NJË VËSHTRIM ISLAMIT

[Fletëpalosja 1.]


ISLAMI DHE MUSLIMANËT


Fjala arabe “Islam” do të thotë paqe, nënshtrim dhe dëgjueshmëri. Feja islame është pranimi i plotë e mësimeve dhe këshillave nga Zoti që ia ka shpallur Pejgamberit të Tij, Muhammedit alejhisselam

Musliman është njeriu i cili i beson Zotit dhe përpiqet të bëjë një riorganizim të tërësishëm në jetën e tij sipas Shpalljes së Tij dhe thënieve të Pejgamberit. Ai, po ashtu, punon edhe në ndërtimin e një shoqërie humane me the­me­le të njëjta. “Muhammedanizëm” është emër i shtrembëruar për fjalën “Islam” dhe është ofendues për të.

Fjala “All-llah” është emri i vërtetë i Zotit në gjuhën arabe. Ai është një term i papërsëritshëm (unikat) për arsye se ky term nuk e ka shumësin e as gjininë femërore.



VAZHDIMËSIA E SHPALLJES



Islami nuk është fe e re. Në thelb, është e njëjta Shpallje dhe porosi, të cilën All-llahu ua ka shpallur të gjithë pejgamberëve:

“Thuaj: Ne i besojmë All-llahut edhe asaj që na shpa­llet neve, edhe asaj që i është shpallur Ibrahimit, Ismailit dhe Is’hakut, Jakubit dhe nipërve, dhe asaj që iu dha Musaut dhe Isaut dhe të dërguarve të tjerë nga Zoti i tyre; ne nuk bëjmë kurrfarë dallimi midis tyre dhe ne vetëm Atij i dorëzohemi.” (Ali Imran, 84).

Shpallja që i ka zbritur pejgamberit Muhammed alejhisselam është Islami në trajtën e përkryer,të plotë dhe përfundimtare.



PESË SHTYLLAT E ISLAMIT



Pesë shtyllat e Islamit janë:

1. Shehadeti (Të dëshmuarit dhe të deklaruarit e besimit). Të dëshmosh se askush s’është i denjë për adhurim përveç All-llahut dhe se Muhammedi alejhisselam është Pejgamberi i Tij për gjithë njerëzimin deri në Ditën e Gjykimit. Pejgamberllëku i Muhammedit i obligon muslimanët që ta ndjekin si shembull jetën e tij të devotshme.

2. Namazi (Të falurit): Namazet ditore janë pesë herë në ditë si obligim ndaj All-llahut. Ato e forcojnë dhe e gjallërojnë besimin ndaj All-llahut, e frymëzojnë njeriun me një moral më të lartë. Ai e pastron zemrën, i pengon sprovat nga të pavërtetat dhe të këqijat.

3. Agjërimi i muajit të Ramazanit: Gjatë muajit të Ramazanit muslimanët përveç që abstenojnë nga ushqimi, pija dhe marrëdhëniet intime prej agimit e deri në perën­dim të diellit, abstenojnë edhe prej qëllimeve dhe dëshirave të këqija. Ai mëson dashurinë, sinqeritetin dhe përkush­tueshmërinë. Ai zhvillon një ndërgjegje të drejtë sociale, durimin, largon egoizmin dhe zhvillon vullnetin e fortë.

4. Zekati: Të japish nga paratë e kursyera të cilat kanë qëndruar më se një vit të paprekura 2.5% për çdo vit, është detyrë fetare që pastron pasurinë që shpenzohet për varfanjakët në shoqëri.

5. Haxhillëku në Mekke: Detyrë e çdo muslimani është që një herë në jetë të shkojë në Mekke, nëse gjendja financiare dhe shëndetësore atë ia lejojnë.

Përveç këtyre pesë shtyllave, çdo veprim që bëhet me vetëdije e që e plotëson dëshirën e All-llahut, konsiderohet një prej veprave të devotshmërisë.

Islami përcakton besimin në Unitetin dhe Sovranitetin e All-llahut, i cili e bën njeriun të vetëdijshëm për rëndësinë e Gjithësisë dhe vendin e tij në të. Ky besim e liron njeriun nga çdo frikë dhe besëtytni, sepse atë e bën me vetëdije për praninë e All-llahut të Plotfuqishëm dhe obligimet e njeriut ndaj Tij. Vetëm besimi duhet shprehur dhe me vepër sprovuar. Besimi i vetmuar nuk mjafton. Besimi në një Zot kërkon që ta shohim njeriun si një familje nën fuqinë universale të Zotit - Krijuesit dhe Mbikëqyrësit të të gjithëve. Islami refuzon idenë për një popull të zgjedhur; e vetmja rrugë që shpie në xhennet është besimi në Zotin dhe veprat e mira. Kjo është mënyra e caktuar e raportit me Zotin, pa ndërmjetës.



NJERIU: INDIVID I LIRË



Njeriu është krijesa më e lartë e Zotit. Ai është i pajisur me potencialet më të larta si dhe është relativisht i lirë në dëshirën, veprën dhe zgjedhjen e Tij. Zoti ia ka treguar rrugën e drejtë dhe jeta e pejgamberit Muhammed alejhisselam është një shembull i përkryer. Suksesi dhe shpëtimi varen nga vazhdimi i këtyre dy rrugëve. Islami mëson shenjtësinë në personalitetin e njeriut dhe i jep çdonjërit të drejtat e njëjta pa dallim kombi, gjinie ose race.

Ligji i Zotit, i shpallur në Kur’an dhe i praktikuar në jetën e Pejgamberit alejhisselam në çdo rast, është suprem në të gjitha rastet. Ai aplikohet njëjtë si te njerëzit në pozita më të larta po ashtu edhe te ata të pozitave më të ulëta, si tek princi dhe fshatari, sundimtari dhe i sunduari.



KUR’ANI DHE HADITHI



Kur’ani është fjala e fundit që është zbritur nga Zoti dhe burimi themelor i mësimeve dhe ligjeve islame. Ai merret me themelet e besimit, moralin, historinë e njerëzimit, adhurimin, diturinë, urtësinë, raportet Zoti – njeriu dhe raportet ndërmjet njerëzve në të gjitha pikëpamjet. Mësimet universale, në bazë të të cilave mund të mbështeten sistemet e shëndosha për drejtësi sociale, ekonomike, politike, ligj­dhënëse, jurisprudenca, ligjet dhe marrëdhëniet ndërkombë­tare janë përbërje të rëndësishme të Kur’anit të Shenjtë.

Muhammedi alejhisselam ka qenë njeri i pashkolluar që s’ka ditur as shkrim as lexim. Por, Kur’ani i Shenjtë është mësuar përmendsh dhe është shkruar prej as’habëve, nën kontrollin rigoroz të tij, gjatë jetës së tij. Teksti origjinal dhe komplet i Kur’anit është në dispozicion të çdonjërit në gjuhën arabe, në të cilën gjuhë edhe ka zbritur. Përkthimet e tij në shumë gjuhë janë në përdorim të gjerë. Hadithet, mësimet, fjalët si dhe veprat e pejgamberit Muhammed alejhisselam, janë të transmetuara dhe të përmbledhura në mënyrë të përpiktë nga shokët e tij besnikë, të cilat shpjegojnë dhe ndihmojnë në të kuptuarit e ajeteve të Kur’anit.



KONCEPTI I TË ADHURUARIT



Islami nuk mëson as s’akcepton ritualizmin formal (të thatë). Ai thekson qëllimin dhe veprimin. Ta adhurosh Zotin dtth. ta njohësh dhe ta duash Atë, të veprosh sipas ligjit të Tij në çdo pikëpamje të jetës, ta urdhërosh të mirën dhe ta ndalosh të keqen dhe shtypjen, ta praktikosh mëshirën dhe drejtësinë dhe t’i bësh shërbim Atij, i ke bërë shërbim njerëzisë. Kur’ani e prezenton këtë koncept në mënyrën madhështore si vijon:

“Nuk është bamirësi t’i ktheni fytyrat tuaja kah lindja dhe perëndimi, por bamirësi është ajo kur (njeriu) i beson All-llahut dhe Ditës së fundit, engjëjve, librave, të dërguarve dhe të cilët nga pasuria, përkundër që e duan, u japin të afërmve dhe bonjakëve, udhëtarëve dhe lypsarëve dhe për lirimin e robërve, që kryejnë namazin dhe ndajnë zekatin, dhe obligimin e vet kur e marrin e zbatojnë, si dhe ata që janë të durueshëm në skamje, në sëmundje dhe në kohë të luftës. Ata janë të cilët janë të sinqertë dhe ata janë, të cilët All-llahun e kanë ndërmend dhe druajnë nga sjelljet e këqija.” (el-Bekaretu, 77).



MËNYRA ISLAME E JETËS



Islami ka siguruar rregulla definitive për mbarë popujt që t’i përcjellin në të gjitha shtigjet e jetës. Porosia që e jep ai është e gjithanshme dhe përfshinë pikëpamjet sociale, ekonomike, politike, morale dhe shpirtërore të jetës. Kur’ani ia përkujton njeriut qëllimin e jetës së tij në këtë botë, detyrat dhe obligimet ndaj vetvetes, farefisit, shoqërisë, njerëzve dhe Krijuesit të tij. Njeriut i janë dhënë rregulla fundamentale rreth një jete qëllimore, kurse ai mbetet me vështirësitë e ekzistencës njerëzore për t’i realizuar ato ideale të larta në praktikë. Në Islam jeta e njeriut është e pastër, pjesë e integruar e nuk është përmbledhje fragmentare e pjesëve. Frika dhe shekullariteti nuk janë pjesë të ndara te njeriu, por ato janë të bashkuara në natyrën e qenies së tij.



PERSPEKTIVA HISTORIKE



Muhammedi alejhisselam u lind në vitin 570 të e.r. në qytetin Mekke të Arabisë. Rrjedh nga një familje fisnike; në moshën dyzetvjeçare ka pranuar shpalljen e parë. Menjëherë pas fillimit të predikimit të Islamit, ai me as’habët e tij kanë qenë të ndjekur dhe të detyruar të përballojnë vështirësi të mëdha. Së këndejmi, Zoti i ka urdhëruar atij të shpërngulet në Medine, qytet tjetër në Arabi. Gjatë kësaj kohe të shkurtër prej 23 vjetësh ai ka kryer misionin e tij të pejgamberllëkut, kurse ka vdekur në moshën 63 vjeçare. Ai ka jetuar një jetë të përkryer dhe është bërë shembull për të gjitha qeniet njerëzore, kurse jeta e tij ka qenë personifikim i mësimit të Kur’anit.



ISLAMI ËSHTË THIRRJE RACIONALE



Islami në qartësinë e vet dhe rrugën e drejtpërdrejtë të të shprehurit e të vërtetës, ka shumë atraktivitet për thirrje të të gjithë atyre që kërkojnë dituri.

Islami është zgjidhje e të gjitha problemeve të jetës. Ai është një këshillë për një jetë më të mirë dhe komplete që e madhëron, në të gjitha fazat e tij, Zotin, Krijuesin madhështor dhe Mbikëqyrësin e mëshirshëm.



NUMRI I POPULLATËS MUSLIMANE SIPAS STATISTIKAVE TË VITIT 1975:

miliona

Afrika 224.20

Azia 575.30

Evropa 20.00

Amerika Veriore dhe Jugore dhe Australia 4.00

gjithsej 823.50[1]



Numri i shteteve me mbi 50 për qind popullsi muslimane është 58.




ISLAMI – ZGJIDHJA MË E DREJTË E PROBLEMEVE MODERNE



Vëllazërimi i njerëzisë: Njëri nga problemet kryesore me të cilat ballafaqohet njeriu modern është racizmi. Popujt më të përparuar ekonomikisht në botë mund ta dërgojnë njeriun në Hënë, por nuk mund ta ndalojnë nga urrejtja dhe lufta me njëri-tjetrin. Islami ka treguar në praktikë në një mijë vitet e fundit, se si racizmi mund të marrë fund. Çdo vit, gjatë kohës së haxhit, mrekullia islame mbi vëllazërimin real te të gjitha racat dhe popujt mund të vërehet në vepër.

Familja: Familja që është njësia themelore e civilizimit është duke u çintegruar në të gjitha vendet e Perëndimit. Sistemi islam i familjes i mbanë në një baraspeshë të mirë të drejtat e mashkullit, femrës, fëmijëve dhe të farefisit. Islami e ushqen njeriun vetëmohueshëm, bujarisht dhe kërkon një sistem familjar të organizuar mirë.



QASJA FRAGMENTARE E JETËS


Qeniet njerëzore jetojnë sipas qasjes së tyre ndaj jetës. Tragjedia e shoqërisë shekullariste është mungesa e bashkimit të pikëpamjeve të ndryshme të jetës. Shekullaristët dhe fetarët, në pikëpamjen shkencore dhe shpirtërore duken sikur janë në konflikt. Islami e ndërpret këtë konflikt dhe sjell harmoni në vizionet e jetës njerëzore.


Përktheu nga anglishtja:
Shpresa Prekadini

--------------------------------------------------------------------------------

[1] Duke e marrë parasysh shtimin e popullsisë pas vitit 1975 dhe tendencën e kthimit në Islam në tërë botën, mendohet që popullata muslimane ka arritur rreth një miliard e gjysmë njerëz. N.I.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme