Reagim ndaj shkrimit “Shamia ana tjetër e medaljes” të Alma Lama

Fillimisht, vërehet se njohuritë e autores për fenë Islame janë nën minimum, pasi ajo kur flet për të shprehet "përse feja myslimane", mysliman janë ata të cilët e praktikojnë Islamin, ndërkaq e njoftoj atë se nuk ka fe myslimane, por fe Islame. Natyrisht se kjo nuk më çudit tepër, sepse në Kosovë jemi mësuar të flasin njerëzit jokompetentë, ndoshta edhe për arsye ekonomike, pasi që një shkrim i tillë paguhet, e sa ai pasqyron realitetin është çështje e cila nuk diskutohet.
Është parim e nderuara Lama se nga individualja nuk mund të përgjithësohen gjërat, deri sa këtë autorja e ka bërë në hyrje të këtij shkrimi kur e përshkruan fqinjën e saj dhe se si ajo ka vepruar me të bijën e saj dhe këtë duke ia përshkruar të gjitha atyre vajzave të mbuluara nënat e të cilave nuk kanë qenë vigjilente sikur fqinja e saj për t’i ndaluar vajzat tyre, të cila po ia “cenojnë lirinë vetvetes”. Ato e kanë mbuluar kokën znj. Lama, por jo trurin.
Nëse ju i përcjellin sadopak ngjarjet me rëndësi që ndodhin në Kosovë, gjë që nga shkrimi i juaj nuk po len të kuptohet, të informoj se protesta e mbajtur ka qenë më e madhja pas lufte dhe kjo tregon se vullneti i qytetarëve është për lejimin e mbulesës. Protestuesit pikërisht pse e kanë kuptuar lirinë e zgjedhjes, janë organizuar në mënyrë paqësore për ta mbrojtur atë liri.
Nëse kuptoni sadopak funksionimin juridik të shtetit atëherë duhet ta dini se Konventat ndërkombëtare kanë përparësi para ligjeve vendore. Ato e lejojnë çështjen e mbulesës dhe mësimit të besimit fetar dha sa për të informuar po përmendi: Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut
Neni 9
Liria e mendimit, e ndërgjegjes dhe e fesë
1. Çdokush ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes e të fesë; kjo e drejtë nënkupton lirinë për të ndryshuar fenë ose besimin dhe lirinë, qoftë individualisht ose kolektivisht, publikisht ose privatisht nëpërmjet kultit, mësimdhënies, praktikave (këtu hyjnë të gjitha obligimet fetare të cilat individët i pranojnë dhe i kryejnë me vullnet, pra edhe mbulesa) dhe kryerjes së riteve.
Kushtetuta e Kosovës e lejon një gjë të tillë: neni 38 Liria e Besimit, e Ndërgjegjes dhe e Fesë 1. Liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë, është e garantuar. 2. Liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë ngërthen të drejtën për të pranuar dhe për të manifestuar fenë, të drejtën për të shfaqur bindjet personale dhe të drejtën për të pranuar ose refuzuar për të qenë anëtarë i një bashkësie ose grupi fetar.
Kush na qenka kundër Kushtetutës në Kosovë, ai i cili si rezultat i bindjeve të veta sillet në një mënyrë të caktuar apo vishet në një mënyrë të caktuar, apo ata “demokratë” të cilët shumë e kanë dert lirinë e këtyre vajzave.
Nëse të ka rënë të udhëtosh apo të dëgjosh e shikosh në vendet perëndimore, atje po shtohet numri i myslimanëve me të madhe dhe ata kanë liri për zbatimin e Islamit në të gjitha vendet ku ndodhen, mësojnë, studiojnë apo punojnë. A thua pse në Kosovën tonë të dashur me 95% mysliman tentohet të na ndalohet zbatimi i obligimeve fetare? Apo mos ndoshta këtu shtetet perëndimore e kanë gabim dhe se në këto aspekte nuk duhet pasuar ato po ish-shtetet komuniste, ku nënave dhe gjysheve tona ju hiqte mbulesa me dhunë në emër të civilizimit e të përparimit. A mos ju për këtë civilizim po flisni? A është kjo demokracia, apo kjo është siç ju po e komentoni.
Ndërkaq, nuk është aspak e vërtetë se popullsia shumicë e përkrah një gjë të tillë gjegjësisht ndalimin e mbulesës në shkollat publike, mirëpo për këtë ju arsyetoj se jeni nga Shqipëria dhe nuk e dini mirë opinionin e banorëve të këtij vendi, mirëpo nuk arsyetoheni znj. Lama kur flisni pa argumente!


Autori i këtij shkrimi ka përfunduar fakultetin Juridik. Aktualisht vazhdon studimet master në fakultetin Juridik Departamenti Civil.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme