Fobia nga ‘minaret’!

Termet, kanofobia (frikë nga rregullat, ligjet), hidrofobia (frikë nga uji), agorafobia (frikë nga vendet e hapura), si terme profesionale janë të njohura vetëm për profesionistët e lëmive përkatëse, mirëpo ka disa fobi të cilat nuk përmenden në terminologjinë shkencore, por hasen në përditshmërinë tone të mjerë ‘politike’!
Në fjalorin e psikologjisë janë të njohura më se 1000 lloje të fobive, mirëpo në asnjërën nga to nuk mund ta gjesh fobinë e sipërpërmendur.
Tahikardi, të dridhura, frikë nga humbja e vetëdijes, humbje e kontrollit, paniku dhe ndjesia e kufizimit, janë simptoma të zakonshme dhe të përbashkëta tek fobikët, pavarësisht se cilat janë makthet që i mundojnë, mirëpo tek fobia në fjalë kemi përpos simptomeve të këtilla, edhe qëllime të ndryshme e të errëta…!!!
Njëra ndër metodat më të shpeshta që përdoret në shkencë për shërim të fobive është ajo e ‘desensibilizimit sistematik’, mirëpo për ‘shërim’ të kësaj fobie vlejnë ‘metoda dhe teknika’ të tjera! Derisa është në fillet e paraqitjes së patologjisë, personi me këtë lloj fobie duhet ‘injoruar’ dhe duhet bërë kinse nuk merret vesh se për çka po flet, mirëpo kur shihet se ‘frika i ka hyrë në palcë’, atëherë duhet përdorur disa metoda të tjera, bile edhe aversive, duke ia bërë me dije se ‘ai’ duhet të modifikohet, e realiteti objektiv assesi të ndryshohet!
Mirëfilli dihet se populli shqiptar është ndër popujt e rrallë i cili thuajse asnjëherë nuk ka patur konflikte ndër-religjioze, kur dihet se përbëhet nga muslimanë, katolikë e ortodoksë. Është për tu habitur kur kjo rehati dikujt nuk i shkon për shtati, veçmas kur këto prononcime dalin nga ‘goja’ e shqiptarëve, qoftë të Maqedonisë, apose më shpesh, atyre të Shqipërisë.
Shumë qeveritarë, intelektualë, politikanë, gazetarë e të ashtuquajtur opinionistë emisionesh (veçmas të Shqipërisë), të cilët me të parashtruar pyetjen mysafirit në studio, mendojnë se gjithçka dinë, ndërsa në realitet shumëçka ngatërrojnë… Personat e këtillë si duket janë bërë të tepërt dhe tejet ‘banal’ me prononcimet alla-zvicëriane, kundër xhamive e minareve! Mendoj se askush nuk e ka ‘privilegjin’ që të nënvlerësojë, provokojë dhe propagandojë me fenë e mbi 80% të shqiptarëve, e që është Islami.
Mendoj se analistët dhe opinionistët e tillë kanë gjëra më të rendësishme me të cilat duhet të merren dhe t’i trajtojnë… ata të Shqipërisë me mosmarrrëveshjet e skajshme në politikë mes pozitës dhe opozitës, ndërsa këta të Maqedonisë me problemet e pafundta të cilat dita-ditës po shtohen.
Ekziston përshtypja se bashkëkombasit tanë me të dalë nga vendi ku jetojnë dhe veprojnë, në njëfarë mënyrë tjetërsohen, e kam fjalën edhe për analistë e politikan të cilët nuk pasqyrojnë realitetin e religjiozitetit në Maqedoni. Kur është koha e zgjedhjeve, nëpër tubimet e tyre elektoratin e përshëndesin me ‘selam’, ndërsa, kur janë më larg votuesve dëshirojnë të bëhen më ‘katolik se Papa’.
Është habi e llojit të vet fakti që dikush mundohet të ndikojë edhe në emrat e shqiptarëve musliman të trojeve tona, në emrat të cilat na i kanë vënë prindërit tanë, dhe të cilët i mbajmë me mburrje, si dhe insistojmë që të njëjtit t’i mbajnë edhe brezat që vijnë pas nesh. Shumë shqiptarë të Maqedonisë mbajnë emrat e atyre patriotëve dhe rilindasve shqiptarë të cilët bënë shumë për kauzën kombëtare. Mos vallë, këta ‘analistë prototip’ dëshirojnë ta mohojnë edhe historinë e tyre, kur mundohen të shtrembërojnë realitetin e përkatësisë fetare tek shqiptarët e Maqedonisë. Nëse emrat tonë janë emra islam, një gjë e tillë assesi nuk ndikon që ne të jemi më pak shkencëtar, apose më pak patriotë nga ndonjë tjetër i cili mban një emër tjetër të cilit ndoshta nuk ia dijmë edhe prejardhjen!
Ndoshta ata të cilët mundohen të proklamojnë ide të tilla destruktive, nuk e kanë të njohur një koncept të perspektivës e cila në psikologjinë e punës njihet si, Yale, e që thotë, ‘mesazhet e dizajnuara për të ndryshuar opinionin e njerëzve, e arrijnë efektin e kundërt! Pra, sa herë që dikush mundohet të shpif mendime të çorroditura rreth muslimanëve të vendit tonë, në atë rast muslimanët e këtyre trojeve bëhen më të bashkuar dhe më të fortë.
Ne muslimanët nuk jemi, staurofob, e të kemi frikë nga kryqet, elemente të një kulti të cilit nuk i përkasim, për të qenë të pasigurtë, të padrejtë dhe egositë në prononcimet tona, me të cilin akt do të fyenim fenë, ritet dhe emrin e një pjesëtari të një feje pavarësit kombit, e jo më si në rastin konkret fenë e bashkëkombasve tanë.
Është pikërisht feja e cila ka ruajtur autenticitetin e shqiptarëve, jo vetëm në trojet tona por edhe jashtë saj. Andaj, është ironi e llojit të vet kur fobia nga Islami dhe simboli i xhamive që janë minaret të ‘sulmohen’ me deklarata të personave të cilët s’dihet qartë cilit ‘tabor’ i takojnë!
Ne duhet mobilizuar që të parandalojmë deformimet të cilat ‘prodhohen’ në emër të emancipimit dhe modernizimit, e jo të na kaplojnë fobi të cilat nuk gjenden as edhe në fjalorin e psiko-patologjisë!

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme