Menu:
 
Navigatori i Kur'anit:
 
 
Kontakti
Name:

Email Adresa:

Mesazhi juaj:


Captcha
Shkruaj kodin:
Index -> Shkrime autoriale ->

Plan-programi i pėrgjithshėm pėr pėrhapjen e mėsimit Islam


Nexhat Ibrahimi

Hyrje

Maksima e njohur e Pejgamberit a.s. “Transmetoni prej meje qoftë edhe një ajet” prej kohësh ka preokupuar shumë dijetarë muslimanë. Janë shkruar vepra të shumta për këtë qëllim. Në kohën bashkëkohore maksima e cituar, pos individëve, preokupon edhe institucione të shumta muslimane. Mirëpo, gjatë historisë është krijuar konfuzion didaktik i llojit të vet, meqë teksti i cekur është perceptuar dhe konceptuar parcialisht, mekanikisht e tautologjikisht, që solli ‘monotoninë informatike’. ...

Share:  Del.icio.us  Digg  Facebook  Newsvine  Reddit  Technorati


Ku shihet rrugëdalja!?!

1. Mësimi islam në shkolla - planprogrami i mësim-besimit dhe i kulturës së religjioneve
Historia e mësim-besimit në trojet shqiptare është e lashtë (N. Ibrahimi, Islami dhe muslimanët në Ballkanin dhe tokat shqiptare mesjetare, etj.). Kurse, në shekullin XX mësim-besimi u bë aktiv me largimin e Perandorisë Osmane nga Ballkani, pas vitit 1912. Në atë kohë mësim-besimi u përgjigjej nevojave dhe kërkesave të kohës, andaj edhe sot qasja duhet të jetë ekuivalente me nevojat dhe kërkesat e kohës. Për këtë arsye është e domosdoshme që çdo kohë t’i përkufizojë:
- synimet e mësim-besimit (mësimi, aftësimi dhe arsimimi fetar..),
- programin e mësim-besimit (t’i jepet rëndësi traditës didaktike apo kurrikulumit),
- burimet, mënyrat, format e prezantimit të përmbajtjes së mësim-besimit (më herët praktikoheshin kryesisht burimet direkte, kurse sot më shumë burimet indirekte, mediale),
- situatën e gjendjes aktuale (cilësinë dhe sasinë e mësimit, mundësitë tekniko-ekonomike të formimit të shkathtësive, kushtet natyrore-sociologjike të kultivimit dhe zhvillimit të aftësive).

a. Zvogëlimi i vëllimit të planprogramit mësimor të mësim-besimit

Planprogrami aktual, pa farë dyshimi, është larg planprogramit ideal, andaj transformimi i tij në cilësi dhe sasi, është domosdoshmëri. Gjendja e tanishme jo vetëm që është barrë psiko-fizike për nxënësit, por nga viti në vit po kalon në një sindrom aversioni, anakronizmi, varësisht nga diktati politiko-social dhe arsimor-shkencor. Në këtë situatë rrugëdaljen e shohim në zvogëlimin sasior të vëllimit të planprogramit arsimor. Ky zvogëlim nuk duhet të bëhet ad-hoc, po të inkorporohet me aspektet e tjera të prezantimit të mësimit islam, gjithnjë duke mbajtur parasysh trekëndëshin: shkolla – mektebi – mediumet. Të gjitha këto, nëse mësim-besimin e marrim si çështje që do të futet në sistemin arsimor në Kosovë.
Konsiderojmë se në bankat shkollore do të duhej të shtroheshin çështjet që mund të shpjegohen burimisht dhe racionalisht, duke përdorur metodat verbale, vizuale dhe praktike, duke eliminuar përsëritjet dhe monotoninë. Ritualet islame do të mësoheshin si tërësi, kurse Islami do të kuptohej edhe si shkollë edhe si xhami. Mediumet do të merreshin më tepër me prezantimin e personaliteteve historike dikur dhe sot, dhe të arriturave kulturo-historike dikur dhe sot.

b. Motivimi i zhvillimit më të madh të intelektit dhe kultivimi i origjinalitetit tek nxënësi
Përmbajtja e mësim-besimit, ku motivohet dhe zhvillohet intelekti dhe kultivohet puna origjinale, krahas shkarkimit esencial mental të nxënësit, do të ndikonte pozitivisht në zhvillimin intelektual të tij. Sidomos janë të rëndësishme:
- metodat e mendimtarëve klasikë muslimanë
- të El-Gazaliut, Zernuxhit, Ibn Maskujes etj.. por edhe të Gulifordit, I. Maltzmanit etj.:
- futja e situatës jo të rëndomtë si stimulim për të cilën nuk vlejnë metodat jo të rëndomta;
- nxitja e përgjigjeve të ndryshme në të njëjtën situatë;
- nxitja e përgjigjeve jo të rëndomta si përgjigje tekstuale.
Aplikimi i metodës së këtillë kërkon kohë, prandaj nuk mund të realizohet pa reduktimin sasior të planprogramit mësimor. Po ashtu, kjo metodë do të eliminonte monotoninë dhe do ta afronte nxënësin në jetësimin e islamit real.

c. Mbi ligjëruesit e mësim-besimit

Problemi i kuadrit të mësim-besimit është shumë i madh. Realizimin e mësim-besimit do të duhej ta bënte kuadri me kualifikime universitare islame - drejtimi pedagogjik. Mirëpo, praktika dhe realiteti kosovar, po edhe përreth, do të dëshmojë se planprogramin e mësim-besimit do ta realizojnë imamët me kualifikime të mesme të cilësisë gjithfare.
Sipas mendimit tonë, zbatimin e mësim-besimit nëpër shkolla të mesme do të duhej ta realizonin mësuesit me fakultet, kurse nëpër shkolla fillore, në mungesë të shkollave të larta islame (akademive dyvjeçare islame), atë do ta bënin po ata me fakultet dhe, vetëm në raste të rralla, nxënësit e diplomuar të medreseve, me certifikata dhe trajtime të veçanta se janë të aftë ta kryejnë këtë punë, ose studentët e aftë pas përfundimit të vitit të dytë të studimeve.

ç) Kontraverset rreth futjes së lëndës “mësim-besimi” nëpër shkolla?!

Nuk do ta shtrojmë pyetjen se a do të futet mësim-besimi nëpër shkolla, por kur do të futet, si do të quhej lënda fetare (mësim-besim, kultura fetare, kultura e religjioneve etj.), kush do ta hartojë planprogramin, kush do ta caktojë kuadrin arsimor për këtë lëndë, - kjo është tema kontraverse me shumë dilema, tani për tani ende jashtë bisedave zyrtare. Për këtë çështje Bashkësia Islame do të duhej të përgatitej mirë si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe të jashtëm, politik, medial etj..

d) Përmbajtja e lëndës së “mësim-besimit”

Lënda që do të ligjërohej, duhet të jetë në raport me vetveten dhe me të tjerat. Me vetveten do të praktikohej një qasje teorike teologjike me theks polemik ndaj të tjerëve, ku nënkuptohet toleranca, mirëkuptimi dhe ekumeniteti. D.m.th. prezantimi i Islamit para të tjerëve dhe i të tjerëve para muslimanëve.

2. Mësimi islam në mektebe

Pjesëmarrja e nxënësve në mësim-besim në mektebe është jo e kënaqshme. Kjo është manifestim i pranisë së vogël të besimtarëve nëpër xhami. Si të afrohen, si të tërhiqen dhe si të mbahen besimtarët nëpër xhami është çështje që meriton shumë kujdes, por duhet theksuar se planprogrami i mektebit duhet të revidohet dhe të ndërrohet.

a. Mësimi i praktikës së jetës islame dhe domosdoshmëria e themelimit të Institutit pegadogjik të Bashkësisë Islame

Tashmë kemi theksuar se nëpër shkolla duhet të mësohet teoria islame. Në mësim-besim, ndërkaq, duhet mësuar jeta praktike islame, do të thotë të gjitha çështjet, që për arsye objektive janë lëshuar nëpër shkolla, duhen plotësuar në mësim-besim (si p.sh. shkrim-leximi arabisht nga sufara, kiraeti i Kur’anit, texhvidi, kryerja e namazit, e abdestit e kështu me radhë). Nëse planprogrami i mësim-besimit në mektebe do të harmonizohej me atë në shkolla dhe mediume, s’do të ketë nevojë për shumë orë në mekteb. Koha tjetër do të duhej shfrytëzuar për të krijuar atmosferë tërheqëse për kandidatët e tjerë potencialë. Për këtë qëllim, Bashkësia Islame do të duhej të mendonte seriozisht për formimin e një Instituti Islam e në kuadër të tij të një Instituti pedagogjik islam, në kuadër të Bashkësisë Islame. Kështu është edhe çështja e sigurimit të mjeteve financiare, por për këtë çështje duhet të angazhohen ekspertë financiarë, të cilët sigurisht do të angazhoheshin për gjetjen e mënyrave për mbarëvajtjen e punëve.

b. Inicimi i mektebit për të rritur

Hapja e mësim-besimit nëpër mektebe për të rritur është domosdoshmëri e kohës. Të gjithë ata që nuk kanë mësuar për Islamin më herët, e kanë dëshirë ta bëjnë këtë tani (mosha prej 15 vjeç e deri në pleqëri), këtë do të mund ta bënin në objekte të veçanta me plan-program të veçantë. Nocioni ‘i veçantë’ nënkupton hapësirën jashtë mektebit, sepse shumë njerëz, për shkak se nuk dinë gjë për Islamin, ‘turpërohen’. Po ashtu, disa prej tyre mektebin mund ta shohin si joadekuat për ‘pjekurinë’ e tyre. Ky është realiteti, prandaj duhen bërë përpjekje për kapërcimin e këtij problemi. Duhet vepruar njësoj siç po veprojnë me kurset e mësimit të gjuhës angleze, me kursit e kompjuterëve, me trajnime të ndryshme etj. Qasja ndaj të rriturve duhet të dallojë nga qasja ndaj të vegjëlve.

c. Vendet e veçanta për mësimin e islamit për të rritur

Procesi i mësimit të të rriturve do të zhvillohej në tri shkallë:
- Shkalla fillestare do të zhvillohej në ndonjë ambient jashtë Bashkësisë Islame (si p.sh. në Prishtinë: Instituti Albanologjik, i Historisë, Biblioteka Kombëtare apo edhe në ambiente të tjera të këtij lloji etj., me lejen e tyre);
- Shkalla e mesme do të zhvillohej në ambiente të medresesë, të Fakultetit të Studimeve Islame, ose në amfiteatrin e Bashkësisë Islame (nëse ekziston). Ambienti është i afërt me xhaminë, kurse vijuesit do të ambientoheshin me traditën shpirtërore-materiale islame, me traditën islame, do të njiheshin edhe me pikat konstruktive të tesawufit, shiizmit, selefizmit / vehabizmit dhe me traditën vendore;
- Shkalla e lartë do të zhvillohej nëpër xhami, ku vijuesit do të ambientoheshin tërësisht me Islamin dhe vlerat e tij

ç) Kuadri për mësimin e të rriturve

Kuadri do të ndahej në dy tërësi: drejtoria dhe arsimtarët. Drejtorinë do ta udhëhiqnin pedagogët me përgatitje të lartë dhe me përvojë, të cilët do t’i caktonte Instituti Pedagogjik Islam i Bashkësisë Islame. Arsimtarë do të ishin studentët e viteve III e IV të Fakultetit të Studimeve Islame, studentë të diplomuar të Akademisë pedagogjike dyvjeçare, nëse do të hapeshin, dhe s’prish punë, edhe profesorë të diplomuar. Këta studentë do t’i caktonte një Komision i Bashkësisë Islame apo fakulteti dhe kjo do të ishte edhe praktika e tyre, por edhe stimulimi material shumë i nevojshëm. Në këtë proces bën të inkuadrohen edhe profesorë të diplomuar të paangazhuar.

3. Mësimi islam në mediume

Mediumet janë mjet me rëndësi të madhe në përhapjen e idesë. Me zhvillimin e teknologjisë u krijuan disa lloje mediumesh. Momentalisht televizioni dhe gazeta janë mjetet më ndikuese. Sa i përket radios dhe internetit, ato nuk e kanë fuqinë e TV-së; e para, sepse dëgjohet pak, dhe e dyta, sepse tek ne ende nuk ka rrjet të gjerë dhe eksploatim të madh të internetit.

a. Mediumet botuese

1. Prezantimi i Islamit në pajtim me doktrinën redaktuese të shkollës së mendimit që ndjek revista, çon në kufizimin e revistës tek disa persona e në pajtim me këtë, edhe në pak lexues. Ekskluziviteti doktrinar dhe grupimi ideor pamundëson lexuesin të fitojë një pasqyrë reale për Islamin.
2. Mungesa e teksteve bashkëkohore cilësore, po edhe origjinale, ka bërë që të shkaktojë indiferencë tek lexuesi.
3. Mungesa e mjeteve materialo-teknike po edhe joprofesionaliteti i autorëve, gazetarëve dhe redaktorëve.
Këto dhe mangësi të tjera, tek lexuesi krijojnë ‘vakum informativo-edukues’ që ndikon me të madhe në gjendjen e përgjithshme të besimtarëve.

b. Radio dhe televizioni

Të gjitha shpresat se në Kosovë do të kemi RTV me interes të mirëfilltë për popullin, po zbehen dhe po treten. Qendrat e ndikimit drejtpërdrejt apo nëpërmjet satelitëve vendorë, po hapin RTV për qëllimet e tyre ideologjike dhe komerciale. Islami si fe, besim dhe traditë shumëshekullore, në to nuk është i pranishëm. Për të flitet nga këndi i terrorizmit, jotolerancës, thjesht nga këndi i politikës së imponuar ditore, respektivisht Islami në to prezantohet me konotacion negativ.

c. Web-i

Web prezantimi i Islamit në gjuhën shqipe është tejet i vogël dhe tejet joprofesionalist. Edhe web-i ndjek rrugën e publikimeve, d.m.th. ndjek rrugën e donatorit, duke krijuar rrëmujë doktrinare me qasjet e tyre kundër vlerave vendore islame.
Po ashtu, web-i kërkon aftësi, koncizitet, qartësi, shpejtësi, fluksion të ideve, dinamikë, masivitet, çiltëri etj. Disa gabime që ndodhin në mediumet e shkruara, këtu nuk bën të ndodhin.
Në anën tjetër, interneti në Kosovë ende është luks, sepse ekzistojnë disa klube, Caffe-internete me çmime të larta edhe për shtresën e lartë. Rrjeti i lirë ende nuk ekziston, prandaj populli nuk ka para dhe nuk është i arsimuar të eksploatojë e të plasojë materiale të nevojshme.

ç. Përmbajtja e përhapjes së mësimit islam nëpërmjet mediumeve

Për prezantimin e përmbajtjes së mësimit islam në mediume duhet të formohet një organ koordinativ-këshillues, i cili të përcaktonte përmbajtjen, prioritetin dhe distribuimin e përmbajtjes. Gazetarët do të aftësoheshin në kurse mbi bazat e zhurnalistikës dhe të pedagogjisë së mediumeve. Ky organ do të ndihmonte të gjitha mediumet islame me materiale, këshilla etj. Në këtë përmbajtje do të gjenin vend: historia islame e botës dhe ajo islame vendore, kultura dhe qytetërimi islam, lajmet mbi gjendjen, problemet, kërkesat dhe nevojat e muslimanëve në gjithë botën. Kjo do të realizohej me emisione të tipit popullarizues: kuize, seri popullarizuese, lojëra me shpërblime të lejuara, filma dokumentarë dhe artistikë etj.

Fjala përfundimtare

Në sendërtimin e projekteve të theksuara më herët, duhet të inkuadrohen të gjithë: teologët, juristët, ekonomistët. Studimet pasuniversitare duhet të orientohen në të gjitha drejtimet me prioritet: teologji, ekonomi, jurisprudencë, kulturë, histori, filozofi etj. Disa kushte ekzistojnë: objektet e medreseve, të këshillave të BI-së, por edhe ato shoqërore. Kemi edhe një pjesë të kuadrit. Pra, të fillojmë të mendojmë për të ardhmen duke bashkërenditur mendimet dhe veprimet.

Fusnota:
(P.S. Bazë për këtë shkrim është teksti i botuar në revistën boshnjake “Novi Mual-lim”, nr. 9/2002)


E Enjte, 1 Korrik 2010; 07:46


Kerko:

 
Ju rekomandojmë :
 
Akaid dhe Fikh Islam:
 
Të përhershme:
 
Prezantime (Powerpoint)
 
Ilahi:
» Zeriislam.com nuk qëndron domosdoshmërisht pas çdo teksti të autorëve «
Copyright © ZeriIslam 2005-2009
Free counter and web stats