
Pyesim, a thua a janë politikat ditore dhe paraja si të vetme të afta dhe mbështetje të mjaftueshme për një jetë të mirëfilltë, me prosperitet dhe pa kokëqarje? Nëse vala e zhvillimeve shkencore të shekullit të kaluar me gjithë automatizimin e jetës që u arrit në këto dy dekadat e fundit ka shpallur Perëndimin -ashtu siq edhe po pretendon të jetë Zoti i natyrës- nuk ka arritur së paku të reduktoj problemet sidomos sociale të jetës sonë, atëherë, a nuk është e arësyeshme thirrja për ndihmë të diqkafit jashtë hemisferës njerëzore? Shkurt, a nuk është mëse e nevojshme t’i kthehemi fesë së mirëfilltë, pa diskutuar tepër rreth asaj se kush ka më tepër të drejtë?
Askush nuk dyshon në ate se mbisundimi i natyrës që është arritur viteve të fundit, i tejkalon edhe imagjinatat e dijetarëve më të mëdhenjë qa kanë jetuar në të kaluarën. Materialistët e mëhershëm besonin se me zhvillimet shkencore e racionale do të menjanohen edhe problemet e jetës sonë. Ata ndoshta patën të drejtë. Industrializmi njeriun nuk e mashtroi; atij i prezentoi një sërë të mirash materiale. Mirëpo, ata u mashtruan atëherë kur besuan se me zhvillimet e tilla do të mund të rregullojnë, menjanojnë e në fund edhe të zhdukin përgjithëmonë problemet morale e shpirtërore të cilat dita ditës po shtohen. Evropa Perëndimore pjesërisht po e sheh, nëse vërtetë është duke e parë, se qështjet e moralitetit dhe të shpirtit nuk janë aspak më të pavlefshme se ato qështje nëpërmes të cilave mund të ngopim instiktin tonë biologjik. Jo vetëm dy luftërat botërore, por sidomos luftat e viteve të fundit, luftat serbe mbi popujt e pambrojtur të Ballkanit janë argumente të mjaftueshme të një çrregullimi shpirtëror, psiqik të raporteve mes asaj se cilit segment të jetës duhej t’i jipej prioriteti më tepër. Doktrinat nacionaliste, sidomos ato të serbëve të Svetisavës të cilat në fund të fundit justifikonin vehten si të drejtë e të cilave i paraprijnë filozofitë e qmendura të Qubrilloviqëve, Andriqëve dhe talebeve të tyre, me “praktikantin” e këtyre doktrinave Sllobodan Millosheviq, Ballkanit e sidomos popullit shqiptar i shkaktuan dhimbjet më të mëdha që ndonjëherë i patëm në historinë tonë. Në mungesë të një Niche-je i cili në kohën e tij kishte pas hedhur teorinë e paraqitjes së super njeriut me qizme të gjata me maje dhe i cili do të shqelmonte vlerat antinjerëzore të këtyre doktrinave të qmendura, shqiptari, në mungesë të gjithë kësaj iu kthye dhe edhe më tutje po i kthehet Allahut dhe vetvetes. Kthimi kah feja dhe luftat për atdhe, për gjithë shqiptarët mund të jetë përgjegjëja më adekuate ndaj nevojave jetike të së tashmes dhe ardhmërisë së tyre. Brohoritja nëpër shekuj e Shekspirit “të jeshë apo të mos jeshë”, tek shqiptarët duhet të realizohet pikërisht në këtë kohë. T’i mbështetemi Allahut apo të mos ekzitojmë, të luftojmë për trojet tona apo kurrë mos t’i kemi më.
Thirrjet e kahmotshme e sidomos të kohëve të fundit për ndërrimin e fesë, për kthimin kah krishterizmi, përpjekjet e errëta për largimin e Islamit nga trojet tona, janë thirrje dhe përpjekje tejet të vrazhgëta për shpirtit tonë. Çudit fakti që thirrjet e tilla disa herë na vijnë nga penat dhe gojat e intelektualëve, historianëve dhe shkrimtarëve të njohur për të cilët kemi qenë në gjendje edhe poezi të thurrim. Ato janë damga të një moraliteti skllevërish. Ato janë dorëzim total para historisë. Si është e mundur që në vend se ti rrekemi punës dhe të ndërtojmë vetveten dhe rrethin në përputhsmëri me kërkesat e kohës, por pa ndërruar lëkurën sa herë që dikujt i teket si i qmenduri pas kosit, këta njerëz thjeshtë na thërrasin të ndërrojmë karakteret tona, të ndërrojmë kulturën tonë, traditën, të kaluarën, të tanishmen, të ndërrojmë gjakun dhe trurin tonë. Ata po thërrasin që ne të ndërrojmë historinë tonë. Kjo thirrje, shumë herë nëpër histori, popujve të ndyshëm i ka kushtuar me gjak dhe jetëra të miliona njerëzve. Në këtë rast, edhe moraliteti i zotëriut i cili i’u fryn këtyre gabzherëve, atij zotëriu që veten po e quan zotëri dhe i cili po qëndron pas gjithë këtyre zërave të shtjerrur në trojet shqiptare, edhe ky zotëri pra, shpirtin e tij mund ta ketë mbështetur tek një performancë e errët e cila jo vetëm Ballkanin, jo vetëm Evropën por tërë botën një kohë të gjatë e mbuloi me terrin e luftave.
Sot feja në trojet shqiptare sulmohet nga nacionalizmi pikërisht për shkak të fitoreve të fesë. Edhe pse shekulli i 20-të konsiderohet shekulli i krijimit të kombeve që deri në një masë pranuan nacionalizmin si fe, prap se prap beteja e nacionalizmit kundër fesë dalëngadalë po humbet. Nevojat e njeriut të sotshëm tejkalojnë kufijtë e mundësive të nacionalizmit. Sot njeriu, më tepër se për çdo gjë tjetër ka nevojë për një ushqim shpirtëror, ushqim të cilin as për së afërmi nuk po mund ti’a servojë nacionalizmi. Nëse shpirtit i flasim me gjuhën e nacionalizmit, çfarë t’i themi kur ai don to dojë dhe nuk don të urrej? Çfarë t’i thuhet anës shpirtërore të njeriut kur ajo është lodhur me thirrjet për urrejtje dhe lufta ndaj të tjerëve?
Meqë jemi këtu, pra meqë po flasim për (dis)harmonitë mes nacionalizmit dhe fesë, tani është mëse e rëndësishme të parashtrojmë një pyetje: A thua a duhet t’i tejkalojmë apo anashkalojmë limitet e nacionales dhe nacionalizmit e që nga andej të dalim në rrafshet internacionale nga ku do të shiqojmë në kombet si diqka të panevojshme? Përgjegja jonë është negative. Asesi. Përpjekjet tona për emancipimin kombëtar duhet të intensifikohen, tek e fundit jemi në lojë me nacionalistët e kombeve tjera, porse syrin tonë ta përqëndrojmë lartë, atje ku qëndrojnë vlerat e përbashkëta njerëzore, atje ku Allahu dëshiron t’a sheh krijesën e tij njeri.
Të arrihet një gjë e tillë, nuk është qështje e një dite apo jave. Aty duhet bërë shumë punë dhe vazhdimisht të punohet. Aty duhet të analizohen edhe feja edhe nacionalizmi dhe që të dyja këto duhet të filtrohen nga barbarizmat dhe gjërat e panevojshme. Pikësëpari, bërthama e fesë në realitet duhet ndarë nga besimi gjysmak spektral si dhe nga besimet pseudo-shkencore të cilat kanë inkorpuruar vetveten në organizmat më vital të fesë. Feja, tani e tutje duhet të ndërtohet dhe përqëndrohet mbi bazën e vet origjinale dhe të ndalet së interferuari me vetëm spjegimet e fakteve dhe fenomeneve të natyrës kinse ajo është diçka shkencore. Duhet pranuar, nacionalizmi në përgjithësi i cili u zhvillua përgjatë zhvillimit historik të njeriut gjithashtu dha një kontribut të qmueshëm në sfera të ndryshme të qenies njerëzore; mos të harrojmë se edhe materializmi nga ana e vet i dhuroi njerëzmit shumë gjëra, pikërisht duke ndihmuar në pastrimin e asaj të sotme nga e kaluara e mbushur plot e përplotë me stërmadhime të panevojshme historike, religjioze e sociale. Përgjatë kohës sa ishte materializmi në skenë, sidomos në Evropë, shkenca pushoi së qenëri prodhim dhe vegël e kishës dhe teologjisë. Religjionet e mbështetura vetëm në mrekulli pushuan së thirruri në mendjen e ndrydhur kishtare religjioze, ato më nuk kishin mundësinë të mbështeteshin në besimin mbi misteritë apo dramat historike, të dekretuara shekuj me parë.
Nacionalizmi ka një vështrim tepër të përkufizuar dhe defektiv mbi ngjarjet në histori. Përpjekjet e tërbuara të tij janë të orientura kah spjegimi i historisë vetëm si një aspekt i principeve të “të fortit” dhe “të timit”. I dobëti dhe ajo që nuk është e imja, tek studimet nacionaliste nuk kanë vlerën e as tretmanin që duhet ta kenë. Është e padrejtë të pretendohet se duhet të ekzistojë vetëm i forti apo se është e drejtë vetëm ajo që është e imja. Tek nacionalistët bota shkencore në realitet është një matematikë “e imja” ndërsa të gjitha proceset historike “të tjetrit”, nëse jo të asgjësohen, ato duhet të reduktohen në terma të inferioritetit. Hipotezat e tilla janë tejet të papërmbajtura, të ngushta për nga komprehensioni aq më tepër kontrare ndaj observimeve të ligjeve të jetës ku revoltat nacionale po përhapen më shumë se kurrë më parë. Në fund të fundit po shihet se humanja nuk mund të spjegohet nga bazat nacionaliste. U vërtetua gjithashtu se këto dy botëra i takojnë dy dimensioneve të kundërta mes vete të eksistencës të udhëhequra nga kategoritë distinktive dhe të çthurrura e të posaqme vetëm për to. Kështu, si rezultat i gjithë kësaj, janë të paevitueshme plasaritjet dhe luftat mes popujve pikërisht mes “times” dhe “tëndes”, ndërsa unikati i pikëpamjes humane shkencore të lëkunden në themelet e saja.
Studimet intensive që po bëhen vazhdimisht tregojnë se në botën e nacionalizmit njeriu nuk qmohet dhe nuk pranohet më tepër se një instrument nacional. Ideja nacionaliste e reduktoi njeriun në epifenomen, në një produkt i pa dobishëm për njerëzimin i cili dirigjohet vetëm nga ndjenjat nacionale ku aksionit për të mirën e përgjithsme i humbet forca e stimulimit. Shkencërisht, në nacionalizmin e verbër vetëdija e shëndoshë s’ka më kurfarë rëndësie e as domethënie si nevojë për të dashur të tjerët. Siç kuptohet gradualisht, as feja pra nuk mund të spjegohet nga pikëpamja e nacionalizmit, aq më pak nga pikëpamja e nacionalizmit të verbër që është prezent sidomos në Ballkan. Thirrjet për kinse rehabilitimin e fesë nga këndvështrimet nacionaliste janë të dështuara aq sa janë të dështuara edhe thirrjet dhe kërcënimet e herëpasherëshme për ndërrimin e fesë apo largimin e Islamit nga trojet shqiptare. Logjika e cila po udhëhiqet nga një shpirt i tillë, në realitet i ka rrënjët tek shkollat sllave në të cilat u hulumtuan nuancat nëpërmes të cilave do të zhduknin populin shqiptar nga trojet e tyre. Dëbimi i afër një milion shqiptarëve nga vendet e veta, nga Toplica dhe tokat tona tjera të shtrejta, në realitet ishte nisur pikërisht me metoden e ndalimit të fesë, ndërrimit të saj dhe krishterizimit të kombit. Duke mos mund të durojnë këtë dhunë satanike shqiptarët u shpëngulen nëpër tokat e shterpura të Anadollit. Anipse shqiptarët atje dhanë një kontribut të pashoq për të ndërtuat dhe ngritur një ditë Turqinë në këtë pozitë ku është tani, ata hjekën të zinjtë e ullirit deri sa mbijetuan nga dhuna e paparë në historinë e Ballkanit. Ngjarjet e së kaluarës sonë, pastaj shtypjet që po i bëhen këtij populli, pikërisht duke ndrydhur nuancën religjioze të shpirtit të tij, me kalimin e kohës e sidomos sot, në mendjen e njerëzve po gdhendet mendimi se feja dhe teologjia në përgjithësi nuk mund të mbesin vetëm spektatore pasive e as thjeshtë instrumente nacionaliste të botës së ngushte të kinse patriot-nacionalistëve. Dhe nga këtu nxjerret përgjegja se përse sot me të madhe rinia dhe bota po i kthehet fesë në përgjithësi a Islamit në veçanti.
Dhe për fund, shqiptarët duhet ta kenë të qartë, sidomos ne që dijmë të vlerësojmë nevojën për fe dhe të qenurit tonë shqiptar. Të gjithë ne duhet ta dijmë se Zoti i Cili neve na mbron dhe i Cili modifikon vlerat e moralit është i gjallë. Ai nuk vdes kurrë, prandaj Ai, sikur gjithëmonë edhe tani neve do të na ndihmojë. Me një kusht: Që Ate ta dojmë dhe respektojmë, tek e fundit “Ai nuk ndryshon (për të mirë) gjendjen e asnjë populli, përderia ai popull nuk fillon që vetveten t’a ndryshojë”. (Kuran; 13:11).