KONCEPTI I ADHURIMIT – LUTJES NË ISLAM

[Fletëpalosja 3.]

Islami e shikon individin si tërësi. Ai duhet t’i nënshtrohet plotësisht All-llahut, ashtu siç e këshillonte Kur’ani Muhammedin alejhisselam të veprojë: “Thuaj: Falja (namazi) ime, sakrifica ime, jeta ime dhe vdekja ime janë njëmend për All-llahun, Zot i të gjitha botëve. I Cili nuk ka shok. Ashtu jam i urdhëruar dhe unë jam musliman i parë” (el-En’am, 162-163). Rezultat i natyrshëm i këtij nënshtrimi është ai që të gjitha veprimet e njeriut duhet të jenë në pajtim me udhëzimet e Atij të cilit personi i nënshtrohet. Islami, duke qenë mënyrë e jetës, nga ithtarët e tij kërkon që ta rregullojnë jetën e tyre sipas mësimeve të tij në çdo pikëpamje – fetare a të tjera.

Kjo do të mund t’u dukej e çuditshme disa njerëzve të cilët fenë e konsiderojnë si një marrëdhënie personale ndërmjet individit dhe All-llahut, duke mos i goditur veprimet e individit jashtë riteve!

Në të vërtetë, Islami nuk mendon shumë për ritet e thjeshta kur ato bëhen në mënyrë mekanike dhe nuk ndikojnë në jetën e brendshme të dikujt. Kur’ani u drejtohet besimtarëve dhe fqinjve të tyre në mesin e njerëzve në Libër, që ziheshin me ta rreth ndërrimit të drejtimit të Kiblës në këtë ajet:”

“Nuk është bamirësi (devotshmëri) t’i ktheni fytyrat tuaja kah lindja dhe perëndimi, por devotshmëria është e atij që i beson All-llahut dhe Ditës së fundit, edhe engjëjve, edhe librave edhe pejgamberëve, ndërsa nga pasuria, përkundër dashurisë që ka, u jep të afërmve dhe bonjakëve, edhe të varfërve, edhe udhëtarëve dhe lypsarëve etj., edhe për lirimin e të robëruarve, edhe që kryejnë faljen dhe japin zeqatin, edhe që obligimin e vet kur e marrin e zbatojnë, si dhe ata që janë të durueshëm në skamje, në sëmundje dhe në të papritura. Ata janë që kanë qenë të sinqertë dhe vetëm ata janë të devotshëm”. (el-Bekare, 177).

Veprimet në ajetin e mësipërm janë veprime drejtësie dhe vetëm një pjesë e adhurimit. Pejgamberi alejhisselam foli për besimin që është bazë e adhurimit, domethënë se ai përbëhet nga gjashtëdhjetë e ca degë, ndër të cilat më e larta është besimi në Veçanësinë e All-llahut, domethënë, se nuk ka zot tjetër pos All-llahut, kurse më e ulëta në shkallën e imanit është heqja e pengesave dhe e ndyrësisë nga rruga e njerëzve (Hadith).

Në Islam puna e denjë konsiderohet një lloj adhurimi. Pejgamberi ka thënë: “Kushdo që në të ngrysur e ndien veten të lodhur nga puna, All-llahu do t’ia falë mëkatet”. Të kërkuarit e diturisë është një nga llojet më të larta të adhurimit. Pejgamberi u tregon shoqëruesve të vet se: “Kërkimi i diturisë është detyrë (fetare) e çdo muslimani”. Në një thënie tjetër ai thekson: “Më mirë është të kërkosh dituri një orë se sa të lutesh (nafile) 70 vjet”. Mirësjellja shoqërore dhe bashkëpunimi janë pjesë e adhurimit kur bëhen për hir të All-llahut, siç thotë Pejgamberi: “Pranimi i mikut me buzëqeshje është një lloj bamirësie, ndihma që i japim dikujt për ta ngarkuar kafshën është bamirësi, dhe mbushja e kovës së fqinjit me ujë është bamirësi”.

Vlen të theksohet se madje edhe kryerja e punëve të dikujt konsiderohet një lloj adhurimi. Pejgamberi na mëson se çdo gjë që e shpenzon dikush për familjen e vet është një lloj bamirësie, dhe ai do të shpërblehet po qe se fiton në mënyrë ligjore. Mirësjellja ndaj anëtarëve të familjes së dikujt është vepër bamirësie, njëlloj sikurse edhe dikush të fusë një copë ushqimi në gojën e bashkëshortit, siç na tregon Pejgamberi. Jo vetëm kjo, por edhe veprat me të cilat kënaqemi konsiderohen bamirësi, por nëse kryhen sipas udhëzimeve të Pejgamberit. Pejgamberi u tha shoqëruesve të vet se ata do të shpërblehen madje edhe për marrëdhëniet seksuale me gratë e tyre. Shoqëruesit mbetën të habitur dhe pyetën: “Si do të shpërblehemi për diç që na kënaq shumë?” Pejgamberi i pyeti: “Po qe se dëshirat i plotësoni në mënyrë të paligjshme, a nuk mendoni se do të dënoheni për këtë?” Ata u përgjigjën: “Po”. “Andaj”, - tha ai, - “duke u kënaqur legalisht me gratë e juaja ju shpërbleheni për këtë”. Këto, domethënë, janë vepra adhurimi.

Kështu, Islami nuk e konsideron seksin punë të ndyrë, të cilës njeriu duhet t’i shmanget. Është punë e ndyrë dhe e mëkatshme vetëm nëse kryhet jashtë martesës.

Nga diskutimi i mësipërm është e qartë se koncepti i adhurimit në Islam është koncept i gjerë, që përfshinë të gjitha aktivitetet pozitive të individit. Kjo, natyrisht, është në pajtim me natyrën e gjithmbarshme të Islamit si mënyrë e jetës. Ajo rregullon jetën e njeriut në të gjitha nivelet: në atë individual, shoqëror, ekonomik, politik dhe shpirtëror. Për këtë arsye, Islami udhëheq në detajet më të imta jetën e njeriut në të gjitha këto nivele. Në këtë mënyrë, duke i ndjekur këto hollësi, ne i ndjekim udhëzimet islame në atë fushë specifike. Është element shumë kurajues kur dikush kupton se të gjitha aktivitetet e tij, nga All-llahu konsiderohen si vepra adhurimi. Kjo duhet ta shpie individin në kërkimin e kënaqësisë së All-llahut në veprimet e tij dhe të orvatet gjithmonë t’i bëjë ato në mënyrën më të mirë të mundshme, pa marrë parasysh a përcillet nga eprorët e tij apo është i vetëm. Gjithmonë ekziston mbikëqyrësi i përhershëm që di çdo gjë, domethënë, All-llahu.

Diskutimi i adhurimit – lutjes jorituale në Islam, së pari nuk do të thotë zhvleftësim i rëndësisë së adhurimit – lutjes rituale. Në të vërtetë, nëse adhurimi ritual kryhet me entuziazëm të njëmendtë, ai e ngrit njeriun moralisht dhe shpirtërisht, duke e aftësuar për t’i vazhduar aktivitetet e tij në të gjitha rrugët e jetës sipas udhëheqjes së All-llahut.

Ndër lutjet – adhurimet rituale, salati (namazi) zë vendin kryesor për dy arsye. Së pari, meqë është shenjë dalluese e besimtarit. Së dyti, ai e ndalon individin nga të gjitha llojet e veprave të neveritshme dhe veset e këqija, duke i ofruar mundësi për të komunikuar drejtpërsëdrejti me Krijuesin e vet pesë herë në ditë, me ç’gjë ai e ripërtërinë zotimin dhënë Zotit dhe kërkon udhëheqjen e tij të sërishme: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm nga Ti ndihmë kërkojmë, drejtona në rrugë të drejtë” (el-Fatiha, 5-6). Namazi në të vërtetë është manifestimi i parë praktik i besimit, e po ashtu edhe kushti kryesor për suksesin e besimtarëve: “Besimtarët kanë shpëtuar! Ata, të cilët namazin e tyre e bëjnë me frikërespekt (përulje)”, (el-Mu’minun, 1-2).

Fakti i njëjtë është theksuar edhe nga Pejgamberi alejhisselam në një mënyrë tjetër. Ai thotë: “Ata që e kryejnë namazin e tyre me kujdes dhe përpikmëri të madhe, do të gjejnë dritë, dëshmi të besimit të tyre dhe arsye për shpëtimin e tyre në Ditën e Gjykimit”.

Pas namazit, zekati është po ashtu shtyllë e rëndësishme e Islamit. Në Kur’an, namazi dhe zekati janë përmendur më së shpeshti së bashku. Sikurse namazi edhe zekati është manifestim i besimit, që vërteton se All-llahu është pronar i vetëm i çdo gjëje në Gjithësi, kurse njerëzit mbajnë në dorë besimin, për ç’gjë Zoti i obligoi ta shpërndajnë atë ashtu siç ka përcaktuar Ai:

“Besoni All-llahun dhe Pejgamberin e Tij dhe shpërndani (jepni falas) nga ajo që ju ka dhënë në disponim.” (el-Hadid, 7).

Në këtë pikëpamje zekati është vepër besnikërie që sikur edhe namazi, e sjell lutësin më afër All-llahut.

Përveç kësaj zekati është mjet për rishpërndarjen e pasurisë, duke i zvogëluar dallimet ndërmjet klasave dhe grupeve. Ai kontribuon dukshëm në stabilitetin shoqëror. Duke e pastruar shpirtin e të pasurit nga egoizmi, kurse shpirtin e të varfërit nga smira dhe zemërimi ndaj shoqërisë, ai i ndërpret kanalet që shpiejnë drejt urrejtjes klasore dhe mundëson që burimet e vëllazërisë dhe të solidaritetit të shpërthejnë me vrull. Ky stabilitet nuk bazohet vetëm në ndjenjat personale të të pasurve, por ai qëndron në të drejtën e patundur, e cila, nëse mohohet nga të pasurit, mund të kërkohet edhe me forcë, po qe se ka nevojë.

Sijami (agjërimi gjatë ditëve të muajit Ramazan) është shtylla tjetër e Islamit. Funksioni kryesor i agjërimit është që ta pastrojë muslimanin nga “brenda”, ashtu siç e pastrojnë aspektet e tjera të Sheriatit nga “jashtë”. Me këtë pastrim ai i përgjigjet të vërtetës dhe të mirës, kurse mënjanon të rremën dhe të keqen. Këtë mund ta vërejnë në këtë ajet të Kur’anit:

“O besimtarë! Agjërimin e keni obligim të detyrueshëm, siç e kishin detyrë edhe ata që ishin para jush, ndoshta do të bëheni të devotshëm”. (el-Bekare, 183).

Agjërimi zgjon vetëdijen e individit dhe i jep hov për t’u përballë me një përvojë të përbashkët për tërë shoqërinë, në të njëjtën kohë duke i dhënë në këtë mënyrë forcë plotësuese çdo individi. Përveç kësaj, agjërimi i ofron pushim të detyrueshëm makinës së stërlodhur të njeriut gjatë një muaji të plotë. Po ashtu, agjërimi ia përkujton njeriut ata që janë privuar nga gjërat e nevojshme jetësore gjatë tërë vitit ose gjatë tërë jetës. Ai e bënë atë t’i kuptojë vuajtjet e të tjerëve, vëllezërit më të pafatë të Islamit dhe në këtë mënyrë zgjon te ai ndjenjën e dhembshurisë dhe të mirësisë ndaj tyre. Në fund arrijmë te Haxhxhi (haxhillëku në shtëpinë e Zotit në Mekke). Kjo shtyllë shumë e rëndësishme e Islamit, manifeston një unitet të pashoq, duke i eliminuar të gjitha dallimet. Muslimanët nga të gjitha këndet e botës, me rroba të njëjta i përgjigjen thirrjes së haxhxhit në një zë dhe në një gjuhë: “LEBBEJK ALL-LLAHUMME LEBBEJK” (I përgjigjem thirrjes Tënde, O All-llahu im). Në haxhxh ushtrohen vetëdisiplina dhe rregulli i përpiktë, ku jo vetëm që nderohen gjërat e shenjta, por madje edhe jeta e bimëve dhe e zogjve është bërë e pacenueshme, ashtu që çdo gjë jeton në siguri: “… E kush i madhëron shenjtëritë e All-llahut është mirë për të ndaj Zotit të vet:”, “… E kush i madhëron traditat e All-llahut, ajo është shenjë e Zemrës fisnike”. (el-Haxh, 30-32).

Haxhillëku u jep mundësi të gjithë muslimanëve nga të gjitha grupet, klasat, organizatat dhe qeveritë nga mbarë bota muslimane që të takohen një herë në vit në një kongres të madh. Koha dhe vendi i këtij kongresi janë caktuar nga Zoti i tyre i Vetëm. Ftesa për pjesëmarrje është e hapur për çdo musliman. Askush nuk ka fuqi ta përjashtojë dikë. Çdo muslimani që merr pjesë i garantohen siguria dhe liria e plotë, pos atëherë kur ai vetë e rrezikon sigurinë e vet.

Kështu adhurimi në Islam, qoftë ai ritual apo joritual, e ushtron individin në atë mënyrë që ai ta dojë më së shumti Krijuesin e vet dhe me anë të kësaj të fitojë vullnet dhe entuziazëm të paepur, për t’i fshirë të gjitha të këqijat dhe brengat nga shoqëria njerëzore dhe ta bëjë emrin e Zotit dominant në botë.


Nga anglishtja:
Ylvi Durguti

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme