TË KUPTUARIT E ALL-LLAHUT NË ISLAM

[Fletëpalosja 2.]

Islami me fjalën Zot mendon në Zotin e Vetëm dhe të Vërtetë. Për muslimanët Zoti është i plotfuqishëm, Krijues dhe Mbrojtës i Gjithësisë (Universit), asgjë nuk i ngjason dhe me kurrgjë nuk krahasohet. Pejgamberi Muhammed alejhisselam është pyetur nga bashkëkohësit e tij për All-llahun. Përgjigjja i ka ardhur drejtpërsëdrejti nga Zoti në formë të një sureje të Kur’anit, që konsiderohet si thelb i një uniteti ose si moto e monoteizmit.

Kjo është Sureja 112, e që thotë:

“Thuaj: Ai është All-llahu, Një i Vetmi! All-llahu është mbrojtës i gjithkuj. Nuk ka lind as s’është i lindur. Dhe askush Atij nuk i përngjet”. (El-Ihlas, 1-4).

Disa jomuslimanë thonë që Zoti në Islam është një Zot i vështirë dhe mizor që kërkon dëgjueshmëri të plotë. Ai s’është mirëdashës e as plot dashuri. Asgjë s’mund të jetë më larg të vërtetës se këto pohime. Mjafton të dijnë se prej 114 sureve të Kur’anit, me një përjashtim, çdo sure fillon me Bismil-lahirr-Rrahmanirr-Rrahim (Në emër të All-llahut, Të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!!)

Pejgamberi Muhammed alejhisselam thotë: “Zoti është më i dashur dhe më i shoqërueshëm për krijesat e Tij, se sa një nënë që është ndaj fëmijëve të saj të dashur”.

Njerëzit të cilët tërë jetën vuajnë për Zotin dhe njerëzit që tërë jetën e tyre i shtypin dhe i shfrytëzojnë të tjerët, nuk duhet të kenë trajtim të njëjtë te Zoti. Trajtimi i njëjtë i të dy grupeve do të thotë mohim i besimit të vërtetë dhe përgjegjësisë së njeriut në botën tjetër, e me këtë edhe mohim i çdo nxitjeje për një jetë morale dhe të virtytshme në këtë jetë. Ajetet e Kur’anit që vijojnë, në këtë pikëpamje janë shumë të qarta:

“Nuk ka dyshim se të devotshmit do te kenë te Zoti i tyre kënaqësi të xhennetit. A sillemi njëlloj me muslimanët si me mëkatarët? Çka është me ju, si po gjykoni?” (El-Kalem:34-36).

Islami ndalon paraqitjen e Zotit në cilëndo trajtë të njeriut, apo paraqitjen që Ai u jep përparësi njerëzve apo popujve të caktuar në bazë të pasurisë, forcës ose racës. Ata mund të dallohen dhe të fitojnë mirënjohjen e Tij vetëm me anë të devotshmërisë.

Pohimi që Zoti në ditën e shtatë të krijimit të Gjithësisë ka pushuar, që Zoti me njërin prej ushtarëve të Tij ka luftuar, që Zoti është komplotist dhe ziliqar kundër njerëzimit, ose që Zoti në cilindo njeri është inkarnuar, të gjitha këto, nga aspekti i mësimit islam janë fyerje ndaj Zotit (xh.sh.). Përdorimi në mënyrë të veçantë i fjalës All-llah si emër personal i Zotit, reflekton theksimin islam në pastërtinë e besimit në Zotin, që është thelbi i shpalljeve të të gjithë pejgamberëve të All-llahut. Për këtë arsye Islami, shoqërimin e cilësdo hyjni apo personaliteti All-llahut e konsideron si mëkat vdekjeprues, të cilin All-llahu kurrë nuk e fal, përkundër faktit se Ai mundt t’i falë mëkatet tjera.

Krijuesi duhet të ketë natyrë tjetër nga gjërat që Ai i ka krijuar, sepse po të kishte natyrë të njëjtë si gjërat që Ai i ka krijuar, atëherë do të thotë të jetë i përkohshëm dhe se do të kishte nevojë për një krijues tjetër. Përfundimi i kësaj është:

“Askush nuk është sikur Ai”. (Esh-Shura, 11).

Nëse Krijuesi nuk është i përkohshëm, Ai duhet të jetë i përhershëm. Nëse është i përhershëm, atëherë Ai nuk mund të jetë i krijuar dhe nëse Atë askush nuk e ka krijuar, atëherë pos Atij tjetër krijues për Të nuk ka. Kjo do të thotë që Ai i mjafton vetvetes. Pasi Ai në ekzistencën e Tij nuk është i varur prej askujt, atëherë ekzistenca e Tij nuk mund të ketë fund. Sipas kësaj, Krijuesi është i përhershëm dhe i amshueshëm.

“Ai është i pari dhe i fundit; I dukshmi dhe i padukshmi. Ai është i gjithëdijshmi për çdo send!” (El-Hadid, 3).

Ai është që i mjafton vetvetes dhe Ai që e mban vetveten ose një të thënë të Kur’anit El-Kajjum. Krijuesi krijon jo vetëm në kuptimin që Ai krijon gjëra prej asgjëje, por Ai i ruan gjërat që i ka krijuar. Ai i largon nga ekzistenca dhe Ai është shkaku kryesor për çdo gjë që ndodh me to.

“All-llahu është krijues i çdo sendi dhe Ai është mbikëqyrës i Gjithësisë. Në duart e tij janë çelësat e qiejve e të Tokës. Kurse ata, të cilët mohojnë faktet e All-llahut, ata janë plotësisht të humbur.” (Ez-Zumer, 62-63). “Në tokë nuk ka asnjë qenie të gjallë e të mos e ketë ushqimin te All-llahu. Ai di se kush ku do të qëndrojë dhe ku do të varroset. Të gjitha këto janë në Librin e qartë.” (Hudë, 6).



ATRIBUTET E ALL-LLAHUT

Nëse Krijuesi është i përhershëm dhe i amshueshëm, atëherë atributi i Tij duhet të jetë edhe i përhershëm edhe i amshueshëm. Ai nuk duhet t’i humbë atributet e Tij që janë të përkryera. A është e mundur të ketë më shumë se një Krijues me atribute të tilla të përsosura? A mund të ketë p.sh. dy krijues absolut të fuqishëm? Kur të mendohet për këtë, del se kjo është e pamundshme. Këto argumente në Kur’an janë të përmbledhura në ajetet vijuese:

“All-llahu nuk ka djalë dhe me të nuk ka ndonjë Zot tjetër! Sepse, çdo zot do ta merrte me vete atë që e ka krijuar dhe do të dominonin njëri ndaj tjetrit. Qoftë lavdëruar All-llahu nga ajo që ata thonë për Të”. (El-Mu’minunë, 91).

“Sikur në ata dy (qiell dhe tokë) të kishte ndonjë zot tjetër përveç All-llahut, të dy do të shkatërroheshin. Pra, qoftë lavdëruar All-llahu, Zoti i Gjithësisë nga ajo që i përshkruajnë.” (El-Enbija, 22).


NJËJËSIA E ALL-LLAHUT

Ju përkujtojmë në Kur’an për hipokrizitë e zotërave të rrejshëm. Objektet që janë të ndërtuara nga njeriu dhe ato që Ju faleni, në Kur’an, pyeten.

“A po i adhuroni ata që i gdhendni vetë, i pyeti” (En-Neml, 95)

“Thuaj: Kush është Zot i qiejve dhe i tokës! Thuaj All-llahu! Thuaj: A po merrni pra në vend të Tij tjetër mbrojtës që nuk mund t’i bëjë as vetvetes dobi e as dëm?” (Er-Rra’d, 16)

Në Kur’an gjendet rrëfimi i lartpërmendur për Ibrahimin alejhisselam si kërkues i besimit të drejt.

“Dhe kur ra nata, ai pa një yll dhe tha: “Ky është Zoti im”!, por pasi perëndoi, ai tha: “Nuk i dua ata që perëndojnë”. E kur e pa hënën që po del tha: “Kjo është Zoti im!” E pasi që edhe ajo perëndoi, ky tha: “Nëse Zoti im nuk më drejton në rrugë të drejtë, unë me siguri do të jem nga ata që kanë dështuar”. Por, kur e pa diellin si po lind, ai thirri: “Ky është Zoti im, ky është më i madhi!”. Mirëpo, pasi edhe ai perëndoi, tha: “O populli im, unë heq dorë nga ato që ju i bëni shokë! Unë po e drejtoj fytyrën time si besimtar i vërtetë kah Ai që ka krijuar qiejt dhe tokën, dhe nuk jam nga politeistët”. (El-En’amë, 76-79)



QËNDRIMI I BESIMTARIT

Është e domosdoshme të besohet në njëjësinë e Zotit për të qenë musliman, d.m.th. për t’iu nënshtruar Zotit në kuptimin që Ai është i vetmi krijues, rojtar, mirëmbajtës etj. Por, ky besim që më vonë quhet Tevhid Err-rrububijjeh, nuk mjafton. Shumica që u kanë shërbyer idhujve kanë ditur dhe kanë besuar që vetëm Zoti është në gjendje të bëjë çdo gjë, por kjo nuk ka mjaftuar për të qenë musliman. Tevhid err-Rrububijje-s duhet bashkangjitur Tevhid el Uluhijje, d.m.th. që e pranon faktin se vetëm Zoti është meritor që njerëzit ta adhurojnë. Për këtë arsye, besimtari e përmban veten që të mos adhurojë diçka tjetër.

Pasi që njeriu posedon dijen për Një të Vetmin Zot, duhet gjithmonë dhe pa hamendje të jetë në besimin e Tij dhe të mos e lejojë dikënd për ta mohuar të vërtetën.

Kur besimi hyn në zemrën e një personi, ai shkakton një gjendje të brendshme nga e cila rrjedhin veprime të caktuara. Të gjitha këto ndryshime të brendshme dhe veprimet, janë dëshmi të vërteta të besimit të mirëfilltë. Pejgamberi Muhamed alejhisselam thoshte: “Besimi është, ai gjithnjë jeton në zemër dhe me vepra dëshmohet”.

Në vend të parë të gjendjes së brendshme është ndjenja e mirënjohjes ndaj Zotit, që të mund të ruhet thelbi i ibadetit.

Ndjenja e mirënjohjes është aq me rëndësi, që një pabesimtar quhet KAFIR d.m.th. ai që kundërshton të vërtetën dhe ai që nuk është mirënjohës.

Besimtari e do Zotin dhe është mirënjohës për dhuratat e Tij që Ai ia jep atij, por njëkohësisht e di se veprat e mira të tij janë shumë larg nga ato shpirtërore dhe fizike në krahasim me mëshirën e Zotit. Ai brengoset dhe frikësohet se Zoti do ta dënojë, në këtë apo në jetën tjetër të fundit. Për këtë arsye Atij i frikësohet, i nënshtrohet dhe i shërben me një përulje të madhe. Njeriu mund të jetë në një gjendje shpirtërore të tillë, pa menduar tërë kohën për Zotin. Përkujtimi në Zotin është forca e jetës së besimit që vjen prej Zotit, pa të cilën forcë besimi shuhet dhe mbaron.

Në Kur’an është forcuar ndjenja e mirënjohjes me anë të përsëritjes së shpeshtë të Zotit. Disa prej këtyre atributeve do t’i gjejmë në suret e Kur’anit që vijojnë me radhë:

“Ai është All-llahu, nuk ka zot tjetër pos Atij,vetëm Ai që e di të padukshmen edhe të dukshmen. Ai është i gjithëmëshirshëm, mëshirëplotë. Ai është All-llahu i Cili s’ka tjetër Zot veç atij, sunduesi absolut, i pastër, paqedashës, garanton siguri, nën kujdesin e të cilit është çdo send; i Forti, i Madhërishmi, Krenar. Qoftë lartësuar All-llahu nga ata që i bëjnë shok! Ai është All-llahu, Krijues, Shpikësi, Formësuesi. Ai ka emra më të bukur. Atë e lartëson çdo send që është në qiej dhe në tokë. Ai është i Forti, i Urti.” (El-Mumtehine, 22-24).

“All-llahu është Një, nuk ka zot përveç Atij, i gjallë, i përjetshëm! Nuk e kaplon kotja e as gjumi. E Tij është çka ka në qiej dhe çka ka në tokë. Kush është ai që angazhohet për dikë te Ai pa lejen e Tij? Ai e di çka është para tyre, dhe prej asaj që di Ai – të tjerët dinë vetëm aq sa dëshiron Ai. Kompetenca e Tij ngërthen edhe qiejt edhe tokën dhe Atij nuk i vjen rëndë mbajtja e tyre. Ai është i lartmadhërishëm e i madh!” (El-Bekaretu, 255).

“O pasardhës të Librit, mos iu shmangni fesë tuaj dhe për All-llahun flitni vetëm të vërtetën! Mesihi, Isa, i biri i Merjemes, është vetëm I dërguari i All-llahut, si dhe fjala e Tij të cilën ia dha Merjemes dhe i dha jetë; prandaj besoni All-llahut dhe Të dërguarve të Tij dhe mos thuani: “Janë tre!”, “Mjaft e ka! Më Mirë u bie! All-llahu është vetëm një Zot, qoftë lavdërar Ai! Vallë, Ai të ketë djalë!? E Atij është gjithë çka ka në qiej dhe në tokë dhe All-llahu mjafton për ndihmës.”


Nga gjermanishtja
Shpresa dhe Halim Prekadini

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme