Lufta për Himarën

 

Reagimet e nxehta nga bashkiaku i Himarës, Vasil Bollano dhe himariotëve për protesta dhe kërkesën nga shteti shqiptar që të marrë masa për të ndërshkuar fajtorin, dhe ndërhyrja e Peshkopit Janullatos në favor të Aristotel Gumës, tregojnë qartë mentalitetin e rrethimit që minoriteti grek ka në Shqipëri kur përballet me presionin e shqiptaristëve. Këto reagime tregojnë në të njëjtën kohë edhe shpirtin e fortë të mobilizimit që kanë greko-ortodoksët për të ruajtur identitetin e tyre, dhe që janë për tu patur zili nga muslimanët shqiptarë të cilët përbuzen, ofendohen, dhunohen dhe katoliçizohen nga establishmenti laik i Tiranës, ndërsa këta rrinë urtë dhe si të vdekur.

Edhe pse shkruesi i këtij shkrimi nuk ka ndonjë simpati të veçantë për politikën helenizuese greke në Shqipëri, dhe rolin jo-pozitiv që peshkopi Janullatos ka përçuar në këto vitet e fundit çfarë dua të vë në pah në këtë shkrim është reaksioni histerik që vjen nga pala nacional-komuniste shqiptare në rastet kur minoriteti grek i Himarës proteston për mbrojtjen e të drejtave të tij. Në këtë shkrim dua të tërheq vërejtjen e katër shkrimeve që kam lexuar në gazetën Panorama, Start, Metropol dhe Shekulli. Reagimet që dua të vë në pah, kanë ardhur nga katër shqiptarë, muslimanë apo me origjinë muslimane; Pëllumb Xhufi “Historiani Pëllumb Xhufi: Deklaratat e Janullatosit mbajnë erë myk “Bollano e përdori vdekjen për helenizmin e Himarës”, Agron Tufa “Neuroza e të konvertuarit”, Ergys Mërtiri me titull “Nga se kërcënohet në të vërtetë minoriteti grek” dhe Dritan Egro “REAGIME TE EGZAGJERUARA, PRETENDIME TE PAMBESHTETURA NE HISTORI”. Të katërt këta pasi kanë sulmuar himariotët për identitetin e tyre grek, pretendojnë se Himara është dhe ka qënë shqiptare. Pëllumb Xhufi psh. ndërsa sulmon Bollanon për "patriotizmin" e "helenizmin" e tij pretendon që Spiro Spiromilo, të ketë qenë shqiptar “me rrënjë të largëta në Progonat dhe që thoshte se ishte grek, shpenzoi një jetë të tërë duke luftuar për Greqinë, shpeshherë edhe kundër atdheut të vet, Shqipërisë.” Agron Tufa shkruan që “Shqiptarëve të vjetër himariotë, bashkëluftëtarëve të princërve shqiptarë dhe të Skënderbeut, do t'u vinte turp për pasardhësit e tyre, që nuk e tejkaluan dot nivelin e barkut, nivel, i cili u tjetërsoi gjuhën dhe, siç pretendojnë udhëheqësit e tyre, identitetin. Sindroma masive dhe autosugjestive e të konvertuarit, është burimi paradoksal i neurozës himarjote.” Dritan Egro shkruan se “Për mua si njohës i historisë së rajonit këto reagime më duken disi të ekzagjeruara, aq më tepër kur në dokumentacionin historik që lidhet me historinë e këtij rajoni e kam shumë të vështirë të gjej elementë etnikë grekë në këtë rajon bregdetar shqiptar. Himara pas rënies së qëndresës së Skënderbeut, duke filluar nga fundi i shek. XV e më pas, ka qenë një vatër shumë e rëndësishme e qëndresës anti-osmane. Por ndryshe nga viset e tjera shqiptare, ky rajon ra nën sundimin osman me një shkallë të caktuar autonomie. Dokumentacioni osman dëshmon se kurrsesi nuk mund të bëhet fjalë për ndërprerjen e lidhjeve dhe kontakteve të këtij rajoni me viset mesdhetare fqinje, dhe veçanërisht me ato të Italisë, ku veçanërisht Papati dhe Venediku janë konsideruar si fuqitë e vetme politike të afta për ta shpëtuar Ballkanin nga sundimi osman. Në kushtet e një sundimi të fortë perandorak dhe falë pozicionit të ekspozuar ndaj detit, Himara ishte gjithashtu një ndër hapësirat shqiptare më të ekspozuara ndaj ndikimit venedikas në të gjitha rastet kur kjo e fundit vendoste të prishte paqet me Shtetin Osman.” Kurse Ergys Mërtiri sulmon Bollanon për deklaratat e tija në mbrojtje të minoritarit të vrarë grek, duke e quajtur “provokator sistematik”, “i interesuar për një klimë konfliktuale”, “përpiqet të stisë skenarë të errët” etj.

Çfarë të bie në sy në prononcimet e katër shkruesve në fjalë në lidhje me konfliktin e Himarës dhe reagimin e Bollanos dhe Janullatosit në mbrojtje të grigjës së tyre është territorializmi imagjinar dhe historik që këta shkrues i bëjnë Himarës, të cilën e tregojnë si “tonën”, “shqiptare”, si pasardhëse të luftëtarëve të Skëndërbeut, anti-osmane, të lidhur me Italinë, Papatin dhe Venedikun, me rrënjë të largëta në Progonat etj. Barazimi me shqiptarizëm i Himarës meqë ajo ka komunikuar me Vatikanin, është njësoj siç bënte para ca muajsh në Kosovë Shaban Sinani i cili tregonte Pjetër Bogdanin si shqiptar kurse Qyprilijtë si jo-shqiptarë, meqë i pari ishte me Vatikanin ndërsa i fundit me sulltanin. Në shkrimet që kam lexuar për këtë punë më ka lënë përshtypje edhe Agron Tufa i cili për të degraduar himariotët, citon fondamentalistin hindu, V.S. Najpol, të cilit administrate Bush ndikoi që ti jepet çmimi nobel gjatë fushatës histerike anti-muslimane të pas 11 shtatorit, për ti portretizuar himariotët si grekë ekstremistë “të konvertuar” dhe si pasojë jo grekë të vërtetë. Ndërsa Ergys Mërtiri sulmon himariotët edhe për arsyen pse në faqen zyrtare të bashkisë së Himarës, ata tregojnë versionin e tyre të historisë, ku sipas tyre, Himara u çlirua nga osmanët nga Spiro Spiromilo në 5 nëntor 1912, por në “9 shkurt 1914, himarjotët kundërshtuan planet e fuqive të mëdha për t’i përfshirë brenda kufijve të shtetit shqiptar.”

Konflikti i himariotëve me shqiptaristët mund të shihet edhe kur dikush viziton dy faqet alternative të Himarës që gjenden në internet. Njëra me adresë: http://www.himara.gov.al e tregon Himarën si shqiptare, dhe është vetëm në shqip dhe ka informacion shumë të pakët por mban domainin gov.al, ndërsa tjetra që mund të lexohet në http://web.archive.org/web/20071030074018/www.himara.eu/index-en.html dhe më parë në himara.eu e tregon Himarën si greke, ka shkrime në tre gjuhë, tregon për aktivitetet e himariotëve grekofonë, për shoqatën "KOMUNITETI HIMARIOT" me kryetarë Thedhori Bollanon e Stavri Markon, jep informacione të detajuara, tregon logot e tyre në greqisht dhe në shqip, dhe e bën lexuesin të kuptojë që kjo trevë është grekofone.

Për lexuesit jo-nacionalistë të historisë, dhe ata që e kanë vizituar dhe njohin Himarën mirë, grekofonia e saj është e lexueshme dhe e vulosur nga historia. Shkruesi i këtij shkrimi është i mendimit se shkrimet histerike që lëshohen kundër himariotëve sot, të cilat kërkojnë ti shqiptarizojnë me pahir ata, jo vetëm që janë jo të-drejta, por janë historikisht të gabuara dhe janë pak a shumë ana tjetër e medaljes së histerisë nacionaliste që grekët, tregojnë kundër shqiptarëve në Greqi apo serbët në Serbi dhe maqedonët në Maqedoni. Ndërsa shqiptarët nuk duan dhe refuzojnë helenizimin dhe ortodoksizimin apo disa të tjerë edhe katoliçizimin dhe italianizimin që i bëhet atyre në Greqi dhe Itali, nëse duan të jenë të drejtë, ata duhet të shohin me sy kritikë histerinë nacionaliste që demostrohet nga pala shqiptare sa herë që himariotët duan të theksojnë identitetin e tyre grek në Shqipëri. Himariotët kanë të drejtë të jenë grekofonë, për sa kohë që kjo grekofoni nuk shkakton konflikte shtetesh. Ndërsa shqiptarët muslimanë kanë qenë historikisht filo-turq, himariotët ashtu si edhe arvanitët e Napoleon Zervës, Marko Boçarit, Bubulinës dhe herojve të tjerë të revolucionit grekë, kanë qenë anti-muslimanë dhe anti-turq. Në 1914 me majorin Spiro Spiromilo himariotët deklaruan autonominë e Himarës dhe nuk donin të ishin pjesë e Shqipërisë, në të njëjtën mënyrë siç edhe çamët nuk donin të ishin pjesë e Greqisë, apo muslimanët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë së Mesme dhe Kosovës nuk donin të ndaheshin nga Perandoria Osmane. Drama e Himarës, ashtu si edhe drama e Çamërisë dhe e shumë popullatave muslimane dhe ortodokse në Ballkan erdhi si pasojë e nacionalizmit dhe politikave laike që Fuqitë e Evropës luajtën me Ballkanin Osman, duke krijuar shtete sipas fantazive të tyre romantike dhe shqiptarizuar më dhunë grekomanët, e grekizuar e bullgarizuar me dhunë muslimanët.

Një faj të rëndë në dramat fetare dhe etnike në Ballkan kanë edhe historianët nacionalistë si ata grekë, bullgarë, serbë por edhe shqiptarë. Në rastin e Shqipërisë, hordhia e historianëve nacional-komunistë shqiptarë ka bërë shpifje të atilla historike që jo vetëm që pretendonë që himariotët janë shqiptarë meqë kanë luftuar kundër turkut (kur turku në shumë raste ishin shqiptarë muslimanë), por kanë bërë edhe herojtë arvanitë të revolucionit grek që nga Marko Boçari e deri te Kollokotroni shqiptarë. Historianët në fjalë jo vetëm që gënjejnë (ndoshta nga ethet nacionaliste) por për mendimin tim janë thelbi i vërtetë i konflikteve që ndodhin sot në Ballkan. Pretendimet e historianëve nacional-komunistë shqiptarë që i shohin himariotët si shqiptarë meqë ata ishin me Skënderbeun, Vatikanin dhe Venedikun dhe luftuan kundër turkut dhe muslimanëve – janë fantazi të stisura nga austro-hungarezët dhe italianët në Shqipëri; fantazi që synonin de-islamizimin dhe de-ortodoksizimin e miletit Rum dhe Islam dhe katoliçizimin kulturor të shqiptarëve. Falë këtyre politikash të çmendura dhe pretendimesh historike absurde, pas vitit 1920, himariotët ashtu si edhe muslimanët dhe ortodoksët e tjerë të Shqipërisë vuajtën pasoja të rënda në identitetet e tyre. Atyre iu ndalua gjuha, iu mbyllën shkollat, kishat e xhamitë, u ndanë nga Kalifati dhe Patriarkana e Kostandinopojës dhe u laiçizuan, skënderbegizuan, ilirianizuan e pellazgizuan dhe katoliçizuan kulturalisht me dhunë.

Për mua sulmi që i bëhet himariotëve sot është i padrejtë. Himariotët nuk duhet të sulmohen për ndjenjat e tyre grekomane, për sa kohë që këto ndjenja nuk shkaktojnë konflikte ndërshtetërore. Shqiptarët duhet të mësohen të jetë tolerantë, të pranojnë që muslimanët shqiptarë mund të kenë heronjë të tyre sulltan Muratin e Mehmet Fatihun, Musa Qazimin, Haxhi Qamilin dhe Esat Pashë Toptanin, ndërsa himariotët Spiromilon, Marko Boçarin dhe Venizelosin, dhe të mos i sulmojnë komunitetet e tjera etnike dhe fetare që jetojnë në Shqipëri nga ethet e sëmura nacionaliste.

Mua më shqetëson shume edhe fakti që sulmet kundër himariotëve sot lexohen edhe në disa faqe Islamike që mbahen nga besimtarë muslimanë, siç është faqja http://vizion-islam.com/ dhe http://www.gazetastart.com/. Allahu i porosit muslimanët në Kuran që të jenë të drejtë me popujt e tjerë dhe që në fe nuk ka dhunë. Por kur në këto faqe unë shoh shkrime si ai i Agron Tufës apo Ergys Mërtirit që sulmojnë himariotët pse ata ndjehen grekë dhe jo-shqiptarë, që ndjehen si pasardhës të Spiromilos dhe Bizantit dhe jo të Skënderbeut, Romës dhe Vatikanit, e konsideroj një gjë të këtillë gjynah të rëndë fetar dhe veprim që shkon kundër urtësisë së Kuranit. Profeti Muhamed i tregon muslimanëve që nuk ka dallim ndërmjet arabit dhe jo-arabit, dhe të ziut dhe të bardhit. Nëse himariotët e shohin inkorporimin e tyre në Shqipëri si pushtim, përse duhet që faqja vizion-islam.com apo gazetastart.com të botojnë shkrime nacional-shqiptariste që mbrojnë këtë pushtim laik? Feja Islame dhe në veçanti hanefizmi otoman i ka toleruar minoritetet etnike dhe fetare në Perandorinë Osmane për 600 vjet. Vetëm nacionalizmi i egër turk, grek dhe shqiptar i sulmoi dhe shkatërroi këto minoritete, siç shkatërroi edhe fenë në vendin tonë dhe i bëri shqiptarët popull si jexhuxh–maxhuxhët e Dhulkarnejnit, që në 1967 i shpallën luftë edhe Allahut. Të sulmosh himariotët sot pse ata ndjehen ortodoksë dhe grekomanë, është gjynah i rëndë që bie ndesh me urdhëresat e Kuranit dhe është njësoj siç edhe kur nacional-komunistët shqipfolës sulmojnë femrat muslimane për hixhabin që ato mbajnë në kokë dhe i imponojnë shqiptarëve nëpër shkolla që të adhurojnë katoliken me hixhab Nënë Tereza. Himariotët ashtu si edhe muslimanët, duhet të jenë të lirë të besojnë çfarë të duan në Shqipëri dhe mësojnë historitë e tyre alternative të të kaluarës. Të bësh muslimanët shqiptarë të besojnë se Nënë Tereza është heroinë e tyre, dhe himariotët se janë shqiptarë, është dhunë shtetërore që shkel liritë e besimit dhe njeriut.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme