“SHERH RAHATI ÄL-ĶULUB” E PIR MUHAMED EFENDIUT NGA PRISHTINA

Një nga ato tri dorëshkrime unikate që ruan Arkivi i Kosovës, është edhe vepra e autorit nga Prishtina, Pir Muhammed bin mevlana Mustafa ibn mevlana Halil ibn mevlana el-Haxhi Aliu, شرح راحت القلوب “Sherh Rahati äl-ķulub” – Komentim i veprës “Rehatia e Zemrës”, që po paraqesim në vazhdim, së bashku me shënimet që gjenden para, pranë dhe pas tekstit të kësaj vepre/dorëshkrimi dhe me përshkrimin formal – ekstensiv të dorëshkrimit, sepse, kujtojmë, këto shënime ofrojnë informacione shumë interesante, edhe pse disa nga ato shënime nuk janë të lidhura në aspektin kohor dhe hapësinor me kohën kur është shkruar a kopjuar vepra. Po i japim këto të dhëna edhe për faktin se ky dorëshkrim:
- është unikat
- është i shkruar nga një prej dijetarëve më të mëdhenj të Prishtinës të shek. XVI
- është i kopjuar nga një prej dijetarëve dhe personaliteteve tona të shquara të asaj kohe
- është i vjetër afro 450 vjet
- ka njohur një rrugëtim sa tragjik po aq edhe interesant (njësoj sikurse bashkëvendësit e autorit dhe kopjuesit e tij) dhe
- së bashku me dorëshkrimet e tjera orientale që ruhen në Arkivin e Kosovës dhe gjithandej në Kosovë, përveç të tjerash, për historianët, orientalistët, ekspertët e paleografisë arabe, të kaligrafisë dhe të artit aplikativ, paraqet dokumentacion hulumtues të klasit të parë.
Dorëshkrimi “Sherh Rahati äl-ķulub” është në gjuhën arabe. Është i shkruar me shkrimin arab ‘ta’lik’, të imët, të ngatërruar, dhe jashtëzakonisht të bukur. Ka format 21×14.5 cm., dhe tekst 13×7.5 cm. Në çdo faqe ka nga 15 rreshta. Letra është e bardhë në të verdhë dhe e lëmuar. Teksti i veprës bazë është i shkruar me të kuqe, sikurse edhe titulli i librit dhe “unvani” (ornamenti) jo aq i veçantë në fillim të faqes së parë. Teksti i komentimit është i shkruar me ngjyrë të zezë. I gjithë teksti është i kornizuar me ngjyrë të kuqe. Ka kustodat. Përmbledh, sikurse shkruan në faqen e fundit, 165 fletë (330 faqe). Ka shpjegime në margjina të shkruara me shkronja më të imët, që, siç thotë komentatori i kësaj vepre, paraqesin shpjegime të disa paqartësive të lëna nga autori i veprës “Merah äl-Ervah” .
Veprën bazë të gramatikës arabe مراح الارواح “Merah el-Ervah” e shkroi Ahmed b. ‘Ali b. Mes’ud, i cili jetoi në shek. VIII/XIV . Kurse komentimin e kësaj vepre (dorëshkrimi ynë) në vitin 967/1559 e ka bërë Pir Muhammed bin mevlana Mustafa ibn mevlana Halil ibn mevlana el-Haxhi Aliu nga Prishtina (jetoi në shek. XVI), dhe komentimin e tij e ka titulluar شرح راحت القلوب “Sherh Rahati äl-ķulub” ose, sipas titujve që janë vënë në faqen 1a dhe 2a, مراح شرح “Merah sherh-i”, apo مراح شرح”Sherh-i Merah”. Ky dorëshkrim është vepër unikate dhe si i tillë pasuron dhe plotëson katalogët dhe bibliografitë e dorëshkrimeve orientale të përmasave botërore.
Teksti fillon me “Besmelen” dhe pas saj:
الحمد لله الذى صرف قلوبنا نحو تحصيل القواعد و المبانى … والصلوة والسلام على افضل الرسل اكمل الانام … و على اله و صحبه اجمعين … اما بعد فيقول هذاالعبد المذنب الحقير الجامع لفنون القصور و التقصير پر محمد بن مولانا مصطفى حشرهما الله تعلى مع عبده الذين اصطفى الپرشتني المعروف با بن مولانا القريمى لما لخصت كتاب مراح الارواح … شرحته شرحا يبين المراد و يزين الفؤاد … في سنت سبع وستين و تسعمية …
Në faqen 2 autori i komentimit “Sherh Rahati äl-ķulub”, Pir Muhammed efendiu nga Prishtina, për ata që nuk e dinë se ku gjendet Prishtina dhe si duhet të lexohet drejtë emri i saj, shpjegon se “emri Prishtina në gjuhën arabe duhet të lexohet پرشتنه “Prishtine”, dhe është një qytet (kasaba) i njohur në tokat e Rumelisë, afër Tyrbes së sulltanit të tretë (pas Osmanit I dhe Orhanit – S. M.) të Perandorisë Osmane, shehidit Gazi sulltan Muradit”.
Kopjimi i këtij dorëshkrimi është bërë ditën e xhuma më 28 të muajit Shaban të vitit 969/1561, d. m. th. dy vjet pasi është shkruar komentimi “Sherh Rahati äl-Ķulub”, në vendin e quajtur Sulltan Jajllagi, afër Kalasë së Mardinit të Dijarbekrit (Turqi – S. M.), nga dijetari dhe kaligrafisti i vërtetë Ahmed Muhammedi (bazuar në vulën që është vënë në fund të dorëshkrimit në të cilën shkruan: احمد محمد من اولاد بنده”Ahmed Muhammedi – nga fëmijët e shehut”.
Kopjuesi, sikurse shkruan ai vetë, gjatë kësaj kohe ka qenë në një udhëtim në Isfendijar, në cilësi të imamit dhe të mësuesit, së bashku me emirin e Rumelisë, Mustafa pasha . Ky udhëtim, shkruan kopjuesi, ka qenë përcjellë me shumë vështirësi dhe trazira nga rebelët e sulltan Bajazidit…
و كنت انا مع امير الامراء مصطفى پاشا مشتغلا في خدمته بالامامة و التعليم و كان السفر المذكور مع شدة عظيمه … و كان الفراغ عن التسويد فى ثمان و عشرين من شهر شعبان المعظم فى يوم الجمعة فى موضغ يقال له سلطان يايلاغي فى قرب قلعة ماردين فى ديار بكر …
Në faqen e fundit të dorëshkrimit gjendet edhe një shënim tjetër në gjuhën arabe, shkruar po nga Ahmed Muhammedi (edhe aty është vënë vula e tij), i cili, kujtojmë, tregon se cilat qenë ato vështirësi të atij udhëtimi dhe kush qenë rebelët në atë kohë. Atë shënim, me pak shkurtime, e përkthyem kështu:
“Shkak i betejës së sipërpërmendur qe rebelimi i princ Bajazidit i biri i sulltan Sulejmanit (…) ndaj vëllait të tij sulltan Selim hanit . Kjo përleshje ndodhi në mejdanin e Konjës, ku rebelët u mposhtën. Më kanë treguar shumë vetë nga ata që ishin me rebelët” – shkruan kopjuesi – “se një pluhur i madh pati filluar të ngrihej nga tyrbeja e (…) Mevlana Hundavendiçarit dhe ky pluhur kishte përfshirë grupin e rebelëve, kurse zemrat e tyre i kishte kapluar paniku dhe, me ndihmën e Allahut, ata qenë mposhtur. Kur lajmi kishte arritur tek sulltani i drejtë (sulltan Sulejmani I – S. M.) se rebelet ishin zmbrapsur – ndërsa ulematë kishin dhënë fetvanë dhe kishin lejuar që rebelët të luftoheshin – sulltani (Sulejmani I – S. M.) emëroi djalin e tij sulltan Selimin udhëheqës të ushtrisë që do t’i ndiqte ata. Rebelët ndërkaq, duke parë se nuk kishin mundësi dhe as forcë që të përlesheshin me këtë ushtri, ndërruan taktikë – ishin larguar nga vendi i rebelimit dhe kishin shkuar të strehoheshin (të gjenin mbështetje) tek kryetari i të këqijve, te armiku i imamëve të drejtë, te i keqi i të këqijve, shah Tahmasb shah Ismaili . Kur kishin arritur atje, kishin lartësuar e lavdëruar atë (shah Tahmasbin – S. M.), por ai kishte arrestuar sulltan Bajazidin së bashku me katër bijtë e tij, ndërsa parinë e ushtrisë ia kishte mbytur, përveç disave” – përfundon shënimi.
Kjo kopje e dorëshkrimit, në të vërtetë, është kopja e dytë e veprës unikate “Sherh Rahati äl-ķulub” pas asaj të parës – autograf të shkruar nga Pir Muhamed efendiu, sepse në fund të dorëshkrimit tonë, autori Pir Muhamed efendiu, shkruan: “Këtë ekzemplar e kam krahasuar me ekzemplarin tim, të cilin e pata shkruar për herë të parë në muajin Rebi el-ahir të vitit 969/1561, në Kasabanë e Prishtinës – autori i kësaj vepre, Pir Muhamedi” – përfundon shënimi.
Këtu është vënë edhe vula e autorit Pir Muhamed efendiut, me të cilën vërtetohet se ky dorëshkrim është lënë vakëf.
قد قبلت هذه النسخة بنسختى التي سودتها اولا في شهر ربيع الاخر من شهور سنة تسع و ستين و تسعماء فى قصبة پرشتنه حميه . و انا الفقير مؤلف هذاالكتاب پر محمد الوقوفي …
Ç’është e drejta, ky dorëshkrim është lënë vakëf, siç thuhet, me dorë të vetë nga Pir Muhamedi, dhe si autor që ishte, ai i pati vënë edhe disa kushte.
Në faqen 2a gjendet shënimi në të cilin shkruan: “Këtë dorëshkrim e lash vakëf (e vakëfnova) për hir të Allahut të Madhërishëm dhe këtë ia dorëzova atij që është i caktuar në pozitën e muteveliut (mbikëqyrësit) për ta ruajtur dhe për t’ia dhënë kujtdo që dëshiron për ta kopjuar apo për të pasur dobi nga ky. Kështu që (ky dorëshkrim) të ruhet nga humbja dhe nga keqpërdorimi. Muteveliu i sipërpërmendur është shumë i nderuari, shumë i respektuari dhe i shumë çmuari mevlana Husamuddin el-Levhi, e shpëtoftë Allahu i Madhërishëm. Unë (po ashtu) kam vënë kusht që ky ekzemplar i çmuar të mos dalë jashtë qytetit të Prishtinës dhe asnjë i interesuar të mos pengohet nga kopjimi dhe shfrytëzimi i këtij dorëshkrimi. Por, kush bënë ndryshimin e tij pasi që ta ketë dëgjuar atë, gjynahu për të u takon atyre që e ndryshojnë. Allahu është më i miri ruajtës dhe Ai është më i mëshirshmi i mëshiruesve . Ndërkaq, pas largimit (të vdekjes – S. M.) të muteveliut të sipërpërmendur nga shtëpitë e Prishtinës, mbikëqyrja e këtij dorëshkrimi i mbetet – i takon atij që do të jetë imam në Xhaminë e Vjetër , që gjendet në këtë vend. Kurse unë, muteveliut ia dhuroj një të tretën e shpërblimeve dhe sevapeve të shpresuara nga ky vakëfnim, dhe, për këtë që them, Allahu është dëshmitar. Kjo ndodhi në fund të muajit Rebi el-ahir të vitit 969/1561, në kasabanë e Prishtinës e ruajttë Allahu i Madhërishëm nga (të gjitha) llojet e belasë, për hir të më të mirit njeri (Muhammedit a. s.- S. M.).
Dëshmitarë të çështjes: Pir Muhamed Beqir ibn mevlana Umer efendi (ez-ze’im), Ali Beqir b. Mustafa Çelebi (ez-ze’im), Mustafa Çelebi ibn mevlana (el-hatib-el-emin), mevlana Kasim Halife, mevlana Pir Muhamed Çelebi (en-naib), Hasan Çelebi (el-emin) dhe të tjerë. Kjo është e tëra nga unë, e unë jam autori i këtij libri, Pir Muhamed ibn mevlana Mustafa ibn mevlana Halil ibn mevlana el-Haxhi Alij. Allahu i mëshiroftë që të gjithë!” – përfundon shënimi (autograf) i shkruar nga autori i veprës Pir Muhamed efendi prishtinasi.
قد وقفت هذه النسخة المباركة ابتغاء لمرضات الله تعلى و سلمتها الى من نصبته متوليا لحفظها … و المتولى المذكور هو … مولانا حسام الدين اللوحى … و شرطت ان لا تخرج هذه النسخة المباركة من قصبة پرشتنه فمن بدله بعد ما سمعه فانما اثمه على الذين يبدلونه فاالله خير حافظا و هو ارحم الراحمين وجرا ذالك فى اواخر شهر ربيع الاخر من شهور سنة تسع و ستين و تسعماة فى قصبة پرشتنه … و بعد ارتحال المتولى المذكور عن بيوت پرشتنه فالتولية تكون لمن يكن اماما فى الجامع العتيق الواقع فى هذه القصبة و انى وهبت للمتولي ثلث ما ارجوا من اجر هذه الوقف و ثوابه والله على ما نقول وكيل… هذا ما صدر منى و انا الفقير مؤلف هذه الكتاب پر محمد ابن مولانا مصطفى ابن مولانا خليل ابن مولانا الحاج على رحمهم الله تعالى…
Në faqen 1/a po ashtu gjendet edhe një shënim tjetër shumë me rëndësi në gjuhën osmane, i shkruar nga një person i mëvonshëm, në të cilin përshkruhen katrahurat dhe itinerari i dorëshkrimit të çmueshëm “Sherh Rahati äl-ķulub”, i cili kishte pasur të njëjtin fat, sikurse bashkëvendësit e autorit dhe kopjuesit të tij. Në të jepen disa të dhëna të reja për autorin, për librin, për kopjuesin, për Prishtinën dhe popullatën e saj në përgjithësi dhe, gjithashtu, vërtetohen të dhënat e sipërshënuara.
Sikurse dihet, gjatë okupimit austriak të Prishtinës (1689 – 1690), popullata qe detyruar të shpërngulej. Dikush nga këta banorë, ndonëse në rrethana të vështira, duke ditur vlerën e këtij dorëshkrimi, qe kujtuar dhe këtë dorëshkrim dhe e pati marrë me vete për në Seres (Greqi), ku qenë vendosur një pjesë e popullatës së Prishtinës. Në Seres, ky dorëshkrim, do të mbetej afro një shekull e gjysmë, derisa një ditë, disa tregtarë të kujdesshëm, dashamirë të librit e ruajtës të trashëgimisë së tyre, dhe, duke njohur kushtin e vakëfnimit që kishte vënë autori i veprës Pir Muhamed efendiu, se “ky dorëshkrim nuk bënë të nxirret jashtë Prishtinës”, do të angazhoheshin dhe këtë vepër unikate, më 1260/1844, do t’ia kthejnë qytetit, të cilit, me vendim të autorit dhe të kopjuesit, edhe i takonte.
Aty shkruan: “Autor i veprës “Sherh Rahati äl-ķulub” është Pir Muhamed efendiu, një nga dijetarët më të mëdhenj të kasabasë së Prishtinës, i cili veprën e shkroi në vitin 967/1559. Këtë vepër gjatë kohës së luftës që zhvillohej ndërmjet Perandorisë Osmane dhe Iranit, në afërsi të kështjellës së Mardinit në krahinën e Dijarbekrit (Anadoll – Turqi – S. M.) e kopjoi personaliteti dhe dijetari i njohur, bashkëkohësi i Pir Muhamed efendiut dhe pjesëmarrësi në ushtrinë perandorake, Ahmed efendiu, i cili kur qe kthyer në atdheun e tij në Prishtinë, së bashku me autorin, pra në të gjallë të autorit, e krahasoi dhe e korrigjoi kopjen e tij me kopjen e origjinalit që e kishte autori i veprës. Pas krahasimit, Ahmed efendiu ia dhuroi autorit në fjalë këtë kopje, kurse autori (këtë kopje) e la vakëf dhe për muteveli (mbikëqyrës) të saj caktoi imamin e mëhallës së xhamisë së Vogël në Prishtinë, të cilit ia dorëzoi librin, me kusht që libri nuk mund të nxirrej jashtë qytetit të Prishtinës. Mirëpo, gjatë kohës së okupimit të qytetit të Prishtinës nga ushtria austriake (1689 – 1690 – S. M.), shumica e popullsisë qe shpërngulur në Strumicë dhe në Seres, e së bashku me ta qe shpërngulur edhe libri, i cili për një kohë të gjatë mbeti në Seres. Mirëpo, në vitin 1260/1844 me angazhimin dhe me ndërmjetësimin e tregtarëve të Prishtinës, ky libër u rikthye në Prishtinë. Kurse në vitin 1277/1860 u dorëzua dhe u (ri)vakëfnua në bibliotekën e Medresesë (të Prishtinës – S. M)” – përfundon shënimi i këtij anonimi.
Në faqen e brendshme të kopertinës së parë, shkruan “Kitab munlla Mahmud – Libri i mulla Mahmudit”, që mund të jetë me siguri ndonjë nga shfrytëzuesit e mëvonshëm të këtij dorëshkrimi, ose dorëshkrimi mund të ketë qenë në pronësi të bibliotekës së tij.
Në fund, me gjithë të dhënat e sipërpërmendura për autorin e veprës/dorëshkrimit “Sherh Rahati äl-ķulub”, Pir Muhamed efendiun nga Prishtina, dhe me gjithë të dhënat edhe për kopjuesin e saj Ahmed Muhamedin, mbetet të bëhen hulumtime të mëtejshme për t’i njohur më shumë këta dijetarë dhe personalitete të shquar të Kosovës të shek. XVI.

Shih faqen 2 të dorëshkrimit.
Kasim Dobraća, Katalog arapskih, turskih i perzijskih rukopisa, svezak drugi, Sarajevo, 1979, fq.373; Jozef Blaškovićs, Arabische, turkische und persische handschriften der Univeristatsbibliothek in Bratislava, Bratislavë, 1961, fq. 244; Mustafa Jahić, Katalog arapskih, turskih, perzijskih i bosanskih rukopisa, svezak šesti, London- Sarajevo, 1999, fq. 128; Mustafa Jahić, Katalog arapskih, turskih, perzijskih i bosanksih rukopisa, svezak osmi, London – Sarajevo, 2000, fq. 33.
Lala Mustafa pasha njihet si çlirues i Qipros dhe i Gruzisë, si dhe njëri prej shkaktarëve kryesorë për vrasjen e princ Bajazidit. Me gjerësisht: Joseph von Hammer, Historija Turskog (Osmanskog) carstva, I, Zagreb, 1979, fq. 482 – 484; Dr. Alij Sultan, Ed-Devle el-Uthmanije, Dimashk, 1997, f. 200.
Princ Bajazidi i biri i sulltan Sulejman Kanunit është njëri prej katër djemve të sulltan Sulejman Kanunit, i cili më 1559 përgatiti një komplot dhe zhvilloi një luftë për pushtet me të vëllanë e tij, princin Selimi II. Bajazidi në nëntor 1560 strehohet në Iran tek shah Tahmasbi, ndërsa mbytet po nga ky shah më 25 shtator 1561. Më gjerësisht shih: Halil Inalxhik, Perandoria Osmane, Shkup, 1995, f. 303.
Sulltan Sulejmani I Kanuni sundoi ndërmjet viteve 1520 –1566.
Sulltan Selim Hani II, sundoi ndërmjet viteve 1566 – 1574.
Sulltan Muradi I, sundoi ndërmjet viteve 1361 – 1389.
Mbreti i Iranit Shah Tahmasb shah Ismaili, sundoi ndërmjet viteve 1524 – 1576.
Aludim në ajetin 181 të kaptinës “El-Bekare”.
Xhamia e Sulltan Muradit, e cila njihet edhe me emrat: xhamia e Çarshisë, xhamia e Gurit, xhamia e Vogël, Bajazid xhamia. U ndërtua në vitin 792/1398 dhe llogaritet të jetë më e vjetra në Kosovë, për se edhe në dorëshkrim quhet me emrin xhamia e Vjetër.
Si shënimi nr. 11.
Popullata normale e Prishtinës, asokohe, sipas raporteve të kohës, kapte shifrën prej 15.000 banorësh, shumica e saj shqiptarë muslimanë. Shumë nga ata patën ikur. Më gjerësisht: Noel Malcolm, Kosova – Një histori e shkurtër, Prishtinë, 1998, f. 151.

* Botuar në revistën “URA”, nr. 1/1, Vjeshtë-Dimër, Tiranë 2008, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”.
www.acfos-albania.org & acfos_albania@yahoo.com

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme