A kaloi Shën Pali në Apoloninë e Ilirisë!?

A kaloi Shën Pali në Apoloninë e Ilirisë!?

image  

 shumë historianë shqiptarë, pa u thelluar në dëshmi të tjera dhe me dëshirën që t'i atribuonin historisë së Shqipërisë edhe fakte të rëndësishme, citonin një fjali nga Bibla, në të cilën Shën Pali thoshte: "Mbasi kishin kaluar në Amfiopoli dhe nëpër Apoloni, mbërritën në Selanik". Kështu u krijua ideja e gabuar se Shën Pali kishte qenë në Apoloninë tonë dhe kishte ngritur aty një komunitet kristian, i cili do të bëhej fillesa e Krishtërimit në Iliri.

E çuditshme, por kjo hipotezë mbijetoi për një periudhë relativisht të gjatë, gati gjysmë shekulli. Atë e formuloi për herë të parë teologu Dhimitër Beduli në vitin 1944, në botimin e tij për historikun e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Ndërkohë, edhe autorë të tjerë e cituan këtë tezë, të cilën e morën të mirëqenë, duke e shndërruar atë pa dashje në tezën zyrtare të historiografisë shqiptare. Por në rrethana të tjera, studimet e mëvonshme kanë nxjerrë konkluzionin se Shën Pali nuk ka kaluar në Apoloninë e Jonit, por në një tjetër Apoloni, atë të Maqedonisë.

Në kohën antike gjatë procesit të kolonizimit të madh, grekët krijuan përgjatë brigjeve të detit Mesdhe 30 qytete me emrin e perëndisë Apolon. Ndër to, nga më të përmendurat ishin: Apolonia e Ilirisë, Apolonia e Trakisë, Apolonia e Maqedonisë, ajo e Detit të Zi, e Cirenajkës në Libi etj. Duke qenë se ishin shumë qytete të tilla, ishte e natyrshme që të dhënat do të ngatërroheshin diku midis tyre dhe do të kishte interpretime të ndryshme, siç ndodhi edhe me pasazhin e mësipërm të Biblës.

Ndërkohë historiografia botërore e ka vërtetuar faktin se në Maqedoninë greke, ruhen edhe sot dëshmitë për itinerarin e përshkruar nga Pali gjatë predikimeve të tij. Pikërisht në këto vende janë vendosur emërtime që dëshmojnë këtë fakt, duke na plotësuar mozaikun e të dhënave se Pali ka kaluar vetëm në Apoloninë e Maqedonisë dhe jo në Apoloninë e Jonit, që ndodhej qindra kilometra larg saj.

Dikur, në ato vite të largëta askujt prej kolonistëve grekë që themeluan qytetin e Apolonisë, nuk i shkonte ndërmend se qyteti kushtuar Perëndisë së diellit, do të bëhej një ditë, një nga qendrat e përhapjes së fesë kristiane në rajonin e Ilirisë së jugut.

Apolonia, e quajtur ndryshe edhe "qyteti i tempujve", për shkak të ekzistencës së shumë faltoreve pagane, do të bëhej "objektivi" i shumë misionarëve kristianë, të cilët prej kauzës së tyre do të bëheshin edhe pre e persekutimit të autoriteteve romake. Kjo politikë që nisi nga koha e Perandorit Neron në vitin 64 dhe përfundoi në kohën e sundimit të Kostandinit të Madh në vitin 313, la gjurmët e veta jo vetëm në Apoloninë e dikurshme, por edhe në historinë e Krishtërimit.

Apolonia dhe Dyrrahu, si dy kolonitë më të vjetra dhe më të rëndësishme helene në Iliri, u përfshinë herët në procesin e përhapjes së Krishtërimit, i cili në brigjet e Adriatikut Juglindor është i periudhës apostolike. Këtu mund të veçojmë si shembull të qartë ekzistencën e komunitetit kristian në qytetin e Durrësit qysh në shekullin e parë. Dokumentet dëshmojnë se bashkësia e krishterë e Durrësit përbëhej në vitin 58, nga 70 anëtarë së bashku me familjet e tyre. Peshkopi i parë i kësaj bashkësie ishte Shën Cezari, i cili u emërua në këtë detyrë nga Apostulli Pal. Por pas shumë vitesh shërbimi ilegal në Durrës, Shën Cezari do të largohet për të drejtuar komunitetin kristian të Koronës në Peloponez. Përpara largimit të tij, ai vendosi në vendin që la vakant, si peshkop të ri të Durrësit Shën Astin. Shërbimi i Shën Astit në Durrës korrespondoi me kohën kur në Romë sundonte Perandori Trajan.

Gjatë përndjekjeve që ai organizoi kundër të krishterëve, të cilët akuzoheshin si prishës të besimit zyrtar të perandorisë, u ekzekutua edhe Shën Asti. Qeveritari romak i Durrësit, Agrikola, e arrestoi dhe urdhëroi që ta kryqëzonin njësoj si dikur Jezusin. Së bashku me Shën Astin, u ekzekutuan duke u mbytur në det edhe shtatë të krishterë të tjerë, të cilët kishin ardhur nga Italia për t'u strehuar ndaj përndjekjeve.

Ndërkohë, një histori të përafërt me ngjarjet e zhvilluara në Durrës ekziston edhe për qytetin e Apolonisë, e cila gjendej 80 km në jug të tij. Kështu, në një dorëshkrim të vjetër që gjendet në bibliotekën e Patrikanës së Jeruzalemit, i cili citohet tek libri i mitropolitit të Beratit, Anthim Aleksudhi, me titull:

"Përshkrim i shkurtër i historisë së Mitropolisë së shenjtë të Beratit", i botuar në Korfuz në vitin 1868, përmendet një listë e 70 apostujve të Krishtit.

Ata u emëruan nga Shën Pali si peshkopë të komuniteteve kristiane, që gjendeshin atëherë në Perandorinë Romake. Midis tyre në numrin rendor 54, është shënuar emri i Shën Cezarit, të cilin e përmendëm më sipër. Ndërsa poshtë tij, me numrin rendor 55, është shkruar emri i peshkopit të Apolonisë, Marino. Ky fakt dëshmon qartë se fillimet e Krishtërimit në Apoloni dhe Dyrrah i përkasin të njëjtës periudhë historike. Ndërkohë, interesante janë faktet që autorë dhe burime të ndryshme na japin për persekutimet ndaj kristianëve në Apoloni.

Arkeologu dhe studiuesi i antikitetit, Neritan Ceka, në librin e tij "Ilirët" thotë se gjatë zhvillimit të kristianizmit ilegal në Apoloni u persekutua Ibasi, i cili ishte nga Athina. Ndërkohë që nuk na jepet koha gjatë së cilës ndodhi përndjekja ndaj tij. Ndërsa në një tjetër libër të titulluar "Sinaksari", i cili flet për jetët e shenjtorëve, botuar nga studiuesi dhe historiani kishtar Andrea Llukani, flitet edhe për martirët kristianë të Apolonisë.

Të tillë janë quajtur nga kisha të gjithë të krishterët, të cilët në shekujt e parë pas Krishtit u përndoqën dhe u persekutuan nga autoritetet romake. Kështu ndodhi edhe me tre djem nga Athina: Feliksin, Hermesin dhe Peregrinin, të cilët kishin ardhur në Apoloni për të përhapur besimin kristian. Në kauzën e tyre ata ishin përkrahur edhe nga të rinj të tjerë apoloniatë, siç ishin: Izaku, Vasili dhe Inoçenti.

Të gjashtë të rinjtë e ushtronin besimin ilegalisht në një shpellë pranë qytetit të Apolonisë, ndërkohë që kjo veprimtari ra në sy të autoriteteve romake. Prefekti Tripont kreu arrestimin e tyre dhe i urdhëroi të hiqnin dorë nga besimi. Djemtë nuk iu bindën dhe ai i kryqëzoi në 17 qershor të vitit 283, gjatë sundimit të Perandorit Mark Aurel Numeriani. Por pjesa më interesante e kësaj dëshmie është fakti që pohon ekzistencën e shpellave në prapatokën e Apolonisë, të cilat u përdorën nga kristianët për ushtrimin e besimit të ri.

Të dhëna për këto shpella na jep edhe Herodoti, i cili tregon se qysh në shekullin e V p. K., aty ruheshin kopetë që i kushtoheshin perëndisë Apolon. Persekutimi 249-vjeçar ndaj të krishterëve mori fund në vitin 313, kur Perandori romak Kostandini i Madh e zyrtarizoi Krishtërimin si fe që mund të ushtrohej lirshëm prej qytetarëve romakë. Kështu, nisi organizimi kishtar dhe ngritja e kishave anembanë perandorisë. Brenda një periudhe të shkurtër Apolonia u shndërrua në peshkopatë, e cila ishte nën juridiksionin e Mitropolisë së Durrësit. Dokumentet historike dëshmojnë pjesëmarrjen e peshkopëve apoloniatë në koncilet ekumenike, ku merrnin pjesë autoritetet e larta të të gjithë kishës.

Kështu një peshkop i saj shoqëron mitropolitin e Durrësit, Eukaritin, në koncilin e Efesit të vitit 431, ndërsa peshkopi Eusebius merr pjesë në koncilin ekumenik të Kalcedonit në vitin 451. Disa vite më pas ky peshkop u largua nga Apolonia, duke e braktisur qytetin që "zoti e kishte braktisur më parë". Tërmetet shkatërrimtare të viteve: 234 dhe 345, si dhe zhvendosja e shtratit të Vjosës disa kilometra në jug, bënë që, peshkopata e dikurshme të shndërrohej në një manastir, rëndësia e të cilit u ruajt deri diku nga mesi i shekullit të XX. Por, le të kthehemi përsëri tek problem i fillimit, për të vërtetuar se Shën Pali nuk ka qenë në Apoloni. Pali është konsideruar nga shumë historianë si një ndër 100 personalitetet më të shquara të historisë. Ai për nga origjina ishte hebre dhe lindi në vitin 4 në qytetin Tars në Kiliki, të Azisë së vogël, në Turqinë e sotme.

Qysh në rininë e hershme ai mori mësime fetare mbi hebraizmin, bile studioi edhe në Jeruzalem me rabinin e njohur, Gamaliel. Pas vdekjes së Jezusit, Pali mori pjesë në persekutimet që judenjtë së bashku me autoritetet romake u bënin kristianëve. Por gjatë një udhëtimi që ai bëri nga Jeruzalemi në Damask, sipas "legjendës" iu shfaq Jezusi, i cili e ftoi të bëhej kristian. Kështu ndodhi metamorfoza, ku Pali nga një kundërshtar i ashpër i Krishtërimit u shndërrua në predikuesin më aktiv të tij, duke luajtur rolin kryesor në përhapjen e kësaj feje në Perandorinë Romake. Gjatë veprimtarisë së tij ai udhëtoi në Azinë e Vogël, Greqi, Siri, Palestinë, Mesdhe, Maltë dhe Itali, duke e shndërruar Krishtërimin nga një sekt i thjeshtë hebre në një fe botërore. Përveç veprimtarisë misionare, Pali ka meritën se e përpunoi Krishtërimin, ku nga 26 librat e Dhiatës së Re, 14 të tillë u shkruan nga ai. Për veprimtarinë e tij, Pali u burgos nga autoritetet romake në Jeruzalem dhe pas kësaj u dërgua për t'u gjykuar në Romë, ku në vitin 64 u vra. Ai kreu gjatë veprimtarisë së tij misionare katër udhëtime gjithsej. Në udhëtimin e parë ai kreu itinerarin: Antioki (Siri), Qipro, Perge (Turqi), Ikonia (Turqi) dhe që këtu u rikthye përsëri në Antioki. Në udhëtimin e dytë, Pali u nis përsëri nga Antiokia dhe udhëtoi në Turqinë e sotme në Ikonia, Synada, Nike, Kalcedon, Pergam, për të kaluar Egjeun, duke vazhduar nëpër Greqi, Samotrakë, Amfiopol, Selanik, Athinë dhe Korint. Pasi qëndroi pak kohë në Korint dhe Efes, ai shkoi në Talemorole (Palestinë), duke vazhduar përsëri misionin drejt Antiokisë.

Në udhëtimin e tretë, Pali u nis përsëri nga Antiokia dhe ndoqi itinerarin në territorin e sotëm Turk: Tarso, Ikonia, Synada, Hereopolis, Laokidea, Efes, Sardi dhe Troade. Pasi kaloi detin Egje ai e vazhdoi më tej udhëtimin nëpër Greqi, ku vijoi në Samotrakë, Neapolis, Filipi, Amfiopol, Selanik, Athinë, Korint dhe Larisë. Me ngritjen edhe këtu të komuniteteve kristiane, ai mori përsëri rrugën e rikthimit, duke udhëtuar nëpër: Selanik, Amfiopol, Mitilenë, Efes, Mine, Tir (Liban) dhe mbërriti në Jeruzalem. Në udhëtimin e katërt, Pali u nis nga Jeruzalemi nëpër Tir, Salaminë, Mira, Kretë, Maltë, Sicili dhe Romë, ku këtu për arsye që tashmë dihen ai u vra në vitin 64. Apolonia, të cilën Pali vizitoi, është ajo e Maqedonisë. Ajo u themelua nga grekët e Kalkidikisë, të cilët u vendosën këtu në vitin 421 p. K.  për t'i shpëtuar ekspeditës detare të Athinës gjatë Luftës së Peloponezit. Lejen për ndërtimin e qytetit, kolonistët grekë e morën nga Mbreti Perdika i Maqedonisë. Qyteti që kishte një sipërfaqe më të vogël se Pela, kryeqyteti i Maqedonisë, ndodhej në veri të Gadishullit Kalkidik. Në vitin 360 p. K., Apolonia e Maqedonisë përmendet si polis i pavarur, pavarësisht se ishte territor i Mbretërisë Maqedonase. Ndërsa gjatë periudhës së qeverisjes së Filipit II dhe Aleksandrit të madh, qyteti ishte një qendër qytetare, ekonomike dhe ushtarake e rëndësisë së veçantë. Kjo u dedikohej minierave të floririt që ndodheshin pranë tij, buzë lumit Amiti. Apolonia përmendet edhe në shkrimet e autorëve antikë si: Straboni, Tukiditi, Pseudo, Kalisteni etj. Rëndësinë e tij ky qytet do ta ruajë edhe gjatë epokës romake, kur do të përfshihet në rrugën ballkanike të Egnatias. Pikërisht, ky qytet përshkruhet edhe në guidën e Hieroklit në shekullin VI, që ishte një itinerar udhëtimi për nëpunësit perandorakë. Përshkrimi i saj gjendet në librin "Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë", ku Apolonia në fjalë përmendet si një ndër 32 qytetet e provincës së Maqedonisë.

Në këtë qytet kaloi Shën Pali gjatë udhëtimit të tij të dytë, së bashku me Timotheun dhe Silën me synimin për të shkuar në Selanik, përgjatë rrugës Egnatia. Shën Pali bashkë me shoqëruesit qëndroi një natë në Amfiopol dhe të nesërmen u nis për në Apoloninë e Maqedonisë, e cila ishte vetëm 47 km larg këtij qyteti. Prej këtej, të nesërmen ai vazhdoi rrugën për në Selanik. Kështu, Shën Pali i përshkon këto ngjarje në Bibël, të cilat kanë ndodhur në Apoloninë e Maqedonisë që ndodhet pranë detit Egje dhe jo në Apoloninë e Jonit, të quajtur ndryshe edhe: Apolonia e Iliri.

Burimi:

www.bibladhekurani.com

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme