AGJËRIMI - EDUKATË DHE VETËNGADHËNJIM - 3

Libri i Zotit

Nuk ka dyshim se Ramazani është muaji i përkujtimeve… Në këtë muaj fisnik u zhvillua Beteja e Bedrit, e cila në të vërtetë ishte çasti vendimtar ndërmjet idhujtarisë dhe imanit, la­jthitjes dhe përudhjes, të keqes dhe të mirës, të pavërtetës dhe të vërtetës. Në këtë muaj është çliruar qyteti i Mekkes, me çka është siguruar fitorja e imanit dhe të vërtetës dhe me të cilën i Dërguari i Zotit e proklamoi politi­kën e dashurisë, pastërtisë dhe paqes. Në këtë muaj fisnik është edhe Nata e Kadrit, e cila është më e mirë se një mijë muaj të tjerë dhe në të cilën njerëzve u ndahet mëshira dhe falja e All‑llahut.

E ndër përkujtimet më të mëdha dhe më madhështore është Libri i Zotit, Librit i të vërte­tës që u shpall nga ana e Të Urtit dhe Të Lavdishmit.

Kur'ani fisnik u shpall në muajin e Rama­zanit, si përudhje botës dhe dallues i të vërtetës nga e pavërteta, që të bëhet ku­shtetutë e cila do ta rregullojë jetën e njerëzve dhe do t'i garantojë parimet e larta morale. Për moralin nuk ekziston kushtetutë më e qëlluar e as më cilësore se Kur’ani. Sikur të caktonim numrin e parimeve të mirësjelljes shoqërore në Kur’an, do të konstatonim se dy parime janë themelore: parimi i drejtësisë dhe parimi i mirëbërjes. Ç’mendoni, cili nga këto dy parime ka më shumë të drejtë ta prezentojë vlerën dhe cili është më i qëlluar për udhëheqjen politike të shoqërisë?

Është e saktë se çdo parim ka përparësitë dhe mangësitë e veta, çdonjëri ka rekoman­duesit dhe ithtarët e vet, ndërsa shumica e hulumtuesve konsiderojnë se dy librat më të hershëm (Tevrati dhe Inxhili sh.p.), në mënyrë tejet rigoroze i kanë ndarë këto dy parime, prandaj Tevrati e ka marrë atë që është më e fortë dhe vendimtare, ndërsa Inxhili atë që është më e butë dhe mëshiruese.

Pa marrë parasysh atë sa është kjo ndarje e saktë ose jo, Kur’ani i ndershëm që i unjëson të gjitha vlerat e mëhershme dhe që në mënyrë koncize i shpjegon parimet e njohu­­ra të mirësjelljes pozitive, i jep të dy këto parime në një kontekst, duke i flakur kundër­thënien dhe rivalitetin eventual që ekzistonte midis tyre dhe duke ia përcaktuar secilit prej tyre fushën e tij të veprimit dhe kompetencës.

Sa i përket drejtësisë, Kur’ani iu bë pish­tar gjykatësit dhe sunduesit, çdonjërit i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë është përgjegjës për diçka dhe çdo ane të tretë që e merr mbi vete rolin e ndërmjetësit. Po, ky është terren ku asnjë vlerë tjetër përveç drejtësisë nuk ka vend. Këtu nuk ka vend as për mëshirë e as për falje, në të vërtetë, këtu këto dy cilësi do të ishin një e keqe e vërtetë dhe padrejtësi e dukshme. Është e padyshimtë se shumica e ajeteve kur’anore që e lavdërojnë drejtësinë, e madhërojnë, urdhërojnë dhe nxisin në të, janë të theksuara në lidhje me marrjen e aktven­di­mit të gjykatës dhe me “shqiptimin e dëni­mit”, “...dhe kur të gjykoni ndërmjet njerëz­ve, gjykoni drejt!” (En-Nisa, 58), “…prandaj, gjyko me drejtësi te njerëzit dhe mos u jep pas ndjenjës…!” (Sad, 26).

“… nëse binden, atëherë pajtoni ata pa e mbajtur anën e askujt dhe bëhuni të dre­jtë!" (Huxhurat, 9), “…por, nëse i gjykon, gjykoi drejt…!” (El-Maide, 42).

Po qe se e përcjellim porosinë e Kur’anit për marrëdhëniet ndërnjerëzore, do të kon­statojmë se Kur’ani të hequrit dorë nga e drej­ta e cila u përket të tjerëve dhe faljen për pa­drejtësinë e shkaktuar, i bën vlera që meritoj­në lavdërim.  Mirëpo, kur bëhet fjalë për bara­zi­min e të drejtave dhe përgjegjësitë që dalin nga kjo, nuk e sjell asnjë fjalë të vetme të lavdit.

Këta kufij rigorozë që i ka përcaktuar Kur’ani ndërmjet sferës së drejtësisë e bara­barësisë dhe sferës së mirëbërjes e mëshirës, i gjejmë plotësisht qartë të paraqitur në prob­lemin konkret të cilin Kur’ani herën e parë e dorëzon në duart e organit kompetent dhe ia urdhëron përpikërinë dhe drejtësinë, ndërsa herën e dytë e lë në duart e atij, e drejta e të cilit është në pyetje, dhe i urdhëron mëshirë e mirëbërje. Ky është problemi i shpifjes ndaj muslimaneve të panjolla, njëherit shohim se si Kur’ani i urdhëron sunduesit që këtë çështje ta marrin me seriozitet dhe vendosmëri të madhe dhe atë që bën shpifje ta dënojë me 80 të rëna. Kurse herën tjetër shohim se si për shembull i urdhëron atij, e drejta e të cilit është në pyetje, që problemit t’i qaset but: “Mos ta lëshojnë rastin ata që kanë pasuri dhe mjete nga ju, t'u japin të afërmve dhe të ngratëve, edhe atyre që për hir të All‑llahut kanë lënë vendlindjen e vet; le t’ua falin dhe mos t’ua zënë për gabim! A dëshironi që edhe juve All‑llahu t’ua fal? All‑llahu fal dhe është shumë i mëshir­shëm.” (En-Nur, 22).

Mirëpo, këtu tash imponohen dy çështje me rëndësi:

E para:

Nëse është e saktë se shumica e tekstit kur’anor me të cilin lavdërohet dhe urdhërohet drejtësia e theksuar në lidhje me gjykimin e njerëzve, është po ashtu e saktë se në Kur’an ka edhe tekste të tjera që përgjithësisht e udhërojnë drejtësinë dhe nuk e kufizojnë vetëm në rastet e ndarjes së drejtësisë: “All‑llahu urdhëron drejtësi dhe mirë­bër­je…!” (En-Nahl, 90), “… bëhuni të drejtë, ajo është më së afërmi devotshmërisë…!” (El-Maide, 8). Për këtë arsye shtrohet pyetja përse drejtës­inë nuk e pranojmë edhe më gjerë, në mënyrë që ajo të bëhet vlerë me të cilën njeriu frymëzohet në të gjitha kontaktet e tij me të tjerët, të cilën e posedon edhe gjatë të gjykuarit?

Përgjigjja është se këto tekste, madje si­kur të merren edhe përgjithësisht me drejtës­inë, e cila kërkohet nga ne në mirësjellje, me­doemos nënkuptojmë domethënien e saj pozitive, e kjo është dhënia e plotë e të drejtës dhe me asgjë e cenuar atij të cilit ajo i takon, derisa në asnjë rast nuk mendohet në domethënien e saj negative. Kjo do të thotë mungesë e tepricës të cilën ndokush e bën nga mirësia dhe fisnikëria, sepse në rastin kur dëshirohet të ndalohet teprica, atëherë im­perativi i drejtësisë do të ishte i pavlefshëm dhe jo i plotë në krahasim me imperativin e mirëbërjes. Si do të të motivojë Kur’ani që ta marrish të drejtën tënde të plotë, e që njëko­hësisht të të urdhërojë që të heqish dorë nga ajo, ta japish si lëmoshë dhe t’ia dhurosh di­kujt? Nëse në mirësjellje kërkohet drejtësia, atëherë kjo nuk do të thotë barazim midis asaj që e merr dhe asaj që e jep, sepse me këtë nuk do të cenohet e drejta e askujt, e sa i përket tepricës së pjesës së caktuar që vjen nga fisnikëria dhe mirësia, është në natyrën e drejtësisë së kërkuar që mos ta ndalojë as ta mohojë.

E dyta:

Nëse e pranojmë parimin e faljes dhe mëshi­rës, parimin e butësisë dhe konsid­era­tës si vlerë e veçantë kur’anore dhe e përvetë­soj­më si parim i përgjithshëm në marrëdhëniet e ndërsjella midis njerëzve, atëherë kjo auto­matikisht do të na shpie deri te ajo që ta shfu­qi­zojmë dënimin dhe shpërblimin… Shtrohet pyetja se a është kjo vërtet politikë e shën­doshë mbi të cilën mund të ndërtohet sho­që­ria, apo ndoshta më tepër do të shpie çorien­tim? Paramendoje shoqë­rinë në të cilën ceno­hen të drejtat, nuk kryhen obligimet, bëhen shkel­je të ndryshme dhe shkaktohet padrej­të­sia, ndërsa anëtarët e saj fshihen njëri pas tjetrit njëkohësisht duke ia falë njëri-tjetrit. A nuk është ky kaos i vërtetë? A nuk është kjo nxitje tiranëve dhe njerëzve të mbrapshtë që të shkaktojnë rrëmujë? Nëse kjo politikë ka qenë e drejtë për një grup të caktuar dhe për një kohë të caktuar, si do të pranohet ajo për kod të përhershëm botëror? Si do të jetë kjo gjykatë e shenjtë qiellore?

Ngadalë, ngadalë, o ti që shtron pyetje! E ke kapërcyer kufirin në të rrëfyer! Madje, e ke ndërruar një situatë me një situatë tjetër. Ende jemi shumë larg nga ajo që urtësia e Kur’anit ta motivojë për falje keqbërësin aq mizor, të rreptë e shpirtkeq, e të cilin butësia dhe mëshira edhe më shumë e nxjerrin nga takti. Kjo është një vepër e keqe, falja e së cilës nuk është e drejtë as e imja as e jotja, sepse dëmi i saj nuk përkufizohet vetëm në personalitetin tënd apo timin, porse sëmundja e saj, po qe se zgjerohej, do të mund ta shkatërronte mbarë shoqërinë. Heshtja me rastin e deliktit të tillë paraqet delikt sikur vetë ai, ndërsa po qe se hakmerremi, kjo nuk do të thotë hak­marrje ndaj tij, por hakmarrje në emër të drej­të­sisë së Zotit, në emër të drejtësisë së mbarë bashkësisë njerëzore.

Situata të cilën e theksove, nuk është lëndë shqyrtimi në të cilën ti je njëra nga palët e interesuara, por kjo është lëndë e përfaqë­si­mit, ku ti je mbrojtës i dispozitave të All‑llahut dhe nuk lejon që të shkelen ndalesat e Tij. Kjo është fushë e ndalimit të ndërsjellë dhe kolektiv të të vërtetës. Kjo është pozita e mënjanimit të rrëmujës për të cilën All‑llahu thotë: “Sikur All‑llahu të mos i zbrapste njerëzit, njërën palë me të tjerët, më të vërtetë në tokë do të shkaktohej rrëmu­jë…!” (El-Bekare, 151). Nuk ekziston droja që falja për ofendim që është shkaktuar ndaj teje të përhapet asisoj. Kjo është falja e mëkatit që bëhet pa qëllim, e këtu butësia dhe mëshira janë ilaçi i vetëm i mirë dhe i do­bishëm. Kjo, në të vërtetë, është sikur shkën­dija që bie në ujë, me ç'rast bëhet e ftohtë dhe e qetë.

“Të keqën ktheje me të mirë, kështu që armiku yt menjëherë do të bëhet mik yti i sinqertë!”. (Fussilet, 34).

Nata e vlefshme

Nxënësi i tha profesorit të tij: Profesor i ndershëm, na thuani ku qëndron fshehtësia e këtij respekti të madh, me të cilin muaji i Ramazanit dallohet nga muajt e tjerë të vitit?

Profesori: Sepse, “Në të është shpallur Kur’ani”, -siç thotë All‑llahu xh.sh.

Nxënësi: E mirë, a nuk është shpallur diç nga Kur’ani në ndonjë muaj tjetër pos Rama­zanit?

Profesori: Gjithsesi, Kur’ani është shpallur në çdo muaj, por ishte pikërisht muaji i Rama­zanit kur meleku, Xhibrili, për herë të parë i erdhi Muhammedit a.s., i cili lutej në shpellën Hira. Kjo ishte kthesa vendimtare ndërmjet dy periudhave dhe pika e parë e mëshirës së All‑llahut e cila erdhi që t’i nxjerrë njerëzit nga errësira në dritë, nga lajthitja në rrugën e dre­jtë, nga fatkeqësia në të mira…! Ky shi fisnik ka rënë 23 vjet, derisa All‑llahu nuk e plotësoi fenë e Tij dhe nuk e bëri të përkryer begatinë, duke e përfunduar shpall­jen e kësaj këshille e vërejtjeje të urtë… Do të thotë, vetë nisma e shpalljes së Kur’anit ka qenë fryti i parë i kësaj begatie të madhe dhe kujtimi për të është i lidhur me ditën e shpall­jes së tij. Për këtë, kur do të vijë muaji i Ramazanit, na kujtohet kjo dhuratë dhe Ai që e dhuroi, duke e shprehur mirënjohjen tonë dhe duke e përtërirë lo­jalitetin tonë ndaj Atij dhe Shpalljes…

Nxënësi: A mos ky hap i parë i shpalljes kur’anore ka zgjatur gjatë tërë muajit të Ramazanit të parë?

Profesori: Jo, ky ishte vetëm një çast të cilin e lindi muzgu i një nate të tij.

Nxënësi: E përse atëherë ne e festojmë tërë muajin? A nuk mjafton ta festojmë vetëm këtë natë të jashtëzakonshme?

Profesori: A mendon se drita që është shfaqur atë natë ka qenë aq e dobët, saqë nuk ndriçoi asgjë më shumë pos vendit ku u lind? Jo, ajo ka qenë aq e fortë saqë një muaj s’ka mundur ta përfshijë. Ajo, në të vërtetë, e ka përfshirë tërë kohën…!

Nxënësi: Kjo është në rregull, por ne po dëgjojmë se si All‑llahu në Librin e Vet e madhëron muajin Ramazan, e nëse netët tjera të Ramazanit e kanë këtë nderë për shkak se gjenden në muajin e natës në të cilën u shpall Kur’ani, a nuk ka qenë atëherë më parësore që Kur’ani ta madhërojë këtë natë sikur që e madhëron tërë këtë muaj?

Profesori: Po, pikërisht kështu është. All‑llahu në Librin e Vet një herë e përmend muajin e Ramazanit, derisa natën e njëjtë e përmend dy herë dhe i jep dy emra: "Nata e bekuar": “Ne atë e zbritëm në një natë të bekuar…!” (Ed-Duhan, 3), dhe "Nata e vlef­shme", në të cilën është shpallur kaptina në tërësi: “Ne e shpallëm atë në Natën e Kadrit (të Vlefshme)…!” (El-Kadr, 1).

Nxënësi: E sa është dallimi në vlerë ndërmjet veprave të mira që bëhen atë natë të vlefshme dhe veprave të mira që bëhen gjatë netëve të tjera të Ramazanit?

Profesori: Këtë do të ta shpjegoj në këtë mënyrë. A nuk e di se vlera e veprës shumëfishohet me dhjetra ose qindra herë? A do të pajtohesh me mua kur të them se vlera e veprës në Natën e Kadrit e kapërcen vlerën e veprës nga tridhjetë mijë net të tjera?

Nxënësi: Nuk jemi mësuar ta teproni… tridhjetë mijë net? Prej nga kjo te ju?

Profesori: Prej Librit të Zotit. Lexo vetë: "Nata e Kadrit është më e vlefshme se..!”, nuk ka thënë "…se një mijë net, por se një mijë muaj".

Nxënësi: A është kjo edhe sot e arrit­shme, respektivisht për çdo Ramazan? A nuk ka qenë kjo e veçantë për atë natë në të cilën Kur’ani u shpall për herë të parë?

Profesori: Sikur të ishte në lidhje me këtë natë sikur që mendon ti, respektivisht sikur vlera e saj të ishte në natën në të cilën Kur’ani u shpall për herë të parë, atëherë edhe vetë Kur’ani për të do të fliste si për ndonjë ngjarje historike që ka ndodh dhe ka kaluar, pra do të thosha se ka qenë më mirë, se në të kanë zbritur melekët, mirëpo, ai për të flet si për diç që zgjat e përsëritet dhe thotë se ajo është më e mirë, se është paqe dhe se në të zbresin melekët dhe Xhibrili. E kjo do të zgjasë deri atëherë kur në Tokë do të ekzistojë grupi që i përmbahet të vërtetës…! E dimë se Ai alejhis­selam dhe shokët e tij këtë natë të bekuar e kanë kërkuar çdo vit në Ramazan.

Nxënësi: E kanë kërkuar?! A nuk është kjo nata konkrete e njohur nga Ramazani i parë, nata e cila përsëritet në mënyrë mirë të përcaktuar çdo vit?

Profesori: Ajo nuk është cikël mekanik kozmik. Ajo është dhuratë hyjnore, me të cilën All‑llahu e bekon atë natë në të cilën dëshiron t’i zbresë melekët dhe Xhibrilin. Nata e parë e Kadrit, që është e para e Shpalljes, ka rënë në natën e shtatëmbëdhjetë të muajit Ramazan, ashtu si e transmetojnë historianët dhe e kon­firmojnë komentuesit, duke u bazuar në ajetin e kaptinës “El-Enfal”, “…Nëse i besoni All‑llahut dhe asaj që ia kemi shpallur robit tonë, ditën e dallimit të mirës nga e keqja, ditën kur u ballafaquan dy grupe…!” (El-Enfalë, 41), ndërsa dita kur janë ballafaquar dy grupet, respektivisht ushtritë, ka qenë Dita e shtatëmbëdhjetë e Bedrit. Mirëpo, ajo pas kësaj është translocuar, madje edhe gjatë ko­hës së Të Dërguarit dhe shokëve të tij kështu që ka rënë në natën e njëzetenjëtë, njëzetetretë, njëzetepestë dhe njëzeteshtatë. Ubejj b. Ka’bi është betuar, siç transmeton Muslimi, se ka qenë natën e njëzeteshtatë. Por, kjo sigurisht ka të bëjë me një vit të cak­tuar, mirëpo, të gjithë këtë e kanë marrë si kohë të përcaktuar.

E ti, a do të lejoje, sikur kjo natë të binte ditën konkrete e të caktuar çdo vit, t’i drejto­hesh All‑llahut vetëm në atë ditë, e ditëve të tjera jo? Ç’po të pengon që gjatë netëve të fundit të këtij muaji më me përkushtim ta përkujtosh dhe ta falënderosh All‑llahun, dhe të sillesh në mënyrë më njerëzore ndaj krije­save të Tij? Ky është rast i cili meriton konsid­eratë më të madhe dhe një përkushtim më të thellë. Sa bukur dikush për të ka thënë: “Ajo është natë e vlefshme në të cilën është shpallur Mus’hafi i vlefshëm. I është shpa­llur Të Dërguarit të vlefshëm nga populli i vlefshëm. Në të zbresin melekët dhe Xhibrili me lejen e Krijuesit të tyre. Siguria dhe paqja zotërojnë me të deri në gdhirje të agimit.”

All‑llahu në këtë natë të bekuar na dhashtë shëndet, siguri dhe paqe. 

Festat islame

Popujt e hershëm festat e tyre i shënonin dhe kalonin në shenjë të argëtimit të shfrenuar, lojës, pijeve, dëfrimit, zhurmës dhe rrëmujës. Ndërkaq, disa religjione të vjetra festat e tyre religjioze i shënonin si rivista të shfrenimit dhe anarkisë morale. Në anën tjetër, gati krejtësisht të kundërt të spiritualiz­mit asketik, shohim se disponimi festiv është manifestuar nëpërmjet përsëritjes së përkuj­ti­meve, ceremonive dhe lutjeve të shenjta.

Islami, kufijtë e të cilit janë të mesëm dhe kriteret të drejta, me ardhjen e tij hodhi dritë të re mbi idenë e festës. Ai i largon njerëzit nga shfrenimi material dhe rigorozisht spiritual, duke i marrë anët e mira ndërsa duke i sho­qëruar, natyrisht, elemente të reja, ashtu që tërë kjo jep kuptim më të lartë, një pamje më të bukur e më të plotë që është shprehje e pastërtisë, dinjitetit, bujarisë dhe mirësjelljes. Kjo është ideja e festës në Islam.

Gjëja e parë që e karakterizon festën islame është ngjyrosja shpirtërore. Mirëpo, shpirti i tij nuk është memec ose i padëgjue­shëm, ai klith dhe është plot hov. Dëgjoje këtë himn i cili shtrihet nëpër rrugë nga goja e atyre të cilët shkojnë ta falin namazin e Bajramit, dëgjoje në xhamia në gojën e musal-live, dëgjoje nëpër shtëpi në ditët e tekbiri teshri­kut, dëgjoje në Mine nga goja e haxhinjve gjatë kohës së hedhjes së guralecave në xhemret. Kjo është klithmë që del nga shpirti, me qëllim që ta shprehë kënaqësinë dhe gëzimin e përfundimit të rrugëtimit të sukses­shëm, rrugëtimit të agjërimit ose haxhit. Ky është simboli i fitores së arritur në rrugën e kaluar, si dhe simbol i vendimit për vazhdim drejt rrugës së fitores shpirtërore në sprovimet e ardhshme…! “All‑llahu ekber ve li-l-lahi-hamd!”

Islami kërkon që kjo thirrje shpirtërore të manifestohet në pikëpamjet e dekorit e të bu­kurisë së jashtme dhe në atmosferën e mirë­qenies e komoditetit, natyrisht, me maturinë e nevojshme.

Po, obligimi i shtrëngimit të rripit dhe përmbajtjes është haraç që ka qenë i respek­tuar gjatë kohës së agjërimit dhe haxhit, por kur të vijë Bajrami mos thuaj se është e lejuar ajo çka ka qenë e ndaluar, por thuaj se është bërë e obligueshme ajo çka ka qenë e ndaluar dhe e ndaluar ajo që ka qenë e obligueshme. Po, sot nuk ka agjërim, sot nuk ka ndalesa të ushqimeve dhe të pijeve të mira e të lejue­shme: “Hani dhe pini të gëzuar për atë që në ditët e kaluara e keni fituar.” (El-Hakka, 24).

Sot nuk ka ngurrim në dekor kështu që çdokush le të veshë e le të mbathë gjërat më të mirat që i ka dhe në vete le të tregojë shenjën e bekimit të Zotit, sepse kjo është dita e arritjes së bekimeve. Sot nuk ka seriozitet as përmbajtje nga loja dhe argëtimi i lejuar. Autorët e Sunnetit transmetojnë se Enesi r. a. ka thënë: “I Dërguari erdhi në Medine ndërsa medinasit i kishin dy ditë që i ka­lonin në lojë dhe argëtim dhe pyeti: Ç’janë këto dy ditë? Ata iu përgjigjën se në to kanë luajtur edhe janë argëtuar në peri­udhën paraislame. Me këtë rast I Dërguari shtoi: All‑lahu këto dy ditë ua zëvendësoi me ditë më të mira: me Bajramet e Rama­zanit dhe të kurbanit…!”

Muslimi transmeton se Aisheja, radijall-llahu anha, ka thënë: “I Dërguari hyri tek unë në Bajram e në dhomën time ishin dy robëresha që këndonin. Ai nuk tha asgjë, vetëm u shtri në shtrat dhe e ktheu kokën. Pastaj hyri Ebu Bekri dhe duke më qortuar tha: Fyelli i djallit në shtëpinë e Të Dër­guarit, a? Ndërsa I Dërguari iu përgjigj: Lëri, o Ebu Bekër! Çdo popull ka festat e veta, e kjo është festa jonë. Aisheja r. anha në vazhdim tha: Zezakët kanë muzikuar lojëra me mburojë dhe shtizë, e unë e pyeta Të Dërguarin, ndërsa ai më tha: A dëshiron të shikosh? U përgjigja: Po. Atëherë ai më mori dhe më vuri pas vete, ashtu që kam qenë e mbështetur në kra­harorin e tij dhe kam mbetur ashtu derisa nuk u mërzita. Më tha: A të mjaftoi kjo? - ndërsa unë u përgjigja: Po!”

Nuk do ta lëshoj rastin që në lidhje me këtë lojë në të cilën u dha shenjë në thënien e Aishes r.a., të them se kjo nuk është vetëm lojë e lejuar, por, nëse qëllimi është korrekt, është aktivitet në të cilin Islami thërret dhe nxit, siç e nxit shënjimin, notin, kalërimin, vrapimin dhe llojet tjera të sporteve të do­bishme, sepse ato atij që merret me to ia ndriçojnë dhe zhvillojnë vullnetin dhe i siguroj­në rrezistencë trupit, në të vërtetë prej tij bëjnë njeri të fortë, ushtar i cili është i gat­shëm ta mbrojë fenë dhe atdheun. E ne kemi nevojë të madhe që gjatë kohës së festave tona, t’i gjallërojmë këto tradita të bukura.

Kështu në festat islame takohen spiritu­aliteti i hovshëm e i lartë dhe dobia e materi­ali­teti i bukur, i pastër e i padjallëzuar. Mirëpo, Islami nuk kënaqet vetëm me këto dy ele­mente të festave të veta, prandaj i forcon edhe me elementin e tretë, më të fortin dhe për Islamin më të dashurin. Ajo është ana so­ciale-humanitare e cila nëpërmjet inkuadrimit të institucionit të zekatit në Bajramin e Rama­zanit dhe të sakrificës së kurbanit në Bajramin e kurbanit, nga i gjithë populli bën një trup: “Prandaj falu dhe ther kurban…!” (El-Kew­ther, 2), “Ka shpëtuar kush është pastruar dhe e përmend emrin e Zotit të vet dhe falet, ” (El-A’la, 14-15).

Shpeshherë me penë dhe me fjalë u kam bërë thirrje vendeve islame dhe institucioneve të tyre sociale, që në mënyrë të organizuar t’i qasen tubimit të këtyre mjeteve materiale të shpërndara anekënd vendeve të ndryshme dhe t’ua shpërndajnë atyre, e drejtë e të cilëve është, e pastaj ajo që mbetet të deponohet në projekte të mëdha shoqërore. Shpeshherë kam apeluar te përgjegjësit në Egjipt dhe ven­det tjera islame, që veçmas për Bajram ta fillojnë fushatën e cila ka për qëllim t’i zbrazë rrugët publike, oborret e xhamive dhe hyrjet e shtëpive nga duart e shtrira të lypsarëve, sepse pozita e mjerë e tyre paraqet turpin tonë që mjegullon bukurinë e Bajramit dhe njëkohësisht është nxitje sistemit ideal që e solli Islami, që popujt të shpëtojnë nga kjo tragjedi.

Më parë kam bërë thirrje dhe kam ftuar, ndërsa sot po e përsëris thirrjen dhe vërejtjen: “Dhe vazhdo e këshillo, se këshillimi me të vërtetë u bën dobi besimtarëve!”. (Edh-Dharijat, 55).

Lamtumirë Ramazanit

Kur Ramazani e paralajmëron shkuarjen e vet, ne jemi në gjendje vetëm të themi, Sub­hanallah! Sa shpejtë po shkon kjo jetë! Sa shpejtë po kalojnë ditët dhe netët! Sikur të ishin gjethe vjeshtore të cilat i valëviti era e fatit! E, a thua nuk është e tërë jeta asgjë tjetër pos disa çaste? Po, jeta është vërtet vetëm ëndërr, ndërsa amshimi dhe për­hershmëria i takojnë atij që është i amshue­shëm: “Çdo gjë që gjendet në të është e kalueshme, dhe mbetet vetëm Zot yt, i Madhërishmi dhe i Nderuari!” (Err-rrahman, 26-27).

Ku na iku muaji i Ramazanit?! A nuk ishte vetëm para disa çasteve me ne? A nuk na i ka mbushur veshët dhe sytë tanë? A nuk ishte ai të folurit e mimbereve tona, dekor i minareve tona, mall i tregjeve tona, lëndë e bisedave, shoqëri e natës e takimeve tona, jeta e xhamive tona? E ku është tash?

Ja atje, po e këput perin e fundit që do ta nxjerrë nga horizonti jonë, ja atje po lufton me frymën e fundit dhe dëshiron ta lëshojë para nesh. Pra, devotshmëria jonë e jashtëzakon­shme kaloi, u heshtën zërat e bilbilave nëpër degë…! All‑llahut çdo gjë i kthehet.

O Ramazan…!

Sa i madh është ndryshimi ndërmjet dy ditëve tua, ditës së ardhjes dhe ditës së shkuarjes sate.

Të kemi pritur me sy dhe zemër të hapur, të kemi pritur me gëzim, hare dhe shpresë. Kemi dëshiruar të na vijë pastërtia jote në të cilën do të këndellen shpirtrat tanë, sepse kanë qenë të ndryshkur e të tharë. I jemi gëzuar çastit të ardhjes sate, sepse ajo do të thotë pajtim me Krijuesin tonë, nga i cili një kohë të gjatë kemi qenë të kthyer. Sa kemi dashur të jemi besnikë, sa kemi shpresuar të jemi të fortë në mirëbërësinë tënde.

E sot kur po përshëndetemi me ty, shpirt­rat na janë plot frikë e turp, plot keqardhje e pikëllim. Nuk e dimë sa të kemi qenë të besueshëm, nuk e dimë sa e kemi realizuar shpresën tënde. Sikur ta dije si na gjete? Dhe çka më vonë ke marrë me vete nga kujtimet me ne? A e ke pranuar arsyetimin e atyre të cilët kanë kërkuar falje? A je i kënaqur me agjërimin e agjëruesve? A të ka pëlqyer na­mazi i faltarëve?

Sa i madh është numri i atyre të cilët të janë arsyetuar me punët dhe obligimet e tyre. Sa i madh është numri i atyre të cilët janë ar­syetuar me dobësitë dhe sëmundjet e tyre. Por, për Zotin, as trupin s’e kanë patur të sëmurë, as mundësitë të dobëta. Në pyetje është sëmundja e zemrës, poshtërsia e shpir­tit dhe mungesa e vullnetit. I ka tradhtuar kon­sekuenca e tyre, prandaj as që kanë tentuar ta ngadhënjejnë pengesën, por kanë ikur nga fushëbeteja para epopesë lavdiplotë dhe vet­veten që më herët e kanë gjykuar me shkatërrim.

Lërini tash le ta ndiejnë pikëllimin e dhemb­jes dhe le ta gëlltisin zemërimin e pendi­mit, kur të shohin se shokët që janë ballafaquar me sprovimin, nga i njëjti kanë dalë si ngadhënjimtarë dhe asgjë nuk u ka munguar, në të vërtetë vetëm ua ka përforcuar fenë, fu­qinë dhe ju ka treguar se frika e tyre ka qenë vetëm iluzion i thjeshtë dhe mashtrim i djallit.

O Ramazan…!

Thuaju atyre të cilët u mashtruan kësaj here, që mos të lejojnë të mashtrohen edhe herën e dytë! Në lamtumirën tënde thuaju: “Ai i cili e ka lëshuar rastin në ditët e mia, le ta kompensojë në të tjerat!”. Thuaju atyre se dyert e pendimit janë të hapura gjerë: “Ai, i cili bën ndonjë të keqe ose bën mëkat ndaj vetes e pastaj lut All‑llahun që t’ia falë, do të bindet se All‑llahu fal dhe është i mëshirshëm.” (En-Nisa, 110).

O muaj i agjërimit, druaj se mos shumë namazfalësve dhe agjëruesve në libërthin tënd u ke shënuar gjëra më të rënda se që u ke shënuar shumicës të cilët nuk kanë agjëruar e as nuk janë falë, sepse kaherë është thënë: “Shumë mëkate të cilat sjellin përçmim dhe pendim janë më të mira se respekti i cili shpie në mendjemadhësi dhe krenari.” Për këtë, nëse joagjëruesit e pranojnë mëkatin e tyre dhe vendosin të jenë më të vendosur, kanë të drejtë që me pendim t’i drejtohen All‑llahut xh.sh. E sa u përket atyre mendjemëdhenjve, të cilët konsiderojnë se me largimin nga ushqimi dhe pijet i kanë plotësuar të gjitha obligimet dhe detyrat e tyre ndaj Teje, por gjatë kohës së agjërimit nuk e kanë lënë përgojimin, me të vërtetë janë mëkatarë. Pendimi është larg tyre, sepse ata bile as që konsiderojnë se kanë bërë mëkat.

A nuk e dinë ata se All‑llahu, kur fëmijëve ua ka ndaluar që prindërve të tyre t’u drejtojnë çfarëdo fjalë shqetësuese dhe bezdisjeje, me këtë ka dashur që t’i largojë nga llojet tjera të ofendimit dhe dhunës të cilat vijnë pas tyre, dhe se, gjithashtu, kur agjëruesve ua ka nda­luar pijet dhe ushqimet e lejuara, ka dëshiruar që kjo të jetë shkalla kulmore e pastërtisë dhe ngritjes nga të ndaluarit dhe mëkatet të cilat para kësaj i ka ndaluar si mëkate? A është e kuptueshme që agjëruesit t’i ndalohet të përgjigjet në ofendimet dhe shqetësimet, e t’i lejohet që ai të fillojë të ofendojë dhe shqetësojë dikë?

A nuk është agjërimi, siç kemi dëgjuar, pastërtia kulmore? E si do t’i sendërtojë syni­met kulmore të asaj pastërtie, ai i cili nuk i ka sendërtuar të parat?

Vëllezër agjërues…!

Uluni pak me mua që të riprovohemi para se të pyetemi! A mos kemi harruar se kandari i veprave është i saktë dhe se I Drejti Absolut i sheh të gjithë. Si do të përgjigjeshim sikur të na thuhej: “Keni llomotitur dhe paturpshëm keni folur gjatë agjërimit. Keni qenë të pa­kujdesshëm në namaz”. E kush nga ne nuk ka llomotitur gjatë agjërimit dhe kush ka qenë i pakujdesshëm në namaz?

Shfrytëzoni këto çaste dhe pastroni zem­rat tuaja me pendim, ngritni duart tuaja dhe përsëritni pas meje: “O Zoti ynë, ne dëgjuam një të dërguar i cili na thërriste në besim 'Besoni Zotit tuaj!'- dhe ne besuam. O Zoti ynë, na fal mëkatet tona, zbuti veprat tona të këqija dhe bëna të vdesim me ata të mirët. O Zoti ynë, na jep atë që na e ke premtuar me anë të pejgamberëve Tu dhe mos na pikëllo në Ditën e Kijametit! Ti me siguri e përmbush premtimin tënd”. (Ali Im­ran, 193-194).

Përcillne Ramazanin, atë musafir fisnik ashtu si përcillet musafiri i vërtetë. Ta dini se musafiri i vërtetë nuk përcillet vetëm me se­lame, por me dhurata dhe gjëra të vlefshme. Por, a e dini se cilat janë dhuratat për këtë musafir tuajin? Zekatul-l-fitri. Ai e pastron agjërimin tuaj, ai i pastron shpirtrat tuaj, ai i pas­tron punët tuaja...

Ta lusim All‑llahun t’i pranojë veprat tona të mira dhe të na shpërblejë me sinqeritet në të gjitha ndërmarrjet tona.

Amin… Amin…!

 

 

Titulli në original: Es-Sawmu – terbijjetun we xhihadun

Përktheu nga gjuha arabe: Mes’ud Hafizoviq

Shqipëroi nga boshnjakishtja: Nexhat Ibrahimi

 

PASTHËNIE

Përshkrim i shkurtër i jetës dhe veprës së dr. Muhamed Abdullah Drazit

 

Dr. Muhamed Abdullah Drazi i përket plejadës së atyre mendimtarëve, të cilët me jetën dhe veprën e tyre kanë lënë gjurmë të thella në teorinë dhe praktikën muslimane.

Për fat të keq, nuk disponojmë me të dhëna të hollësishme që kanë të bëjnë me jetëshkrimin e tij, por edhe ato të paktat mjaftojnë për shkak të veprimit pozitiv të tyre në brezat e ardhshëm.

Dr. Drazi shkollimin fillor, të mesëm dhe atë universitar e kreu në Universitetin e mirënjohur të Kajros, “El-Ez'her”, ku ende ishin të freskëta idetë dhe veprat e kolosëve islamë, Muhamed Abduhu-së, Kevakibit, Mu­hamed Rashid Ridasë, Meragisë e të tjerë. Pas kësaj shkoi në Francë ku brenda një kohe relativisht të shkurtër doktoroi në Universitetin e Sorbonës. Pas kthimit në Egjipt filloi të punojë si profesor në Fakultetin e Gjuhës Arabe në Universitetin “El-Ez'her”. Së shpejti u vërejt se në të fshehej një shkencëtar pro­duktiv. Puna e tij u kurorëzua me një varg suksesesh, si në punën me studentët ashtu edhe në planin e fjalës së shkruar. Për fat të keq, në kohën kur prej tij pritej më së shumti, ai ndërroi jetë. Interesi i tij për diturinë dhe hulumtimet e tij mbetën të papërfunduara, por me një porosi të madhe: Çdoherë dhe në çdo vend duhet dhënë maksimumin! Në atë kohë në Pakistan mbahej Konferenca për Hulum­timet Islame, ku dr. M. A. Drazi ishte ndër pjesëmarrësit më të suksesshëm në këtë tubim, të fundit për të.

Në vazhdim do t’i theksojmë titujt e disa nga veprat më të rëndësishme të tij:

- Vepra “Lajmi i madh” flet për Muham­medin alejhisselam, për fenomenin e Vahjit, respektivisht Shpalljes, për domosdonë e be­simit dhe për shëmbëlltyrën e Muhammedit alejhisselam në çdo pikëpamje.

- Vepra “Pikëpamjet e Islamit” në mënyrë plastike, burimore, shkencore dhe origjinale flet për Islamin dhe shikimin e tij uni­versal mbi botën, natyrën, shoqërinë dhe idenë.

- Vepra “Feja – hulumtimet hyrëse në të studiuarit e historisë së feve”, autorin na e paraqet si njohës jo vetëm të mësimit islam, por edhe si njohës të shkëlqyeshëm të mësimeve të ndryshme fetare, zhvillimin e tyre historik, thelbin dhe tendencat brenda tyre si dhe figurat kryesore të këtyre doktrinave dhe tendencave.

Në fund po e përmendim edhe veprën “Agjërimi – edukatë dhe xhihad”, të cilën njëkohësisht po ua japim të përkthyer në gju­hën tonë. Kjo vepër për të gjithë ne paraqet freski të rrallë dhe frymëzim të pashtershëm për çdokënd: për të rinjtë dhe të moshuarit, për intelektualët e për shumë të tjerë. Autori, siç mund të vërehet, ka depërtuar në thellësitë e shpirtit të njeriut tonë musliman, në një mënyrë jashtëzakonisht të qëlluar e ka studi­uar mentalitetin dhe dobësitë tona, me ç'rast propozon ide konkrete të bazuara në Kur’an, Sunnet dhe në mendjen e shëndoshë.

Kjo vepër e vogël për nga vëllimi, por e madhe për nga porositë, le të jetë urim për Muajin e Bekuar të Ramazanit, me dëshirë që të gjendet në çdo shtëpi dhe në duart e çdo anëtari të familjes.

U jam mirënjohës të gjithë atyre që ndihmuan në botimin shqip të kësaj broshure të dr. Drazit, duke e përfshirë Botuesin dhe personat tjerë të angazhuar për botim. 

(Shënimet janë marrë nga: Dr. M. A. Draz, “Ramazanski post”,Sarajevo, 1980, fq. 2). 

Nexhat Ibrahimi

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme