PASOJAT E MOSKRYERJES SË NAMAZIT

[Fletëpalosja 8.]


Në emër të All-llahut,Të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Lavdërimi e falënderimi i takon vetëm All-llahut, Zotit të botëve. Paqja qoftë mbi Të Dërguarin e All-llahut, Muhammedin, mbi familjen e Tij, mbi sahabët, mbi ne dhe mbi të gjithë adhuruesit e All-llahut!

Fatkeqësisht, kohëve të fundit po hasim në besimtarë të cilët nuk falen, madje ka prej tyre që as nuk e dinë se falja (namazi) është kushti i dytë për të qenë musliman, pas dëshmisë se nuk ka zot tjetër përveç All-llahut dhe se Muhammedi është I Dërguari i Tij. Për këtë, gjithsesi kanë ndikuar shumë edhe rrethanat shoqërore, por tani, kur ekziston një literaturë mjaft e pasur që i sqaron kushtet për të qenë besimtar, është e palogjikshme që në Ditën e Gjykimit të dilet me arsyetimin “Nuk e kam ditur se duhej të falem”. Por, a thua mund t’i fshehim gjë All-llahut (xh.sh.), që di të dukshmen dhe të fshehtën?! Besojmë se kjo fletushkë e shkurtë, që flet për pasojat e moskryerjes së namazit, do të mirëpritet nga lexuesit e nderuar.

Pyetje: Si duhet ta trajtojmë individin i cili thotë se është musliman, por nuk falet dhe nuk agjëron? A duhet ta përshëndesim me “selam” dhe kur të vdesë t’ia falim xhenazen?

Përgjigjet dr. Jusuf Kardavi: Kjo i ngjason shembullit të njeriut që caktohet nga shoqëria për të kryer një detyrë, për të cilën, nëse e kryen në rregull do të shpërblehet, por edhe bëhet përgjegjës për kryerjen e saj. Por, nëse ky njeri nuk e kryen detyrën e besuar, edhe pse është i aftë mendërisht dhe fizikisht, d.m.th. e lë punën pa kurrfarë arsye, atëherë ky njeri mund të dënohet:

1. Duke e larguar nga vendi i punës, ngaqë nuk e kreu detyrën;

2. Me dënim më të butë se largimi nga puna, nëse nuk i ka nënçmuar haptas përpara të tjerëve detyrimet e veta.

Ky është qëndrimi i dijetarëve islamë për muslimanin që me vetëdije nuk i kryen detyrimet fetare, veçanërisht faljen e pesë kohëve të namazit. Disa nga dijetarët mendojnë se detyrimi themelor i çdo muslimani, madje i çdo njeriu në jetën e tij, është vetëm përulja ndaj All-llahut (xh.sh.). Mosnën­shtrimi ndaj All-llahut (xh.sh.) konsiderohet si tradhti ndaj obligimit themelor të një muslimani. Për këtë arsye, njeriu që nuk i nënshtrohet All-llahut, nuk meriton që ta mbajë emrin musliman e as të jetë nën mbrojtjen e Islamit. Këtë mendim e përforcon edhe ky hadith i besueshëm:

“Ajo që na dallon nga ata (jobesimtarët) është namazi; kush e lë namazin, bëhet jobesimtar.”

Disa dijetarë të tjerë janë të mendimit se individi që ka lënë pas dore një detyrë islame, por nuk e përbuz atë, e kryen atë kohë pas kohe, pendohet për parregullsitë e veta dhe synon të përmirësohet, do të trajtohet si musliman.

Sipas kësaj që u tha deri më tani, del se ata nuk falen për dy shkaqe:

1. Mohojnë se falja është detyrim dhe nuk i kushtojnë kurrfarë rëndësie. Sipas mendimit të të gjithë dijetarëve islamë, njerëzit e tillë konsi­derohen jobesimtarë, sepse rëndësia e namazit në Islam është e njohur. Pra, kushdo që e mohon, e nënçmon dhe e përgënjeshtron urdhrin e All-llahut dhe Të të Dërguarit të Tij, konsiderohet jobesimtar, në zemrën e tij nuk ka besim as sa kokrra e grurit. Për këta njerëz All-llahu (xh.sh.) thotë:

“... Atij, që kundërshton All-llahun dhe Të Dërguarin e Tij, i takon zjarri i Xhehen­nemit dhe aty mbetet përgjithmonë.” (Xhinn, 23)

“Dhe kur i thërrisni për t’u falur, ata e marrin për tallje e lojë. Këtë e bëjnë për arsye se janë njerëz që nuk kuptojnë.” (Maide, 58)

Këto ajete e përshkruajnë mjaft mirë pozitën e atyre që namazin dhe adhurimet (ibadetet) e tjera i konsiderojnë si shenjë prapambeturie e rënieje dhe i përqeshin ata që falen.

2. Nuk e kryejnë faljen nga përtacia sepse janë dhënë vetëm pas kësaj bote, shkojnë pas pasioneve të veta dhe mashtrimeve të ndryshme të shejtanit. Rreth kësaj çështjeje dijetarët islamë i kanë dhënë këto mendime:

Ebu Hanife: “Një njeri i tillë duhet të kon­siderohet mëkatar dhe është e domosdoshme që të riedukohet me rrahje, të gjakoset e pastaj të veço­het (izolohet) derisa të fillojë të falet. Kështu do të veprohet edhe me atë njeri që, pa shkak të arsyeshëm, nuk agjëron gjatë ditëve të Ramazanit.”

Maliku dhe Shafiu: “Një njeri i tillë është mëkatar. Dënimi me rrahje a veçim (izolim) nuk do të mjaftojë. Nëse është kokëfortë në qëndrimin e tij, duhet të dënohet me vdekje.”

Ahmed ibn Hanbeli: “Një person i tillë është jobesimtar. Ai duhet të dënohet me vdekje, por para se të dënohet, duhet t’i thuhet të pendohet e t’i kërkojë falje Zotit dhe të falë namazin. Nëse e pranon këtë kusht, lirohet, në të kundërtën, të zba­tohet dënimi.”

Kuptohet, mendimi i këtyre dijetarëve mbësh­tetet në Kur’an dhe në hadithet e besueshme. Në Kur’an theksohet edhe se si do të ndihet jobesim­tari në Ditën e Gjykimit:

“Atë Ditë, mjerë përgënjeshtruesit! Se kur u thuhej ‘përuluni’, nuk përuleshin. Atë Ditë, mjerë përgënjeshtruesit!” (Murselat, 47-48)

“Atë Ditë, kur të zbulohet gjithçka dhe të thirren për të bërë sexhde, ata nuk do të munden. Ata do të jenë me sy të ulur, poshtërimi do t’i kaplojë, sepse e dinë që kanë qenë të ftu­ar të bënin sexhde kur kanë pasur forcën e arsyetimit (por ata kanë refuzuar).” (Kalem, 42-43)

Për ata që pendohen, All-llahu i Madhëruar thotë:

“... Por nëse pendohen, e kryejnë faljen dhe e japin zekatin, atëherë hapeni rrugën për ta, se vërtet All-llahu fal dhe është Mëshirues.” (Teube, 5)

Në Kur’an përshkruhet edhe dialogu midis besimtarëve dhe jobesimtarëve në Ditën e Gjykimit:

(Besimtarët do të pyesin): “Ç’ju solli në Sekar (xhehennem)? (Jobesimtarët) Do të thonë: Ne nuk ishim nga ata që faleshin, nuk i ushqenim të varfërit dhe përziheshim me të tjerët në biseda të kota dhe mohonim Ditën e Gjykimit, derisa na erdhi vdekja.” (Muddethir, 42-43)

Pra, gjëja e parë që të shpie drejt zjarrit e Xhe­hennemit, është moskryerja e faljes. Ajeti vijues tregon cilësitë e dyfytyrakëve (munafikëve):

“Dyfytyrakët përpiqen ta mashtrojnë All-llahun, por All-llahu mbizotëron dinakërinë e tyre. Kur ngrihen të falin namazin, ata ngrihen me përtesë dhe e bëjnë këtë vetëm për t’u dukur para njerëzve, ndërsa All-llahun e përmendin fare pak!” (Nisa, 142)

Edhe hadithet e Të Dërguarit të All-llahut (s.alejhisselam) e vlerësojnë si jobesimtar atë që me vetëdije e lë pas dore faljen:

“Ajo çfarë na dallon neve nga ata (jobesim­tarët) është namazi. Kush e lë namazin, bëhet jobesimtar.”

“Kurrë mos e lër asnjë kohë të namazit me vetëdije, sepse ai që e lë namazin me vetëdije, nuk e ka mbrojtjen e All-llahut.”

“Kush e kryen namazin rregullisht, do t’i bë­het dritë, shpëtim dhe dëshmi në Ditën e Gjykimit, kush nuk e kryen atë rregullisht, nuk do të ketë dritë, shpëtim e dëshmi dhe në Ditën e Gjykimit do të jetë në shoqërinë e Karunit, Faraonit, Hamanit dhe të Ubejj ibn Halefit.”

“Ai, të cilit i kalon namazi i ikindisë, është si ai, të cilit i është gjymtuar familja dhe pasuria e vet.”

“Për dyfytyrakët (munafikët) nuk ka namaz më të rëndë se sabahu dhe jacia (në xhami), por po ta dinin se çfarë shpërblimi kanë për to, do t’i falnin, qoftë edhe duke shkuar zvarrë.”

“Kam vendosur që të urdhëroj muezinin të thërrasë ikametin e ndonjërin t’i bëhet imam xhe­matit, ndërsa unë të marr gaca dhe t’ia djeg shtë­pinë atij që ende nuk ka dalë në xhami për namaz!”

Edhe sahabët (Zoti qoftë i kënaqur prej tyre), pa përjashtim e konsiderojnë jobesimtar personin që nuk falet. Ata kanë thënë se i vetmi detyrim, të cilin po qe se e lë të shpie në mosbesim, është namazi.

Aliu (r.a.): “Ai që nuk falet, është jo­besimtar!”

Ibn Abbasi (r.a.): “Kush e lë pas dore nama­zin, është bërë jobesimtar.”

Xhabir ibn Abdullahu (r.a.): “Jobesimtar është ai që nuk falet.”

Ejjub es-Sihtijani (r.a.): “Pa dyshim, lënia e namazit është mosbesim.”

Hafidh Mundhiri për t’i theksuar hadithet dhe thëniet e sahabëve për këtë temë, thotë: “Një grup sahabësh dhe tabi’inësh i konsiderojnë jo­besimtarë edhe ata që e shtyejnë faljen e namazit pa arsye. Ndër ta janë: Umeri, Ibn Mes’udi, Ibn Abbasi, Muadh ibn Xhebeli, Xhabir ibn Abdullahu, Ebu Derda, Ahmed ibn Hanbeli, Is’hak ibn Ruvejhi, Abdullah ibn Mubaraku, Ibrahim en-Nehai, Hakim ibn Utejbe, Ejjub es-Sahtijeni, Ebu Daud et-Tajalisi, Ebu Bekr ibn Ebi Shejbe, Zuhejr ibn Harbi dhe të tjerë (Zoti qoftë i kënaqur me ta!).

Kur i lexojmë këto mendime të përcjella nga dijetarët e njohur islamë, sahabët dhe tabi’inët, për mosbesimin e atij që qëllimisht lë të pafalur edhe një namaz, atëherë cili do të ishte qëndrimi i tyre ndaj atij, i cili ka kaluar vite të tëra pa e përulur kurrizin kurrë për sexhde All-llahut (xh.sh.)?!

Nga sa u tha, nxjerrim përfundimin se ai që nuk falet është:

– jobesimtar, nëse nuk falet, ngaqë nuk e vlerë­son dhe e përbuzë namazin dhe rëndësinë e tij;

– mëkatar i madh (sipas disave, sërish jobesim­tar), nëse nuk falet, për shkak se është dhënë pas pasioneve dhe dëshirave të veta. Sipas një mendimi më të butë, një njeri i tillë është më­ka­tar dhe nuk është larg as nga kufri (mos­besimi), sepse nuk ka dyshim se mëkatet ndje­kin njëri-tjetrin e kështu arrihet lehtë në mosbesim.

Për këtë arsye duhet që çdo musliman që e ndien veten musliman, në qoftë se nuk e ka falur namazin, t’i rishqyrtojë veprimet dhe rrugën e tij, t’i kërkojë falje All-llahut (xh.sh.), ta forcojë besimin e ta kryejë gjithmonë namazin. Po kaq e domosdoshme është që besimtarët ta këpusin çdo lidhje me ata që me këmbëngulje qëndrojnë në mendimin se namazi nuk është detyrim i musli­manit; gjithsesi, kjo vlen nëse besimtarët i kanë këshilluar më parë ata, e ata nuk i kanë pranuar këshillat e tyre për shkak të kokëfortësisë.

Për atë që nuk falet, Ibn Tejmijje thotë: “Nuk duhet t’i jepni selam e as t’i përgjigjeni ftesës së tij; nuk duhet t’ia jepni bijën a motrën për bashkëshorte, sepse ai që nuk fal namaz, në të vërtetë nuk është musliman, nuk meriton grua muslimane, as fëmijë muslimanë. Nuk i lejohet një punëdhënësi ta punësojë, sepse një njeri që nuk i kryen detyrimet e veta ndaj Krijuesit të vet, aq më pak do t’i kryejë detyrimet ndaj krijesave të tjera.”

Namazi është shtylla kryesore e fesë. Nuk ka falje për atë që nuk e kryen namazin, përveç kur personi e humb vetëdijen dhe nuk di çfarë flet. Në raste sëmundjesh të tjera nuk ka arsye të mjaf­tueshme që namazi të mos falet, madje edhe kur njeriu është i paralizuar a i plagosur rëndë. Sipas Sheriatit, të sëmurit duhet t’i thuhet: “Pastrohu si të mundesh dhe sa të mundesh, ulu si të mundesh, por mos e lër namazin; pastrohu me ujë e nëse nuk ke ujë, merr tejemum; falu në këmbë e nëse nuk mundesh, falu ulur; nëse nuk mundesh edhe kështu, falu i mbështetur në krahun e djathtë apo i shtrirë në shpinë; nëse as kështu nuk mundesh, lëvize kokën ose sytë, në kuptim të fjalëve të All-llahut (xh.sh.):

“Prandaj, sa të keni mundësi, ruajuni nga dënimi i All-llahut!” (Tegabun, 16)

Me sa u tha më lart, vërejmë përgjegjësinë e mbarë shoqërisë për moskryerjen e kësaj detyre e sidomos të individit, brenda autoritetit e përgje­gjësisë së tij vetjake: babai është përgjegjës për djemtë e vajzat e moshës jomadhore, burri për gruan e tij etj. All-llahu urdhëron:

“Urdhëroi të afërmit e tu të falin namaz por edhe ti vetë zbatoje atë, sepse ne nuk kërkojmë prej teje ndonjë furnizim. Ne të furnizojmë ty. Ardhmëria e mirë i takon atij që ruhet.” (TaHa, 132)

Muhammedi (s.alejhisselam) ka thënë:

“Urdhëroni fëmijët tuaj të falin namaz që në moshën shtatëvjeçare e kur t’i mbushin dhjetë vjet, dety­roni ata.”

All-llahu gjithashtu thotë:

“O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj nga zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët!” (Tahrim, 6)

Nëse bashkëshorti me të vërtetë e do gruan e tij, babai fëmijën e tij dhe nuk dëshirojnë që t’i humbin, atëherë le t’i mbrojnë nga zjarri, duke i urdhëruar në nënshtrim ndaj Krijuesit.

Na ka mbetur edhe një çështje të cilën duhet ta shpjegojmë: A duhet t’ia falim xhenazen atij që nuk e ka falur namazin?

Gjithsesi çështja shtrohet kështu: A ka qenë i vdekuri jobesimtar, apo vetëm mëkatar i madh? Sipas mendimit të dijetarëve, në qoftë se i vdekuri ka qenë i ftuar nga imami ose gjykatësi i Sheriatit të asaj kohe që ta falte namazin e ky nuk ka pranuar, atëherë nuk do t’i falet xhenazja, sepse konsiderohet si jobesimtar. Kjo vlen për njeriun i cili përveç namazit ka edhe mangësi të tjera, siç janë pandershmëria dhe moskryerja e detyrimeve të tjera islame. Kur njeriu nuk e ka mohuar na­mazin si detyrim, ndonjëherë është falur e ndo­njëherë jo, atëherë këtij personi do t’i falet namazi i xhenazes dhe do të varroset në varrezat e muslimanëve.

U bëjmë thirrje besimtarëve të cilët deri tani nuk e kanë falur namazin për arsye të ndryshme, që t’i drejtohen çiltërisht Krijuesit të tyre, All-llahut me pendim, dhe të fillojnë ta kryejnë këtë detyrim. Sigurisht All-llahu është Mëshiruesi, Falësi i mëkateve, është Ai që me kënaqësi do t’ua pranojë pendimin e sinqertë dhe do t’ua falë mëkatet e mëparshme. Insha-All-llah!

“O ju që keni besuar, pendohuni te All-llahu me një pendim të çiltër!” (Tahrim, 8)

“O ju që keni besuar, kini frikë All-llahun me një çiltëri të vërtetë dhe mos vdisni ndry­she, veç duke qenë muslimanë!” (Ali Imran, 102)

Për ata që ruhen, All-llahu (xh.sh.) premton:

“Është e sigurt se kanë shpëtuar besim­tarët – ata të cilët janë të përulur kur falin namazin, ata që i shmangen bisedës së kotë, ata që rregullisht japin zekat, ata që nuk kanë marrëdhënie intime (me askënd tjetër) përveçse me bashkëshortet ose me ato të cilat i kanë në pronësi (skllavet) – sepse (në rastin e tyre) ata nuk qortohen. E ata, dëshirat e të ci­lëve shkoj­në tej atyre caqeve, kanë shkelur dispozitat e caktuara. Dhe ata, të cilët i ruajnë ato që u janë besuar (gjësende ose fjalë), e ruajnë edhe prem­ti­min e dhënë, i kushtojnë kujdes kohës së na­mazit, janë trashëgimtarët e Firdeusit (xhennetit) dhe aty janë përgjith­monë.” (Mu’minun, 1-11)


RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme