Menu:
 
Navigatori i Kur'anit:
 
 
Kontakti
Name:

Email Adresa:

Mesazhi juaj:


Captcha
Shkruaj kodin:
Index -> Shkrime të bashkëpunëtorëve ->

IDEJA E TOLERANCËS FETARE DHE NDIKIMI I SAJ NË SHOQËRI


Mr. Menduh Bamja

Problemi i tolerancës fetare është njëri prej provokimeve më serioze me të cilin ballafaqohet bota bashkëkohëse. Rëndësia e idesë së tolerancës fetare, si parim moral dhe si parim institucional juridik, për botën bashkëkohëse, duke mos përjashtuar edhe ish-RSF të Jugosllavisë, shihet në përleshjet ndëretnike, me elemente të theksuara fetare. Në një pjesë konsiderueshme të botës, krahas faktorëve të tjerë shoqëror, besimi dhe bindjet fetare janë burim i mosmarrëveshjeve dhe i zemërngushtësisë. Intoleranca dhe zemërngushtësia fetare kanë pasoja të rënda në planin politik. Në emër të bindjeve fetare kryhen llojet dhe aktet e ndryshme agresivitetit fetar dhe të agresivitetit politik.
Share:  Del.icio.us  Digg  Facebook  Newsvine  Reddit  Technorati


Toleranca fetare si parim i përgjithshëm qytetar dhe kulturor paraqet konsekuencën e luftave fetare të zhvilluara në trollin e Evropës. Të gjitha luftëtar fetare kanë dëshmuar në mënyrë tragjike dhe bindëse pasojat e eksluzivitetit e të fanatizmit fetar.
Luftërat e zhvilluara fetare në mënyrë konkrete kanë treguar pamundësinë politike të realizimit të parimit të universalitetit të bidjes së caktuar fetare, dhe jo vetëm ekskluzivitetit fetar, me anë të eliminimit fizik të kundërshtarit me bindje të tjera fetare. Pas të gjitha luftërave të zhvilluara fetare, palët kundërshtare kanë qenë të bindur në validitetin dhe universalitetin e bindjeve të veta fetare. Kundërshtarët në luftërat e zhvilluara fetare, pa marrë parasysh fuqinë që kanë disponuar, nuk kanë mundur të shkatërrojnë kundërshtarin. Vetëdija se me anë të forcës nuk mund te shkatërrohet kundërshtari ka qenë njëri prej kushteve kryesore për krijimin e tolerancës fetare në Evropë.
Toleranca fetare, në thelb, është diçka më pak se liria fetare. Në lirinë fetare është e pranuar e drejta e barabartë për ekzistencë, me domethënie dhe me vlerë të barabartë, të çdo qëndrimi dhe bindjeje fetare. Toleranca fetare nënkupton dhe supozon disproporcionin dhe pabarazinë e caktuar, ku pala që është e fortë e duron palën tjetër në veprimet dhe bindjet, të cilat nuk i preferon (donë), duke konstatuar se veprimi i tjetërfarshëm do të shkaktonte më tepër dëm se dobi.
Toleranca në kuptimin e vet bashkëkohës, nuk e parashtron çështjen se kush ka të drejtë e kush s’ka; këtë çeshtje toleranca fetare e le të hapur (të pazgjidhur) dhe në vend të kësaj mundohet të kënaqë nevojat e njeriut për të gëzuar të drejtat themelore individuale dhe në këtë drejtim afron përkrahje adekuate.
Toleranca fetare, e kuptuar kështu, vërteton të drejtën e dyfishtë individuale, të njeriut, të drejtën për të pasur një bindje individuale pa marrë parasysh se a është objektivisht e vërtetë (reale) kjo bindje, apo jo, dhe të drejtën për të jetuar në bazë të asaj bindje. E drejta për tolerancë fetare duhet të jetë e drejtë e pacenueshme edhe atëherë kur tërë rrethi jeton me bindje të kundërta.
E drejta për tolerancë fetare mund të kufizohet dhe kufizohet vetëm me të drejtën e të tretit që të jetojë i lirë në pajtim me bindjet e veta.
Ideja dhe praktika e tolerancës fetare, edhe pse ka ekzistuar në historinë e besime të mëdha, qysh nga kohët e lashta, toleranca nuk ka qenë një cilësi përcjellëse e të gjitha besimeve.
Gjatë historisë së njerëzimit, besimi ka qenë sinonim i kompaktësisë së etnosit të caktuar dhe një bazë e dallimit me etnoset e tjera. Çdo besim, duke insistuar për parimet dhe superioritet të vetin ndaj të vërtetës, si dhe karakterit universal, nuk ka kontribuar në drejtim të tolerancës fetare.
Edhe pse në shumicën më të madhe të besimeve të zbulesës (të besimeve të shpalljes - librit) dhe të besimeve të përjetimit mistik, ekzistojnë pa mëdyshje norma obliguese ose tradita gojore për tolerancën fetare, në emër të besimit dhe të bindjeve fetare janë zhvilluar shumë luftëra të përgjakshme. Numri i përgjithshëm i viktimave të luftërave për shkak të besimit është më i madh se për shkaqet tjera. Bindjet fetare dhe intoleranca fetare kanë qenë njëri prej shkaqeve më të shpeshta të diskriminimit racial, politik dhe social të atyre, të cilët nuk janë pajtuar me besimin zyrtar.
Pretendimi me ngulm i të gjitha besimeve për përsosmëri dhe për vërtetësi absolute të predikimit dhe të traditës së caktuar fetare ka dhënë njëfarë leje fetare për mosdurimin, diskriminimin dhe padrejtësi. Intoleranca dhe përndjekja e bashkësive të vogla fetare, Reformacioni dhe Kundërreformacioni paraqesin kreun më të errët të krishterizmit dhe të qytetërimit në Evropë.
Arsyet për intolerancë fetare mund të ndahen në dy grupe:
• fetare - morale, dhe
• shoqërore - politike.
Arsyet fetare - morale mund të përmblidhen në këto shkaqe::
- Besimi, ndaj të cilit shfaqet intoleranca konsiderohet si i rrejshëm dhe i rrezikshëm për integritetin moral të bashkësisë shoqërore në të cilën dominon besimi tjetër;
- besimi i “huaj” konsiderohet si i kundërt me zakonet dhe vlerat morale të shoqërisë së caktuar;
- besimi i “huaj” konsiderohet si kërcnim shkatërrues ndaj sistemit të caktuar politik dhe ndaj sjelljeve të caktuara të “shablonizuara politike;
- besimi i “huaj” konsiderohet si aleat i kulturës dhe i shoqërisë ku është shpallur zbulesa e saj dhe vënia e shenjës së barazimit me shtetin e huaj.
Si faktor me rëndësi për intolerancën fetare ka qenë edhe identiteti dhe identifikimi i një populli vetëm me një besim. Renegati fetar gjithmonë është konsideruar si armik i shtetit.
Në këtë drejtim, intoleranca fetare i ka kontribuar dukshëm intolerancës politike, këtë fakt më së miri e ilustrojnë shembujt e Izraelit, të Greqisë antike, të Spanjës mesjetare, etj.
Identikimi i besimit me organizatën shtetërore i ka siguruar besimit statusin e paprekshmërisë dhe çdo kritikë ndaj besimi është konsideruar si tradhti dhe sulm ndaj themeleve të shtetit. Besimi i huaj ka qenë rrezik shtetëror sepse ka rrezikuar unitetin shtetëror, ose superstrukturën ideologjike.
Uniteti i bashkësisë shoqërore me një besim ka qenë i pranishëm në shumicën e shteteve antike, mesjetare si dhe në shtetet e periudhës moderne. Çdo mospajtim me besimin zyrtar shtetëror ka shkaktuar mosdurim dhe dëbim.
Pra, toleranca fetare në Greqinë antike nuk ka qenë e pranuar, kurse Romakët tolerancën fetare e kanë kuptuar në mënyrë të gjrë si liri fetare. Në këtë drejtim është ilustrative thënia e Ciceronit: “Sua cuique civitati religio est nostra nobis” (“Çdo shteti i takon besimi i vet, kurse neve yni”).
Në krishterimin e hershëm, nën ndikimin e mbretit Justinian, jokrishterët janë konsideruar si persona pa të drejta. Gjatë shekullit të mesëm në suaza të krishterimit, nën ndikimin e mësimeve të Firmicije Materniusit, nuk mund të flitet për kurrfarë tolerance fetare, për më tepër arsyetohet përdorimi i dhunës në pagëzimin e jokrishtrëve. Sipas pikëpamjeve të Toma Akuinit, shteti ka të drejtë dhe detyrë të zbatojë dhunën ndaj heretikëve “blasphemi in Deum” deri në zbatimin e ekzekutimit (dënimit me vdekje), me arsyetimin se personat me bindje të ndryshme fetare e prishin“parimin e bashkësisë në dashuri” (“principum comanunionis in caritate”
Në emër të vërtetësisë dhe uniformitetit krishterimi, në aspektin shoqëror e sociologjik, ka dhënë përkrahje religjionit shtetëror në dëm të të drejtave dhe të bindjeve intime të njeriut. Me diskriminin e të drejtave të njeriut shkilen normat elementare etike dhe në mënyrë të rrezikshme degradohet njeriu.
Në Evropë fryma e tolerancës fetare dhe të lirisë së ndërgjegjes, zhvillohet dhe i përfshinë bashkësitë e krishtera jokatolike. Fryma e tolerancës fetare do të ndikoj në drejtim të pranimit demokratik të njeriut pa marr parasysh qëndrimet dhe bindjet personale.
Krishterimi, katolicizmi dhe ortodoksia, shumë vonë e kuptojnë dhe e pranojnë se liritë dhe të drejtat themelore fetare nuk janë në kundërshtim me mësimet Biblike. Mirëkuptimi dhe toleranca brenda këtyre dy konfesioneve fetare vjenë në shprehje shumë vonë dhe si pasojë e ndikimit të faktorëve të jashtëm (idetë reformatore dhe liberale që zhvillohen brenda protestantizmit kontinental dhe anglez). Feja ortodokse kur nuk është liruar nga ekskluziviteti fetar. Përkundër katolicizmit, feja ortodokse, ende nuk mund të pranoj ekzistimin e bindjeve të tjera fetare, jashtë mësimeve të saja dogmatike. Brenda mësimeve të saja fetare nuk ka vend për vizionet pluraliste të shoqërisë. Parimi i lirisë së ndërgjegjes kërkohet vetëm në aspektin e deklarimit të përkatësisë ortodokse brenda konfesioneve të tjera fetare, kurse kultivimi i saj brenda konfesionit ortodoks është e panjohur.
Feja ortodokse nuk ka shqytuar e as nuk ka valorizuar kuptimet e veta për vlerat e njëmendta të të drejtave dhe të lirive të ndërgjegjes. Ajo kur nuk ka definuar bazat teologjike dhe praktike për afirmimin e vlerave të përcaktimit të lirë të njeriut në çështjet e besimit.
Në krahasim me krishterimin e shekullit të mesëm në Evropë, i cili ka qenë tepër jotolerues ndaj jokrishterëve, duke ndërmarrë edhe masat drakonike ndaj bashkësive të vogla fetare dhe ndaj individëve, feja islame ka qenë në masë të madhe toleruese ndaj jomyslimanëve. E në veçanti ka treguar tolerancë dhe mirëkuptim ndaj çifutëve dhe ndaj të krishterëve si njerëz të librit (popujve të librit - ehli kitab).
Islami si fe e shpalljes, par excellence është fe e tolerances dhe i mirëkuptimit. Besimi islam bazohet në pluralizëm ideologjik, fetar, racor, të pasurisë, prejardhjes, gjuhës etj.. Plutalizmi islam është antitezë e doktrinës katolike extra ecclesiam nulla salus (jashtë kishës nuk ka shpëtim).
Islami është fe e tolerancës dhe e mirëkuptimit ndërmjet njerëzve dhe popujve. Islami nuk ka asgjë të përbashkët me fanatizëm dhe me kufizimin e lirisë personale dhe kolektive të njerëzve. Islami paraqet inkurajimin për drejtësi dhe progres shoqëror. Kryerja e detyrimeve fetare nga myslimani nënkupton humanitetin dhe drejtësinë.
Akuzat nga ana e keqdashësve për fanatizëm dhe intolerancë, skanë asgjë të përbashkët me islamin dhe mbështeten në mosnjohjen e parimeve themelore të Kur’anit dhe në praktikën e Profetit. Ajetet Kur’anore dëshmojnë epërsinë dhe fuqinë për rregullimin harmonik dhe tolerant të shoqërive dhe të shteteve islamike gjatë historisë, si kishim me argumentuar ndryshe vlerat kulminante të qytetërimit të bazuar në islam.
Në Kur’an dhe në traditën e Profetit nuk gjindet asnjë gjurmë të urrejtjes dhe të intolerancës ndaj popujve të librit, çifutëve dhe ndaj krishterëve, por përkundër i pranon ata si besimtar në një Zot.
Liria e ndërgjegjës është dhunti e Perëndisë, liria fetare është e drejtë natyrore e patjetërshueshme, e cila nuk mund të dhunohet as nga shoqëria si bashkësi të njerëzve e as nga individët. Prej kësaj, për besimtarin e sinqertë rrjedh obligimi i përhershëm i bashkëjetesës me njerëz të përcaktimit tjetër fetar, zgjedhja e lirë e mënyrës së komunikimit me Zotin është e drejtë e çdo individi e bashkësie të njerëzve.
Për myslimanët urdhërat e Zotit kanë karakter obligativ dhe e ndalojnë çdo njeri në drejtim të detyrimit për pranimin apo ndërrimin e besimit. Kështu, bazat për mirëkuptimin, tolerancën e mbi të gjitha në bashkëjetesën fetare i kanë themelet në mësimet Kur’anore. Këto parime qytetëruese janë të njohura dymbëdhjetë shekuj para Revolucionit Borgjez Françez (l789).
Këto parime Kur’anore paraqesin urdhërëfimin kryesor për zhvillimin e tërë korpusit të të drejtave dhe të lirive të ndërgjegjes në shoqëritë qytetëruese. Bashkëjetesa, mirëkuptimi dhe toleranca fetare kanë qenë një prej shtyllave kryesore të organizimit shoqëror e shpirtëror të qytetërimit islamik. Këto komponente kanë qenë komponente më vitale dhe më tërheqëse në përqafimin e islamit nga popujtë e ndryshëm të botës.
Thëniet e parashtruara më lartë do të ilustrojmë me disa ajete Kur’anore:
“Sikur të dëshironte Zoti yt, do t’i bënte njerëzit të një feje. Mirëpo ata gjithmon në besim do të kundërshtohen”. (ll:ll8)
“Po të donte Zoti yt, të gjithë ata që jetojnë në tokë, do të besonin. A do t’i detyrosh ti njerëzit të bëhen besimtarë ?” (l0:99)
“Ti nuk mund të udhëzosh atë që do ti, por Allahu udhëzon kë të dojë” (28:56).
“E vërteta vjen nga Zoti, por ju jeni të lirë të besoni ose mos të besoni”.(l8:29).
“Ju mos shani ata (zota) që u luten (idhujtarët)”. (6:l08)
“S’ka dhunë në fe, e Vërteta dallohet nga e pavërteta”. (2:256)
Në një letër dërguar guvernatorit të Jemenit, Profeti ndalon që çifutëve dhe të krishterëve të imponohet feje islame.
“Mos e përdor dhunën për t’u imponuar islamin çifutëve dhe të krishterëve nëse dëshirojnë t’i mbesin besnik fesë së tyre”.
Myslimanët si ngadhënjëtarë mbi shumë popuj dhe në shumë vende të botës kanë pasur qëndrim fisnik ndaj të nënshtruarve. Popujtë të nënshtruar gëzonin të drejtën që lirisht të praktikonin besimin dhe ceremonitë e tyre fetare.
Njëra prej shkaqeve kryesore të suksesit të islamit në vendet të cilat ishin nën sundimin e Bizantit dhe të Persisë, ishte fryma e tolerancës fetare dhe bujaria e pushtuesve të rinj, të cilët nga popujt e nënshtruar përjetoheshin si çlirues. Si Perandoria e Bizantit ashtu edhe ajo e Persisë, jo vetëm që nuk e respektonin besimin e popujve të nënshtruar por edhe i nënshtronin persekutimeve të rënda. Kështu që myslimanët nuk hasnin në rezistencë serioze. Popujt e nënshtruar të këtyre perandorive ishin të detyruar të adhuronin religjionet shtetërore, nën kërcnim të konfiskimit të pasurisë atyre që nuk pranonin.Si shembul ilustrativ mund të shërbejë pozita e popujve të nënshtruar të Perandorisë Otomane. Të drejtat dhe liritë fetare kanë qenë të garantuar për të gjithë popujt e nënshtruar , duke përjashtuar politeistët dhe ateistët.
Me ligje përkatëse qe garantuar jomyslimanëve barazia me myslimanët, si:
- barazia para kodit penal,
- barazia para kodit civil, por duke lejuar jomyslimanëve të drejtën e martesës dhe të shkurorëzimit sipas ligjeve të tyre,
- myslimanët dhe jomyslimanët nuk mund të trashëgojnë njëri-tjetrin,
- myslimanët mund të ndajnë ushqimin e të krishterëve e të çifutëve dhe anasjelltas,
- islami lejon që një mysliman të martohet me një të krishtere ose çifute, pa e detyruar që ta ndërrojë fenë e saj,
- islami ua pranoi liritë fetare të krishterëve dhe çifutëve. Nuk ka ndodhur kurrë gjatë fitoreve të ndryshme myslimane që të rrënohet ndonjë sinagog apo kishë. Asnjë i krishterë apo çifut nuk u detyrua kurrë që ta ndëronte fenë. Në të gjitha shtetet myslimane u lejua ndërtimi i kishave,
- pronësia dhe pasuria e të krishterëve dhe e çifutëve janë mbrojtura njësoj si ato të myslimanëve,
- besimtarët janë të lirë që t’i ndërmarrin të gjitha llojet e marrëveshjeve të lejuara me jobesimtarët.
Vetëm në kohën moderne mund të vërehet ideja e tolerancës fetare të bazuara në qytetërimin Perëndimor. Kthesë vendimtare në këtë drejtim bën Revolucioni Borgjez Françez (l789), ku liria e besimit ngrihet në parim kushtetues (është e njohur fjalimi i H. G. Mirabeua-s, më 22. 8. l789, në Kuvendin e Republikës së Francës).
Deri në këtë kohë mund të vërejmë shtrëngimin (kërcënimin) e pranimit të besimit “ zyrtar “, si dhe përdorimin e dhunës fizike me qëllim të ruajtjes së superioritetit në lëmënjtë, në të cilat kisha ka pasur karakter zyrtar. Në drejtim të ruajtjes së superioritetit, çdo liri e ndërgjegjes është etiketuar si marrëzi (“deliramentun” Enciklika e papës Grguri XVI “Mirai Vos”).
Në shtetet bashkëkohëse me rregullim demokratik dhe parlamentar, toleranca fetare është shndërruar në institucion shoqëror dhe paraqet njërën prej sypozimeve të rëndësishme të jetës shoqërore. Toleranca fetare jo vetëm që është faktor vendimtar i rregullimit të marrëdhënieve dhe të zgjidhjes së sukseshme të çështjeve fetare, por edhe faktor me rëndësi i zgjidhjes së çështjes kombëtare. Në këtë drejtim më së miri flet praktika e Evropës Perëndimore dhe SHBA.
Përkundër idesë së tolerancës fetare, e cila çështjen e besimit e shtron si çështje të ndërgjegjes, në ish-RSF të Jugosllavisë janë zhvilluar procese të cilat kanë pasur për qëllim që një besim dhe që një konfesion të shndërrohet në ideologji zyrtare, me tendenca që në mënyrë të theksuar të ndikojë në rregullimin e brendshëm shtetëror. Veçanërisht, në këtë drejtim, vlen të përmendet aktiviteti i Kishës Ortodokse Serbe, e cila paraqitet si faktor i mbrojtjes dhe si faktor kanalizues i së ashtuquajturës “çështjes serbe në Ballkan”. Intoleranca fetare në ish-RSF të Jugosllavisë paraqitet në formë të fanatizmit dhe të klerikalizmit, gati në tërë sipërfaqen e saj. Si karakteristikë e kësaj intolerance fetare është zemërngushtësia dhe shkrutpamësia intelektuale e cila nuk ishte e aftë që t’i kuptojë dhe të bashkëjetojë me pikëpamjet e bindjet e ndryshme mbi realitetin, si dhe agresiviteti dhe primitivizmi, me elementet e theksuara të ekskluzivitetit nacional, mandej urrejtja racore e bazuar në atavizëm etj. Fanatizmi fetar në ish-RSF të Jugosllavisë, në shumë segmente të shoqërisë dhe në programet e ndryshme, ka arritur të operacionalizohet si një teori politike.
Riaktivizimi dhe revitalizimi i besimit është përcjellur me valën e theksuar të nacionalizmit e të shovenizmit dhe me mitologjinë kuazihistorike, në thirrjen e përbashkët në bazë të gjakut etj.
Ekzistimi i shumë besimeve, i shumë bashkësive konfesionale dhe i shumë traditave të bazuara në shumësinë kombëtare e fetare, në masë të konsiderueshme ka ndikuar në masën e intolerancës fetare. Sigurisht intoleranca fetare, përveç faktorëve të tjerë, fuqimisht ka qenë e imponuar nga mjetet politike. Rol të theksuar ka pasur “revolucioni antiburokratik”, me theksimin e misionit të mbrojtjes së krishterimit të popullit serb, nga depërtimi i fundamentalizmit islamik shqiptar.
Në realitetin shoqëror të ish-RSF të Jugosllavisë, kanë ekzistuar tendenca të theksuara në suazat qeveritare dhe në suazat e partive të caktuara politike, me orientime ultranacionaliste, si dhe rrymat e caktuara në bashkësitë e caktuara fetare, që edhe kisha, si një potencial e si një forcë e veçantë shoqërore të shndërrohet në formë specifike të fuqisë politike. Tendenca e përgjithshme e këtyre forcave ka qenë që besimi të futet në politik dhe të konstituohet si faktor politik. Shumica e këtyre forcave karakterizohet me jotolerancë dhe ato nuk kanë qenë të gatshme për kurrfarë dialogu për pikëpamjet e tjera. Shumë nga këto parti politike dhe bashkësi fetare, e në veçanti strukturat udhëheqëse shtetërore, janë mbështetur në motivacionin fetar dhe në angazhimin moral të besimtarëve, përkatësisht të aderuesve të vet. Të gjitha këto forca, edhe pse paraqiten në petkun demokratik kërkesat e veta i artikulojnë në përparimin kulturor të kombit, ato forca në thelb kanë qenë retrograde dhe janë frymëzuar nga terri mesjetar mitologjik.
Pra, toleranca fetare si parim i përgjithshëm qytetar dhe kulturor paraqet konsekuencën e luftave të zhvilluara në trollin e Evropës.
Vetëdija se me anë të forcës nuk mund të shkatërohet kundërshtari ka qenë njëri prej kushteve kryesore për krijimin e tolerancës fetare në Evropë. Toleranca fetare është diçka më pak se liria fetare dhe nënkupton - supozon dispropocionin dhe pabarazinë e caktuar. E drejta për tolerancë fetare mund të kufizohet dhe kufizohet me të drejtën e të tretit që të jetojë i lirë në pajtim me bindjet e veta.
Ideja e tolerancës fetare vërehet gjatë kohës moderne, kur liria e besimit ngritet në parim kushtetues, fillimisht në Francë pas Revolucionit borgjez (l789).
Toleranca fetare, në shtetet me rregullim demokratik e parlamentar shndërrohet në institucion shoqëror dhe paraqet faktor me rëndësi të zgjidhjes së çështjeve fetare e kombëtare.
Intoleranca dhe diskriminimi i bazuar në religjion ose në besim janë të pranishme në shumë hapësira të botës bashkëkohëse. Përpjekjet dhe angazhimi i bashkësisë ndërkombëtare dhe të organizatave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të njeriut nuk kanë qenë në përputhje me rezultatet e arritura praktike, në këtë fushë. Problem në vete ka qenë edhe implementimi i parime të dhënuna në Deklaratën e përgjithshme për të drejtat e njeriut dhe në Deklaratën për eliminimin e të gjitha formave të intolerancës dhe të diskriminimit që mbështeten në religjion ose në bindje, në të drejtën pozitive të shteteve të caktuara dhe zbatimi i tyre në praktikë. Ky fakt paraqet një problem serioz që kërkon kujdesin imediat dhe aksionin e përhershëm të bashkësisë ndërkombëtare.
Në vitet e fundit në botën bashkëkohëse janë evidentuar vetëm disa raste të vrasjeve sistematike, përkatësisht dy raste të torturave fizike ose të torturave mentale (psikike) në bazë të religjionit ose të besimit, kështu që janë krijuar kushtet të përqëndrimit të bashkësisë ndërkombëtare për eliminim e intolerancës dhe të diskriminimit në bazë të religjionit ose të besimit.
Duke shqyrtuar manifestimin e intolerancës dhe të diskriminimit të bazuar në religjion ose në besim, në shtetet e caktuara të botës, duhet të merret parasysh se këto menifestime, jo vetëm se për nga natyra e vetë janë serioze, por janë posaçërisht të rënda, sepse ato nën ndikimin e kushteve dhe të rrethanave të caktuara, mund të shndërrohen në shkelje masive të të drejtave dhe të lirive të njeriut, madje në raste të caktuara mund të marrin dimensionin e krimit kundër njerëzimit, ndaj një komuniteti - bashkësie të caktuar të njerëzve, të gjenocidit si dhe paraqesin kërcnimin ndaj paqës dhe sigurisë në rajone të caktuara të botës.
Manifestimet e intolerancës dhe të diskriminimit në rradhë të parë i cungojnë ose i shkelin të drejtën e të menduarit, të ndërgjegjes, religjionit ose të besimit si dhe liritë korolare, siç janë; (a) të drejtën për të falur dhe për tubim në bazë të cilitdo religjion dhe besim, si dhe të drejtën për të mirëmbajtur vendet e ritit dhe të kultit; (b) për të themeluar dhe mirëmbajtur institucionet përkatëse mirëbërëse dhe humanitare; (c) për të bërë, siguruar dhe përdorë në mënyrë përkatëse artikujt dhe materialet që kanë të bëjnë me ritet dhe zakonet e një religjioni ose besimi si dhe për të shkruar, botuar dhe përhapur publikime në fushat relevante; (ç) për të predikuar religjionin ose besimin në vendet e përshtatshme për këtë qëllim; (d) për të kërkuar dhe marrë kontribute vullnetare finansiare dhe kontribute te tjera nga individët dhe institucionet, si në vend ashtu edhe jashtë vendit; (e) për të trajnuar, shkolluar dhe emëruar ose caktuar sipas rradhës udhëheqes fetar në thirrje e poste perkatëse, që kërkohen sipas standardeve te cilitdo religjion ose besim; (f) për të festuar ditët e pushimit dhe ditët e ceremonive në përputhje me parimet e rregullat e religjionit ose të besimit të caktuar dhe (h) për të themeluar dhe kultivuar lidhjet me individë dhe konfesione, në vend dhe në nivele ndërkombëtare, lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me reliogjionin ose besimin e caktuar.
Sipas Nënkomisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi dhe Mbrojtjen e Minoriteteve të OKB të parashtruar në Rezolutën l985/20 të datës 29. 08. l985 , manifestimet e intolerancës dhe të diskriminimit në bazë të religjionit ose të besimit ngushtojnë ose paraqesin shkeljen e të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut, duke perfshirë të drejtën për jetë, të drejtën për liri dhe siguri personale, të drejtën e lirisë nga tortura dhe nga dënimi mizor (i ashpër), trajtimin jonjerëzor dhe degradues, të drejtën për dëgjim fer dhe publik nga ndonjë gjykatë e pavarur dhe paanshme, të drejtën për liri të lëvizjes dhe të drejtën për zgjedhjen e lirë të vendbanimit, të drejtën për tubim dhe bashkim të lirë në shoqata, të drejtën për intimitet (veçim) dhe të drejtën e minoriteteve për të predikuar dhe ushtruar religjion ose besimin në mënyrë të papenguar.
Sipas Rezolutës l985/20, në pikën 70 përmendet rasti i ish-RSF të Jugosllavisë, në lidhje me burgosjen e klerikëve dhe të besimtarëve nga tri konfesionet më të mëdha fetare. Ata (klerikët dhe besimtarët e burgosur) zakonisht ngarkohen për abuzim të fesë ose të pozitës së tyre fetare për qëllime nacionaliste dhe për provimin e ideve politike. Përvec kësaj, edhe pse me Kushtetutë e me ligje të tjera pozitive garantohet barazia për të gjithë qytetarët, besimtarët nuk mund të anëtarsohen në Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë, efektivisht kjo donë të thotë që besimtarëve u mohohet e drejta në të gjitha postet politike, të çdo niveli të organizimit shoqëror e shtetëror. Veç kësaj, edhe pse paragjykimet kundër besimtarëve zyrtarisht gjykohen e konsiderohen si sektarizëm, në praktikë paragjykimi i këtillë mbisundon në qarqet zyrtare të çdo niveli të kiearkisë shtetërore.
Në të gjitha shtetet e ish Evropës Lindore, autoritet qeveritare në mënyrë sistematike kanë ndaluar praktikimin e zakoneve dhe traditave të pjesëtarëve të konfesionit mysliman. Gjithashtu në mënyrë sistematike kanë ndaluar vijimin e shkollave fetare, nga ana e fëmijve të konfesionit mysliman. Praktika myslimane e synetisë (circumcision) jo vetëm që ka qenë e ndaluar, por me ligjet penale ka qenë i sankcionuar si vepër penale. Prindërve të fëmijve ka qenë e paraparë shqiptimi i dënimit prej tre deri në pesë vjetë burgim. Gjithashtu larja e kufomave, njëra prej rregullave dhe zakoneve myslimane ka qenë e ndaluar. Këto veprime të autoriteteve shtetërore kanë paraqit shkeljen e drejtave elementare të njeriut në lëmin e të drejtës në ushtrimin e lirë të religjionit dhe të zakoneve fetare.
Sipas Raportit të përmendur të OKB, shtetet që përfishehen në katërdhjetëekatër shtete, në mënyrë eksplicite, në kushtetutat në Raportet e veta ose në ligjet themelore, kanë inkorporuar garantimin e të drejtës e të lirisë të mendimit, të ndërgjegjes dhe të religjionit ose të besimit. Përveç kësaj, këto të drejta dhe liri , në shtatë kushtetuta të shteteve të caktuara nënkuptohen pa cekur në mënyrë decidive, dy prej këtyre kushtetutave janë të “pashkruara” (Izraeli dhe Mbretëria e Bashkuar), dy prej këtyre shteteve ndalojnë nxjerrjen e çfarëdo ligji lidhur me themelimin e ndonjë religjioni ose besimi zyrtar, ose ligji që do të ndalojë apo do të kufizojë ushtrimin e lirë të religjionit ose të besimit (Australia dhe SHBA). Pesë shtete në kushtetutat e veta pranojnë neutralitetin e shtetit lidhur me religjionin ose besimin (Burundi, Çadi, Madagaskari, Nigeria dhe Turqia). Dymbëdhjetë shtete në kushtetutat apo në ligjet e veta themelore i referohen të tri lirive themelore të përmendura në neni l të Deklaratës për eliminimin e të gjitha formave të intolerancës dhe të diskriminimit që mbështeten në religjion ose besim ;lirinë e mendimit, të ndërgjegjes dhe lirinë e besimit; (Republika e Qipros, Franca, Izraeli, Italia, Jamajka, Mauriciusi, Monoko, Nigeri, Katari, Tongo, Trinidadi dhe Tobago dhe Mbretëria e Bashkuar). Një numër i shteteve në kushtetutat apo në ligjet themelore përfshijnë (parashohin), në mënyrë të përgjithsuar të drejtën në mendim të lirë, lirinë e ndërgjegjes dhe të drejtën në religjion ose në besim. Tridhjetëenëntë shtete në kushtetutat apo në ligjet e veta themelore parashohin të drejtën e religjioni në mënyrë decidive (Argjentina, Barbadosi, Kepi i Gjebër, Çile, Kolumbia, Republika e Qipros, ish Çekosllovakia, Ekuadori, Finlanda, ish Republika Demokratike e Gjermanisë, Republika Federale e Gjermanisë, Guatemala, Hondurasi, Iraku, Izraeli, Italia, Jamajka, Jordania, Mauriciusi, Meksiko, Holanda, Nigeri, Pakistani, Peru, Portugalia, Katari, Ruanda, Ishujt e Solomonit, Spanja, Surinami, Suedia, Republika Arabe e Sirisë, Tailanda, Tonga, Trinidadi dhe Tobago, Turqia, Mbretëria e Bashkuar, Venezuela dhe Zambia). Njëzeteshtatë shtete në kushtetutat apo ligjet themelore parashohin lirinë e ndërgjegjesë (Bahamet, Bullgaria, ish RSS e Bellorusisë, Çile, Kolumbia, Republika e Qipros, Republika Dominikane, Finlanda, ish Republika Demokratike Gjermanisë, Republika Federale Gjermanisë, Izraeli, Italia, Jamajka, Mauriciusi, Nigeri, Partugalia, Katari, Ruanda, Ishujt e Solomonit, Zvicra, Republika Arabe e Sirisë, Tonga, Trinidadi dhe Tobago, Turqia, ish RSS e Ukrainës, ish BRSS dhe Mbretëria e Bashkuar). Njëbëdhjetë shtete në kushtetutat e veta parashohin të drejtën e mendimit të lirë (Barbadosi, Izraeli, Italia, Jamajka, Mauriciusi, Nigeri, Katari, Spanja, Tonga, Trinidadi dhe Tobago si dhe Mbretëria e Bashkuar). Tetë shtete në kushtetutat apo në ligjet themelore parashohin të drejtën e besimit (Bullgaria, ish Republika Demokratike e Gjermanisë, Republika Federale e Gjermanisë, Guatemala, Jordania, Zvicra, Republika Arabe e Sirisë dhe Zambia).
Në dispozitat e kodeve penale të shumë shteteve të botës, është sanksionuar parandalimi dhe ndëshkimi i veprave të intolerancës dhe të diskriminimit në bazë të religjionit ose të besimit. Në këtë drejtim ekziston një disparitet i madh në definimin e intolerancës dhe të diskriminimit të bazuar në religjion ose në besim. Disa kode penale intolerancën dhe diskriminimin të bazuar në religjion ose në besim e kategorizojnë si kundërvajtje, kurse disa si vepra penale, duke siguruar dënime dhe ndëshkime përkatëse për ata që shpallen fajtorë.Në këto shtete intoleranca dhe diskriminimi në bazë të religjionit ose të besimit, konsiderohen si krime sepse seriozisht shkelin të drejtat dhe liritë themelore të viktimave të pafajshme.
Sa i përket kategorizimit të formave dhe të manifestimit të intolerancës dhe të diskriminimit të bazuar në religjion ose në besim, ato janë të shumta si dhe vëlimi i tyre është i madh. Këtu do të përmendim vetëm disa lloje më karakteriste të intolerancës dhe të diskriminimit të cilat janë të ndaluara dhe janë sanksionuara në kodet penale relevante.Në disa kode penale është saksionuar përgojimi i religjionit ose i besimit, përgojimi i pjesëtarëve ose të udhëheqësve fetarë të konfesioneve të caktuara religjoze, invidualisht ose kolektivisht; përqeshja, nënçmimi, përbuzja ose ofendimi në bazë të gjuhës me qëllim të zvogëlimit të numrit të besimtarëve dhe duke shkaktuar ndjenjën armiqësore, të urrejtjes ose të dashaligësisë ndaj konfesionit të caktuar religjioz ose ndaj bashkësisë të caktuar të besimtarëve, si dhe duke nxitur të tjerët në kryerjen e veprave të këtilla (ish Çekosllovakia, Danimarka, Franca, Iraku, Jordani, Madagaskari, Mauriciusi, Pakistani, Portugalia, Spanja, Sudani, Suedia, Republika Arabe e Sirisë etj.).
Në disa kode penale, ndalohet dhe ndëshkohet përdorimi i forcës, ose kërcnimi për përdorimin e forces kundër personave, grupeve, organizatave me qëllim ose me efekt të detyrimit të tyre për pjesëmarrje ose në pengimin (frenimin) në pjesëmarrje në adhurim ose në ritet religjionit ose të besimit ose nxitjen e tjerëve në akte të këtilla (ish Çekosllavakia, Finlanda, Izraeli, Italia, Jordani, Mauriciusi, Panama, Venezuela etj.) Në disa kode penale sanksionohet, pengimi ose shkaktimi i trazirave gjatë faljes dhe kryerjes së riteve religjoze ose riteve të besimit, me anë të akteve të qëllimshme duke ndërhyrë ose duke ndërprerë tubimet e ligjshme religjioze, të ftuar e të caktuar për këto qëllime, ose nxitjen e të tjerëve në kryerjen e akteve të këtilla. Në disa kode penale është sanksionuar refuzimi i ndonjë shërbimi ose mohimi i ndonjë të drejte, ndonjë personi ose grupi të njerëzve të bazuar në religjion ose në besimin e tyre, ose në nxitjen e njerëzve te tjerë për kryerjen e akteve të këtilla (Franca, Iraku, Ruanda, Suedia, ish RS e Ukrainës etj.). Disa kode penale sanksionojnë nëpërkëmbjen e personit dhe të drejtave të qytetarëve, me pretekst të kryerjes së ceremonisë fetare (ish RS e Ukrainës etj.). Disa kode penale sanksionojnë si vepër penale këto veprime; trazimi i paqës dhe tolerancës fetare (Finlanda), propagimin e mosdurimit konfesional ose sektar (Iraku), botimi ose shqiptimi i fjalëve ose të materialit të tjetër që llogariten të cenojnë ndjenjat religjioze ose të besimit të personave të tjerë (Izraeli), sulmi ose cenimi i integritetit fizik të klerikut, kryerja e veprave të blasfemisë (përdhosjes së gjërave të shenjta), që ofendojnë sedrën religjoze të mbrojtur me ligjet përkatëse (Spanja); organizimi ose drejtimi i ndonjë grupi veprimtaria i të cilit, i udhëhequr nën maskën e propagimit të besimeve fetare ose duke kryer ceremoni e rituale religjioze, janë të dëmshme për shëndetin e qytetarëve ose ndryshe cenojnë të drejtat e tyre personale, ose vepra të cilat nxisin qytetarët që të refuzojnë aktivitetet shoqërore ose kryerjen e detyrave qytetare, ose që kërkojnë t’i tërheqin të miturit në këto grupe (ish BRSS). Në disa shtete, disa dispozita të kodeve penale, rrjedhin dhe kanë bazën në ligjet përkatëse fetare dhe në ligjet për bashkësitë fetare.
Mangësia e kodeve të konsiderushme penale ka qenë në faktin se janë zbatuar në mënyrë selektive, përkatësisht janë zbatuar ndaj besimtarëve të konfesionit të caktuar, me arsyetim se pjesëtarët të konfesionit të caktuar janë involvuar në ushtrimin e intolerancës dhe të dhunës, me ç’rast në praktikë është bërë diskrimin praktik ndërmjet konfesioneve dhe besimtarëve.


P Ë R F U N D I M

Në këtë punim është paraqitur ideja e tolerancës fetare dhe zhvillimi i saj gjatë historisë në shoqëritë e ndryshme. Ideja e tolerancës fetare në shumicën e besime është e pranishme si normë obliguese ose si traditë fetare, por zbatimi i saj në praktikë ka qenë më tepër se modeste. Në emër të bindijeve fetare janë zhvilluar luftërat e përgjakshme. Intoleranca fetare ka qenë njëra prej shkaqeve më të shpeshta të diskriminimit ndërmjet njerëzve. Në historinë e Qytetërimit Perëndimor toleranca fetare është paraqitur shumë vonë dhe së pari përfshinë bashkësitë e vogla fetare. Si normë obliguese e sjelljes shoqërore, toleranca fetare në Qytetërimin Perëndimor paraqitet në shtetet me rregullimin parlamentar dhe demokratik. Islami si fe e shpalljes, par excellence është është fe, jo vetëm e tolerancës por edhe bashkëjetesës fetare. Islami nuk ka asgjë të përbashkët me fanatizëm dhe intolerancë. Islami është fe e cila garanton lirinë personale dhe kolektive të gjithë njerëzve e të kolektiviteteve të tyre. Islami paraqet inkurajimin për drejtësi dhe progres shoqëror. Kryerja e detyrimeve fetare nga myslimani nënkupton humanitetin dhe drejtësinë. Toleranca fetare është diçka më pak se liria fetare dhe nënkupton – supozon disporporcionin dhe pabarazinë e caktuar. E drejta për tolerancë fetare mund të kufizohet dhe kufizohet me të drejtën e të tretit që të jetojë i lirë në pajtim me bindjet e veta. Intoleranca dhe diskriminimi i bazuar në religjion ose në besim janë të pranishme në shumë hapësira të botës bashkëkohëse. Përpjekjet dhe angazhimi i bashkesisë ndërkombëtare dhe të organizatave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të njeriut nuk kanë qenë në përputhje me rezultatet e arritura praktike, në këtë fushë.


E Shtunë, 10 Korrik 2010; 04:41


Kerko:

 
Ju rekomandojmë :
 
Akaid dhe Fikh Islam:
 
Të përhershme:
 
Prezantime (Powerpoint)
 
Ilahi:
» Zeriislam.com nuk qëndron domosdoshmërisht pas çdo teksti të autorëve «
Copyright © ZeriIslam 2005-2009
Free counter and web stats