që ka ndikuar në masat e gjera të njerëzve. Ai ka krijuar një fazë gati të re të mendimit njerëzor dhe një tip të ri të karakterit. Ai së pari ka transformuar një numër të fiseve heterogjene në shkretëtirën e Gadishullit Arabik në një popull heroik, dhe pastaj ka vazhduar të krijojë organizata të panumërta politike-fetare të Botës Islame, të cilat janë një nga format më të mëdha në të cilat Evropa dhe Lindja duhet të llogarisin sot”.

G. Margoliouth, Introduktion to J.M. Rodwell’s.
The Koran, New York, Everymans Library, 1977, p. VII.

“Vepra, ndërkaq, e cila shkakton ndjenja të fuqishme dhe gjoja të papajtueshme, lexuesi i largët – i largët përsa i përket kohës – por edhe më shumë i largët në zhvillimin mendor – vepra e cila jo vetëm që ngadhënjen neveritjen me të cilën ai mund ta fillojë shqetësimin e tij, por e ndërron këtë ndjenjë të keqe në mallëngjim dhe admirim, vepra e atillë duhet të jetë krijim i mrekullueshëm i mendjes së vërtetë të njeriut dhe problem me interes të lartë për çdo kundrues (mendimtar) të kujdesshëm në fatin e njerëzisë”.

Dr. Steingass, cituar në T.P. Hughes, Dictionary of Islam, pp. 526-527.

“Janë të paqëndrueshme hipotezat të cilat janë paraqitur prej atyre që mendojnë se Muhammedi alejhisselam është autor i Kur’anit, kur dihet shkaku i vërejtjeve të lartpërmendura. Si ka mundur njeriu analfabet të bëhet autori më i rëndësishëm në kuptim të meritave letrare, në mbarë literaturën arabe? Si ka mundur ai atëherë t’i shpjegojë të vërtetat e natyrës shkencore, që asnjë njeri deri në atë kohë nuk ka mundur ta zhvillojë, dhe tërë këtë duke mos bërë asnjëherë as gabimin më të vogël në të shpjeguarit e çështjeve.”
Maurice Bucaille, The Bible, the Qur’an and Science, 1978, pp. 125.


“Këtu pra, meritat e tij si krijim letrar nuk duhet matur sipas disa maksimave paragjykuese të shijes subjektive dhe estetike, por sipas efekteve që i ka shkaktuar ai te bashkëkohësit dhe bashkatdhetarët e Muhammedit alejhisselam Nëse ai me aq forcë dhe arsyeshmëri ka folur për zemrat e dëgjuesve të tij, përsa i përket bashkimit të elementeve deri tash centrifugale dhe antagoniste në një tërësi kompakte dhe mirë të organizuar, të frymëzuar me idetë më të larta se ato që deri tash kanë udhëhequr me botëkuptimin arab, atëherë elokuenca e tij ka qenë e përkryer, e thjeshtë, sepse ai krijoi një popull të civilizuar larg fiseve të egra dhe u dha një petk të ri themeleve të vjetra të historisë”.
Dr Steingass, cituar në T.P. Hughes’, Dictionary of Islam, pp. 528.


“Në zhvillim e sipër është e pranishme përpjekja për t’i përmirësuar veprimet e paraardhësve të mi dhe për të krijuar diç që mund të pranohet si jehonë, sado e zbehtë në retorikën madhështore të Kur’anit në arabishte. Jam përpjekur t’i studioj ritmet e ndryshme të ndërlikuara dhe madhështore të cilat, përveç porosisë së vet, kanë konstituuar kërkesën e pakontestueshme që Kur’ani të rangohet ndër kryeveprat më të mëdha letrare të njerëzisë… Kjo veçori mjaft karakteristike – “ajo simfoni unike” siç e ka përshkruar besimin në librin e tij të shenjtë Muhammed Marmaduke Pickthalli, “tingujt e së cilës i kanë shtyer njerëzit deri në lotderdhje dhe ekstazë” – ka qenë gati tërësisht e pranuar nga përkthyesit e mëparshëm; prandaj, nuk është çudi që ajo që e kanë shkruar tingëllon në mënyrë anemike dhe të zbehtë në krahasim me të dekoruarit madhështor të origjinalit”.

Arthur J. Arberry, The Koran Interpreted, London, Oxford University Press, 1964, pp. X.

“Një shqyrtim krejtësisht objektiv i tij (Kur’anit) në dritën e diturisë moderne, na shpie ta njohim pajtimin ndërmjet këtyre dyve, sikur që tash është i njohur në disa raste. Kjo na detyron të gjykojmë se është fare e pakuptueshme që njeriu nga koha e Muhammedit alejhisselam të jetë autor i pohimeve të tilla, duke e marrë parasysh shkallën e diturisë së asaj kohe. Konsiderimet e tilla janë pjesë e asaj që i jep shpalljes së Kur’anit vendin e saj unik dhe e shtynë shkencëtarin objektiv ta pranojë joaftësinë të sigurojë një shpjegim i cili do të thirrej vetëm në anën materialiste”.

Maurice Bucaille, The Qur’an and Modern Science,1981, pp. 18.


Përktheu nga anglishtja:
Shpresa Prekadini

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme