Nëna Tereze – Një pikë uji në gurin e nxehtë! -2

vazhdimi 1:  http://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=1021

SHENJTËRIA

Kush mendon për Nënë Terezen si për një shenjtore, nuk e njeh fare historinë e kishës katolike. Për ta njohur më mirë shenjtërinë e saj, duhet shikuar edhe shenjtëritë tjera, dhe meritat e tyre për shenjtëri, qoftë edhe para kohrave moderne. Shenjtorët e parë preokupoheshin para së gjithash me çrrënjosjen e paganizmit të urryer. Shën Nikolla nga Myra, pati shkatërruar në kohën e tij tempuj të panumërt të hyjneshës pagane Diana. Shën Martini pati rrënuar shumë tempuj paganë. Shenjtori Kyril nga Aleksandria urdhëroi ose lejoi, vrasjen brutale të dijetares pagane me emrin Hypatia në vitin 415. Aq e shquar ishte ajo, saqë edhe vetë një dijetar i krishterë, si Sokrat Skolastiku, e pati lavdëruar me tone superlative si një grua të bukur, të mençur dhe të virtytshme.. Me qëllim që Hypatia të fshihej nga kujtesa kolektive, kisha zbuloi një tjetër shenjtore: Katerinën e Aleksandrisë, që paskësh jetuar më shumë se 100 vite përpara Hypatisë. Ajo i paskësh konvertuar paganët në krishterim dhe për këtë shkak qenkësh mbytur mizorisht. Pasiqë për ekzistencën e saj nuk u gjet dot asnjë dëshmi, në vitin 1969 ajo u fshi nga Kalendari i Përgjithshëm Romak. Ajo qe ndërkaq një shenjtore e dashur nga të gjithë për gjashtëqind vjetë me radhë, dhe shumë të krishterë vazhdojnë ta nderojnë edhe sot, gjithsesi një histori e bukur[1].

Vatikani ka shpallur të shenjtë mbi 10 mijë ‘shenjtorë dhe Nënë Tereza është vetëm njëra prej tyre. A ju kujtohet heroina franceze Jeanne d'Arc, një komandante luftarake katolike që luftoj kundër protestantëve anglezë, u shpall e shenjtë më 1920. Por Vatikani që shenjtëron shenjtorë, ka një histori të zymtë në veten e saj! A nuk dëshmoi Vince-Gonzales[2] për një dokument që ishte mbajtur sekret nga krerët e Vatikanit për 40 vjetë? Dokument ky i nënshkruar më 1962 nga Kardinali Alfredo Ottaviani, që obligonte krerët më të lartë të Vatikanit, që të mbajnë sekret krimet e priftërinjëve të bëra me dekada ndaj fëmijëve.Vatikani mbanë sekret krimet seksuale të priftërinjëve, ndërsa zbulon letrat blasfemuese të Nënës Terezë (shih ‘letrat’), megjithëse të ‘shenjtëruar’!

Shenjtorët nuk nderohen me fjalë të mbushura me krenari boshe, as me buste. Ata nderohen vetëm në lutje e imitim të jetës së tyre! Ata që nuk janë në gjendje që të luten dhe të ecin në hapat e shenjtorëve, gënjejnë veten se janë duke respektuar një shenjtore, vetëm duke zënë shpesh emrin e saj në gojë. Fjala “shenjtë” ka kuptimin e përgjithshëm, nënkupton dikë, që është veçënarisht i sjellshëm dhe bamirës, dikë mbi koprracitë dhe zemërngushtësinë, dikë i cili nuk i publikon veprimet dhe arritjet e tij, të paktën nuk i ekzagjëron ato. Veç kësaj, Papa që ka shenjtëruar Nënën Tereze, ka krijuar gati njëmijë shenjtorë, më shumë se çdonjëri paraardhës i tij, në 2000 vjetët e fundit. Dhe, nuk gabojnë ato që e kanë quajtur Vatikanin si një “fabrikë shenjtorësh”.

Dy herë në vit, në korrik dhe para Krishtlindjeve, Papa aprovon dekretet për virtytet heroike dhe atributet e mrekullisë së atyre që janë në rrugë për shenjtërim. Në tetor, Kongregacioni për të shenjtët ka miratuar atributet e mrekullisë së Nënës Tereze dhe raporti iu ka paraqitur Papës. Me kërkesën e ithtarve të saj, Papa e ka përshpejtuar shpalljen e shenjtërimit të Nënës Tereze më 1999, dy vjet pasi ajo ka vdekur. Normalisht, rregullat e kishës kërkojnë të kalojnë pesë vjet pas vdekjes[3] së personit para se të fillojë procesi i shenjtërimit[4]. Prandaj, shenjtërimi i saj do të shtyhej deri më 19 tetor 2003, kur në Sheshin e Shën Pjetrit, me ceremoni madhështore do ta shenjtëronte papa Gjon Pali i Dytë[5].

Për ta shpallur të shenjtë Nënë Terezën duhej, gjetur një mrekulli post’hume (pas vdekjes). Kjo gjë u ‘sigurua’ me të shpejtë në qytetin e vogël Dangram në trajtën e një indianeje të varfër me emrin Monika Besra. Një vit pas vdekjes së nënës, kjo grua u ishte drejtuar motrave me dhimbje të mëdha në zonën e nënbarkut. Një medalion i murgeshës së mirë, e kishte zgjidhur problemin e saj në çast – tumori në pjesën e poshtme të barkut ishte shëruar mrekullisht. Më kot, për disa muaj burri i saj kishte protestuar kundër këti trillimi të ngjarjes: «gruaja ime është shëruar nga mjekët dhe jo nga mrekullia». Besra me të vërtetë kishte qenë paraprakisht në spital. «Kjo pandehmë mrekullie është një absurditet absolut dhe do të duhej mallkuar nga të gjithë», vlerëson mjeku që ka kuruar Besrën. Duhet shtuar ndërkaq, se në qarqet intelektuale të Kalkutas Nënë Tereza nuk gëzonte ndonjë respekt të veçantë. Por për një qëllim ‘të mirë’ ndërkaq, mund të jepen edhe para, që mund të ndryshojnë edhe mendjen e burrit, pak ditë para shenjtërimit: “Ishte mrekullia (e Nënë Terezës) që ndihmoi shërimin e gruas sime. Tani unë dhe fëmijët e mi, në saje të murgeshave, marrim një arsim, në kohën që mund t’ia lejoj vetes dhe blerjen e një copë toke. Gjthçka mori rrugë të mbarë.”

Nënë Tereza, nuk ka qenë nga Kalkuta. Ajo ishte nga kombi më i varfër, më i sakatosur, e më i prapambetur i Evropës të quajtur shqiptar. Nga ky komb del një grua për të zgjidhur së pari problemet e Kalkutës duke anashkaluar në tërësi problemin e kombit të vet. Përse ajo shkoi për ta luftuar varfërinë në Kalkutë dhe Indi e nuk bëri gjë për shqiptarët - për kombin që i përkiste?

Kalkuta ishte kryeqytet i Perandorisë Britanike të Raxhit (British Raj), që përfshinte territorin e sotëm të Indisë, Pakistanit, Banglladeshit, Nepalit, Butanit, Birmanisë, Singaporit dhe Somalilandit Britanik. Ishte edhe qyteti, limani, qendra kulturore dhe ekonomike e Raxhit. Duhet të jeni naiv, ose edhe më shumë se naiv, të besoni se një murgeshë nga kombi më i varfër, më i prapambetur, më i shkatërruar dhe më primitiv i Evropës, të shkoj si shpëtimtar hyjnor në pikëpamje ekonomike i ish-kryeqytetit të perandorisë më të madhe që ka njohur njerëzimi[6].

 Për misionin e Nënë Terezës shumë herët ishin ngritur dilema edhe në mesin e shqiptarëve që nuk kishin lidhje me religjionin fare. Nëse dikush e ka tërë arkivën e gazetës ditore “Bujku”, që dilte si zëvendësim pas mbylljes së Rilindjes, do ta gjëni diku në mesin e viteve ’90-ta një koment të një gazetari me titullin “Nënë, po ku [dreqin] je moj?” Gazetari që mund të ketë qenë i thejshtë për gazetën shtronte shumë interesante duke akuzuar Nënë Terezën se sa njerëz u vranë, sa nxënës u helmuan, sa fëmijë mezi ushqehen me bukë thatë në Kosovë, e ti (Nënë Terezë) shkon atje në Indi për ta ndihmuar një shtet me 1 miliardë banorë, një shtet që ka kundërshtuar shumë rezoluta për Kosovën në OKB, e kombi juaj vuan aq shumë nga varfëria e terrori duke u pakësuar në territor vazhdimisht gjatë historisë, etj, etj. Heshtjen e plotë të Nënë Terezës gjatë kauzës së Kosovës nën regjimin e Millosheviqit, shumë qytetar e arsyetonin kështu: “O le bre hiqmu sajna e mos ma permen atë emën se ajo ish kanë nana e maxhupve (d.m.th. indianëve)”. Ndihmat për shoqatat me emrin Nëna Terezë në Kosovë i siguronin muslimanët në vend dhe diasporë. 

LETRAT

Pader Brian Kolodiejchuk, zëdhënesi i Misionareve te Karitasit, dhe themelues i urdhërit ‘Nënë Tereza e Kalkutës’[7],  botoi librin me letrat intime të Nënës Terezë, "Come be my light" (Eja, bëhu drita ime)[8]. Ky prift rus, agjent i Vatikanit, kishte bashkëpunuar 20 vite me Nënën Terezë. Deri në botimin e letrave, askush nuk e dinte se Nëna Terezë u kishte shkruar aq shumë letra priftërinjëve. Ajo kishte lënë amanet që të asgjësoheshin letrat e saj intime[9], për shkak "se nuk dua që njerëzit të mendojnë më shumë për mua, e më pak për Krishtin”, ose për ndonjë shkak tjeter që ajo nuk e tha, por që duket haptas!

 Po të lexohen letrat e saja, do të shihet sipërfaqësisht mosbesimi i saj, se ajo nuk kishte besuar as Zotin as Krishtin! Siç vërente revista italiane "II Messeggero", Tereza kishte pasë vizione vetëm një vit, ndërsa 50 vjetë kishte dyshuar ‘nëse ka Zot’! Dyshimi i saj rreth besimit ishte aq i madh saqë frikohej se po bëhej hipokrite – raportonte korrespondenti i ‘CBS News’ – Mark Phillips.

Duke ju drejtuar Jezusit, ajo thoshte: “Unë të besova verbësisht, a do t’a lejosh shpirtin tim të humbet? Unë jam e frikësuar Jezus, shumë e frikësuar. Kjo frikë më tregon se sa e dua jetën time[10]...” Madje, ajo ishte mbërthyer në një errësirë qëkurë kishte filluar “punën”, siç i tregonte Arqipeshkvit Perier më 18 mars 1953[11]. Ajo vazhdon t’i thotë arqipeshkvit se: “shpirti im qëndron në errësirë dhe në shkretërim të plotë. Jo, unë nuk po ankohem, le të bëjë me mua atë që ai dëshiron...” Në vazhdim: “Unë po e adhuroj (Zotin) verbësisht”[12].

Dyshimet e saja rreth besimit, i vëren çdo lexues i rëndomtë i letrave që paraqiten në librin e Kolodiejchuk-it: "Ku është besimi im?" shkruan ajo. "Edhe thellë poshtë...nuk ka asgjë pos zbrazëtirës dhe territ... Nëse ka Zot – të lutem më fal". Tetë vite më vonë, ajo ende kërkonte besimin që e kishte humbur: "Aq dëshirim i thellë për Zotin – shkruan ajo – ...e zmbrapsur, e zbrazët, pa besim, pa dashuri, pa zell." Fama e saj rritej, por besimi i saj refuzonte të kthehej, madje edhe buzëqeshja e saj, siç thoshte vetë, ishte një maskë! "Për çka unë punoj? – pyeste ajo – Po të mos kishte Zot, nuk do të kishte shpirtë. Po të mos kishte shpirtë atëherë, Jezus, ti gjithashtu nuk je i vërtetë."[13]  Këto ishin letrat që u mbajtën në shtëpinë e kryepeshkopit, tregon Imzot Brian Kolodiejchuk. Letrat sipas të cilave Nënë Terezë vdiq bashkë me dyshimet e saja, pasi, siç tregonte në një rast, ajo kishte ndërprerë edhe lutjet, pra ishte dorëzuar! Në më shumë se 40 letra, pjesa më e madhe e të cilave nuk janë publikuar kurrë, ajo vajton për “thatësirën”, “errësirën”, “vetminë” dhe “torturën” që po kalonte. Ajo e përjeton eksperiencën me ferrin dhe në një pikë thotë se e ka bërë të dyshojë ekzistencën e parajsës, madje dhe të Perëndisë.

Në një letër që i drejtonte një të besuari shpirtëror, atë Michael van der Peet, i thoshte: “Jezusi ka dashuri të veçantë për ty. Ndërsa për mua, heshtja dhe boshllëku janë aq të mëdha saqë unë hedh sytë dhe nuk shoh gjë. Dua që të lutesh për mua, që ta lë Atë që të ketë dorë të lirë”.

Në vitin 1955/56, Nëna Terezë i shkruante Arqipeshkvit Perier: “Sa më shumë e dua, aq më pak më do… Kaq shumë përgjërim për Zotin dhe… e braktisur, e zbrazët, pa besim, pa dashuri,  pa pasion. Shpëtimi i shpirtrave nuk më tërheq, Parajsa nuk më thotë asgjë, të lutem, lutu për mua që të vazhdoj t’i buzëqesh Atij, edhe pse e zemëruar me gjithçka.” Në letrën që i shkuante Dilema’s më 1959, ajo thoshte: “Përse punoj? Nëse nuk ka Zot, nuk ka shpirtë,  nëse nuk ka shpirtë, atëherë Jezus, edhe Ti nuk je i vërtetë…Unë i belbëzoj fjalët e komunitetit të lutjeve dhe përpiqem të nxjerr prej çdo fjale ëmbëlsinë që ai ka për të dhënë, por ai nuk është më në lutjet e mia për bashkim, unë nuk lutem më.”

Më thuaj Atë, pse ka aq shumë errësirë dhe dhimbje në shpirtin tim?” – i shkruante atë Laurence Picachy, në gusht të 1959-tës: “…Të lutem shkatërroji të gjitha letrat apo çdo gjë që unë kam shkruar[14]…. Nëse letrat bëhen publike, njerëzit do të mendojnë më shumë për mua se sa për Jezusin”.

Në një letër të pa datuar, duke e ndier veten të vetmuar, i drejtohej Jezusit: “...Ku është besimi im, madje edhe thellë brenda meje s’ka gjë tjeter veç zbrazëtisë dhe errësirës. Zoti Im, sa e dhimbshme është kjo dhimbje e panjohur. Unë nuk besoj. Unë nuk guxoj t’i nxjerrë fjalët dhe mendimet që më kanë pushtuar zemrën dhe më bëjnë të vuaj në agoni që s’rrëfehet... Për shkak të frikës nga blasfemia. shumë pyetje pa përgjigje, jetojnë në mua. Nëse je Zot, të lutem më fal. Kur i drejtoj mendimet e mia drejt Parajsës, gjej vetëm një boshllëk që më bën me faj dhe mendimet e mia më kthehen si thika të mprehta e më plagosin shpirtin. Më kanë mësuar se Zoti më do, por realiteti i errët, i ftohtë dhe i zbrazët, është aq i fuqishëm saqë asgjë nuk e prek shpirtin tim. A mos kam gabuar kur iu dorëzova verbërisht Thirrjes së Zemrës së Shenjtë”.

At Neuer thotë: “A ishte Tereza në rrugë të drejtë, apo ishte zhytur në iluzjone? Përse Zoti e kishte braktisur krejtësisht? Pse kjo errësirë e kishte kapluar, kur në jetën e herëshme kishte qenë aq afër me Zotin! A ishte shëndrruar ajo në një hipokrite të turpëshme që t’u flasë të tjerëve për misteret e shenjtërisë që i kishte fshirë nga zemra e saj[15]...

Në letrën e 26 dhjetor 1959, At Picachy-t i shkruan: “Në zemrën time nuk ka fe... s’ka dashuri... s’ka besim... Ka shumë dhembje... Unë nuk falem më... Unë nuk kam fe... Unë nuk besoj...[16]

Në komentimin e këtyre letrave, Der Peet kishte thënë se Nënë Tereza, ka përjetuar metaforikishtë "Natën e zezë të shpirtit" dhe se shpirti i saj paska qenë në terr deri në fund të jetës, njëllojë si në  poemën “St.Paul of the Cross” të shek.XVIII-të, që paraqitet prifti që 45 vjetë kishte dyshuar në Zot!

Gjithsesi përkrahësit e denjë të Nënë Terezes, këtë mosbesim ose dyshim në besimin e vet, e krahasojnë me fjalët e fundit të Jezusit, për të cilat dëshmon Mateu: “"Eli, Eli lema Sabakthani (Hyji im, Hyji im, përse hoqe dorë prej meje)[17]

MERITAT

Nuk është e vërtetë akuza se “Nënë Tereza ndihmonte vetëm të pasurit”, por gjithsesi ishte e dukshme se “Nënë Tereza ndihmonte vetëm të krishterët”. Ishte kështu, për shkak se kishte një ndryshim të madh ndërmjet ndihmës së dhënë të krishterëve të varfër dhe të varfërve të tjerë që nuk ishin të krishterë. Nëse një person a familje e varfër konvertohej në krishterim, atëherë atyre u jepej trajtim i veçantë. Midis 20.000 lypsarëve të braktisur të Kalkutës, vetëm 500 prej tyre mund të kishin dëgjuar për Nënë Terezen, ndërsa vetëm gjysma e tyre (250) mund të kishim marrë ndihma prej saj. Thjeshtë, për të marrë ndihma prej saj duhej të kishte kartë[18] dhe për të pasur kartë duhej të ishe i krishterë. Karta të tilla kishin  vetëm familjet e pakta katolike në Dnarapara.

Duke qenë personalitet e uritur për publicitet, ajo shpesh behej e pa sinqertë dhe nuk kishte qenë gjithmonë e sinqertë në prononcimet e saj. Thëniet e saja aq të përsëritura se “Unë ndihmoj një hindu të bëhet një hindu i mirë dhe unë ndihmoj një musliman të bëhet musliman i mirë” dhe “Nëse ka të varfër në Hënë, edhe atje do të shkojmë” u dëshmuan fare të pasinqerta. Të tilla ishin edhe  tregimet se ajo si katolike, ka punuar tërë jetën duke u kujdesur për fëmijët muslimanë dhe hindu[19]. Në dhjetor të viti 1984, me rastin e fatkeqësisë industriale të Bhopalit, në të cilën humbën jetën më shumë se 2500 veta dhe mbeten të helmuar mijëra të tjerë, ajo shqiptoi vetëm këtë fjalë: „Forgive, forgive“ (Falini, falini)[20]. Veç se ishte prezente në dhembjen e Bhopalit, ajo s’lojti ndonjë rol për të qenë në furnizimin e viktimave, përpos, natyrisht, në mediat perëndimore, të cilat, të gjitha raportet për shtypin i publikonin në mënyrë jokritike. Në një biografi të saj, është publikuar një fotografi ku citohej: “Duke ndihmuar të mbijetuarit nga gazi vdekjeprusë në Bhopal, dhjetor 1984”. Fotografia tregon Nënën duke i dhënë një lule një gruaje që po jepte shpirtë.

Kur Nënë Tereza i lante shiringat në ujë të ftoftë dhe i përdorte për të disatën herë[21] dhe kur mbante vetëm një shishe për njëzet foshnje në shtëpitë e saj, i tregoj botës metoden e saj të bukur të shmanijes së shtatzanisë (shkencërisht e pa pranueshme), si rezultat i së cilës shpiku shifrën 61.273 foshnje më pak të lindura, një çorjentim i qëllimshëm me rastin e marrjes së çmimit Nobël.

Për ‘krenari’ qarkullonin shifra fantastike prej "61273 foshnjave", që nuk u lindën pasiqë Nënë Tereza mësonte mbi parandalimin e natyrshëm të shtatzanisë (të ashtuquajturën “metodë kalendarike”, të lejuar sipas doktrinës së krishterë pasiqë kërkon një abstinencë parciale). Në fakt, më të varfërit e të varfërve në Kalkuta, ashtu si dhe në qarqet tjera administrative katolike, duhej të mësonin dhe të llogarisnin sipas kalendarit se kur guxojnë të kenë mardhënije intime. Kjo metodë fare e pasigurt është e lejueshme, ndërsa përdorimi i kondomëve, çmohet si vrasje e një jete të mundshme.... Në fakt, një shembull ilustrativ për këtë ‘zbulim të madh’ të Nenë Terezes, do ta japë një katolike irlandeze me emrin Maire Mullarney, e cila duke ndjekur metoden natyrale për shmangijen nga shtatzania, zbulimin e famshëm të Terezes, kishte përfundue në 11 fëmijë[22].

Piggor Smith tha se ati i ishte dashur të kërkonte me të vërtetë shumë për të gjetur ato lagje të varfëra  me të vërtetë të zymta që të përshtateshin me metaforen e Kalkutës: “Unë nuk e kuptoj pse Kalkuta mori këtë imazh... Për hirë të Zotit, aq e gjatë sa është një lagje e varfër e Bombejit, është tërë gjatësia e Kalkutës...” Po të pyesni dike këtu se çfarë u bie ndërmend kur të përmendi Kalkutën, ato do të thojshin “lagjet e varfëra dhe Nënë Terezen”[23]. Eshtë njëllojë si të paraqitëshim South Bronx-in e dikurshëm e ti thonim botës se ky vend përfaqëson gjithë New York-un”

Më 11 Tetor 1995, prostitutat që kishin dalur rrugëve të Kalkutës... të veshura me bluza të bardha... me nga një kuti në dorë po mblidhnin para për viktimat  e përmbytjeve në zonat e Bengalit Prendimorë ku kishin humbë jeten rreth 200 njerëz, dhe me një dëm të vlerësuar në 1050 miliona Rs[24]. Fushata e prostitutave ishte organizuar bashkarisht me Institutin e Higjenës, Komiteti Kordinues i garave, shkolla, kolegje, zyra, biznise, restorante e individë moren pjesë në aksion per te ndihmuar. E vetmja organizatë që nuk u duk ishte organizata e misionarëve të bamirësisë që drejtohej nga Nënë Tereza, personi që është bërë i famshëm nga Kalkuta në sytë e botës...[25]  Përmbytjet u kthyen sërish në shtator, Nënë Tereza ishte jasht vendit... Edhe pse ajo kurrë nuk lëvizi as edhe një gisht, gjatë përmbytjeve të 1995 dhe 1996-tës, në një intervistë të saj dhënë Lucinda Vardeyn, Nënë Tereza përmendëte punen e saj të pa lodhëshme gjatë përmbytjeve në Kalkutë...[26]

Gjatë 50 vjetëve të çuditëshme që Nënë Tereza bante ‘bamirësi’ në Kalkutë, pati një dyzinë përmbytjesh të mëdha në këtë qytet duke shkaktuar qindramijë të vdekur. Vetëm në njërën prej atyre përmbytjeve, Nënë Tereza u pa të ofrojë ndihmë. Vetëm për atë rast u bë zhurmë e madhe propaganduese por nuk u përmenden mosveprimi i saj gjatë përmbytjeve tjera...[27]

Tereza ishte një nga njerëzit më të fotografuara në botë, çdo lëvizje e saj, çdo dridhje e vetullave, çdo rrudhë e fëtyrës së saj ishte fotografuar sa e sa herë. Duart që i mbanin gonxhe trandofilash ishin riprodhuar mijëra herë. Por a mund të dalë ndokush me një foto të vetme të “shenjtores së lagjeve të pista” duke punuar me të vërtetë në lagjen e varfër të Kalkutës... Ka foto të saj të viteve të 1970-ta qe e tregojnë atë duke u shërbyer ushqim pacientëve në “Nirmal Hriday” por asnjë fotografi nuk ekziston që të tregojë Nënë Terezën duke punuar ose duke i vizituar lagjet e varfëra të Kalkutës...[28]

Eshtë fakt se banorët e Kajkutës ndihen shumë rehat në qytetin e tyre. Shumë prej tyre jetojnë në mes të varfërisë por nuk tentojnë të largohen. Nëse “Kalkuta është pjesa më e varfër, më e dëshpruar dhe më e uritur e botës”, atëherë pse India nuk ka njohur kurrë refugjatë të vijnë nga Kalkuta[29]?

Shumë e prekshme ishte historia e një gruaje (Hindu) e cila u gjend në kanal me krimba që i hanin mishin  e saj gjithandej përveç fëtyrës. Nëna (Terezë) dhe motrat e saja (murgesha) duhej t’i hiqnin me dorë krimbat një nga një. Gruaja vdiq me këto fjalë në gojën e saj: “Kam jetuar si kafshë, por po vdes si engjëll”. Ka mundësi që historia të jetë e sajuar, pasi për gratë hindu, engjëjt nuk njihen si qenje hyjnore ...

Libri “Fodor’s India” (1996), sqaron: “Shumë vetë thonë se Kalkuta është një qytet i vdekur. Por qindra vetë dynden nga vendet fqinje drejt Kalkutës çdo ditë. A mos janë kafshë ata që ushqehen me kryma. Jo, ata vijnë me shpresë për të gjetur mundësi për mbijetesë dhe jetesë. Ata i arrijnë këta dhe vendosen aty. Ata nuk janë krimba-ngrënës dhe Kalkuta është tepër e gjallë” [30]

Holiwood-i bëri një film për jetën e Nënë Terezes. Ky film quhej “Mother Teresa – In The Name of God’s Poor” (Nënë Tereza – në emër të Zotit të të varfërve)... Skenarin e bëri me kërkesën e Vatikanit katoliku i devotshëm francez Domenique Lapierre, ai i njëjti që gjashtë vjetë më parë kishte shkrua librin “The City of Joy” (Qyteti i gëzimit)[31] me të njëjtën tematikë...  Eshtë specifike se ky ishte filmi me metrazh më të gjatë ku rrolin e Nënës Terezë e luajti Geraldine Chaplin, bija e aktorit të famshëm Charlie Chaplin. Një film i turpshëm për Kalkutën. Megjithëse filmi shtjellonte jetën e Terezes në Kalkutë dhe humanitetin e saj, filmi u realizua në Sri Lankë, sepse Kalkuta nuk korospondonte me imazhin e “Kalkutës”, që sinonimon mjerimin, ku njerëzit lypes vdesin rrugëve... si ‘qytet ç’njerzor’, ‘gjigandi që ha njerëz’, qyteti i mallkuar, etl. Në film, Nënë Tereza tregohet si engjëll që ecën në rrugët e pështira dhe armiqësore të Kalkutës, ku njerzit gjithmonë i venë pengesa në rrugët ku ajo shkon... Ajo shihet me mosbesim dhe keqtrajtohet kudo që ajo shkon, përkundër punës engjëllore që po bënte. S’do mend se si në të gjithë filmat, edhe këtu shpëtimtari është një amerikan (i luajtur prej William Katt) që i ndihmon Terezes për të ndërtuar një klinikë të lëvizëshme...[32]. S’duhet lënë pa përmendë se libri i Z. Lapierre, pa asnjë të vërtetë në të u lavdërue me një shpallje nga vetë Papa[33], si një mik i madh i Vatikanit[34]...

Puna e saj në Kalkutë nuk ishte punë sociale por punë feje[35]... Terry Miles, u trondit nga injoranca e ‘motrave’ (murgeshave) të Terezes. Ata nuk kishin idenë as çfarë ishte SIDA: “Kryqi që mbani në gjoksin tuaj nuk do t’u mbrojë juve”, i kishte paralajmruar. Por Nënë Tereza vazhdonte t’i thoshte: “Zoti do të na ndihmojë”[36].

Në jetimoren e Nënë Terezes në Kalkutë, fëmijët i kryejn nevojat personale nën qiellin e hapur, midis një kanal drenazhimi i cili ka një drrasë druri të vendosur mbi të. Drrasa ka vrima të hapura rreth 30 cm. Larg njëra tjeters dhe jashtqitjet bien ndërmjet këtyre vrimave në sistemin e drenazhuar të shtëpisë. Murgeshat për vete kanë tauletet e tyre higjenike e të pastra[37].

Fusnotat

[1] http://www.top-channel.tv /forum/viewtopic. php?t=5559& postdays=0& postorder=asc& start=15; në shqip: (http://www.top-channel.tv/forum/viewtopic. php?t=5559&postdays=0 &postorder=asc&start=15

[2] Gazetar i CBS) "Sex Crimes and the Vatikan" (Krimet seksuale dhe Vatkani)

[3] Shiko dokumentarin “Morther Teresa’s Crisis of Faith, CNN: http://www.youtube.com /watch?v =otXQTVUR5 _A&feature=related

[4] BalkanWeb, 27. 7. 2002

[5] Panorama 19 tetor 2004;  Bota Sot 19 tetor 2004;  Illyria 19 tetor 2004; Per kombin Shqiptar ngjarja me e madhe e ketij viti eshte data 19 Tetor 2003 date kur eshte vendosur te zhvillohet ne qytetin e Vatikanit ne Rome ceremonia madheshtore per shenjterimin e nobelistes se Paqes, Nene Terezes, shenjtores se pare Shqiptare. Nene tereza a Kalkutes eshte figura e trete madhore e shqiptareve ne historine e tyre te lidhur me kishen katolike. Gjergj Kastrioti Skenderbeu i cili mori titullin e larte nga Vatikani "Atlet i Krishtit". Papa Shqiptar Klementi XI-Albani (1700-1721) dhe tani se treti shqiptarja Nene Tereza shenjteresha Shqiptare.  http://www.edsh.org/diskutime/viewthread.php?tid=1676

[6] Kushtrim Janina: ‘Ku vërtetë e ka vendin Nënë Tereza? Një qasje shkencore dhe fetare’ , botim në internet

[7] Si misionarë autori jeton ne Tijuana - Meksikë dhe është promotor i shpalljes së shenjtërisë së Nënë Terezës

[8] Brian Kolodiejchuk, M.C: “Mother Teresa – Come Be My Light” – The Private Writings of the ‘Saint of Calcuta’, New York, 2007; Për këto letra shiko gjithashtu revistën a famshme javore TIME të 24 gushtit 2007, pak para se të botohej libri i Z. Kolodiejchuk

[9] Shiko dokumentarin: “Mother Theresa’s Crisis of Faith” në CNN në: http://www.youtube.com /watch?v= otXQTVUR5 _A&feature=related

[10] Letra drejtuar At Francis Kavier në shtator 1946, në: B. Kolodiejchuk:  “Mother Teresa...” vep, cit, f.97

[11] B. Kolodiejchuk:  “Mother Teresa...” vep, cit, f.149

[12] Letra drejtuar arqipeshkvit Perier, 26 shkurt 1954; në: B. Kolodiejchuk:  “Mother Teresa...” vep, cit, f.154, 164

[13] Shiko dokumentarin “MOTHER TERESA: SAINT OR SCANDAL” në MSNBC:  http://www.youtube.com /watch?v= YNBj7QH8I8w &feature=related Shiko gjithashtu:”Mother Teresa: Heaven Means Nothing” BBC-AMERICA Brandy Yanchy:, by  http://www.youtube.com /watch?v =U2BlYveUPns&feature=related, shiko gjithashtu:  ‘Mother Teresa's Crisis of Faith’, në zzhbtG_iXpg

[14] B. Kolodiejchuk:  “Mother Teresa...” vep, cit, f.158, shih gjithashtu letrën e 28 prillit 1959, po aty, f.186

[15] Testimony of Father Neuner, about Mother Teresa… B. Kolodiejchuk:  “Mother Teresa...” vep, cit, f.209

[16] Letër at Picachy, 26 dhjetor 1959; B. Kolodiejchuk:  “Mother Teresa...” vep, cit, f.198

[17] Mateu 27:46,50

[18] Anne Sebba: “Nënë Tereza përtej Imazhit”, Weidenfield & Nicolson, 1997, f.215/216, cituar sipas Aropup Chatrterjee: “Mother Theresa ..., vep. Cit., f.196

[19] Tefta Paci: “Çmimi Nobel për letërsi” http://tsh.albemigrant.com /?c=119&a=1533, 01 Tetor 2008

[20] Shiko dokumentarin “Hell’s Angel” në: iKkcDgeYBdk&feature=related (Pjesa e dytë); shiko gjithashtu intervistën në http://www.secularhumanism.org/library/fi/hitchens_16_4.html

[21] Shiko dokumentarin “Hell’s Angel” në: 9WQ0i3nCx60  (pjesa e parë)

[22] “The Tablet”, 12 shtator 1998, sipas Chatrterjee: “Mother Theresa…” vep.cit. f.301

[23] Intervistë me autorin, 8 nentor 1996, Aroup Chatterjee: “Mother Teresa...”, vep. Cit.  f.171

[24] Aropup Chatrterjee, “Mother Teresa..., vep. Cit.  f.17

[25] Duhet të jeni naiv, ose edhe më shumë se naiv, të besoni se një murgeshë nga kombi më i varfër, më i prapambetur, më i shkatërruar dhe më primitiv i Evropës, të shkoj si shpëtimtar hyjnor në pikëpamje ekonomike i ish-kryeqytetit të perandorisë më të madhe që ka njohur njerëzimi. Kalkutës si ylli i Indisë ia kanë pasur lakmi perandoritë e fuqishme si Japonia dhe Rusia.

[26] Aropup Chatrterjee, “Mother Theresa ..., vep. Cit.f.17-19

[27] Aropup Chatrterjee, “Mother Theresa ..., vep. Cit.f.20

[28] Aropup Chatrterjee, “Mother Theresa ..., vep. Cit.f.110

[29] Aropup Chatrterjee, “Mother Theresa ..., vep. Cit.f.163

[30] Aropup Chatrterjee, “Mother Theresa ..., vep. Cit.f.164

[31] Një pjesë të këti filmi mund ta shikoni në MrRCwPec_nM

[32] Aropup Chatrterjee, “Mother Theresa ..., vep. Cit.f.247-248

[33] Aropup Chatrterjee, “Mother Theresa ..., vep. Cit.f.260

[34] Aropup Chatrterjee, “Mother Theresa ..., vep. Cit.f.264

[35] Aropup Chatrterjee, “Mother Theresa ..., vep. Cit.f.230

[36] Evening Standard, Londër 3 janar 1992

[37] Aropup Chatrterjee, “Mother Theresa ..., vep. Cit.f.232

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme